""... Zhytuni në këtë Oqean, në thellësitë e të cilit gjenden
të fshehura margaritarët e dijes..."
Bahá'u'lláh
Kërkimi
Kërkim i zgjeruar

Kategorie
  
  Bahá’í
   Për fëmijë
   Përmbledhje
   Studime Bahá’í
   Tekste bazë Bahá’í
 

Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Bahá-it




Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e

‘ABDU’L-BAHÁIT

Hartuar nga Departamenti i Kërkimit i
Shtëpisë Universale të Drejtësisë



Përkthyer ne anglisht
nga
NJË KOMITET
në Qendrën Botërore Bahá’í
dhe nga
MARZIEH GAIL




QENDRA BOTËRORE BAHÁ’Í
HAIFA


© 1978 SHTËPIA UNIVERSALE E DREJTËSISË
E DREJTA E AUTORIT SIPAS KONVENTËS SË BERNËS





Përkthyer nga anglishtja
Titulli i origjinalit anglisht:
“Selections from the Writings of ‘Abdu’l-Bahá”
Bahá’í World Centre, Haifa
Set in 13 on 14 PT ‘monotype’ Bembo and
Printed in Great Britain
By W & J MACKAY LIMITED, CHATHAM

ISBN 0 85398 081 0 Botimi me kopertinë speciale
ISBN 0 85398 084 5 Botimi me kopertinë të thjeshtë



BOTIMI I PARË SHQIP 162 E.B. Qershor 2005









PARATHËNIE


Shpjegimet e ‘Abdu’l-Baháit rreth Revelacionit Bahá’í dokumentohen në veprat e Tij të shkruara, në shumë përmbledhje të fjalimeve të Tij të regjistruara dhe në korrespondencën e Tij. Veprat e shkruara si Sekreti i Qytetërimit Hyjnor, Tregimi i një Udhëtari, Vullneti dhe Testamenti, janë në dispozicion në përkthimet anglisht. Po ashtu shumë përmbledhje të fjalimeve të Tij të regjistruara, ndër të cilat mund të përmenden Përgjigje Disa Pyetjeve, Kujtimet e Besnikëve, Bisedat e Parisit, ruhen të shtypura. Megjithatë, për gjashtëdhjetë vjet nuk është hartuar ndonjë përmbledhje e gjerë anglisht e literaturës së Tij të panumërt, ndërsa tre vëllimet e Tabela të ‘Abdu’l-Baháit, botuar në Shtetet e Bashkuara midis viteve 1909 dhe 1916, megjithëse vijuan me botimin e dytë, janë mbaruar prej kohësh.
Përmbledhja e tanishme synon një përzgjedhje më të gjerë se sa nga ajo që është bërë në vëllimet më të hershme dhe leximi i saj do të japë disa tregues të kuadrit shumë të madh të temave që trajtohen nga Mjeshtri në korrespondencën e Tij. Në të përfshihen një numër i Tabelave të përkthyera nga një Komitet në Qendrën Botërore, duke përdorur maketet e hershme të bëra nga Shoghi Effendi në të gjallë të ‘Abdu’l-Baháit dhe një numër të madh të përkthyera nga Marzieh Gail, së cilës iu dërguan nga koleksioni prej më se 19.000 kopje origjinale dhe autentike të Qendrës Botërore. Disa Tabela të famshme, si korrespondenca me Auguste Forel, ose pjesa më e madhe e Tabelës për Hagën, janë hequr sepse janë në dispozicion në botime të veçanta.
Marrësit e gëzuar e të lumtur të shumicës së madhe të Tabelave të përfshira këtu ishin besimtarët e hershëm të lindjes e të perëndimit, qofshin individë, grupe, komitete apo asamble të organizuara miqsh dhe vlera e tyre për komunitetet e reja të perëndimit, në ato ditë, kur literatura Bahai në anglisht ishte shumë e pakët, nuk mund të mbivlerësohet.
Besohet se publikimi i këtyre shkrimeve nga trashëgimia e Mjeshtrit do të shërbejë për të rritur entuziazmin e dashamirësve në përgjigje të thirrjes së Tij dhe për të shtuar kuptimin e asaj harmonie të mrekullueshme të njerëzores dhe hyjnores që Ai, Misteri i Perëndisë, e simbolizoi kaq me përsosmëri.


Referencat ndaj Kuranit
Në shënimet që i referohen Kuranit, suret janë numëruar sipas origjinalit, ndërsa numrat e vargëzimeve janë sipas përkthimit të Rodwellit, që disa herë ndryshojnë nga ato të variantit arabisht.


PJESË TË ZGJEDHURA NGA SHKRIMET E ‘ABDU’L-BAHÁIT

1 1 O popuj të botës! Dielli i së Vërtetës ka lindur për të ndriçuar gjithë tokën dhe për të gjallëruar bashkësinë e njeriut. Të lavdërueshme janë përfundimet dhe frytet që vinë prej tij, të bollshme janë faktet e shenjta që rrjedhin prej këtij hiri. Ky është bujaria e kulluar e më e pastër e mëshirimit; është dritë për botën dhe popujt e saj; është harmoni dhe shoqëri, dashuri dhe solidaritet; është, në të vërtetë, dhembshuri dhe unitet, është fundi i të qenit i huaj; është të qenit një me të gjithë mbi tokë, në dinjitet dhe liri të plotë.
2 Bukuria e Bekuar thotë: ‘Ju jeni të gjithë frutat e një peme, fletët e një dege’. Kështu e ka pëlqyer Ai këtë botë të qenies si një pemë e vetme dhe gjithë popujt si fletët, lulet dhe frutat e saj. Dega duhet të lulëzojë dhe fleta e fryti të zhvillohen, se nga bashkëveprimi i të gjitha pjesëve të pemës botërore, varet zhvillimi i fletës dhe i lules, i ëmbëlsisë së frytit.
3 Për këtë arsye të gjitha qeniet njerëzore duhet të mbajnë fuqimisht njëra-tjetrën dhe të kërkojnë jetën e amshuar; për këtë arsye të dashurit e Perëndisë në këtë botë reale duhet të bëhen si mirësitë dhe bekimet e dërguara nga ai Mbret i mëshirshëm i mbretërive të dukshme dhe të padukshme. Le ta qartësojnë ata vështrimin e tyre dhe të shohin gjithë njerëzimin si fletët, lulet dhe frutat e pemës së qenies. Le të shqetësohen ata gjatë gjithë kohës për të bërë një gjë të mirë për njërin nga shokët e tyre, duke i ofruar gjithkujt dashuri, konsideratë e ndihmë serioze. Le të mos shohin asnjeri si armikun e tyre apo ta duan atë të sëmurë, por t’i shohin gjithë qeniet njerëzore si miqtë e tyre, duke e vlerësuar të panjohurin si një të afërt, të huajin si një shok, duke qëndruar larg prej paragjykimeve dhe duke mos bërë ndarje.
4 Në këtë ditë, në Pragun e Zotit i pëlqyer është ai që vërtit kupën e besnikërisë, që derdh xhevahirin e bujarisë edhe mbi armiqtë, që i jep dorën ndihmëtare edhe shtypësit të tij të rrëzuar, është ai që edhe me armiqtë e tij më të egër do të ishte një mik i dashur. Këto janë Mësimet e Bukurisë së Bekuar, këto janë këshillat e Emrit Më të Madh.
5 O ju miq të shtrenjtë! Bota është në luftë dhe raca njerëzore është në luftim të dhimbshëm për të vrarë njëri-tjetrin. Ka rënë nata e zezë e urrejtjes dhe është mbuluar drita e besimit të mirë. Popujt dhe fiset e tokës kanë mprehur dhëmbët e po lëshohen kundër njeri-tjetrit. Po shkatërrohet vetë themeli i racës njerëzore. Janë me mijëra familjet endacake e të shpronësuara dhe çdo vit shikon mijëra e mijëra qenie njerëzore që derdhin gjakun në fushëbetejat e përhimëta. Tendat e jetës dhe të gëzimit kanë rënë. Gjeneralët praktikojnë gjeneralizmin e tyre, duke u mburrur me gjakun që derdhin, duke bërë gara me njëri-tjetrin në nxitjen e dhunës. ‘Me këtë shpatë, - thotë njeri prej tyre, - i kam prerë kokën një populli!’ Tjetri thotë: ‘Unë shtriva një komb për tokë!’ Kurse një tjetër ia pret: ‘Unë rrëzova një qeveri!’ Me të tilla gjëra e mburrin veten njerëzit, me të tilla gjëra ata lavdërohen! Dashuria e drejtësia censurohen kudo, ndërsa harmonia dhe përkushtimi ndaj së vërtetës përbuzen.
6 Besimi i Bukurisë së Bekuar e fton njerëzimin drejt sigurisë dhe dashurisë, drejt miqësisë dhe paqes; ai ka ngritur tabernakullin e tij mbi lartësitë e tokës dhe ka drejtuar thirrjen e tij ndaj gjithë kombeve. Prandaj, o ju që jeni të dashurit e Perëndisë, ju që dini vlerën e këtij Besimi të çmuar, binduni ndaj mësimeve të tij, ecni në këtë rrugë që shkon drejt dhe tregojuni këtë rrugë njerëzve. Ngrini zërin dhe këndoni këngën e Mbretërisë. Përhapni an’ e kënd parimet dhe këshillat e Zotit të dashur, që kjo botë të bëhet tjetër botë, që kjo tokë e sterruar të mbushet me dritë, që trupi i vdekur i njerëzimit të ngjallet dhe të jetojë, që çdo shpirt të kërkojë pavdekësinë nëpërmjet frymës së shenjtë të Perëndisë.
7 Shpejt do të marrin fund ditët tuaja që ikin rrufe dhe do të ikin pa lënë gjurmë fama, pasuria, rehatia dhe gëzimi i siguruar nga kjo kapicë plehrash, bota. Thirrini, pra, njerëzit te Perëndia dhe ftojeni njerëzimin të ndjekë shembullin e Kompanisë së epërme. Jeni baballarë të dashur për jetimët, strehë për të pafuqishmit, thesar për të varfrit dhe ilaç për të sëmurët. Jeni ndihmues për çdo viktimë të shtypjes dhe mbrojtës për të dëmtuarit. Mendoni gjatë gjithë kohës për t’i bërë shërbim çdo pjesëtari të racës njerëzore. Mos pyesni fare për mosdashjen dhe kundërshtimin, për neverinë, armiqësinë e padrejtësinë: veproni në të kundërt të tyre. Jeni të sinqertë me shpirt e jo vetëm në dukje. Le ta përqendrojë vëmendjen secili nga të dashurit e Perëndisë për: të qenë mëshirë e Zotit për njeriun, për të qenë hiri i Zotit. Le t’i bëjë ai një të mirë çdo personi që ndesh në udhë dhe le të jetë i dobishëm për të. Le të përmirësojë karakterin e secilit dhe të të gjithëve, le të riorientojë mendjet e njerëzve. Në këtë mënyrë, drita e udhëheqjes hyjnore do të shkëlqejë përpara dhe bekimet e Perëndisë do të përkundin gjithë njerëzimin: sepse dashuria është dritë, pavarësisht se në ç’shtëpi banon ajo, kurse urrejtja është errësirë, pavarësisht se ku mund ta bëjë folenë e saj. O miq të Perëndisë! Që ky Mister i fshehur të qëndrojë i zbuluar dhe thelbi i fshehtë i çdo gjëje të shfaqet, përpiquni ta syrgjynosni këtë errësirë njëherë e përgjithmonë.

2 1 O zoti im! Unë jam afruar drejt Teje, në thellësitë e kësaj nate të zezë, duke të besuar Ty me gjuhën e zemrës sime, duke fërgëlluar nga gëzimi për flladin e ëmbël që fryn nga mbretëria Tënde, O Lavdiplotë, po thërres para Teje, duke thënë:
2 O Zoti im, nuk gjej fjalë që të Të thur lavdi, nuk shoh udhë për zogun e mendjes sime që të fluturojë lart drejt Mbretërisë Tënde të Shenjtërisë, sepse Ti, në vetë thelbin Tënd, shenjtërohesh mbi këto adhurime dhe në vetë qenien Tënde je përtej arritjes së lavdërimeve që të ofrohen nga njerëzit që i ke krijuar Ti. Në shenjtërinë e qenies Tënde Ti gjithmonë je i lartësuar përmbi kuptimin e të diturve të Kompanisë së epërme dhe kurdoherë do të mbetesh i mbështjellë brenda shenjtërisë së realitetit Tënd, i paarritshëm nga dija e banorëve të Mbretërisë Tënde të lartësuar, të cilët lavdërojnë Emrin Tënd.
3 O Perëndi, Perëndia im! E si mund të të lavdëroj apo të të përshkruaj Ty, kur Ti je aq i paarritshëm, kur Ti je pamatësisht i lartë dhe i shenjtëruar mbi çdo përshkrim dhe lavdërim.
4 O Perëndi, Perëndia im! Ki atëherë mëshirë për gjendjen time të dobët, varfërinë time, mjerimin tim, përuljen time! Më jep të pi nga kupa bujare e hirit dhe e ndjesës Tënde, më bëj ujem me aromën dehëse të dashurisë Tënde, ma mbush gjoksin me dritën e dijes Tënde, dëlire shpirtin tim me misteret e njësisë Tënde, më nxirr në jetë me flladin e ëmbël që vjen nga kopshtet e mëshirës Tënde deri sa të ndahem nga gjithçka tjetër, përveç Teje, më lër të mbahem pas cepit të rrobës Tënde të madhështisë, të harroj gjithçka që s’është si Ti, të shoqërohem nga puhiza e lehtë që freskon ditët e Tua, të arrij para besnikërisë në Pragun Tënd të Shenjtërisë, më ngri t’i shërbej Kauzës Tënde, të përulem para të dashurve të Tu dhe në prani të të pëlqyerve të Tu, në vetvete të jem hiç.
5 Me të vërtetë Ti je Ndihmuesi, Mbështetësi, i Lartësuari, Më Shpirtmadhi.
6 O Perëndi, Perëndia im! Për agimin e dritës së Bukurisë Tënde që ka ndriçuar tërë dheun, për dritën e syrit të ngushëllimit Tënd hyjnor që i peshon të gjitha gjërat, për detin e dallgëzuar të blatimeve të Tua në të cilin janë zhytur gjithë gjërat, për retë e Tua bujare që të ngarkuara derdhin poshtë dhurata mbi thelbin e të gjitha gjërave të krijuara dhe për shkëlqimet e mëshirës Tënde që ekzistonte para se te ishte bota të lutem të ndihmosh të zgjedhurit e Tu për të qenë besnikë, t’i përkrahësh të dashurit e Tu për t’i shërbyer Pragut Tënd të lartësuar, t’i bësh ata të korrin fitore nëpërmjet batalioneve të fuqisë Tënde që mposht të gjitha gjërat dhe t’i përforcosh me një ushtri të madhe luftëtare prej Tubimit të epërm.
7 O Zoti im! Ata që po qëndrojnë në derën tënde janë shpirtra të dobët, ata që po kthejnë fytyrat drejt mbretërisë së njëshmërisë Tënde janë varfanjakë në kopshtin Tënd, të vdekur për hirin Tënd, në nevojë të madhe për ndihmën tënde, të djegur për bujarinë e blatimeve të Tua. O Zoti im! Përmbyti mendjet e tyre me dritën Tënde të shenjtë, pastroji zemrat e tyre me hirin e përkrahjes tënde, kënaqi zemrat e tyre me aromën e gëzimeve që përhapet prej Kompanisë së epërme, shkëlqeji sytë e tyre duke parë simbolet dhe shenjat e fuqisë Tënde, i bëj ata të jenë simbole të dëlirësisë, flamuj të shenjtërisë që valëviten lart përmbi gjithë krijesat mbi majat e tokës, bëji fjalët e tyre të tronditin edhe zemrat që janë të ngurta sa një shkëmb. Le të ngrihen ata për të të shërbyer Ty dhe për t’iu përkushtuar Mbretërisë Tënde hyjnore, ktheji fytyrat e tyre drejt mbretërisë së Vetekzistencës Tënde e shpërndaji an’ e kënd shenjat e Tua, ndriçoji me dritat e Tua farfuritëse dhe shpalosi misteret e Tua të fshehura. I drejtofshin ata shërbëtorët e Tu drejt ujërave të buta dhe drejt shatërvanit të mëshirës Tënde që rrjedh e hidhet thellë në zemër të Qiellit të njëshmërisë Tënde. Le ta ngrenë ata velën e paanësisë mbi Arkën e Shpëtimit dhe le të vozitin nëpër detet e dijes Tënde; le të shpërndajnë kudo krahët e unitetit dhe me ndihmën e tyre fluturofshin lart drejt Mbretërisë së mëvetësisë Tënde për t’u bërë shërbëtorë, që do t’i duartrokasë Tubimi Suprem, lavdërimet e të cilëve do t’i thonë banorët e mbretërisë tënde lavdiplote; dëgjofshin lajmëtarët e botës së padukshme ndërsa ata ngrehin thirrjen e Lajmeve të Mira Më Madhështore; me etjen për të të takuar Ty, kërkofshin dhe u lutshin për Ty, O Zoti im Që i rregullon të gjitha gjërat, duke kënduar lutje mahnitëse sapo të agojë drita, duke derdhur lot në mëngjes edhe në mbrëmje, duke u djegur për t’u futur nën hijen e mëshirës Tënde që nuk mbaron kurrë.
8 Ndihmoji ata, O Zoti im, në çdo rrethanë, mbështeti gjatë gjithë kohës me engjëjt e Tu të shenjtërisë ata që janë aradhet e Tua të padukshme, batalionet e Tua qiellore që u shkaktojnë disfatë ushtrive të mëdha të kësaj bote të ulët.
9 Me të vërtetë Ti je i Madhi, i Fuqishmi, i Forti, Gjithëpërfshirësi, i Vetmi Që ka nën sundim gjithçka që ekziston.
10 O Zot i shenjtë! O Zot i dashamirësisë së përzemërt! Ne hallakatemi rreth banesës Tënde, të djegur për të parë bukurinë Tënde e duke dashuruar të gjitha shtigjet e tua. Ne jemi tmerrësisht të pafat dhe fare pa rëndësi. Ne jemi varfanjakë; tregona mëshirë, na jep bujari, mos shiko dështimet tona, na i fshi mëkatet tona pambarim. Çfarëdo që jemi, ne jemi akoma të Tutë, çdo gjë që themi e dëgjojmë është lavdërim për Ty, dhe kërkojmë fytyrën Tënde, dhe ndjekim shtegun Tënd. Ti je Zoti i dashamirësisë së përzemërt, ne jemi mëkatarë, të humbur dhe larg shtëpisë. Prandaj, O Re e Mëshirës, lëshona ca pika shiu. O Shtrat i Luleve të hirit, dërgona flladin erëmirë. O Det i gjithë blatimeve, vërvitna një dallgë të madhe. O Diell i Bujarisë, lëshona një rreze drite. Jepna mëshirë, jepna hir. Për bukurinë Tënde, ne vijmë pa gjë, përveç se me mëkatet tona, nuk kemi vepra të mira për të treguar, por vetëm shpresa. Po të mos na mbulojë veli Tënd që fsheh, po të mos na përkundë mburoja Tënde mbrojtëse, ç’fuqi kanë këto shpirtra të pazot për t’u ngritur dhe për të të shërbyer Ty, ç’brumë kanë këta shpirtra të mjerë për të shfaqur trimëri? Ti që je i Madhi, i Plotfuqishmi, na ndihmo, na prefero; të fishkur siç jemi, na ripërtëri me shiun e reve të hirit Tënd; të përulur siç jemi, na ndriço me rrezet e shndritshme të Diellit të njësisë Tënde. Hidhi këta cironj të etur në oqeanin e mëshirës Tënde, drejtoje këtë karvan të humbur drejt strehës Tënde të vetme; drejtoji ata që po sillen rrotull larg të humbur drejt burimit udhërrëfyes e jepu atyre që kanë humbur shtegun një liman brenda rrethimit të fuqisë Tënde. Derdh mbi këto buzë të thara ujërat bujare dhe të shtruara të qiellit, ngjalli këta të vdekur për jetën e amshuar. Bëji sytë e verbër të shikojnë, bëje të shurdhrin të dëgjojë, bëje memecin të flasë. Ndiz flakën e fashitur, bëji të përgjegjshëm moskokëçarësit, paralajmëro mburravecët, zgjoji ata që flenë.
11 Ti je i Fuqishmi, Ti je Dhuruesi, Ti je Dashuruesi. Me të vërtetë Ti je Mirëbërësi, Më i Lartësuari.
12 O ju të dashurit e Perëndisë, ju ndihmuesit e këtij Shërbëtori kalimtar! Kur Dielli i Realitetit derdhi bujaritë e tij pambarim nga Pika e Agimit e të gjitha dëshirave dhe kjo botë e qenies u ndriçua me atë dritë të shenjtë nga poli në pol, ai i hodhi aq thellë rrezet e tij sa mbuloi përgjithmonë Terrin e thellë, pas të cilit kjo tokë pluhuri u bë zilia e sferave të qiellit, ky vend i rrëgjuar mori veten dhe armët e mbretërisë qiellore. Flladi i ëmbël i shenjtërisë fryu mbi të, duke shpërndarë kudo shije të ëmbla, erërat pranverore të qiellit kaluan pranë dhe përmbi të, nga Burimi i gjithë blatimeve u valëvitën puhizat e frytshme që përcillnin hir të pakufishëm. Pastaj lindi agimi i shkëlqyer dhe atje erdhën sihariqet e gëzimit të madh. Pranvera hyjnore ishte këtu, duke ngritur tendat e saj në këtë botë reale, prandaj i gjithë krijimi u hodh e kërceu. Toka e tharë filloi lulëzim të pavdekshëm, dheu i vdekur u ngjall për jetën e amshuar. Pastaj erdhën lulet e diturisë mistike dhe, duke rrëfyer dijen e Perëndisë, jeshiluan sërish nga dheu. Bota reale tregoi dhuratat bujare të Perëndisë, bota e dukshme reflektoi lavditë e mbretërive që i ishin fshehur vështrimit. Thirrjet e Perëndisë u shpallën, tabela e Besëlidhjes së Përjetshme u lexua, kupa e Testamentit u pasua dorë më dorë, ftesa universale u nis. Atëherë disa njerëz u ndezën flakë nga vera e qiellit dhe disa u lanë pa pjesë prej këtyre blatimeve madhështore. Vështrimi e vizioni i disave u ndriçua me dritë hiri, ndërsa kishte disa që, duke dëgjuar himnet e unitetit, brofën nga gëzimi. Kishte zogj që filluan të cicërojnë në kopshtin e shenjtërisë, kishte bilbila në degët e trëndafilave të qiellit që këndonin vajin e tyre. Pastaj u zbukuruan e u stolisën Mbretëria e epërme dhe toka poshtë dhe kjo botë u bë zilia e qiellit të sipërm. Megjithatë, mjerisht, mjerisht, indiferentët kanë qëndruar të shkujdesur në gjumin moskokëçarës dhe teveqelët kanë shkelmuar këtë blatim nga më të shenjtit. I verbëri mbeti mbështjellë në velin e tyre, i shurdhëri nuk ka pjesë në çka ardhur për të shkuar, i vdekuri nuk ka shpresa për të arritur gjë, sepse siç thotë Ai: ‘Ata nuk kanë shpresë për jetën që vjen, ashtu si të pabesët nuk kanë shpresë se të vdekurit do të ngrihen përsëri nga varret.’1
13 Sa për ju, o të dashuruarit e Perëndisë! Zgjidhni gjuhën dhe jepini Atij falënderime, lavdëroni e thurini lavdi Bukurisë së të Adhuruarit, se ju keni pirë prej kupës më të dëlirë, jeni gëzuar dhe jeni ndezur nga kjo verë. Ju keni zbuluar erërat e mira të shenjtërisë, ju keni nuhatur parfumin e besnikërisë prej rrobës së Jozefit. Ju jeni ushqyer me mjaltin qelibar të besnikërisë prej duarve të Tij që është i vetmi i Shtrenjtë, ju jeni gostitur me pjatat e pavdekshme në tavolinën e banketit bujar të Zotit. Ky bollëk është një preferencë e veçantë e dhënë prej një Perëndie të përzemërt, këto janë bekime e dhurata të rralla që rrjedhin prej hirit të Tij. Në Ungjill Ai thotë: ‘Sepse shumë thirren, por pak zgjidhen.’2 Kjo do të thotë se ajo ofrohet për shumicën, por të rrallë janë shpirtrat që janë përjashtuar nga marrja e blatimit të madh të udhërrëfimit. “Ajo është bujari e Perëndisë: të cilën Ai ia jep kujt të dojë dhe Perëndia është dhurues shumë i madh.’3
14 O ju të dashurit e Perëndisë! Erëra të papajtueshme do të fryjnë kundër Qiririt të Besëlidhjes, prej popujve të botës. Bilbili i besnikërisë rrethohet nga renegatë që janë njësoj si korbat e urrejtjes. Pëllumbi i kujtimit të Perëndisë shtypet fort prej zogjve të pamend të natës dhe Gazelës që banon në livadhet e dashurisë së Perëndisë nuk po i ndahen bishat grabitqare. Rreziku është vdekjeprurës, dhimbja është torturuese.
15 Të shtrenjtit e Zotit duhet të qëndrojnë të ngulur si malet, të patundur si muret e pathyeshëm. Ata duhet të mbeten të palëvizshëm edhe para kundërshtarëve më të tmerrshëm, të pa brengosur nga fatkeqësitë më të mëdha. Le të kapen pas rrobës së Perëndisë së Plotfuqishme e ta mbështesin besimin e tyre në Bukurinë e Më të Lartit; le të mbështeten në ndihmën e vërtetë që vjen prej Mbretërisë së Lashtë dhe të varen prej kujdesit e mbrojtjes së Zotit shpirtmadh. Lë të ripërtërihen e freskohen gjatë gjithë kohës me vesën e hirit qiellor, të gjallërohen e rinohen nga momenti në moment me frymën e Shpirtit të Shenjtë. Le të ngrihen për t’i shërbyer Zotit të tyre e të bëjnë gjithçka që kanë në dorë për të përhapur an’ e kënd flladet e Tij të shenjtërisë. Le të jenë një fortesë e fuqishme për të mbrojtur Besimin e Tij, një kështjellë e pathyeshme për ushtritë e Bukurisë së Lashtë. Le të ruajnë besnikërisht nga çdo anë ngrehinën e Kauzës së Perëndisë; le të bëhen yj të shkëlqyer të qiejve të Tij të shndritshëm. Sepse hordhitë e errësirës po sulmojnë këtë Kauzë nga çdo drejtim, popujt e tokës po priren të shuajnë këtë Dritë të dukshme. Dhe përderisa gjithë fiset e botës po rritin sulmet e tyre, si mund të largohet vëmendja jonë, qoftë edhe për një moment? Sigurisht që duhet t’i dini këto gjëra, të jeni syçelur dhe të ruani Kauzën e Perëndisë.
16 Sot detyra më urgjente është pastrimi i karakterit, reformimi i moralit, korrigjimi i sjelljes. Është detyrë e të dashurve të Perëndisë për t’u ngritur mes gjithë popujve me cilësi e akte të tilla që erërat pranverore, të cilat fryjnë mbi kopshtet e shenjtërisë të kundërmojnë në gjithë tokën dhe të rikthejnë në jetë shpirtrat e vdekur. Arsyeja që Perëndia e ka bërë Veten manifest dhe që dritat pambarim po shkëlqejnë prej mbretërisë së të padukshmes, nuk është veçse stërvitja e të gjithë shpirtrave njerëzorë dhe zbukurimi i karaktereve të të gjithëve përmbi tokë, me qëllim që individët e bekuar, që e kanë çliruar veten prej territ të botës shtazore, të ngrihen me ato cilësi që janë të admirueshme për realitetin e njeriut. Qëllimi është që tokësorët të kthehen në njerëz të Qiellit, ata që ecin nëpër errësirë të vinë drejt dritës, ata që janë përjashtuar të bashkohen me rrethin e brendshëm të Mbretërisë dhe ata që janë si hiçi të bëhen të afërmit e Lavdisë së përjetshme. Ata që janë pa racion të fitojnë pjesën e tyre prej detit të pakufishëm dhe të paditurit të pinë gllënjkën e tyre prej gurrës jetëdhënëse të dijes, ata që janë të etur për gjak të braktisin shtazërinë e tyre, ata që kanë kthetra grabitqare të zbuten dhe të bëhen të duruar, ata që duan luftën të kërkojnë në vend të saj pajtimin e vërtetë; që brutalët, me thonjtë si brisk, t’u gëzohen të mirave të paqes së qëndrueshme, që të ndyrët të mësojnë se ka një mbretëri të dëlirësisë dhe të qelburit të gjejnë udhën e tyre drejt lumenjve të shenjtërisë.
17 Po të mos revelohen këto blatime hyjnore prej unit të brendshëm të njerëzimit, begatia e Manifestimit do të tregohet shterpë dhe rrezet verbuese të Diellit të së Vërtetës nuk do të kenë kurrfarë efekti.
18 Prandaj, o të dashurit e Perëndisë, përpiquni me mish e me shpirt të merrni një pjesë nga atributet e Tij të shenjta, të merrni racionin tuaj prej begatisë së shenjtërisë së Tij, të bëheni shenja të bashkimit, flamuj të njëjësisë dhe të gjeni kuptimin e njëshmërisë; që në këtë kopsht të Perëndisë të ngrini zërat dhe të këndoni himnet e hareshme të shpirtit. Bëhuni si zogjtë që i ofrojnë Atij falënderimet e tyre dhe në strehën e lulëzuar të jetës këndoni ato melodi që dalldisin mendjet e atyre që i dinë. Ngrini një flamur në majat më të larta të botës, një flamur të pëlqyer prej Perëndisë për t’u valëvitur nga erërat e hirit të Tij; mbillni një pemë në fushën e jetës, mes trëndafilave të kësaj bote të dukshme, që do të lidhë fruta të freskëta dhe të ëmbla.
19 Betohem për Mësuesin e vërtetë se në qoftë se do të veproni në përputhje me këshillat e Perëndisë, siç revelohen në Tabelat e Tij të shndritshme, ky pluhur i sterruar do të pasqyrojë Mbretërinë e qiellit dhe kjo botë e ulët mbretërinë e Lavdiplotit.
20 O ju të dashurit e Perëndisë! Lavdërimi qoftë për Të, të padukshmin, lumë bujarish të Diellit të së Vërtetës ju rrethojnë nga çdo anë dhe në çdo drejtim portat e mëshirës së Tij janë të hapura. Tani është koha për të përfituar nga këto blatime dhe të keni dobi prej tyre. Njiheni vlerën e kësaj kohe, mos e lini këtë rast t’u shkojë nga duart. Qëndroni tërësisht të qartë për shqetësimet e kësaj bote të errët dhe bëhuni të njohur me atributet e atyre thelbeve që e bëjnë shtëpinë e tyre në Mbretëri. Atëherë do të shihni se sa e thellë është lavdia e Diellit qiellor, se çfarë shkëlqimi verbues kanë simbolet e bujarisë që rrjedhin prej mbretërisë së padukshme.

3 1 O ju të shtrenjtit e Perëndisë! O ju fëmijë të Mbretërisë së Tij! Me të vërtetë, me të vërtetë, kanë ardhur qielli i ri dhe toka e re. Qyteti i shenjtë, Jerusalemi i ri, ka zbritur nga sipër në formën e vashëzës së qiellit, me vello, e bukur, unike dhe e përgatitur për ribashkimin me të dashurit e saj në tokë. Kompania engjëllore e Tubimit Hyjnor është bashkuar në një thirrje që është shpërndarë përmes universit, duke brohoritur me zë të lartë dhe fuqishëm: ‘Ky është Qyteti i Perëndisë dhe banesa e Tij, ku mes shërbëtorëve të Tij do të banojnë të dëlirët dhe të shenjtët. Ai do të jetojë me ta, sepse ata janë njerëzit e Tij dhe Ai është Zoti i tyre.’
2 Ai u ka fshirë lotët, u ka ndezur dritën, u ka gëzuar zemrat dhe u ka ngazëllyer shpirtrat. Ata nuk do t’i prekë më vdekja, as brenga, as vaji e as mundimet. Perëndia Zot i Plotfuqishëm është kurorëzuar në Mbretërinë e Tij dhe i ka bërë të reja të gjitha gjërat. Kjo është e vërteta dhe cila e vërtetë mund të jetë më madhështore se ajo që u shpall nga Revelacioni i Hyjnisë Shën Gjon?
3 Ai është Alfa dhe Omega. Ai është i Vetmi që do t’i japë atij etje për gurrën e ujit të jetës dhe që do t’i japë të sëmurit ilaçin e shpëtimit të vërtetë. Ai që ndihmon me kaq hir është me të vërtetë ai që merr trashëgiminë më të lavdishme nga Profetët e Perëndisë dhe të shenjtët e Tij. Zoti do të jetë Perëndia e Tij dhe ai biri i Tij shumë i shtrenjtë.
4 Gëzoni, pra, o ju të shtrenjtit e Zotit dhe të zgjedhurit e Tij, ju fëmijë të Perëndisë dhe njerëz të Tij, ngrini zërin për të himnizuar dhe madhëruar Zotin, Më të Lartin; se drita e Tij ka shkëlqyer përpara, shenjat e Tij janë dukur dhe tallazet e oqeanit të Tij të fryrë kanë shpërndarë në çdo breg shumë margaritarë të çmuar.

