""... Zhytuni në këtë Oqean, në thellësitë e të cilit gjenden
të fshehura margaritarët e dijes..."
Bahá'u'lláh
Kërkimi
Kërkim i zgjeruar

Kategorie
  
  Bahá’í
   Për fëmijë
   Përmbledhje
   Studime Bahá’í
   Tekste bazë Bahá’í
 

Rëndësia e arteve


RËNDËSIA E ARTEVE
NË PËRHAPJEN E BESIMIT

Përmbledhje

 


Original Title:
The Importance of Arts in Promoting the Faith,
a compilation prepared by the Research Department of the Universal House of Justice, August 1998
Text: Albanian

Përkthyer e botuar nën kujdesen e Komitetit të Botimeve Bahá’í


© Asambleja Shpirtërore Kombëtare
e Bahá’í-ve të Shqipërisë
Rruga e Dibrës 59 - Tiranë
Botimi i parë 2000 - 157 E.B.

 


RËNDËSIA E ARTEVE NË PËRHAPJEN E BESIMIT

Mesazhi i Ridvánit 1966 i Shtëpisë Universale të Drejtësisë drejtuar Bahá’íve të Botës tërhiqte vëmendjen për rëndësinë e arteve, veçanërisht të arteve grafike e të atij interpretues, dhe të letërsisë për shpalljen, përhapjen dhe konsolidimin e Besimit Bahá’í. Kjo përmbledhje ka për qëllim të shtjellojë gjerësisht këtë koncept. Ndërsa ka shumë referenca për “artet” në përkthimet anglisht të Shkrimeve të Bahá’u’lláh-ut e të ‘Abdu’l-Bahá-it, termi “artet” që ndeshet në shumë prej pasazheve të tilla mund të krijojë keqkuptim, sepse kuptimi i fjalës origjinale përfshin shpesh një numër të madh veprimtarish, siç janë veprimtaritë industriale e profesionet. Pasazhet e kësaj përmbledhjeje janë zgjedhur sepse përqëndrohen kryesisht te artet grafike e interpretuese dhe te letërsia.

 

 

Nga Shkrimet e Bahá’u’lláh-ut

1
Dielli i së Vërtetës është Fjala e Perëndisë, nga e cila varet edukimi i atyre që janë të pajisur me aftësinë e të të kuptuarit e të fjalës. Ai është shpirti i vërtetë dhe uji qiellor, falë ndihmës e kujdesit mirëdashës të të cilit të gjitha gjërat janë gjallëruar e do të gjallërohen. Shfaqja e tij në çdo pasqyrë kushtëzohet nga ngjyra e asaj pasqyre. Për shembull, kur drita e tij bie mbi pasqyrat e zemrave të të mençurve, ajo sjell mençuri. Po kështu, kur shfaqet në pasqyrat e zemrave të zejtarëve, ajo shpalos arte të reja e të pashoqe, dhe kur pasqyrohet në zemrat e atyre që kuptojnë të vërtetën revelon shenja të mahnitshme dije të vërtetë dhe zbulon të vërtetat e fjalës së Perëndisë.
(Përkthyer nga persishtja)

2
Ne jua kemi bërë të ligjshme të dëgjoni muzikë e këngë. Por kini mendjen që të dëgjuarit e tyre të mos ju bëjë të kapërceni kufijtë e sjelljes së hijshme e të dinjitetit. Le të jetë gëzimi juaj gëzim i lindur nga Emri Im Më i Madh, një emër që rrëmben zemrën dhe çon në ekstazë mendjet e të gjithë atyre që janë qasur pranë Perëndisë. Ne, me të vërtetë, e kemi bërë muzikën si një shkallë për shpirtrat tuaj, një mjet me anën e të cilit ata të mund të ngjiten në mbretërinë qiellore; mos e bëni, pra, atë krahë për egon e pasionin. Me të vërtetë, nuk Na pëlqen t’ju shohim të renditur ndër të marrët.
(Kitab-i Akdas, paragrafi 51)

3
Ata që recitojnë vargjet e Mëshirëplotit me zërat më të melodishëm, do të shquajnë në to gjëra me të cilat toka e qielli kurrë nuk mund të krahasohen. Prej tyre ai do të thithë aromën hyjnore të botëve të Mia, botë që sot askush nuk mund t’i shohë, veç atyre që u është dhuruar vizioni falë këtij Revelacioni sublim e të mrekulleshëm. Thuaj: Këto vargje tërheqin zemrat e dëlira në ato botë shpirtërore, të cilat nuk mund të shprehen me fjalë e as të nënkuptohen me aluzione. Bekuar qofshin ata që vënë vesh.
(Kitab-i Akdas, paragrafi 116)

4
Çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë ka një fuqi të tillë, që mund t’i japë jetë të re çdo forme njerëzore, në qofshi ndër ata që e kuptojnë këtë të vërtetë. Të gjitha veprat e mahnitshme që shihni në këtë botë janë manifestuar përmes veprimit të Vullnetit të Tij suprem e më të lartësuar, përmes Synimit të Tij të mahnitshëm e të papërkulur. Me anë të revelimit të thjeshtë të fjalës “Krijues”, të dalë nga buzët e Tij për t’i shpallur njerëzimit atributin e Tij, është çliruar një fuqi të tillë që, nga një epokë në tjetrën, është në gjendje të krijojë të gjitha artet e shumëllojshme që duart e njeriut mund të prodhojnë. Kjo është, padyshim, një e vërtetë e sigurt. Sapo kjo fjalë e shkëlqyer thuhet, energjitë e saj jetëdhënëse, që veprojnë në të gjitha gjërat e krijuara, lindin mjetet dhe instrumentet me të cilat arte të tilla mund të prodhohen e të përsosen. Të gjitha arritjet e mahnitshme që shihni sot janë rrjedhojat e drejtpërdrejta të Revelacionit të këtij Emri.
(“Qëmtime nga Shkrimet e Bahá’u’lláh-ut”, par. 74, bot. shqip, f. 96-97)

5
Shpirti që i ka mbetur besnik Kauzës së Perëndisë dhe ka qëndruar i patundur në Shtegun e Tij, do të zotërojë pas ngjitjes një fuqi të tillë, saqë të gjitha botët që i Gjithëfuqishmi ka krijuar do të përfitojnë nëpërmjet tij. Një shpirt i tillë sjell, me urdhër të Mbretit Ideal e Edukatorit Hyjnor, tharmin e pastër që fermenton botën e qenies dhe siguron fuqinë, përmes së cilës artet dhe mrekullitë e botës manifestohen.
(“Qëmtime”, par. 82, bot. shqip, f.109)

6
Çdo fjalë e poezisë sate është me të vërtetë si një pasqyrë në të cilën pasqyrohen dëshmitë e devocionit e të dashurisë që ti ushqen për Perëndinë dhe të zgjedhurit e Tij. I fituar je ti që ke pirë verën e zgjedhur të fjalës dhe ke marrë nga rryma e qetë e dijes së vërtetë. Lum ai që ka pirë kupën e tij dhe është qasur tek Ai, e mjerë të shkujdesurit. Leximi i saj ka qenë me të vërtetë tepër mbresëlënës, sepse ka treguar si dritën e bashkimit dhe zjarrin e ndarjes.
(Lohi Maksud [Lawh-i-Maqsúd], botuar në “Tabelat e Bahá’u’lláh-ut të reveluara pas Kitab-i Akdas-it” (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1995), f. 175-76)


Nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it

7
O muzikant i Perëndisë!... Këngëtarët e miqësisë që banojnë në kopshtet e shenjtërisë duhet të shpërthejnë në një hov të tillë ngazëllyes këngësh në këtë epokë, saqë zogjtë në fusha t’i japin vrull fluturimit të tyre, të rrëmbyer nga kënaqësia; dhe në këtë festim hyjnor, në këtë banket qiellor, t’i bien llautës e harpës, dhe violës e lirës, në mënyrë që njerëzit e lindjes e të perëndimit të mbushen gjithë kënaqësi e gëzim dhe të rrëmbehen prej ekzaltimit e lumturisë. Tani të takon ty të bësh që të dëgjohet melodia e asaj lire hyjnore dhe t’i biesh asaj llaute qiellore, duke bërë që të rikthehet në jetë Bárbud-i,1 të ngushëllohet Rúdakí-u,2 të drithërohet Fárábí-u3 dhe Ibn Sina [Ibn-i-Síná]4 të shkojë në Sinain e Perëndisë. Përshëndetja e lavdërimi qofshin mbi ty.
(Përkthyer nga persishtja)

8
Shpresoj seriozisht se ju do t’i mësoni përmendsh të gjitha poemat persiane të reveluara nga Bukuria e Bekuar dhe do t’i këndoni ato me një zë ëmbëlsie të pashoqe në takimet e mbledhjet Bahá’í. Nuk është e largët dita kur këto poema do të vihen në muzikë perëndimore dhe thekset e ëmbla të këtyre këngëve do të arrijnë në Mbretërinë Abhá me gëzim e ngazëlim të madh. 
(Përkthyer nga persishtja)

9
Arti i muzikës duhet çuar në fazën më të lartë të zhvillimit, sepse ky është një ndër artet më të mahnitshme dhe në këtë epokë të lavdishme të Zotit të Unitetit është tepër e rëndësishme të fitohet mjeshtria e tij. Sidoqoftë, njeriu duhet të përpiqet të arrijë shkallën e përsosurisë artistike dhe të mos jetë si ata që i lënë gjërat përgjysmë.
(Përkthyer nga perishtja)

10
O bilbil i trëndafilishtes së Perëndisë! Të kënduarit e melodive do t’i sjellë gjallëri e lumturi botës së njerëzimit, dëgjuesit do të kënaqen e gëzohen dhe do të nxiten ndjenjat e tyre më të thella. Por ky gëzim, kjo ndjenjë emocioni është kalimtare dhe do të harrohet brenda një kohe të shkurtër. Por, lëvduar qoftë Perëndia, ti i ke përzier meloditë e tua me ato të Mbretërisë, do t’i sjellësh ngushëllim botës së shpirtit dhe do të nxitësh përjetësisht ndjenja shpirtërore. Kjo do të vazhdojë përgjithmonë gjatë rrokullisjes së epokave e të shekujve.
(Përkthyer nga persishtja)

