""... Zhytuni në këtë Oqean, në thellësitë e të cilit gjenden
të fshehura margaritarët e dijes..."
Bahá'u'lláh
Kërkimi
Kërkim i zgjeruar

Kategorie
  
  Bahá’í
   Për fëmijë
   Përmbledhje
   Studime Bahá’í
   Tekste bazë Bahá’í
 

Takimet Bahá'í & Festa e 19 Ditëve


TAKIMET  BAHÁ’Í
FESTA  E  NËNTËMBËDHJETË  DITËVE

Përmbledhje

 


Original Title:
1. Bahá’í Meetings, a compilation prepared by the Research Department of the Universal House of Justice, November 1975
2. The Nineteen Day Feast, a compilation prepared by the Research Department of the Universal House of Justice, August 1989, revised November 1990
Text: Albanian

Përkthyer e botuar nën kujdesen e Komitetit të Botimeve Bahá’í


© Asambleja Shpirtërore Kombëtare
e Bahá’í-ve të Shqipërisë
Rruga e Dibrës 59 - Tiranë
Botimi i parë 2000 - 157 E.B.

 


SHTËPIA UNIVERSALE E DREJTËSISË
QENDRA BOTËRORE BAHÁ’Í
Departamenti i Sekretariatit

30 nëntor 1975

Të gjitha Asambleve Shpirtërore Kombëtare


Të dashur miq Bahá’í,
 Departamenti i Kërkimeve ka përgatitur kohët e fundit dy përmbledhje nga Shkrimet e Bahá’u’lláh-ut e të ‘Abdu’l-Bahá-it, si dhe nga letrat e Shoghi Effendiut, për temat “Takimet Bahá’í” dhe “Festa e Nëntëmbëdhjetë Ditëve”, kopje të të cilave po ju dërgojmë.
 Shtëpia Universale e Drejtësisë e lë në gjykimin tuaj të vendosni se në ç’mënyrë mund të njihen me këto tekste miqtë që ndodhen nën juridiksionin tuaj.

    Përshëndetje të përzemërta Bahá’í,

    Për Departamentin e Sekretariatit

 


TAKIMET BAHÁ’Í

I. NGA SHKRIMET E BAHÁ’U’LLÁH-UT

 “Miqtë e Perëndisë, të gjithë pa përjashtim, janë përmendur nga Penda Supreme: Dhuntitë e Burimit të Bujarisë po zbresin çdo çast në mënyrë të dukshme. U ka hije miqve në çdo vend që të jenë, të mblidhen së bashku në takime dhe të flasin atje me urti e elokuencë, dhe të lexojnë vargjet e Perëndisë: sepse Fjalët e Perëndisë ndezin zjarrin e dashurisë dhe e bëjnë të digjet flakë.”
(Nga një Tabelë e Bahá’u’lláh-ut e përkthyer rishtazi, drejtuar një besimtari individual)

 “Për jetën e për Kauzën Time! Rreth e qark çdo banese që të hyjnë miqtë e Perëndisë, nga e cila do të dëgjohet thirrja e tyre duke lëvduar e madhëruar Zotin, do të sillen shpirtrat e besimtarëve të vërtetë dhe të gjithë engjëjt e favorizuar. Dhe po qe se porta e syrit të vërtetë hapet për disa, ata do të shohin Grupimin Suprem që sillet e thërret: ‘E bekuar je ti, o shtëpi, sepse Perëndia të ka bërë ty vendprehje për ata që Ai favorizon, dhe banesë për ata që Ai i do, dhe shtëpi për ata që gëzojnë besimin e Tij. Mbi ty qoftë lavdërimi i Tij dhe lavdia e Tij dhe mirësia e Tij e pafund.’”
(Nga një Tabelë e Bahá’u’lláh-ut e përkthyer rishtazi, drejtuar një besimtari individual)

 “E bekuar është shtëpia që ka fituar mëshirën Time dashamirëse, ku kremtohet kujtimi Im dhe që fisnikërohet nga prania e të dashurve të Mi, të cilët kanë shpallur lavdërimin Tim, që janë kapur fort pas litarit të mëshirës Sime dhe që janë nderuar duke kënduar vargjet e Mia. Me të vërtetë ata janë shërbëtorët e lartësuar që Perëndia i ka lëvduar në Kajumul Esma [Qayyúmu’l-Asmá’] e në shkrime të tjera. Me të vërtetë Ai është Gjithëdëgjuesi, Përmbushësi, Ai Që sheh të gjitha gjërat.”
(Nga një Tabelë e Bahá’u’lláh-ut e përkthyer rishtazi, drejtuar një besimtari individual)

 “Ata që janë të shumëdashurit e Perëndisë, kudo që të mblidhen e këdo që të takojnë, duhet të tregojnë, në qëndrimin e tyre ndaj Perëndisë dhe në mënyrën sesi e lartësojnë e i thurin lavdi Atij, një përunjësi e nënshtrim të tillë saqë çdo grimcë e pluhurit nën këmbët e tyre të dëshmojë për thellësinë e devocionit të tyre. Biseda e këtyre shpirtrave të shenjtë duhet të përshkohet nga një fuqi e tillë, saqë vetë këto grimca pluhuri të gjallërohen prej ndikimit të tyre. Ata duhet të sillen në mënyrë të tillë, saqë toka që shkelin të mos mundë kurrë t’u thotë atyre fjalë si këto: ‘Unë duhet të preferohem ndaj jush. Sepse shikoni sa e duruar jam unë duke mbajtur barrën që hedh mbi mua bujku. Unë jam instrumenti që u shpërndan vazhdimisht të gjitha qenieve bekimet që më ka besuar Ai që është Burimi i çdo mirësie. Me gjithë nderin që më është dhënë dhe dëshmitë e panumërta të pasurisë sime—një pasuri që plotëson nevojat e gjithë krijimit—shikoni sa e përunjur jam unë dhe me çfarë nënshtrimi të plotë lejoj të më shkelin këmbët e njerëzve...’”
(Qëmtime nga Shkrimet e Bahá’u’lláh-ut, bot. shqip, f. 8)

II.  NGA SHKRIMET E ‘ABDU’L-BAHÁ-IT

 “Lëvduar qoftë Perëndia! që ju jeni mbledhur në një kuvend si yjet në Shenjëza, jeni ndriçuar me dritën e dijes së Perëndisë dhe përmes vërshimit të resë së dashurisë së Perëndisë ju jeni lulet e freskëta të luadhit e të fushës; për ju janë të njohura e të afërta uniteti e dashuria e pafund.
 “Prandaj ky takim është i bekuar. Por në qoftë se vendoset mbi themele të forta e bëhet i përhershëm, ai do të sjellë rezultate të mëdha dhe zhvillime tepër të rëndësishme do të arrihen. Për rrjedhojë, këmbëngulni në vazhdimin e takimeve tuaja dhe tregoni shpirtgjerësinë më të madhe në vendosmëri e qëndrueshmëri. Kur rrënja e pemës së kopshtit është ngulur mirë dhe mbrojtja e saj është siguruar, ajo jep fruta të ëmbla.
 “Po kështu, kur regjimenti i një ushtrie dhe individët e një kohorte janë të bashkuar e të lidhur fort, triumfe të patreguara arrihen. Por në qoftë se ata një ditë mblidhen së bashku e ditën tjetër shpërndahen, kurrfarë frutesh nuk merren.
 “Prandaj, me qenë se keni përgatitur një ushtri të qiellit dhe jeni bërë bartësit e jetës, ju duhet të vazhdoni të bëni takime, të keni komunikim shpirtëror, të jeni të patundur në vendosmëri, të qëndrueshëm në qëllimet dhe besnikë e këmbëngulës, në mënyrë që të arrini fitore qiellore. 
 “Unë lutem e përgjërohem në Pragun e Perëndisë që t’ju ndihmojë e t’ju mbështesë në qëndrueshmëri e vendosmëri dhe të bëjë që ju të udhëhiqni banorët e atij rajoni.”  
(Tabelat e ‘Abdu’l-Bahá-it, f. 690)

 “Në qoftë se kërkon dritën e Mbretërisë, shpejto pa mëdyshje në takimet e besimtarëve, që rrezet e së vërtetës të pasqyrohen në zemrën tënde.”
(Tabelat e ‘Abdu’l-Bahá-it, f. 695)

 “Bëni takime dhe lexoni e këndoni mësimet hyjnore, që qyteti të ndriçohet me dritën e realitetit dhe ai vend të bëhet një parajsë e vërtetë me forcën e Shpirtit të Shenjtë, sepse ky cikël është cikli i Zotit të Lavdishëm e i melodisë së njëshmërisë dhe solidariteti i botës së njerëzimit duhet të arrijë në veshët e Lindjes e të Perëndimit.”
(Tabelat e ‘Abdu’l-Bahá-it, f. 631)

 “Çdo takim që organizohet për qëllimin e unitetit e të marrëveshjes do të bëjë që të huajt të shndërrohen në miq, armiqtë në shokë, dhe ‘Abdu’l-Bahá-i do të jetë i pranishëm me zemër e me shpirt në atë takim.”
(Tabelat e ‘Abdu’l-Bahá-it, f. 553)

 “Një shpirt i shenjtë është më mirë se një mijë shpirtra të tjerë. Në qoftë se disa shpirtra mblidhen së bashku me dashuri në një takim, të mbushur me ndjenjat e Mbretërisë, me tërheqje hyjnore, me zemra të dëlira dhe me pastërti e shenjtëri absolute, për t’u shkrirë në shpirt e aroma, ai tubim do të ketë ndikim mbi mbarë botën. Kushtet, fjalët dhe veprat e atij tubimi do ta çojnë botën në lumturi të përjetshme dhe do të jenë një dëshmi e favoreve të Mbretërisë. Shpirti i Shenjtë do t’i forcojë ata dhe mikpritësit e Grupimit Suprem do t’i bëjnë fitimtarë, dhe engjëjt e Abhá-së do të vijnë njëri pas tjetrit.” 
(Tabelat e ‘Abdu’l-Bahá-it, f. 508-509)

 “Zemrat e të gjithë miqve gëzojnë, dhe veçanërisht zemra e ‘Abdu’l-Bahá-it, kur dëgjojmë që ti je ngritur për t’i shërbyer Kauzës së Perëndisë dhe se ke caktuar një prej dhomave në shtëpinë tënde për takime të atyre që duan Perëndinë, që prej saj të ngjiten te Zoti i Revelacionit thirrjet e lutjeve që këndohen.
 “Për jetën e Perëndisë! Mbretëreshat e botës, me të gjitha kështjellat e tyre, nuk mund të krenohen për një dhomë të tillë, derisa nga ajo shkëlqen drita e dritave.”
(Nga një Tabelë e ‘Abdu’l-Bahá-it e përkthyer rishtazi, drejtuar një besimtari individual)

 “Dëgjojmë se keni ndërmend të zbukuroni herë pas here shtëpinë tuaj me një takim të Bahá’í-ve, ku disa prej tyre do të madhërojnë Zotin lavdiplotë... Dijeni se po ta bëni këtë, ajo shtëpi e tokës do të bëhet një shtëpi e Qiellit dhe ajo godinë prej guri një kuvend shpirtrash.”
(Nga një Tabelë e ‘Abdu’l-Bahá-it e përkthyer rishtazi, drejtuar një besimtari individual)

 “Kurdoherë që një grup njerëzish mblidhen në një vend takimesh, lëvdojnë Perëndinë dhe flasin me njëri-tjetrin për misteret e Perëndisë, nuk ka asnjë dyshim se fryma e Shpirtit të Shenjtë do të fryjë butë mbi ta dhe secili do të marrë një pjesë të saj.”
(Nga një Tabelë e ‘Abdu’l-Bahá-it e përkthyer rishtazi, drejtuar një besimtari individual)

 “Një herë në javë mblidhuni ju miqtë e vendosur në një vend takimi dhe atje lëvdoni e madhëroni Zotin.”
(Nga një Tabelë e ‘Abdu’l-Bahá-it e përkthyer rishtazi, drejtuar një besimtari individual)

 “Është e përshtatshme që miqtë të bëjnë një tubim, një takim, ku ata të lëvdojnë Perëndinë e t’i kthejnë zemrat ndaj Tij, të lexojnë e të recitojnë Shkrimet e Shenjta të Bukurisë së Bekuar—u bëftë shpirti im shpërblesë për ata që e duan Atë! Dritat e Mbretërisë Lavdiplote, rrezet e Horizontit Suprem do të bien mbi tubime të tilla të ndritshme, sepse ato janë Mashrikul Azkar-ët, Pikagimet e Kujtimit të Perëndisë, të cilat me urdhër të Pendës më të Lartë duhen ngritur në çdo fshat e qytet... Këto tubime shpirtërore duhen mbajtur me dëlirësinë e përkushtimin më të madh, në mënyrë që nga vetë ky vend, nga toka e ajri rreth tij njeriu të thithë aromën erëmirë të Shpirtit të Shenjtë.”
(Nga një Tabelë e ‘Abdu’l-Bahá-it e përkthyer rishtazi, drejtuar një grupi besimtarësh individualë)

 “Letrën tënde e morëm. Ti shkruan lidhur me takimin e së Dielës dhe thua se ai ka zënë vend tashmë me dashurinë më të madhe. Padyshim, ju duhet të jeni të vendosur në mbajtjen e tij dhe në ditën e takimit këndoni të tilla himne e melodi për të madhëruar e lëvduar Bahá’u’lláh-un, sa të shkaktoni një trazirë në atë qytet—që secili të dëgjojë Thirrjen e Perëndisë dhe të fitojë një frymë të re përmes zefirit shpirtfreskues që është përhapur nga trëndafilishtja e Besëlidhjes.”
(Nga një Tabelë e ‘Abdu’l-Bahá-it e përkthyer rishtazi, drejtuar një besimtari individual)

 “Po të ishte e mundur që në çdo qytet disa prej atyre që janë zgjuar, kur krijohet mundësia, të mbajnë një takim dhe aty zakonisht të paraqesin provat e argumentet e Perëndisë, kjo do të ndikonte shumë për të shtrirë ndërgjegjen e njerëzve: por me kusht që të flitet për këtë temë.”
(Nga një Tabelë e ‘Abdu’l-Bahá-it e përkthyer rishtazi, drejtuar një besimtari individual)

 “Ne kemi shkruar për takimet e miqve dhe sa ata janë të mbushur me qetësi e gëzim. Kjo, sigurisht, është kështu; sepse sa herë që mblidhen bashkë njerëz të prirur ndaj shpirtësisë, atje në tërë Bukurinë e Tij mbretëron Bahá’u’lláh-u. Është, pra, e sigurt që mbledhje të tilla japin lumturi e qetësi të pakufi.
 “Sot të gjithë pa përjashtim duhet të harrojnë përmendjen e çdo gjëje tjetër dhe të mospërfillin të gjitha gjërat. Le të përmblidhet çdo fjalë e çdo gjendje e brendshme e tyre kështu: ‘Mbaji të gjitha fjalët e mia të lutjes e të lavdërimit të kufizuara në një refren të vetëm; bëje tërë jetën time shërbim ndaj Teje.’ Kjo do të thotë le t’i përqëndrojnë të gjitha mendimet, të gjitha fjalët e tyre në shpjegimin e Kauzës së Perëndisë e në përhapjen e Besimit të Perëndisë dhe t’i frymëzojnë të gjithë që ta karakterizojnë vetveten me karakteristikat e Perëndisë; të duan njerëzimin; të jenë të jenë të dëlirë e të shenjtë në të gjitha gjërat dhe të panjollë në jetën e tyre publike e private; të jenë të drejtë e të shkëputur, të zjarrtë e të flaktë. Duhet hequr dorë nga çdo gjë, veç kujtimit të Perëndisë; çdo gjë duhet qortuar, veç lëvdimit ët Tij. Sot, sipas kësaj melodie të Grupimit qiellor do të kërcejë e do të vallëzojë bota: ‘Lavdi Zotit tim, Lavdiplotit!’ Por dijeni: veç kësaj kënge të Perëndisë, asnjë këngë nuk do ta vërë në lëvizje botën; dhe veç kësaj thirrjeje bilbili për të vërtetën nga Kopshti i Perëndisë, asnjë melodi nuk do të joshë zemrën. ‘Nga vjen ky Këngëtar Që thotë emrin e të Shumëdashurit?’”
(Nga një Tabelë e ‘Abdu’l-Bahá-it e përkthyer rishtazi, drejtuar një besimtari individual)

 “Me të vërtetë ‘Abdu’l-Bahá-i thith aromën e dashurisë së Perëndisë në çdo vend-takim ku flitet Fjala e Perëndisë dhe shtjellohen provat e argumentet, që përhapin rrezet e tyre anembanë botës; dhe ku tregojnë ç’ka pësuar ‘Abdu’l-Bahá-i në duart e liga të atyre që kanë shkelur Besëlidhjen e Perëndisë.
 “O shërbëtore e Zotit: mos fol për politikë; detyra jote ka të bëjë me jetën e shpirtit, sepse kjo me të vërtetë i sjell gëzim njeriut në botën e Perëndisë. Përveç që të flasësh mirë për ta, mos i përmend mbretërit e tokës dhe qeveritë civile atje. Përkundrazi, kufizoje fjalën tënde për të përhapur lajmin e hareshëm të Mbretërisë së Perëndisë, për të treguar ndikimin e Fjalës së Perëndisë dhe shenjtërinë e Kauzës së Perëndisë. Trego për gëzimin e përhershëm e kënaqësitë shpirtërore, për vetitë hyjnore dhe sesi Dielli i së Vërtetës ka dalë në horizontin e tokës; trego për fryrjen e shpirtit të jetës në trupin e botës.”
(Nga një Tabelë e ‘Abdu’l-Bahá-it e përkthyer rishtazi, drejtuar një besimtari individual)