4 1 Lavdërimi qoftë për Atë, Që ka bërë botën e qenies, që ka modeluar gjithçka që ekziston, për Atë Që ka ngritur të sinqertët në pozitë nderi4 dhe që ka bërë botën e padukshme të shfaqet mbi një rrafsh për të dukshmit, megjithëse njerëzit, të trullosur nga pija,5 janë akoma bredharakë dhe arrakatë.
2 Ai ka shtruar themelet e Kështjellës së lartë, Ai ka përuruar Ciklin e Lavdisë, Ai ka sjellë një krijim të ri në këtë ditë që është qartësisht Dita e Gjykimit dhe të shkujdesurit akoma qëndrojnë fort në gjumin e dehjes.
3 Boria6 ka buçitur, Trumpeta7 ka ushtuar, Kasneci ka ngritur thirrjen e tij e gjithçka mbi tokë është mekur, veçse të vdekurit akoma flenë në varret e trupave të tyre.
4 Dhe briri8 i dytë ka buçitur, kushtrimi i dytë ka pasuar të parin9 gjëma e tmerrshme ka ardhur dhe çdo lehonë ka harruar foshnjën në gjirin10 e saj megjithatë njerëzit, të trallisur e të shushatur, akoma nuk e çajnë kokën.
5 Dhe Ringjallja ka aguar, dhe Ora ka vajtur, dhe Shtegu është i hapur dhe Balanca është vendosur, dhe gjithçka mbi tokë është mbledhur bashkë11, veçse njerëzit akoma nuk shohin shenja rruge.
6 Drita ka ndriçuar përpara, vezullimi është derdhur mbi Malin Sinai, një erë gjethi fryn mbi kopshtet e Zotit Gjithmonë-Përdëllimtar; fryma e ëmbël e shpirtit po kalon pranë, po ngrihen ata që shtrihen në varre dhe të shkujdesurit akoma dremitin në varret e tyre.
7 Flakët e ferrit u bënë të ndizen, qielli është sjellë afër, kopshtet hyjnore janë në lulëzim, pellgjet e rinj janë mbushur plot e përplot, parajsa vetëtin nga bukuria, veçse ata që s’janë në dijeni akoma zhgërryhen në ëndrrat e tyre boshe.
8 Veli ka rënë tutje, perdja është ngritur, retë janë çarë, Zoti i Zotëve duket sheshit, megjithatë të gjithë kanë kaluar pranë mëkatarëve.
9 Ai ka bërë për ju krijimin e ri,12 ka sjellë gjëmën13 që i kalon gjithë të tjerat, ka mbledhur të shenjtët së bashku në mbretërinë e epërme. Me të vërtetë, këto janë shenjat për ata që kanë sy për të parë.
10 Dhe mes shenjave të Tij është shfaqja e ogureve dhe profecive të gëzuara, e shenjave paralajmëruese dhe orientuese, shpërndarja e shumë sihariqeve të ndryshme si dhe shpresave për të drejtët, ata që tani kanë arritur qëllimin e tyre.
11 Dhe mes shenjave të Tij janë shkëlqimet e Tij, që ngrihen mbi horizontin e njëshmërisë, dritat e Tij që rrjedhin nga agimi i fuqisë dhe shpallja e Sihariqeve nga Më të Gëzuarat prej Lajmëtarit të Tij, i vetmi, i Pakrahasueshmi. Me të vërtetë, kjo është një dëshmi e shkëlqyer për shoqërinë e atyre që e njohin.
12 Mes shenjave të Tij është qenia e Tij manifest, qenia e parë nga të gjithë, që qëndron si dëshmia e Tij vetjake dhe prania e Tij mes dëshmitarëve në çdo rajon, mes njerëzve që u hodhën mbi të njësoj si ujqërit duke e rrethuar nga çdo anë.
13 Mes shenjave të Tij është përballimi prej Tij i kombeve të fuqishëm dhe i gjithë shteteve pushtuese, i ushtrive të armikut të etura për gjak, të ngulura në çdo moment për rrënimin e Tij, kudo që mund të ndodhet. Me të vërtetë, kjo është një çështje që meriton këqyrjen prej atyre që i peshojnë shenjat dhe simbolet e Perëndisë.
14 Një shenjë tjetër e Tij është mrekullia e ligjëratës së Tij, elokuenca e fjalës, shpejtësia me të cilën revelohen Shkrimet e Tij, fjalët e Tij të urtësisë, vargjet, letrat, bisedat dhe shtjellimi prej Tij i Kuranit, si të vargëzimeve të errëta, ashtu edhe atyre që janë të qarta. Për jetën tuaj! Kjo gjë është e qartë si drita për këdo që e vlerëson me syrin e drejtësisë.
15 Përsëri mes shenjave të Tij është dielli i agimit të dijes së Tij, dalja e hënës së arteve dhe aftësive të Tij, përsosmëria e Tij, që shfaqet në të gjitha mënyrat, siç dëshmohet nga të diturit dhe të kompletuarit e shumë kombeve.
16 Dhe përsëri mes shenjave të Tij është fakti që bukuria e Tij qëndroi e pacenuar, tempulli i Tij njerëzor u mbrojt ndërsa Ai reveloi shkëlqimet e Tij, pavarësisht nga sulmet masive të të gjithë armiqve, që me mijëra u sulën kundër Tij me shigjeta të vrullshme, me shtiza e shpata. Kjo është me të vërtetë një çudi dhe një paralajmërim për çdo gjyqtar të drejtë.
17 Dhe mes shenjave të Tij është vuajtja e Tij e gjatë, mundimet dhe fatkeqësitë e Tij, agonia e Tij nën zinxhirë e vargonj, thirrja e Tij në çdo moment: ‘Ejani te Mua, ejani te Mua, ju të drejtët! Ejani te Mua, ejani te Mua, ju të dashurit e të mirëve! Ejani te Mua, ejani te Mua, ju pika agimi të dritës!’ Me të vërtetë, portat e misterit janë hapur kat më kat, veçse të këqijtë akoma dëfrehen me kotësitë e tyre!14
18 Dhe një tjetër nga shenjat e Tij është shpallja e Librit të Tij, Teksti i Tij bindës i Shenjtë, ku Ai qorton mbretërit dhe paralajmërimi i Tij i llahtarshëm për njërin,15 sundimi i fuqishëm i të cilit ishte vendosur rreth botës, por pastaj brenda pak ditësh froni i tij madhështor u rrokullis, është një fakt mjaft i qartë dhe i njohur gjerësisht.
19 Dhe mes shenjave të Tij është lartësia e madhështisë së Tij, pozita e Tij e shkëlqyer, lavdia e Tij vigane dhe shkëlqimi i bukurisë së Tij përmbi horizontin e Burgut: prandaj para Tij u përkulën kokat, u ulën zërat dhe fytyrat që u kthyen drejt Tij ishin të përulura. Kjo është një dëshmi që s’ishte parë kurrë në kohët e mëparshme.
20 Përsëri mes shenjave të Tij janë gjërat e jashtëzakonshme që bëri në mënyrë të vazhdueshme, mrekullitë që realizoi, çuditë që u shfaqën nga Ai pa ndërprerje si reshjet e reve të Tij dhe njohja e dritës së Tij të fuqishme edhe nga jobesimtarët. Për jetën e Tij! Kjo u verifikua qartë, u tregua ndaj njerëzve me bindje të ndryshme, të cilët erdhën në praninë e Zotit të gjallë, vetekzistent.
21 Dhe një tjetër prej shenjave të Tij është përhapja e gjerë e rrezeve të diellit të epokës së Tij, dalja e hënës së kohërave të Tij në qiellin e të gjitha epokave: dita e Tij, e cila qëndron në majë të të gjitha ditëve, për nga lartësia dhe fuqia e saj, për nga shkencat dhe artet e saj, që arrin an’ e kënd, që ka çuditur botën dhe ka mahnitur mendjet e njerëzve.
22 Me të vërtetë kjo është një çështje e vendosur dhe e krijuar për gjithë kohën.

5 1 Drita madhështore e botës, dikur e shkëlqyer mbi gjithë njerëzimin, ka nisur të ndriçojë përjetësisht nga Horizonti Abhá, nga Mbretëria e lavdisë së Tij të pashuar, duke derdhur nga sipër shkëlqim mbi të dashurit e Tij dhe duke flladitur në zemrat e shpirtrat e tyre frymën e jetës së amshuar.
2 Peshoni në zemrat tuaja atë që ka parathënë Ai në Tabelën e Vizionit Hyjnor, që është shpërndarë nëpër botë. Ai thotë atje: ‘Menjëherë pas kësaj ajo rënkoi e klithi: “Qoftë bota dhe gjithçka e saj haraç për mjerimet e Tua. O Sovran i qiellit dhe i tokës! Përse e ke lënë Veten në duart e banorëve të këtij qyteti-burg të Ákkas? Nxito drejt zotërimeve të tjera, sipër strehëve të Tua, ku nuk janë hedhur kurrë sytë e njerëzve me emër.” Ne as nuk buzëqeshëm, as nuk folëm. Reflekto mbi këto fjalë shumë të lartësuara dhe kupto qëllimin e këtij misteri të fshehur e të shenjtë.’
3 O ju të shtrenjtit e Zotit! Hapni sytë, hapni sytë se mos ngurroni dhe lëkundeni. Mos rëntë frika mbi ju, as mos shqetësoheni apo trembeni. Se mos i vini veshin kësaj dite fatzezë që shuan flakët e zjarrit tuaj dhe humb shpresat tuaja të brishta. Sot është dita për vendosmëri e qëndrueshmëri. Bekuar qofshin ata që qëndrojnë të vendosur e të patundur si shkëmbi dhe përballojnë furtunën dhe shtypjen e kësaj ore të stuhishme. Ata, me të vërtetë, do të jenë marrësit e hirit të Perëndisë; ata, me të vërtetë, do të marrin ndihmën e Tij hyjnore dhe do të jenë me të vërtetë fitimtarë. Ata do të shkëlqejnë mes njerëzimit me një vezullim që e himnizojnë dhe e madhërojnë banorët e Pavijonit të Lavdisë. Për ta shpallet kjo thirrje hyjnore, reveluar në Librin e Tij më të Shenjtë: ‘Le të mos trazohen zemrat tuaja, o njerëz, kur lavdia e Pranisë Sime tërhiqet dhe oqeani i fjalës Sime qetësohet. Ka një urtësi në praninë Time mes jush dhe ka edhe një tjetër, enigmatike për të gjithë, veç Perëndisë, të Pakrahasueshmit, Dijeplotit. Me të vërtetë, Ne u shohim nga mbretëria Jonë e lavdisë e do të ndihmojmë me ushtritë e Tubimit të epërm dhe shoqërinë e engjëjve Tanë të preferuar këdo që do të ngrihet për triumfin e Kauzës Sonë.’
4 Dielli i së Vërtetës, Drita Më Madhështore, ka filluar të lindë mbi horizontin e botës me shkëlqim të pavdekshëm përmbi Mbretërinë e Pafund. Në Librin e Tij Më të Shenjtë Ai thërret miqtë e tij të vendosur e të patundur: “Mos u trembni, o popuj të botës, kur të perëndojë dielli i bukurisë Sime dhe të fshihet nga sytë tuaj qielli i tabernakullit Tim. Ngrihuni për të përkrahur Kauzën Time dhe për të lartësuar Fjalën Time mes njerëzve.’

6 1 O ju njerëz të Mbretërisë! Sa shumë shpirtra e shpenzuan gjithë jetën në adhurim, duruan gangrenën e trupit, u dogjën për t’u futur në Mbretëri e, megjithatë, dështuan, ndërkohë që ju, pa vuajtje, pa mundime dhe pa vetëmohim, keni fituar çmimin dhe hytë në të.
2 Bile, është si në kohën e Mesisë, kur Farisenjtë dhe besimtarët u lanë pa gjë, ndërsa Pjetri, Gjoni dhe Andrea, që s’ishin të dhënë as pas adhurimit fetar, as pas praktikave askete, fituan kohën. Prandaj, falënderoni Perëndinë që ka vendosur mbi kokat tuaja kurorën e lavdisë së përjetshme, që iu ka dhënë këtë hir të pamasë.
3 Ka ardhur koha, kur ju, si falënderim për këtë dhuratë, duhet të rriteni ditë për ditë në besim dhe qëndrueshmëri, duhet të afroheni gjithnjë më shumë tek Zoti, Perëndia juaj, duke u tërhequr deri në atë shkallë e aq të zjarrtë, sa meloditë tuaja të shenjta në lavdërim të të Shtrenjtit të arrijnë lart në Kompaninë e epërme dhe që secili prej jush, si një bilbil në këtë kopsht trëndafilash të Perëndisë, t’i thurë lavdi Zotit të Ushtrive dhe të bëhet mësues i të gjithëve që banojnë në tokë.

7 1 O ju miq shpirtërorë të ‘Abdu’l-Baháit! Një lajmëtar i besuar ka arritur dhe ka shpërndarë në botën e shpirtit një mesazh nga të dashurit e Perëndisë. Ky korrier i mbarë është afshi i zjarrit të madh dhe i flladeve jetëdhënës të dashurisë së Perëndisë. Ai e bën zemrën të hidhet nga gëzimi dhe e mbush shpirtin me çmenduri dashurie dhe ngazëllimi. Lavdia e Unitetit Hyjnor ka depërtuar aq thellë në shpirtrat e zemrat sa që të gjithë janë lidhur tani me fije qiellore dhe janë njësoj si një zemër e vetme, një shpirt i vetëm. Prandaj reflekset e shpirtit dhe mbresat e Hyjnisë tani pasqyrohen qartë dhe saktë në thellësi të thelbit të zemrës. I lutem Perëndisë t’i forcojë këto lidhje shpirtërore ditë për ditë dhe ta bëjë këtë njësi mistike të shkëlqejë përherë e më shumë, deri sa më në fund të gjithë të jenë si trupat që marshojnë së bashku nën flamurin e Besëlidhjes, nën hijen mbrojtëse të Fjalës së Perëndisë; që ata të përpiqen me gjithë fuqinë e tyre deri sa shoqëria universale, e ngushtë dhe e ngrohtë, dashuria e pastër dhe marrëdhëniet shpirtërore t’i lidhin gjithë zemrat në botë. Atëherë do të mblidhet gjithë njerëzimi, për shkak të kësaj bujarie të gjallë e verbuese, në një atdhe të vetëm. Atëherë, do të zhduken nga faqja e dheut konfliktet dhe mosmarrëveshjet, atëherë njerëzimi do të përkundet në dashurinë për bukurinë e Lavdiplotit. Mosmarrëveshja do të bëhet marrëveshje dhe përçarja harmoni. Rrënjët e keqdashjes do të shkulen, bazat e agresionit do të jenë shkatërruar. Rrezet e shkëlqyera të bashkimit do të shpërndajnë errësirën e kufizimeve dhe shkëlqimet e qiellit do ta bëjnë zemrën njerëzore të jetë si një minierë shumë e pasur me dashurinë e Perëndisë.
2 O ju të dashuruarit e Zotit! Kjo është ora kur ju duhet të lidheni me gjithë popujt e tokës me dashamirësi e dashuri të pakufishme, të jeni për ta shenjat e simbolet e mëshirës së madhe të Perëndisë. Ju duhet të bëheni vetë shpirti i botës, shpirt i gjallë në trupin e fëmijëve të njerëzimit. Në këtë Epokë të mrekullueshme, në këtë kohë kur Bukuria e Lashtë, Emri më i Madh, duke sjellë dhurata të panumërta, është ngritur mbi horizontin e botës, Fjala e Perëndisë ka injektuar kaq forcë të madhe në thelbin më të qenësishëm të njerëzimit, Ai i ka zhveshur cilësitë njerëzore të njerëzve nga gjithë efektet dhe ka unifikuar popujt me fuqinë e Tij gjithë-pushtuese, në detin e paanë të njëshmërisë.
3 Tani është koha që të dashurit e Perëndisë të ngrenë lart flamujt e unitetit, të këndojnë në kuvendet e botës vargëzimet e miqësisë e dashurisë dhe t’u tregojnë të gjithëve se hiri i Perëndisë është një. Kështu do të ngrihen tabernakujt e shenjtërisë mbi majat e tokës, duke mbledhur të gjithë njerëzit nën hijen mbrojtëse të Fjalës së Njëshmërisë. Kjo dhuratë e madhe do të agojë mbi botë në kohën kur të dashurit e Perëndisë do të ngrihen për të përmbushur Mësimet e Tij dhe të përhapin an’ e kënd aromat e freskëta e të këndshme të dashurisë universale.
4 Në çdo dispensacion ka ekzistuar urdhërimi i shoqërisë dhe i dashurisë, por ishte një urdhërim i kufizuar ndaj komunitetit të atyre që ishin në një marrëveshje reciproke, jo ndaj kundërshtarëve disidentë. Megjithatë, në këtë epokë të mahnitshme, lëvduar qoftë Perëndia, urdhërimet e Perëndisë nuk janë të kufizuara, nuk janë shtrënguese për ndonjë grup njerëzish, përkundrazi gjithë njerëzit janë urdhëruar të tregojnë miqësi e dashuri, konsideratë e zemërgjerësi, dashamirësi të përzemërt për çdo komunitet mbi tokë. Tani duhet të ngrihen të dashurit e Perëndisë për të përmbushur këto udhëzime të Tij: le të jenë ata baballarë të mirë për fëmijët e racës njerëzore, vëllezër përdëllimtar ndaj të rinjve, pinjollë vetëmohues ndaj atyre që i kanë përkulur vitet. Kjo do të thotë që ju duhet të tregoni ndjeshmëri dhe dashuri ndaj qenies njerëzore, bile edhe ndaj armiqve tuaj, t’i mirëprisni të gjithë me miqësi të pastër, buzagaz dhe përzemërsisht. Kur të ndeshni nga duart e ndonjërit mizori dhe persekutim, keni besim tek ai; kur keqdashja drejtohet në udhën tuaj, përgjigjuni me zemër miqësore. Nxirrni gjokset tuaja ndaj shtizave e shigjetave që breshërojnë mbi ju, si një objektiv të qartë-pasqyrë; dhe në përgjigje ndaj mallkimeve, përqeshjeve dhe fjalëve lënduese tregoni dashurinë e begatë. Në këtë mënyrë të gjithë popujt do të dëshmojnë fuqinë e Emrit Më të Madh, çdo komb do të njohë forcën e Bukurisë së Lashtë e do të shikojë se si Ai ka përmbysur muret e mosmarrëveshjeve dhe se si Ai ka drejtuar me siguri gjithë popujt e tokës drejt njëshmërisë; se si Ai ka ndriçuar botën e njeriut dhe e ka bërë këtë tokë pluhuri të dërgojë tufa drite.
5 Këto krijesa njerëzore janë si fëmijët, ata janë çamarrokë dhe të pa shqetësuar. Këta fëmijë duhet të rrethohen me një kujdes të pafund, të përzemërt e të ushqehen ëmbëlsisht në krahët e mëshirës, që ata të shijojnë ëmbëlsinë-mjaltë të dashurisë së Perëndisë; që ata të bëhen si qirinjtë që derdhin dritën e tyre përmes kësaj bote sterrë dhe të kuptojnë qartë se çfarë kurorash flakëruese lavdie ka vënë mbi ballin e të shtrenjtit të Tij, Emri Më i Madh, Bukuria e Lashtë, çfarë dhuratash ka dhënë Ai në zemrat e atyre që i ka të shtrenjtë, çfarë dashurie ka ngulitur Ai në gjoksin e njerëzimit dhe çfarë thesare miqësie ka bërë Ai të shfaqen mes gjithë njerëzve.

6 O Perëndi, Perëndia im! Ndihmoji shërbëtorët e Tu besnikë të kenë zemra të dashura dhe të mira. Ndihmoji ata të përhapin mes gjithë kombeve të botës dritën e udhërrëfimit që vjen nga Kompania e epërme. Me të vërtetë, Ti je i Forti, i Fuqishmi, i Madhi, Gjithnënshtruesi, Gjithmonë-Dhënësi. Me të vërtetë Ti je Zemërgjeri, Njerëzori, i Buti, Më Bujari.

8 1 O ju të shtrenjtit e ‘Abdu’l-Baháit dhe ju shërbëtore të Mëshirëplotit! Është mëngjes herët dhe erërat ripërtëritëse të Parajsës Abhá po fryjnë mbi gjithë krijimin, por ato mund të trazojnë vetëm të dëlirët në zemër dhe vetëm ndjenja e pastër mund të zbulojë aromën e tyre. Vetëm një sy që kupton sheh rrezet e diellit; vetëm një vesh që dëgjon mund të dëgjojë këngën e Tubimit të epërm. Megjithëse shirat e bollshme të pranverës, blatimet e Qiellit janë derdhur mbi të gjitha gjërat, ato mund ta bëjnë pjellore vetëm tokën e mirë; ato nuk e duan tokën e kripur, ku nuk mund të tregohen gjithë rezultatet e bujarisë.
2 Sot, flladet e kadifenjta dhe të shenjta të Mbretërisë Abhá po kalojnë mbi çdo vend, por vetëm të dëlirët në zemër afrohen dhe përfitojnë të mira prej tyre. Shpresa e këtij shpirti të munduar është se ata që nuk çajnë kokën mund të kthjellohen nga hiri i Vetekzistentit dhe me fuqinë e manifestuar të Fjalës së Perëndisë të mund të kuptojnë këto aroma të këndshme të cilat fryjnë nga shtretër trëndafilash sekretë të shpirtit.
3 O ju miq të Perëndisë! Miqtë e vërtetë janë si doktorët e zot dhe Mësimet e Perëndisë janë si balsami shërues, balsam për vetëdijen e njeriut. Ata kthjellojnë kokën, që njeriu të mund të thithë e të kënaqet me aromat e tyre të këndshme. Ata zgjojnë të fjeturit. Ata u sjellin të pakujdesshmëve kujdes, të flakurve hisen e tyre dhe të pashpresëve shpresë.
4 Në qoftë se në këtë ditë një shpirt vepron sipas porosive e këshillave të Perëndisë, ai do të shërbejë si një mjek hyjnor për njerëzimin dhe, ashtu si boria e Isráfilit16, do t’i sjellë në jetë të vdekurit e kësaj bote të përkohshme; sepse konfirmimet e Mbretërisë Abhá nuk ndërpriten kurrë dhe një shpirt i tillë i virtytshëm ka ndihmën e sigurt mirëdashëse të Grupimit qiellor. Kështu një mizë e mjerë shndërrohet në një shqiponjë në kulmin e forcës, dhe një trumcak i dobët bëhet fajkua mbretëror në majat e lavdisë së lashtë.
5 Prandaj, mos shiko shkallën e kapacitetit tënd, mos pyet nëse je i denjë për një detyrë: vari shpresat e tua në ndihmën dhe dashamirësinë e përzemërt, në favoret dhe blatimet e Bahá’u’lláhut – dhënça shpirtin tim për miqtë e Tij! Nxitoni mbi kalin e epërm për t’u përpjekur në fushën e flijimit dhe merrni prej kësaj arene të gjerë çmimin e hirit hyjnor.
6 O ju shërbëtore të Zotit mëshirëplotë! Sa mbretëresha të kësaj bote i vunë kokat e tyre mbi jastëk pluhuri dhe u zhdukën. Prej tyre nuk mbeti as fryt, as gjurmë, as shenjë, bile as edhe emrat. Për to nuk ka më blatime; ato nuk kujtohen hiç. Nuk ndodh kështu me shërbëtoret që punojnë në Pragun e Perëndisë; ato kanë ndriçuar si yje vezullues në qiejt e lavdisë së lashtë, duke derdhur shkëlqimet e tyre mbi gjithë kufijtë kohorë. Ato kanë përmbushur shpresat e tyre më të shtrenjta në Parajsën Abhá; ato kanë shijuar mjaltin e ribashkimit në grigjën e Zotit. Shpirtra të tillë si këta përfitojnë nga ekzistenca e tyre këtu mbi tokë: ata këputin frytin e jetës. Sa për të tjerët, ‘Sigurisht do të vijë një kohë kur për ta askush nuk ka për të folur.’
7 O ju të dashurit e këtij të munduari! Pastroni sytë, që të mos shihni njeri ndryshe nga vetja. Mos i shihni të huaj, por i shihni gjithë njerëzit si miq, sepse dashuria dhe uniteti zor se vijnë kur ju e ngulni vështrimin mbi ndryshimin. Dhe në këtë epokë të re e të mahnitshme, Shkrimet e Shenjta thonë se ne duhet të jemi një me gjithë njerëzit; se ne nuk duhet t’i hedhim sytë as ashpërsisë, as padrejtësisë, as dashakeqësisë, as armiqësisë, as urrejtjes, por t’i kthejmë sytë drejt qiellit të lavdisë së lashtë. Sepse për secilën nga krijesat ekziston një shenjë e Perëndisë dhe secila ecën në botë prej hirit të Perëndisë e prej fuqisë së Tij, prandaj ato nuk janë të huaja, por një familje, jo të ardhur, por miq, ndaj të trajtohen si të tillë.
8 Prandaj të dashurit e Perëndisë duhet të lidhen në shoqëri të mirë njësoj si me të huaj edhe me miq, duke treguar ndaj të gjithëve përzemërsinë më të madhe, pa marrë parasysh shkallën e kapacitetit të tyre, pa pyetur kurrë nëse ata e meritojnë të duhen. Le të konsiderohen miq në çdo hap dhe pambarimisht të mirë. Le të mos pësojnë ata kurrë humbje prej së keqes së njerëzve, prej agresionit dhe urrejtjes së tyre, pavarësisht sa të thella janë këto. Nëse të tjerët ngrenë shigjetat kundër jush, jepuni si përgjigje qumësht dhe mjaltë, nëse ata u farmakosin jetën, ëmbëlsoni shpirtrat e tyre, nëse ata u lëndojnë, mësojeni si të ngushëllohen, nëse u shkaktojnë plagë, bëhuni balsam për plagët e tyre, nëse u djegin, mbani për buzët e tyre një kupë freskuese.
9 O Perëndi, Perëndia im! Këta janë shërbëtorët e Tu të dobët; ata janë bujkrobërit dhe shërbëtoret e Tua besnike, që janë përulur para Fjalës Tënde të shkëlqyer, janë përulur në Pragun Tënd të dritës dhe sjellin dëshmi për njëshmërinë Tënde nëpërmjet së cilës Dielli është bërë të ndriçojë me shkëlqim të plotë. Ata kanë dëgjuar thirrjet që ke ngritur Ti prej Mbretërisë Tënde të fshehur dhe me zemrat që u dridhen nga dashuria e ngazëllimi i janë përgjigjur thirrjes Tënde.
10 O Zot, derdh mbi ta vërshimet e mëshirës Tënde, lësho mbi ta gjithë ujërat e hirit Tënd. Bëji të rriten si pemë të bukura në kopshtin e qiellit dhe prej reve të blatimeve të Tua, që janë mbushur plot, prej pellgjeve të thella të hirit Tënd të bollshëm, bëje këtë kopsht të lulëzojë, mbaje atë gjithnjë të blertë dhe të shndritshëm, gjithnjë të freskët, vezullues dhe të çelur.
11 Ti je, me të vërtetë, i Madhi, i Lartësuari, i Fuqishmi, Ai Që në qiej e mbi tokë i vetmi mbetesh i pandryshuar. Nuk ka Perëndi tjetër, përveç Teje, Zoti i simboleve dhe shenjave të manifestuara.

9 1 O ti që ke mbushur zemrën me dashuri për Zotin! Të drejtohem nga ky vend i shenjtëruar, të kënaq shpirtin tënd me letrën time për ty, sepse kjo është një letër e tillë që i jep krahë zemrës së atij që beson në njëshmërinë e Perëndisë, për të fluturuar drejt majave të haresë.
2 Falëndero Perëndinë që të bëri të zot të hysh në Mbretërinë e Tij të fuqisë. Së shpejti bujaritë e Zotit do të zbresin mbi ty njëra pas tjetrës dhe Ai do të bëjë prej teje një shenjë për çdo kërkues të së vërtetës.
3 Mbahu fort pas Besëlidhjes së Zotit tënd e, ndërsa ditët kalojnë, shtoje madhësinë e dashurisë për të shtrenjtit e Tij. Përkulu me dashuri ndaj shërbëtorëve të Mëshirëplotit, që të ngresh velën e dashurisë mbi arkën e paqes që lëviz përmes deteve të jetës. Le të mos të të hidhërojë asgjë dhe mos u zëmërofsh me asnjëri. Është detyra tënde të kënaqesh me Vullnetin e Perëndisë dhe të jesh një mik i vërtetë, i dashur e besnik ndaj gjithë njerëzve të dheut, pa kurrfarë përjashtimi. Kjo është cilësia e të sinqertëve, udha e shenjtorëve, emblema e atyre që besojnë në unitetin e Perëndisë dhe veshja e njerëzve të Baháit.
4 Falëndero dhe beko Perëndinë se Ai të ka lejuar t’i ofrosh Atij të Drejtën e Perëndisë.17 Kjo në të vërtetë është për ty një favor i veçantë nga ana e Tij; lavdëroje, pra, Atë për këtë urdhër që është vendosur në Shkrimet e Zotit, prej Tij që është i Lashti i Kohëve.
5 Me të vërtetë Ai është i Dashuri, i miri, Përherë-Dhuruesi.

10 1 O ti shërbëtore e shtrenjtë e Perëndisë! Letrën tënde e mora dhe u njoha me përmbajtjen e saj. Ti pyesje për një rregull me anën e të cilit të drejtosh jetën tënde.
2 Beso në Perëndi dhe mbaji sytë ngulur mbi Mbretërinë e lartësuar; dashurohu pas Bukurisë Abhá; qëndro e vendosur në Besëlidhje; digju për t’u ngjitur në Qiellin e Dritës Universale. Ndaju prej kësaj bote dhe rilind nëpërmjet aromave të këndshme të shenjtërisë që fryjnë nga mbretëria e Më të Lartit. Bëju ftuese ndaj dashurisë dhe e mirë ndaj gjithë racës njerëzore. Duaj fëmijët e njerëzve dhe merr pjesë në hidhërimet e tyre. Ji prej atyre që ushqejnë paqen. Ofro miqësinë tënde, bëju e denjë për besimin. Bëju balsam për çdo plagë, bëju ilaç për çdo të sëmurë. Lidhi shpirtrat së bashku. Recito vargëzimet e udhërrëfimit. Angazhohu në adhurim të Zotit tënd dhe ngrihu për t’i orientuar drejt njerëzit. Zgjidhe gjuhën tënde dhe mëso, le të shkëlqejë fytyra tënde me zjarrin e dashurisë së Perëndisë. Mos pusho për asnjë çast, mos kërko të marrësh frymë lirisht. Në këtë mënyrë ti do të bëhesh shenjë dhe simbol i dashurisë së Perëndisë dhe flamur i hirit të Tij.

11 Shërbimi ndaj miqve është shërbim ndaj mbretërisë së Perëndisë dhe konsiderata e shfaqur ndaj të varfërve është një nga mësimet më të mëdha të Perëndisë.