11
O shërbëtor i Bahá-it! Muzika shikohet si një shkencë e lavdërueshme në pragun e Fuqiplotit, kështu që ti mund të këndosh vargje në mbledhje e grumbullime të gjera me melodinë më të mahnitshme dhe të thurësh të tilla himne lavdërimi në Mashrikul Azkar [Mashriqu’l-Adhkár] që të rrëmbejnë Grupimin Qiellor. Duke u nisur nga kjo, shih sa shumë admirohet e çmohet arti i muzikës. Përpiqu, nëse mundesh, të përdorësh melodi, këngë e akorde shpirtërore dhe ta vësh muzikën tokësore në harmoni me melodinë qiellore. Atëherë do të shohësh se ç’ndikim të madh ushtron dhe ç’gëzim e jetë qiellore sjell ajo. Luaj një melodi e akord të tillë, që të mbushë me gëzim e ekstazë bilbilat e mistereve hyjnore.
(Përkthyer nga persishtja)

12
Gëzohem kur dëgjoj se ti i ke kushtuar kujdes artit tënd, sepse në këtë epokë të re të mahnitshme arti është adhurim. Sa më shumë përpiqesh ta përsosësh atë, aq më tepër qasesh pranë Perëndisë. A ka dhunti më të madhe se kjo, që arti i njeriut të jetë si akti i adhurimit të Zotit? Kjo do të thotë se kur gishtat e tu kapin furçën është njëlloj sikur ti të jesh duke u lutur në Faltore.
(Përkthyer nga persishtja)

13
Ndër më të mëdhatë midis të gjitha shërbimeve të mëdha është edukimi i fëmijëve dhe zhvillimi i shkencave, i zejeve e i arteve. Lëvduar qoftë Perëndia, që ju tani po bëni përpjekje energjike në këtë drejtim. Sa më shumë të këmbëngulni në këtë detyrë kaq të rëndësishme, aq më tepër do të jeni dëshmitar i konfirmimeve të Perëndisë, në një shkallë të tillë saqë dhe ju vetë do të habiteni.
(Përkthyer nga persishtja)

14
O zog që i këndon me ëmbëlsi Bukurisë Abhá! Në këtë dispensacion të ri e të mahnitshëm perdet e bestytnisë janë grisur dhe paragjykimet e popujve lindorë janë dënuar. Midis disa kombeve të Lindjes muzika konsiderohej e qortueshme, por në këtë epokë të re Drita e Dukshme, në Tabelat e Tij të shenjta, ka shpallur në mënyrë të posaçme se muzika, e kënduar ose e luajtur, është ushqim shpirtëror për shpirtin dhe zemrën.
    Arti i muzikantit është ndër ato arte që meritojnë vlerësimin më të lartë, dhe ai prek zemrat e të gjithë atyre që janë të brengosur. Prandaj, O ti Shahnáz,5 luaj e këndo fjalët e shenjta të Perëndisë me melodi të mahnitshme në mbledhjet e miqve, që dëgjuesi të çlirohet nga vargonjtë e merakut e të brengosjes dhe shpirti i tij të hidhet nga gëzimi dhe të humbasë në lutje ndaj mbretërisë së Lavdisë.
(Botuar në “Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it” (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1997), paragrafet 74.1-74.2)

15
Prandaj, O të dashurit e Perëndisë! Bëni një përpjekje të fuqishme derisa ju vetë jeni shenjë e këtij përparimi dhe e të gjitha këtyre konfirmimeve, dhe bëhuni vatra të bekimeve të Perëndisë, agime të dritës së unitetit të Tij, mbështetës të dhuntive e të hireve të jetës së qytetëruar. Jini në atë vend pararoja të përsosurive të njerëzimit; çoni përpara degët e ndryshme të dijes, jini aktivë e të përparuar në fushën e shpikjeve e të arteve. Përpiquni të ndreqni sjelljen e njerëzve dhe kërkoni t’ia kaloni mbarë botës për nga karakteri moral. Derisa fëmijët janë ende në foshnjërinë e tyre, ushqejini ata nga gjiri i hirit qiellor, rritini në djepin e të gjitha përsosurive, në krahët e mirësisë. Jepuni atyre epërsinë e çdo lloj dije të dobishme. Le t’i futen ata çdo lloj zeje e arti të ri, të rrallë e të mahnitshëm.
(Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it”, paragrafi 102.3)

16
O ju marrës të favoreve të Perëndisë! Në këtë Epokë të re e të mahnitshme, themeli i patundur është mësimi i shkencave e i arteve. Siç thuhet shprehimisht në Tekstet e Shenjta, çdo fëmije duhet t’i mësohen zejet e artet, në atë shkallë që është e nevojshme. Prandaj në çdo qytet ose fshat duhet të ngrihen shkolla dhe çdo fëmijë i atij qyteti ose fshati duhet t’i përvishet studimit aq sa është e nevojshme.
(“Pjesë të zgjedhura nga shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it”, paragrafi 109.1)

17
O ti bir i Mbretërisë! Të gjitha gjërat janë të dobishme në qoftë se bëhen me dashuri për Perëndinë; kurse pa dashurinë për Të të gjitha gjërat janë të dëmshme dhe veprojnë si një perde midis njeriut dhe Zotit të Mbretërisë. Kur është e pranishme dashuria për Të, çdo hidhërim bëhet i ëmbël dhe çdo dhunti jep kënaqësi të shëndetshme. Për shembull, një melodi e ëmbël për veshin i sjell vetë shpirtin e jetës çdo zemre të dashuruar pas Perëndisë, por njollos me epsh një shpirt të thithur në dëshira sensuale.
(“Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it”, paragrafi 154.3)

18
O ti zog i tingujve tërheqës! Librin tënd të vogël me poema, të cilat ishin shumë të këndshme, e lexuam. Ai qe burim gëzimi, sepse ishte një himn shpirtëror dhe një melodi e dashurisë për Perëndinë.
    Vazhdoje sa të mundesh këtë melodi në mbledhjet e të dashurve; kështu mendjet do të gjejnë prehje e gëzim e do të vijnë në harmoni me dashurinë për Perëndinë. Kur elokuenca e shprehjes, bukuria e ndjenjës dhe ëmbëlsia e kompozimit bashkohen me melodi të reja, efekti është edhe më i madh, veçanërisht në qoftë se është një himn vargjesh e këngësh që i thurin lavde Zotit të Lavdisë. Përpiqu me të gjitha forcat të kompozosh poema të bukura që të këndohen me muzikë qiellore; kështu bukuria e tyre do të prekë mendjet e do të ngulitet në zemrat e atyre që i dëgjojnë.
(Botuar në “Tabelat e ‘Abdu’l-Bahá Abbas-it”, (Nju Jork: Komiteti Botues Bahá’í, shtypur në vitin 1930), vëll. I, f. 59)

19
O ti i nderuar! Falëndero Perëndinë që je i shkolluar në muzikë e melodi dhe këndon me zë të këndshëm për madhërimin e lavdërimin e të Përjetshmit, të Gjallit. Unë i lutem Perëndisë që ti të mund ta përdorësh këtë talent në lutje e përgjërim, në mënyrë që shpirtrat të gjallërohen, zemrat të tërhiqen dhe gjithçka të ndizet flakë me zjarrin e dashurisë për Perëndinë!
(Tabelat e ‘Abdu’l-Bahá Abbas-it”, vëll. III, f. 512)

20
Gjendja e parë e të kuptuarit në botën e natyrës është të kuptuarit e shpirtit racional. Këtë veti të të kuptuarit e këtë aftësi e kanë të gjithë njerëzit, të pavëmendshëm a syhapur, besimtarë a mohues të fesë qofshin. Ky shpirt racional njerëzor është krijim i Perëndisë; ai rrethon krijesat e tjera e ua kalon atyre; e duke qenë më fisnik e më i shquar, i rrethon gjërat. Fuqia e shpirtit racional mund të zbulojë realitetet e gjërave, të kuptojë veçantitë e qenieve dhe të depërtojë në misteret e ekzistencës. Të gjitha shkencat, dijet, artet, mrekullitë, institucionet, zbulimet e ndërmarrjet vijnë nga ushtrimi i inteligjencës së shpirtit racional.
        (Botuar në “Përgjigje për disa pyetje” (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1984), kreu 58, f. 217)


Nga Thëniet e ‘Abdu’l-Bahá-it

21
Ç’mbledhje e mahnitshme është kjo! Këta janë fëmijët e Mbretërisë. Kënga që sapo dëgjuam ishte shumë e bukur për nga melodia e fjalët. Arti i muzikës është hyjnor dhe i efektshëm. Ai është ushqimi i shpirtit. Falë fuqisë e magjepsjes së muzikës shpirti i njeriut merr frymëzim. Ajo lë gjurmë e ushtron një efekt të mahnitshëm në zemrat e fëmijëve, sepse zemrat e tyre janë të dëlira dhe meloditë kanë një ndikim të madh mbi ta. Talentet e fshehura me të cilat janë të pajisura zemrat e këtyre fëmijëve do të gjejnë shprehje nëpërmjet muzikës. Prandaj ju duhet të përpiqeni që ata të fitojnë mjeshtri; i mësoni ata të këndojnë bukur e me efekt. Çdo fëmijë duhet të dijë diçka për muzikën, sepse pa dije për këtë art meloditë e luajtura me instrumente ose të kënduara nuk mund të japin kënaqësinë e duhur. Po kështu, është e nevojshme që në shkollat të mësohet muzikë, në mënyrë që zemrat dhe shpirtrat e nxënësve të gjallërohen e të ngazëllehen dhe jetët e tyre të ndiçohen me gëzim.
(Botuar në “Shpallja e Paqes Universale: Biseda të zhvilluara nga ‘Abdu’l-Bahá-i gjatë vizitës së Tij në Shtetet e Bashkuara e Kanada me 1912”, bot. i rish. (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1982), f. 52)