 “Të jeni e sigurt se hyrja e Shpirtit të Shenjtë do t’jua zgjidhë gjuhën. Prandaj flisni; flisni me guxim të madh në çdo takim. Kur jeni gati të filloni fjalën tuaj, më parë kthehuni ndaj Bahá’u’lláh-ut dhe kërkoni mbështetjen e Shpirtit të Shenjtë, pastaj hapni gojën dhe thoni çdo gjë që i sugjerohet zemrës suaj; por bëjeni këtë me guximin, dinjitetin e bindjen më të madhe. Shpresoj se nga dita në ditë tubimet tuaja do të rriten e do të lulëzojnë dhe se ata që kërkojnë të vërtetën do t’u vënë veshin atje argumenteve të arsyeshme e provave vendimtare. Unë jam me ju me zemër e me shpirt në çdo takim; të jeni e sigurt për këtë.
 “Bëjini Festat e Nëntëmbëdhjetë Ditëve me dinjitetin më të madh.”
(Nga një Tabelë e ‘Abdu’l-Bahá-it e përkthyer rishtazi, drejtuar një besimtari individual)

 “Në këto takime nuk duhet të ketë kurrfarë bisedash jashtë teme. Përkundrazi, tubimi duhet të kufizohet në leximin e recitimin e Fjalëve të Shenjta dhe në diskutimin e çështjeve që kanë të bëjnë me Kauzën e Perëndisë, duke shtjelluar, për shembull, prova e argumente vendimtare dhe Shkrimet e të Shumëdashurit të njerëzimit. Ata që paraqiten në këto tubime duhet më parë të vishen me rroba të panjolla, ta kthejnë fytyrën ndaj Mbretërisë së Abhá-së dhe pastaj të futen aty me përunjësi e nënshtrim. Gjatë leximeve ata duhet të qëndrojnë në heshtje të plotë. Po qe se ndonjëri dëshiron të flasë, ai duhet ta thotë atë që ka për të thënë plot përulësi, saktë e në mënyrë shprehëse. Përshëndetjet e lavdërimi qofshin mbi ju.”
(Nga një Tabelë e ‘Abdu’l-Bahá-it e përkthyer rishtazi, drejtuar një besimtari individual)

 “Të gjitha takimet duhet t’u kushtohen mësimit të Kauzës e përhapjes së mesazhit, dhe përkrahjes së shpirtrave që të hyjnë në Mbretërinë e Bahá’u’lláh-ut. Shikomëni mua. Të gjitha mendimet e mia janë përqëndruar rreth shpalljes së Mbretërisë.
 “Unë kam në dorë një llambë që kërkon në të gjitha vendet e detet për të gjetur shpirtra që mund të bëhen lajmëtarë të Kauzës. Unë jam angazhuar ditë e natë në këtë punë. Çfarëdo bisedash të tjera në këto takime janë të kota e të pafrytshme. Përçoni mesazhin! Tërhiqni zemrat! Mbillni farat! Mësojuani Kauzën atyre që nuk e dinë.
 “Unë hyj në të gjitha takimet, në të gjitha kishat, që Kauza të përhapet. Kur puna më e rëndësishme është para syve tanë, duhet ta lëmë atë të rëndësishmen.
 “Në qoftë se takimet e Asamblesë Shpirtërore merren me ndonjë gjë tjetër, koha harxhohet kot. Të gjitha diskutimet, të gjitha konsultimet, të gjitha bisedat, të gjitha fjalimet duhet të sillen rreth një boshti të vetëm dhe ky është: Mësoju Kauzën! Mësoju! Mësoju! Përço mesazhin! Zgjo shpirtrat!
 “Tani është koha për të hedhur themelet. Tani duhet të mbledhim tulla, gurë, dru, hekur e materiale të tjera ndërtimi! Kjo nuk është koha e zbukurimeve. Ne duhet të përpiqemi ditë e natë dhe të mendojmë e të punojmë. Çfarë mund të them unë që të ketë efekt? Çfarë mund të bëj unë që të japë rezultat? Çfarë mund të shkruaj unë që të sjellë fryte?
 “Asgjë tjetër nuk mund të jetë e dobishme sot. Interesat e një Kauze kaq të lavdishme nuk mund të çohen përpara pa vëmendje të përqëndruar. Ndërkohë që mbajmë këtë barrë, ne nuk mund të mbajmë barrë tjetër!”
(Shkrimet Bahá’í, f. 502)

 “Midis gjërave të tjera është edhe mbajtja e takimeve për mësimin, që shpirtra të bekuar dhe të vjetrit ndër besimtarët të mbledhin bashkë të rinjtë që e duan Perëndinë në mësonjëtore e t’u mësojnë atyre të gjitha provat hyjnore dhe argumentet e pakundërshtueshme, t’u shpjegojnë e t’u sqarojnë historinë e Kauzës, si dhe t’u interpretojnë profecitë e provat që janë shkruar e ruhen në Librat e Letrat e shenjta lidhur me Manifestimin e të Premtuarit, në mënyrë që të rinjtë të marrin njohuri të plota në të gjitha këto shkallë.”
(Shkrimet Bahá’í, f. 543)

 “Ç’tubim i mirë, që meriton të falënderohet, është ky; sepse një takim si ky është i pashoq. Çdo tubim bëhet për ndonjë interes material; ai bazohet ose në motive politike apo interesa komerciale, ose ka për qëllim përhapjen e edukimit a zbatimin e ndonjë urdhri ose sistemi; kurse tubimi ynë nuk ka qëllim tjetër veç Mbretërisë së Perëndisë, pra është i pakrahasueshëm e i pashoq. Zemrat janë kthyer ndaj Perëndisë; shpirtrat janë frymëzuar nga lajmet e gëzueshme të Perëndisë; vëmendja është përqëndruar te Perëndia. A mund të mendohet një takim më i mirë se ky?
 “Një tubim i tillë është në themel shumë i rëndësishëm. Por ne duhet të ngrihemi e të kryejmë detyrat tona për këtë qëllim, sepse ky është një kuvend vëmendja e të cilit drejtohet ndaj Mbretërisë së Perëndisë. Prandaj, të gjithë pjesëtarët individualë të tij duhet të ushqejnë dashurinë e miqësinë më të madhe, të tregojnë përunjësinë e nënshtrimin më të madh dhe vëmendjen më të madhe ndaj Mbretërisë së Perëndisë; kështu takimi ynë mund të jetë një shembull i takimeve në Mbretërinë Supreme.”
(Star of the West, Vol. IV, Nr. 13, f. 1)

 “Ti ke shkruar lidhur me takimet e vend-tubimet e besimtarëve të Perëndisë. Kuvende e tubime të tilla do të ndihmojnë së tepërmi për përhapjen e Fjalës dhe të gjithë pjesëmarrësit, miq ose jo qofshin, do të ndikohen. Por kur miqtë kanë ndërmend të hyjnë në takime të tilla, ata duhet ta zbrazin zemrën nga çdo mendim tjetër, të kërkojnë Mbështetjen e Pashtershme Hyjnore dhe me përkushtimin e përunjësinë më të madhe t’i drejtojnë hapat për në vend-tubimet. Ata të mos parashtrojnë në takim asnjë temë veç përmendjes së të Vërtetit dhe as të mos e ngatërrojnë atë kuvend të mëshirshëm me çështje të jashtme komplekse. Ata duhet ... të bisedojnë ngrohtësisht apo t’i përgjërohen e luten Perëndisë, ose të lexojnë Tabela apo të japin këshilla e të bëjnë thirrje.”
(Star of the West, Vol. II, Nr. 6, f. 5)

 “Ju keni shkruar lidhur me takimet shpirtërore. Themeli i takimeve shpirtërore duhet të jetë mësimi e shpjegimi i Kauzës së Perëndisë. Në këto takime besimtarët dhe shërbëtoret e të Mëshirshmit duhet të shpallin provat e argumentet dhe të shpjegojnë shenjat e shfaqjes së Bukurisë së Abhá-së—u bëftë fli jeta ime për të shumëdashurit! Ndërkohë ata mund të lexojnë disa Tabela ose Shkrime dhe, në mbarim të takimeve, në qoftë se dëshirojnë të këndojnë me përgjërimin e ëmbëlsinë më të madhe, kjo është e pranueshme. Por parimi themelor i bërjes së takimeve shpirtërore është për hir të mësimit e të shpjegimit të së Vërtetës, në mënyrë që shpirtrat që janë të pranishëm të njihen me Dëshmitë e Provat hyjnore.”
(Star of the West, Vol. II, Nr. 6, f. 5)

 “Besimtarët e Perëndisë duhet të mblidhen e të shoqërohen me njëri-tjetrin me dashurinë, gëzimin e harenë më të madhe. Ata duhet të sillen (në takimet) me dinjitetin e konsideratën më të madhe, të këndojnë vargje të shenjta, të shqyrtojnë artikuj edukativë, të lexojnë Tabelat e ‘Abdu’l-Bahá-it, të inkurajojnë e frymëzojnë njëri-tjetrin me dashurinë për mbarë gjininë njerëzore, të kërkojnë Perëndinë plot gëzim e hare, të lexojnë vargjet e madhërimit e të lavdërimit të Zotit të Vetëqenshëm dhe të mbajnë fjalë shprehëse.”
(Star of the West, Vol. II, Nr. 6, f. 6)


III. NGA SHKRIMET E SHOGHI EFFENDIUT DHE NGA LETRAT E SHKRUARA NË EMËR TË TIJ

 “Ata duhet të ndërmarrin mbajtjen e takimeve të rregullta të miqve, të festave e të përvjetorëve, si dhe të tubimeve të posaçme në shërbim e në mbështetje të interesave shoqërore, intelektuale e shpirtërore të njerëzve.”
(Nga një letër e datës 12 mars 1923, shkruar prej Shoghi Effendiut, drejtuar Bahá’í-ve të Amerikës, të Britanisë së Madhe, të Gjermasnisë, të Francës, të Zvicrës, të Italisë, të Japonisë e të Australazisë; “Bahá’í Administration”, f. 38)

 “Lidhur me pyetjen që ju keni bërë, Shoghi Effendiu mendon se, siç e ka thënë edhe më parë, është krejt e përshtatshme që në takimet Bahá’í disa nga miqtë të zhvillojnë biseda, por ato duhet të kenë lidhje me mësimet e Bahá’u’lláh-ut e të Mjeshtrit tonë të dashur. Nuk është absolutisht e nevojshme që në të gjitha takimet të lexohen vetëm shkrimet e thëniet e Bahá’u’lláh-ut e të Mjeshtrit, por kur zhvillohen leksione e biseda ato duhet të kenë lidhje drejtpërsëdrejti ose tërthorazi me Kauzën.”
(Nga një letër e datës 10 shkurt 1926, shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)

 “Lidhur me pyetjen tuaj nëse është e këshillueshme të bëhen takime Bahá’í në një kohë që përkon me takimet në kisha: Ruajtësi i këshillon miqtë ta shmangin një përkim të tillë, përndryshe shumë njerëz të kishës mund të ndihen të fyer dhe kjo çon në keqkuptime e zhvillime të panevojshme, madje të dëmshme, të cilat mund të dëmtojnë Kauzën dhe të ulin prestigjin e saj në sytë e publikut. Miqtë duhet, në çfarëdo rrethanash, të tregohen të kujdesshëm të mos shkaktojnë kurrfarë ndjenjash kundërvënieje fetare.”
(Nga një letër e datës 5 shtator 1936, shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual, cituar në “Bahá’í News”, Nr. 111, Tetor 1937, f. 1)

 “Derisa ju keni gjetur në Mësimet Bahá’í përmbushjen e aspiratave tuaja më të larta dhe realizimin e atyre idealeve që janë aq të dashura për zemrën tuaj, është tani detyra juaj supreme të mos kurseni asnjë përpjekje për studimin dhe përhapjen e tyre.
 “Për këtë qëllim, Ruajtësi ju rekomandon që, veç studimit të shkrimeve Bahá’í, të vendosni lidhje të ngushta me miqtë tuaj Bahá’í dhe të merrni pjesë në veprimtaritë e ndryshme të grupit tuaj lokal, në mënyrë që jo vetëm të merrni njohuri teorike për Kauzën, por edhe të bëheni një anëtar i dashur, aktiv e veprues i Komunitetit.”
(Nga një letër e datës 25 nëntor 1938, shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)

 “Në disa vende Bahá’í-të kanë mbajtur takime për t’u lutur, për njerëz që duan të takohen e të luten. Duke qenë se ne kemi aq lutje e përsiatje të mahnitshme në shkrimet tona, leximi i tyre me miqtë që kanë interes për këtë dhe i dëshirojnë me gjithë shpirt këto lloj takimesh të vogla përbën shpesh një hap përpara për t’i tërhequr ata në Besimin. Ndoshta ju do të mund të fillonit një veprimtari të tillë në qytetin tuaj.”
(Nga një letër e datës 4 shkurt 1956, shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)

 “Ne duhet të përpiqemi të mos fusim skema të gatshme në metodat tona mësimore; megjithatë, në qoftë se kjo formë përsiatjeje në grup sjell unitet dhe një kuptim më të thellë të mësimeve, ai nuk sheh ndonjë arsye përse ajo të mos përdoret të paktën në fillim të një kursi mësimor, por me kusht që njerëzit ta duan, ta pëlqejnë këtë dhe ta kuptojnë plotësisht se kjo nuk ka të bëjë aspak me të mësuarit e Besimit, por është një metodë e cila ndonjëherë është e dobishme.”
(Nga një letër e datës 30 qershor 1956, shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)

 


FESTA E NËNTËMBËDHJETË DITËVE


SHTËPIA UNIVERSALE E DREJTËSISË
QENDRA BOTËRORE BAHÁ’Í

Departamenti i Sekretariatit
28 gusht 1989

Të gjitha Asambleve Shpirtërore Kombëtare

Të dashur miq Bahá’í,
 Veç letrës shoqëruese, drejtuar Pasuesve të Bahá’u’lláh-ut nga Shtëpia Universale e Drejtësisë lidhur me Festën e Nëntëmbëdhjetë Ditëve, neve na është kërkuar të dërgojmë komente rreth saj për pikat që vijojnë, me të cilat ju do të ndesheni për të ndihmuar komunitetin në mbajtjen e kësaj feste të rëndësishme.
 Së pari, Shtëpia e Drejtësisë është e vetëdijshme që në shumë zona miqtë mund t’i kushtojnë Festës vetëm një kohë të kufizuar, sepse dita e Festës mund të bjerë gjatë javës, kur shumica e njerëzve janë në punë, ndërsa orët e mbrëmjes nuk lejojnë shumë kohë për ta bërë atë. Shtëpia e Drejtësisë, edhe pse nuk dëshiron të nënvleftësojë parapëlqimin e shprehur nga Shoghi Effendiu që Festa të bëhet në ditën e parë të muajit Bahá’í, e kupton që në rast vështirësie, kur miqtë nuk do të ishin ndryshe në gjendje të merrnin pjesë në të, Asambleja Shpirtërore Kombëtare mund t’u vërë në dukje Asambleve Lokale se lejohet të bëhet Festa në një kohë tjetër brenda muajit Bahá’í, si p.sh. në një fund jave.
 Së dyti, pjesa administrative e Festës nuk duhet të jetë e lodhshme ose e ngarkuar. Ajo mund të bëhet e tillë, sepse gjatë një Feste paraqiten shumë raportime nga shumë komitete lokale Bahá’í. Ndoshta raportime të tilla mund të përçohen në buletine. Gjithashtu mund të ketë shumë mesazhe nga organe të administratës kombëtare. Ndërsa është në kompetencën e Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të dërgojë një mesazh ose çështje të ndryshme për informim që të njoftohen në Festë, duhet treguar kujdes që të mos ngarkohen këto festa me shumë çështje nga ana e Asamblesë Kombëtare dhe e organeve ndihmëse të saj. Disa Asamble Kombëtare kanë zhvilluar praktikën e dërgimit të një mesazhi në çdo Festë; kjo, natyrisht, nuk është e gabuar në parim, por ato duhet të këqyrin metodat e tyre të komunikimit me besimtarët dhe të shohin nëse mesazhet e rastit mund të mos jenë të mjaftueshme. Ideja është që komunitetet lokale Bahá’í duhet të ushtrojnë kontroll mbi Festën dhe të mos ndjehen të mbytura nga mesazhet, udhëzimet e detyrat e shtruara prej administratës kombëtare të Besimit. E gjithë kjo çështje duhet të studiohet nga Asambleja Shpirtërore Kombëtare me një perspektivë të balancuar, në mënyrë që ndërsa çështjet e rëndësishme kombëtare të mos injorohen, mundësitë e Festës për zhvillimin e komunitetit lokal të realizohen plotësisht.
 Së treti, letra shoqëruese drejtuar miqve vë në dukje se është e dëshirueshme që në Festë të përfshihen elemente kulturore, të cilat mund të pasurojnë përvojën pa iu kundërvënë parimeve Bahá’í. Asambletë Shpirtërore Kombëtare duhet të kenë mendjen që përfshirja e elementeve të tilla të mos çojë në degjenerim të Festës si një institucion vetëm e vetëm Bahá’í dhe, veçanërisht, që zakone e praktika të qortueshme të mos fillojnë të futen tinëzisht në zhvillimin e saj.
 Na është kërkuar gjithashtu t’ju dërgojmë përmbledhjen që bashkangjiim këtu me titull “Festa e Nëntëmbëdhjetë Ditëve”, si një burim për edukimin e mëtejshëm të komunitetit dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të miqve lidhur me këtë institucion jetësor. Jeni të lirë t’ua njoftoni përmbajtjen e saj miqve, por nuk jeni të detyruar ta botoni atë.
    Përshëndetje të përzemërta Bahá’í
    Për Departamentin e Sekretariatit