12 1 Dije me siguri se Dashuria është sekreti i Dispensacionit të shenjtë të Perëndisë, manifestimi i Mëshirëplotit, gurra e vërshimeve shpirtërore. Dashuria është drita e dashur qiellore, fryma e amshuar e Shpirtit të Shenjtë që gjallëron shpirtin njerëzor. Dashuria është shkaku i revelacionit të Perëndisë ndaj njeriut, lidhja vitale e qenësishme, në përputhje me krijimin hyjnor, në realitetin e gjërave. Dashuria është i vetmi mjet, që garanton lumturinë e vërtetë si në këtë botë edhe në tjetrën. Dashuria është drita që të drejton në errësirë, lidhja e gjallë që bashkon Perëndinë me njeriun, që siguron progresin e çdo shpirti të ndriçuar. Dashuria është ligji më i madh që sundon këtë cikël të madh dhe qiellor, fuqia unike që lidh së bashku elementët e ndryshëm të kësaj bote materiale, forca supreme tërheqëse që drejton lëvizjet e sferave në mbretëritë qiellore. Dashuria zbulon me fuqi të vërtetë e të pakufizuar misteret e fshehura në univers. Dashuria është shpirti i jetës për trupin e adhuruar të njerëzimit, krijuesi i qytetërimit të vërtetë në këtë botë të vdekshme dhe derdhësi i lavdisë së pavdekshme mbi çdo racë e komb që synon lart.
2 Çdo popull që favorizohet me hir prej Perëndisë, emri i tij sigurisht që do të madhërohet dhe lavdërohet prej Tubimit të epërm, nga shoqëria e engjëjve dhe nga banorët e Mbretërisë Abhá. Dhe çdo popull që largon zemrën prej kësaj Dashurie Hyjnore, prej revelacionit të Mëshirëplotit, do të gabojë keq, do të bjerë në dëshpërim dhe do të shkatërrohet krejtësisht. Atij populli do t’i mohohet mbrojtja, do të bëhet si krijesat më të papëlqyeshme të tokës, viktimë e degradimit dhe e turpit.
3 O ju të shtrenjtit e Zotit! Përpiquni të bëheni manifestimet e dashurisë së Perëndisë, dritat e udhërrëfimit hyjnor që ndriçojnë mes fiseve të dheut me dritën e dashurisë dhe të harmonisë.
4 Përshëndetje për reveluesit e kësaj drite të Lavdishme!

13 1 O ti bijë e Mbretërisë! Letrën tënde të 5 Dhjetorit 1918 e mora. Ajo sjell lajmin e mirë që miqtë e Perëndisë dhe shërbëtoret e Mëshirëplotit ishin mbledhur në verë në Green Akre, janë angazhuar ditë e natë në përkujtim të Perëndisë, i kanë shërbyer njëshmërisë së botës njerëzore, kanë shfaqur dashuri ndaj të gjitha feve, kanë qëndruar larg çdo paragjykimi fetar dhe kanë qenë të dashur me të gjithë njerëzit. Fetë hyjnore duhet të jenë burim i njëshmërisë mes njerëzve, mjete të unitetit dhe dashurisë; ato duhet të shpallin paqen universale, njeriun e lirë nga çdo paragjykim, dhënien e gëzimit e të kënaqësisë, ushtrimin e mirësisë ndaj të gjithë njerëzve dhe largimin prej çdo ndryshimi e dallimi. Pikërisht siç thotë Bahá’u’lláhu kur i drejtohet botës njerëzore: ‘O njerëz! Ju jeni frutat e një peme dhe fletët e një dege.’ Për këtë arsye disa shpirtra që janë të paditur duhen edukuar; disa që janë të sëmurë duhen shëruar; disa që akoma janë në moshë të njomë duhen ndihmuar të arrijnë pjekurinë dhe ndaj tyre të tregohet mirësia maksimale. Kjo është sjellja e njerëzve të Baháit.
2 Shpresoj që vëllezërit dhe motrat e tua do të bëhen të gjithë dashamirësit e botës njerëzore.

14 1 O ju dy shpirtra të bekuar! Letrat e tua i mora. Ato tregojnë se ju keni hetuar të vërtetën dhe keni qenë të çliruar nga imitimet dhe besëtytnitë, se ju keni vëzhguar me sytë tuaj dhe jo me ato të të tjerëve, keni dëgjuar me veshët tuaj dhe jo me ato të të tjerëve, keni zbuluar misteret me ndihmën e vetëdijes suaj dhe jo me atë të të tjerëve. Sepse imituesi thotë që një njeri kaq ka parë, një njeri kaq ka dëgjuar dhe një vetëdije kaq ka zbuluar; me fjalë të tjera, ai varet nga shikimi, dëgjimi dhe vetëdija e të tjerëve dhe nuk ka vullnet të tijin.
2 Tani, lëvduar qoftë Perëndia, ju keni treguar fuqi-vullneti dhe jeni kthyer ndaj Diellit të së Vërtetës. Fusha e zemrave tuaja është ndriçuar me dritat e Zotit të Mbretërisë dhe ju jeni drejtuar në rrugë të drejtë, keni marshuar gjatë rrugës që të çon drejt Mbretërisë, keni hyrë në Parajsën Abhá, keni siguruar hise dhe pjesë prej frytit të Pemës së Jetës.
3 Qofshi të bekuar dhe ju pret një shtëpi e bukur. Qofshin mbi ju përshëndetjet dhe lavdërimet.

15 1 O rob i dashurisë së Perëndisë! Letrën që shkrove në kohën e largimit tënde mora. Ajo më gëzoi dhe shpresoj që syri yt i brendshëm të hapet plotësisht, që të zbulohet para teje vetë bërthama e mistereve hyjnore.
2 Ti e fillon letrën me një frazë të bekuar, duke thënë: ‘Unë jam i krishterë.’ O sikur të ishin të gjithë të krishterë të vërtetë! Është lehtë të jesh i krishterë me llafe, por është e vështirë të jesh i krishterë i vërtetë. Sot rreth pesëqind milion shpirtra janë të krishterë, por i krishteri i vërtetë është shumë i rrallë: ai është shpirti prej fytyrës së hijshme të të cilit ndriçon shkëlqimi i Krishtit dhe që tregon përsosmëritë e Mbretërisë; kjo është një çështje e një momenti të madh, sepse të jesh i krishterë do të thotë të mishërosh çdo shkëlqim që ka ai. Unë shpresoj që ti, gjithashtu, do të bëhesh një i krishterë i vërtetë. Lavdëro Perëndinë që më në fund, përmes mësimeve hyjnore, ti ke siguruar vështrimin dhe vizionin në shkallën më të lartë, je rrënjosur me vendosmëri në siguri dhe besim. Shpresoj se edhe të tjerët do të arrijnë të kenë sy të shndritshëm, veshë të mprehtë dhe jetën e amshuar: se këta lumenj të shumtë, që rrjedhin secili në shtretër të ndryshëm e të veçantë, do të gjejnë udhën e tyre përsëri drejt detit rrethues, do të shkrihen së bashku dhe do të ngrihen në një valë të vetme të njëshmërisë që ngre dallgë; se uniteti i së vërtetës, përmes fuqisë së Perëndisë, do t’i bëjë të zhduken këto ndryshime të rreme. Ky është thelbi i vetëm: sepse nëse fitohet uniteti, të gjitha problemet e tjera do të zhduken.
3 O zonjë e nderuar! Në përputhje me mësimet hyjnore, në këtë Dispensacion të lavdishëm ne nuk duhet të nënvleftësojmë asnjeri dhe të mos e quajmë atë injorant duke i thënë: “Ti nuk di, kurse unë di”. Përkundrazi, ne duhet t’i shohim të tjerët me respekt dhe, kur përpiqemi të shpjegojmë e të provojmë diçka, duhet të flasim sikur jemi duke hetuar të vërtetën, duke thënë: “Ja, këto fakte kemi përpara. Le t’i shqyrtojmë që të vendosim se ku e në ç’formë mund të gjendet e vërteta”. Mësuesi nuk duhet ta konsiderojë veten njeri të mësuar dhe të tjerët injorantë. Një mendim i tillë ngjall kryelartësi dhe kryelartësia nuk sjell ndikim. Mësuesi nuk duhet ta shohë veten si superior; ai duhet të flasë me dashamirësinë më të madhe, me përunjësi e thjeshtësi, sepse kjo mënyrë të foluri ushtron ndikim dhe edukon shpirtrat.
4 O zonjë e nderuar! Profetët, secili dhe të gjithë, u dërguan në tokë për një qëllim të vetëm; për atë Krishti u bë manifest, për atë Bahá’u’lláhu ngriti thirrjen e Zotit: se bota e njeriut duhet të bëhet botë e Perëndisë, kjo sferë e ulët - Mbretëri, kjo errësirë - dritë, kjo egërsi satanike - gjithë virtytet e qiellit dhe uniteti, shoqëria dhe dashuria të fitohen për tërë racën njerëzore, që uniteti organik të rishfaqet dhe bazat e mosmarrëveshjeve të shkatërrohen, që jeta e amshuar dhe hiri i përjetshëm të bëhen të korrat e njerëzimit.
5 O zonjë e nderuar! Shiko rreth teje në botë: ja - uniteti, tërheqja reciproke, mbledhja së bashku sjellin jetë, kurse përçarja dhe mungesa e harmonisë ndjellin vdekje. Kur të shqyrtosh gjithë fenomenet, do të shohësh se çdo send i krijuar vjen në jetë nëpërmjet përzierjes së shumë elementëve dhe sapo ky bashkim elementesh zbërthehet dhe kjo harmoni e përbërësve prishet, forma e jetës fshihet.
6 O zonjë e nderuar! Në ciklet e shkuara, megjithëse qe vendosur harmonia, për shkak të mungesës së mjeteve, uniteti i mbarë njerëzimit nuk mund të arrihej. Kontinentet mbetën shumë të ndara, madje edhe midis popujve të të njëjtit kontinent afrimi e shkëmbimi i mendimeve ishin gati të pamundura. Për rrjedhojë, lidhjet, mirëkuptimi dhe uniteti midis të gjithë popujve e fiseve të tokës ishin të paarritshme. Por sot mjetet e komunikimit janë shumëfishuar dhe të pesë kontinentet e tokës praktikisht janë shkrirë në një.... Po kështu të gjithë pjesëtarët e familjes njerëzore, qofshin popuj ose qeveri, qytete ose fshatra, janë bërë gjithnjë e më të ndërvarura. Vetmjaftueshmëria nuk është më e mundur për askënd, duke qenë se lidhje politike bashkojnë të gjithë popujt e të gjitha kombet, dhe lidhjet e tregtisë e të industrisë, të bujqësisë e të arsimit po forcohen çdo ditë. Kështu, pra, bashkimi i mbarë gjinisë njerëzore mund të arrihet në këtë kohë. Me të vërtetë, kjo është një nga çuditë e kësaj epoke të mahnitshme, të këtij shekulli të lavdishëm. Epokat e kaluara kanë qenë të privuara nga kjo, sepse ky shekull - shekulli i dritës - është i pajisur me lavdi, fuqi e ndriçim, unikale e të pashembullta. E që këtej, shpalosja e mrekullueshme e një çudie të re çdo ditë. Me kohë do të shihet se me sa shkëlqim do të ndriçojnë qirinjtë e tij midis të gjithë njerëzve.
7 Shikoni se si drita po agon tani mbi horizontin e errësuar të botës. Qiriu i parë është uniteti në sferën politike, vezullimet e të cilit tani mund të dallohen. Qiriu i dytë është uniteti i mendimit në veprimtaritë botërore, arritja e të cilit së shpejti do të dëshmohet. Qiriu i tretë është uniteti në liri, i cili me siguri do të vijë. Qiriu i katërt është uniteti në fe, i cili është guri i qoshes i vetë themelit dhe që, me fuqinë e Perëndisë, do të shfaqet me të gjithë shkëlqimin e vet. Qiriu i pestë është uniteti i kombeve - një unitet që në këtë shekull me siguri do të vendoset, duke bërë që të gjithë njerëzit e botës ta shikojnë veten si qytetarë të të njëjtit atdhe. Qiriu i gjashtë është uniteti i racave, duke i bërë të gjithë ata që banojnë mbi tokë popuj e fise të një race. Qiriu i shtatë është uniteti i gjuhës, dmth zgjedhja e një gjuhe universale, në të cilën do të shkollohen e do të flasin të gjithë popujt. Secili prej këtyre do të ndodhë në mënyrë të pashmangshme, sepse fuqia e Mbretërisë së Perëndisë do të ndihmojë në realizimin e tyre.

16 1 O ju të dashurit e shkëlqyer dhe ju shërbëtore të Mëshirëplotit! Kur nata e errët e padijes, e mospërfilljes së botës hyjnore, e qenies mbuluar nga Perëndia, kishte mbuluar dheun, një mëngjes i shkëlqyer agoi dhe një dritë që lindi ndriçoi qiellin lindor. Atëherë lindi Dielli i së Vërtetës dhe shkëlqimet e Mbretërisë u derdhën mbi lindjen dhe perëndimin. Ata që kishin sy për të parë u gëzuan me lajmet e gëzuara dhe klithën: ‘O të bekuar, të bekuar jemi ne!’ dhe dëshmuan realitetin e brendshëm të të gjitha gjërave, dhe zbuluan misteret e Mbretërisë. Të çliruar prej dyshimeve dhe fantazive të tyre, ata panë dritën e së vërtetës dhe erdhën aq në qejf nga tharja e kupës së dashurisë së Perëndisë sa e harruan botën dhe veten e tyre. Duke vallëzuar me hare, nxituan drejt vendit të martirizimit të tyre dhe atje, ku njerëzit vdesin nga dashuria, i flakën tej kokat e zemrat e tyre.
2 Por ata me sy, që nuk shohin, u mahnitën në këtë potere dhe klithën: ‘Ku është drita?’ dhe përsëri, ‘Ne nuk shohim dritë! Ne nuk shohim diellin që lind! Kjo nuk është e vërtetë. Kjo nuk është veçse fantazi dhe asgjë tjetër.’ Si lakuriqët e natës, ata fluturuan në errësirën nëntokësore dhe atje, sipas mendjes së tyre, gjetën një farë sigurie dhe paqe.
3 Megjithatë, ky është vetëm fillimi i agimit dhe nxehtësia e Syrit të së Vërtetës që lind nuk është akoma në kulmin e fuqisë së saj. Sapo dielli të jetë ngjitur në zenit, zjarret e tij do të djegin aq shumë sa do të tronditin edhe gjërat e fjetura nën tokë dhe, megjithëse nuk u përket atyre të shohin dritën, ata të gjithë do të përfshihen nga emocione të forta prej ndikimit të nxehtësisë.
4 Prandaj, o ju të shtrenjtët e Perëndisë, jepni falënderime që, në ditën e agimit, keni kthyer fytyrat tuaja nga Drita e Botës dhe keni parë shkëlqimet e saj. Ju keni marrë një pjesë të dritës së të vërtetës, ju keni gëzuar një hise prej këtyre bekimeve që mbeten përherë; dhe prandaj, si përgjigje ndaj falënderimeve për këtë bujari, mos pushoni për asnjë moment, mos rrini të heshtur, çojuni njerëzve në vesh lajmet e gëzuara të Mbretërisë, shpërndajeni an’ e kënd Fjalën e Perëndisë.
5 Vepro në përputhje me këshillat e Zotit: kjo do të thotë, të ngrihesh me aq urtësi dhe me aq cilësi, sa të pajisësh trupin e kësaj bote me shpirt të gjallë dhe ta çosh këtë fëmijë të vogël, njerëzimin, në shkallën e pjekurisë. Me aq sa ke mundësi, ndiz një qiri të dashurisë në çdo takim dhe me ëmbëlsi gëzo e lumturo çdo zemër. Kujdesu për të panjohurin si për njeriun tënd e trego ndaj shpirtrave të huaj po atë mirësi të përzemërt që ke për miqtë e tu besnikë. Nëse dikush vjen për t’u grindur me ty, kërko të bëhesh mik me të, nëse dikush të plagos në zemër, bëju melhem shërues për plagët e tij e nëse dikush tallet e të përqesh, piqe atë me dashuri. Nëse dikush të ngarkon fajin e tij, lavdëroje atë, nëse ai të ofron helmin vdekjeprurës, jepi si shkëmbim mjaltin më të zgjedhur e nëse ai kërcënon jetën tënde, jepi një ilaç që do ta shërojë atë përgjithmonë. Në pastë dhimbje, bëju mjekimi i tij, në u bëftë ferrë, bëju trëndafil dhe bari më i ëmbël për të. Ndoshta mënyra dhe fjalë të tilla do ta bëjnë më në fund të shkëlqyer këtë botë të errët, do ta bëjnë qiellore këtë tokë pluhuri, do ta bëjnë pallat mbretëror të Zotit këtë burg djallëzor që lufta dhe grindjet të tejkalohen dhe të mos ekzistojnë më, ndërsa dashuria dhe besimi të ngrenë tendat e tyre mbi majat e botës. I tillë është thelbi i këshillave të Perëndisë; të tilla janë në esencë mësimet e Dispensacionit të Baháit.

17 1 O ju që jeni të zgjedhurit e Mbretërisë Abhá! Lavdëroni Zotin e Ushtrive se Ai, duke kalëruar përmbi re, ka zbritur tek kjo botë prej qiellit të mbretërisë së padukshme, prandaj Lindja e Perëndimi u ndriçuan nga lavdia e Diellit të së Vërtetës, thirrja e Mbretërisë u ngrit dhe lajmëtarët e mbretërisë së sipërme, me meloditë e Tubimit të epërm, kënduan sihariqin e gëzuar të të Ardhurit. Atëherë e tërë bota e qenies u drithërua nga gëzimi dhe njerëzit, siç tha Mesia, akoma flinin: sepse ditën e Manifestimit, kur zbriti Zoti i Ushtrive, i gjeti ata të mbështjellë në gjumin e padijes. Siç thotë Ai në Ungjill, ardhja ime është si të vijë hajduti në shtëpi dhe i zoti i shtëpisë të mos e shohë.
2 Ai u ka zgjedhur ju mes gjithë njerëzimit, sytë tuaj janë hapur për dritën e udhërrëfimit dhe veshët janë akorduar për muzikën e Kompanisë së epërme e të bekuar nga hiri i tij i begatë, zemrat e shpirtrat tuaj janë lindur për jetë të re. Falënderoni dhe lavdëroni Perëndinë që dora e blatimeve pa mbarim ka vënë përmbi kokën tuaj këtë kurorë me sumbulla xhevahiri, këtë kurorë, margaritarët e shkëlqyer të së cilës do të vezullojnë e shkëndijojnë përgjithmonë gjithë horizontet e kohës.
3 Për të falënderuar Atë për këtë bëni përpjekje të mëdha dhe zgjidhni për veten një qëllim fisnik. Me fuqinë e besimit, binduni ndaj mësimeve të Perëndisë dhe le të përputhen veprimet tuaja me ligjet e Tij. Lexoni Fjalët e Fshehura, peshoni kuptimin e brendshëm të tyre, veproni në pajtim me to. Lexoni me vëmendje të madhe Tabelat e Tarazatit (Zbukurimet), Kalematit (Fjalët e Parajsës), Taxhallijatit (Rrëzëllimet), Ishraqatit (Shkëlqimet), Besharatit (Lajmet e Gëzuara) dhe ngrihuni siç urdhëroheni nga mësimet qiellore. Në këtë mënyrë, secili prej jush qoftë si një qiri që flakëron dritën e tij, qoftë si qendra e vëmendjes kudo ku njerëzit mblidhen së bashku; dhe prej jush, si prej një shtrati lulesh, të shpërndahen aroma të këndshme.
4 Ngrini poteren si një det që gulçon, si një re bujare derdhni poshtë hirin e qiellit. Ngrini zërat dhe këndoni këngët e Mbretërisë Abhá. Shuani zjarret e luftës, ngrini lart flamujt e paqes, punoni për njëshmërinë e njerëzimit dhe kujtoni që feja është shtrati i dashurisë për gjithë popujt. Dijeni se fëmijët e njerëzve janë dele të Perëndisë dhe Ai Bariu i tyre i dashur, se Ai kujdeset përzemërsisht për gjithë delet e Tij dhe i bën ato të kullosin në kullotat e Tij të blerta plot hir dhe u jep të pinë prej burimit të jetës. E tillë është udha e Zotit. Të tilla janë blatimet e Tij. Nga mësimet e Tij, i tillë është parimi i njëshmërisë së njerëzimit.
5 Portat e bekimeve të Tij janë hapur kat më kat, shenjat e Tij janë përhapur gjerësisht dhe lavdia e së vërtetës po flakëron përpara, ndërsa bekimet janë të pashtershme. Njiheni vlerën e kësaj kohe. Përpiquni me gjithë zemër, ngrini zërin dhe bërtisni derisa kjo botë sterrë të mbushet me dritë, ky vend i ngushtë hijesh të zgjerohet, kjo kapicë pluhuri e një momenti fluturak të bëhet pasqyrë për kopshtet e amshuara të qiellit dhe ky glob dheu të marrë pjesën e tij të hirit hyjnor.
6 Atëherë agresioni do të dërrmohet, çdo gjë që sjell përçarjen do të shkatërrohet, struktura e njëshmërisë do të ngrihet, që Pema e Bekuar të hedhë hijen e saj përmbi lindjen e perëndimin, Tabernakulli i unitetit të njeriut do të vendoset mbi majat e larta, flamujt që simbolizojnë dashurinë dhe miqësinë do të valëviten prej shtizave të tyre rreth botës deri sa deti i së vërtetës të ngrejë valët e tij, toka të sjellë trëndafilat e lulet erëmira të bekimeve pa fund dhe Parajsa Abhá të shtrihet pol më pol.
7 Këto janë këshillat e ‘Abdu’l-Baháit. Unë shpresoj se prej blatimeve të Zotit të Ushtrive ju do të bëheni thelbi shpirtëror dhe rrezatimi i thellë i njerëzimit, duke i lidhur zemrat e të gjithëve me fijet e dashurisë, se nëpërmjet fuqisë së Fjalës së Perëndisë ju do të sillni në jetë të vdekurit tashmë të mbuluar në varret e dëshirave të tyre epshore, se ju, me rrezet e Diellit të së Vërtetës, do t’u riktheni shikimin atyre që e kanë të verbër syrin e brendshëm, se ju do të sillni shërim shpirtëror për të sëmurët nga shpirti. Këto gjëra i shpresoj prej bujarive dhe blatimeve të të Shtrenjtit.
8 Gjatë gjithë kohës unë flas për ju dhe u kam në mendje. I lutem Zotit dhe me lot i përgjërohem Atij të derdhë përmbi ju gjithë këto bekime, të kënaqë zemrat tuaja, të lumturojë shpirtrat tuaj e t’u japë gëzim të pamasë dhe kënaqësi qiellore....

9 O Ti Dhurues i dashur! Këta shpirtra kanë dëgjuar thirrjet e Mbretërisë dhe kanë parë mbi lavdinë e Diellit të së Vërtetës. Ata janë ngritur drejt qiejve të freskët të dashurisë; ata janë dashuruar me natyrën Tënde dhe adhurojnë bukurinë Tënde. Ata janë kthyer drejt Teje, duke folur së bashku për Ty, duke kërkuar banesën Tënde dhe duke u djegur për rrëketë e mbretërisë Tënde qiellore.
10 Ti je Dhënësi, Blatuesi, Gjithnjëdashuruesi.

18 1 O ti zotërues i një zemre që sheh! Megjithëse, materialisht, ti je i privuar nga shikimi fizik, lëvduar qoftë Perëndia, ti ke vështrim shpirtëror. Zemra jote sheh dhe shpirti yt dëgjon. Shikimi fizik është subjekt ndaj mijëra sëmundjeve dhe me siguri që përfundimisht do të humbasë. Prandaj atij nuk duhet t’i kushtohet rëndësi. Por shikimi i zemrës është i shndritshëm. Ai shquan dhe zbulon Mbretërinë hyjnore. Ai është i përhershëm dhe i amshuar. Prandaj, lavdëro Perëndinë, që shikimi i zemrës tënde është i shndritshëm dhe dëgjimi i mendjes tënde i mprehtë.
2 Çdo takim që ju keni organizuar, ku ndjeni emocione qiellore, kuptoni realitetin dhe domethënien e gjërave, është si kupa qiellore dhe ata shpirtra janë si yjet vezullues, që ndriçojnë me dritën e udhërrëfimit.
3 Lum shpirti që kërkon mësime qiellore në këtë epokë të shkëlqyer dhe qoftë bekuar zemra që drithërohet e tërhiqet nga dashuria e Perëndisë.

19 1 Lëvduar qoftë Ai, përmes shkëlqimeve të të Cilit flakërojnë toka dhe qiejt, përmes flladeve aromatike të të Cilit fërgëllojnë nga gëzimi kopshtet e shenjtërisë që admirojnë zemrat e të zgjedhurve, Ai Që ka derdhur dritën e Tij dhe ka shkëlqyer fytyrën e kupës së qiellit. Me të vërtetë, atje u dukën yjtë e shndritshëm dhe vezullues, duke xixëlluar, duke ndriçuar dhe duke hedhur rrezet e tyre përmbi horizontin suprem. Hiri dhe shkëlqimi i tyre rrjedh prej bujarive të Mbretërisë Abhá, prandaj, yjet e udhërrëfimit, derdhin dritën e tyre mbi këtë tokë.
2 Lëvduar qoftë Ai Që ka modeluar këtë epokë të re, këtë epokë madhështie, si një paradë e hapur, ku mund të ekspozohen për t’u parë realitetet e të gjitha gjërave. Tani po derdhen poshtë retë e bujarisë dhe dhuratat e Zotit të dashur duken hapur, sepse si bota e dukshme dhe ajo e padukshme, janë ndriçuar, i Premtuari ka ardhur në tokë dhe bukuria e të Adhuruarit ka shkëlqyer përpara.
3 Përshëndetje, bekime dhe mirëseardhje për atë Realitet Universal, atë Fjalë të Përsosur, atë Libër Manifestimi, atë Shkëlqim që ka aguar në qiellin më të epërm, atë Udhërrëfyes të të gjithë kombeve, atë Dritë të botës – oqeani i dallgëzuar i të Cilit ka përmbytur me hir begatie gjithë krijimin, në mënyrë të atillë që valët e tij kanë derdhur mbi rërat e kësaj bote të dukshme perlat e tyre të shkëlqyera. Tani e Vërteta është shfaqur dhe gënjeshtra ka fluturuar tutje, tani dita ka aguar dhe ngazëllimi është i pushtetshëm, prandaj shpirtrat e njerëzve janë shenjtëruar, frymët e tyre janë pastruar, zemrat e tyre janë gëzuar, mendjet janë kthjelluar, mendimet e fshehta janë bërë të dobishme, vetëdija e tyre është qëruar, thelbi i tyre është bërë i shenjtë: se ka ardhur Dita e Ringjalljes dhe blatimet e Zotit, Falësit, kanë përfshirë gjithë gjërat. Përshëndetjet dhe lavdërimet qofshin për këta yje, të shndritshëm e të shkëlqyeshëm, që po lëshojnë poshtë rrezet e tyre nga qielli më i epërm, për këta trupa qiellorë të kurorës zodiake të Mbretërisë Abhá. Lavdia u prehtë mbi ta.
4 Dhe tani, o ti njeri i nderuar që ke dëgjuar Shpalljen Madhështore, ngrihu për t’i shërbyer Kauzës së Perëndisë me forcën e pashtershme të Mbretërisë Abhá dhe me flladet që fryjnë nga shpirti i Kompanisë së epërme. Mos u brengosni nga ato që thonë për Bahánë Farisenjtë dhe ata që mbjellin thashetheme mes njerëzve të shtypit. Sillni ndërmend ditët e Krishtit, të zezat që hoqi Ai prej njerëzve dhe gjithë vuajtjet e mundimet që iu shkaktuan dishepujve të Tij. Përderisa ju jeni dashurues të Bukurisë Abhá, ju, për hir të Tij, duhet të vuani fajin e njerëzve dhe gjithçka që iu bie atyre nga një kohë e mëparshme duhet të bjerë edhe mbi ju. Atëherë fytyrat e të zgjedhurve do të ndriçohen me shkëlqimet e Mbretërisë së Perëndisë dhe do të ndriçojnë epokat, po, gjithë ciklet e kohës, ndërsa mohuesit do të mbeten si mos më keq në manifestin e tyre. Do të bëhet siç thuhet nga Zoti Krisht: ata do t’u persekutojnë ju për hir të emrit Tim.
5 Kujtojuni atyre këto fjalë dhe u thoni: ‘Me të vërtetë, Farisenjtë u ngritën kundër Mesisë, pa marrë parasysh bukurinë e shkëlqyer të fytyrës dhe ëmbëlsinë e Tij, ata klithën që Ai nuk ishte Mesia [Masih], por një përbindësh [Masikh], sepse Ai kishte kërkuar të ishte Perëndia i Plotfuqishëm, Zoti sovran i të gjithëve dhe u tha atyre ‘Unë jam i biri i Perëndisë dhe me të vërtetë në thelbin e qenies së Birit të Tij të vetëm, të Fëmijës së Tij të fuqishëm, zbuluar qartë me të gjitha atributet e Tij, me gjithë përsosmëritë e Tij, qëndron Ati.’ Kjo, thonë ata, sipas teksteve të qarta e të pakundërshtueshme të Dhiatës së Vjetër, është blasfemi e hapur dhe shpifje kundër Zotit. Prandaj ata e dënuan Atë, duke vendosur që të derdhej gjaku i Tij, e mbërthyen Atë në kryq, ku Ai thirri ‘O Zoti Im i shtrenjtë, për sa kohë do të më braktisësh para tyre? Më ngri pranë Teje, më bëj strehë pranë Teje, më bëj strehë nga froni Yt i lavdisë. Me të vërtetë Ti je Përgjigja e lutjeve, Ti je i Buti, Mëshirëploti. O Zoti Im! Me të vërtetë kjo botë kaq e madhe nuk mund të më mbajë më Mua dhe Unë e dua këtë kryq për dashurinë e bukurisë Tënde, se po digjem për mbretërinë Tënde të epërme, se për shkak të këtij zjarri, që merr hov nga shkulmat e shenjtërisë Tënde, zemra Ime është në flakë. Ndihmomë, o Zot, të ngrihem drejt Teje, më mbaj që të arrij deri në Pragun Tënd të shenjtë, O Zoti Im i dashur! Me të vërtetë Ti je Mëshirëploti, Zotëruesi i bujarisë së madhe! Me të vërtetë Ti je Zemërmadhi! Me të vërtetë Ti je Dhembshuri! Me të vërtetë Ti je Dijeploti! Nuk ka Perëndi tjetër përveç Teje, i Madhi, i Fuqishmi!’
6 Farisenjtë nuk mund të merrnin kurrë zemër të mallkonin dhe të ngarkonin Atë me mëkatin e hidhur, pa injorancën e tyre rreth bërthamës së brendshme të mistereve dhe faktit që ata nuk çanë kokë ndaj shkëlqimit të Tij dhe nuk vlerësuan dëshmitë e Tij. Ndryshe do të ishte sikur ata të kishin njohur fjalët e Tij, të ishin dëshmitarë për vargëzimet që reveloi Ai, të kishin pohuar të vërtetën e fjalës së Tij, të kishin kërkuar strehë nën hijen mbrojtëse të flamurit të Tij, të kishin mësuar prej shenjave e simboleve të Tij dhe të gëzoheshin me lajmin e Tij të hareshëm.
7 Dije se Thelbi Hyjnor, që quhet i Padukshmi i të Padukshmëve, që nuk mund të përshkruhet kurrë, që nuk mund të arrihet prej mendjes –përligjet mbi çdo vlerësim, çdo përcaktim apo sugjerim, apo aludim, çdo thirrje apo lavdërim. Në kuptimin që Ai ekziston se Ai ekziston, intelekti nuk mund ta kapë kurrë Atë dhe shpirti që kërkon të njohë Atë është veçse si një endacak në shkretëtirë që ka humbur rrugën. ‘Nuk ka vështrim ta kapë atë, por Ai i kap të gjitha vështrimet: Ai është i Mprehti, i Gjithinformuari.’18
8 Megjithatë, kur ti mendon thelbin më të thellë të të gjitha gjërave dhe individualitetin e secilës, do të shohësh shenjat e mëshirës së Zotit në çdo gjë të krijuar dhe do të shikosh rrezet e shpërndara të Emrave dhe Atributeve të Tij përmes gjithë mbretërisë së qenies, me fakte që nuk mund t’i mohojë askush, përveç tersit dhe të paditurit. Atëherë do të vësh re se universi është si një libër i mbështjellë, që zbulon sekretet e Tij të fshehura, që mbahen në Tabelën e mirë-ruajtur. Dhe nga gjithë atomet që ekzistojnë, jo vetëm një atom, por të gjithë, ndër krijesat, jo vetëm një krijesë, por të gjitha, flasin për lavdërimin e Tij dhe tregojnë për emrat e atributet e Tij, zbulojnë lavdinë e madhështisë së Tij dhe të drejtojnë tek njëshmëria dhe mëshira e Tij: dhe këtë nuk do ta kundërshtojë askush që ka veshë për të dëgjuar, sy për të parë dhe një mëndje të shëndoshë.
9 Dhe kurdoherë që shikon mbi mbarë krijimin dhe vëzhgon pikërisht atomet e tij, do të vësh re se rrezet e Diellit të së Vërtetës derdhen mbi gjithë gjërat dhe ndriçojnë brenda tyre, duke treguar për shkëlqimet e atij Dielli, misteret e Tij dhe për përhapjen e dritës së Tij. Shiko përmbi pemë, mbi lulëzimin dhe frutat, bile edhe mbi gurët. Edhe këtu, ti do të shohësh, gjithashtu, rrezet e Diellit që derdhen mbi to, që duken qartë brenda tyre dhe që manifestohen prej tyre.
10 Megjithatë, sikur ti të kthesh vështrimin tek një Pasqyrë, të shkëlqyer, pa njolla dhe të pastër, ku reflektohet Bukuria hyjnore, atje ti do të gjesh Diellin që ndriçon me rrezet e Tij, nxehtësinë e Tij, diskun e Tij, krejt formën e Tij të rregullt. Sepse jo vetëm çdo qenie e veçantë, zotëron pjesën e saj të caktuar të dritës diellore dhe tregon për Diellin, por ai Realitet Universal në gjithë shkëlqimin e Tij, ajo Pasqyrë e panjollë , cilësitë e së Cilës iu përgjigjen cilësive të Diellit të reveluar brenda Saj – shprehin në tërësinë e tyre atributet e Burimit të Lavdisë. Dhe ai Realitet Universal është Njeriu, Qenia hyjnore, Thelbi që mbetet kurdoherë. ‘Thuaj, Thërres Perëndinë, ose thërres Mëshirëplotin; cilindo që të thërrisni, më të bukurit janë Emrat e Tij.’19
11 Ky është kuptimi i fjalëve të Mesisë, që Ati gjendet tek i Biri.20 Sikur ti të mos kesh parë një pasqyrë të panjollë që shpall ‘Me të vërtetë është dielli që ndriçon brenda meje, së bashku me gjithë cilësitë e tij, simbolet dhe shenjat’, a nuk do të ishte një shprehje e tillë, prej një pasqyre të tillë, mashtruese ose e gënjeshtërt? Jo, për të Vetmin që e krijoi Atë, e formoi Atë, e modeloi Atë dhe e bëri të jetë një qenie në përshtatje me atributet e lavdisë brenda Saj! Lëvduar qoftë Ai që e krijoi Atë! Lëvduar qoftë Ai që e modeloi Atë! Lëvduar qoftë Ai që e bëri Atë manifest!
12 Të tilla ishin fjalët e thëna nga Krishti. Ata u nxorën kleçka këtyre fjalëve dhe e sulmuan Atë, kur Ai iu tha ‘Me të vërtetë Biri është në Atin dhe Ati është në Birin.’21 Informohu për këtë dhe mëso sekretet e Zotit tënd. Sa për mohuesit, ata mbulohen prej Perëndisë: ata nuk shohin, nuk dëgjojnë, as nuk kuptojnë. ‘Lërini ata të kënaqin veten me qarjet e tyre.’22 Lërini ata në sorollatjet e tyre përgjatë shtretërve të lumit ku nuk rrjedhin rrëke. Ashtu si bishat barngrënëse ata nuk mund të dallojnë gurin kallp nga perlat. A nuk janë veçuar ata prej mistereve të Zotit, Zemërbutit, të Mëshirshmit?
13 Sa për ju, gëzohuni me këtë që është më i miri e të gjithë lajmeve të mira dhe ngrihuni për të lavdëruar Fjalën e Perëndisë, për të përhapur gjerësisht aromat e Tij të këndshme në gjithë këtë vend të madh e të fuqishëm. Dije me siguri se Zoti yt do të të vijë në ndihmë me një aradhe të Grupimit të epërm dhe me ushtritë e Mbretërisë Abhá. Ato do të ndërmarrin sulmin dhe do të hidhen me furi mbi forcat e injorantëve, të të verbërve. Së shpejti ti do të shohësh zbardhjen e agimit që përhapet prej Mbretërisë më të Lartësuar dhe agimin që do të përfshijë gjithë rajonet. Ai do ta bëjë errësirën të fluturojë dhe mugëtira e natës do të zbardhet e do të kalojë, kurse balli i shkëlqyer i Besimit do të ndriçojë dhe Dielli do të lindë e do të mbulojë botën. Atë ditë besnikët do të gëzohen, të patundurit do të lumturohen, të lëkundurit do të fshihen dhe shpifarakët do të largohen ashtu siç ikin hijet e natës nga drita e parë e agimit që vjen.
14 Qofshin për ty përshëndetjet dhe lavdërimi.