22
Një aktor përmendi dramën dhe ndikimin e saj. “Drama ka rëndësi shumë të madhe”, tha ‘Abdu’l-Bahá-i. “Ajo ka luajtur një rol të madh edukativ në të kaluarën; kështu do të jetë sërish.” Ai tregoi sesi kur ishte djalë i vogël kishte parë Lojën e Misterit të Tradhtisë e të Mundimit të Aliut dhe si kjo e kishte prekur aq thellë saqë kishte qarë e nuk mundi të flinte për netë të tëra me radhë.
(Botuar në “‘Abdu’l-Bahá-i në Londër: Fjalime dhe Shënime Bisedash” (Oakham: Trusti Botues Bahá’í, 1987), f. 93)

23
 ‘Abdu’l-Bahá-i tha...: “Çdo art është një dhuratë e Shpirtit të Shenjtë  Kur kjo dritë ndriçon mendjen e një muzikanti, ajo shfaqet në harmoni të bukura. Po kështu, kur ndriçon mendjen e një poeti, ajo shihet në poezi e prozë poetike të shkëlqyer. Kur Drita e Diellit të së Vërtetës frymëzon mendjen e një piktori, ai prodhon piktura të mrekullueshme. Këto dhunti përmbushin qëllimin e tyre më të lartë kur i thurin lavde Perëndisë.”
(Lady Blomfield, “Rruga e Zgjedhur” (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1954), f. 167)

24
Është e natyrshme që zemra dhe shpirti të kenë kënaqësi e gëzim nga të gjitha gjërat që shfaqin simetri, harmoni e përsosuri. Për shembull: një shtëpi e bukur, një kopsht i mbajtur mirë, një vijë simetrike, një lëvizje e hijshme, një libër i shkruar mirë, një palë rroba që të kënaqin syrin, në fakt të gjitha gjërat që bartin në vetvete hijeshi ose bukuri janë të kënaqshme për zemrën e shpirtin, prandaj është e sigurt që një zë i vërtetë shkakton kënaqësi të thellë.
(Fjalë të ‘Abdu’l-Bahá-it drejtuar Zonjës Mary L. Lucas, siç citohen në “Një tregim i shkurtër për vizitën timë në Akka” (Çikago: Shoqëria Botuese Bahá’í, 1905), f. 11-14)


Nga Shkrimet e Shoghi Effendiut

25
Një jetë e tillë e virtytshme dhe e shenjtë, me modestinë, dëlirësinë, përkoren, dinjitetin dhe pastërtisë mendore që nënkupton, kërkon moderim në çdo gjë që ka të bëjë me veshjen, gjuhën, argëtimet dhe në çdo lloj veprimtarie artistike e letrare. Ajo kërkon vigjilencë të përditshme për të mbajtur nën kontroll dëshirat mërshore dhe prirjet e shthurura. Ajo kërkon të hiqet dorë nga sjellja me mendjelehtësi, nga rendja e tepruar pas kënaqësive banale e shpesh të zvetënuara. Ajo kërkon mospërdorim të plotë të çfarëdolloj pijeve alkoolike, të opiumit e të drogave të tjera që bëhen ves. Ajo dënon prostituimin e artit e të letërsisë,6 praktikat e nudizmit e të bashkëjetesës jashtë martese, pabesinë në marrëdhëniet bashkëshortore dhe çdo lloj sjellje të shthurrur, intimiteti të tepruar e vesi seksual. Ajo nuk mund të pranojë kompromis me teoritë, kriteret, zakonet dhe tepritë e një epoke dekadente. Përkundrazi, ajo përpiqet të demonstrojë, përmes forcës dinamike të shembullit të saj, karakterin shkatërrimtar të teorive të tilla, falsitetin e kritereve të tilla dhe kotësinë e kërkesave të tilla, zvetënimin e zakoneve të tilla dhe karakterin dhunues të teprive të tilla.
(Botuar në “Ardhja e Drejtësisë Hyjnore”, bot. shqip, f. 35-36)


Nga letrat e shkruara në emër
të Shoghi Effendiut

26
Shoghi Effendiu dëshiron që unë të të njoftoj se e morëm letrën tuaj të 27 tetorit 1931, bashkë me muzikën e “Të panjohurit të vetmuar” dërguar nëpërmjet... Ai shpreson sinqerisht se ndërsa Kauza rritet dhe njerëz me talent vijnë nën flamurin e saj, ata do të fillojnë të shprehin në art frymën e shenjtë që vë në lëvizje shpirtin e tyre. Çdo fe ka sjellë me vete ndonjë formë të artit — të shohim se çfarë çudish do të sjellë me vete kjo Kauzë. Një frymë e tillë e lavdishme gjithashtu duhet t’i japë rrugëdalje një arti të lavdishëm. Tempulli me gjithë bukurinë e tij është vetëm rrezja e parë e një agimi të hershëm; gjëra edhe më të mahnitshme do të arrihen në të ardhmen.
(11 dhjetor 1931, drejtuar një individi)

27
Ai dëshiron që në “The Bahá’í World” [“Bota Bahá’í”] të fillojë një seksion të ri kushtuar tërësisht poemave të shkruar nga Bahá’ínj. Edhe pse ky mund të jetë një fillim modest, ai është një pikënisje për arritje të mëdha në të ardhmen. Shoghi Effendiu dëshiron në këtë mënyrë të inkurojë ata që kanë talent për të shprehur atë frymë të mashnitshme që i vë në lëvizje ata. Neve na nevojiten poetë e shkrimtarë për Kauzën dhe kjo është padyshim një mënyrë e mirë për t’i nxitur ata. Disa prej poemave janë shkruar nga të rinj, e megjithatë ato tinglëllojnë kaq të vërteta dhe shprehin mendime të tilla që njeriu duhet të ndalet e t’i admirojë. Në Persi Kauza ka lindur poetë , të cilët edhe njerëz jo-Bahá’í i konsiderojnë të mëdhenj. Ne shpresojmë se së shpejti të tillë njerëz do të dalin edhe në Perëndim.
(2 janar 1932, drejtuar një individi)

28
Është e sigurt se me përhapjen e frymës së Bahá’u’lláh-ut një epokë e re do të agojë në art e letërsi. Ndërsa më parë forma ishte e përsosur, por i mungonte shpirti, tani do të kemi një shpirt të lavdishëm të mishëruar në një formë të përmirësuar pamasë nga gjenia e gjallëruar e botës.
(3 prill 1932, drejtuar një individi)

29
Shoghi Effendiu dëshiron që unë të të njoftoj se e morëm letrën tuaj të datës 18 maj 1932. Ai u gëzua shumë kur mësoi se juve ju ka pëlqyer libri “Lajmëtarët e Agimit”, sepse kënaqësia e tij më e madhe është kur sheh se kjo vepër, e cila i ka kushtuar atij shumë punë e shqetësim, po i ndihmon miqtë të kuptojnë më mirë e në mënyrë më të plotë frymën që shtyn përpara Lëvizjen dhe jetën shembullore të shpirtrave heroikë që e paraqitën atë në botë. Ruajtësi shpreson sinqerisht se duke lexuar këtë libër miqtë do të nxiten për një veprimtari edhe më të madhe e për sakrifica edhe më të larta, se ata do të arrijnë një kuptim më të thellë të kësaj Kauze, përhapja dhe fitorja përfundimtare e së cilës i është besuar kujdesit të tyre. Siç kanë vënë në dukje disa që e kanë lexuar këtë libër, askush që njihet me ato jetë nuk mund të mos frymëzohet për të ndjekur rrugën e tyre.
    Është sigurisht e vërtetë që fryma e atyre shpirtrave heroikë do të nxisë shumë artistë që të krijojnë gjërat më të mira. Pikërisht jetë të tilla frymëzonin në të kaluarën poetët dhe vinin në lëvizje penelat e piktorëve.
(20 qershor 1932, drejtuar një individi)

30
Shoghi Effendiu tregoi interes të madh kur mësoi për sukseset e “Shfaqjes së Kombeve” që bëtë ju. Ai shpreson sinqerisht se të gjithë ata që e kanë parë atë janë frymëzuar nga e njëjta frymë që ju ka nxitur ju kur e organizuat atë.
    Pikërisht përmes shfaqjesh të tilla ne mund të zgjojmë interesin e sa më shumë njerëzve në frymën e Kauzës. Do të vijë dita që Kauza do të përhapet si zjarr, kur fryma dhe mësimet e saj do të paraqiten në skenë ose në art e letërsi në përgjithësi. Arti mund të ngjallë më mirë të tilla ndjenja fisnike sesa arsyetimi i ftohtë, sidomos midis masave të popullit.
    Neve do të na duhet të presim vetëm pak vite për të parë sesi fryma e futur nga Bahá’u’lláh-u do të gjejë shprehje në punën e artistëve. Ato që ju dhe disa Bahá’í të tjerë po përpiqeni të bëni janë vetëm rreze të zbehta që i paraprijnë dritës së shkëlqyeshme të një agimi të lavdishëm. Ne ende nuk jemi në gjendje të vlerësojmë rolin që Kauza është e destinuar të luajë në jetën e shoqërisë. Ne duhet t’i japim kohë asaj. Materiali që shpirti duhet të mbruajë është tepër i papërpunuar e i pavlerë, por më në fund ai do të jepet dhe Kauza e Bahá’u’lláh-ut do ta shfaqë veten në shkëlqimin e saj të plotë.
(10 tetor 1932, drejtuar një individi)