Materiale bashkangjitur (2)

cc: Duart e Kauzës së Perëndisë
 Qendra Ndërkombëtare e Mësimit
 Këshilltarët


SHTËPIA UNIVERSALE E DREJTËSISË

QENDRA BOTËRORE BAHÁ’Í
27 gusht 1989

Pasuesve të Bahá’u’lláh-ut

Miq të dashur Bahá’í,
 Festa e Nëntëmbëdhjetë Ditëve, kuadri, qëllimi dhe mundësitë e saj, janë bërë këto vitet e fundit objekt i një interesimi gjithnjë më të madh midis miqve. Ajo zuri një pjesë të mirë të konsultës në Kuvendin e Gjashtë Ndërkombëtar Bahá’í vitin e kaluar, dhe ne e kuptojmë se ka ardhur koha të japim sqarime.
 Rendi Botëror i Bahá’u’lláh-ut përfshin të gjitha njësitë që përbëjnë shoqërinë njerëzore; integron preceset shpirtërore, administrative e shoqërore të jetës; dhe kanalizon shprehjen njerëzore në format e saj të ndryshme ndaj ndërtimit të një qytetërimi të ri. Festa e Nëntëmbëdhjetë Ditëve i përfshin të gjitha këto aspekte në vetë themelin e shoqërisë. Duke funksionuar në fshat, në qytete të vogla e të mëdha, ajo është një institucion, pjesëtarë të të cilit janë të gjithë njerëzit e Bahá-it. Ajo ka për qëllim të mbështesë unitetin, të sigurojë përparimin dhe të ngjallë gëzim.
 “Në qoftë se kjo festë bëhet siç duhet”, thotë ‘Abdu’l-Bahá-i, “miqtë një herë në nëntëmbëdhjetë ditë do ta ndiejnë veten të përtërirë shpirtërisht e të pajisur me një fuqi që nuk është e kësaj bote.” Për të arritur këtë rezultat të lavdishëm, është e nevojshme që koncepti i Festës të kuptohet si duhet nga të gjithë miqtë. Dihet se Festa ka tri pjesë të ndryshme, por të lidhura me njëra-tjetrën: pjesën devocionale, atë administrative dhe atë shoqërore. E para nënkupton thënie lutjesh dhe lexime nga Tekstet e Shenjta. E dyta është një takim i përgjithshëm, ku Asambleja Shpirtërore Lokale i raporton komunitetit për veprimtaritë, planet dhe problemet e saj, njofton për të rejat e për mesazhet nga Qendra Botërore e nga Asambleja Kombëtare dhe, përmes një procesi konsultimi, merr mendimet e rekomandimet e miqve. Pjesa e tretë përfshin servirjen e ushqimeve e të pijeve freskuese dhe pjesëmarrjen në veprimtari që tjera që synojnë të ushqejnë miqësinë në një larmi formash të caktuara kulturore, të cilat nuk shkelin parimet e Besimit ose karakterin thelbësor të Festës.
 Edhe pse Festa kërkon pjesëmarrjen rigoroze në të tre aspektet në atë renditje që ato janë përcaktuar, ka mjaft vend për variacion në tërësinë e kësaj veprimtarie. Për shembull, në faza të ndryshme, duke përfshirë atë devocionale, mund të futet muzikë; ‘Abdu’l-Bahá-i rekomandon të mbahen biseda tërheqëse e frymëzuese; janë të mundura origjinaliteti dhe larmia në shprehjen e mikpritjes; cilësia dhe niveli i konsultimit janë vendimtare për frymën e kësaj veprimtarie. Ndikimet e kulturave të ndryshme në të gjitha këto drejtime janë faktorë të mirëpritur, që mund t’i japin Festës një shumëllojshmëri të shëndetshme, e cila përfaqëson karakteristikat unike të shoqërive të ndryshme ku ajo zhvillohet dhe që, për rrjedhojë, u sjell kënaqësi shpirtërore e gëzim pjesëmarrësve.
 Bie në sy që koncepti i Festës ka evoluar nga një fazë në tjetrën krahas zhvillimit të Besimit. Në fazën e saj më të hershme në Iran, miqtë individualë, në përgjigje të urdhrave të Bahá’u’lláh-ut, një herë në nëntëmbëdhjetë ditë organizonin takime në shtëpitë e tyre për të treguar mikpritje dhe merrnin frymëzim nga leximi e diskutimi i Mësimeve. Me rritjen e komunitetit, ‘Abdu’l-Bahá-i përvijoi e theksoi karakterin devocional e shoqëror të kësaj veprimtarie. Pas krijimit të Asambleve Shpirtërore Lokale, Shoghi Effendiu futi pjesën administrative dhe e njohu komunitetin me idenë e Festës së Nëntëmbëdhjetë Ditëve si institucion. Ishte si një simfoni me tri kohë, që tani qe kompletuar.
 Por evoluimi i Festës duhet parë jo vetëm në kuptimin e shpalosjes shkallë-shkallë të saj si institucion; ka një kontekst edhe më të gjerë. Festa mund të shihet fare mirë, në bashkërendimin unik të mënyrave të saj të veprimit, si pika kulmore e një procesi të madh historik, në të cilin elementet parësore të jetës së komunitetit—aktet e adhurimit, të festimit dhe forma të tjera bashkësie—kanë arritur në hapësira të gjera kohe një përkim të mahnitshëm. Festa e Nëntëmbëdhjetë Ditëve përfaqëson në këtë epokë të ndriçuar fazën e re, në të cilën ka evoluar shprehja themelore e jetës së komunitetit. Shoghi Effendiu e ka cilësuar atë si themelin e Rendit të ri Botëror dhe, në një letër të shkruar në emër të tij, thotë se ajo përbën “një mjet jetësor për të mbajtur kontakte të ngushta e të vazhdueshme midis vetë besimtarëve, si dhe midis këtyre e grupit të përfaqësuesve të zgjedhur të tyre në komunitetitn lokal.”
 Për më tepër, duke qenë se krijon mundësinë e përçuarjes së mesazheve nga niveli kombëtar e ai ndërkombëtar i administrimit, si dhe të komunikimit të rekomandimeve të miqve këtyre niveleve, Festa bëhet një hallkë që e lidh komunitetin lokal në një marrëdhënie dinamike me krejt strukturën e Rendit Administrativ. Por e parë edhe vetëm në sferën e saj lokale, ka mjaft gjëra që e bëjnë zemrën të ngazëllojë e të mahnitet. Këtu ajo e lidh individin me proceset kolektive falë të cilave një shoqëri ndërtohet ose përtërihet. Këtu, për shembull, Festa është një arenë e demokracisë në vetë rrënjët e shoqërisë, ku Asambleja Shpirtërore Lokale dhe pjesëtarët e komunitetit takohen mbi një bazë të përbashkët, ku individët janë të lirë të ofrojnë dhuntitë e tyre të mendimit, qofshin këto ide të reja ose kritika konstruktive, për proceset ndërtimore të një qytetërimi në zhvillim. Mund të shihet, pra, se veç domethënies së tij shpirtërore, ky institucion i popullit kombinon një varg disiplinash shoqërore themelore që i edukojnë pjesëmarrësit e tyre me rregullat bazë të qytetarisë së përgjegjshme.
 Që Festa të zhvillohet si duhet, veç kuptimit të konceptit të saj, është gjithashtu e nevojshme të bëhet përgatitja e saj dhe përgatitja për të. Edhe pse Asambleja Shpirtërore Lokale përgjigjet nga ana administrative për zhvillimin e Festës, shpesh herë ajo i drejtohet një individi ose një grupi individësh që të bëjnë përgatitjet, praktikë kjo që përputhet me frymën e mikpritjes, kaq jetësore në këtë rast. Individë të tillë mund të vihen në rolin e mikpritësit dhe ndonjëherë merren edhe me zgjedhjen e lutjeve e të teksteve për lexim në pjesën devocionale; ata mund të kujdesen edhe për pjesën shoqërore. Në komunitete të vogla, aspekti i mikpritje personale është i lehtë për t’u zbatuar, por në komunitete të mëdha Asambletë Shpirtërore Lokale, duke e ruajtur konceptin e mikpritjes, mund ta shohin të nevojshme të marrin edhe masa të tjera.
 Aspekte të rëndësishme të përgatitjes së Festës janë zgjedhja e teksteve të përshtatshme për lexim, caktimi që më parë i lexuesve të mirë dhe një sens dekori si në paraqitjen dhe në mënyrën si pritet programi devocional. Kujdesi për mjedisin ku do të mbahet Festa, brenda a jashtë qoftë, ndikon shumë në këtë veprimtari. Pastërtia, rregullimi i hapësirës nga ana praktike e dekorative, të gjitha këto luajnë një rol të rëndësishëm. Përpikmëria është gjithashtu një tregues i përgatitjes së mirë.
 Në një masë të madhe, suksesi i Festës varet nga cilësia e përgatitjes dhe pjesëmarrja e individit. Mjeshtri i dashur jep këtë këshillë: “Kushtojini rëndësi të madhe takimeve të Nëntëmbëdhjetë Ditëve, në mënyrë që në këto raste të dashurit e Zotit dhe shërbëtoret e të Mëshirshmit ta kthejnë fytyrën ndaj Mbretërisë, të këndojnë bashkimin shpirtëror, të kërkojnë ndihmën e Perëndisë, të dashurojnë me gëzim njëri-tjetrin, të rriten në pikëpamje të dëlirësisë e shenjtërisë, të rrinë në frikë të Perëndisë dhe t’i rezistojnë pasionit e egos. Kështu ata do të shkëputen nga kjo botë materiale dhe do të zhyten në dëshirat e shpirtit.”
 Duke përvetësuar këtë këshillë, është me të vërtetë ndriçuese ta shohësh Festën e Nëntëmbëdhjetë Ditëve në kontekstin që ajo u konceptua. Ajo është urdhëruar në “Kitab-i Akdas” me këto fjalë: “Juve ju është kërkuar të bëni një festë një herë në muaj, edhe sikur aty të shërbehet vetëm ujë; sepse Perëndia ka për qëllim t’i lidhë zemrat bashkë, si me mjete tokësore dhe me mjete qiellore.” Është, pra, e qartë që Festa i ka rrënjët në mikpritjen, me gjithë miqësinë, mirësjelljen, shërbimin, bujarinë e atmosferën gazmore që ajo nënkupton. Vetë ideja e mikpritjes si fryma mbështetëse e një institucioni kaq domethënës sjell një qëndrim të ri revolucionar në qeverisjen e punëve njerëzore në të gjitha nivelet, qëndrim që është vendimtar për atë unitet botëror mbi të cilin Figurat Qendrore të Besimit tonë janë munduar aq gjatë dhe kanë pësuar aq shumë mizori për ta sjellë në jetë. Pikërisht në këtë festë hyjnore janë hedhur themelet për realizimin e një realiteti kaq të pashembullt.
 Që ju të gjithë të merrni notën e lartë të caktuar për Festën si “prurëse gëzimi”, si “themeli i marrëveshjes e i unitetit”, si “çelësi i dashurisë e i miqësisë”, kjo mbetet objekt i lutjeve tona të zjarrta në Pragun e Shenjtë.
 Përshëndetje të përzemërta Bahá’í,


FESTA E NËNTËMBËDHJETË DITËVE


PASQYRA E LËNDËS
Formulime të përgjithshme  
Kremtimi i trefishtë i Festës 
Datat e Festës 
Vendmbajtjet e Festës 
Pjesëmarrja e besimtarëve në Festë 
Kufizimet për pjesëmarrjen në Festë
Rinia dhe fëmijët në Festat
Kremtimi i Festës: Lutjet dhe Leximi i Shkrimeve 
Kremtimi i Festës: Konsultimi 
Kremtimi i Festës: Miqësimi
Përzierja e kulturave në kremtimin e Festës    


1.  Formulime të përgjithshme

Nga Shkrimet e Bahá’u’lláh-ut

1     
Juve ju është kërkuar të bëni një festë një herë në muaj, edhe sikur aty të shërbehet vetëm ujë; sepse Perëndia ka për qëllim t’i lidhë zemrat bashkë, si me mjete tokësore dhe me mjete qiellore.
(Nga “Kitab-i Akdas”)

Nga Shkrimet dhe Thëniet e ‘Abdu’l-Bahá-it

2     
O ti i patundur në Besëlidhjen!
Ti ke shkruar ... lidhur me Festën. Kjo festë, që mbahet në një ditë të muajit nëntëmbëdhjetëditësh, qe vendosur nga Shenjtëria e Tij Báb-i dhe Bukuria e Bekuar urdhëroi, konfirmoi e inkurajoi me ngrohtësi mbajtjen e saj. Ajo është, pra, e një rëndësie shumë të madhe. Ju padyshim duhet të tregoni për të kujdesin më të madh dhe t’i bëni të njohura vlerat e saj, që ajo të vendoset në mënyrë të qëndrueshme mbi një bazë të përhershme. Le të mblidhen së bashku të dashurit e Perëndisë dhe të shoqërohen me njëri-tjetrin me shumë dashuri, shpirtmirësi e lumturi, duke u sjellë me përzemërsinë e vetëpërmbajtjen më të madhe. Le të lexojnë ata vargjet e shenjta, ese të dobishme, si dhe letrat e ‘Abdu’l-Bahá-it; le të inkurajojnë e të frymëzojnë njëri-tjetrin që të ushqejnë dashuri për cilindo e për të gjithë; të këndojnë lutjet me qetësi shpirtërore e gëzim; të mbajnë biseda domethënëse dhe të lavdërojnë Zotin e pakrahasueshëm.
 Mikpritësi, pa rënë fare në sy, duhet të tregojë mirësjellje ndaj të gjithëve, të jetë mbështetje për secilin dhe t’u shërbejë miqve me duart e veta.
 Në qoftë se Festa bëhet si duhet, ashtu siç e përshkruam, atëherë kjo darkë do të jetë me të vërtetë Darka e Kungatës, sepse frytet e saj do të jenë vetë frytet e asaj Darke dhe ndikimi i saj do të jetë po ai.
(Nga një Tabelë drejtuar një besimtari individual, përkthyer prej persishtes)

3     
Përsa i përket Festës së Nëntëmbëdhjetë Ditëve, duhet t’i kushtoni asaj vëmendjen më të madhe dhe ta vendosni mbi një bazë të shëndoshë. Sepse kjo Festë u sjell lumturi, unitet e dashuri atyre që duan Perëndinë.
(Nga një Tabelë drejtuar një besimtari individual, përkthyer prej persishtes)

4     
Ju keni shkruar për Festën e Nëntëmbëdhjetë Ditëve. Kjo Festë sjell gëzim. Ajo është themeli i marrëveshjes e i unitetit. Është çelësi i dashurisë e i miqësisë. Ajo përhap njëshmërinë e njerëzimit.
(Nga një Tabelë drejtuar një besimtari individual, përkthyer prej persishtes)

5     
O ju shërbëtorë besnikë të Bukurisë së Lashtë! Në çdo cikël e dispensacion festat i kanë mbështetur e i kanë dashur dhe shtruarja e një tryeze për ata që duan Perëndinë është konsideruar një vepër e lavdërueshme. Kjo është e vërtetë veçanërisht sot, në këtë dispensacion të pakrahasueshëm, në këtë epokë kaq të begatë, në të cilën ato përshëndeten nxehtësisht, sepse me të vërtetë renditen ndër tubimet që mbahen për të adhuruar e lëvduar Perëndinë. Këtu këndohen vargjet e shenjta, oda e lavdërime qiellore dhe zemra gjallërohet e çohet larg vetvetes.
 Synimi parësor është të ndizen këto emocione të shpirtit, por në të njëjtën kohë është e natyrshme që të pranishmit të hanë së bashku, në mënyrë që bota e trupit të pasqyrojë botën e shpirtit dhe mishi të marrë vetitë e shpirtit; dhe ashtu siç janë me bollëk kënaqësitë shpirtërore, le të jenë edhe kënaqësitë materiale.
 Lum ju që e zbatoni këtë rregull, me të gjitha domethëniet e tij mistike, duke i mbajtur kështu miqtë e Perëndisë syhapur e të vëmendshëm dhe duke u sjellë atyre qetësi shpirtërore e gëzim.
(“Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it” [bot. i rishikuar], (Haifa: Qendra Botërore Bahá’í, 1982), seksioni 48, f. 90-91)