15 O Perëndi, Perëndia im! Ky është shërbëtori yt i shkëlqyer, skllavi Yt shpirtëror, që është tërhequr drejt Teje dhe është afruar në praninë Tënde. Ai ka kthyer fytyrën e tij drejt Teje, duke njohur njëshmërinë Tënde, duke pohuar njëjësinë Tënde dhe u ka bërë thirrje kombeve në emrin Tënd, i ka drejtuar njerëzit drejt ujërave rrëke të mëshirës Tënde, O Ti Zot Më shpirtmadhi! Atyre që kërkuan Ai u ka dhënë të pinë prej kupës së udhërrëfimit që është plot e për plot me verën e hirit Tënd të pamasë.
16 O Zot, ndihmoje atë në çdo rrethanë, bëje të mësojë misteret e Tij të mirë-ruajtura dhe derdh përmbi të perlat e Tua të fshehura. Bëj prej tij një flamur që valëvitet në majat e kështjellave nga era e ndihmës Tënde qiellore, bëj prej tij një burim me ujëra të kristalta.
17 O Zoti im i mëshirshëm! Ndriçoji zemrat me rrezet e një llambe që derdh kudo shkëlqimet e saj, duke iu zbuluar njerëzve të Tu, që Ti i ke favorizuar me bujari, realitetet e gjithë gjërave.
18 Me të vërtetë, Ti je i Madhi, i Fuqishmi, Mbrojtësi, i Forti, Mirëbërësi! Me të vërtetë, Ti je Zoti i gjithë mirësive!

20 23 1 Kur u shfaq Krishti, njëzet shekuj më parë, megjithëse izraelitët mezi po e prisnin Ardhjen e Tij dhe luteshin çdo ditë duke thënë: ‘O Perëndi, nxitoje Revelacionin e Mesisë’, kur agoi Dielli i së Vërtetës, ata e mohuan Atë, u ngritën kundër Tij me armiqësinë më të madhe dhe përfundimisht e kryqëzuan atë Shpirt hyjnor, Fjalë e Perëndisë dhe e quajtën Atë, siç tregohet në Ungjill, Bilzebab, djall. Arsyeja e kësaj ishte siç thanë ata: ‘Revelacioni i Krishtit, sipas tekstit të qartë të Torahut, do të provohet nga disa shenja dhe, për sa kohë këto shenja nuk janë shfaqur, kush ngre pretendimin për të qenë Mesi është i vetëquajtur. Mes këtyre shenjave është kjo, që Mesia do të vinte nga një vend i panjohur, po ashtu ne të gjithë e dimë këtë shtëpi të njeriut në Nazaret dhe a mund të dalë gjë e mirë nga Nazareti? Shenja e dytë është që Ai do të sundojë me një skeptër hekuri, pra, Ai duhet të veprojë me shpatë, por ky Mesi nuk ka as shkop druri. Një tjetër kusht dhe shenjë është kjo: Ai duhet të ulet mbi fronin e Davidit dhe të vendosë sovranitetin e Davidit. Tani, larg të qenit i kurorëzuar, ky njeri nuk ka as edhe një prag për t’u ulur. Një tjetër kusht dhe shenjë është kjo: shpallja e të gjithë ligjeve të Torahut, ndërsa ky njeri i ka shfuqizuar këto ligje dhe bile ka thyer ditën e sabatit, megjithëse në tekstin e Torahut shprehet qartë se kushdo që pretendon profetërinë dhe bën mrekulli, por thyen ditën e sabatit, duhet të vritet. Një tjetër shenjë është kjo, që në mbretërimin e Tij e drejta do të jetë aq e përparuar sa drejtësia dhe mirësia do të shtrihet prej njeriut te bota shtazore, gjarpri e miu do të ndajnë një vrimë, shqiponja dhe thëllëza një fole, luani dhe gazela do jetojnë në një kullotë dhe ujku e qengji do të pinë në një burim. Megjithatë, padrejtësia dhe tirania janë përzierë aq shumë në kohën e tij sa ata e kanë kryqëzuar atë! Një tjetër konditë është kjo, që në ditët e Mesisë izraelitët do të përparojnë dhe do të triumfojnë mbi gjithë popujt e botës, por tani ata po jetojnë në poshtërimin dhe skllavërimin më të madh prej perandorisë romake. Atëherë si mund të jetë Ai Mesia i premtuar në Torah?’
2 Në këtë mënyrë ata e kundërshtuan Diellin e së Vërtetës, megjithëse ai Shpirt i Perëndisë, në të vërtetë, ishte i Premtuari në Torah. E me qenë se nuk e kuptuan domethënien e këtyre shenjave, ata e kryqëzuan Fjalën e Perëndisë. Tashmë Baháitë mendojnë se shenjat e regjistruara ndodhën me Manifestimin e Krishtit, megjithëse jo në atë kuptim që e morën vesh izraelitët, se përshkrimi në Torah ishte alegorik. P.sh, midis shenjave është edhe ajo e sovranitetit. Baháitë thonë që sovraniteti i Krishtit ishte një sovranitet qiellor, hyjnor, i amshuar, jo një sovranitet napoleonian që zhduket në një kohë të shkurtër. Ky sovranitet i Krishtit është vendosur për afro dy mijë vjet, reziston deri tani dhe ndaj gjithë përjetësisë ajo Qenie e Shenjtë do të lartësohet mbi fronin e përjetshëm.
3 Në këtë mënyrë janë manifestuar të gjitha shenjat e tjera, por izraelitët nuk i kuptuan. Megjithëse kanë kaluar afërsisht dy mijë vjet që kur Krishti u shfaq me shkëlqim hyjnor, akoma izraelitët po presin ardhjen e Mesisë, duke e vlerësuar veten si të vërtetë dhe Krishtin si të rremë.

21 1 O ti figurë e shquar, ti kërkues i së vërtetës! Letrën tënde të 4 Prillit 1921 e lexova me dashuri.
2 Ekzistenca e Qenies Hyjnore është vendosur qartë, mbi bazat e dëshmive logjike, por realiteti i Hyjnisë është përtej kapjes nga mendja. Kur ti e shqyrton këtë çështje me kujdes, do të shikosh që një nivel më e ulët nuk mund të kuptojë një më të lartë. Për shembull mbretëria inorganike që është më e ulët, pengohet nga kuptimi i mbretërisë bimore; për inorganiken, çdo kuptim i tillë do të ishte krejt i pamundur. Në të njëjtën mënyrë, pavarësisht se në çfarë shkalle mund të zhvillohet mbretëria bimore, ajo nuk do të arrijë konceptimin e mbretërisë shtazore dhe në këtë rrafsh as që mund të mendohet ndonjë aftësi për të kuptuar, sepse kafsha zë një nivel më të lartë se sa bota bimore; kjo pemë nuk mund të konceptohet me dëgjimin dhe shikimin. Dhe mbretëria e kafshëve, sado larg që ajo të zhvillohet, nuk mund të jetë kurrë në dijeni për realitetin e intelektit, që zbulon thelbin e brendshëm të të gjitha gjërave dhe kupton ato realitete që nuk mund të shihen; sepse niveli njerëzor po të krahasohet me atë të kafshëve është shumë e lartë. E megjithëse këto qenie të gjitha bashkekzistojnë në këtë botë reale, në çdo rast ndryshimi në pozicionet e tyre pengon kuptimin e tyre si tërësi; sepse nuk ka shkallë më të ulët që mund të kuptojë një më të lartë, një kuptim i tillë është i pamundur.
3 Megjithatë, niveli më i lartë, e kupton më të ulëtën. Kafsha, p.sh., kupton inorganiken dhe bimësinë, njerëzimi kupton nivelet e kafshëve, bimësisë e lëndës inorganike. Por inorganikja nuk mund të kuptojë ndoshta mbretëritë e njeriut. Dhe megjithatë të gjitha këto krijesa bashkekzistojnë në botën reale, megjithëse shkalla më e ulët nuk mund ta kuptojë më të lartën.
4 Atëherë si është e mundur për një realitet të varur, që ekziston, që njeriu të kuptojë natyrën e atij Thelbi para-ekzistues, të Qenies Hyjnore? Ndryshimi në pozicionin midis njeriut dhe Realitetit Hyjnor është mijëra e mijëra herë më i madh se sa ndryshimi midis bimësisë dhe kafshëve. Dhe ajo që do të sillte në mendjen e tij një qenie njerëzore, që është veçse përfytyrimi fantastik i gjendjes së tij njerëzore, nuk do qarkonte realitetin e Perëndisë, përkundrazi është i qarkuar prej tij. Ekziston ajo që njeriu kap konceptet e tij iluzioniste, kurse Realiteti i Hyjnisë nuk mund të kapet kurrë: Ai, Vetë, qarkon gjithë sendet e krijuara dhe gjithë sendet e krijuara janë në dorën e Tij. Ajo Hyjni që njeriu e përfytyron për vete ekziston vetëm në mendjen e tij, jo në të vërtetë. Megjithatë, njeriu ekziston si në mendjen e tij ashtu edhe në të vërtetë; kështu njeriu është më i madh se sa realiteti fantastik të cilin ai është i aftë ta imagjinojë.
5 Kufizimet e skajshme të këtij zogu prej balte janë këto: Ai mund të rrahë krahët përpara në një distancë të shkurtër në hapësirën e pafund; por ai kurrë nuk mund të fluturojë përpjetë drejt Diellit në qiejt e epërm. Gjithsesi ne duhet të parashtrojmë dëshmi të arsyeshme ose të frymëzuara për ekzistencën e Qenies Hyjnore, domethënë, dëshmi që janë në përputhje me arsyetimin e njeriut.
6 Është e qartë se gjithë gjërat e krijuara lidhen me njëra-tjetrën me një lidhje të plotë e të përsosur, ashtu si janë, po ta krahasojmë, pjesët e trupit të njeriut. Vini re se si gjymtyrët dhe pjesët përbërëse të trupit të njeriut lidhen me njëra-tjetrën. Në të njëjtën mënyrë, të gjithë elementët e këtij universi pafund lidhen me njëri-tjetrin. Këmba dhe hapi, për shembull, lidhen me veshin dhe syrin; syri duhet të shohë përpara, para se të hidhet hapi. Veshi duhet të dëgjojë para se syri të vëzhgojë me kujdes. Dhe kur një pjesë e trupit të njeriut është e mangët, ajo shkakton mangësi në pjesët e tjera. Truri është i lidhur me zemrën dhe stomakun, mushkëritë lidhen me të gjitha pjesët. Kështu ndodh edhe me pjesët e tjera të trupit.
7 Dhe secila prej këtyre pjesëve ka funksionin e saj të veçantë. Fuqia mendore, qoftë sikur ta quajmë paraekzistuese apo të varur, drejton dhe koordinon të gjitha pjesët e trupit të njeriut, duke parë se si çdo pjesë ose element i trupit kryen siç duhet funksionin e tij të veçantë. Megjithatë, nëse ekziston ndonjë lloj ndërprerjeje në fuqinë mendore, të gjitha pjesët nuk mund të kryenin funksionet e tyre themelore, mangësitë do të shfaqeshin në trup e në funksionimin e pjesëve të tij dhe fuqia do të tregohet joefektive.
8 Në këtë mënyrë shih në universin e pafund: në mënyrë të pashmangshme ekziston një fuqi universale, e cila i qarkon të gjitha, duke drejtuar dhe rregulluar të gjithë pjesët e këtij krijimi të pafund dhe po të mos ishte ky Drejtor, ky Koordinator, universi do të ishte i papërsosur dhe i mangët. Bile, ai do të ishte si një i çmendur; ndërsa mund të shihni që ky krijim i pafund i kryen funksionet e tij në rend të përsosur, se çdo pjesë e veçantë e tij realizon detyrën e saj me besueshmëri të plotë e se nuk mund të shihet asnjë mangësi në gjithë punën e tij. Në këtë mënyrë është e qartë që ekziston nj Fuqi Universale, që drejton dhe rregullon këtë univers të pafund. Çdo mendje racionale mund ta kapë këtë fakt.
9 Veç kësaj, megjithëse gjithë sendet e krijuara rriten dhe zhvillohen, ata iu nënshtrohen ndikimeve nga jashtë. Për shembull, dielli jep nxehtësi, shiu ushqen, era sjell jetë, që njeriu mund të rritet e zhvillohet. Në këtë mënyrë është e qartë se trupi i njeriut është nën ndikimet e jashtme dhe se pa këto ndikime njeriu nuk mund të rritet. Dhe në të njëjtën mënyrë, këto ndikime të jashtme u nënshtrohen nga ana e tyre ndikimeve të tjera të jashtme. P.sh., rritja dhe zhvillimi i trupit të njeriut varet nga ekzistenca e ujit, uji varet nga ekzistenca e shiut, shiu varet nga ekzistenca e reve, retë varen nga ekzistenca e diellit, që bën tokën e detin të avullojë, nga kondensimi i avullit që formon retë. Kështu secili prej këtyre sendeve ushtron ndikimin e tij dhe është njësoj i ndikuar. Atëherë, në mënyrë të pashmangshme, procesi të çon tek Një Që ndikon mbi të gjithë dhe që nuk është i ndikuar nga asnjë, duke prerë në këtë mënyrë zinxhirin. Megjithëse, realiteti i brendshëm i asaj Qenieje nuk është i njohur, efektet e Tij janë të qarta e të dukshme.
10 Dhe më tej, gjithë qeniet e krijuara janë të kufizuara dhe pikërisht ky kufizim i gjithë qenieve provon realitetin e Pakufizuar; sepse ekzistenca e një qenieje të kufizuar tregon ekzistencën e të Pakufizuarës.
11 Me pak fjalë, ka aq shumë dëshmi që provojnë ekzistencën e Realitetit Universal. Dhe meqë ky Realitet është para-ekzistues, Ai është i paprekshëm nga kushtet që sundojnë dukurinë; sepse çdo send iu nënshtrohet rrethanave dhe rrjedha e ngjarjeve është e varur, jo para-ekzistuese. Dijeni atëherë: se karakteri hyjnor që kanë sjellë ndërmend bashkësitë dhe popujt, është brenda kuadrit të fantazisë së tyre dhe jo përtej saj, ndërsa realiteti i Hyjnisë është përtej konceptimit të tyre.
12 Për sa u përket Manifestimeve të Shenjta të Perëndisë, Ata janë pikat qendrore ku shenjat, simbolet dhe përsosmëritë e atij Realiteti të shenjtë e para-ekzistues, shfaqen me tërë shkëlqimin e tyre. Ata janë hir i amshuar, lavdi qiellore dhe prej Tyre varet jeta e përhershme e njerëzimit. Ta ilustrojmë: Dielli i së Vërtetës banon në një qiell, ku nuk ka hyrje për asnjë shpirt dhe nuk ka mëndje që mund ta kapë, se Ai është përtej kuptimit të të gjithë krijesave. Megjithatë, Manifestimet e Shenjta të Perëndisë janë si një lentë e lëmuar dhe e panjollë, që mbledh rrezet e dritës prej atij Dielli dhe pastaj e shpërndan lavdinë përmbi pjesën tjetër të krijimit. Dielli, në atë sipërfaqe të ndritur qëndron me gjithë madhështinë e Tij i reveluar qartësisht. Në këtë mënyrë, sikur Dielli i pasqyruar të shpallë ‘Unë jam Dielli!’, kjo është veçse e vërtetë, sikur ai të thërresë ‘Unë nuk jam Dielli!’ kjo, gjithashtu është e vërtetë. Dhe megjithëse Dielli me tërë lavdinë e Tij, bukurinë e përsosmërinë e Tij, shihet qartë në atë pasqyrë të panjollë, Ai akoma nuk ka zbritur nga stacioni i Tij i lartë në mbretërinë e sipërme, Ai nuk e ka bërë rrugën e Vet në pasqyrë; por Ai vazhdon të banojë, siç do gjithnjë, në lartësitë hyjnore të shenjtërisë së Tij.
13 Dhe më tej, të gjitha krijesat e tokës kërkojnë bujarinë diellore, sepse vetë ekzistenca e tyre varet nga drita dhe nxehtësia diellore. Sikur ato të privoheshin nga dielli, ato do të zhdukeshin. Kjo është ekzistenca me Perëndinë, siç tregohet në Librat e Shenjta: njeriu duhet të jetë me Zotin e tij.
14 Është e qartë, pra, se realiteti thelbësor i Perëndisë revelohet në përsosmërinë e Tij dhe dielli, që reflektohet në një pasqyrë me përsosmërinë e tij, është një gjë e dukshme, një send që shpreh qartë bujarinë e Perëndisë.
15 Kam shpresë se ju do të siguroni një sy të kthjellët, një vesh të mprehtë dhe perdet do të hiqen prej vështrimit tuaj.

22 O ti që ke kthyer fytyrën tënde drejt Perëndisë! Mbylli sytë për të gjitha gjërat dhe hapi vetëm ndaj mbretërisë së Lavdiplotit. Kërko çdo gjë që do vetëm prej Tij, kërko çdo gjë që kërkohet vetëm prej Tij. Me një vështrim Ai dhuron qindra-mijëra shpresa, me një të hedhur të syve shëron me qindra- mijëra sëmundje të pamjekueshme, me një shikim ai vë balsam në çdo plagë, me një tundje koke Ai çliron zemrat nga vargonjtë e hidhërimit. Ai bën siç bën dhe ç’mbështetje kemi ne? Ai përmbush Vullnetin e Tij, Ai urdhëron atë që i pëlqen. Prandaj është më mirë për ty të ulësh kokën me nënshtrim dhe të vësh besimin te Zoti Mëshirëplotë.

23 1 O ti që kërkon të vërtetën! Letra tënde e 13 dhjetorit 1920 ka ardhur.
2 Që nga kohët e Adamit dhe deri tani, fetë e Perëndisë janë manifestuar, njëra pas tjetrës dhe secila prej tyre përmbushi funksionin e saj të duhur, ripërtëriu njerëzimin dhe siguroi edukim e rilindje. Ato e çliruan njeriun nga errësira e botës së natyrës dhe e ftuan atë në shkëlqimin e Mbretërisë. Secila u revelua duke ndjekur Besimin e Ligjin dhe qëndroi për disa shekuj një pemë e pasur frutdhënëse dhe ndaj saj ishte besuar lumturia e njerëzimit. Megjithatë, me rrokullisjen e shekujve, ajo u moshua, nuk lulëzonte më, nuk jepte fruta, prandaj kishte për t’u bërë përsëri e re.
3 Feja e Perëndisë është një fe, por ajo duhet rinuar kurdoherë. Moisiu, për shembull, u dërgua tek njeriu, vendosi Ligjin dhe Fëmijët e Izraelit, nëpërmjet Ligjit të Moisiut, u çliruan prej paditurisë dhe dolën në dritë, u ngritën prej mjerimit dhe arritën lavdinë që nuk shuhet. Megjithatë, pasi vitet ikën tej, rrezatimi mbaroi, shkëlqimi perëndoi, dita e shndritshme u kthye në natë dhe, sapo kjo natë u bë e zezë sterrë, agoi ylli i Mesisë, që lavdia të ndriçonte botën përsëri.
4 Kuptimi ynë është ky: feja e Perëndisë është një, ajo është edukator i njerëzimit, por megjithatë ajo duhet të rinovohet. Kur ti mbjell një pemë, lartësia e saj shtohet çdo ditë. Ajo lëshon fletë e lule, lidh fruta. Por pas një kohe të gjatë, ajo vjetrohet, duke mos dhënë më fruta. Atëherë Kopshtari i së Vërtetës merr fara prej po asaj peme e i mbjell në një tokë të pastër dhe shiko, atje qëndron pema e parë, bile siç ishte përpara.
5 Vër re me kujdes se në këtë botë të qenies, të gjitha gjërat kurdoherë duhet të bëhen të reja. Shiko botën materiale rreth teje, shih se si ajo tashmë është rinuar. Mendimet kanë ndryshuar, mënyra e jetesës është rishikuar, shkencat dhe arti shfaqin një vrull të ri, zbulimet dhe shpikjet janë të reja, parimet janë të reja. Atëherë si mundet që një forcë kaq vitale si feja, garantuesi i përparimeve të mëdha të njerëzimit, vetë mjeti i arritjes së jetës së amshuar, edukatori i shkëlqimit të pafund, jeta e të dy botëve, të mos rinovohet? Kjo do të ishte e papajtueshme me hirin dhe dashamirësinë e përzemërt të Zotit.
6 Feja, për më tepër, nuk është një seri besimesh, një takëm zakonesh; feja janë mësimet e Perëndisë Zot, mësime që përbëjnë pikërisht jetën e njerëzimit, që nxitin mendime të larta në mendje, përsosin karakterin dhe shtrojnë udhën për nderin e përjetshëm të njeriut.
7 Shiko: A mundet që ky afsh në botën e mendjes, këto zjarre lufte e urrejtjeje, inati e mërie midis kombeve, ky agresion i popujve kundër popujve, që kanë shkatërruar qetësinë e tërë botës, të qetësoheshin ndonjëherë, përveç se nëpërmjet ujërave jetëdhënës të mësimeve të Perëndisë? Jo, kurrë!
8 Dhe kjo është e qartë: një fuqi mbi dhe përtej fuqive të natyrës nevojitet të sillet për të mbajtur, për të shndërruar në dritë këtë errësirë sterrë, për t’i shndërruar në shoqëri e dashuri midis gjithë popujve të dheut këto urrejtje e inate, mëri e zemërime, këto sherre e luftëra pafund. Kjo fuqi nuk është tjetër veçse fryma e Shpirtit të Shenjtë dhe rrjedha e fuqishme e Fjalës së Perëndisë.

24 1 O rini shpirtërore! Lavdëro Perëndinë që ke gjetur udhën tënde në Mbretërinë e Shkëlqimeve, ke çarë më dysh velin e fantazive të kota dhe bërthama e misterit të padukshëm është bërë e njohur për ty.
2 Këta njerëz, të gjithë kanë vizatuar një perëndi në mbretërinë e mendjes dhe e adhurojnë atë shëmbëlltyrë që e kanë bërë për vete. E megjithëse ajo shëmbëlltyrë kuptohet, mendja njerëzore është e vetëdijshme për të, e natyrisht vetëdija është më e madhe se ajo që përfshihet në qarkun e saj; sepse përfytyrimi është veçse dega, ndërsa mendja është rrënja e, natyrisht, rrënja është më e madhe se dega. Mendoni atëherë, se si popujt e botës i bien në gjunjë një trilli të shpikjes së tyre, se si ata kanë krijuar një krijues në kokën e tyre dhe e quajnë atë Krijues të gjithçkaje që ekziston, ndërsa në të vërtetë ajo është veçse një iluzion. Kështu janë njerëzit që adhurojnë vetëm një gabim perceptimi.
3 Por ai Thelb i Thelbeve, ai i Padukshëm i të Padukshmëve, shenjtërohet mbi gjithë spekulimet njerëzore dhe kurrë nuk mund të kapet nga mendja e njeriut. Realiteti i stërlashtë nuk do të futet kurrë brenda qarkut të një qenieje të varur. E tija është një mbretëri tjetër dhe ajo mbretëri nuk mund të kuptohet. Atje nuk mund të fitosh hyrje se të gjitha hyrjet janë të ndaluara. E shumta që mund të thuhet është se ekzistenca e Tij mund të provohet, por kushtet e ekzistencës së Tij janë të panjohura.
4 Që një Thelb i tillë ekziston, atë e kanë kuptuar filozofët dhe gjithë doktorët e ditur; por kurdoherë që ata janë orvatur të mësojnë diçka prej qenies së Tij, ata janë ngatërruar e hutuar dhe më në fund, duke parë shpresat e tyre të humbura, ata ndiqnin udhën e tyre mbi këtë jetë. Sepse të kuptosh gjendjen dhe misterin e padukshëm të atij Thelbi të Thelbeve, të atij Sekreti të Sekreteve, duhet të kesh tjetër fuqi dhe të tjera aftësi dhe, një fuqi e tillë, aftësi të tilla do të ishin më të shumta se ato që mund të bartë njerëzimi, prandaj te ata nuk mund të vijë asnjë fjalë për Të.
5 Në qoftë se, për shembull, dikush pajiset me shqisën e dëgjimit, të shijes, të nuhatjes e të prekjes, por privohet nga shqisa e të parit, ai nuk është e mundur të shohë përqark, sepse të parit nuk mund të realizohet nëpërmjet të dëgjuarit apo të shijuarit, apo nëpërmjet shqisës së nuhatjes apo të të prekurit. Në të njëjtën mënyrë, aftësitë që ka njeriu janë jashtë sferës së mundësisë së tij për të kapur Realitetin e të padukshmit, të shenjtë e të shenjtëruar mbi gjithë dyshimet e skeptikëve. Për këtë gjë kërkohen të tjera aftësi, të tjera shqisa; në qoftë se të tilla fuqi vihen në dispozicion të tij, atëherë një qenie njerëzore mund të marrë disa njohuri të asaj bote, përndryshe, kurrë.

25 1 O ti shërbëtore e Perëndisë! Në historitë e lindjes tregohet se Sokrati udhëtoi në Palestinë e Siri dhe atje, prej njerëzve të ditur në gjërat e Perëndisë, mësoi disa të vërtetë shpirtërore; se, kur u kthye në Greqi, ai shpalli dy besime: njëri, uniteti i Perëndisë dhe tjetri, pavdekësia e shpirtit pas ndarjes së tij prej trupit; se të tilla koncepte, aq të huaja për mendimin e tyre, shkaktuan një pështjellim të madh mes grekëve, deri sa ata e helmuan dhe e vranë.
2 Dhe kjo është autentike; sepse grekët besonin në shumë perëndi dhe Sokrati pohoi faktin që Perëndia është një, gjë që ishte në kundërshtim të hapur me besimet greke.
3 Themeluesi i monoteizmit ishte Abrahami, në sajë të Tij ky koncept mund të gjurmohet dhe besimi ishte aktual ndër Fëmijët e Izraelit, njësoj si në kohën e Sokratit.
4 Megjithatë, fakti i mësipërm nuk mund të gjendet në historitë izraelite; ka shumë fakte që nuk përfshihen në historinë izraelite. Jo të gjitha ngjarjet nga jeta e Krishtit janë vendosur në historinë e Josifit, një izraeliti, megjithëse ai shkroi historinë e kohëve të Krishtit. Prandaj, ndokush mund të refuzojë të besojë në ngjarjet e kohës së Krishtit me arsyetimin se ato nuk gjenden në historinë e Josifit.
5 Historitë lindore deklarojnë, gjithashtu, se Hipokrati qëndroi për një kohë të gjatë në qytetin e Tirit dhe ky është një qytet në Siri.

26 1 O ti që kërkon Mbretërinë e Qiellit! Letrën tënde e mora dhe kam parë përmbajtjen e saj.
2 Manifestimet e Shenjta të Perëndisë kanë dy pozita: një është pozita materiale dhe tjetra shpirtërore. Me fjalë të tjera, një pozitë është ajo e një qenieje njerëzore dhe tjetra ajo e Realitetit Hyjnor. Nëse manifestimet u nënshtrohen provave, kjo i përket vetëm pozitës së Tyre njerëzore, jo shkëlqimit të Realitetit të Tyre Hyjnor.
3 Dhe më tej, këto prova janë të tilla vetëm nga këndvështrimi i njerëzimit. Kjo nga jashtë duket që gjendja njerëzore e Manifestimeve të Shenjta u nënshtrohet provave dhe kur, në këtë mënyrë, forca e durimi i Tyre janë reveluar me fuqi të plotë, njerëzit e tjerë marrin mësime prej tyre dhe bëhen të vetëdijshëm se sa e madhe duhet të jetë vendosmëria e durimi i tyre në prova e përpjekje. Sepse Edukatori Hyjnor duhet t’i mësojë me fjalë edhe me vepra, duke zbuluar në këtë mënyrë udhën e drejtë të së vërtetës për të gjithë.
4 Për sa i përket pozitës sime, ajo është pozita e një shërbëtori të Baháit; ‘Abdu’l-Bahá, shprehje e gjallë e skllavërisë ndaj Pragut të Bukurisë Abhá.