31
Ruajtësi i vlerëson hymnet që ju aq bukur po kompozoni. Ato me siguri përmbajnë realitetet e Besimit dhe me të vërtetë do t’ju ndihmojnë t’u jepni mesazhin të rinjve. Muzika na ndihmon të prekim shpirtin njerëzor; ajo është një mjet që na ndihmon të komunikojmë me shpirtin. Ruajtësi shpreson se falë kësaj ndihme ju do t’u jepni Mesazhin njerëzve dhe do të tërhiqni zemrat e tyre.
(15 nëntor 1932, drejtuar një individi)

32
Ajo që Bahá’u’lláh-u do të thotë para së gjithash me “shkenca që fillojnë e mbarojnë me fjalë” janë ato traktate e komente teologjike që rëndojnë mendjen njerëzore, në vend që ta ndihmojnë atë të arrijë të vërtetën. Studiuesit mund t’ua kushtojnë jetën studimeve të tyre e megjithatë të mos arrijnë asgjëkundi. Bahá’u’lláh-u me siguri kurrë nuk ka menduar të përfshijë shkrimin e historisë në një kategori të tillë; dhe stenografia e shtypja në makinë janë që të dyja talente shumë të dobishme, shumë të nevojshme në jetën tonë të tanishme shoqërore dhe ekonomike.  Ajo që ju mund të bëni, dhe duhet të bëni, është t’i përdorni tregimet tuaja që të  bëhen burim frymëzimi e udhërrëfim për ata që i lexojnë. Duke pasur në dorë një mjet të tillë, ju mund të përhapni frymën dhe mësimet e Kauzës; ju mund të tregoni të këqiat që ekzistojnë në shoqëri, si dhe rrugën për ndreqjen e tyre. Në qoftë se keni një talent të vërtetë për të shkruar, ju duhet ta konsideroni atë si të dhënë nga Perëndia dhe të bëni përpjekjet për ta përdorur atë për përmirësimin e shoqërisë.
(30 nëntor 1932, drejtuar një individi)

33
Poema juaj kushtuar Nabílit më ka prekur thellë... Unë do të përshëndesja gjithashtu çfarëdo poemash të tjera nga pena juaj e talentuar për çdo fazë ose episod që tregohet në rrëfimin e pavdekshëm të Nabílit. Ju po i bëni Kauzës shërbime unike e të shquara. Qofshi të lumtur dhe vazhdoni me këmbëngulje në përpjekjet tuaja të larta.
(6 gusht 1933, në dorëshkrim të Shoghi Effendiut, shtuar në një letër të shkruar në emër të tij, drejtuar një individi)

34
Përsa i përket çështjes kryesore që ju ngrinit lidhur me këndimin e himneve në takimet Bahá’í: Ai dëshiron që t’ju siguroj se nuk ka asnjë kundërshtim për këtë. Elementi i muzikës është, padyshim, një tipar i rëndësishëm i të gjitha mbledhjeve Bahá’í. Vetë Mjeshtri e ka nënvizuar rëndësinë e kësaj. Por miqtë në këtë, si dhe në çdo gjë tjetër, nuk duhet t’i kalojnë kufijt e moderimit dhe duhet të bëjnë shumë kujdes që të ruajnë karakterin strikt shpirtëror të të gjitha mbledhjeve të tyre. Muzika duhet të çojë në ndjenja shpirtërore dhe, përderisa ajo krijon një atmosferë të tillë, nuk mund të ketë kundërshtim për këtë.
    Megjithatë, duhet bërë një dallim i qartë me rëndësi jetësore midis të kënduarit e himneve të kompozuar nga besimtarët dhe recitimit të Thënieve të Shenjta.
(17 mars 1935, drejtuar një individi)

35
Përsa i përket pyetjes suaj nëse është e këshillueshme të dramatizohen episode historike Bahá’í: Ruajtësi sigurisht e miraton, madje edhe e inkurajon që miqtë të angazhohen në veprimtari të tilla letrare, të cilat, padyshim, mund të kenë vlerë të madhe mësimore. Çfarë ai dëshiron që besimtarët ta shmangin është dramatizimi i personazheve të Báb-it, të Bahá’u’lláh-ut e të ‘Abdu’l-Bahá-it, domethënë trajtimi i tyre si figura dramatike, si personazhe që dalin në skenë. Kjo, mendon ai, siç e kemi vënë në dukje tashmë, do të ishte krejtësisht mungesë respekti. Thjesht fakti që ata të dalin në skenë përbën një akt mosmirësjelljeje, që kurrsesi nuk pajtohet me pozitën e tyre tepër të lartësuar. Mesazhi i tyre, ose fjalët e vërteta të tyre, do të ishte e preferueshme të jepeshin e përçoheshin nga dishepujt e tyre që paraqiten në skenë.
(25 korrik 1936, drejtuar një individi)

36
Ruajtësi u kënaq gjithashtu kur mësoi lidhur me interesimin tuaj të thellë për muzikën dhe me dëshirën tuaj që t’i shërbeni Kauzës në këtë drejtim. Edhe pse tani është vetëm fillimi fare i artit Bahá’í, miqtë që e ndiejnë se kanë talent në punë të tilla duhet të përpiqen t’i zhvillojnë e kultivojnë dhuntitë e tyre dhe përmes punimeve të veta të pasqyrojnë, qoftë edhe në mënyrë të papërsosur, Frymën e Shenjtë që Bahá’u’lláh-u ka sjellë në botë.
  (4 nëntor 1937, drejtuar një individi)
37
...ju ngrini çështjen se cili duhet të jetë burimi i frymëzimit i muzikantëve e i kompozitorëve Bahá’í: muzika e së kaluarës apo Fjala? Duke qenë në pragun e kulturës Bahá’í, ne nuk mund ta parashikojmë se ç’forma e karakteristika do të kenë artet e së ardhmes, të frymëzuara nga Ky Revelacion i Ri i Fuqishëm. Por mund të themi me siguri se ato do të jenë të mahnitshme; ashtu si çdo Besim ka lindur një kulturë që ka lulëzuar në forma të ndryshme, edhe Besimi ynë i dashur duhet pritur të bëjë të njëjtën gjë. Aktualisht është e parakohshme të përpiqesh të kuptosh sesi do të jenë ato.
(23 dhjetor 1942, drejtuar një individi)

38
Muzika, si një nga artet, është një zhvillim kulturor i natyrshëm dhe Ruajtësit nuk i duket se duhet të ketë një kultivim të “Muzikës Bahá’í” më tepër nga ç’po përpiqemi të zhvillojmë një shkollë Bahá’í të pikturës ose të të shkruarit. Besimtarët janë të lirë të pikturojnë, të shkruajnë e të kompozojnë ashtu siç i shtyjnë talentet e tyre. Në qoftë se shkruhet muzikë që përfshin shkrimet e shenjta, miqtë janë të lirë ta përdorin atë, por kurrë nuk duhet konsideruar si një kërkesë që në takimet Bahá’í të ketë muzikë të tillë. Sa më larg të qëndrojnë miqtë nga çdo lloj formash të ngurta, aq më mirë është, sepse ata duhet ta kuptojnë që Kauza është absolutisht universale dhe diçka që mund të duket si një shtojcë e bukur në mënyrën e tyre të kremtimit të një Feste etj., në veshët e njerëzve të një vendi tjetër mund të lerë përshtypjen e tingujve të pakëndshëm, dhe anasjelltas. Sakohë kanë muzikë për veten e tyre, çdo gjë është në rregull, por ata nuk ta konsiderojnë atë si muzikë Bahá’í.
(20 korrik 1946, drejtuar një Asambleje Shpirtërore  Kombëtare)

39
...ai dëshiron të tërheqë vëmendjen e Asamblesë suaj për një çështje shumë të rëndësishme, dhe kjo është Emri Më i Madh. Në sytë e Perëndimit, të paushtruar në artin më të zhvilluar të Lindjes, kaligrafinë, gati çdo “Emër Më i Madh”, në qoftë se mishëron pikat kryesore, është “Emri Më i Madh.” Por një lindori kjo mund t’i duket një monstruozitet... U duhet përmbajtur përmasave të sakta. Emri Më i Madh nuk duhet shtrirë për së gjati ose për së larti, për të mbushur një hapësirë drejtkëndëshe ose një rreth.
(22 dhjetor 1948, drejtuar një Asambleje Shpirtërore Kombëtare)

40
Ishte një kanadez, me prejardhje franceze, ai që përmes vizionit e mjeshtrisë së tij ndihmoi në konceptimin e projektit dhe përvijimin e tipareve të të parit Mashrikul Azkar në Perëndim, duke shënuar hapin e parë, sado fillestar, për të shprehur bukurinë që arti Bahá’í do të shpalosë, kur të arrijë kulmin e tij, para syve të botës.
(1 mars 1951, nga një poshtëshënim i Shoghi Effendiut shtuar një letre të shkruar në emër të tij, drejtuar një Asambleje Shpirtërore Kombëtare)

41
Muzika është një prej arteve dhe Profetët e Perëndisë nuk mësojnë artet; por shtytja e fuqishme kulturore që feja i jep shoqërisë lind gradualisht forma të reja e të mahnitshme arti. Ne e shohim këtë në stilet e ndryshme të arkitekturës e të pikturës, që shoqërohen me qytetërimin e krishterë, muhamedan, budist e të tjerë. Edhe muzika është zhvilluar si një shprehje e popullit.
    Ne besojmë se në të ardhmen, kur fryma Bahá’í të ketë përshkuar botën dhe të ketë ndryshuar rrënjësisht shoqërinë, muzika do të preket prej saj; por nuk ka ndonjë muzikë Bahá’í. Gjithçka ajo thotë në mësimet për muzikën është se kjo mund të ndikojë shumë thellë mbi zemrën e shpirtin e njeriut dhe të ketë një efekt tepër frymëzues.
(3 shkurt 1952, drejtuar një individi)