6     
Letrën tënde e morëm. Ti shkruan për Festën e Nëntëmbëdhjetë Ditëve dhe kjo më gëzon zemrën. Këto takime bëjnë që tryeza hyjnore të zbresë nga qielli dhe tërheqin konfirmimet e Mëshirëplotit. Shpresoj se flladet e Shpirtit të Shenjtë do të fryjnë mbi të dhe se çdo i pranishëm, me një gjuhë shprehëse e me zemrën plot dashuri për Perëndinë, do të brohorasë, në tubime të mëdha, lindjen e Diellit të së Vërtetës, agimin e Yllit të Ditës që ndriçon gjithë botën.
(“Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it” [bot. i rishikuar], (Haifa: Qendra Botërore Bahá’í, 1982), seksioni 49, f. 91)

7     
Jepini shumë rëndësi takimeve të Nëntëmbëdhjetë Ditëve, në mënyrë që në këto raste të dashurit e Zotit dhe shërbëtoret e të Mëshirshmit ta kthejnë fytyrën ndaj Mbretërisë, të këndojnë tekstet, të kërkojnë ndihmën e Perëndisë, të dashurojnë me gëzim njëri-tjetrin, të rriten në dëlirësi e shenjtëri dhe në frikë të Perëndisë dhe t’i rezistojnë pasionit e egos. Kështu ata do ta shkëputen nga kjo botë materiale dhe do të zhyten në dëshirat e shpirtit.
(Nga një Tabelë drejtuar Asamblesë Shpirtërore lokale të Spokane, Uashington, përkthyer prej persishtes)

8     
I lutem Perëndisë, për hir të bujarisë së Tij të pafund, që të bëhen shumë tubime si këto dhe që Festa e Nëntëmbëdhjetë Ditëve gjithashtu të mbahet, në mënyrë që besimtarët, burra e gra, të përmendin Perëndinë, ta lëvdojnë e madhërojnë Atë dhe të udhëheqin njerëzit në rrugën e drejtë.
(Nga një Tabelë drejtuar Bahá’í-ve të Shtutgartit, Gjermani, përkthyer prej persishtes)

9
O ti që je i patundur në Besëlidhjen!
E morëm letrën tuaj të hollësishme, por për shkak të punëve të ngutshme një përgjigje e shkurtër duhet të mjaftojë. Ju pyesni për Festën që duhet bërë një herë në çdo muaj Bahá’í. Kjo Festë bëhet për të ushqyer miqësinë e dashurinë, për të sjellë ndërmend Perëndinë, për t’iu lutur Atij me zemra të penduara dhe për të inkurajuar vepra bamirësie. Kjo do të thotë se miqtë duhet të ndalen atje te Perëndia dhe t’I thurin lavde, të thonë lutje e vargje të shenjta dhe ta trajtojnë njëri-tjetrin me ngrohtësinë e dashurinë më të madhe. Në qoftë se midis dy miqve lindin ngatërresa, le të ftohen të dy dhe të bëhen përpjekje për të sheshuar mosmarrëveshjet e tyre. Le të përqëndrohen të gjitha diskutimet sesi të kryhen vepra bamirësie e punë të bekuara, që rezultate të lavdërueshme të jenë fryti i kësaj.[1]
(Nga një Tabelë drejtuar një individi, përkthyer prej persishtes)

10
Përsa i përket Festës së Nëntëmbëdhjetë Ditëve, ajo i sjell gëzim mendjes e zemrës. Në qoftë se kjo festë bëhet siç duhet, miqtë një herë në nëntëmbëdhjetë ditë do ta shohin veten shpirtërisht të përtëritur e të pajisur me një fuqi që nuk është e kësaj bote.
(“Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it” [bot. i rishikuar], (Haifa: Qendra Botërore Bahá’í, 1982), seksioni 51, f. 91)

11     
Përsa i përket Festës së Nëntëmbëdhjetë Ditëve, ka shumë rëndësi që miqtë të mblidhen në një takim ku, në harmoni të plotë e dashuri, të kujtojnë Perëndinë e t’I thurin lavde, të bisedojnë për lajmin e mirë të Perëndisë e për provat e Ardhjes së Bahá’u’lláh-ut, të tregojnë për bëmat e larta e sakrificat e dashuruesve të Perëndisë në Persi, të flasin për shkëputjen e martirëve nga bota, për ekstazën e tyre dhe sesi besimtarët atje mbështetnin njëri-tjetrin dhe jepnin gjithçka që kishin.
 Festa e Nëntëmbëdhjetë Ditëve ka, pra, rëndësi shumë të madhe.
(Nga një Tabelë drejtuar një individi, përkthyer prej persishtes)

12     
... bëjini Festat[2] raste gëzimi e miqësie që të kujtojnë festat[3] që paraardhësit tanë e kishin zakon të bënin në përkujtim të Darkës së Kungatës...
(Nga një Tabelë drejtuar një individi, përkthyer prej persishtes)

13     
Duhet të ndërmerren hapa të vendosur për ta futur pritjen e Nëntëmbëdhjetë Ditëve në të gjithë komunitetin. Derisa kjo Festë është e kufizuar vetëm me besimtarët, duhen paraqitur prova vendimtare përsa u përket njerëzve të Bajanit, në mënyrë që të ardhurit rishtas, që janë të pavetëdijshëm për këtë, të vihen në dijeni.
(Nga një Tabelë drejtuar një individi, përkthyer prej persishtes)

14     
Është e përshtatshme që miqtë të bëjnë një tubim, një takim, ku ata të lëvdojnë Perëndinë e t’i kthejnë zemrat ndaj Tij, të lexojnë e të recitojnë Shkrimet e Shenjta të Bukurisë së Bekuar—u bëftë shpirti im shpërblesë për ata që e duan Atë! Dritat e Mbretërisë Lavdiplote, rrezet e Horizontit Suprem do të bien mbi tubime të tilla të ndritshme, sepse ato janë Mashrikul Azkar-ët, Pikagimet e Kujtimit të Perëndisë, të cilat me urdhër të Pendës më të Lartë duhen ngritur në çdo fshat e qytet... Këto tubime shpirtërore duhen mbajtur me dëlirësinë e përkushtimin më të madh, në mënyrë që nga vetë ky vend, nga toka e ajri rreth tij njeriu të thithë aromën erëmirë të Shpirtit të Shenjtë.
(“Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it” [bot. i rishikuar], (Haifa: Qendra Botërore Bahá’í, 1982), seksioni 55, f. 93-94)

15     
Ti ke shkruar për atë takim që u bë në lagjen ku ndodhet porta e qytetit e Abdyl Azimit [‘Abdu’l-Azím]. Mos e quaj takim. Quaje një tubim shprirtrash të shenjtë; një kuvend të atyre që e duan Zotin; një strehë për njerëzit e Mëshirëplotit; një sallë pallati për të gjithë ata që i thurin lavde Atij. Sepse pjesëtarët e atij tubimi janë secili një qiri i ndezur dhe ai kuvend një pallat i hënës e i yjeve. Ai është bekuar nga Zoti i gjithë njerëzimit dhe e ka përhapur Festën ashtu siç është shtjelluar në Librin Më të Shenjtë.
(Nga një Tabelë drejtuar një individi, përkthyer prej persishtes)

16     
Dhe ti, O bija ime e dashur, mbaj gjithnjë kontakte të ngushta me bijën time të nderuar, Znj. ..., dhe ji mikeshë e saj. Të jeni e sigurt se hyrja e Shpirtit të Shenjtë do t’jua zgjidhë gjuhën. Prandaj flisni; flisni me guxim të madh në çdo takim. Kur jeni gati të filloni fjalën tuaj, më parë kthehuni ndaj Bahá’u’lláh-ut dhe kërkoni mbështetjen e Shpirtit të Shenjtë, pastaj hapni gojën dhe thoni çdo gjë që i sugjerohet zemrës suaj; por bëjeni këtë me guximin, dinjitetin e bindjen më të madhe. Shpresoj se nga dita në ditë tubimet tuaja do të rriten e do të lulëzojnë dhe se ata që kërkojnë të vërtetën do t’u vënë veshin atje argumenteve të arsyeshme e provave vendimtare. Unë jam me ju me zemër e me shpirt në çdo takim; të jeni e sigurt për këtë.[4]
 Mbajini Festat e Nëntëmbëdhjetë Ditëve me dinjitetin më të madh.
(Nga një Tabelë drejtuar një individi, përkthyer prej persishtes)

17     
Ju duhet të vazhdoni ta mbani Festën e Nëntëmbëdhjetë Ditëve. Ajo është shumë e rëndësishme; është shumë e mirë. Por kur paraqiteni në takimet, para se të hyni atje çlirojeni veten nga çdo gjë që keni në zemër, çlirojini mendimet tuaja dhe mendjet tuaja nga çdo gjë tjetër veç Perëndisë dhe folini zemrës suaj. Le ta bëjnë atë të gjitha këto një takim të dashurisë, le ta bëjnë një burim ndriçimi, le ta bëjnë një takim të tërheqjes së zemrave, le ta rrethojnë këtë takim me Dritat e Tubimit Suprem, që ju të mblidheni së bashku me dashurinë më të madhe.
 O Perëndi! Largoji ato gjëra që shkaktojnë mosmarrëveshje dhe cakto për ne ato gjëra që sjellin unitet e marrëveshje! O Perëndi! Lësho mbi ne Aromën Qiellore dhe bëje këtë takim një takim të Qiellit! Jepna çdo favor e çdo ushqim. Cakto për ne Ushqimin e Dashurisë! Jepna Ushqimin e Dijes! Dhurona Ushqimin e Ndriçimit Qiellor!

Kujtoni të gjitha këto gjëra në zemrat tuaja dhe pastaj hyni në Festën e Unitetit.
 Secili prej jush duhet të mendojë sesi të gëzojë e të kënaqë anëtarët e tjerë të Asamblesë suaj dhe t’i konsiderojë të gjithë të pranishmit më të mirë e më të rëndësishëm se vetja, dhe secili ta shohë vetveten si më të ulët se të tjerët. Vlerësojeni si të lartë pozitën e tyre dhe mendojeni si të përunjur pozitën tuaj. Po qe se veproni e jetoni sipas këtyre porosive, dijeni me të vërtetë se me siguri kjo Festë është Ushqimi Qiellor dhe kjo Darkë është “Darka e Kungatës”! Unë jam Shërbëtori i atij takimi.
(“Star of the West”, vëll. IV, nr. 7 (13 korrik 1913), f. 120)

18
Festa e Nëntëmbëdhjetë Ditëve u vendos nga Báb-i dhe u ratifikua nga Bahá’u’lláh-u në Librin e Tij të Shenjtë, Akdas-in [sic], që njerëzit të mblidhen së bashku dhe të tregojnë haptazi miqësi e dashuri, në mënyrë që misteret hyjore të mund të zbulohen. Synimi është harmonia, në mënyrë që duke u shoqëruar në miqësi zemrat të arrinë bashkim të përsosur dhe të vendosen marrëdhënie reciprociteti e dobie të ndërsjellë. Duke qenë se pjesëtarët e gjinisë njerëzore nuk mund të jetojnë ndryshe, veçse të bashkuar në grupe, kooperimi dhe dobia e ndërsjellë janë themeli i shoqërisë njerëzore. Po qe se nuk vihen në jetë këto dy parime të mëdha, asnjë lëvizje e madhe nuk mund të çajë rrugën...
 Me pak fjalë, shpresa ime është kjo: që Festa e Nëntëmbëdhjetë Ditëve të krijojë një solidaritet të madh shpirtëror midis miqve, që ajo t’i lidhë në unitet besimtarët, dhe atëherë ne do të jemi aq të bashkuar saqë dashuria e urtia do të përhapen nga kjo qendër në të gjitha anët. Kjo Festë është një Festë hyjnore. Ajo është një darkë Kungate. Ajo tërheq si magnet mbështetjen e Perëndisë. Ajo bën që zemrat të ndriçohen.
 Çdo ditë bëhen festa e shtrohen bankete të mëdha për t’u dëfryer materialisht e për të shijuar ushqime. Hanë së bashku gjellë të zgjedhura e pinë ujë burimesh të ndryshme për ta kaluar sa më mirë. Pastaj kërcejnë e hedhin valle. Të gjitha këto janë për trupin, kurse ky takim miqësie është për t’u gëzuar në Perëndinë, për të ngrënë ushqim shpirtëror, për të ndriçuar çështje shpirtërore, për të diskutuar e shpjeguar mësimet e këshillat e Perëndisë. Ai është shpirtësi absolute.
 Unë shpresoj që Festa e Nëntëmbëdhjetë Ditëve të vendoset mbi themele të shëndosha dhe të organizohet në mënyrë të tillë që realitetet e shenjta të fshehura në këtë takim të mund të fshijnë çdo paragjykim e konflikt dhe t’i bëjnë zemrat e tyre thesar dashurie. Në pastë midis disa shpirtrave edhe ndjenjën më të lehtë të mungesës së dashurisë, ajo duhet të zhduket krejtësisht. Duhet të mbretërojnë qartësia e dëlirësia më e plotë e qëllimit.
 Miqtë duhet të gëzojnë dashurinë e Perëndisë, duhet të marrin forca për të përkrahur lumturinë e njerëzimit dhe Fjalën e Perëndisë. Me një qëllim kaq të lartë, kjo Festë duhet të shndërrohet në një institucion me bazë të shëndoshë. Kur mblidhen në këtë takim, të gjithë të pranishmit duhet ta kthejnë fytyrën ndaj Mbretërisë së Abhá-së dhe nga zemra të luten, të invokojnë e të kërkojnë me zjarr fronin e lartë, të kërkojnë ndjesën e Perëndisë për të gjitha të metat, të lexojnë mësimet dhe të ngrihen në shërbim të Tij.
 Pastaj hapni festën dhe ofroni të ngrëna e pije freskuese. Rezultate të mëdha do të jenë me siguri fryti i takimeve të tilla. Do të ketë përfitime materiale e shpirtërore. Të gjithë të pranishmit do të dehen nga flladet e dashurisë së Perëndisë dhe Fryma e Shpirtit të Shenjtë do të frymëzojë me një fuqi të madhe zemrat.
 Po qe se mbështetet mbi një shkëmb të tillë, ky takim do të bëhet një forcë që do të tërheqë mbështetjet hyjnore, do të jetë mjeti i shfaqjes së Dritës së Perëndisë dhe realiteti i çdo çështjeje do të zbulohet. Një takim i tillë do të jetë nën mbrojtjen e Perëndisë. Unë kam shpresë se ju do t’i mbani vazhdimisht këto takime dhe se secili prej tyre do të bëhet gjithnjë më shumë qendër e të gjitha virtyteve, pika nga do të shkëlqejë Drita e Perëndisë.
 U kthjellofshin zemrat tuaja!
 U bëfshin të gëzuara fytyrat tuaja!
 U ndriçofshin shpirtrat tuaj!
 U hapshin mendimet tuaja për vizione më të gjera!
 U shtoftë ndieshmëria juaj shpirtërore!
 Ju rrethoftë mbretëria e Perëndisë dhe u bëfshin zemrat tuaja thesar i qiellit!
 Kjo është shpresa ime.
(Nga një bisedë e ‘Abdu’l-Bahá-it mbajtur në një Festë të Nëntëmbëdhjetë Ditëve në Londër, Angli, më 29 dhjetor 1912, cituar në “Bahá’í News Letter” 33 (korrik 1929), f. 1-2)

2. Kremtimi i trefishtë i Festës

Nga Shkrimet e Shoghi Effendiut

19     
Ndër faktorët e tjerë që çojnë përpara zhvillimin e atij Rendi dhe që kontribuojnë për konsolidimin e tij, ka qenë vendosja sistematike e institucionit të Festës së Nëntëmbëdhjetë Ditëve, që funksionon në pjesën më të madhe të komuniteteve Bahá’í të Lindjes e të Perëndimit, me theksin e tij të trefishtë në aspektin devocional, administrativ e atë shoqëror të jetës komunitare Bahá’í...
(“Perëndia kalon pranë”, bot. i rishikuar (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1987), f. 342)

Nga letra të shkruara në emër të Shoghi Effendiut[5]

200     
Përsa i përket natyrës së Festave të Nëntëmbëdhjetë Ditëve, Ruajtësi mendon se deklarata e shkëlqyer për natyrën, funksionin dhe qëllimin e tyre, botuar në një nga numrat e fundit të “News Letter”, është kaq e kuptueshme e besnike në paraqitjen që u bën, saqë ai nuk e sheh të nevojshme ta rishtjellojë e ta zgjerojë këtë çështje. Por ai nuk ka kundërshtim në qoftë se ju ndieni nevojën ta përpunoni mendimin e shprehur në atë deklaratë, duke theksuar në mënyrë të veçantë aspektet shpirtëror, administrativ e shoqëror të këtij institucioni jetësor Bahá’í.[6]
(6 shtator 1933, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në “Bahá’í News” 79 (nëntor 1933), f. 3)6

21     
Përsa i përket pyetjes suaj lidhur me Festat Bahá’í, Shoghi Effendiu mendon në mënyrë të vendosur se në raste të tilla miqtë duhet ta venë theksin si tek elementi shpirtëror dhe tek ai administrativ, sepse të dy këta janë njëlloj thelbësorë për suksesin e çdo feste Bahá’í. Ruajtja e një baraspeshe të drejtë midis tyre është, pra, detyrë e përgjegjësi e çdo individi ose grupi Bahá’í. Sakohë besimtarët nuk do të mësojnë t’i kombinojnë të dyja këto, nuk ka shpresë që ata të nxjerrin ndonjë përfitim real e të përhershëm nga kremtime të tilla fetare. Një pjesë e mirë e Festës duhet, sigurisht, t’i kushtohet leximit të Fjalëve të Shenjta, sepse përmes tyre miqtë mund të gjejnë frymëzimin dhe intuitën e nevojshme për të kryer me sukses punën e tyre për Kauzën.
(27 maj 1934)