27 Në ciklet e shkuar, secili nga Manifestimet e Perëndisë ka pasur radhën e Tij në botën e ekzistencës dhe ka përfaqësuar një shkallë në zhvillimin e njerëzimit. Por Manifestimi i Emrit Më të Madh, u flijoftë jeta ime për të dashurit e Tij, ishte një shprehje e ardhjes së epokës, e pjekurisë së realitetit të thellë të njeriut në botën e qenies. Sepse dielli është burimi i dritës dhe i nxehtësisë, pika qendrore e shkëlqimeve, që përfshin gjithë përsosmëritë që janë bërë manifest prej yjeve të tjerë që kanë aguar mbi botë. Bëj një përpjekje që të zësh vendin tënd nën diell dhe merr një pjesë të begatë prej dritës së tij verbuese. Në të vërtetë, Unë të them se sapo të kesh arritur këtë pozicion, ti do të shohësh shenjtorët që përkulin kokat e tyre para Tij me tërë përulësinë. Nxito në jetë para se të vijë vdekja, nxito në stinën e pranverës para se të afrohet dimri dhe, para se të të godasë sëmundja, nxito drejt shërimit, që të bëhesh doktor i shpirtit, i cili me frymën e Shpirtit të Shenjtë, shëron gjithë llojet e sëmundjeve në këtë epokë të famshme dhe të lavdishme.

28 1 O fletë mbi Pemën e Jetës! Pema e Jetës, që përmendet në Bibël, është Bahá’u’lláhu dhe bijat e Mbretërisë janë fletët mbi atë Pemë të bekuar. Prandaj falëndero Perëndinë që ti je lidhur me atë Pemë dhe që po lulëzon e brishtë dhe e freskët.
2 Portat e Mbretërisë janë hapur plotësisht dhe çdo shpirt i preferuar është ulur në tavolinën e banketit të Perëndisë, dukë marrë racionin e tij nga gostia qiellore. Lëvduar qoftë Perëndia, që ti je i pranishëm në këtë tavolinë, duke marrë pjesën tënde prej ushqimit të begatë qiellor. Ti po i shërben mbretërisë dhe je i mirënjohur me aromat e këndshme të Parajsës Abhá.
3 Prandaj përpiqu me gjithë fuqinë tënde për të udhëzuar njerëzit dhe haj prej bukës që zbret prej qiellit. Sepse ky është kuptimi i fjalëve të Krishtit: ‘Unë jam buka jetëdhënëse që zbret prej qiellit … ai që ha prej kësaj buke do të jetojë përgjithmonë.’ 24

29 1 O ti që je robëruar nga e vërteta dhe magnetizuar nga Mbretëria Qiellore! Letra tënde ka ardhur dhe ka sjellë shumë gëzim, sepse ajo simbolizon qartë përpjekjet e tua të fuqishme dhe qëllimet e larta. Lëvduar qoftë Perëndia, që ti i do të mirën njerëzve, që digjesh për Mbretërinë Bahá dhe ke etje për të parë racën njerëzore të eci përpara. Kam shpresë se si rrjedhojë e këtyre idealeve të larta, me këto ndjenja fisnike të zemrës e me këto lajme qiellore, ti do të bëhesh aq i ndritshëm sa përtej gjithë kohërave do të derdhë lavdinë e saj drita e dashurisë tënde për Perëndinë.
2 Ti e ke përshkruar veten si një nxënës në shkollën e progresit shpirtëror. Sa fatlum që je! Në qoftë se këto shkolla të progresit të çojnë drejt universitetit të qiellit, atëherë degët e dijes do të zhvillohen e njerëzimi do të shikojë tabelën e ekzistencës si një pergamenë që shpaloset pafundësisht; dhe gjithë sendet e krijuara do të shihen mbi këtë pergamenë si gërma dhe fjalë. Atëherë do të mësohen rrafshet e ndryshme kuptimore dhe brenda çdo atomi të universit do të shihen shenjat e njëshmërisë së Perëndisë. Atëherë njeriu do të dëgjojë thirrjen e Zotit të Mbretërisë dhe do të shikojë pohimet e Shpirtit të Shenjtë duke ardhur për ta ndihmuar atë. Atëherë ai do të ndjejë aq gëzim, aq lumturi, sa e tërë bota e gjerë me pafundësinë e saj nuk do ta mbajë më atë dhe ai do të niset për në Mbretërinë e Perëndisë e do të nxitojë përgjatë mbretërisë së shpirtit. Sepse sapo një zog i rrit krahët, ai nuk qëndron më në tokë, por fluturon lart në qiell, me përjashtim të atyre zogjve që janë lidhur nga këmbët, apo atyre me krahë të thyera apo të zhytur në batak.
3 O ti kërkues i së vërtetës! Bota e Mbretërisë është një botë. I vetmi ndryshim është se pranvera kthehet gjithnjë dhe nis një trazim të ri të madh nëpër gjithë sendet e krijuara. Atëherë fusha e mali gjallojnë, pemët jeshilohen, fletët, lulet dhe frutat marrin bukuri, bollëk dhe ëmbëlsi. Prandaj dispensacionet e periudhave të shkuara lidhen ngushtë me ato që i pasojnë: në të vërtetë, ato janë një dhe njësoj, por ndërsa bota rritet, ashtu rritet dhe drita, ashtu rriten dhe vërshimet e hirit qiellor dhe atëherë Dielli ndriçon me shkëlqim mesdite.
4 O ti kërkues i Mbretërisë! Çdo Manifestim hyjnor është vetë jeta dhe doktor i aftë për çdo shpirt të sëmurë. Bota e njeriut është e sëmurë dhe ky Doktor kompetent e di kurën, e shëron me mësime, këshilla e paralajmërime që janë ilaç për çdo dhimbje dhe balsam shërues për çdo plagë. Është e natyrshme që doktori i mençur mund të diagnostikojë nevojat e pacientit të tij në çdo stinë dhe të përdorë mjekimin. Prandaj, referoju Mësimeve të Bukurisë Abhá për nevojat urgjente të kohës së tanishme dhe do të shikosh se ato sigurojnë një ilaç të menjëhershëm për trupin e sëmurë të botës. Në të vërtetë, ato janë bari që sjell shëndet të përjetshëm.
5 Trajtimi i porositur nga doktorët e urtë të së shkuarës dhe prej atyre që i pasuan më vonë, nuk është një dhe i njëllojtë, përkundrazi ai varet nga çfarë e shëron pacientin; e, megjithëse, ilaçi mund të ndryshojë, synimi është gjithnjë për ta bërë përsëri pacientin të shëndetshëm. Në dispensacionet e së shkuarës, trupi i dobët i botës nuk mund të duronte një mjekim të fortë apo të fuqishëm. Për këtë arsye Krishti tha: ‘Unë kam akoma për t’ju thënë shumë gjëra, kam për t’u treguar shumë çështje, por ju nuk mund t’i duroni t’i dëgjoni tani. Prandaj kur të vijë ai Shpirt Ngushëllues, të Cilin do ta dërgojë Ati, Ai do ta bëjë të qartë për ju të vërtetën.’25
6 Për këtë arsye, në këtë epokë shkëlqimesh, mësimet dikur të kufizuara ndaj një pakice, janë në dispozicion për të gjithë, që mirësia e Zotit të përqafojë si lindjen edhe perëndimin, që njëshmëria e botës njerëzore të shfaqet me bukurinë e saj të plotë dhe që rrezet verbuese të realitetit të mbushin plot me dritë mbretërinë e mendjes.
7 Trashëgimia e Jerusalemit të Ri tregoi një Ligj qiellor, që Ligji është garantuesi i lumturisë njerëzore dhe shkëlqimi i fjalës së Perëndisë.
8 Emmanueli26 ishte në të vërtetë Lajmëtari i Ardhjes së Dytë të Krishtit dhe Ftues për në udhën e Mbretërisë. Është e qartë që Shkronja është një element i Fjalës dhe kjo pjesëmarrje në Fjalë tregon se Shkronja është e varur për vlerën e saj nga Fjala, për këtë arsye hiri i saj rrjedh nga Fjala; ka një lidhje shpirtërore me Fjalën dhe llogaritet si pjesë përbërëse e Fjalës. Apostujt ishin si Shkronjat dhe Krishti ishte thelbi i Vetë Fjalës; dhe kuptimi i Fjalës, që është hiri i përjetshëm, lëshon shkëlqim mbi këto Shkronja. Përsëri, përderisa Shkronja është element i Fjalës, për rrjedhojë, në kuptimin e saj të brendshëm, ajo është në harmoni me Fjalën.
9 Ne kemi shpresë që ti do të ngrihesh në këtë ditë për të përkrahur atë që ka parashikuar Emanueli. Dije me siguri se ti do të arrish sukses, sepse pohimet e Shpirtit të Shenjtë po zbresin vazhdimisht dhe fuqia e Fjalës do të ushtrojë një ndikim të tillë sa Shkronjën do ta bëjë pasqyrë në të cilën do të reflektohet Dielli i shkëlqyer, Vetë Fjala, dhe hiri e lavdia e Fjalës do të ndriçojë dheun mbarë.
10 Sa për Jerusalemin qiellor që ka ardhur të prehet mbi majat e botës, Shenjtin e Shenjtëve të Perëndisë, flamuri i të Cilit tani është ngritur lart, ai përmban në vetvete gjithë përsosmëritë, gjithë dijen e dispensacioneve të së shkuarës. Përveç kësaj, ai lajmëron njëshmërinë e fëmijëve të njerëzimit. Ai është flamur i paqes universale, shpirti i jetës së amshuar, lavdia e përkryerjes së Perëndisë, hiri rrethues i gjithë ekzistencës, stolia që zbukuron gjithë sendet e krijuara, burimi i qetësisë së brendshme për gjithë njerëzimin.
11 Drejtoje vëmendjen nga Tabelat e shenjta; lexo Ishrakat-in [Ishráqát], Tazhalijatin [Tajallíyyát], Fjalët e Parajsës, Lajmin e Gëzuar, Tarazatin [?arázát], Librin Më të Shenjtë. Atëherë do ta shohësh se sot këto Mësime hyjnore janë ilaçi për një botë të sëmurë e që vuan, dhe një balsam shërues për plagët në trupin e njerëzimit. Ato janë shpirti i jetës, arka e shpëtimit, magneti që tërheq lavdinë e përjetshme, forca dinamike që vë në lëvizje veten e brendshme të njeriut.

30 1 Ka dy lloj ekzistence: njëra është ekzistenca e Perëndisë, e cila është jashtë konceptimit nga njeriu. Ai, i padukshmi, i larti dhe i pakuptueshmi, nuk paraprihet nga shkaku, përkundrazi është Autori i shkakut të shkaqeve. Ai, i Lashti, nuk ka pasur fillim dhe është pavarësiplotë. Lloji tjetër i ekzistencës është ekzistenca njerëzore. Ajo është një ekzistencë e përgjithshme, e kuptueshme për mendjen e njeriut, nuk është e lashtë, është e varur dhe për të ka një shkak. Lënda e vdekshme nuk bëhet e përjetshme dhe anasjelltas; lloji njerëzor nuk bëhet Krijues dhe anasjelltas. Shndërrimi i lëndës së trashëguar është i pamundur.
2 Në botën e ekzistencës, që është një gjë e kuptueshme, ka faza të vdekshmërisë: Faza e parë është bota inorganike, tjetra është bota bimore. Në botën e dytë inorganikja ekziston, por me një tipar dallues që është karakteristika bimore. Po ashtu në botën shtazore, karakteristikat inorganike dhe bimore janë të pranishme dhe gjenden në veçanti karakteristikat e botës shtazore, që janë aftësia e të dëgjuarit dhe e të parit. Në botën njerëzore gjenden karakteristika të botës inorganike, bimore e shtazore dhe në veçanti ato të llojit njerëzor, d.m.th. karakteristikat intelektuale, që zbulojnë realitetet e gjërave dhe kuptojnë parimet universale.
3 Prandaj, njeriu, në rrafshin e botës reale është qenia më e përsosur. Njeri do të thotë individ i përsosur, që është si një pasqyrë në të cilën manifestohen dhe reflektohen përsosmëritë hyjnore. Dielli nuk zbret nga lartësia e shenjtërisë së tij për t’u futur në pasqyrë, por kur kjo e fundit pastrohet dhe kthehet drejt Diellit të së Vërtetës, përsosmëritë e këtij Dielli, që përmbajnë dritën dhe nxehtësinë, reflektohen dhe manifestohen na atë pasqyrë. Këta shpirtra janë Manifestimet Hyjnore të Perëndisë.

31 1 O ti që je i shtrenjtë dhe i urtë! Letrën tënde të datës 27 maj 1906 e mora, përmbajtja e saj është shumë e pëlqyeshme dhe ka sjellë gëzim të madh.
2 Ti pyet nëse kjo Kauzë, kjo Kauzë e re dhe e gjallë a mund të zërë vendin e ceremonive dhe riteve të vdekura fetare të Anglisë, nëse do të ishte e mundur që kjo Kauzë e re, tani që janë shfaqur grupe të ndryshme, pjesëtarët e të cilëve vendosin lart klerikë dhe teologë tepër superiorë në arritjet e tyre ndaj atyre të së shkuarës, t’u bëjë aq përshtypje pjesëtarëve të grupeve të tilla sa t’i mbledhë ata dhe pjesën tjetër nën hijen e saj gjithmbrojtëse.
3 O ti i dashur mik! Dije se Individi i shquar i çdo epoke pajiset në përputhje me përsosmëritë e epokës së Tij. Individit, që në kohët e shkuara u vendos përmbi shokët e Tij iu dhuruan virtytet e kohës së Tij. Kurse në këtë periudhë shkëlqimesh, në këtë epokë të Perëndisë, Personazhi i shquar, Rruzulli i shndritshëm, Individi i zgjedhur do të shkëlqejë me aq përsosmëri dhe me aq fuqi sa përfundimisht do të dalldisë mendjet e çdo komuniteti dhe grupi. Dhe përderisa një Personazh i tillë është superior ndaj gjithë të tjerëve në përsosmëritë shpirtërore dhe arritjet hyjnore dhe, në të vërtetë, është qendra e vatrës së bekimeve hyjnore e boshti i rrethit të dritës, Ai do t’i qarkojë gjithë të tjerët dhe nuk ka dyshim që Ai do të shkëlqejë me aq fuqi sa të mbledhë çdo shpirt nën hijen e Tij mbrojtëse.
4 Kur e shqyrton këtë çështje me kujdes, do të dalë në pah që kjo është sipas një ligji universal, i cili përshkon të gjitha gjërat: e tëra tërheq pjesën dhe, në rreth, qendra është boshti i kompasit. Mendo mbi Shpirtin27: duke qenë se Ai ishte qendra e vatrës së fuqisë shpirtërore, burimi i dhuratave hyjnore, megjithëse në fillim Ai mblodhi rreth Vetes vetëm pak shpirtra, më vonë Ai ishte i aftë, për shkak të forcës gjithnënshtruese që kishte, të bashkojë gjithë sektet e ndryshme brenda Tabernakullit mbrojtës të Krishterimit. Krahaso të tanishmen me të shkuarën dhe shih se sa i madh është ndryshimi; në këtë mënyrë mund të arrish tek e vërteta dhe siguria.
5 Ndryshimet midis feve të botës ekzistojnë për shkak të tipave të ndryshme të mendjeve. Për aq kohë sa fuqitë e mendjes janë të ndryshme, është e qartë që gjykimet dhe opinionet e njerëzve do të ndryshojnë nga njeri-tjetri. Megjithatë, nëse futet një fuqi e mprehtë universale e vetme, një fuqi që qarkon gjithë pjesën tjetër, opinionet e ndryshme do të shkrihen dhe do të dalë në pah harmonia shpirtërore e njëshmëria. Për shembull, kur u bë Krishti manifest, mendjet e popujve bashkëkohës, qofshin ata romakë, grekë, sirianë, izraelitë apo të tjerë, pikëpamjet e tyre, qëndrimet e tyre emocionale, ndryshonin nga njeri-tjetri. Por sapo u vu në veprim fuqia e Tij universale, ajo gradualisht arriti që, pas treqind vjetësh, t’i mbledhë gjithë këto mendje të kundërta së bashku, nën mbrojtjen dhe nën qeverisjen e një Pike qendrore, duke pasur të gjithë, në zemrat e tyre, emocione të njëjta shpirtërore.
6 Duke përdorur një metaforë, kur një ushtri vihet nën komandantë të ndryshëm, secili me një strategji të vetën, ata do të ndryshojnë dukshëm si në linjat e betejës edhe në lëvizjet e trupave; por sapo Komandanti Suprem, që është tepër i ditur në artin e luftës, merr komandën, planet e të tjerëve do të zhduken, sepse gjenerali i talentuar në mënyrë supreme do ta vërë gjithë ushtrinë nën kontrollin e tij. Kjo përdoret vetëm si metaforë dhe jo si një krahasim i saktë. Nëse ti thua që të gjithë dhe secili prej këtyre gjeneralëve është tepër i zoti në artin ushtarak, është tepër i përsosur dhe me përvojë, prandaj nuk do t’i nënshtrohet sundimit të një individi, sado madhështor qoftë ai, atëherë deklarata tënde është e pambështetur, sepse situata e mësipërme është ajo që ndodh në mënyrë demonstrative dhe për këtë nuk ka kurrfarë dyshimi.
7 I tillë është rasti me Manifestimet e Perëndisë. I tillë është, në veçanti, rasti me realitetin hyjnor të Emrit Më të Madh, të Bukurisë Abhá. Sapo Ai të jetë reveluar para popujve të mbledhur të botës e të jetë shfaqur me aq ëmbëlsi, me aq magjepsje, joshës si një Josif në Egjiptin e shpirtit, Ai do të pushtojë të gjithë të dashurit mbi dhé.
8 Përsa u takon atyre shpirtrave që kanë lindur në këtë jetë si qenie të brishta e rrezëllitëse, por për shkak të ceneve e sprovave të tyre u janë mohuar avantazhe të mëdha e reale dhe që largohen nga bota pa jetuar plotësisht – kjo është sigurisht një shkak hidhërimi. Kjo është arsyeja që Manifestimet universale të Perëndisë ia shfaqin fytyrën e Tyre njeriut dhe durojnë çdo fatkeqësi e brengë të dhimbshme, dhe japin jetën e Tyre si shpërblesë; e bëjnë këtë që pikërisht këta njerëz, ata që janë të gatshëm, ata që kanë aftësi, të bëhen vendagime të dritës, dhe t’u dhurojnë atyre jetën që kurrë nuk shuhet. Kjo është sakrifica e vërtetë: ofrimi i vetvetes, ashtu si bëri Krishti, si shpërblesë për jetën e botës.
9 Për sa i përket ndikimit të Qenieve të shenjta dhe vazhdimësisë së hirit të Tyre për njerëzimin pasi Ata kanë lënë mënjanë formën e Tyre njerëzore, kjo për Bahá’ít është një fakt i padiskutueshëm. Në të vërtetë, hiri vërshues, shkëlqimet rrëke të Manifestimeve të shenjta, duken pas fluturimit të Tyre nga kjo botë. Lartësimi i Fjalës, revelimi i fuqisë së Perëndisë, shndërrimi i shpirtrave që i tremben Perëndisë, dhurimi i jetës së përjetshme, të gjitha, pas martirizimit të Mesisë, u shtuan e u zgjeruan. Në të njëjtën mënyrë, që pas ngjitjes në qiell të Bukurisë së Bekuar, blatimet kanë qenë më të begata, drita e shpërndarë më e shkëlqyer, shenjat e madhështisë së Zotit akoma më të fuqishme, ndikimi i Fjalës është akoma më i fortë dhe nuk do të jetë vonë kur veprimi, nxehtësia, shkëlqimi, bekimet e Diellit të realitetit të Tij do të qarkojnë gjithë dheun.
10 Mos u hidhëro për përparimin e ngadaltë të Kauzës Bahá’í në atë vend. Ky është vetëm agimi i parë. Mendo se kishin për të kaluar treqind vjet përpara se të manifestohej ndikimi i madh i Kauzës së Krishtit. Sot, pa mbushur akoma gjashtëdhjetë vjet nga lindja e saj, drita e këtij Besimi është derdhur përqark planetit.
11 Në lidhje me shoqërinë e shëndetit, anëtar i së cilës je ti, sapo të vijë nën strehën e këtij Besimi, ndikimi i saj do të shtohet njëqindfish.
12 Ti e shikon që dashuria mes Bahá’íve është shumë e madhe dhe që dashuria është gjëja kryesore. Ashtu siç është zhvilluar në një shkallë kaq të lartë forca e dashurisë mes Bahá’íve dhe që është tepër më e madhe në krahasim me atë të njerëzve të feve të tjera, po ashtu ajo është mbi çdo gjë tjetër, sepse dashuria është themeli i gjithë gjërave.
13 Në lidhje me përkthimin e Librave dhe Tabelave të Bukurisë së Bekuar, jo për shumë kohë këto përkthime do të bëhen në çdo gjuhë, me forcë, qartësi dhe hir. Kur ata të përkthehen në përputhje me origjinalin dhe me forcën e bukurinë e stilit, shkëlqimet e kuptimit të brendshëm të tyre do të derdhen kudo e do të ndriçojnë sytë e gjithë njerëzimit. Bëj maksimumin tënd për të garantuar që përkthimi është në përputhje me origjinalin.
14 Bukuria e Bekuar shkoi në Haifa në shumë raste. Ti e ke parë Atë atje, por në atë kohë ti nuk e njihje. Kam shpresë se ti do ta arrish takimin e vërtetë me Të, që do të thotë ta shohësh Atë me syrin e brendshëm e jo të jashtëm.
15 Thelbi i Mësimit të Bahá’u’lláhut është dashuria gjithëpërfshirëse, sepse dashuria përfshin çdo shkëlqim të njerëzimit. Ajo e bën çdo shpirt të shkojë përpara. Ajo i dhuron çdonjërit, si trashëgim, jetën e pavdekshme. Së shpejti ti do të jesh dëshmitar që Mësimet e Tij të shenjta, lavdia e thellë e vetë realitetit do të ndriçojë qiejt e botës.
16 Lutja e shkurtër që ti shkruaje në mbyllje të letrës tënde, në të vërtetë, ishte origjinale, prekëse dhe e bukur. Recitoje këtë lutje gjatë gjithë kohës.

32 1 O ju shërbëtore të Zotit! Në këtë shekull, shekulli i Zotit të Plotfuqishëm, Dielli i Mbretërive të epërme, Drita e së Vërtetës, shndrin në shkëlqimin e meridianit të tij dhe rrezet e tij ndriçojnë gjithë rajonet. Sepse kjo është epoka e Bukurisë së Lashtë, dita e revelacionit të madhështisë e të fuqisë së Emrit Më të Madh, dhënça jetën time si flijim për të dashurit e Tij.
2 Në kohët që vijnë, megjithëse Kauza e Perëndisë do të zmadhohet e rritet njëqindfish dhe hija Sadratol Montaha do të strehojë gjithë njerëzimin, prapë se prapë ky shekull i tanishëm do të jetë i pashoq, sepse ai ka dëshmuar thyerjen e asaj Dite dhe lindjen e atij Dielli. Ky shekull, në të vërtetë, është burimi i dritës së Tij dhe agimi i Revelacionit të Tij. Kohërat dhe brezat e ardhshëm do të shohin përhapjen e shkëlqimit të tij dhe manifestimet e shenjave të tij.
3 Prandaj, tendosuni e ndoshta siguroni pjesën dhe racionin tuaj të plotë prej blatimeve të Tij.

33 1 O shërbëtor i Perëndisë! Ne kemi vënë re çfarë i shkruaje Xhenab-Ebn-Abharit dhe pyetjen tënde në lidhje me vargun: ‘Kush parashtron pretendimin për një Revelacion direkt nga Perëndia, para se të kalojnë plot një mijë vjet, një njeri i tillë sigurisht që është një mashtrues që gënjen.’
2 Kjo do të thotë se nëse një individ, që para përfundimit të plot një mijë vjetëve, vite të njohur dhe vendosur qartë nga përdorimi i përgjithshëm e që nuk kërkojnë interpretim, do të pretendonte për një Revelacion të drejtpërdrejtë nga Perëndia, edhe sikur ai të revelojë shenja të caktuara, ai njeri sigurisht që është gënjeshtar dhe mashtrues.
3 Kjo nuk është një referencë ndaj Manifestimit Universal, sepse në Shkrimet e Shenjta parashtrohet qartë që duhet të kalojnë shekuj, bile mijëra vjet radhë, para se të shfaqet përsëri një Manifestim si ky Manifestim.
4 Megjithatë, ka mundësi që pas përfundimit të plot një mijë vjetëve, Qenie të caktuara të Shenjta të pajisen me fuqi për të shpërndarë një Revelacion: megjithatë, kjo nuk do të bëhet nëpërmjet një Manifestimi Universal. Prandaj çdo ditë e ciklit të Bukurisë së Bekuar në realitet është e barabartë me një vit dhe çdo vit i tij është i barabartë me një mijë vjet.
5 Shiko, për shembull, diellin: kalimi i tij nga një shenjë zodiake tek tjetra ndodh brenda një periudhe të shkurtër kohe, megjithatë vetëm pas një periudhe të gjatë ai arrin maksimumin e shkëlqimit të tij, të nxehtësisë e lavdisë së tij, në shenjën e Luanit. Ai duhet fillimisht të plotësojë një rrotullim të plotë përmes yjësive të tjera para se të hyjë përsëri në shenjën e Luanit, për të flakëruar me shkëlqimin e tij të plotë. Në pozicionet e tjera, ai nuk e jep të plotë dritën e nxehtësinë e vet.
6 Thelbi është që para përfundimit të një mijë vjetëve, asnjë individ nuk mund të supozohet të thithë qoftë edhe një fjalë. Të gjithë duhet ta konsiderojnë veten për të qenë në radhën e subjekteve, të nënshtruar e të bindur ndaj urdhrave të Perëndisë dhe ligjeve të Shtëpisë së Drejtësisë. Sikur dikush të devijojë qoftë edhe një majë gjilpëre nga dekretet e Shtëpisë Universale të Drejtësisë apo të lëkundet nga pajtimi me to, atëherë ai është nga të flakurit dhe të kundërshtuarit.
7 Për sa i përket ciklit të Bukurisë së Bekuar, kohët e Emrit Më të Madh, ai nuk është i kufizuar në një mijë apo dy mijë vjet. ...
8 Kur thuhet që periudha e një mijë vjetëve fillon me Manifestimin e Bukurisë së Bekuar dhe çdo ditë e saj është një mijë vjet, qëllimi është një referim ndaj ciklit të Bukurisë së Bekuar, që në këtë kontekst do të qëndrojë përmbi shumë epoka në shtrirjen e ardhshme kohore.

34 1 O ti që po i shërben botës njerëzore! Letrën tënde e morëm dhe jemi jashtëzakonisht të kënaqur nga përmbajtja e saj. Ajo ishte një dëshmi vendimtare dhe një fakt i shkëlqyer. Është e përshtatshme dhe e nevojshme që në këtë epokë të shndritshme, epokën e progresit të botës njerëzore, ne duhet të vetëflijohemi dhe duhet t’i shërbejmë racës njerëzore. Çdo shkak universal është hyjnor dhe çdo shkak i veçantë është i përkohshëm. Prandaj, parimet e Manifestimeve hyjnore të Perëndisë, ishin në mbarë universin dhe gjithëpërfshirës.
2 Çdo shpirt i mangët është egoist dhe mendon vetëm për të mirën e tij. Por pasi mendimet e tij zgjerohen pak ai do të filloi të mendojë për mirëqenien dhe rehatimin e familjes së tij. Në qoftë se idetë e tij zgjerohen akoma, shqetësimi i tij do të jetë lumturia e bashkëqytetarëve të tij; e nëse ato zgjerohen akoma, ai do të fillojë të mendojë për lavdinë e vendit të tij dhe të racës së vet. Por kur idetë dhe pikëpamjet arrijnë shkallën maksimale të shtrirjes dhe arrijnë fazën e përsosmërisë, atëherë ai do të interesohet për lartësimin e njerëzimit. Atëherë ai do të jetë dashamirës i gjithë njerëzve dhe kërkues i begatisë e i mirëqenies së të gjitha vendeve. Ky është treguesi i përsosmërisë.
3 Në këtë mënyrë, Manifestimet e Perëndisë kanë një konceptim universal dhe gjithëpërfshirës. Ata përpiqen për hir të jetës së çdonjërit dhe angazhohen në shërbim të edukimit universal. Sfera e synimeve të tyre nuk është e kufizuar, përkundrazi, ajo është e gjerë dhe gjithëpërfshirëse.
4 Prandaj, ti duhet të mendosh për çdonjërin, që njerëzimi të edukohet, karakteri të përmirësohet dhe kjo botë të kthehet në një Kopsht të Edenit.
5 Duaji të gjitha fetë dhe të gjitha racat me një dashuri që është e vërtetë dhe e sinqertë e tregoje atë dashuri me vepra dhe jo nëpërmjet gjuhës; sepse kjo e fundit nuk ka rëndësi, pasi shumica e njerëzve, me fjalë, janë dashamirës, por më i miri është veprimi.