42
Përsa u përket çështjeve që ju ngrinit në letrën tuaj: Në mësimet nuk ka asgjë kundër vallëzimit, por miqtë duhet të mbajnë parasysh se standardi i Bahá’u’lláh-ut është modestia e dëlirësia. Atmosfera e sallave të vallëzimit modern, ku ka aq shumë pirje duhani e pijesh dhe shthurje, është shumë e keqe, por vallet e hijshme nuk janë të dëmshme në vetvete. Nuk ka, sigurisht, asgjë të keqe në vallet klasike ose në mësimin e të vallëzuarit në shkollë. Gjithashtu nuk ka sgjë të keqe të marrësh pjesë në drama. Po kështu në të luajturit në kinema. Gjë e dëmshme, në ditët tona, nuk është arti në vetvete, por korrupsioni fatkeq që shpesh rrethon këto arte. Si Bahá’í, ne nuk duhet të shmangim asnjë prej arteve, por duhet të shmangim veprimet e atmosferën që disa herë shoqërojnë këto profesione.
  (30 qershor 1952, drejtuar një Asambleje Shpirtërore Kombëtare)


Nga letra të shkruara prej dhe në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë

43
Vetë publiciteti duhet të jetë i konceptuar mirë, dinjitoz e me respekt. Një trajtim pompoz, i cili fillimisht mund të ketë tërhequr vëmendjen rreth Kauzës, më vonë mund të dalë se ka shkaktuar një zmbrapsje që mund të kërkojë shumë përpjekje për ta kapërcyer. Standardi i dinjitetit e i respektit i vendosur nga Ruajtësi i dashur duhet ruajtur kurdoherë, veçanërisht në muzikë e teatër; edhe fotografi të Mjeshtrit nuk duhen përdorur pa dallim. Kjo nuk do të thotë që veprimtaritë e rinisë, për shembull, të katandisen deri në absurditet; njeriu mund të jetë plot gjallëri pa qenë i parespekt ose pa dëmtuar dinjitetin e Kauzës.
(2 korrik 1967, drejtuar nga Shtëpia Universale e Drejtësisë të gjitha Asambleve Shpirtërore Kombëtare)

44
...ne e kuptojmë se juve do t’ju ndihmonte të dini se këngët, fjalët e të cilave janë Shkrime bazë të Báb-it, të Bahá’u’lláh-ut ose të ‘Abdu’l-Bahá-it, janë plotësisht të përshtatshme për pjesën devocionale të Festës. Me të vërtetë, himnet persiane janë këngë të tilla, që vijnë nga një traditë e ndryshme; ato janë një mënyrë e vënies në muzikë të Fjalës së shenjtë dhe çdo person që këndon e bën këtë në një mënyrë që pasqyron ndjenjën e shprehjen e tij të Fjalëve që shqipton. Përsa u përket këngëve, fjalët e të cilave janë poetike dhe personat që u referohen nuk janë Figurat e Besimit, këto mund të jenë të dëshirueshme por në vendin e përshtatshëm. ...
    Përderisa fryma e mbledhjeve tona ndikohet aq shumë nga toni e nga cilësia e adhurimit tonë, nga ndjenja e nga vlerësimi ynë për Fjalën e Perëndisë për kohën e sotme, ne shpresojmë se ju do të inkurajoni shprehjen më të bukur të mundshme të shpirtrave njerëzorë në komunitetet tuaja, përmes muzikës midis mënyrave të tjera të ndjenjës.
(22 shkurt 1971, drejtuar nga Shtëpia Universale e Drejtësisë një Asambleje Shpirtërore Kombëtare)

45
Kuptimi juaj se portretizimi i Báb-it dhe i Bahá’u’lláh-ut në vepra arti ndalohet është i drejtë. Ruajtësi e ka bërë të qartë se ky ndalim u referohet të gjitha Manifestimeve të Perëndisë; fotografitë ose riprodhimet e portreteve të Mjeshtrit mund të përdoren në libra, por nuk duhen bërë orvatje për ta portretizuar atë në vepra dramatike ose të tjera, në të cilat Ai do të ishte një ndër “personazhet e dramës.” Sidoqoftë, nuk ka ndonjë kundërshtim për paraqitjen simbolike të Figurave të tilla të Shenjta, me kusht që kjo të mos bëhet një rit dhe që simboli i përdorur të mos jetë i parespekt.
(3 dhjetor 1972, drejtuar nga Shtëpia Universale e Drejtësisë një Asambleje Shpirtërore Kombëtare)

46
Ndërsa është fare e vërtetë se artistë individualë si Mark Tobi [Mark Tobey] e të tjerë janë frymëzuar e ndikuar, padyshim, nga dashuria e tyre për Revelacionin e Bahá’u’lláh-ut, është shumë e parakohshme në Dispensacionin Bahá’í të flitet për ndikimin e Besimit mbi artet në përgjithësi. Me të vërtetë vetë Ruajtësi i dashur ka vënë në dukje se ende nuk ka ndonjë art Bahá’í, edhe pse nga thënie të shkrimeve nuk ka vend për dyshim se mund të parashikohet një lulëzim i mahnitshëm i arteve të reja e të bukura në të ardhmen.
(17 janar 1973, drejtuar nga Shtëpia Universale e Drejtësisë një Asambleje Shpirtërore Kombëtare)

47
Ruajtësi i dashur e ka bërë të qartë se lulëzimi i arteve, që është rezultat i një revelacioni hyjnor, vjen vetëm pas disa shekujsh. Besimi Bahá’í i ofron botës rindërtimin e plotë të shoqërisë njerëzore, një rindërtim me një efekt që shkon shumë larg, i cili është parashikuar në të gjitha revelacionet e së kaluarës dhe është quajtur vendosje e Mbretërisë së Perëndisë në tokë. Arkitektura e re që do të lindë ky revelacion do të lulëzojë pas shumë brezash. Ne jemi tani vetëm në fillim të këtij procesi të madh.
    Koha e sotme është një periudhë trazire e ndryshimi. Arkitektura, si të gjitha artet e shkencat, po përjeton një zhvillim shumë të shpejtë; mjafton të shohësh ndryshimet që kanë ndodhur gjatë pak dhjetëvjeçarëve të fundit, për të krijuar një ide se çfarë mund të ndodhë në vitet që vijnë menjëherë pas tyre. Disa ndërtime moderne kanë, padyshim, veti të madhështisë dhe do t’i qëndrojnë kohës, por shumë prej atyre që ndërtohen tani mund të kapërcehen e mund të duken të shëmtuara pas disa brezash. Arkitektura moderne, me fjalë të tjera, mund të konsiderohet një zhvillim i ri në fazën e tij fillestare.
(18 korrik 1974, drejtuar nga Shtëpia Universale e Drejtësisë një individi)

48
Shtëpia Universale e Drejtësisë e kupton se në kohën e tanishme në zhvillimin e Besimit përgjegjësia e tij parësore është përgatitja dhe zbatimi i planeve mësimore, që kanë për qëllim të arrijnë objektivat e shtruara në Tabelat e ‘Abdu’l-Bahá-it për Planin Hyjnor dhe se teoritë në arte e shkenca duhet të zhvillohen nën kujdesin e atyre që janë të përgatitur mirë e ekspertë në ato fusha.
(25 janar 1977, drejtuar nga Shtëpia Universale e Drejtësisë një individi)

49
Ndalimi i paraqitjes së Manifestimit të Perëndisë në piktura e vizatime ose në shfaqje teatrale ka të bëjë me të gjitha Manifestimet e Perëndisë. Ka, sigurisht, vepra të mëdha e të mahnitshme arti të Dispensacioneve të së kaluarës, shumë prej të cilave portretizojnë Manifestimet e Perëndisë në një frymë nderimi e dashurie. Megjithatë, në këtë Dispensacion pjekuria më e madhe e njerëzimit dhe vetëdija më e madhe për marrëdhëniet midis Manifestimit Suprem dhe shërbëtorëve të Tij na ndihmon të kuptojmë pamundësinë e paraqitjes, në çfarëdo forme njerëzore, qoftë në pikturë, në skulpturë ose në shfaqje teatrale, të personit të Manifestimit të Perëndisë. Duke shpallur ndalimin Bahá’í, Ruajtësi i dashur e ka vënë në dukje këtë pamundësi.
(9 mars 1977, drejtuar nga Shtëpia Universale e Drejtësisë një individi)

50
Të njëjtat forcat destruktive po çrregullojnë gjithashtu ekuilibrin politik, ekonomik, shkencor, letrar e moral të botës dhe po shkatërrojnë frytet më të mira të qytetërimit të tanishëm.... Madje edhe muzika, arti dhe letërsia, të cilat duhet të paraqesin e të frymëzojnë ndjenjat më fisnike e aspiratat më të larta dhe të jenë burim ngushëllimi e qetësie për shpirtrat e trazuar, janë larguar nga rruga e drejtë dhe janë tani pasqyrat e zemrave të zvetënuara të kësaj epoke të pështjelluar, të paparim e të çrregulluar.
(10 shkurt 1980, drejtuar nga Shtëpia Universale e Drejtësisë Bahá’í-ve iranianë në mbarë botën; botuar në “Meazhe nga Shtëpia Universale e Drejtësisë 1963-1986” (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1996), f. 435)

51
Në përgjithësi, veprat e letërsisë artistike, që shkrimtarët shpresojnë se do të ndihmojnë në përhapjen e dijeve për Kauzën e Perëndisë, e përmbushin më mirë këtë qëllim në qoftë se janë të mbështetura në sfondin e ngjarjeve të veçanta ose të proceseve në zhvillim në Kauzën e Perëndisë dhe nuk përdoren për të portretizuar vetë ngjarjet historike reale dhe figurat që marrin pjesë në to. Realiteti i ngjarjeve të vërteta dhe i personazheve të vërteta është shumë më bindës se çdo paraqitje letrare. Lidhur me këtë, sekretari i Ruajtësit ka shkruar në emër të tij:7
    Ai nuk rekomandon letërsinë artistike si mjet mësimdhënieje; gjendja e botës është tepër e mprehtë dhe nuk lejon vonesë në dhënien e mësimeve të drejtpërdrejta të lidhura me emrin e Bahá’u’lláh-ut. Por çdo trajtim i përshtatshëm i Besimit, që i drejtohet këtij ose atij grupi, ia vlen sigurisht të bëhen përpjekje, duke qenë se ne dëshirojmë ta çojmë Kauzën tek të gjithë njerëzit, në të gjitha shtigjet e jetës, të të gjitha mendësive.
(23 shtator 1980, drejtuar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë një individi)