22     
Lidhur me pyetjen tuaj për Festat e Nëntëmbëdhjetë Ditëve: këto tubime janë padyshim të një rëndësie të veçantë për miqtë, sepse kanë një domethënie si shoqërore dhe administrative dhe, si të tilla, në to duhet të marrin pjesë rregullisht të gjithë besimtarët e konfirmuar. Sipas kalendarit Bahá’í, ato duhen mbajtur një herë në çdo nëntëmbëdhjetë ditë.
(12 prill 1935)

23     
Përsa i përket natyrës së Festës së Nëntëmbëdhjetë Ditëve: Në “Akdas-in” Bahá’u’lláh-u ka reveluar qartë karakterin shpirtëror e shoqëror të këtij institucioni. Ndërsa domethënia administrative e tij është theksuar nga Ruajtësi si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj nevojave në rritje të komunitetit Bahá’í në këtë periudhë formuese të Epokës Bahá’í për një njohje më të mirë të parimeve e të praktikës së administrimit Bahá’í.
(29 korrik 1935, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë)

24     
Lidhur me Festën e Nëntëmbëdhjetë Ditëve: në një letër të mëparshme drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare, Ruajtësi e pat bërë të qartë që, edhe pse nuk është një urdhër i detyrueshëm, kjo Festë shihej nga Bahá’u’lláh-u si shumë e dëshirueshme dhe e lavdërueshme. Në “Akdas-in” Ai ka theksuar në mënyrë të posaçme karakterin e saj shpirtëror e devocional, si dhe rëndësinë shoqërore të saj në komunitetin Bahá’í si mjet për të krijuar më shumë miqësi e unitet midis besimtarëve. Domethënia administrative e kësaj Feste është shprehur nga Ruajtësi duke pasur parasysh nevojën gjithnjë më të madhe midis miqve për një njohje më të mirë të parimeve e të metodave të Administrimit Bahá’í.
 Domethënia e Festës së Nëntëmbëdhjetë Ditëve është kështu e trefishtë. Ajo është një tubim me rëndësi devocionale, shoqërore e administrative. Kur të tre këto tipare bashkërendohen si duhet, kjo Festë mund të arrijë rezultatin më të mirë e maksimal. Por miqtë duhet të kenë mendjen që as të mos e mbivlerësojnë rëndësinë e këtij institucioni të krijuar nga Bahá’u’lláh-u dhe as të mos e nënvleftësojnë apo minimizojnë rëndësinë e tij.
(2 tetor 1935, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë)

25     
Ai u gëzua shumë kur mori vesh se ju i bëni Festat, sepse ato janë një pikë tubimi për miqtë dhe ndihmojnë për t’i bashkuar ata dhe për t’u thelluar në Besimin.
(5 mars 1946)

Nga letra të shkruara prej Shtëpisë Universale të Drejtësisë ose në emër të saj

 

26     
Një grup, sigurisht, nuk është një organ administrativ dhe nuk ka ndonjë kundërshtim që anëtarët e një grupi të marrin vendime brenda fushës së tij në çdo rast që takon të ndodhen së bashku, edhe sikur të jetë një Festë e Nëntëmbëdhjetë Ditëve. Festa e Nëntëmbëdhjetë Ditëve mund të jetë një rast administrativ zyrtar vetëm kur ka një Asamble Shpirtërore Lokale që përgjigjet për këtë, u raporton miqve dhe merr rekomandimet e tyre. Por grupe, mbledhje spontane të miqve, madje edhe besimtarë të veçantë sigurisht mund ta përkujtojnë këtë ditë dhe të thonë lutje bashkarisht. Në rastin e një grupi, ai fare mirë mund ta bëjë Festën në mënyrën që do ta bënte një Asamble Shpirtërore Lokale, por duke e ditur se kjo nuk ka vlerë zyrtare.
(31 tetor 1972, shkruar nga Shtëpia Universale e Drejtësisë, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Zvicrës)

27     
Lidhur me ndryshimin e renditjes së Festës, nga udhëzimet e Shoghi Effendiut është e qartë se programi i Festës së Nëntëmbëdhjetë Ditëve duhet të fillojë me pjesën shpirtërore, e jo me pjesën shoqërore, e cila përfshin qerasje ose ngrënie buke bashkarisht... Sidoqoftë, në rast se gjykohet që njëfarë shoqërimi midis miqve dhe qerasja me të ngrëna e pije freskuese është e dobishme, në qoftë se kjo bëhet në fillim nuk ka ndonjë kundërshtim për një praktikë të tillë, por duke e pasur të qartë se kjo nuk është pjesë e Festës.
(23 janar 1985, shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar një besimtari individual)

3. Datat e Festës

Nga letra të shkruara në emër të Shoghi Effendiut

28     
Përsa i përket pyetjes suaj lidhur me Festën e Nëntëmbëdhjetë Ditëve, Shoghi Effendiu nuk ka ndonjë kundërshtim në rast se miqtë vendosin ta kremtojnë atë në një prej ditëve të shtuara. Ata mund ta kremtojnë atë edhe gjatë muajit të Agjërimit, me kusht që të përmbahen nga të ngrënit.
(2 gusht 1934, drejtuar një besimtari individual)

29     
Pyetja juaj e tretë lidhet me ditën në të cilën duhet bërë çdo muaj Festa. Në përgjigje, Ruajtësi deklaron se nuk është caktuar ndonjë ditë e posaçme, por do të ishte e parapëlqyer e shumë e përshtatshme që takimi i miqve të bëhej në ditën e parë të çdo muaji.
(1 dhjetor 1936, drejtuar një besimtari individual, përkthyer prej persishtes)

30     
Në lidhje me datën e mbajtjes së Festave të Nëntëmbëdhjetë Ditëve dhe të zgjedhjeve: Ruajtësi i këshillon Asamblesë suaj t’i nxitë miqtë që t’i bëjnë mbledhje të tilla në ditën e caktuar, para perëndimit të diellit. Në qoftë se kjo është e pamundur, atëherë është e lejueshme të bëhen një ditë më parë. Sidoqoftë, lidhur me nëntë ditët e shenjta miqtë duhet ta konsiderojnë të detyrueshme t’i kremtojnë ato në ditën e caktuar, para perëndimit të diellit.
(24 dhjetor 1939, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë)

31     
Festa e Novruzit duhet kremtuar më 21 mars para perëndimit të diellit dhe nuk ka të bëjë fare me Festën e Nëntëmbëdhjetë Ditëve. Festa e Nëntëmbëdhjetë Ditëve ka funksion administrativ, ndërsa Novruzi është Viti ynë i Ri, një Festë mikpritjeje e gëzimi.
(5 korrik 1950, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë)

Nga një letër e shkruar prej Shtëpisë Universale të Drejtësisë

32     
Lidhur me pyetjen tuaj për datat e Festave e të Ditëve të Shenjta: Dita Bahá’í është nga perëndimi në perëndim të diellit, prandaj në qoftë se në verë dielli perëndon shumë vonë për të bërë të mundur mbajtjen e Festës së Nëntëmbëdhjetë Ditëve në mbrëmjen e mëparshme, ajo duhet bërë brenda vetë ditës. Përsa kohë takimi fillon para perëndimit të diellit, konsiderohet se ai është mbajtur në ditën që përfundon me atë perëndim të diellit. Natyrisht, Festat e Nëntëmbëdhjetë Ditëve duhen bërë në ditën e parë të muajit Bahá’í nëse është e mundur, por në qoftë se është vështirë të bëhet kjo, për shembull në qoftë se ajo koincidon me një mbrëmje takimi publik të rregullt, atëherë është e lehueshme që ajo të bëhet të nesërmen, dmth në një ditë të nesërme të muajit Bahá’í.
(23 qershor 1964, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Finlandës)

4. Vendmbajtjet e Festës

Nga letra të shkruara në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar besimtarëve individualë

33     
Nuk ka ndonjë kundërshtim që t’i mbani takimet në vend të hapur, mjafton që kjo të bëhet në mënyrë dinjitoze.
(22 nëntor 1941)

34     
Çdo qytet do të ketë Asamblenë e vet Shpirtërore, jo disa asamble rajonesh. Natyrisht mund të bëhen Festa rajonale të Nëntëmbëdhjetë Ditëve atje ku ka shumë Bahá’í në një qytet.
(31 mars 1949)

35     
Çështja se ku duhen mbajtur Festat e Nëntëmbëdhjetë Ditëve është, padyshim, një çështje që i takon Asamblesë Shpirtërore ta vendosë; por Haziratul Kuds-i [Hazíratu’l-Quds] duket në shumë raste vendi më logjik. Derisa miqtë kanë një vend adhurimi në ..., kjo godinë do të përdoret gjithashtu për takime devocionale, si dhe për qëllime administrative.
 Në qoftë se, në rrethana të caktuara, një Festë e posaçme bëhet në shtëpinë e njërit prej besimtarëve, me miratimin e Asamblesë Shpirtërore, nuk ka ndonjë kundërshtim për këtë; por, në përgjithësi, ai mendon se është më mirë të përdoret Haziratul Kuds-i.
(18 shkurt 1954)

Nga letra të shkruara në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë

36     
I kuptojmë e i vlerësojmë problemet që krijohen lidhur me mbajtjen e Festave të Nëntëmbëdhjetë Ditëve në qytetet e mëdha si Nju Jorku e Los Anxheles dhe nuk kemi ndonjë kundërshtim që Asambleja juaj të autorizojë Asamblenë Lokale të marrë masa për mbajtjen e Festës në lokalitete të ndryshme si eksperiment, në rast se Asambleja Lokale dëshiron kështu, por duke mbajtur parasysh shqetësimet e mëposhtme:
Prirja në zonat metropolitane është drejt ndarjes, prandaj Asambleja Lokale duhet të jetë syhapur që të parandalojë zhvillimin e një modeli të tillë në takimet Bahá’í për arsye të vendmbajtjes së Festës.
Asambleja Lokale duhet të jetë syhapur që as uniteti i komunitetit dhe as kontrolli nga ana e Asamblesë Lokale të mos shthuren nga kjo praktikë.
(23 janar 1967, shkruar nga Shtëpia Universale e Drejtësisë, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara)

37     
Letra juaj e 9 gushtit, që shtron problemin e zhvillimit të Festave të Nëntëmbëdhjetë Ditëve e të veprimtarive të tjera Bahá’í në të dy komunitetet ... të cilat janë bërë aq të mëdha saqë është e pamundur të zhvillohen veprimtari të tilla nëpër shtëpi, është mirëpritur nga ne, dhe ne shpresojmë se ju së shpejti do ta përballoni këtë problem në komunitete të tjera.
 E lëmë në gjykimin tuaj nëse këto komunitete të mëdha do të blejnë pajisje të përshtatshme për të pritur besimtarët në Festat e në veprimtari të tjera Bahá’í, do t’i marrin me qira pajisjet apo do të bëjnë disa Festa të njëkohshme duke vazhduar të përdorin shtëpitë.
(21 gusht 1972, shkruar nga Shtëpia Universale e Drejtësisë, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Alaskës)

38     
Vështirësitë e udhëtimit për të vajtur në Festat e Nëntëmbëdhjetë Ditëve, si dhe raste të tjera që ndeshen në disa rrethe, mund të kapërcehen duke autorizuar ju Asamblenë Lokale në rrethe të tilla që të bëjë më shumë se një Festë në rrethin e saj. Nuk është e nevojshme të caktohen kufij të prerë për një qëllim të tillë dhe miqtë duhen lejuar të marrin pjesë në Festën më të volitshme për ta në rrethin e tyre; por të gjithë duhet të kenë parasysh se çdo Festë në atë zonë është pjesë e një njëjtës Festë në juridiksionin e Asamblesë Shpirtërore Lokale. Duhen siguruar raste për të gjithë komunitetin Bahá’í të rrethit që të mblidhen së bashku, dhe ditët e Festave nuk duhen përjashtuar nga raste të tilla.
(14 janar 1980, shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Barbados e të Ishujve Uinduord)

39     
Përsa i përket çështjes së mbajtjes së takimeve për të përkujtuar Ditët e Shenjta Bahá’í mbi një bazë rajonale, Shtëpia e Drejtësisë ka udhëzuar që në disa zona për besimtarët e lokaliteteve fqinjë mund të jetë e dëshirueshme të bashkohen me komunitete të tjera në kremtimin e Ditëve të Shenjta e të disa ngjarjeve. Çështje të tilla i duhen referuar Asambleve Shpirtërore Kombëtare e të vendosen prej tyre. Por zhvillimi i Festave të Nëntëmbëdhjetë Ditëve dhe i veprimtarive të tjera lokale duhet bërë në zonat civile përkatëse.
(20 mars 1986, shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar një besimtari individual)

40     
Problemet që lidhen me pyetjet tuaja nuk janë të pakapërcyeshme. Për shembull, Asambleja Shpirtërore Lokale mund të autorizohej të caktonte një komitet administrativ në secilin prej një numri nënnjësish të qytetit; dhe këto komitete mund të merreshin me nevojat e ngutshme të miqve në këto zona në emër të Asamblesë; dhe në qoftë se do të shihej e dëshirueshme, Asambleja Shpirtërore mund të autorizonte mbajtjen e Festave të veçanta të Nëntëmbëdhjetë Ditëve në disa nënnjësi. Në një sistem të tillë të decentralizuar, Asamblesë Shpirtërore Lokale do t’i duhej të merrte masa për bashkërendimin e përgjithshëm të përpjekjeve të miqve në të gjitha nënnjësitë e qytetit.
 Nënndarja e qytetit duhet parë thjesht si një nevojë administrative që ka për qëllim të shërbejë për të mirën e gjithë komunitetit; në këtë këndvështrim, Asambleja duhet të tregohet mjaft syhapur kundër krijimit të shumë nënnjësive, duke u mjaftuar me veprimin minimal në këtë drejtim. Duke pasur parasysh shtresëzimin racial e shoqëror të qyteteve të mëdha, Asambleja Shpirtërore duhet të tregojë shumë kujdes për të mos lejuar që komuniteti Bahá’í i ... të bëhet, në fakt, i copëtuar nga pikëpamja raciale e shoqërore, edhe në qoftë njëra racë ose shtresë mbizotëruese në një nënnjësi të qytetit. Një prej çështjeve që duhet të mbetet mbisunduese në mendjet e Asamblesë, të komiteteve dhe të miqve individualë është si të mbështetet në çdo kohë, përmes funksioneve e bëmave të tyre, parimi parësor dhe qëllimi i Besimit tonë, domethënë uniteti i gjinisë njerëzore.
(20 dhjetor 1987, shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara)

5. Pjesëmarrja e besimtarëve në Festë

Nga letra të shkruara në emër të Shoghi Effendiut

41     
Lidhur me Festat e Nëntëmbëdhjetë Ditëve, Shoghi Effendiu është i mendimit se besimtarët duhet të kuptojnë rëndësinë e pjesëmarrjes në këto tubime, të cilat jo vetëm kanë domethënie shpirtërore, por edhe janë një mjet jetësor për të mbajtur kontakte të ngushta e të vazhdueshme midis vetë besimtarëve, si dhe midis tyre e kuvendit të përfaqësuesve të zgjedhur të tyre në komunitetin lokal.
 Por asnjë veprim radikal, si përjashtimi i ndonjë besimtari nga komuniteti, nuk duhet ndërmarrë në rast se ndonjëri nuk merr pjesë në këto Festa. I takon çdo besimtari individual të kuptojë se ç’kërkon prej tij Kauza lidhur me këtë çështje. Frikësimet ose kërcënimet nuk shërbejnë, veçse i duhet bërë thirrje ndërgjegjes e përgjegjësisë së individit.
(22 dhjetor 1934, drejtuar një besimtari individual)

42     
Gjithashtu lidhur me Festat e Nëntëmbëdhjetë Ditëve: ato nuk janë rreptësisht të detyrueshme, por besimtarët duhet të përpiqen të marrin pjesë rregullisht në to, kryesisht për dy arsyet e mëposhtme: së pari, sepse ato ushqejnë frymën e shërbimit e të miqësisë në komunitet dhe, së dyti, për faktin që u japin besimtarëve një mundësi të shkëlqyer që të rrahin me hollësi punët e Kauzës dhe të gjejnë mënyra e mjete për të përmirësuar vazhdimisht zhvillimin e veprimtarive Bahá’í.
(30 nëntor 1936, drejtuar një besimtari individual)

43
Pjesëmarrja në Festat e Nëntëmbëdhjetë Ditëve nuk është e detyrushme, por shumë e dëshirueshme dhe miqtë duhet të bëjnë përpjekje që të mos e privojnë veten nga kjo pikë-takimi shpirtërore e komunitetit një herë në çdo muaj Bahá’í.
(23 dhjetor 1948, drejtuar një besimtari individual)