35 1 O ushtri e Perëndisë! Një letër, që ju e keni nënshkruar bashkërisht të gjithë, u mor. Ajo ishte shumë elokuente, plot aromë dhe leximi i saj ishte një kënaqësi.
2 Ju kishit shkruar për muajin e agjërimit. Fatlumë jeni ju që i jeni bindur urdhrit të Perëndisë dhe keni mbajtur këtë agjërim gjatë muajit të shenjtë. Sepse ky agjërim material është një shenjë e jashtme e agjërimit shpirtëror, është një shenjë e vetëkufizimit, e përmbajtjes së çdonjërit nga gjithë llojet e orekseve të vetes, duke marrë karakteristikat e shpirtit, duke marrë me vete flladet e qiellit dhe duke marrë zjarr nga dashuria e Perëndisë.
3 Letra juaj simbolizon, gjithashtu, unitetin dhe afërsinë e zemrave tuaja. Kam shpresë se perëndimi, nëpërmjet hirit të pakufishëm që Perëndia po derdh në këtë epokë të re, do të bëhet lindje, pikë-agimi e Diellit të së Vërtetës dhe besimtarët perëndimorë agimet e dritës, manifestues të shenjave të Perëndisë; ata do të ruhen prej dyshimeve të moskokëçarjes dhe do të qëndrojnë të vendosur e të palëvizshëm me Besëlidhjen dhe Testamentin, se ata do të mundohen ditë e natë deri sa të zgjojnë ata që flenë, do të bëjnë të dijshëm ata që janë ta padijshëm, do të sjellin të flakurit për të qenë të afërt të rrethit të brendshëm dhe do t’u japin varfanjakëve racionin e tyre të hirit të amshuar. Le të jenë ata lajmëtarët e Mbretërisë e t’u bëjnë thirrje banorëve të kësaj bote të ulët dhe t’i ftojnë për të hyrë në mbretërinë e epërme.
4 O ushtri e Perëndisë! Sot, në këtë botë, çdo popull po vjen vërdallë i humbur në shkretëtirën e saj, duke u tundur sa andej-këndej sipas diktatit të trilleve dhe tekave të saj, duke kërkuar kapriçion e vet të veçantë. Mes gjithë masave të fryra mbi tokë, vetëm ky komunitet i Emrit më të Madh është i lirë dhe i qartë për planet njerëzore dhe nuk ka qëllime egoiste për të përkrahur. I vetëm mes gjithë atyre, këta njerëz janë ngritur me synime për të pastruar veten, duke ndjekur Mësimet e Perëndisë, duke u munduar e përpjekur me shumë zell për një qëllim të vetëm: ta kthejë këtë pluhur të ulët në qiell të lartë, të bëjë prej kësaj bote një pasqyrë për Mbretërinë, të ndryshojë këtë botë në një botë tjetër dhe të bëjë gjithë njerëzimin të përvetësojë udhët e drejtësisë dhe një mënyrë të re jetese.
5 O ushtri e Perëndisë! Nëpërmjet mbrojtjes dhe ndihmës së dhuruar nga Bukuria e Bekuar – u bëftë fli jeta ime për të dashurit e Tij – ju duhet të silleni në mënyrë të tillë që të shquheni e të shkëlqeni si dielli në mes shpirtrave të tjerë. Në qoftë se ndonjëri prej jush hyn në një qytet, ai, në saje të sinqeritetit, të çiltërsisë e të dashurisë, të ndershmërisë e të besnikërisë, të vërtetësisë e të dashamirësisë së tij ndaj të gjithë njerëzve të botës, duhet të bëhet një qendër tërheqëse, që njerëzit e atij qyteti të thonë: “Ky njeri është pa diskutim një Bahá’í, sepse figura e tij, sjellja e qëndrimi i tij, morali, natyra dhe prirjet e tij pasqyrojnë atributet e Bahá’íve”. Para se të keni arritur këtë pozitë, ju nuk mund të thoni se i jeni përmbajtur me besnikëri Besëlidhjes dhe Testamentit të Perëndisë. Sepse Ai, përmes Tekstesh të pakundërshtueshme, ka hyrë në një Besëlidhje detyruese me të gjithë ne, që na kërkon të veprojmë në përputhje me udhëzimet e këshillat e Tij të shenjta.
6 O ushtri e Perëndisë! Ka ardhur koha që efektet dhe përsosmëritë e Emrit Më të Madh të bëhen manifest në këtë epokë të shkëlqyer, për të vendosur përtej çdo dyshimi, se kjo epokë është epoka e Bahá’u’lláhut dhe kjo periudhë dallohet nga të gjitha periudhat e tjera.
7 O ushtri e Perëndisë! Kurdoherë që të shikoni një person, e tërë vëmendja e të cilit drejtohet drejt Kauzës së Perëndisë; qëllimi i vetëm i të cilit është që ta bëjë Fjalën e Perëndisë të fitojë efekt; që ditë e natë, me një synim të pastër po bën shërbim ndaj Kauzës; në sjelljen e të cilit nuk dallohet as gjurma më e vogël e kultit personal apo e motiveve private, por përkundrazi, vërtitet i tërhequr në shkretëtirën e dashurisë së Perëndisë, pi vetëm nga kupa e dijes së Perëndisë, është krejt i mbushur me përhapjen e aromave të këndshme të Perëndisë dhe është i dashuruar me vargjet e shenjta të Mbretërisë së Perëndisë, dijeni me siguri që ky individ do të mbështetet dhe përforcohet nga qielli dhe, si ylli i mëngjesit, ai do të ndriçojë shkëlqyeshëm përmbi qiejt e hirit të amshuar. Por në qoftë se ai shfaq edhe shenjën më të vogël të dëshirave egoiste dhe të vetëdashjes, përpjekjet e tij do të shkojnë drejt zeros, ai do të shkatërrohet dhe më në fund do të mbetet i pashpresë.
8 O ushtri e Perëndisë! Lavdërimi qoftë me Perëndinë, Bahá’u’lláhu i ka hequr vargonjtë nga qafa e njerëzimit, e ka bërë njeriun të lirë nga gjithçka që e pengonte dhe i tha atij: Ju jeni frutat e një peme dhe fletët e një dege; qofshi të dhembshur dhe të mirë me gjithë racën njerëzore. Silluni me të huajt njësoj si me miqtë, doni të tjerët ashtu siç do të donit veten. Shihini armiqtë si miq; shihini demonët si engjëj; jepini tiranit po atë dashuri të madhe që ju tregoni ndaj besnikëve dhe të vërtetëve dhe si gazelat prej qyteteve të shenjta Khata e Khutan28 ofroni aromë të këndshme ndaj ujkut grabitqar. Jini strehë për të tremburin, sillini qetësi e paqe të shqetësuarit, siguroni diçka për ata që s’kanë, jini thesar pasurish për të varfrit, jini bar shërues për ata që kanë dhimbje, jini doktorë e kujdestarë për të sëmurët; nxisni miqësinë, nderin, pajtimin dhe përkushtimin ndaj Perëndisë, në këtë botë të mos-ekzistencës.
9 O ushtri e Perëndisë! Bëni përpjekje të fuqishme: ndoshta ju mund të mbushni me dritë këtë tokë, që kjo kasolle balte, bota, të bëhet Parajsa Abhá. Errësira e ka pushtuar dhe kanë triumfuar tiparet shtazarake. Kjo botë e njeriut tani është arenë për bishat e egra, një fushë ku shfrytëzon rastin i padituri, moskokëçarësi. Shpirtrat njerëzorë janë ujq grabitqarë dhe kafshë me sy të verbër, ata janë ose helm vdekjeprurës ose barëra të këqija – të gjithë, përveç një pakice që, në të vërtetë, bëjnë plane dhe kanë synime altruiste edukimi për mirëqenien e bashkëkohësve të tyre: por ju duhet që për këtë çështje, që është shërbimi ndaj njerëzimit, të jepni pikërisht jetën tuaj dhe, ndërsa jepni veten, gëzohuni.
10 O ushtri e Perëndisë! I Lartësuari, Bábi, dha jetën e Tij. Përsosmëria e Bekuar dha njëqind jetë në çdo frymë. Ai duroi fatkeqësi. Ai hoqi dhimbje të mëdha. Ai u burgos. Ai u lidh me zinxhirë. Ai u bë njeri pa shtëpi dhe u dëbua në vende të largëta. Përfundimisht, pastaj, Ai i jetoi vitet e Tij në Burgun Më të Madh. Po ashtu, një mori e madhe e të dashurve të Perëndisë, që ndoqën këtë rrugë kanë shijuar mjaltin e martirizimit dhe dhanë çdo gjë që kishin – jetën, pasurinë, farefisin. Sa shtëpi u katandisën rrënoja, sa banesa u shkatërruan dhe u plaçkitën, sa ndërtesa hijerënda u bënë njësh me dheun, sa pallate u kthyen në varr. Dhe të gjitha këto ndodhën që njerëzimi të ndriçohet, që padituria t’i lërë vendin dijes, që njerëzit e tokës të bëhen njerëz të qiellit, që mosmarrëveshja dhe grindja të shkulen nga rrënjët dhe Mbretëria e Paqes të vendoset përmbi gjithë botën. Luftoni tani që kjo dhuratë të bëhet manifest dhe më e shtrenjta e të gjitha shpresave të realizohet me shkëlqim nëpërmjet komunitetit njerëzor.
11 O ushtri e Perëndisë! Kujdes se mos lëndoni ndonjë shpirt ose bëni të vuajë ndonjë zemër, se mos plagosni me fjalën tuaj ndonjë njeri, qoftë ai i njohur apo i huaj, qoftë mik apo armik. Lutuni për të gjithë; kërkoni që të gjithë qofshin bekuar, të gjithë paçin ndjesë. Kujdes, kujdes se mos ndonjë nga ju kërkon hakmarrje, bile edhe kundër ndonjërit që është i etur për gjakun tuaj. Kujdes, kujdes se mos fyeni ndjenjat e tjetrit, edhe sikur të jetë ai mbjellës i të ligave dhe do që të sëmureni. Mos shikoni mbi krijesat, por kthehuni nga Krijuesi i tyre. Mos shikoni njerëzit e pagdhendur, por shikoni Zotin e Ushtrive. Mos i hidhni sytë mbi pluhur, por vështroni lart tek dielli që shkëlqen, që e bën të flakërojë me dritë çdo njollë të dheut sterrë.
12 O ushtri e Perëndisë! Kur godet fatkeqësia, jini të durar e gjakftohtë. Sado të dhembshme qofshin vuajtjet tuaja, rrini të qetë e me besim të plotë në mirësinë e pashtershme të Perëndisë, bëjuni ballë me trimëri stuhive të fatkeqësive e të sprovave të rënda.
13 Vitin e kaluar, një numër të pabesësh, nga brenda dhe nga jashtë, të njohur e të panjohur prej nesh, ngritën para Sulltanit të Turqisë akuza shpifëse kundër këtyre të syrgjynosurve pa shtëpi, duke bërë kundër nesh akuza të rënda, por në fakt pa asnjë bazë. Qeveria, me maturi, vendosi t’i verifikonte këto akuza dhe dërgoi në këtë qytet një Komision Hetimi. Është e qartë se ç’mundësi iu dha kjo dashakeqësve tanë dhe ç’stuhi ngritën ata, të tillë që nuk mund të përshkruhet nga fjala apo pena. Vetëm një që e pa, mund të dijë çfarë tronditje krijuan ata dhe ç’tërmet dhimbjesh ishte rezultati i tyre. Por pavarësisht nga kjo, përgjigja ishte të mbështeteshim plotësisht te Perëndia dhe të qëndronim të qetë, me besim, me durim, të pa tronditur deri në atë shkallë sa që një person, që nuk dinte gjë për situatën, do na kishte menduar pa telashe në zemër e mendje, krejt të gëzuar, të lumtur e në paqe.
14 Pastaj ndodhi që vetë akuzuesit, ata që kishin bërë akuza të rreme kundër nesh, u bashkuan me anëtarët e Komisionit për të hetuar akuzat, kështu që paditës, dëshmitarë dhe gjyqtarë ishin po të njëjtët dhe përfundimi ishte i ditur. Megjithatë, për të qenë të ndershëm, duhet thënë se deri më sot Madhëria e Tij Sulltani i Turqisë nuk ua ka vënë veshin këtyre akuzave të rreme, këtyre shpifjeve, këtyre përrallave e përgojimeve dhe ka vepruar me drejtësi….
15 O ti Garantues! Ti i ke flladitur miqtë në Perëndim me aromën e këndshme të Shpirtit të Shenjtë dhe ke ndriçuar qiellin perëndimor me dritën e udhëheqjes hyjnore. Ti i ke bërë të të afrohen Ty, ata që dikur ishin të largët; Ti i ke kthyer të panjohurit në miq të dashur; Ti ke zgjuar ata që flinin; Ti u ke mbushur mendjen moskokëçarësve.
16 O Ti Garantues! Ndihmoji këta miq fisnikë për të fituar pëlqimin Tënd të mirë e bëji ata dashamirës si për të huajt edhe për miqtë. Silli ata në botën që mbetet përgjithmonë; jepu atyre një pjesë prej hirit qiellor; bëji ata të jenë Bahá’í të vërtetë, sinqerisht me Perëndinë; ruaji ata prej dukjes së jashtme dhe bëji të vendosur në të vërtetën. Bëji ata shenja e simbole të Mbretërisë, yje të shndritshëm përmbi horizontet e kësaj jete të ulët. Bëji ata te jenë ngushëllim e lehtësim për njerëzimin dhe shërbëtorë për paqen e botës. Jepu gaz me verën e këshillës Tënde e bëj që ata të gjithë të ecin në shtegun e urdhrave të Tu.
17 O Ti Garantues! Dëshira më e flaktë e këtij shërbëtori të Pragut Tënd është të shohë miqtë e lindjes dhe të perëndimit në përqafim të ngushtë; të shikojë gjithë pjesëtarët e shoqërisë njerëzore të bashkuar me dashuri në një asamble të madhe, ashtu si pikat e veçanta të ujit të mbledhura në një det madhështor; t’i shohë ata si zogjtë në një kopsht trëndafilash, si perlat e një oqeani, si fletët e një peme, si rrezet e një dielli.
18 Ti je i Madhi, i Fuqishmi dhe Ti je Perëndia e forcës, i Plotfuqishmi, Gjithpamësi.

36 1 O ju dy shërbëtore të preferuara të Zotit! Letrën nga Nëna Beecher e mora dhe, në të vërtetë, ajo flet për ju të dyja, prandaj po u drejtohem të dyjave së bashku. Kjo mua më duket shumë e bukur, sepse ju, dy qenie të dëlira, jeni si një margaritar i vetëm i çmuar, ju jeni dy degë të dala nga e njëjta pemë, ju të dyja adhuroni të njëjtin të Shtrenjtë, ju të dyja po digjeni për të njëjtin Diell shkëlqimtar.
2 Kam shpresë se të gjitha shërbëtoret e Perëndisë në atë rajon do të bashkohen si valët e një deti të pafund; sepse megjithëse shfryjnë përreth ndërsa dëgjohet era, ato janë të ndara në vetvete, por në të vërtetë janë të gjitha njësh me thellësinë e pafund.
3 Sa mirë është kur miqtë janë aq të ngushtë si tufat e dritës, kur ata qëndrojnë krah për krah së bashku në një linjë të pandërprerë, të vendosur. Sepse tani, retë e realitetit nga Dielli i botës së qenies, kanë bashkuar me admirim të gjithë adhuruesit e kësaj drite; dhe këto rreze, nëpërmjet hirit të pafund, kanë grumbulluar të gjithë njerëzit së bashku nën këtë strehë të shtrirë gjerësisht; prandaj duhet që të gjithë shpirtrat të bëhen si një shpirt dhe gjithë zemrat si një zemër. Le të çlirohen të gjithë nga identitetet e shumëfishta që u lindën nga pasioni e dëshira dhe të gjejnë një udhë të re jete në njëshmërinë e dashurisë së tyre për Perëndinë.
4 O ju dy shërbëtore të Perëndisë! Tani është koha që ju të bëheni si kupa bujare që janë mbushur deri në grykë dhe si shkulma ripërtëritëse që fryjnë nga Parajsa Abhá, të shpërndani erë parfumi tej e ndanë atij vendi. Çlirojeni veten nga jeta e kësaj bote dhe digjuni në çdo hap për mos-ekzistencën; sepse kur rrezja kthehet te dielli ajo përfshihet, kur pika derdhet në det ajo zhduket dhe kur i dashuri i vërtetë gjen të Shtrenjtin e tij, i jep shpirtin.
5 Përderisa një qenie të vendosë këmbën në rrafshin e flijimit, ajo është e privuar nga çdo favor edhe hir; dhe ky rrafsh flijimi është mbretëria e vdekjes për vete, që shkëlqimi i Perëndisë jetëdhënës të ndriçojë pastaj përpara. Fusha e martirit është vendi i veçimit nga vetja, që të lartësohen himnet e përjetësisë. Të gjithë ju mund të bëheni tërësisht të zhveshur nga vetja dhe të lidheni me Fytyrën e Shkëlqimeve; dhe sapo të keni arritur kaq lartësi nënshtrimi, ju do të gjeni gjithë sendet e krijuara, të mbledhur brenda hijes suaj. Ky është hiri i pakufishëm; ky është sovraniteti më i lartë; kjo është jeta që nuk vdes. Përveç saj, gjithçka tjetër nuk është gjë, veçse manifestim i vdekjes së përjetshme dhe humbje e madhe.
6 Lavdërimi qoftë me Perëndinë, porta e hirit të pakufishëm është e hapur kat më kat, tavolina qiellore është shtruar, shërbëtorët e Mëshirëplotit dhe shërbëtoret e Tij janë të pranishëm në gosti. Përpiquni të merrni pjesën tuaj nga ky ushqim i përjetshëm, që ju të jeni të dashuruar dhe të gëzuar në këtë botë dhe në tjetrën.

37 1 O ju miq të shtrenjtë të ‘Abdu’l-Baháit! Letrën tuaj të bekuar që tregon për zgjedhjen e Asamblesë Shpirtërore e morëm. Ajo ka gëzuar zemrën time, kur mësova, lëvduar qoftë Perëndia, se miqtë në atë zonë, me unitet absolut, miqësi dhe dashuri, kanë zhvilluar këtë zgjedhje të re dhe ishin të suksesshëm në votimin për shpirtra që janë të shenjtëruar, janë të pëlqyer në Pragun e Shenjtë dhe janë të mirënjohur ndër miqtë për vendosmërinë dhe ngulmimin e tyre ndaj Besëlidhjes.
2 Tani duhet që këta përfaqësues të zgjedhur të ngrihen për të shërbyer me shpirt dhe gëzim, me synime të pastra, të tërhequr fort nga aromat e të Plotfuqishmit dhe të mbështetur fort nga Shpirti i Shenjtë. Le të ngrehin ata flamurin e udhërrëfimit dhe si ushtarë të Kompanisë së epërme le të lartësojnë Fjalën e Perëndisë, të përhapin kudo aromat e Tij të këndshme, të edukojnë shpirtrat e njerëzve dhe të përkrahin Paqen Më të Madhe.
3 Me të vërtetë, shpirtra të bekuar janë zgjedhur. Në momentin që Unë lexova emrat e tyre ndjeva në shpirt një drithërimë gëzimi, kur mësova, lëvduar qoftë Perëndia, se personat që janë ngritur në atë vend janë shërbëtorë të Mbretërisë dhe të gatshëm për të dhënë jetën e tyre për Atë Që nuk ka as ngjashmëri, as shok.
4 O ju miqtë e mi të dashur! Ndriçojeni këtë Asamble me shkëlqimin e dashurisë së Perëndisë. Bëjeni atë të kumbojë nga muzika e gëzueshme e sferave të shenjta, bëjeni atë të lumtur me ato ushqime që shërbehen në Drekën e Zotit, në tavolinën e banketit qiellor të Perëndisë. Mblidhuni së bashku me kënaqësi të pastër dhe në fillim të mbledhjes recitoni këtë lutje:

5 O Ti, Zot i Mbretërisë! Megjithëse trupat tanë mblidhen këtu së bashku, zemrat tona të magjepsura janë mbushur me dashurinë Tënde dhe ne përcillemi nga rrezet e fytyrës Tënde të shkëlqyer. Të dobët jemi, por ne presim revelacionet e madhështisë dhe fuqisë Tënde. Të varfër jemi, pa mall e pa gjë, por ne marrim pasuri nga thesaret e Mbretërisë Tënde. Pikëza jemi, por ne marrim prej thellësive të oqeanit Tënd. Grimca jemi, por ne shkëlqejmë me lavdinë e Diellit Tënd të shndritshëm.
6 O Ti Garantuesi ynë! Na dërgo ndihmën tënde, që secili nga ata që janë mbledhur këtu të bëhet një qiri i flakëruar, një qendër vëmendjeje, një ftues për mbretëritë e Tua qiellore, deri sa ne ta bëjmë, më në fund, këtë botë të ulët, shëmbëlltyrë të pasqyrës së Parajsës Tënde.

7 O ju miqtë e mi të dashur! Detyra e asambleve të atyre rajoneve është të lidhen me njëra-tjetrën, të bashkërendojnë me njëra-tjetrën dhe, gjithashtu, të komunikojnë me asambletë e lindjes, në mënyrë që të bëhen agjenci për bashkimin e mbarë botës.
8 O ju miq shpirtërorë! Qëndrueshmëria juaj duhet të jetë e tillë sa që edhe sikur dashakeqësit të çojnë drejt vdekjes çdo besimtar dhe të mbetet qoftë edhe një i vetëm, i vetëm dhe vetëm të përballojë gjithë njerëzit e tokës, të shkojë për të shpërndarë an’ e kënd ëmbëlsinë e aromave të shenjta të Perëndisë. Prandaj, nëse nga Toka e Shenjtë mbërrin te ju ndonjë lajm i frikshëm, ndonjë fjalë mbi ndodhi të tmerrshme, vlerësojeni atë që të mos lëkundeni, të mos goditeni nga hidhërimi, të mos tronditeni. Përkundrazi, ngrihuni menjëherë, me një vendosmëri të hekurt, dhe shërbejini Mbretërisë së Perëndisë.
9 Ky Shërbëtor i Pragut të Zotit ka qenë në rrezik tërë kohës. Ai është në rrezik dhe tani. Asnjëherë nuk kam pasur ndonjë shpresë sigurie dhe dëshira ime më e shtrenjtë është kjo: të pi nga kupa bujare e martirit, e mbushur plot për plot dhe të vdes në fushën e flijimit, i kënaqur me atë verë që është më e çmuara e dhuratave të Perëndisë. Kjo është shpresë ime më e madhe, kjo është dëshira ime më e lartë.
10 Ne dëgjuam që Tabelat e Ishraqatit (Shkëlqimet), Tarazatit (Zbukurimet), Besharatit (Lajmet e Gëzuara), Taxhallijatit (Rrëzëllimet), dhe Kalimatit (Fjalët e Parajsës) janë përkthyer dhe botuar në ato rajone. Në ato Tabela ju keni një model se si duhet të jini dhe si të jetoni.

38 1 O shërbëtore e Perëndisë që dridhesh si një filiz i ri dhe i brishtë nga erërat e dashurisë së Perëndisë! Unë e kam lexuar letrën tënde, që tregon për dashurinë tënde të begatë, përkushtimin tënd të thellë dhe qenin tënde të pushtuar nga kujtimi i Zotit tënd.
2 Mbështetu tek Perëndia. Braktis vullnetin tënd dhe kapu pas Tij, lëri mënjanë dëshirat e tua dhe mbaju pas Tij, që të bëhesh për shërbëtorët e Tij një shembull i shenjtë, shpirtëror dhe i Mbretërisë.
3 Dije, o shërbëtore, se në vështrim të Bahá’ít gratë llogariten njësoj si burrat dhe Perëndia ka krijuar gjithë njerëzimin sipas shëmbëlltyrës së Vet e sipas ngjashmërisë së Tij. Për këtë arsye, burrat dhe gratë janë njësoj revelues të emrave dhe atributeve të Tij dhe nga pikëpamja shpirtërore nuk ka ndryshim midis tyre. Kushdo që i afrohet Perëndisë, qoftë burrë apo grua, është shumë i pëlqyer. Sa shumë shërbëtore entuziaste dhe të përkushtuara, në hijen mbrojtëse të Bahá’ít, kanë treguar epërsi ndaj burrave dhe i kanë tejkaluar të famshmit e dheut.
4 Megjithatë, sipas tekstit të qartë të Ligjit të Perëndisë, Shtëpia e Drejtësisë kufizohet me burra; për shkak të një fjale të urtë të Perëndisë Zot, që së shpejti do të bëhet manifest aq qartë sa dielli në mes të ditës.
5 Për sa u përket juve, O shërbëtore të tjera që jeni dashuruar me aromat qiellore, organizoni mbledhje të shenjta dhe themeloni Asambletë Shpirtërore, sepse ato janë bazat për përhapjen e aromave të këndshme të Perëndisë, që lartësojnë Fjalën e Tij, ngrenë llambën e hirit të Tij, që shpallin fenë e Tij, përkrahin Mësimet e Tij dhe cili shpërblim është më i madh se ky? Këto Asamble Shpirtërore ndihmohen nga Shpirti i Perëndisë. Mbrojtësi i tyre është ‘Abdu’l-Bahái. Ai ka hapur krahët e Tij përmbi to. Cili shpërblim është më i madh se ky? Këto Asamble Shpirtërore janë fanarë ndriçues dhe kopshte qiellore, prej të cilëve po përhapen aromat e shenjtërisë përmbi gjithë rajonet dhe po derdhen kudo dritat e dijes përmbi gjithë gjërat e krijuara. Prej tyre shpirti i jetës vërshon në çdo drejtim. Në të vërtetë, ato janë burimet e fuqishme të progresit të njeriut, në të gjithë kohërat dhe në çdo rrethanë. Cili shpërblim është më i madh se ky?

39 1 O shërbëtore e Perëndisë! Letrën tënde, që sjell lajmin se në atë qytet është krijuar një Asamble, e mora.
2 Mos shiko numrin tuaj të vogël, përkundrazi, kërkoni zemrat që janë të dëlira. Një shpirt i shenjtëruar është i preferuar ndaj një mijë shpirtrave të tjerë. Në qoftë se një grup i vogël njerëzish mblidhen së bashku me dashuri, me pastërti e shenjtëri absolute, me zemrat e tyre të çliruara nga bota, duke përjetuar emocionet e Mbretërisë dhe forcat e fuqishme magnetike të Hyjnores, dhe duke qenë të bashkuar në miqësinë e tyre të lumtur, ky grup njerëzish do të ushtrojë një ndikim mbi të gjithë tokën. Natyra e këtij grushti njerëzish, fjalët që ata thonë, veprat që bëjnë, do të lëshojnë dhuntitë e Qiellit dhe do të sjellin parashijën e lumturisë së përjetëshme. Aradhat e Ushtrisë qiellore do t’i mbrojnë ata dhe ëngjëjt e Parajsës Abhá do të zbresin njëri pas tjetrit në ndihmë të tyre.
3 Kuptimi i ‘engjëjve’ janë konfirmimet e Perëndisë dhe forcat e Tij të shenjta. Po ashtu, engjëjt janë qenie të bekuara, që i kanë këputur të gjitha lidhjet me këtë botë të ulët, janë çliruar nga vargonjtë e unit, nga dëshirat trupore dhe kanë ankoruar zemrat e tyre në mbretëritë qiellore të Zotit. Këta janë të Mbretërisë, qiellorë; këta janë të Perëndisë, shpirtërorë; ata janë reveluesit e hirit të begatë të Perëndisë; këta janë pika agimi të blatimeve të Tij shpirtërore.
4 O shërbëtore e Perëndisë! Lavdërimi qoftë me Të, bashkëshorti yt i shtrenjtë ka ndjerë erërat e këndshme që fryjnë prej kopshteve të qiellit. Tani, ashtu si dita ndjek ditën, ti, përmes dashurisë së Perëndisë dhe punëve të tua të mira, duhet ta tërheqësh atë kurdoherë e më afër Besimit.
5 Ato në San Francisco29 ishin në të vërtetë ngjarje të llahtarshme. Fatkeqësi të këtij lloji duhet të shërbejnë për të zgjuar njerëzit dhe për të zvogëluar dashurinë e zemrave të tyre për këtë botë të paqëndrueshme. Në këtë botë të ulët ndodhin gjëra kaq tragjike: kjo është kupa që jep verë të hidhur.

40 1 O ju që ju do ‘Abdu’l-Bahái! Unë i kam lexuar raportet tuaja me gëzim të madh; ata janë të një natyre që gëzon e ripërtërin zemrën dhe që kënaq shpirtin. Në qoftë se kjo Asamble, nëpërmjet frymës së shenjtë të të Plotfuqishmit dhe konfirmimeve të Tij hyjnore, qëndron e mbetet e vendosur dhe e fortë, ajo do të japë rezultate të shquara dhe do të mundësojë nisma me rëndësi të madhe.
2 Asambletë shpirtërore që krijohen në këtë Epokë të Perëndisë, në këtë shekull të shenjtë, pa diskutim që nuk kanë pasur as shoqe, as ngjashmëri me ciklet e mëparshëm. Sepse kuvendet e tyre, që përdornin forcën, bazoheshin në mbështetjen e udhëheqësve të fuqishëm të njerëzve, ndërsa këto Asamble bazohen në mbështetjen e Bukurisë Abhá. Mbrojtësit dhe mbështetësit e kuvendeve të tjera ishin ose një princ apo mbret, ose një klerik kryesor, ose masa e popullit. Kurse këto Asamble Shpirtërore kanë për mbrojtës, mbështetës, ndihmues e frymëzues të tyre, Zotin e plotfuqishëm.
3 Mos shikoni mbi të tashmen, ngulni vështrimin tuaj në kohët që vijnë. Sa e vogël është fara në fillim, por megjithatë, në fund ajo është një pemë e madhe. Mos shikoni farën, shikoni pemën dhe lulet e saj, fletët dhe frutat e saj. Mendoni kohën e Krishtit, kur Atë nuk e ndiqte asnjë, përveç një grupi të vogël; pastaj shikoni se ç’pemë e madhe u bë ajo farë, shikoni frutat e saj. Dhe tani do të ndodhin gjëra edhe më të mëdha se këto, sepse kjo është thirrja e Zotit të Ushtrive, kjo është thirrja trumbetë e Zotit jetëdhënës, ky është himni i paqes botërore, ky është flamuri i drejtësisë dhe besimi e mirëkuptimi ngrihen lart mes gjithë popujve të ndryshëm të globit; ky është shkëlqimi i Diellit të së Vërtetës, ky është shenjtëria e shpirtit të Vetë Perëndisë. Ky, më i fuqishmi i dispensacioneve, do të qarkojë gjithë dheun dhe nën flamurin e tij do të mblidhen e do të strehohen së bashku gjithë popujt. Dijeni atëherë rëndësinë jetike të kësaj fare të vogël që Kopshtari i vërtetë e ka mbjellë në fushat pjellore të Zotit me duart e mëshirës së Vet, e ka ujitur me shiun e blatimeve e bujarive dhe tani po e ushqen me nxehtësinë dhe dritën e Diellit të së Vërtetës.
4 Prandaj, o ju të dashurit e Perëndisë, jepini falënderime Atij që ju ka bërë objekt të kaq shpërblimeve dhe marrës të kaq dhuratave. Qofshi të bekuar, marrshi lajme të gëzuara, për këtë hir të begatë.

41 1 O ti që je i patundur në Besëlidhje dhe i fortë! Letrën që ti ke shkruar ma kanë treguar dhe opinionet që shpreheshin atje ishin shumë të lavdërueshme. Është detyrë e Asamblesë Konsultative Shpirtërore të Nju Jorkut të jetë në marrëveshje të plotë me atë të Çikagos dhe të dyja këto asamble të konsultohen bashkërisht për të miratuar çdo gjë që e konsiderojnë të përshtatshme për publikim dhe shpërndarje. Pas kësaj, ato le të dërgojnë një kopje në Akka, me qëllim që të miratohet dhe, pas kësaj, materiali do t’u rikthehet për t’u botuar dhe hedhur në qarkullim.
2 Çështja e koordinimit dhe e unifikimit të dy Asambleve Shpirtërore, asaj të Çikagos dhe të Nju Jorkut, është me rëndësi shumë të madhe dhe sapo të formohet siç duhet një Asamble Shpirtërore në Uashington, të dyja këto Asamble duhet të krijojnë lidhje uniteti edhe me atë Asamble. Me dy fjalë, dëshira e Perëndisë Zot është që të dashurit e Perëndisë dhe shërbëtoret e Mëshirëplotit në Perëndim duhet të afrohen së bashku në harmoni dhe unitet, ditë për ditë, se pa u përmbushur kjo, puna nuk do të shkojë kurrë përpara. Nga të gjithë instrumentet, asambletë shpirtërore kolektivisht janë instrumenti më efektiv për vendosjen e unitetit dhe të harmonisë. Kjo çështje është me rëndësi shumë të madhe; ky është magneti që tërheq poshtë konfirmimet e Perëndisë. Nëse njëherë bukuria e unitetit të miqve, ky i Shtrenjtë Hyjnor, stoliset me adhurimet e Mbretërisë Abhá, është e sigurt që brenda një kohe të shkurtër këto vende do të bëhen Parajsa e Lavdiplotit dhe prej perëndimit, shkëlqimet e unitetit do të hedhin rrezet e tyre të shkëlqyera mbi tërë dheun.
3 Ne po përpiqemi me mish e me shpirt, duke mos u prehur as ditën, as natën, duke mos kërkuar asnjë moment qetësie, për ta bërë këtë botë të njeriut pasqyrën e unitetit të Perëndisë. Atëherë sa herë më shumë duhet ta reflektojnë të dashurit e Perëndisë këtë unitet? Dhe kjo shpresë e gëzuar, kjo dëshirë përvëluese jona do të përmbushet qartë vetëm në një ditë kur miqtë e vërtetë të Perëndisë të ngrihen për të përmbushur Mësimet e Bukurisë Abhá – qoftë jeta ime haraç për të dashurit e Tij! Një prej këtyre mësimeve është ky, që dashuria dhe besimi i mirë duhet ta sundojnë aq shumë zemrën njerëzore sa njerëzit të vlerësojnë të panjohurin si një mik familjar, keqbërësin si njeri të tyre, të huajin si një të dashur, armikun si një shok të shtrenjtë dhe të ngushtë. Atë që i vret, ata duhet ta quajnë dhurues të jetës; atë që largohet prej tyre, ata duhet ta vlerësojnë si të kthyer drejt tyre; atë që mohon mesazhin e tyre, ata do ta konsiderojnë si një që njeh të vërtetën e tij. Kjo do të thotë që ata duhet ta trajtojnë gjithë njerëzimin siç trajtojnë simpatizantët e tyre, njerëzit e besimit të tyre, të dashurit e tyre dhe miqtë e familjes.
4 Sikur një pishtar i tillë të ndriçojë gjithë komunitetin botëror, ju do të shihni se i tërë dheu po lëshon një aromë, që e bën atë një parajsë kënaqësie dhe faqen e tij shëmbëlltyrën e qiellit të epërm. Atëherë e tërë bota do të jetë një tokë amtare, popujt e saj të ndryshëm një lloj i vetëm, kombet e lindjes dhe të perëndimit një familje.
5 Kam shpresë që një ditë e tillë do të vijë, që një shkëlqim i tillë do të shndrijë dhe një vizion i tillë do të zbulohet me bukurinë e tij të plotë.