52
Letrën juaj ... lidhur me artin e morëm dhe Shtëpia Universale e Drejtësisë na ka udhëzuar t’ju rekomandojmë që në planin tuaj të përdorni talentet tuaja për të shprehur frymën e mësimeve të Bahá’u’lláh-ut. Ajo ju inkurajon përzemërsisht në këtë punë....
    Në përgjigje të kërkesës suaj për udhëheqje lidhur me rrugët më të mira për të afruar artistë në shpjegimin e Besimit, mund të thuhet se, veç atyre metodave që tërheqin njerëzit përgjithësisht, artistët do të jenë të ndjeshëm ndaj artit. Kur mësimet sublime të Besimit pasqyrohen në punën artistike, zemrat e njerëzve, duke përfshirë artistët, preken. Një citim nga Shkrimet e Shenjta ose një përshkrim i një pjese artistike kur ajo u referohet Shkrimeve, mund t’i japë shikuesit një kuptim të burimit të kësaj tërheqjeje shpirtërore dhe ta shtyjë atë për të studiuar më tej Besimin.
(21 korrik 1982, drejtuar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë një individi)

53
Me evolucionin e shoqërisë Bahá’í, e cila përbëhet nga njerëz me prejardhje kulturore të larmishme e shije të ndryshme, ku secili ka konceptin e vet se ç’është e pranueshme dhe e kënaqshme nga ana estetike, ata Bahá’í që kanë talent në muzikë, në teatër e në artet vizive janë të lirë të ushtrojnë talentet e tyre në mënyra që do të ndihmojnë Kauzën e Perëndisë. Ata nuk duhet të ndiehen të shqetësuar nëse nuk vlerësohen nga besimtarë të ndryshëm. Përkundrazi, duke pasur njohuri për shkrimet bindëse të Besimit mbi muzikën dhe shprehjen artistike, ... ata duhet të vazhdojnë përpjekjet e tyre artistike mbi bazën e pranimit të devotshëm se artet janë mjete të fuqishme për t’i shërbyer Kauzës, artet që me kohë do të kenë frytet e tyre Bahá’í.
(9 gusht 1983, drejtuar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë një individi)

54
Letrën tuaj ... që kërkon udhëheqje në çështjen e paraqitjes vizuale të personazheve që lidhen me Epokën Heroike të Besimit e morëm. Shtëpia Universale e Drejtësisë dëshiron që ju të dini se as në udhëzimet e Ruajtësit, as në ato të Shtëpisë së Drejtësisë, nuk ka asgjë ... që t’i ndalojë artistët ... të bëjnë vizatime të Shkronjave të të Gjallit në mjedise, ose duke marrë pjesë në ngjarje që janë historikisht të sakta. Është e qartë se, veç saktësisë, është e rëndësishme të ruhet dinjiteti i personazheve që portretizohen.
(5 tetor 1983, drejtuar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë një Asambleje Shpirtërore Kombëtare)

55
Në kohën e tanishme arkitektura, së bashku me të gjitha aspektet e qytetërimit tonë, po kalon një periudhë zhvillimi të shpejtë, me shije që ndryshojnë nga një dhjetëvjeçar në tjetrin. Askush nuk mund të jetë i sigurt nëse një godinë e ndërtuar tani në një stil të kohës do të vazhdojë të duket e bukur në sytë e njerëzve pas pesëdhjetë vjetësh. Prandaj Ruajtësi i dashur zgjodhi për Qendrën Administrative Botërore të Besimit stilin klasik grek të arkitekturës. Ky është një stil i pjekur, shumë i bukur, që i ka qëndruar kohës për rreth 2000 vjet. Por nuk do të ishte e drejtë të nxirrej që këtej konkluzioni se stilet klasike greke janë në mënyrë të veçantë arkitekturë Bahá’í.
(3 shtator 1984, dërguar nga Shtëpia Universale e Drejtësisë një individi)

56
Duke flakur pamjet e ulëta të mediokritetit, le t’u ngjiten ata majave të larta të përsosurisë në çdo gjë që aspirojnë të bëjnë. Le të vendosin të ngrejnë vetë atmosferën në të cilën lëvizin, qoftë kjo në klasat shkollore ose në sallat e diturisë më të lartë, në punën e tyre, në argëtimin e tyre, në veprimtarinë e tyre Bahá’í ose në shërbimin shoqëror.
    Me të vërtetë, le të mirëpresin ata me besim sfidat që kanë përpara. Të brumosur me këtë përsosuri e me përvuajtësinë përkatëse, me këmbëngulje e me frymën e shërbimit plot dashuri, rinia e sotme duhet të lëvizë drejt radhëve të përparuara të profesioneve, të zanateve, të arteve e të zejeve të nevojshme për përparimin e mëtejshëm të njerëzimit, për të siguruar kështu që fryma e Kauzës të derdhë ndriçimin e saj në të gjitha këto fusha të përpjekjes njerëzore.
    Për më tepër, ndërsa synojnë të zotërojnë konceptet unifikuese dhe teknikat që përparojnë me shpejtësi të kësaj epoke të komunikimit, ata munden, në fakt duhet, të garantojnë gjithashtu transmetimin së ardhmes të atyre mjeshtrive që do të ruajnë arritjet e mrekullueshme, të domosdoshme të së kaluarës. Transformimi që do të ndodhë në funksionimin e shoqërisë do të varet me siguri në një shkallë të madhe nga efektshmëria e përgatitjeve që bëjnë të rinjtë për botën që do të trashëgojnë.
(8 maj 1985, drejtuar nga Shtëpia Universale e Drejtësisë Rinisë Bahá’í të Botës)

57
Shtëpia e Drejtësisë dëshiron t’ju inkurajojë në shkrimin e librit tuaj, por ju kujton se Ruajtësi e ka deklaruar qartë që në këtë fazë të hershme të Dispensacionit nuk ka ndonjë art, muzikë, arkitekturë ose kulturë Bahá’í. Ato padyshim do të lindin në të ardhmen si një rritje e natyrshme e një qytetërimi Bahá’í. Parapëlqimet e vetë Ruajtësit në çështje të tilla nuk duhen parë kurrë si hedhje e themeleve për zhvillime të tilla. Siç e tregon qartë mospranimi prej tij i projektit që iu paraqit për Tempullin në Kampala ... ai nuk mendonte se rryma e përgjithshme moderne e arkitekturës, e zakonshme në kohën e tij, ishte e përshtatshme për një Shtëpi Adhurimi Bahá’í, por kjo nuk do të thotë kurrsesi se ai krijoi një model të vetin. Zgjedhja prej tij e stilit klasik për strukturat në Malin Karmel u bë, sipas Amatul Baha Ruhije Hanëmit [Amatu’l-Bahá Rúhíyyih Khánum], sepse ky stil ishte i bukur e i përshtatej asaj zone, dhe sepse i kishte qëndruar provës së kohës. Prandaj ju duhet të bëni kujdes të mos thoni ose të mos bëni të mundur të nxirret përfundimi se Ruajtësi ka përvijuar fillimet e hershme të formave Bahá’í të artit. Ai bëri kopshte e ndërtesa të mrekullueshme, duke shfrytëzuar atë që ishte e përdorshme dhe, si në rastin e superstrukturës së Mauzoleut të Báb-it, angazhoi ekspertë që mund të bënin projekte të përshtatshme nën drejtimin e tij.
(23 qershor 1985, drejtuar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë një individi)

58
Përsa u përket muzikës dhe arteve të bukura, ju jeni, sigurisht, të lirë t’i përfshini ato si subjekte programesh në shkollat Bahá’í. Shumë prej Asambleve tuaja Kombëtare simotra, që i njohin mirë Shkrimet Bahá’í lidhur me muzikën e artet, i përfshijnë udhëzime e materiale të tilla, kur e gjykojnë këtë të mundur në këtë fazë të zhvillimit të komunitetit Bahá’í. Shumë punë duhet bërë nga mësues të përkushtuar e të talentuar për të stimuluar, mbledhur e botuar muzikën e dobishme, që po krijohet tani në botën Bahá’í, dhe për ta përdorur sistematikisht atë në shkollat....
    Në përputhje me Mësimet tona, muzika dhe artet duhen inkurajuar, dhe ato i japin shumë vitalitetit e frymës së komunitetit. Mendimet dhe përpjekjet e Asamblesë suaj vlerësohen dhe ju përmendeni në lutjet e Shtëpisë së Drejtësisë.
(20 gusht 1985, drejtuar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë një Asambleje Shpirtërore Kombëtare)