44     
Ruajtësi nuk ka dëgjuar kurrë për ndonjë rregull sipas të cilit një besimtari që nuk merr pjesë në tri Festa të Nëntëmbëdhjetë Ditëve radhazi i hiqet e drejta e votës. Ai mendon se një veprim i tillë nuk është aspak i justifikuar. Tërë çështja është nëse një person e konsideron veten Bahá’í ose jo dhe nëse dëshiron të aderojë në parimet e Besimit e të pranojë autoritetin e Ruajtësit e të Administratës; por nëse ky individ është në gjendje apo gjithmonë në kushte psikologjike të përshtatshme për të marrë pjesë në Festa e në takime Bahá’í, ky është një problem krejt tjetër. Në qoftë se një person e bën krejt të qartë se nuk dëshiron të konsiderohet anëtar aktiv i Komunitetit Bahá’í, të jetë i regjistruar në të dhe të ushtrojë të drejtën e votës, atëherë emri i tij duhet të hiqet nga lista e votuesve. Por në qoftë se një person e konsideron veten Bahá’í dhe për arsye të ndryshme nuk është në gjendje të jetë aktiv në punët e Komunitetit, atëherë ai sigurisht nuk duhet hequr nga lista jonë e votuesve, aq më pak në kohën e tanishme kur numri i anëtarëve të Komunitetit Bahá’í është kaq i vogël.
(2 mars 1951, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Gjermanisë e të Austrisë)

45     
Ai e kupton plotësisht pozitën e vështirë në të cilën do të vihet Asambleja juaj në qoftë se ju do t’i përmbaheni parimit që anëtarët e një Asambleje dhe anëtarët votues të një komuniteti duhet të jetojnë brenda kufijve të qytetit. Por ai është i mendimit se Parisi nuk mund të bëjë përjashtim nga ky rregull i përgjithshëm, të cilit ai dëshiron që Bahá’í-të t’i përmbahen NË MBARË BOTËN, pavarësisht nga çdo vështirësi e përkohshme që mund të shkaktojë kjo.
 Kjo nuk do të thotë se Bahá’í-të e Parisit që jetojnë jashtë kufijve të qytetit nuk duhet të marrin pjesë në Festën e Nëntëmbëdhjetë Ditëve dhe në Ditët e Shenjta Bahá’í; përkundrazi, ata duhet të marrin pjesë aktivisht në punët e komunitetit në kuptimin që të ndihmojnë në punën mësimore, duke mos qenë në të njëjtën kohë aktivë në punën administrative. Ai është i sigurt se më në fund ju do ta shihni që komuniteti juaj, në vend që të dobësohet, do të rritet e do të forcohet duke iu përmbajtur këtij parimi.
(20 shkurt 1953, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Lokale të Parisit)

46     
Është e pakonceptueshme dhe krejt e papranueshme t’i lejohet një Bahá’í të një Komuniteti të mbajë një Festë në shtëpinë e vet dhe t’i refuzojë pjesëmarrjen një besimtari tjetër; prandaj Asambleja juaj lidhur me këtë duhet t’i shkruajë në terma shumë të vendosur Asamblesë së ..., duke vënë në dukje se Ruajtësi jo vetëm është habitur kur ka marrë vesh këtë situatë, por edhe e kundërshton atë në mënyrën më absolute.
 Çdo Bahá’í mund të marrë pjesë në një Festë—çdo Bahá’í lokal, çdo Bahá’í nga jashtë qytetit dhe sigurisht çdo Bahá’í i izoluar që jeton në rrethinat.
(27 maj 1957, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Ishujve Britanikë, botuar në “Unfolding Destiny: Mesazhi i Ruajtësit të Besimit Bahá’í drejtuar Komunitetit Bahá’í të Ishujve Britanikë” (Londër: Trusti Botues Bahá’í. 1981), f. 380)

Nga letra të shkruara prej Shtëpisë Universale të Drejtësisë ose në emër të saj

47     
Në përgjigje të letrës suaj të 8 nëntorit, ne mendojmë se të gjithë miqtë, cilatdo qofshin rrethanat, duhen inkurajuar të kremtojnë Festën e Nëntëmbëdhjetë Ditëve. Është e qartë se ajo mund të jetë një rast administrativ zyrtar vetëm kur ka një Asamble Shpirtërore Lokale që përgjigjet për këtë, u raporton miqve dhe merr rekomandimet e tyre. Por grupe, mbledhje spontane të miqve, madje edhe besimtarë të veçantë sigurisht mund ta përkujtojnë këtë ditë dhe të thonë lutje bashkarisht. Në rastin e një grupi, ai fare mirë mund ta bëjë Festën në mënyrën që do ta bënte një Asamble Shpirtërore Lokale, por duke e ditur se kjo nuk ka vlerë zyrtare.
 Përsa u përket vizitorëve në një Festë të Nëntëmbëdhjetë Ditëve, Bahá’í nga çdo anë e botës janë patjetër ngrohtësisht të mirëpritur dhe mund të marrin pjesë në konsultim. Por vetëm anëtarët e komunitetit lokal mund të votojnë për rekomandimet që i bëhen Asamblesë Shpirtërore Lokale.
(1 dhjetor 1968, shkruar nga Shtëpia Universale e Drejtësisë, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Ishujve Britanikë)

48     
Nuk është e drejtë të thuhet se një Festë e Nëntëmbëdhjetë Ditëve është shndërruar në Festë të Unitetit si rezultat i pranisë së jo-Bahá’í-ve. Ajo që mund të ndodhë është që pjesa konsultative e Festës të shtyhet....
 Në qoftë se është vendosur të shtyhet një pjesë ose tërë ana konsultative e Festës, Shtëpia e Drejtësisë thotë se është në kompetencë të Asamblesë Shpirtërore Lokale të vendosë nëse duhet mbajtur një takim tjetër gjatë muajit Bahá’í për ta plotësuar atë apo ajo të shtyhet deri në Festën tjetër të Nëntëmbëdhjetë Ditëve.
(5 shtator 1983, shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Gjermanisë)

49     
Një Bahá’í që është duke vizituar një komunitet tjetër mund të marrë pjesë plotësisht në konsultimin e Festës së Nëntëmbëdhjetë Ditëve, por nuk ka të drejtë të votojë për rekomandimet që i bëhen Asamblesë Shpirtërore Lokale. Për mirësjellje, sidoqoftë, një vizitor duhet normalisht të përmbahet e të mos marrë shumë kohë nga konsultimi.
 Çdo Bahá’í, qoftë një besimtar i veçantë ose anëtar i një komuniteti a grupi, mund t’ia përçojë sugjerimet e rekomandimet e tij në çdo kohë Asamblesë Shpirtërore Kombëtare dhe kështu të marrë pjesë në aspektin konsultativ të jetës së komunitetit Bahá’í. Besimtarë të veçantë dhe anëtarët e grupeve munden gjithashtu, sigurisht, të marrin pjesë në Festat e Nëntëmbëdhjetë Ditëve të komuniteteve që ata dëshirojnë.
(23 korrik 1985, shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar një besimtari individual)

50     
Lidhur me pyetjen tuaj nëse një Asamble Shpirtërore Lokale mund ta anulojë Festën e saj të Nëntëmbëdhjetë Ditëve për të marrë pjesë në Festën e një komuniteti tjetër, Shtëpia Universale e Drejtësisë këshillon që Festa e Nëntëmbëdhjetë Ditëve të mos anulohet. Megjithatë, nuk ka kundërshtim që dy ose më shumë komunitete lokale të mbajnë ndonjëherë një Festë të përbashkët të Nëntëmbëdhjetë Ditëve, por nuk është e përshtatshme të lejohet që Festa të tilla të përbashkëta të mbahen rregullisht. Në qoftë se anëtarë të një komuniteti e shohin se plani për të mbajtur një Festë të tillë të përbashkët u krijon atyre vështirësi, ata duhet ta trajtojnë këtë çështje me Asamblenë e tyre Shpirtërore Lokale.
(26 prill 1987, shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar një besimtari individual)

6. Kufizimet për pjesëmarrjen në Festë

Nga letra të shkruara në emër të Shoghi Effendiut

51     
Lidhur me pyetjen tuaj për Festat e Nëntëmbëdhjetë Ditëve: kjo është një çështje me rëndësi të dorës së dytë dhe duhet të vendoset nga Asambleja; takimet që janë njoftuar publikisht për një datë të caktuar është e qartë që nuk mund të anulohen. Përsa i përket pjesëmarrjes së jo-Bahá’í-ve: kjo duhet shmangur me çdo kusht, por në qoftë se jobesimtarë vinë në një Festë të Nëntëmbëdhjetë Ditëve, ata nuk duhen nxjerrë jashtë, sepse kjo mund të prekë ndjenjat e tyre.
(21 shtator 1946, drejtuar dy besimtarëve)

52     
Ruajtësi i dashur më ka ngarkuar t’ju shkruaj lidhur me një vendim që ka marrë kohët e fundit Asamble juaj Kombëtare, botuar në Bahá’í News tuaj të janar-shkurtit, se jo-Bahá’í-të mund të marrin pjesë në Festën e Nëntëmbëdhjetë Ditëve në qoftë se “serioziteti i interesit të tyre për Besimin” garantohet nga një besimtar i deklaruar.
 Ruajtësi dëshiron që unë të tërheq vëmendjen tuaj për faktin që asnjë prej institucioneve të Besimit dhe as parimet themelore të tij nuk mund të ndryshohen në kurrfarë rrethanash.
 Festa e Nëntëmbëdhjetë Ditëve është një institucion i Kauzës, i vendosur në fillim nga Báb-i, i konfirmuar më pas nga Bahá’u’lláh-u dhe që tani është bërë pjesë e rëndësishme e rendit administrativ të Besimit. Këto Festa të Nëntëmbëdhjetë Ditëve janë për Bahá’í-të, e vetëm për Bahá’í-të, dhe asnjë largim prej këtij parimi nuk lejohet.
 Prandaj Ruajtësi mendon se ju duhet ta prapësoni veprimin e ndërmarrë nga Asambleja juaj për t’i hapur Festat për “gati Bahá’í-të”, sepse pjesëmarrja e jo-Bahá’í-ve ose e gati Bahá’í-ve në Festa t e Nëntëmbëdhjetë Ditëve, veçanërisht në pjesën administrative të Festës, nuk është në pajtim me frymën e rendit administrativ.
 Ruajtësi e kupton frymën që ju ka shtyrë të bëni propozimin e sugjeruar: të arrini që puna e mësimit të mund të ecë përpara në mënyrë më energjike; por ai mendon që në një perspektivë afatgjatë kjo do të ishte e dëmshme për Besimin, prandaj, siç thuhet më lart, vendimi duhet prapësuar.
 (28 maj 1954, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Gjermanisë e të Austrisë)

Nga letra të shkruara në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë

53     
Parimi i zbatueshëm në mënyrë universale është që jo-Bahá’í-të nuk ftohen në Festën e Nëntëmbëdhjetë Ditëve. Në qoftë se në Persi ka ndodhur që jo-Bahá’í janë të pranishëm në një Festë të Nëntëmbëdhjetë Ditëve, ky është një përjashtim e jo rregull.
 Në Persi është kuptuar mirë që në qoftë se një jo-Bahá’í do të merrte pjesë padashur në një Festë të Nëntëmbëdhjetë Ditëve, ai do të trajtohej me përzemërsi. Megjithatë është po aq e rëndësishme që miqtë ta kuptojnë se nuk duhet të ftojnë jo-Bahá’í në ato mbledhje të posaçme, të urdhëruara nga Bahá’u’lláh-u jo vetëm për ushqim shpirtëror e unitet, por edhe për konsultim midis Asamblesë Shpirtërore dhe besimtarëve për çështje të brendshme të komunitetit.
(4 shkurt 1974, shkruar nga Shtëpia Universale e Drejtësisë, drejtuar një Asambleje Shpirtërore Lokale)

54     
Në përgjigje të memorandumit tuaj të 16 nëntorit 1975 që kërkon sqarim për një thënie të Ruajtësit, të botuar në faqen 367 të Vëllimit IV të “Amr va Khalq”, ... udhëzime të mëvonshme të Ruajtësit të dashur ndalojnë qartë pjesëmarrjen në Festën e Nëntëmbëdhjetë Ditëve të atyre që nuk kanë të drejtë vote, prandaj citati i botuar në “Amr va Khalq” duhet zëvendësuar me një thënie tjetër të Ruajtësit.
(24 nëntor 1975, memorandum i shkruar nga Shtëpia Universale e Drejtësisë, drejtuar Qendrës Ndërkombëtare të Mësimit)

55     
Gjëja kryesore që duhet mbajtur parasysh është se një grup nuk është një institucion administrativ brenda Rendit Administrativ Bahá’í; por ai është, sidoqoftë, bërthama e një Asambleje Shpirtërore Lokale dhe, ndërkohë që mbetet nën autoritetin e drejtpërdrejtë të Asamblesë Shpirtërore Kombëtare, është e qartë se duhet inkurajuar që ta përgatisë veten për kohën kur do të vendoset ai institucion hyjnor. Nuk ka ndonjë kundërshtim që ai të zgjedhë ofiqarë, si një sekretar, një kryetar, një thesarmbajtës, që ai të bëjë Festa të Nëntëmbëdhjetë Ditëve dhe të kremtojë Ditët e Shenjta, të ndërmarrë punë mësimore e të shtrirjes, sakohë që gjithmonë kuptohet se autoriteti direktiv është Asambleja Shpirtërore Kombëtare e jo vetë grupi.
(13 qershor 1974, shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Paraguajit)

56     
Mund tëshpjegohet, në mënyrë miqësore, se Festa e Nëntëmbëdhjetë Ditëve është një rast krejt privat fetar e i brendshëm për komunitetin Bahá’í, ku diskutohen punët e tij të brendshme dhe anëtarët e tij takohen për miqësi e adhurim personal. Kjo nuk duhet bërë një problem i madh, sepse në Festë nuk ka asgjë sekrete, por ajo organizohet vetëm për Bahá’í-të.
(4 nëntor 1967, shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Belgjikës)

57     
Lidhur me Festën e Nëntëmbëdhjetë Ditëve, parimi i zbatueshëm në mënyrë universale është që jo-Bahá’í-të nuk ftohen për të marrë pjesë, dhe në qoftë se ju pyesin lidhur me këtë mund t’u shpjegoni se natyra e kësaj Feste është thelbësisht e brendshme e administrative. Gjatë kohës së konsultimit Bahá’í-të duhet të jenë të gjendje të gëzojnë liri të plotë për të shprehur pikëpamjet e tyre për punën e Kauzës, të pashqetësuar nga ndjenja se çdo gjë që thonë dëgjohet nga dikush që nuk e ka pranuar Bahá’u’lláh-un dhe që për këtë arsye mund t’i krijohet një pasqyrë krejt e shtrembër për Besimin. Çdo Bahá’í i ndieshëm gjithashtu do ta shihte veten në një pozitë të vështirë, duke u gjendur i zhytur në mes të një diskutimi për punët e hollësishme të një komuniteti Bahá’í, pjesëtar i të cilit ai nuk është. Zakonisht, një jo-Bahá’í që kërkon të ftohet në një Festë do ta kuptojë këtë çështje në rast se i shpjegohet.
(12 gusht 1981, shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar një besimtari individual)

58     
Udhëzimi i mëposhtëm për këtë çështje iu dërgua një besimtari më 24 mars 1970 nga Shtëpia e Drejtësisë:
... kur një jo-Bahá’í vjen në një Festë, atij nuk i duhet kërkuar të largohet; përkundrazi, Asambleja duhet ta kapërcejë pjesën konsultative të Festës dhe jo-Bahá’í duhet mirëpritur. ...
 Ju padyshim jeni në dijeni të këtij udhëzimi. Po kështu, në qoftë se ndonjëherë Festa bëhet në shtëpinë e familjes ku njëri nga bashkëshortët nuk është Bahá’í, do të ishte jo e njerëzishme të mos lejohej anëtari jo- Bahá’í i familjes të jetë i pranishëm të paktën në pjesën shoqërore e atë shpirtërore të Festës.
(8 janar 1985, shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Australisë)

59     
... në qoftë se një jo-Bahá’í vjen në një Festë të Nëntëmbëdhjetë Ditëve, duhet bërë që ai ta ndiejë veten të mirëpritur, por një Bahá’í sigurisht nuk duhet të ftojë një jo-Bahá’í që të marrë pjesë.
 Nga të gjitha ato që thuhen më lart mund të shihet se, në themel, zgjidhja e kësaj vështirësie është çështje edukimi dashamirës.
(23 janar 1985, shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar një besimtari individual)

7. Rinia dhe fëmijët në Festat

Nga letra të shkruara prej Shtëpisë Universale të Drejtësisë ose në emër të saj

60     
Lidhur me pyetjen tuaj nëse fëmijët nën pesëmbëdhjetë vjeç të prindërve jo-Bahá’í mund të marrin pjesë në Festat e Nëntëmbëdhjetë Ditëve ose në ngjarje të tjera që bëhen vetëm për Bahá’í-të, fëmijë të tillë mund të lejohen të marrin pjesë në festat Bahá’í, me kusht që prindërit e tyre të kenë dhënë pëlqimin e vet. Kjo, natyrisht, ka të bëjë vetëm me fëmijët nën moshën pesëmbëdhjetë vjeç.
(4 gusht 1970, shkruar nga Shtëpia Universale e Drejtësisë, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Nikaraguas)