42 1 O ju bashkëpunëtorë që mbështeteni nga ushtritë prej mbretërisë së Lavdiplotit! Qofshi të bekuar, sepse ju jeni mbledhur së bashku në hijen mbrojtëse të Fjalës së Perëndisë dhe keni gjetur strehë në guvën e Besëlidhjes së Tij; ju keni sjellë paqe në zemrat tuaja duke e bërë Bukurinë Abhá shtëpinë tuaj dhe jeni joshur nga erërat e lehta që fryjnë prej burimit të tyre me dashamirësinë e Tij të përzemërt; ju jeni ngritur për t’i shërbyer Kauzës së Perëndisë dhe të përhapni fenë e Tij an’ e kënd, të përkrahni Fjalën e Tij e të ngrini lart flamujt e shenjtërisë mes për mes gjithë atyre rajoneve.
2 Për jetën e Baháit! Me të vërtetë, fuqia e përsosur e Realitetit Hyjnor do të flladitë te ju bujaritë e Shpirtit të Shenjtë dhe do t’u ndihmojë që të realizoni një shpërthim, të cilin syri i krijimit nuk e ka parë kurrë.
3 O ju Lidhje e Besëlidhjes! Me të vërtetë, Bukuria Abhá bëri një premtim për të shtrenjtët që janë të vendosur në Besëlidhje, që Ai do t’i përforcojë përpjekjet e tyre me mbështetjen më të fortë dhe do t’i ndihmojë ata me fuqinë e Tij triumfuese. Së shpejti ju do të shihni se mbledhjet tuaja të shndritshme kanë lënë shenja dhe simbole të dukshme në zemrat dhe shpirtrat e njerëzve. Mbajuni fort pas cepit të petkut të Perëndisë, drejtojeni gjithë përpjekjet tuaja drejt përparimit të Besëlidhjes së Tij dhe digjuni me shkëlqim gjithnjë e më shumë me zjarrin e dashurisë së Tij, që zemrat tuaja të rrahin me gëzim në flladet e nënshtrimit që burojnë nga gjoksi i ‘Abdu’l-Baháit. Bashkoni zemrat, bëjini hapat të vendosur, besoni në shpërblimet e përjetshme që do të derdhen mbi ju, njëri pas tjetrit, prej Mbretërisë Abhá. Kurdoherë që mblidheni në atë asamble të shkëlqyer, dijeni se shkëlqimet e Baháit po shndritin përmbi ju. Ajo ju ngarkon të kërkoni mirëkuptim dhe të jeni të bashkuar; ajo ju ngarkon të jeni të shkrirë ngushtë me njëri-tjetrin, si një trup e një shpirt, deri sa të barazoheni me Plejadat apo me një gjerdan perlash të shkëlqyera. Kështu ju do të jeni të lidhur fort; në këtë mënyrë fjalët tuaja do të triumfojnë, ylli juaj do të shkëlqejë dhe zemrat tuaja do të ngrohen. ...
4 Kurdoherë që hyni në dhomën e këshillit, recitoni këtë lutje me një zemër që drithërohet nga dashuria për Perëndinë dhe me një gjuhë të pastruar nga gjithçka, përveç kujtimit të Tij, që i Plotfuqishmi t’u ndihmojë me hir për të arritur fitoren supreme:

5 O Perëndi, Perëndia im! Ne jemi shërbëtorët e Tu që jemi kthyer me përkushtim ndaj Fytyrës Tënde të Shenjtë, që në këtë Ditë të lavdishme e kemi shkëputur veten nga gjithçka, përveç Teje. Ne jemi mbledhur në këtë Asamble Shpirtërore të bashkuar në pikëpamje e mendime, me qëllime të harmonizuara, për të lartësuar mes njerëzimit Fjalën Tënde. O Zot, Perëndia ynë! Na bëj shenja të Udhërrëfimit Tënd Hyjnor, Flamujt e Tu, për të lartësuar mes njerëzve Besimin, shërbëtorë për Besëlidhjen Tënde të fuqishme, O Ti Zoti ynë Më i Lartë, manifestime të Unitetit Tënd Hyjnor në Mbretërinë Tënde Abhá dhe yje të shkëlqyer që shndrijnë mbi gjithë rajonet. Zot! Na ndihmo të bëhemi dete që fryhen me tallazet e Hirit Tënd magjepsës, rrëke që rrjedhin nga Lartësitë e Tua lavdiplota, fruta të mira mbi Pemën e Kauzës Tënde qiellore, pemë që valëviten nga flladet e Bujarisë Tënde në Vreshtin Tënd qiellor. O Perëndi! Bëji shpirtrat tanë të varur prej Vargjeve të Unitetit Tënd Hyjnor, zemrat tona të gëzohen me vërshimet e Hirit Tënd, që të bashkohemi si valët e një deti dhe të shkrihemi së bashku si rrezet e Dritës Tënde të shkëlqyer; që mendimet, pikëpamjet dhe ndjenjat tona të bëhen si një realitet që manifeston shpirtin e bashkimit në mbarë botën. Ti je i Hijshmi, Bujarploti, Dhuruesi, i Plotfuqishmi, Mëshirëploti, i Dhembshuri.

43 Kërkesat kryesore për ata që këshillohen bashkërisht janë pastërtia e qëllimit, ndriçimi i shpirtit, shkëputja nga çdo gjë tjetër veç Perëndisë, tërheqja ndaj Aromave të Tij Hyjnore, përvuajtja e përunjësia midis të dashurve të Tij, durimi i pamposhtur në përballimin e vështirësive dhe shërbimi ndaj Pragut të Tij të Lavdëruar. Po qe se ndihmohen me dashamirësi për të fituar këto atribute, atyre do t’u falet fitorja prej Mbretërisë së padukshme të Baháit.’

44 Anëtarët e saj30 duhet të këshillohen së bashku në mënyrë të tillë që të mos lindë asnjë rast mërie ose mosmarrëveshjeje. Kjo arrihet kur çdo anëtar shpreh me liri absolute mendimin e vet dhe parashtron argumentin e tij. Po qe se ndonjëri kundërvihet, ai nuk duhet kurrsesi ta ndiejë veten të lënduar, sepse rruga e drejtë mund të zbulohet vetëm mbasi të gjitha çështjet të jenë diskutuar plotësisht. Shkëndia ndriçuese e së vërtetës vjen vetëm pas përplasjes së mendimeve të ndryshme. Në qoftë se pas diskutimit një vendim merret njëzëri, kjo është shumë mirë; por në qoftë se, mos e dhëntë Zoti, lindin divergjenca mendimesh, atëherë duhet të mbizotërojë shumica e votave.

45 Kushti i parë është dashuria absolute dhe harmonia midis anëtarëve të asamblesë. Ata duhet të jenë tërësisht të çliruar prej ndarjes dhe duhet të manifestojnë në vetvete Unitetin e Perëndisë, se ata janë valët e një deti, pikat e një lumi, yjet e një qielli, rrezet e një dielli, pemët e një bahçeje, lulet e një kopshti. Në qoftë se nuk ekziston harmonia e mendimit dhe uniteti absolut, ai kuvend duhet shpërndarë dhe ajo asamble duhet çuar drejt hiçit. Kushti i dytë: kur bashkohen, ata duhet t’i kthejnë fytyrat e tyre drejt Mbretërisë së epërme dhe të kërkojnë ndihmë nga Mbretëria e Lavdisë. Pastaj ata duhet të vazhdojnë të shprehin pikëpamjet e tyre me përkushtim maksimal, mirësjellje, dinjitet, kujdes dhe maturi. Ata për çdo çështje duhet të kërkojnë të vërtetën dhe të mos ngulin këmbë rreth opinionit të tyre. Sepse kokëfortësia dhe këmbëngulja në pikëpamjet e njërit do të çojë përfundimisht në mosmarrëveshje, në grindje dhe e vërteta do të mbetet e fshehur. Anëtarët e nderuar, me liri të plotë, duhet të shprehin mendimet e tyre personale dhe në asnjë mënyrë nuk është e lejueshme për asnjeri që të nënvleftësojë mendimin e tjetrit, përkundrazi, ai duhet të parashtrojë me maturi të vërtetën dhe nëse ka opinione të ndryshme, duhet të triumfojë zëri i shumicës dhe të gjithë duhet t’i binden e t’i nënshtrohen shumicës. Përsëri nuk është e lejuar që ndonjë nga anëtarët e nderuar të kundërshtojë apo hedhë poshtë, qoftë brenda apo jashtë mbledhjes, një vendim të arritur paraprakisht, qoftë edhe vendim jo i drejtë, sepse një kritikë e tillë do të pengonte çdo vendim prej të qenit i detyruar. Shkurtimisht, çdo gjë që caktohet në harmoni, me dashuri dhe me pastërti motivesh, ka si rezultat dritën, ndërsa po të triumfojë gjurma më e vogël e ndarjes rezultati do të jetë errësirë mbi errësirën. … Në qoftë se vlerësohet kështu ajo asamble do të jetë e Perëndisë, përndryshe ajo do të çonte drejt ftohjes e largimit, që burojnë nga Djalli. ... Nëse ata përpiqen për të përmbushur këto kushte, atyre do t’u jepet Hiri i Shpirtit të Shenjtë dhe ajo asamble do të bëhet qendra e bekimeve Hyjnore, në ndihmë të tyre do të vijnë ushtritë e konfirmimit Hyjnor dhe, ditë për ditë, ata do të marrin një vërshim të ri nga Shpirti.

46 1 O ju që jeni të vendosur në Besëlidhje! ‘Abdu’l-Bahái është i angazhuar vazhdimisht në komunikim të përsosur me çdo Asamble Shpirtërore që është krijuar falë bujarisë hyjnore dhe anëtarët e së cilës, me përkushtimin më të madh, kthehen ndaj Mbretërisë hyjnore dhe janë të qëndrueshëm në Besëlidhjen. Me to ai është i bashkuar me gjithë zemër dhe me to është i lidhur nga lidhje të përjetshme.
2 Në çdo çast, Unë kërkoj për ju ndihmë, bujari dhe një favor e bekim të ri, që konfirmimet e Bahá’u’lláhut, si në det, të jenë vazhdimisht duke ngritur tallaze, dritat e Diellit të së Vërtetës të ndriçojnë mbi ju të gjithë, ju të konfirmoheni në shërbim, të bëheni manifestime të bujarisë dhe secili prej jush të kthehet në agim drejt Tokës së Shenjtë e të provojë me gjithë thellësinë emocionet shpirtërore.

47 1 O ju miq të vërtetë! Letrën tënde e morëm dhe na solli gëzim të madh. Qoftë lavdëruar Perëndia, që ju kishit përgatitur një shfaqje dhe kishit vendosur të kremten që do të mbahet çdo nëntëmbëdhjetë ditë. Çdo mbledhje që organizohet me dashuri të madhe, ku të pranishmit i kthejnë fytyrat e tyre drejt Mbretërisë së Perëndisë, ku ligjërohet për Mësimet e Perëndisë dhe që ndikon për të nxitur të pranishmit të ecin përpara, është mbledhje e Zotit dhe ajo tavolinë festive ka zbritur prej qiellit.
2 Kam shpresë që kjo e kremte do të jepet për çdo nëntëmbëdhjetë ditë, sepse ajo ju afron ju më shumë së bashku; ajo është pikërisht burimi i unitetit dhe dashamirësisë së përzemërt.
3 Ju e shikoni se në ç’gradë konflikti e trazire të vazhdueshme është bota dhe se ç’po ngjet tani me kombet e saj. Ndoshta të dashurit e Perëndisë do të mundësojnë ngritjen e flamurit të unitetit njerëzor, që tabernakulli njëngjyrësh i Mbretërisë së Qiellit të hedhë hijen e tij mbrojtëse mbi gjithë dheun, që keqkuptimet mes popujve të botës të zhduken, që gjithë kombet të përzihen me njëri-tjetrin, të merren vesh me njëri-tjetrin si i dashuri me të dashurën e vet.
4 Është detyra juaj të jeni pa masë të mirë ndaj çdo qenieje njerëzore dhe t’i uroni asaj të mirën; të punoni për lartësimin e shoqërisë; t’u jepni frymën e jetës të vdekurve; të veproni në përputhje me mësimet e Bahá’u’lláhut dhe të ecni në rrugën e Tij – derisa të ndryshoni botën e njeriut në botë të Perëndisë.

48 1 O ju shërbëtorë besnikë të Bukurisë së Lashtë! Në çdo cikël e dispensacion festat i kanë mbështetur e i kanë dashur dhe shtruarja e një tryeze për ata që duan Perëndinë është konsideruar një vepër e lavdërueshme. Kjo është e vërtetë veçanërisht sot, në këtë dispensacion të pakrahasueshëm, në këtë epokë kaq të begatë, në të cilën ato përshëndeten nxehtësisht, sepse me të vërtetë renditen ndër tubimet që mbahen për të adhuruar e lëvduar Perëndinë. Këtu këndohen vargjet e shenjta, oda e lavdërime qiellore dhe zemra gjallërohet e çohet larg vetvetes.
2 Synimi parësor është të ndizen këto emocione të shpirtit, por në të njëjtën kohë është e natyrshme që të pranishmit të hanë së bashku, në mënyrë që bota e trupit të pasqyrojë botën e shpirtit dhe mishi të marrë vetitë e shpirtit; dhe ashtu siç janë me bollëk kënaqësitë shpirtërore, le të jenë edhe kënaqësitë materiale.
3 Lum ju që e zbatoni këtë rregull, me të gjitha domethëniet e tij mistike, duke i mbajtur kështu miqtë e Perëndisë syhapur e të vëmendshëm dhe duke u sjellë atyre qetësi shpirtërore e gëzim.

49 Letrën tënde e morëm. Ti shkruaje për festimin e Ditës së Nëntëmbëdhjetë dhe kjo e gëzoi zemrën time. Këto kuvende bëjnë që tavolina hyjnore të zbresë nga qielli dhe të zbresin poshtë konfirmimet e Mëshirëplotit. Kam shpresë që flladet e Shpirtit të Shenjtë do të valëviten përmbi ta dhe çdonjëri nga të pranishmit në asambletë e mëdha, me një gjuhë gojëtarie dhe me zemrën e mbushur me dashurinë e Perëndisë, do të përgatitë veten për të brohoritur lindjen e Diellit të së Vërtetës, agimin e Diellit që ndriçon tërë botën.

50 1 Ju keni pyetur rreth së kremtes në çdo muaj Bahá’í. Kjo e kremte mbahet për të edukuar shoqërinë dhe dashurinë, për të sjellë në mendje Perëndinë, për t’iu lutur Atij me zemra të prekura dhe për të nxitur aktivitetet dashamirëse.
2 Kjo bëhet që miqtë atje të rrojnë me Perëndinë dhe t’i thurin Atij lavdi, të lexojnë lutje dhe vargje të shenjtë, të trajtojnë njëri-tjetrin me dhembshurinë dhe dashurinë më të madhe.

51 Përsa i përket të Kremtes së Ditës së Nëntëmbëdhjetë, ajo gëzon mendjen dhe zemrën. Nëse kjo e kremte mbahet në mënyrën e duhur, miqtë një herë në nëntëmbëdhjetë ditë, do ta shohin veten të ripërtërirë shpirtërisht dhe të pajisur me një fuqi që nuk është e kësaj bote.

52 1 O shërbëtor i Një Perëndie të vërtetë! Qoftë lëvduar Zoti, që të dashurit e Perëndisë gjenden në çdo vend dhe çdonjëri është nën hijen e Pemës së Jetës e nën mbrojtjen e providencës së Tij të mirë. Kujdesi dhe dashamirësia e Tij e përzemërt ngrihen si tallazet e përjetshme të detit dhe bekimet e Tij po derdhen vazhdimisht nga mbretëria e Tij e amshuar.
2 Qoftë jona lutja që bekimet e Tij të jepen me begati akoma më të madhe dhe tanët të mbahen fort pas mjeteve të tilla që të garantojnë një vërshim më të plotë të hirit të Tij dhe një masë më të madhe të ndihmës së Tij hyjnore.
3 Një nga më të mëdhenjtë e këtyre mjeteve është shpirti i shoqërisë së vërtetë dhe lidhja shpirtërore e përzemërt mes miqve. Kujtoni thënien: ‘Prej gjithë pelegrinazheve më i madhi duhet të lehtësojë zemrën e ngarkuar me brengë.’

53 1 Me të vërtetë, ‘Abdu’l-Bahái thith aromën e dashurisë së Perëndisë nga çdo vend-mbledhjesh ku flitet Fjala e Perëndisë dhe parashtrohen dëshmi e argumente që i derdhin rrezet e tyre në mbarë botën, ku rrëfejnë mundimet e ‘Abdu’l-Baháit nga duart e liga të atyre që kanë dhunuar Besëlidhjen e Perëndisë.
2 O shërbëtore e Perëndisë! Mos fol fjalë politikash; detyra tënde lidhet me jetën e shpirtit, sepse kjo çon, me të vërtetë, drejt gëzimit të njeriut në botën e Perëndisë. Përveç të folurit mirë për to, mos përmend mbretërit e tokës dhe qeveritë botërore të saj. Përkundrazi, kufizoje fjalën tënde në përhapjen e lajmeve të gëzuara të Mbretërisë së Perëndisë, duke treguar ndikimin e Fjalës së Perëndisë dhe shenjtërinë e Kauzës së Perëndisë. Trego për gëzimin e qëndrueshëm dhe kënaqësitë shpirtërore, për cilësitë hyjnore dhe se si ka lindur Dielli i së Vërtetës përmbi horizontet e tokës; trego për shpërthimin e shpirtit të jetës në trupin e botës.

54 1 Ju keni shkruar rreth mbledhjeve të miqve dhe se sa të mbushur janë ata me paqe e gëzim. Natyrisht që kjo kështu është; sepse kurdoherë që të edukuarit me mënyrën shpirtërore mblidhen së bashku, atje mbretëron Bahá’u’lláhu me bukurinë e Tij. Ndaj është e natyrshme që të tilla bashkime do të japin lumturi dhe paqe të pakufishme.
2 Sot detyrë e gjithsecilit është të heqë dorë nga përmendja e gjithçkaje tjetër dhe të zhvlerësojë të gjitha gjërat. Le të përmblidhet fjala e tyre, le të jetë gjendje tyre e brendshme kështu: ‘Mbani gjithë fjalët e mia të lutjes e lavdërimit të kufizuara tek një refren; bëjeni gjithë jetën time veç nënshtrim ndaj Tij.’ Për këtë arsye, le t’i përqendrojnë ata gjithë mendimet, gjithë fjalët e tyre në të mësuarit e Kauzës së Perëndisë, në përhapjen e Besimit të Perëndisë dhe duke i frymëzuar të gjithë për të karakterizuar veten me karakteristikat e Perëndisë; duke dashur njerëzimin; duke qenë të dëlirë dhe të shenjtë në të gjitha gjërat dhe pa njolla në jetën e tyre publike e private; duke qenë të drejtë dhe të paanshëm, të etshëm e të zjarrtë. Gjithçka duhet të flaket tej, përveç se kujtimit të Perëndisë; gjithçka duhet të mos lavdërohet, përveç lavdërimit të Tij. Sot, me këtë melodi të Kompanisë së epërme, bota do të hidhet dhe do të kërcejë: ‘Lavdia qoftë me Zotin tim, Lavdiplotin!’ Veçse këtë dijeni: përveç se kjo këngë e Perëndisë, asnjë këngë tjetër nuk do të trazojë botën, përveç këtij ligjërimi të bilbilit të së vërtetës prej Kopshtit të Perëndisë, asnjë melodi tjetër nuk do të joshë zemrën. ‘Prej nga vjen ky Këngëtar Që thotë emrin e të Shtrenjtit?’

55 Miqve iu ka hije të mbajnë një mbledhje, një takim, ku ata do t’i thurin lavdi Perëndisë dhe t’i ngulin zemrat e tyre mbi Të, të lexojnë dhe recitojnë Shkrimet e Shenjta të Bukurisë së Bekuar, qoftë zemra ime haraç për të dashurit e Tij! Dritat e Mbretërisë së Lavdiplotit, rrezet e Horizontit Suprem, do të derdhen mbi këto asamble kaq të shkëlqyera, sepse këto nuk janë gjë tjetër, veçse Mashrekol-Azkars, Pika Agimi të Kujtimit të Perëndisë, të cilat, nën drejtimin e Penës Më të Lartësuar, duhet të krijohen në çdo katund dhe qytet ... Këto mbledhje shpirtërore duhet të mbahen me shenjtërinë e dëlirësinë më të madhe, që nga vetë vendi, toka dhe ajri rreth tij, çdonjëri të thithë flladet aromatike të Shpirtit të Shenjtë.

56 Sa herë që një grup njerëzish do të mblidhen në një vend takimi, do të lartësojnë Perëndinë dhe do të flasin me njëri-tjetrin për misteret e Perëndisë, pa pikë dyshimi frymëmarrja e Shpirtit të Shenjtë do të dihasë butësisht mbi ta, duke i dhënë secilit pjesën e vet.

57 Ne marrim vesh se ti ke ndër mend të stolisësh herë pas here shtëpinë tënde me një takim të Bahá’íve, ku disa prej tyre do të angazhohen në lavdërimin e Zotit Lavdiplotë … Dije se nëse ti e realizon këtë, ajo shtëpi toke do të bëhet një shtëpi qielli dhe ajo strukturë guri një kongres i shpirtit.

58 Ti ke pyetur për vende të adhurimit dhe për shkakun që qëndron në themel të kësaj. Urtia e ngritjes së ndërtesave të tilla është që në një orë të caktuar njerëzit ta dinë se është koha të takohen, të mblidhen të gjithë së bashku e, të sintonizuar në mënyrë harmonike me njëri-tjetrin, të angazhohen në lutje; rezultati do të jetë që nga kjo mbledhje së bashku do të rriten e lulëzojnë uniteti e dashuria në zemrat e njerëzve.

59 1 ‘Abdu’l-Bahái i është gëzuar prej kohësh dëshirës për të ngritur një Mashrekol-Azkar në atë rajon. Lëvduar qoftë Perëndia, që në sajë të përpjekjeve të fuqishme të miqve, kohët e fundit është njoftuar ky lajm i gëzuar për të. Ky shërbim është tepër i pranueshëm në Pragun e Perëndisë, sepse Mashrekol-Azkar frymëzon të dashurit e Perëndisë, kënaq zemrat e tyre, i bën ata të jenë të patundur dhe të fortë.
2 Kjo është një çështje me rëndësi shumë të madhe. Në qoftë se ngritja e Shtëpisë së Adhurimit në një vend publik do të rriste armiqësinë e keqbërësve, atëherë takimet në çdo lokalitet duhen bërë në ndonjë vend disi të fshehur. Bile në çdo katund duhet të ketë mënjanë një vend si Mashrekol-Azkar, qoftë edhe nën tokë.
3 Tani, lëvduar qoftë Perëndia, ju e keni arritur këtë. Angazhohuni me kujtimin e Perëndisë në agim; ngrihuni për ta lavdëruar e për t’i thurur lavdi Atij. Qofshi të bekuar dhe gëzimi qoftë juaji, O ju të drejtët, që keni krijuar Pikë-Agimin e Lavdërimeve të Perëndisë. Me të vërtetë, i kërkoj Zotit që t’u bëjë flamuj shpëtimi e banderola faljeje, që valëviten përmbi kodra e lugina.

60 Edhe pse në pamjen e jashtme Mashrekol-Azkari është një strukturë materiale, megjithatë ka një efekt shpirtëror. Ai i kapërcen lidhjet e unitetit nga zemra në zemër. Ai është një vend ku bashkohen shpirtat e njerëzve. Çdo qytet, në të cilin gjatë ditëve të Manifestimit është ngritur një tempull, ka krijuar siguri, qëndrueshmëri dhe paqe, sepse ndërtesa të tilla u dorëzuan për lavdërimin e vazhdueshëm të Perëndisë dhe zemra mund të gjejë prehje vetëm me kujtimin e Perëndisë. Perëndi i Hirshëm! Godina e Shtëpisë së Adhurimit ka një ndikim të fuqishëm në çdo fazë të jetës. Përvoja në lindje ka provuar qartë se ky është fakt. Bile edhe sikur në një fshat disi të vogël, të caktohet një shtëpi si Mashrekol-Azkar, ajo jep një efekt të dukshëm; e sa shumë i madh do të ishte pastaj ndikimi i njërës që do të ngrihej.

61 1 O Zot, O Ti Që bekon gjithë ata që qëndrojnë të vendosur në Besëlidhje duke i bërë të aftë, që prej dashurisë së tyre për Dritën e Botës, të shpenzojnë atë që kanë si një dhuratë për Mashrekol-Azkarin, agimin e rrezeve të Tua të përhapura gjerësisht dhe shpallësin e dëshmive të Tua, ndihmo në këtë botë dhe në botën që vjen, që këta të ndershëm, këta të drejtë e besimtarë të afrohen kurdoherë e më tepër tek Pragu Yt i shenjtë e bëji fytyrat e tyre të ndritin me shkëlqimet e Tua verbuese.
2 Me të vërtetë, Ti je Zemërmadhi, Gjithmonëblatuesi.

62 O bija ime e shumëdashur e Mbretërisë! Letra që ti i ke shkruar Dr. Esslemontit u dërgua prej tij në Tokën e Dëshirës [Toka e Shenjtë]. Unë e lexova atë me vëmendjen më të madhe. Nga një anë u preka thellësisht, sepse ti i ke prerë ata flokë të mrekullueshëm me gërshërët e shkëputjes nga kjo botë dhe me vetësakrifikim në shtegun e Mbretërisë së Perëndisë. Ndërsa nga ana tjetër, u kënaqa shumë, sepse kjo bijë e shumëdashur kishte fituar një shpirt kaq të madh vetësakrifice sa të ofronte një pjesë të çmuar të trupit të saj në rrugën e Kauzës së Perëndisë. Nëse ti do të kishe kërkuar opinionin tim, unë në asnjë mënyrë nuk do të pranoja që ti të prisje qoftë edhe një fije të ballukeve të tua të bukura; përkundrazi, unë vetë do të kontribuoja në emrin tënd për Mashrikul-Adhkarin. Megjithatë kjo vepër e jotja është një dëshmi që flet e shpirtit tënd fisnik të vetësakrificës. Ti me të vërtetë sakrifikove nga jeta jote, prandaj dhe të mëdha do të jenë rezultatet shpirtërore që do të fitosh. Të jesh e sigurt se nga dita në ditë do të përparosh dhe do të bëhesh më e madhe në qëndrueshmëri dhe palëkundshmëri. Bujaritë e Bahá’u’lláh do të të rrethojnë ty dhe lajmet e gëzuara nga lart do të vijnë pambarim. Edhe pse floku yt u sakrifikua, ti je plotësuar shpirtërisht duke sakrifikuar një pjesë të vdekshme të trupit tënd që ti e ke shtruar në shtegun e Perëndisë, por ti do të gjesh Dhuratën Hyjnore, ti do ta shohësh Bukurinë Qiellore, do ta fitosh lavdinë e pavdekshme dhe do ta arrish jetën e përjetshme.”

63 1 O ju shpirtra të bekuar!31 Letra që ju i kishit dërguar Rahmatollahut është lexuar. Të shumta e të larmishme ishin lajmet e gëzuara që përcillte ajo, pikërisht se nëpërmjet fuqisë së besimit dhe qëndrueshmërisë në Besëlidhje, janë thirrur mbledhje të shumta, të dashurit janë kudo në lëvizje dhe aktivë.
2 Dëshira e zjarrtë e ‘Abdu’l-Baháit kurdoherë ka qenë që toka e këtij vendi të shenjtë, e cila që në ditët më të hershme të Kauzës është ripërtëritur dhe ka bleruar me shirat e hirshëm pranverorë, të çelë e lulëzojë aq sa të mbushë me gëzim çdo zemër.
3 Lëvduar qoftë Zoti, që Kauza e Perëndisë është shpallur e nxitur në mbarë Lindjen e Perëndimin me aq urtësi sa asnjë mendje nuk e kishte konceptuar ndonjëherë që aromat e këndshme të Zotit do të parfumonin kaq shpejt gjithë rajonet. Kjo në vërtetë, ekziston vetëm nëpërmjet bujarive të përkryera të Bukurisë së gjithmonë-bekuar, hiri dhe forca triumfuese e të Cilit merren kurdoherë me begati.
4 Një nga ngjarjet më të mrekullueshme që ka ndodhur së fundmi është kjo, që godina e Mashrekol-Azkarit po ngrihet në vetë zemrën e kontinentit Amerikan dhe shpirtra të shumtë nga rajonet përqark po kontribuojnë për ngritjen e këtij Tempulli të shenjtë. Midis tyre është një zonjë tepër e nderuar nga qyteti i Mançesterit, që është vënë në lëvizje për të ofruar pjesën e saj.
5 Duke mos pasur pjesë të mirash apo pasuri tokësore, ajo preu me dorën e saj gërshetat e saj të shkëlqyera, të gjata dhe të çmuara, që e stolisnin aq hijshëm kokën e saj dhe i ofroi ato për shitje, që çmimi i tyre të ndihmonte çështjen e Mashrekol-Azkar.
6 Mendoni, që megjithëse në sytë e grave asgjë nuk është më e vyer se flokët e çmuar dhe valëvitës, ajo zonjë tepër e nderuar, pa e marrë parasysh këtë, ka treguar një shpirt kaq të rrallë e të bukur të vetësakrifikimit.
7 Dhe megjithëse kjo ishte e panevojshme dhe ‘Abdu’l-Bahái nuk do ta kishte miratuar një vepër të tillë, megjithatë ndërsa ajo shfaqi një shpirt kaq të lartë dhe fisnik përkushtimi, Ai u prek thellë prej tij. Sado të vyer qofshin flokët në sytë e grave perëndimore, bile, më të çmuar se vetë jeta, ajo i ofroi si një sakrificë për kauzën e Mashrekol-Azkar!
8 Tregohet se dikur, në ditët e Apostullit të Perëndisë32 Ai shprehu dëshirën e Tij që një ushtri duhet të përparonte në një drejtim të caktuar dhe iu dha lejë besnikëve për të rritur kontributet për luftën e shenjtë. Midis të shumtëve ishte një burrë që dha një mijë deve, secila e ngarkuar me misër, një tjetër që dha gjysmën e gjësë së tij dhe një tjetër gjithçka që kishte. Por një grua e rrahur në vite, i vetmi zotërim i së cilës ishte një dorë frutash palme, erdhi tek Apostulli dhe e çoi kontributin e saj modest te këmbët e Tij. Menjëherë pas kësaj, Profeti i Perëndisë, dhënsha jetën time si flijim për Të, urdhëroi që ky grusht frutash të vendosej përmbi gjithë kontributet që ishin mbledhur, duke vlerësuar në këtë mënyrë meritën dhe superioritetin e tyre përmbi gjithë pjesën tjetër. Kjo u bë sepse ajo grua e moshuar, nuk kishte pasuri tjetër tokësore veç atyre.
9 Dhe në të njëjtën mënyrë, kjo zonjë e nderuar nuk kishte asgjë tjetër për të kontribuar, por flokët e saj të çmuar dhe ato ajo i sakrifikoi me lavdi në kauzën e Mashrekol-Azkarit.
10 Gjykoni e reflektoni sa e madhe dhe e fuqishme është bërë Kauza e Perëndisë! Një grua nga perëndimi ka dhënë flokët e saj për lavdinë e Mashrekol-Azkarit.
11 Madje, ky nuk është gjë tjetër veçse një mësim për ata që kuptojnë.
12 Në përfundim Unë jam shumë i kënaqur me të dashurit në Naxhaf-Abad, sepse që nga agimi i parë i Kauzës e deri më sot ata të gjithë kanë treguar një shpirt të madh vetësakrifikimi në çdo rrethanë.
13 Zejnol Mokarrabini gjithë jetën e tij është lutur me gjithë sinqeritetin e shpirtit të tij të panjollë në emër të besimtarëve në Naxhaf-Abadit dhe u përgjërua që ata të kenë hirin e Perëndisë dhe konfirmimin e Tij hyjnor.
14 Qoftë lavdëruar Zoti që lutjet e këtij shpirti të hirshëm kanë marrë përgjigje, sepse efektet e tyre janë manifestuar kudo.