59
Lidhur me përdorimin e simbolizmit në art, dy pasazhet që vijojnë, të nxjerra nga letra dërguar dy individëve nga Shtëpia e Drejtësisë, mund të japin përgjigjen që ju kërkoni:
   Ne nuk kemi ndonjë kundërshtim për përdorimin e dukurive natyrore si simbole për të ilustruar rëndësinë e tri Figurave Qendrore, të ligjeve Bahá’í dhe të Administrimit Bahá’í; ne çmojmë gjithashtu si të përshtatshëm përdorimin e simboleve vizuale për të shprehur koncepte abstrakte.  (29 korrik 1971)
   Kuptimi juaj se portretizimi i Báb-it dhe i Bahá’u’lláh-ut në vepra arti ndalohet është i drejtë. Ruajtësi e ka bërë të qartë se ky ndalim u referohet të gjitha Manifestimeve të Perëndisë; fotografitë ose riprodhimet e portreteve të Mjeshtrit mund të përdoren në libra, por nuk duhen bërë orvatje për ta portretizuar atë në vepra dramatike ose të tjera, në të cilat Ai do të ishte një ndër “personazhet e dramës.” Sidoqoftë, nuk ka ndonjë kundërshtim për paraqitjen simbolike të Figurave të tilla të Shenjta, me kusht që kjo të mos bëhet një rit dhe që simboli i përdorur të mos jetë i parespekt.  (3 dhjetor 1972)
    Ju nganjëherë jepni përshkrime të shkruara të hollësishme të simboleve që përdorni në pikturat tuaja; si praktikë kjo mund të fusë një aspekt i cili mund të ishte një shpjegim i panevojshëm i koncepteve Bahá’í, që në fund të fundit ul në vend që të ngrejë përpjekjet tuaja artistike. Simbolizmi është brumi i artit, por artistët rrallë herë i shpjegojnë simbolet që përdorin, duke ua lënë shikuesve të punimeve të tyre të nxjerrin konkluzionet e veta, ndonjëherë vetëm nga ndonjë aluzion që jepet në titujt e veprave të tilla.
    Titullimi i një pjese artistike është e drejta e artistit; vërejtja e vetme mund të ishte për përdorimin e një titulli të parespekt për një pjesë që ka si qëllim të paraqesë një subjekt Bahá’í.
    Përsa i përket pyetjes suaj për ekzekutimin nga një artist të një “pikture që është një sqarim bashkëkohor i një pasazhi të Shkrimeve të Shenjta”, Shtëpia e Drejtësisë mendon se institucionet Bahá’í nuk duhet t’i pengojnë artistët të krijojnë një larmi interpretimesh kaligrafike të Shkrimeve të Shenjta ose të Emrit Më të Madh. Sidoqoftë, përpjekje të tilla duhen bërë me shije dhe jo të marrin forma që u japin ngjyrë qesharake. Lidhur me simbolin e përdorur zakonisht të Emrit Më të Madh, Shtëpia e Drejtësisë këshillon që të tregohet kujdes i madh për paraqitjen e saktë të kaligrafisë persiane, përderisa çdo largim nga një paraqitje e pranuar mund të krijojë shqetësim te besimtarët iranianë.
(23 shkurt 1987, drejtuar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë një individi)

60
Politika e formuluar nga Shtëpia e Drejtësisë për të shkurajuar riprodhimin e fotografive ose të pikturave të Mjeshtrit për shpërndarje, nuk përmban ndonjë gjykim lidhur me cilësinë e një pikture. Ka një larmi të madhe në cilësinë e mjeshtrisë artistike me të cilën kryhen piktura të Mjeshtrit. Shtëpia e Drejtësisë nuk dëshiron të shfaqë ndonjë parapëlqim për një pikturë ndaj një tjetre.; ajo ka më tepër si qëllim të adoptojë këtë politikë të përgjithshme si mjet për të siguruar që të tregohet respekti i duhur në paraqitjen e ‘Abdu’l-Bahá-it dhe të mos shpërndahen riprodhime fotografike me cilësi të dobët të këtyre pikturave.
    Një dallim i rëndësishëm bëhet midis botimit të fotografive të pikturave në libra e revista, që nuk është i ndaluar sepse i është nënshtruar njëfarë gjykimi nga ana e botuesit, dhe botimit të tyre më vete, gjë që nuk inkurajohet nga Shtëpia e Drejtësisë.
    Në mënyrë më të përgjithshme, Shtëpia e Drejtësisë mendon se një nga sfidat më të mëdha që ndeshin kudo Bahá’í-të është ajo e rikthimit të vetëdijës së realitetit shpirtëror në popujt e botës. Shikimi i botës nga ne është krejt i ndryshëm nga ai i masës së njerëzimit, sepse ne vemë re që krijimi përfshin si ekzistencën shpirtërore dhe atë fizike, dhe ne e shohim qëllimin e botës ku ndodhemi ne vetë si një mjet për përparimin tonë shpirtëror.
    Ky shikim ka pasoja të rëndësishme për sjelljen e Bahá’í-ve dhe çon në praktika që janë krejt të kundërta me sjelljen mbizotëruese të shoqërisë së gjerë. Një nga vetitë dalluese që theksohet në Shkrimet Bahá’í është respekti për të shenjtën. Një qëndrim i tillë nuk ka kuptim për ata që kanë një pikëpamje krejtësisht materialiste për botën, ndërsa shumë pasues të feve të vendosura e kanë ulur atë në një varg ritesh të zbrazura nga çdo ndjenjë e vërtetë shpirtërore.
    Në disa raste Shkrimet Bahá’í përmbajnë udhëzime të sakta sesi duhet shprehur nderimi për objekte ose vende të shenjta, p.sh. kufizime në përdorimin e Emrit Më të Madh për objekte ose në përdorimin pa dallim të zërit të Mjeshtrit. Në raste të tjera, besimtarëve u bëhet thirrje të përpiqen të arrijnë një kuptim më të thellë të konceptit të shenjtërisë në mësimet Bahá’í, nga i cili ata të mund të përcaktojnë format e veta të sjelljes ku të shprehet nderimi e respekti.
    Rëndësia e një sjelljeje të tillë rrjedh nga parimi i shprehur në Shkrimet Bahá’í, se ana e jashtme ndikon mbi atë të brendshmen. Duke iu referuar “njerëzve të Perëndisë”, Bahá’u’lláh-u thotë:  “Sjellja e tyre e jashtme s’është veçse një pasqyrim i jetës së tyre të brendshme, dhe jeta e tyre e brendshme një pasqyrë e sjelljes së tyre të jashtme.”
    Shtëpia Universale e Drejtësisë dëshiron që pikërisht brenda këtij kuadri t’i shihni ju çështjet që janë shprehur gjatë disa viteve të kaluara. Bahá’í-të që kanë talent artistik ndodhen në pozitën unike që t’i venë në përdorim aftësitë e tyre kur trajtojnë tema Bahá’í, në mënyrë të tillë që të shpalosin para njerëzimit provat e përtëritjes shpirtërore që Besimi Bahá’í i ka sjellë njerëzimit përmes ringjalljes së konceptit të nderimit.
    Çështjet e lirisë artistike nuk kanë lidhje me problemet e ngritura këtu. Artistët Bahá’í janë të lirë t’i përdorin talentet e tyre në çdo subjekt që është me interes për ta. Por shpresohet se ata do të luajnë një rol udhëheqës për të ringjallur në një shoqëri materialiste një vlerësim të nderimit si një element jetësor në arritjen e lirisë së vërtetë e të lumturisë së qëndrueshme.
(24 shtator 1987, drejtuar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë një individi)

61
Shtëpia e Drejtësisë u gëzua kur mësoi për sukseset që ju po arrini në profesionin tuaj. Ajo ju këshillon ta shikoni këtë veprimtari profesionale në kontekstin e shërbimit ndaj Besimit dhe të mbështetjes për punën e shpalljes e të mësimit të tij. Arritjet tuaja muzikore do t’ju japin mundësinë të viheni në kontakt me një numër të madh njerëzish dhe më në fund t’u shpallni atyre Mesazhin e Bahá’u’lláh-ut me anë të shprehjes së vlerave të tij në muzikën tuaj. Ju gjithashtu mund të krijoni miqësi të vlefshme për Besimin midis njerëzve me influencë që takoni gjatë zhvillimit të punës suaj. Këto konsiderata mund t’ju udhëheqin në marrjen e vendimit që qëndron para jush lidhur me zonën ku doni të vendoseni. Artistët Bahá’í që arrijnë të shquhen e të fitojnë famë në fushën që kanë zgjedhur dhe që mbeten të përkushtuar në mbështetjen e Besimit, mund të japin një ndihmë të pashoqe për Kauzën në kohën e sotme, kur kurioziteti publik lidhur me mësimet Bahá’í po rritet hap pas hapi.
(30 qershor 1938, drejtuar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë dy individëve)

62
Është e lejueshme të përdoren pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e Shenjta si lirika që të shoqërohen me kompozime muzikore dhe të përsëriten vargje ose fjalë. Citatet e mëposhtme japin sqarime të mëtejshme lidhur me këto çështje.
   Prandaj ... vini në muzikë vargjet dhe fjalët hyjnore, që ato të këndohen me melodi që prekin shpirtin në Asamble e mbledhje dhe që zemrat e dëgjuesve të trazohen e të ngrihen drejt Mbretërisë Abhá me përgjërim e lutje.8
(‘Abdu’l-Bahá, “Besimi Botëror Bahá’í”, f. 378)

   Nuk ka dyshim që lutje dhe pjesë të Tabelave, të “Fjalëve të Fshehura” etj., janë të përshtatshme, por ai nuk mendon se do të ishte e këshillueshme të përmblidhej çdo pjesë e veçantë, me fjalë të tjera të liheshin jashtë pjesë të një paragrafi ose të një përsiatjeje dhe të shkurtoheshin ato në këtë mënyrë.
(Nga një letër e datës 3 korrik 1949, shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)

    Në përgjigje të një pyetjeje të një besimtari lidhur me ndryshime të vogla fjalësh për hir të theksimit të rregullt ose me shtesë të ndonjë fjale për hir të metrikës së përsosur, Ruajtësi i dashur ka thënë:
   Ndryshime të lehta në tekstin e lutjeve janë të lejueshme, dhe unë do t’ju këshilloja t’i jepni formë muzikore vetë fjalës së reveluar, gjë që mendoj se do të ishte tepër e efektshme. Unë do të lutem që I Shumëdashuri t’ju frymëzojë t’i bëni këtë shërbim të madh Kauzës së Tij.
(Në dorëshkrim të Shoghi Effendiut, shtuar në një letër të datës 8 prill 1931 të shkruar në emër të tij, dërguar një besimtari individual)