61     
Lidhur me deklarimin e të rinjve nën moshën 18 vjeç, ... ne mund ta pranojmë një fëmijë të moshës 15 vjeç e sipër si Bahá’í edhe në qoftë se prindërit e tij nuk janë dakord, dhe kjo mbetet e vërtetë madje edhe pse sipas ligjit të Finlandës ata nuk mund të shënohen zyrtarisht në regjistrin Bahá’í. Prandaj ju nuk duhet t’i përjashtoni besimtarë të tillë nga Festat e Nëntëmbëdhjetë Ditëve. Megjithatë, edhe pse besimtarë të tillë mund të mos ndikohen në Besimin e vet nga kundërshtimet e prindërve të tyre, por duke pasur parasysh që Mësimet e venë theksin te respekti ndaj prindërve, si dhe ligjin në Finlandë, ata duhet t’u binden prindërve të tyre përsa i përket pjesëmarrjes në veprimtaritë Bahá’í. Ata duhet të synojnë që gradualisht të zgjojnë në zemrat e prindërve të vet të njëjtën dashuri për Bahá’u’lláh-un që ka ndezur zemrat e atyre vetë, dhe jo t’u kundërvihen pa qenë nevoja prindërve të vet ose të bëhen shkak dizarmonie në familjet e veta në këtë pikë vendimtare të zhvillimit të tyre.
(1 mars 1972, shkruar nga Shtëpia Universale e Drejtësisë, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Finlandës)

62     
Shtëpia Universale e Drejtësisë e ka marrë letrën tuaj të 11 tetorit 1976, në të cilën pyesni nëse fëmijët e vendosur në shtëpi të Bahá’í-ve për përkujdesje të përkohshme ose të zgjatur lejohen të marrin pjesë në festat Bahá’í, dhe neve na është kërkuar t’ju informojmë se fëmijë të tillë mund të lejohen të marrin pjesë në Festat e Nëntëmbëdhjetë Ditëve e në festa të tjera Bahá’í dhe se nuk duhet bërë dallim midis tyre e fëmijëve të Bahá’í-ve lidhur me këtë.
(31 tetor 1976, shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar një grupi Bahá’í)

63     
... Shtëpia Universale e Drejtësisë na ka ngarkuar të themi se fëmijët duhen edukuar që të kuptojnë domethënien shpirtërore të tubimeve të pasuesve të Bukurisë së Bekuar dhe të vlerësojnë nderin e mirësinë e të qënit në gjendje të marrin pjesë në to, cilado qoftë forma e jashtme e tyre. Kuptohet se disa praktika Bahá’í janë të zgjatura dhe është e vështirë për fëmijë shumë të vegjël të qëndrojnë të qetë aq gjatë. Në raste të tilla njërit ose tjetrit prej prindërve mund t’i duhet të mungojë në një pjesë të takimit në mënyrë që të kujdeset për fëmijën. Ndoshta Asambleja Shpirtërore gjithashtu mund të ndihmojë prindërit duke marrë masa për një ceremoni për fëmijë, që u përshtatet aftësive të tyre, në një dhomë të veçantë gjatë një pjese të ceremonisë që kryen komuniteti. Pjesëmarrja në përgjithësi në festën e të rriturve bëhet kështu një shenjë e rritjes së pjekurisë dhe një shquarsi që fitohet me sjellje të mirë.
 Sidoqoftë, Shtëpia e Drejtësisë vë në dukje se prindërit janë përgjegjës për fëmijët e tyre dhe duhet t’i bëjnë ata të sillen mirë kur shkojnë në takime Bahá’í. Në qoftë se fëmijët vazhdojnë të krijojnë shqetësime, ata duhen nxjerrë jashtë takimit. Kjo është e nevojshme jo thjesht për të siguruar që takimet Bahá’í të zhvillohen si duhet me dinjitet, por përbën edhe një aspekt të edukimit të fëmijëve që të jenë të njerëzishëm, të kenë konsideratë për të tjerët, të tregojnë respekt dhe t’u binden prindërve të tyre.
(14 tetor 1982, shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Kanadasë)

64     
Nuk do të ishte e përshtatshme nga pikëpamja administrative që një i ri Bahá’í nën moshën 21 vjeç të vihet në rolin e Drejtuesit të Festës së Nëntëmbëdhjetë Ditëve. Megjithatë, nuk duhet bërë kjo një problem i madh, duke qenë se është një çështje thjesht private.
(22 shkurt 1984, shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Italisë)

65     
Në përgjigje të pyetjes që ju keni bërë në letrën tuaj të 18 tetorit 1984 lidhur me vendin e fëmijëve në komunitet, veçanërisht përsa u përket Festave të Nëntëmbëdhjetë Ditëve, na është kërkuar t’ju bëjmë të njohur citatin e mëposhtëm nga një letër e shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar në Asambleje Kombëtare për këtë çështje.
Derisa fëmijët e prindërve Bahá’í konsiderohet se janë Bahá’í, ata duhen inkurajuar të shkojnë në të gjitha Festat dhe atje të marrin pjesë në leximin e Shkrimeve e në thënien e lutjeve dhe të zhyten në frymën e komunitetit. Shtëpia Universale e Drejtësisë shpreson se çdo Festë do të jetë një festë e dashurisë, ku fëmijët do të japin e do të marrin dashurinë e prekshme të komunitetit e të anëtarëve individualë të tij.

 Shtëpia e Drejtësisë e vuri re sugjerimin tuaj për mbajtjen e Festave në një fundjave afër ditës së parë të muajit Bahá’í, për të lehtësuar kështu pjesëmarrjen e fëmijëve e të prindërve të tyre. Kjo është një çështje që duhet ta diskutojë e ta vendosë Asambleja Lokale ...
(22 nëntor 1984, shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar një besimtari individual)

8. Kremtimi i Festës: Lutjet dhe Leximi i Shkrimeve

Nga letra të shkruara në emër të Shoghi Effendiut 7

66     
Lidhur me pyetjen tuaj për përdorimin e muzikës gjatë Festave të Nëntëmbëdhjetë Ditëve, ai dëshiron që ju t’i siguroni miqtë se ai jo vetëm e miraton një praktikë të tillë, por mendon madje se besimtarët në takimet e tyre duhet të përdorin himne të kompozuara nga vetë Bahá’í-të, si dhe himne, poema e psalme të bazuara mbi Fjalët e Shenjta.
(Prill 1935)

67     
Lidhur me pyetjet tuaja: pjesa Devocionale e Festës së Nëntëmbëdhjetë Ditëve do të thotë lexim lutjesh të Bahá’u’lláh-ut e të Mjeshtrit. Në qoftë se pas kësaj një pjesë e Festës i kushtohet leximit të mësimeve, shkrimet e tij (të Ruajtësit) mund të përfshihen, por kjo nuk bën pjesë në aspektin devocional të takimit.
(15 dhjetor  1947)

68     
Lidhur me pyetjen që i keni bërë atij për shkrimet e shenjta Bahá’í: të tilla duhen konsideruar shkrimet e Báb-it, të Bahá’u’lláh-ut e të ‘Abdu’l-Bahá-it dhe vetëm këto duhen lexuar në pjesën e mirëfilltë devocionale të Festës.
(11 maj 1948, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Australisë e të Zelandës së Re)

69     
Gjatë pjesës devocionale të Festës së Nëntëmbëdhjetë Ditëve mund të lexohet çdo pasazh nga shkrimet e Báb-it, të Bahá’u’lláh-ut e të Mjeshtrit, si dhe nga Bibla e Kurani, që gjithashtu janë shkrime të shenjta. Kjo pjesë e takimit nuk duhet të kufizohet vetëm me lutje, edhe pse lutje mund e duhet të thuhen gjatë saj.
(18 tetor 1948)

70     
Në çështjen lidhur me pjesën devocionale të Festës ka pasur një paqartësi, sepse një herë ai e ka përdorur termin “devocional” në kuptimin e ngushtë të tij, që natyrisht do të thotë lutje, dhe një herë në kuptimin e gjerë, siç e kuptojnë zakonisht Bahá’í-të, dmth takimi së bashku e lexim nga mësimet, që i paraprin aspektit administrativ, apo konsultativ, të Festës së Nëntëmbëdhjetë Ditëve. Të dyja thëniet kurrsesi nuk e ndryshojnë metodën e mbajtjes së kësaj pjese të Festës, e cila, të paktën në Lindje, hapet gjithmonë me lutje dhe pastaj mund të lexohen Tabela e fragmente nga Bahá’u’lláh-u, Mjeshtri ose Ruajtësi, ose edhe citate nga Bibla e Kurani për atë çështje.
(11 prill 1949, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara)

71     
Muzika lejohet në pjesën shpirtërore, dhe në çdo pjesë, të Festës së Nëntëmbëdhjetë Ditëve.
(30 qershor 1952, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara)

72     
Lidhur me çështjen që ju keni ngritur në letrën tuaj:
Së pari, ai mendon që, edhe pse në parim nuk ka natyrisht arsye që në pjesën shpirtërore të Festave tona të mos lexohen fragmente nga Shkrime të tjera të Shenjta, por duke qenë se ky është në mënyrë të veçantë një rast kur Bahá’í-të mblidhen së bashku për të thelluar jetën e vet shpirtërore, është përgjithësisht e këshillueshme që ata në pjesën shpirtërore të Festës të lexojnë pjesë nga Shkrimet e veta të shenjta.
(18 shkurt 1954)

73     
Shkrimet e Báb-it e të Bahá’u’lláh-ut mund të lexohen sigurisht në çdo kohë e në çdo vend; po kështu Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it lexohen lirisht gjatë pjesës shpirtërore të Festës. Ruajtësi ka udhëzuar që gjatë pjesës shpirtërore të Festës të mos lexohen shkrimet e tij. Me fjalë të tjera, gjatë pjesës shpirtërore të Festës, leximet duhet të kufizohen me Shkrimet e Báb-it, të Bahá’u’lláh-ut dhe, në një masë më të vogël, të Mjeshtrit; por gjatë kësaj pjese të Festës nuk duhet të lexohen Shkrimet e Ruajtësit. Gjatë kohës së diskutimit administrativ mund të lexohen pastaj Shkrimet e Ruajtësit. Sigurisht nuk ka kundërshtim që edhe gjatë pjesës administrative të Festës të lexohen Shkrime të Báb-it, të Bahá’u’lláh-ut ose të ‘Abdu’l-Bahá-it.
(27 prill 1956)

74     
Në Festat Bahá’í mund të përdoret muzika instrumentale.
Nuk ka kundërshtim që të shprehet vlerësimi me duartrokitje.
Në qoftë se një besimtar ka një takim mësimor po atë mbrëmje që bëhet një Festë e Nëntëmbëdhjetë Ditëve, i lihet individit të gjykojë se cila është më e rëndësishme.
(20 gusht 1956)

Nga letra të shkruara prej Shtëpisë Universale të Drejtësisë

75     
Në botimin tuaj Procesverbal të 27 Dhjetorit, faqe 1, kemi parë këtë deklarartë: “U ra dakord të këshillohen miqtë në ... se nuk ishte e drejtë të këndohej një këngë e kompozuar nga një Bahá’í në pjesën devocionale të Festës së Nëntëmbëdhjetë Ditëve.”
 Nuk është e qartë cili ka qenë burimi i informacionit që keni konsultuar dhe nëse i është bërë ndonjë pyetje e drejtpërdrejtë Asamblesë suaj Kombëtare për të vendosur. Sidoqoftë, ne mendojmë se do të jetë e dobishme që ju të dini se këngët me fjalë nga Shkrimet origjinale të Bábit, të Bahá’u’lláh-ut ose të ‘Abdu’l-Bahá-it janë plotësisht të përshtatshme për pjesën devocionale të Festës. Me të vërtetë, psalmet persiane janë këngë të tilla, me prejardhje nga një traditë e ndryshme; ato janë një mënyrë për të vënë në muzikë Fjalën e shenjtë, dhe çdo person që këndon psalme e bën këtë në një mënyrë që pasqyron ndjenjat e tij dhe shprehjen e Fjalëve që ai thotë. Përsa u përket këngëve me fjalë poetike e të kompozuara nga persona që nuk janë Figurat e Besimit, ato mund të jenë të dëshirueshme por në vendin e duhur , sepse, siç e dini, “muzika është gjuha e shpirtit.”
 Duke qenë se fryma e takimit tonë ndikohet shumë nga toni dhe cilësia e adhurimit tonë, e ndjenjës dhe e vlerësimit tonë për Fjalën e Perëndisë për kohën tonë,  ne shpresojmë se ju do të inkurajoni shprehjen më të bukur të shpirtrave njerëzorë në komunitetin tuaj edhe me anë të këngës ndërmjet mënyrave të tjera të ndjeshmërisë.
(22 shkurt 1971, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Guajanës, të Surinamit e të Guajanës Franceze)

76     
Veç kësaj, nuk duhet harruar se shkrimet persisht të Shoghi Effendiut janë unike për nga natyra dhe shumë prej tyre, ndryshe nga letrat e e mesazhet e tij anglisht, që u drejtohen besimtarëve perëndimorë, janë të mbushura me përgjërime, lutje e predikime të një karakteri të përshpirtshëm, të cilat janë të përshtatshme për pjesën shpirtërore të Festave Bahá’í.
(15 tetor 1972, drejtuar një besimtari individual)

 [Shih gjithashtu pasazhin 70, që i referohet përdorimit të shkrimeve persisht të Ruajtësit në pjesën devocionale të Festës në komunitetet lindore Bahá’í].

9. Kremtimi i Festës: Konsultimi

Nga letra të shkruara në emër të Shoghi Effendiut

77     
Qëllimi kryesor i Festave të Nëntëmbëdhjetë Ditëve është t’u lejojë besimtarëve t’i bëjnë sugjerime Asamblesë Lokale, e cila nga ana e saj do t’ia kalojë ato Asamblesë Shpirtërore Kombëtare. Asambleja Lokale është, pra, mjeti i përshtatshëm përmes të cilit komunitetet lokale Bahá’í mund të komunikojnë me të gjithë përfaqësuesit kombëtarë. Kuvendi duhet parë si një mbledhje e përkohshme, e cila ka disa funksione të posaçme që duhen kryer brenda një periudhe të caktuar kohe. Statusi i tij është, pra, i kufizuar në kohën e sesioneve të Kuvendit, ndërsa funksionin e konsultimit e kanë, në çdo kohë tjetër, të gjithë besimtarët përmes Asambleve Shpirtërore Lokale.
(18 nëntor 1933, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë)

78     
Rasti kryesor që kanë miqtë për të diskutuar për çështje administrative janë Festat e Nëntëmbëdhjetë Ditëve, gjatë të cilave anëtarët e Asamblesë mund të takohen me të gjithë besimtarët, të diskutojnë së bashku punët e Kauzës dhe të sugjerojnë mënyra veprimi e metoda të reja. Por edhe atëherë nuk u duhet referuar individëve.
(27 mars 1938, drejtuar një besimtari individual)

79     
Tani, lidhur me letrën tuaj të dashur të fundit, në të cilën pyesnit nëse besimtarët kanë të drejtën të shprehin hapur kritikat e tyre për çdo veprim ose qëndrim të Asamblesë: është jo vetëm një e drejtë, por edhe detyrë e shenjtë e çdo pjesëtari të ndershëm e inteligjent të komunitetit të shprehë në mënyrë të plotë e të sinqertë, por me respektin e konsideratën e duhur për autoritetin e Asamblesë, çdo sugjerim, rekomandim ose kritikë që ia thotë ndërgjegja se duhet të bëjë për të përmirësuar e rregulluar disa kushte ose rryma që ekzistojnë në Komunitetin lokal të tij, dhe Asambleja e ka për detyrë të shohë me kujdes çdo mendim që i paraqitet nga cilido prej besimtarëve. Rasti më i mirë për këtë qëllim është Festa e Nëntëmbëdhjetë Ditëve, që veç aspektit shoqëror e shpirtëror plotëson nevoja e kërkesa të ndryshme administrative të Komunitetit, ndër të cilat mbi të gjitha është nevoja e kritikës dhe e debatit të hapur e konstruktiv lidhur me gjendjen e punëve brenda Komunitet lokal Bahá’í.
 Por duhet bërë e qartë edhe një herë se duhet shmangur medoemos çdo kritikë e diskutim me karakter negativ që mund të çojë në minimin e autoritetit të Asamblesë si institucion. Përndryshe do të vihej në rrezik rregulli i vetë Kauzës dhe në Komunitet do të mbretëronin pështjellimi e përçarja.
(13 dhjetor 1939, drejtuar një besimtari individual)

80     
Bahá’í-të duhet të mësojnë të harrojnë inatet personale dhe të kapërcejnë dëshirën, aq të natyrshme te njerëzit, për të marrë anën e njërit apo të tjetrit e për të luftuar për të. Ata duhet gjithashtu të mësojnë të përdorin me të vërtetë parimin e madh të konsultimit. Në Festat e Nëntëmbëdhjetë Ditëve ka një kohë të lënë enkas për të shprehur pikëpamjet e veta e për t’i bërë sugjerime Asamblesë së vet; Asambleja dhe bsimtarët duhet të presin me padurim këtë moment fatlum diskutimi dhe të mos i tremben e as ta ndrydhin atë. Po kështu anëtarët e Asamblesë duhet të konsultohen deri në fund dhe në vendimet e veta të venë në plan të parë interesat e Kauzës e jo inatet personale, dhe të mbizotërojë vullneti i shumicës.
(30 qershor 1949, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Gjermanisë e të Austrisë)
Nga letra të shkruara prej Shtëpisë Universale të Drejtësisë ose në emër të saj

81     
Ju, padyshim, tashmë e kuptoni se të futësh një numër të madh besimtarësh të rinj brenda një periudhe të shkurtër kohe, kjo krijon shumë probleme të konsolidimit, por ne jemi të sigurt se ju do të jeni në gjendje t’i trajtoni këto proleme dhe të ecni drejt arritjesh edhe më të mëdha.
 Ne vëmë re nga leximi i procesverbaleve tuaja se entusiazmi i disa prej besimtarëve të rinj vihet në provë nga leximi i letrave të gjata e fjalëshume në Festat e Nëntëmbëdhjetë Ditëve dhe mendojmë se diçka duhet bërë lidhur me këtë. Ndërsa është e rëndësishme që besimtarët të informohen për mesazhet e rëndësishme nga Toka e Shenjtë dhe për çështje të tjera të rëndësishme, është e vërtetë se leximi i mesazheve në Festat e Nëntëmbëdhjetë Ditëve mund të bëhet një përvojë shumë e mërzitshme dhe e lodhshme veçanërisht për besimtarë të rinj që nuk janë të njohur me shumë aspekte të administrimit Bahá’í. Ne mendojmë se ju duhet të gjeni rrugë e mjete të tjera për t’u dhënë besimtarëve informacion thelbësor e të nevojshëm, si p.sh. me anë buletinesh, leksionesh e takimesh të tjera.
(6 shtator 1971, shkruar nga Shtëpia Universale e Drejtësisë, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Ishujve Havai)

82     
Siç citohet në Nenin IV të Rregullores së një Asambleje Shpirtërore Lokale, “Ndërsa ruan të drejtën e shenjtë të vendimit përfundimtar për të gjitha çështjet që i përkasin komunitetit Bahá’í, Asambleja Shpirtërore duhet të kërkojë gjithmonë mendimin e konsultimin e të gjithë anëtarëve të komunitetit, ta mbajë komunitetin të informuar për të gjitha punët e saj dhe të ftojë për diskutim të plotë e të lirë nga ana e komunitetit për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Besimin.”
 Votimi faktik për rekomandimet e bëra në Festat e Nëntëmbëdhjetë Ditëve për të vendosur nëse i duhen përcjellur ato Asamblesë Lokale është një çështje e dorës së dytë që mund t’u lihet ta vendosin vetë Asambletë Shpirtërore Lokale. Nuk është e ndaluar që sekretari i Asamblesë Lokale t’i mbajë shënim sugjerimet e bëra në Festat e Nëntëmbëdhjetë Ditëve, që t’i shqyrtojë Asambleja. Çështja e rëndësishme që duhet mbajtur parasysh është ajo që thuhet në Rregulloren, siç e kemi përmendur më lart.
(21 janar 1982, memorandum i shkruar nga Shtëpia Universale e Drejtësisë, drejtuar Qendrës Ndërkombëtare të Mësimit)

83 
Të rinjtë Bahá’í midis moshave 15 e 21 vjeç sigurisht mund të marrin pjesë në diskutime, dhe duhen inkurajuar që ta bëjnë këtë, por ata nuk mund të votojnë për rekomendimet që i bëhen Asamblesë, derisa sa të arrijnë moshën 21 vjeç.
(16 shtator 1979, shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar)

84
Duke qenë se Asambleja Shpirtërore Lokale është përgjegjëse për organizimin e Festave të Nëntëmbëdhjetë Ditëve dhe pritet që ajo t’i raportojë në Festë komunitetit për veprimtaritë e saj, si dhe t’u përgjigjet sugjerimeve që i paraqiten, Asambleja Lokale duhet të bëjë një takim të paktën një herë në çdo muaj Bahá’í. Por Shtëpia Universale e Drejtësisë nuk dëshiron të nxjerrë rregulla të rrepta e të forta për këtë çështje dhe parapëlqen t’a lërë atë në gjykimin e çdo Asambleje Kombëtare.
 Në qoftë se një komunitet lokal, nën drejtimin e Asamblesë Lokale të tij, zhvillon rregullisht Festat e Nëntëmbëdhjetë Ditëve dhe ndonjëherë bën një Festë të përbashkët me një ose më shumë komunitete të tjera, ju në statistikat tuaja mund të shënoni që çdo Asamble e ka zhvulluar Festën e saj të Nëntëmbëdhjetë Ditëve. Ju, sigurisht, e kuptoni se Festat e përbashkëta nuk e përmbushin qëllimin e Festës së Nëntëmbëdhjetë Ditëve në kuptimin e mirëfilltë të tij dhe nuk duhet të shndërrohen në një praktikë të rregullt midis miqve.
(15 shkurt 1982, shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Transkeit)

85     
Në rast se miqtë në një Festë të Nëntëmbëdhjetë Ditëve bien dakord me një rekomandim, qoftë njëzëri ose me shumicë votash, ai përbën një rekomandim të Festës për Asamblenë. Nga ana tjetër, në qoftë se një besimtar individual bën një sugjerim që miq të tjerë nuk e pranojnë, ai përsëri mund të merret në konsideratë nga Asambleja....
(27 korrik 1982, shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Gjermanisë)

86     
Ka një numër faktorësh që ndikojnë për të kuptuar natyrën e ndërveprimit të përshtatshëm midis një besimtari dhe Asamblesë Shpirtërore Lokale të tij ose të saj gjatë pjesës konsultative të Festës së Nëntëmbëdhjetë Ditëve. Kryesori ndër ta është vlerësimi i qëllimit të këtij Institucioni kaq të rëndësishëm të Kauzës. ‘Abdu’l-Bahá-i e cilëson Festën me këto fjalë:
“Kjo Festë sjell gëzim. Ajo është themeli i marrëveshjes e i unitetit. Është çelësi i dashurisë e i miqësisë. Ajo përhap njëshmërinë e njerëzimit.”
(25 korrik 1984, shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Argjentinës)
 [Shih gjithashtu pasazhin 4]

87     
Rregullorja e një Asambleje Shpirtërore Lokale përfshin qartë rolet e kryetarit e të nënkryetarit në takimet e Asamblesë. Në Festat, gjatë periudhës së konsultimit drejton kryetari ose një përfaqësues i caktuar i Asamblesë Shpirtërore. Por kjo nuk është specifikuar në Rregullore dhe përbën një çështje dytësore që është lënë në gjykimin e Asamblesë Kombëtare të secilit vend; ajo Asamble mundet ose të adoptojë një procedurë të njëllojtë që ta ndjekin Asambletë Lokale, ose ta lerë këtë çështje në gjykimin e vetë Asamblesë Lokale....
(23 dhjetor 1986, shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar një besimtari individual)

10. Kremtimi i Festës: Miqësimi

Nga një memorandum i shkruar prej Shtëpisë Universale të Drejtësisë

88     
Ne e kuptojmë dëshirën e disa prej miqve për t’u bërë një pritje të ngrohtë në Festat besimtarëve të deklaruar rishtazi e sidomos të rinjve dhe nuk kemi ndonjë kundërshtim që Asambleja të japë një pritje para Festës së mirëfilltë për t’ia arritur këtij qëllimi. Duke qenë se Festa shpesh herë zhvillohet në mbrëmje, Asambleja mund ta shohë të dëshirueshme ta rregullojë që besimtarët të kenë një darkë të lehtë së bashku para se të mbahet Festa, ose mundet, për shembull, të rregullohet që të zhvillohen veprimtari shoqërore të një lloji të veçantë ndërsa miqtë janë të mbledhur, por para fillimit të mirëfilltë të Festës së Nëntëmbëdhjetë Ditëve. Por kjo, sidoqoftë, nuk mund të zerë vendin e pjesës shoqërore të vetë Festës.
(21 janar 1973, drejtuar Duarve të Kauzës me qëndrim në Tokën e Shenjtë)

11.  Përzierja e kulturave në kremtimin e Festës

Nga letra të shkruara prej Shtëpisë Universale të Drejtësisë ose në emër të saj

89     
Ne e shqyrtuam letrën tuaj të 11 marsit 1970 lidhur me vështirësitë që po hasni për të bërë që besimtarët indianë në rezervatet të zhvillojnë rregullisht Festat e Nëntëmbëdhjetë Ditëve.
 Në zbatimin e udhëzimeve lidhur me Festat e Nëntëmbëdhjetë Ditëve, si dhe lidhur me çështje të tjera të administrimit, për besimtarët vendas, është me rëndësi që procesi i shkëputjes së tyre prej formave të vjetra të kryhet gradualisht, në mënyrë që të mos goditen ata shpirtërisht, dhe Asambleja juaj nuk duhet të jetë tepër e ngurtë në këto çështje.
(3 prill 1970, shkruar nga Shtëpia Universale e Drejtësisë, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Kanadasë)

90     
Qendra Ndërkombëtare e Mësimit na ka dërguar një kopje të letrës suaj të 10 tetorit 1982, që pyet lidhur me problemet gjuhësore të krijuara nga ardhja e iranianëve që nuk kuptojnë anglisht. Është me rëndësi që miqtë iranianë të inkurajohen të bëjnë përpjekje për të mësuar gjuhën e vendit dhe për t’u integruar në jetën e në veprimtaritë e komunitetit.
 Festat e Nëntëmbëdhjetë Ditëve dhe tubime të tjera zyrtare të miqve duhen zhvilluar në gjuhën konvencionale lokale, cilado qoftë ajo. Kjo nuk do të thotë, sigurisht, që në tubime të tilla disa prej leximeve të mos jenë në gjuhën e të ardhurve, ose që, po ta dëshirojnë miqtë, disa kurse e konferenca të mos mbahen e drejtohen në vetë gjuhën e tyre në favor të tyre. Thelbësorja, siç thuhet më lart, është të mbështetet integrimi i të ardhurve në komunitet dhe të shmangen ndjenjat e ftohtësisë ose të mosunitetit për shkak të gjuhës.
(10 nëntor 1982, shkruar nga Shtëpia Universale e Drejtësisë, drejtuar një besimtari individual)

91    
Asambleja Shpirtërore Lokale e ... e ka drejt që ka vendosur t’i zhvillojë Festat e Nëntëmbëdhjetë Ditëve në spanjisht dhe të mos i përkthejë procedurat në persisht, veçanërisht duke pasur parasysh faktin që disa prej miqve spanjollë po i largohen komunitetit. Megjithëse besimtarët iranianë duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për të marrë pjesë në Festat e Nëntëmbëdhjetë Ditëve, ata nuk duhet të presin që takime të tilla të zhvillohen në persisht. Ata duhet të përpiqen të mësojnë spanjisht, veçanërisht në qoftë se kanë në plan të vendosen në Spanjë. Megjithatë nuk ka ndonjë kundërshtim që miqtë iranianë, në qoftë se e dëshirojnë, të bëjnë takime të posaçme për miqësi e thellim që të zhvillohen në persisht.
(6 shkurt 1983, shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Spanjës)

92     
Ju keni kërkuar sugjerime lidhur me përgatitjen e manualit për Ditët e Shenjta Bahá’í, të cilin keni në plan ta botoni. Ka rëndësi që, pavarësisht nga hollësitë që keni shtjelluar aty, të bëhet e qartë se përmbajtja e botimit nuk përbën procedura që duhen zbatuar rigorozisht. Dinjiteti dhe nderimi që i përshtaten rastit duhet të karakterizojnë në mënyrë të qartë kremtimin e Ditëve të Shenjta Bahá’í nga miqtë, por kjo nuk do të thotë se traditat kulturore që nuk vijnë në kundërshtim me parimet Bahá’í nuk mund të gjejnë shprehje në kremtimet e takimet lokale të miqve.
(1 gusht 1983, shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar një besimtari individual)

93     
Në përgjigje të pyetjes suaj lidhur me praninë gjatë takimeve Bahá’í të kafshëve që në Evropë i mbajnë për qejf nëpër shtëpia, Shtëpia e Drejtësisë kërkon që ju të shpjegoni se qëndrimi ndaj kafshëve të tilla në Evropë është shumë i ndryshëm nga ai i njerëzve, të themi, në Afrikën e Veriut, dhe se kjo është një gjë e parëndësishme që nuk duhet bërë çështje.
(29 gusht 1983, shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar një besimtari individual)

94     
Kudo që ekzistojnë probleme të gjuhës, Shtëpia e Drejtësisë mirëpret mbajtjen e kurseve e të tubimeve të posaçme për miqtë iranianë, veç takimeve të rregullta të komunitetit, në mënyrë që ata të kenë mundësinë të studiojnë Shkrimet e Shenjta në gjuhën e tyre dhe të informohen sesi shkojnë punët në komunitetin Bahá’í të Kanadasë. Festat e Nëntëmbëdhjetë Ditëve dhe takimet e Asamblesë Shpirtërore Lokale duhen zhvilluar në anglisht ose frëngjisht, sipas rastit, përderisa këto janë gjuhët e vendit tuaj. Por, në qoftë se është e mundur të rregullohet për iranianët që ende nuk e kanë mësuar gjuhën që të përfitojnë në njëfarë mënyre nga temat e diskutuara në takime të tilla pa penguar zhvillimin e rregullt të takimeve, ky faktor mund të merrej në konsideratë.
(7 shkurt 1984, shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Kanadasë)

95 
Shtëpia e Drejtësisë u ka dhënë Asambleve Shpirtërore që ndeshen me çështjen e një konflikti të mundshëm midis zakoneve fisnore e ligjit Bahá’í mendimin që Asamble të tilla duhet të bëjnë dallimin midis aspekteve të jetës fisnore të komunitetit që kanë të bëjnë me ligje themelore (si monogamia) dhe çështjeve më pak të rëndësishme, prej të cilave miqtë mund e duhet të çlirohen gradualisht. Veç kësaj, Shtëpia e Drejtësisë ka dhënë mendimin se:
 Institucionet e Besimit duhet të tregojnë kujdes që të mos i shtrëngojnë miqtë të flakin arbitrarisht ato tradita lokale që janë të padëmshme e që shpesh përbëjnë karakteristika të larmishme të popujve e të fiseve të veçanta. Sikur një Bahá’í të ri t’i duhej të hiqte dorë menjëherë nga zakonet e popullit të vet, është e mundur që ata të keqkuptonin natyrën e vërtetë të Besimit Bahá’í dhe Bahá’í-të të shiheshin si njerëz që kanë dalë kundër traditave të vendit...
(25 tetor 1987, shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar dy besimtarëve)

Rishikuar në nëntor 1990

 

1 Shih “Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it [bot. i rishikuar], (Haifa: Qendra Botërore Bahá’í, 1982), seksioni 50, f. 91.
2 Festat e Nëntëmbëdhjetë Ditëve.
3 Agapitë apo “festat e dashurisë” të të krishterëve të hershëm.
4 Shih “Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it [bot. i rishikuar], (Haifa: Qendra Botërore Bahá’í, 1982), seksioni 216, f. 269-70.
5 Drejtuar besimtarëve individualë, me përjashtim të rasteve kur shënohet ndryshe.
6 Deklarata për të cilën bëhet referencë në pasazhin 20 është si vijon:
 Ky institucion, i vendosur nga Bahá’u’lláh-u, është cilësuar nga Ruajtësi si themeli i Rendit të ri Botëror. Asambleja Shpirtërore Kombëtare e kupton se i takon çdo besimtari, veç po qe i sëmurë ose po mungoi nga qyteti, të marrë pjesë në secilën prej këtyre Festave.
 Në një letër të përgjithshme dërguar Asambleve Shpirtërore Lokale disa vjet më parë, vihej në dukje se Ruajtësi udhëzon që Festa e Nëntëmbëdhjetë Ditëve të bëhet sipas programit që vijon: pjesa e parë, krejtësisht shpirtërore për nga karakteri, i kushtohet leximit nga Shkrimet e Shenjta Bahá’í; pjesa e dytë konsiston në një konsultim të përgjithshëm për punët e Kauzës, gjatë të cilit Asambleja Shpirtërore Lokale i raporton komunitetit për veprimtaritë e saj, kërkon sugjerime e konsultim dhe, gjithashtu, jep mesazhet që ka marrë nga Ruajtësi e nga Asambleja Shpirtërore Kombëtare. Pjesa e tretë është festa materiale dhe takimi shoqëror i të gjithë miqve. Vetëm besimtarët që kanë të drejtë vote ftohen për të marrë pjesë në Festat e Nëntëmbëdhjetë Ditëve, por të rinjtë nën moshën njëzet e një vjeç, që janë besimtarë të deklaruar, veçanërisht kur janë pjesëtarë të familjeve Bahá’í, mund të jenë gjithashtu të pranishëm.
 Këto takime mund të shihen si vetë zemra e jetës sonë komunitare Bahá’í. Kur zhvillohen si duhet e në to merr pjesë një komunitet Bahá’í që e vlerëson plotësisht rëndësinë e tyre, Festa e Nëntëmbëdhjetë Ditëve shërbejnë për të përtëritur e për të thelluar frymën tonë të besimit, rritin aftësinë tonë për veprim të përbashkët, shmangin keqkuptimet dhe na mbajnë plotësisht të informuar për të gjitha veprimtaritë e rëndësishme Bahá’í në nivel lokal, kombëtar e ndërkombëtar.
(Deklaratë e Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në “Bahá’í News” 75 (korrik 1933), f. 8)
7 Drejtuar besimtarëve individualë, me përjashtim të rasteve kur shënohet ndryshe.

Autor: administrator - Kategorie: Përmbledhje - Strany: 0 - Kapitoly: 0
© www.erfan.cz & phpRS