    Lidhur me çështjen e vënies së vargjeve të Shkrimeve Bahá’í në melodi të pjesëve muzikore ekzistuese, duke supozuar se nuk ka çështje të së drejtës së autorit ose të kufizimeve legale, duhet mbajtur parasysh se një muzikë e tillë mund të shkaktojë shoqërime idesh të pjesës origjinale, qoftë për nga lirika ose mënyra, dhe kështu të mos përmbushë kërkesën që Tekstet e Shenjta të trajtohen me dinjitet e nderim.
(6 dhjetor 1989, drejtuar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë një individi)

63
Nuk ka ndonjë kundërshtim për interpretimin e një lutjeje në formën e një lëvizjeje ose vallëzimi, në qoftë se fryma është me të vërtetë me nderim, por do të ishte e parapëlqyer që kjo të mos shoqërohej me leximin e fjalëve.
(4 janar 1990, drejtuar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë një individi)

64
Shtëpia e Drejtësisë u gëzua kur mësoi për veprimtaritë tuaja mësimore dhe për përkushtimin tuaj të vazhdueshëm për Kauzën e Perëndisë pavarësisht nga vështirësitë që keni përjetuar si muzikant. Lidhur me pyetjet tuaja: është e qartë se Mësimet Bahá’í nuk i lenë të kalojnë keqtrajtimet e muzikantëve ose të artistëve të tjerë, dhe as nuk kërkojnë që artistët të sakrifikojnë vullnetin e tyre të lirë për trillet, ose edhe për mendimet e rrënjosura fort, të Bahá’í-ve të tjerë. Përsa u përket tensioneve e vështirësive që lindin midis mësimit të Besimit përmes muzikës, që bëni ju, dhe nevojës suaj paralele për të mbajtur veten, sugjerohet që ju vetë duhet të vini kufijt tuaj lidhur me këtë. Ne, për shembull, gjejmë këtë udhëzim në një letër të datës 26 shkurt 1933 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual:
   Këshilla që Shoghi Effendiu ju jep lidhur me ndarjen e kohës suaj midis shërbimit të Kauzës dhe kryerjes së detyrave tuaja të tjera u është dhënë edhe shumë miqve të tjerë si nga Bahá’u’lláh-u dhe nga Mjeshtri. Ky është një kompromis midis dy vargjeve të “Akdas-it”, njërit që e bën të detyrueshme për çdo Bahá’í t’i shërbejë çuarjes përpara të Besimit dhe tjetrit që thotë se çdo shpirt duhet të merret me ndonjë formë pune që i sjell dobi shoqërisë. Në një prej Tabelave të Tij, Bahá’u’lláh-u thotë se forma më e lartë e shkëputjes në kohën e sotme është të merresh me ndonjë profesion e të mbash veten. Prandaj një Bahá’í i mirë është ai që e rregullon jetën e vet në mënyrë të tillë që t’i kushtojë kohë si nevojave të tij materiale dhe po kështu shërbimit të Kauzës.
(15 shkurt 1990, drejtuar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë një individi)

65
Dëshira juaj e sinqertë për ta përdorur teatrin si mjet për përhapjen e parimeve të Besimit midis njerëzve është e lavdërueshme dhe Shtëpia e Drejtësisë shpreson se përpjekjet tuaja të devotshme në këtë fushë mund t’ju sjellin kënaqësi juve dhe përfitim komunitetit; megjithatë, siç e keni deklaruar edhe vetë, ju jeni të vetëdijshëm për vështirësitë dhe kurthet e mundshme të përpjekjeve teatrale Bahá’í në kohën e tanishme dhe në atmosferën e mostolerancës që mbizotëron në vendin tonë, gjë që e bën thelbësore të mos prodhohen pjesë që mund të ngjallin antipati publike ose indinjimin e fondamentalistëve fetarë.
(9 prill 1990, drejtuar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë një Asambleje Shpirtërore Kombëtare)

66
...vallet tradicionale të shoqëruara me shprehjen e një kulture janë të lejuara në Qendrat Bahá’í. Megjithatë, duhet mbajtur parasysh se të tilla valle tradicionale kanë përgjithësisht një temë që qëndron në themel ose një histori që paraqitet. Duhet bërë kujdes për t’u siguruar që temat e valleve të tilla të jenë në harmoni me standardet e larta etike të Kauzës dhe jo të jenë portretizime që mund të ngjallin instinkte të ulëta e pasione të pahijshme. ...
    Përsa u përket valleve me koreografi, qëllimi i të cilave është të forcojnë e shpallin parimet Bahá’í, në qoftë se ato mund të shfaqen në një mënyrë që të portretizojë fisnikërinë e parimeve të tilla dhe të ngjallin qëndrime të përshtatshme respekti ose nderimi, nuk ka ndonjë kundërshtim për valle që kanë si synim të interpretojnë pasazhe nga Shkrimet; megjithatë, është e parapëlqyer që lëvizjet e një valleje të mos shoqërohen me leximin e fjalëve.
   
    Parimi që duhet të udhëheqë miqtë në konsideratën e tyre për këto çështje është ruajtja e “moderimit në çdo gjë që ka të bëjë me veshjen, gjuhën, argëtimet dhe në çdo lloj veprimtarie artistike e letrare.”
(20 qershor 1991, drejtuar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë një Asambleje Shpirtërore Kombëtare)

67
Nuk ka ndonjë kundërshtim, sigurisht, për përdorimin e frazës “artist Bahá’í”, por lidhur me këtë për një kohë në Dispensacionin Bahá’í ne nuk duhet të përdorim termin “art Bahá’í”, “muzikë Bahá’í” ose “arkitekturë Bahá’í.”
(12 mars 1992, drejtuar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë dy individëve)

68
Mjedisi i një novele i ofron një autori një hapësirë të madhe për të përpunuar ide e fusha mendimi deri atëherë të paeskploruara. Por ju duhet të bëni kujdes, sidoqoftë, të mos... jepni interpretime që mund të mos jenë të drejta në qoftë se Besimi dhe Mësimet e tij jepen në mënyrë të drejtpërdrejtë në novelë. Nga ana tjetër, në qoftë se në novelë nuk ka lidhje të qartë me Besimin, ju jeni i lirë të përdorni imagjinatën në shqyrtimin e çdo ideje që ka si burim parimet e Besimit.
(15 shkurt 1994, drejtuar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë një individi)

69
Në të gjitha përpjekjet e tyre për të përmbushur qëllimin e Planit Katërvjeçar, miqve u kërkohet gjithashtu t’i kushtojnë një vëmendje më të madhe përdorimit të arteve jo vetëm për shpalljen, por edhe në punën e shtrirjes e të konsolidimit. Artet grafike e interpretuese dhe letërsia kanë luajtur, dhe mund të luajnë, një rol të dorës së parë në shtrirjen e ndikimit të Kauzës. Në fushën e artit popullor, kjo mundësi ka vend të vihet në zbatim në çdo pjesë të botës, qoftë në fshatra dhe në qytete të vogla e të mëdha. Shoghi Effendiu ushqente shpresa për artet si mjet për të tërhequr vëmendjen te Mësimet. Një letër e shkruar në emër të tij, drejtuar një individi, e përçon kështu pikëpamjen e Ruajtësit: “Do të vijë dita që Kauza do të përhapet si zjarr, kur fryma dhe mësimet e saj do të paraqiten në skenë ose në art e letërsi në përgjithësi. Arti mund të ngjallë më mirë të tilla ndjenja fisnike sesa arsyetimi i ftohtë, sidomos midis masave të popullit.”
(21 prill 1996, drejtuar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë Bahá’í-ve të Botës)

70
Në shumë prej rajoneve i është kushtuar vëmendje e pamjaftueshme edukimit të fëmijëve. Programe shumë më të gjera duhen ndërmarrë në ato vende ku ekziston nevoja, për të siguruar që fëmijët Bahá’í të rriten me kujdes, të inkurajohen të fitojnë mendje të ushtruara, të ndriçuara me njohuri të shëndosha për Mësimet Hyjnore, të përgatitur mirë për të marrë pjesë në punën e Kauzës në të gjitha fushat dhe për të kontribuar në artet, zejet dhe shkencat e nevojshme për përparimin e qytetërimit. Programe të tilla, kur janë të hapura për të gjithë fëmijët, Bahá’í  ose jo, ofrojnë një mjet të fuqishëm për shtrirjen e ndikimit mirëbërës të Mesazhit të Bahá’u’lláh-ut në shoqërinë e gjerë.
(21 prill 1996, drejtuar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë Pasuesve të Bahá’u’lláh-ut në Australazi)


1 Muzikant i pashoq pers: këngëtar, ekzekutues dhe shpikës i shumë instrumenteve muzikore të lashta, që ka jetuar në oborrin e dinastisë së Sásáníve rreth vitit 600 A.D.
2 “Babai i poezisë persiane” (ka vdekur më 940 A.D.).
3 Dijetar i njohur mysliman; autor i një traktati për muzikën (ka jetuar në vitet 870-950 A.D.)
4 Mjek, shkencëtar e filozof i njohur në Perëndim me emrin Avicena, një prej veprave kryesore të të cilit ia kushton një pjesë teorisë së muzikës (ka jetuar në vitet 980-1027 A.D.).
5 Shahnáz, emri i dhënë marrësit të kësaj Tabele, është gjithashtu emri i një forme muzikore.
6 Shtëpia Universale e Drejtësisë, në një letër të datës 15 mars 1972, të shkruar në emër të saj, e ka sqaruar këtë frazë të Ruajtësit në këtë mënyrë: “Përsa i përket pyetjes suaj lidhur me ‘prostituimin e arteve e të letërsisë’, me këtë ne kuptojmë përdorimin e e artit e të letërsisë për qëllime të ulëta.”
7 23 mars 1945, drejtuar një individi.
8 Në përkthim i paautorizuar ndonjëherë është gjetur në “Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it” (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1997), paragrafi 74.2 (shih pikën [14] të kësaj përmbledhjeje).

 

Autor: administrator - Kategorie: Përmbledhje - Strany: 0 - Kapitoly: 0
© www.erfan.cz & phpRS