64 1 Mashrekol-Azkari është një nga institucionet më vitale në botë dhe ka shumë degë vartëse. Megjithëse ajo është një Shtëpi Adhurimi, ajo lidhet, gjithashtu, me një spital, një farmaci barnash, një bujtinë udhëtarësh, një shkollë për jetimët dhe një universitet për studimet e larta. Çdo Mashrekol-Azkar lidhet me këto pesë gjëra. Kam shpresë se Mashrekol-Azkari do të krijohet tashmë në Amerikë dhe që gradualisht do të pasohet nga spitali, shkolla, universiteti, farmacia dhe bujtina, që funksionojnë të gjitha sipas procedurave më efektive dhe më të rregullta. Bëjini këto çështje të njohura te të shtrenjtët e Zotit, që ata të kuptojnë sa shumë e madhe është rëndësia e kësaj ‘Pike-Agimi të Kujtimit të Perëndisë.’ Tempulli nuk është vetëm një vend për adhurim; përkundrazi, ai është i plotë dhe tërësor në çdo aspekt.
2 O ti shërbëtore e shtrenjtë e Perëndisë! Vetëm sikur ta dije se ç’pozitë e lartë destinohet për ata shpirtra që janë të ndarë nga bota, që janë të dhënë pas Besimit dhe po mësojnë nën hijen mbrojtëse të Bahá’u’lláhut. Sa do të gëzoheshe ti, sa me ngazëllim e magjepsje do t’i hapje ti krahët e të fluturoje drejt qiellit për të qenë ndjekëse e një udhe të tillë dhe udhëtare drejt një Mbretërie të tillë.
3 Për sa i përket terminologjisë që Unë përdor në letrën time, duke të ftuar të shenjtërosh veten në shërbim të Kauzës së Perëndisë, kuptimi i saj është ky: Përqendro mendimet e tua në mësimin e Besimit. Vepro ditë e natë sipas mësimeve, këshillave dhe udhëzimeve të Bahá’u’lláhut. Kjo nuk e pengon martesën. Ti mund të marrësh një burrë dhe në të njëjtën kohë t’i shërbesh Kauzës së Perëndisë; njëra nuk e përjashton tjetrën. Dije vlerën e këtyre ditëve; mos e lër këtë rast të të ikë nga duart. Lutju Zotit të të bëjë një qiri të ndritshëm, që të udhëheqësh një mori të madhe njerëzish përmes kësaj bote të errët.

65 1 O ti shërbëtore e pëlqyer e Mbretërisë qiellore! Letrën tënde e mora. Ajo përcjell aspirata të larta dhe qëllime fisnike, duke thënë se ti ke ndër mend të bësh një udhëtim në Lindjen e Largët dhe se je gati të durosh mundime të mëdha, me qëllim që të udhëheqësh shpirtrat e të përhapësh an’ e kënd lajmet e gëzuara të Mbretërisë së Perëndisë. Ky synim tregon që ti, shërbëtore e shtrenjtë e Perëndisë, do pikërisht më fisnikun e të gjithë synimeve.
2 Kur shpërndan lajme të gëzuara, fol hapur e thuaj: I Premtuari i gjithë popujve të botës tani është bërë manifest. Sepse çdo popull e çdo rajon priste një të Premtuar dhe Bahá’u’lláhu është i Premtuari që pritet nga të gjithë; dhe për këtë arsye Kauza e Bahá’u’lláhut do të sjellë njëshmërinë e njerëzimit, tabernakulli i unitetit do të ngrihet mbi lartësitë e botës, flamujt e universalitetit të të gjithë njerëzimit do të valëviten në majat e dheut. Kur të zgjidhësh gjuhën në shpërndarjen e këtij lajmi shumë të mirë, ti do të bëhesh mjet i mësimit të njerëzve.
3 Megjithatë, udhëtimi i planifikuar është për në një vend tepër të largët dhe po të mos kesh në dispozicion një grup njerëzish, lajmet e gëzuara nuk do të kenë shumë efekt në atë vend. Nëse e mendon mirë, në fillim udhëto në Persi dhe në kthim shko në Japoni e Kinë. Kështu duket se do të ishte më mirë dhe shumë më e kënaqshme. Në çdo rast, bëj çka të duket e mundshme dhe ajo do të miratohet.

66 1 O ti që ke kërkuar ndriçim prej dritës së udhërrëfimit! Lavdëro Perëndinë që të ka drejtuar te drita e së vërtetës dhe të ka ftuar të hysh në Mbretërinë Abhá. Vështrimi yt është ndriçuar dhe zemra tënde është kthyer në një kopsht trëndafilash. Lutem për ty që të rritesh kurdoherë në besim e siguri, të shkëlqesh si një pishtar në asambletë dhe t’u japësh atyre dritën e udhërrëfimit.
2 Kurdoherë që mblidhet një asamble e ndritshme e miqve të Perëndisë, ‘Abdu’l-Bahái, megjithëse mungon me trup, është gjithnjë i pranishëm me shpirt e me zemër. Unë gjithmonë jam udhëtar drejt Amerikës e sigurisht që jam i lidhur me miq shpirtërorë e të shndritshëm. Largësia është e papërfillshme dhe nuk e pengon dot lidhjen e ngushtë e të madhe midis dy shpirtrave që janë ngushtësisht tok me zemër, edhe pse ata ndoshta janë në dy vende të ndryshme. Prandaj, Unë jam shoku yt i ngushtë, në akord e në harmoni me shpirtin tënd.

67 1 O ti zonjë e Mbretërisë! Letrën tënde dërguar nga Nju Jorku e mora. Përmbajtja e saj sjell gëzim e kënaqësi, sepse ajo tregon që ti ke planifikuar me vendosmëri të madhe e me synim të pastër, të udhëtosh në Paris, që të mund të ndezësh në atë qytet të heshtur zjarrin e dashurisë së Perëndisë dhe në mes të asaj errësire materiale të ndritësh si një qiri i shkëlqyer. Ky udhëtim është tepër i vlefshëm dhe i përshtatshëm. Kur të arrish në Paris, ti duhet të luftosh, pavarësisht se sa i vogël mund të jetë numri i miqve, të krijosh asamblenë e Besëlidhjes dhe të gjallërosh shpirtrat nëpërmjet fuqisë së Besëlidhjes.
2 Parisi është jashtëzakonisht i dërmuar, është në një gjendje mpirjeje e deri tani nuk ka shpërthyer në flakë, megjithëse kombi francez është një komb aktiv dhe i gjallë. Por bota materiale ka shtrirë plotësisht pavijonin e saj mbi Paris dhe e ka larguar nga ndjenjat fetare. Veçse kjo forcë e Besëlidhjes do të ngrohë çdo shpirt të ngrirë, do të japë dritë mbi çdo gjë të errët dhe do të garantojë lirinë e vërtetë të Mbretërisë për robin që është në dorën e natyrës.
3 Ngrihu tani në Paris me fuqinë e Mbretërisë, me konfirmimin hyjnor, me zell e hov të vërtetë dhe me flakën e dashurisë së Perëndisë. Sokëlli si një luan dhe trego aq ngazëllim e dashuri mes atyre pak shpirtrave që lavdërimi dhe lavdia të mbërrijnë tek ty prej Mbretërisë hyjnore dhe konfirmimet e fuqishme të zbresin mbi ty. Ji e sigurt. Në qoftë se vepron siç duhet dhe ngre flamurin e Besëlidhjes, Parisi do të shpërthejë në flakë. Qëndro vazhdimisht në lidhje dhe kërko gjithmonë konfirmimet e Bahá’u’lláhut, sepse ato e kthejnë pikën në det dhe e shndërrojnë fluturzën në shqiponjë.

68 1 O ju që jeni të fortë në Besëlidhjen dhe në Testamentin! Letrën tuaj e morëm dhe emrat tuaj të bekuar u lexuan njeri pas tjetrit. Përmbajtja e letrës ishte frymëzim hyjnor dhe manifestim bujarish, sepse ajo është tregues i bashkimit të miqve dhe i harmonisë së të gjithë zemrave.
2 Sot pëlqimi më i shquar i Perëndisë përqendrohet rreth bashkimit dhe harmonisë midis miqve, që ky unitet dhe harmoni të jetë shkaku i shpalljes së njëshmërisë së botës njerëzore, të ngrejë botën prej kësaj errësire të thellë të armiqësisë dhe ligësisë, që dielli i së Vërtetës të shkëlqejë me ndriçim të plotë e të përkryer.
3 Sot, gjithë popujt e botës kënaqin interesat vetjake, bëjnë përpjekje maksimale dhe synojnë të përkrahin interesat e tyre materiale. Ata po adhurojnë veten dhe jo realitetin hyjnor apo botën njerëzore. Ata kërkojnë me zell përfitime vetjake dhe jo mirëqenien e përbashkët. Kjo ndodh sepse ata janë robër të botës materiale dhe të paditur mbi mësimet hyjnore, mbi bujarinë e Mbretërisë dhe mbi Diellin e së Vërtetës. Por ju, lavdërimi qoftë me Perëndinë, tani jeni veçanërisht të favorizuar me këtë bujari, jeni bërë ndër të zgjedhurit, jeni informuar mbi mësimet qiellore, keni fituar hyrjen në Mbretërinë e Perëndisë, jeni bërë marrës të bekimeve të pakufishme e jeni pagëzuar me Ujin e Jetës, me zjarrin e dashurisë së Perëndisë dhe me Shpirtin e Shenjtë.
4 Prandaj, përpiquni me mish e me shpirt që të bëheni qirinj të ndezur në kuvendin e botës, yje vezullues mbi horizontin e së Vërtetës e të bëheni burimi i propagandimit të dritës së Mbretërisë; me qëllim që bota njerëzore të shndërrohet në një sferë hyjnore, bota e ulët të bëhet botë e epërme, dashuria e Perëndisë dhe mëshira e Zotit të ngrenë tendën e tyre përmbi kulmin e botës, shpirtrat njerëzorë të bëhen valët e oqeanit të së vërtetës, bota njerëzore të rritet në një pemë të bekuar, vargjet e njëshmërisë të himnizohen dhe meloditë e shenjta të mbërrijnë Tubimin Suprem.
5 Ditë e natë Unë i falem dhe i përgjërohem Mbretërisë së Perëndisë, lus për ju ndihmë dhe afirmim të pafund. Mos merrni në konsideratë aftësitë dhe kapacitetin tuaj, por nguleni vështrimin mbi bujarinë e përsosur, mbi blatimin dhe forcën hyjnore të Shpirtit të Shenjtë – forca që shndërron pikën në det dhe yllin në diell.
6 Lavdërimi qoftë me Perëndinë, ushtritë e Tubimit Suprem garantuan fitoren dhe fuqia e Mbretërisë është gati për të ndihmuar dhe për të mbështetur. Në qoftë se ju në çdo moment nuk pushoni së thëni falënderime dhe mirënjohje, ju nuk do të jeni në gjendje ta shkarkoni veten nga detyrimi i mirënjohjes për këto blatime.
7 Gjykoni: personazhet e shquar, fama e të cilëve është përhapur mbi gjithë botën, së shpejti, do të shuhen në hiç absolut si rezultat i privimit të tyre prej kësaj bujarie qiellore; ata nuk do të lënë pas as emër e as famë e prej tyre nuk do të mbetet gjallë as frutë e as gjurmë. Por ndërsa nuret e Diellit të së Vërtetës kanë aguar përmbi ju dhe ju keni arritur jetën e përjetshme, ju do të shkëlqeni dhe do të vezulloni gjithnjë prej horizontit të ekzistencës.
8 Pjetri ishte peshkatar dhe Maria Magdalena fshatare, por meqë ata u favorizuan posaçërisht nga bekimet e Krishtit, horizonti i besimit të tyre u bë i shndritshëm dhe deri në ditët e sotme ata po ndriçojnë prej horizontit të lavdisë së përjetshme. Për këtë pozitë, nuk merren në konsideratë merita dhe kapaciteti; përkundrazi, duhet të merren parasysh rrezet e shkëlqyera të Diellit të së Vërtetës, që kanë ndriçuar këto pasqyra.
9 Ju më ftoni mua në Amerikë. Edhe unë digjem nga dëshira të vështroj ato fytyra të shndritshme, të bisedoj e të shoqërohem me ata miq të vërtetë. Por forca magnetike që do të më tërheqë mua drejt atyre brigjeve është bashkimi dhe harmonia e miqve, sjellja dhe qëndrimi i tyre në përputhje me mësimet e Perëndisë dhe vendosmëria e të gjithëve në Besëlidhjen dhe Testamentin.

10 O Providencë Hyjnore! Ky kuvend përbëhet prej miqve të Tu që tërhiqen ndaj bukurisë Tënde dhe kanë marrë flakë nga zjarri i dashurisë Tënde. Ktheji këta shpirtra në engjëj hyjnorë, silli në vete me frymën e Shpirtit Tënd të Shenjtë, jepu gjuhë gojëtarie dhe zemra të forta, derdh përmbi ta forcë hyjnore dhe ndjenjat e mëshirës, shtyji ata të bëhen shpallësit e njëshmërisë së njerëzimit dhe burim dashurie e harmonie në botën njerëzore, që errësira e rrezikshme e paragjykimit prej paditurisë të zhduket nëpërmjet dritës së Diellit të së Vërtetës, që kjo botë e zymtë të bëhet e shndritshme, kjo mbretëri materiale të thithë rrezet e botës shpirtërore, këto ngjyra të ndryshme të shkrihen në një ngjyrë dhe melodia e lavdërimit të ngrihet te mbretëria e shenjtërisë Tënde.
11 Me të vërtetë, Ti je i Plotfuqishmi dhe Madhështori!

69 1 Ti ke shkruar në lidhje me organizimin. Mësimet, këshillat dhe porositë hyjnore të Bahá’u’lláhut janë krejt të dukshme. Këto përbëjnë organizimin e Mbretërisë dhe zbatimi i tyre është i detyrueshëm. Devijimi më i vogël prej tyre është gabim absolut.
2 Ti ke shkruar në lidhje me udhëtimin tim për në Amerikë. Në qoftë se ti mund të shohësh se si tallazojnë valët e angazhimit të përhershëm, ti do të kesh menduar se koha për udhëtim mungon në mënyrë absolute; gjatë qëndrimit në rezidencë edhe prehja për një copë herë është pothuajse e pamundur. Besoj se, me vullnetin e Perëndisë, nëpërmjet bujarisë së Bahá’u’lláhut, sapo të sigurohen mjetet për qetësimin e mendjes e të zemrës, Unë do të vendos të udhëtoj dhe do të të informoj rreth kësaj.

70 1 O ti qiri i ndezur! Letrën tënde e mora. Përmbajtja e saj jep kënaqësi shpirtërore, sepse ajo përshkohet nga ndjenja shpirtërore dhe tregon joshjen e zemrës tënde, lidhjen me Mbretërinë e Perëndisë dhe dashurinë për mësimet e Tij hyjnore.
2 Me të vërtetë, ti bën përpjekje të mëdha, ke një qëllim të dëlirë e të shenjtëruar, nuk dëshiron gjë tjetër përveç kënaqësisë së plotë të Perëndisë, nuk kërkon gjë, përveç arritjes së bujarive të pakufizuara, je angazhuar në shpalljen e mësimeve hyjnore dhe shpjegimin e problemeve të vështira metafizike. Kam shpresë se me pëlqimin e Bahá’u’lláhut, ti dhe gruaja tënde e respektuar do të rriteni ditë për ditë në këmbëngulje e vendosmëri, që në atë tokë të lartësuar ju të bëheni dy flamuj të ngritur dhe dy drita të shkëlqyera.
3 Udhëtimi i gjatë në tetor, në veri, jug, lindje e perëndim, i bashkërenduar nga ai qiri i dashurisë së Perëndisë, Znj. Maksuell, do të ishte tepër i pranueshëm. Kam shpresë që ajo të përmirësohet plotësisht; kjo shërbëtore e shtrenjtë e Perëndisë është si një flakë zjarri dhe ditë e natë nuk mendon gjë tjetër veç shërbimit ndaj Perëndisë. Për tani, udhëtoni nëpër shtetet e veriut dhe në stinën e dimrit nxitoni drejt shteteve të jugut. Shërbimi juaj duhet të përmbajë fjalime elokuente të mbajtura në mbledhje, në të cilat ju të shpallni mësimet hyjnore. Nëse është e mundur, ndërmerrni ndonjëherë një udhëtim në Ishujt Havai.
4 Ndodhitë që kanë ngjarë janë të gjitha të dokumentuara pesëdhjetë vjet më parë në Tabletat e Bahá’u’lláhut, Tabela që janë shtypur, botuar dhe përhapur nëpër botë. Mësimet e Bahá’u’lláhut janë drita e kësaj epoke dhe shpirti i këtij shekulli. Shpjegojini ato në çdo mbledhje.
5 E para është hetimi i së vërtetës,
E dyta, njëshmëria e njerëzimit,
E treta, paqja universale,
E katërta, pajtimi midis shkencës dhe revelacionit hyjnor,
E pesta, braktisja e paragjykimeve racore, fetare, materialiste e politike, paragjykime që shkatërrojnë themelet e njerëzimit,
E gjashta është drejtësia dhe e drejta,
E shtata, përmirësimi i moraleve dhe i edukimit hyjnor,
E teta, barazia e dy sekseve,
E nënta, përhapja e dijeve dhe e arsimit,
E dhjeta, çështjet ekonomike,
e kështu me radhë. Përpiquni që shpirtrat të arrijnë në dritën e udhërrëfimit dhe të mbahen fort pas kindit të togës së Bahá’u’lláhut.
6 Letrën që t’i kishe dërguar e lexova. Kur shpirti i njeriut lartësohet dhe pastrohet, krijohen lidhjet shpirtërore dhe prej këtyre lidhjeve lindin ndjenja që ndjehen me zemër. Zemra njerëzore i ngjan një pasqyre. Kur ajo pastrohet, zemrat njerëzore akordohen, reflektojnë njëra-tjetrën e në këtë mënyrë rriten emocionet shpirtërore. Kjo është si bota e ëndrrave kur njeriu shkëputet nga gjërat që janë të prekshme dhe provon ato të shpirtit. Ç’ ligje të çuditshme veprojnë e ç’ zbulime të shquara janë bërë! Dhe bile mund të ndodhë që komunikimet të regjistrohen me hollësi ...
7 Përfundimisht, kam shpresë që në Çikago miqtë të bëhen të bashkuar e ta ndriçojnë atë qytet, sepse prej andej duket agimi i Kauzës dhe nga kjo buron preferenca për të në krahasim me qytetet e tjera. Prandaj ai duhet të trajtohet me respekt; ndoshta, me vullnetin e Perëndisë, ai çlirohet nga gjithë dhimbjet shpirtërore, gëzon shëndet të plotë dhe bëhet qendër e Besëlidhjes dhe e Testamentit.

71 1 O ti shërbëtore e shtrenjtë e Perëndisë! Letrën tënde e morëm dhe përmbajtja e saj zbulonte faktin që miqtë, me energji e vitalitet të plotë, janë angazhuar në propagandimin e mësimeve qiellore. Ky lajm ka sjellë gëzim e kënaqësi të thellë. Për çdo epokë ka një shpirt; shpirti i kësaj epoke të shndritshme gjendet në mësimet e Bahá’u’lláhut. Sepse ato shtrojnë themelin e njëshmërisë së botës njerëzore dhe shpallin vëllazërimin universal. Ato mbështeten mbi unitetin e shkencës e të fesë, mbi hetimin e së vërtetës. Ato i përmbahen parimit që feja duhet të jetë burim i miqësisë, i bashkimit dhe harmonisë mes njerëzve. Ato përkrahin barazinë e të dy sekseve dhe parashtrojnë parime ekonomike që janë për lumturinë e individëve. Ato përhapin arsimin universal, që çdo shpirt, me aq sa ka mundësi, të ketë një sasi dijesh. Ato heqin dhe bëjnë të pavlefshme paragjykimet fetare, raciale, politike, patriotike, ekonomike dhe si motrat e tyre. Ato mësime, që gjenden të shpërndara nëpër Letra e Tabela, janë burimi i ndriçimit dhe jeta e botës njerëzore. Kushdo që i shpall ato, me të vërtetë, do të ndihmohet nga Mbretëria e Perëndisë.
2 Presidenti i Republikës, Dr. Wilson, në të vërtetë, po i shërben Mbretërisë së Perëndisë sepse ai nuk ka prehje dhe përpiqet natë e ditë që të drejtat e të gjithë njerëzve të ruhen të sigurta dhe të garantuara, që edhe kombet e vegjël, ashtu si të mëdhenjtë, të rrojnë në paqe dhe qetësi, nën mbrojtjen e drejtësisë dhe të së drejtës. Ky qëllim, në të vërtetë, është një qëllim i lartë. Besoj se Providenca e pakrahasueshme do t’i ndihmojë dhe afirmojë shpirtra të tillë në të gjitha rrethanat.

72 1 O ti mik i vërtetë! Lexoji, në shkollën e Zotit, mësimet e shpirtit, dhe mëso nga Mësuesi i dashurisë të vërtetat më intime. Kërko të fshehtat e Qiellit dhe trego për mirësinë e favorin e pasosur të Perëndisë.
2 Megjithëse zotërimi i shkencave e i mjeshtrive është lavdia më e madhe e njerëzimit, kjo është kështu vetëm në rast se lumi i njeriut rrjedh në Detin e fuqishëm dhe merr prej burimit të lashtë të Perëndisë frymëzimin e Tij. Kur ndodh kjo, atëhere çdo mësues është një oqean i paanë dhe çdo nxënës një burim i pashtershëm dijesh. Atëherë, në qoftë se gjurmimi i dijes çon te bukuria e Atij Që është objekti i çdo dije, sa i shkëlqyer është ky qëllim; por, në qoftë se jo, një pikëz e thjeshtë ndoshta do ta mënjanojë njeriun nga dashamirësia e pafund, sepse bashkë me diturinë vjen arroganca e mendjemadhësia, që çon në gabim e në mospërfillje ndaj Perëndisë.
3 Shkencat e sotme janë ura për te realiteti; në qoftë se ato, pra, nuk çojnë te realiteti, nuk mbetet asgjë veç iluzionit të pafrytshëm. Për Perëndinë e vërtetë, Që është një! Në qoftë se dituria nuk është një mjet për të ardhur tek Ai, Më i Dukshmi, ajo nuk është tjetër veçse një humbje e qartë.
4 Është detyra jote të zotërosh degët e ndryshme të dijes dhe ta kthesh fytyrën ndaj bukurisë së Bukurisë së Dukshme, që ti të jesh një shenjë e udhërrëfimit shpëtimtar ndërmjet njerëzve të botës dhe një vatër e të të kuptuarit në këtë sferë, nga e cila të urtët dhe urtia e tyre janë të mënjanuar, me përjashtim të atyre që kanë shkelur në Mbretërinë e Dritave dhe janë vënë në dijeni për misterin e mbuluar e të fshehur, sekretin e mirëruajtur.

73 1 O bijë e Mbretërisë! Letra tënde ka ardhur dhe përmbajtja e saj bën të qartë faktin që ti i ke drejtuar gjithë mendimet e tua drejt njohjes së dritës prej mbretërive të misterit. Për aq kohë sa mendimet e një individi hallakaten, ai nuk do të arrijë rezultate, por në qoftë se të menduarit e tij përqendrohet në një pikë të vetme, frytet prej tij do të jenë të mrekullueshme.
2 Ai nuk mund të sigurojë fuqinë e plotë të dritës diellore kur ajo hidhet mbi një pasqyrë të sheshtë, por sapo dielli ndriçon mbi një pasqyrë konkave ose mbi një lente që është konvekse, gjithë nxehtësia e tij do të përqendrohet në një pikë të vetme dhe ajo një pikë do t’i djegë më të nxehtit. Kështu është e domosdoshme për të përqendruar të menduarit e çdonjërit në një pikë të vetme që ai të bëhet një forcë efektive.
3 Ti dëshiroje të festonit Ditën e Rizvanit me një gosti dhe për t’i pasur ata të pranishëm në atë ditë të zënë me recitimin e Tabelave, me kënaqësi e gëzim dhe më kërkoje të të dërgoj një letër për ta lexuar në atë ditë. Letra ime është kjo:
4 O ju të shtrenjtë dhe ju shërbëtore të të Mëshirshmit! Kjo është dita kur lindi përmbi horizontin e jetës Dielli i së Vërtetës dhe u shpërnda lavdia e tij, shkëlqimi i tij ndriçoi me aq fuqi sa i çau retë e dendura e të mbingarkuara dhe ngarkoi qiejt e botës me gjithë shkëlqimin e tij. Për këtë arsye ju shikoni një zgjim të ri në të gjitha gjërat e krijuara.
5 Shikoni se si në këtë ditë është zgjeruar hapësira e shkencave dhe e arteve, ç’ përparime teknike të mahnitshme janë bërë, se ç’ shkallë të larta ka arritur fuqia mendore dhe ç’ zbulime të jashtëzakonshme janë bërë.
6 Kjo epokë, në të vërtetë, është sa për njëqind epoka të tjera: sikur ju ta mblidhnit prodhimin e njëqind epokave dhe ta vendosnit karshi prodhimit të akumuluar në kohët tona, prodhimi i kësaj epoke do të rezultonte më i madh se ai i njëqind epokave të mëparshme. Merrni, për shembull, shumën e përgjithshme të librave që u shkruan në epokat e shkuara dhe krahasojeni me librat e traktatet që ka krijuar epoka jonë: këto libra, të shkruar vetëm në kohën tonë, e tejkalojnë me një shumë të madhe numrin e përgjithshëm të vëllimeve që janë shkruar tej në vite. Shikoni se sa i fuqishëm është ndikimi që ushtron Dielli i botës përmbi thelbin e brendshëm të të gjithë sendeve të krijuara!
7 Por mjerisht, një mijë herë mjerisht! Sytë atë nuk e shikojnë, veshët janë të shurdhër, zemrat dhe mendjet janë harraqe ndaj këtij blatimi suprem. Përpiquni ju, atëherë, të zgjoni ata që dremitin, bëjeni të verbrin të shohë dhe të vdekurin të ngjallet.

74 1 O zog që i këndon me ëmbëlsi Bukurisë Abhá! Në këtë dispensacion të ri e të mahnitshëm perdet e bestytnisë janë grisur dhe paragjykimet e popujve lindorë janë dënuar. Midis disa kombeve të Lindjes muzika konsiderohej e qortueshme, por në këtë epokë të re Drita e Dukshme, në Tabelat e Tij të shenjta, ka shpallur në mënyrë të posaçme se muzika, e kënduar ose e luajtur, është ushqim shpirtëror për shpirtin dhe zemrën.
2 Arti i muzikantit është ndër ato arte që meritojnë vlerësimin më të lartë, dhe ai prek zemrat e të gjithë atyre që janë të brengosur. Prandaj, O ti Shahnáz33, luaj e këndo fjalët e shenjta të Perëndisë me melodi të mahnitshme në mbledhjet e miqve, që dëgjuesi të çlirohet nga vargonjtë e merakut e të brengosjes dhe shpirti i tij të hidhet nga gëzimi dhe të humbasë në lutje ndaj mbretërisë së Lavdisë.

75 Përpiquni me mish e me shpirt me qëllim që të krijoni bashkimin e harmoninë midis të bardhëve e zezakëve, për të provuar prej saj unitetin e botës Bahá’í, ku nuk ka vend për dallime ngjyre, por merren në konsideratë vetëm zemrat. Lavdërimi qoftë me Perëndinë, zemrat e miqve bashkohen e lidhen së bashku, qofshin ata prej lindjes apo perëndimit, prej veriut apo jugut, qofshin ata gjermanë, francezë, japonezë, amerikanë, qofshin të bardhë, zezakë, të kuq, të verdhë apo të racës kafe. Ndryshimet e ngjyrës, të vendit e racës nuk janë me rëndësi për Besimin Bahá’í; përkundrazi, uniteti Bahá’í i kapërcen ato të gjitha dhe i flak të gjitha këto fantazira e pjella të tyre.

76 1 O ti që ke një zemër të ndritur! Ti je si bebja e syrit, si vetë burimi i dritës, sepse dashuria e Perëndisë ka hedhur rrezet e saj thellë në qenien tënde dhe ti ke kthyer fytyrën drejt Mbretërisë së Zotit tënd.
2 E thellë është në Amerikë urrejtja midis zezakëve dhe të bardhëve, por kam shpresë se fuqia e Perëndisë do t’i lidhë ata me miqësi dhe do t’u shërbejë si një balsam shërues.
3 Le të mos shohim ngjyrën e një njeriu, por zemrën e tij. Në qoftë se zemra mbushet me dritë, ai njeri është afër pragut të Zotit të Tij; por në qoftë se jo, ai njeri, qoftë i bardhë apo qoftë i zi, është i pakujdesshëm ndaj Zotit të Tij.

77 1 O ti shërbëtore e nderuar e Perëndisë! Letrën tënde nga Los Anxhelos e mora. Falënderojmë Providencën hyjnore që ti je ndihmuar në shërbim dhe ke bërë shpalljen e njëshmërisë së botës njerëzore, që errësira e ndryshimeve midis njerëzve të davaritet dhe shatorrja e unitetit të kombeve të hedhë hijen e saj mbi gjithë rajonet. Pa një unitet të tillë, prehja dhe qetësia, paqja dhe pajtimi universal janë të paarritshme. Ky shekull i shndritshëm kërkon e fton përmbushjen e tij. Në çdo shekull, në përputhje me kërkesat e tij, konfirmohet nga Perëndia një temë e veçantë e qendrore. Në këtë epokë të shndritshme ajo që është konfirmuar është njëshmëria e botës njerëzore. Çdo shpirt që i shërben kësaj njëshmërie padyshim që do të ndihmohet e afirmohet.
2 Unë shpresoj që në asambletë ti të këndosh himne me një melodi të ëmbël dhe kështu ata bëhen burim gëzimi e kënaqësie për të gjithë.

78 1 O ti që je e dëlirë në zemër, e shenjtëruar në shpirt, e pashoqe në karakter, perri në fytyrë! E morëm fotografinë tënde që zbulon portretin tënd fizik me hijeshi maksimale dhe pamje shumë të mirë. Ti je e zeshkët në fytyrë dhe e shkëlqyer në karakter. Ti je si bebja e syrit që është e zezë në ngjyrë, megjithatë është burimi i dritës dhe zbuluesi i botës reale.
2 Unë nuk të kam harruar, as nuk do të harroj. Lus Perëndinë që me hir të të bëjë shenjën e bujarisë së Tij mes njerëzimit, të ndritë fytyrën tënde me dritën e aq bekimeve sa jepen nga Zoti i mëshirshëm, të të zgjedhë ty për dashurinë e Tij në këtë epokë që dallohet nga gjithë shekujt dhe epokat e shkuara.

79 1 O personalitet i respektuar! Unë kam lexuar veprën tënde Ungjilli i Pasurisë34 dhe atje vura re rekomandime me të vërtetë me vend e të fuqishme për lehtësimin e shumicës së njerëzimit.
2 Për ta shprehur çështjen me pak fjalë, Mësimet e Bahá’u’lláhut mbrojnë ndarjen në mënyrë vullnetare dhe kjo është një gjë më e madhe se sa barazimi i pasurisë. Sepse barazimi duhet të imponohet nga jashtë, ndërsa ndarja është një çështje zgjedhjeje të lirë.
3 Njeriu arrin përsosmërinë nëpërmjet veprave të mira, që i kryen vullnetarisht, jo nëpërmjet veprave të mira, të cilat ai detyrohet t’i bëjë. Dhe ndarja është një akt i drejtë, i zgjedhur personalisht: kjo do të thotë, që të pasurit duhet ta zgjerojnë ndihmën ndaj të varfërve, ata duhet të shpenzojnë gjënë e tyre për të varfrit, por me vullnetin e tyre të lirë vetjak dhe jo për shkak se të varfrit e kanë fituar këtë qëllim me forcë. Sepse të korrat e forcës janë trazira dhe shkatërrimi i rendit social. Nga ana tjetër, ndarja vullnetare, shpenzimet e zgjedhura lirisht nga pasuria e çdonjërit, çon në qetësimin dhe paqen e shoqërisë. Ajo ndriçon botën; ajo i jep nder njerëzimit.
4 Unë i kam parë efektet e mira të filantropisë suaj në Amerikë, në universitete të ndryshme, në kuvende paqeje dhe në shoqëri për përkrahjen e diturisë, ndërsa udhëtoja nga një qytet në tjetrin. Prandaj lutem në emrin tënd që gjithmonë të jesh i rrethuar nga bujaritë dhe bekimet e qiellit e të kryesh shumë vepra filantropike në Lindje e në Perëndim. Në këtë mënyrë të shkëlqesh si një pishtar drite në Mbretërinë e Perëndisë, të arrish nderin dhe jetën e përjetshme e të ndritësh si një yll i shkëlqyer mbi horizontin e përjetësisë.

80 1 O ti që po kthen fytyrën tënde drejt Perëndisë! Letrën tënde e mora. Nga përmbajtja e saj bëhet e njohur se dëshira tënde është t’u shërbesh të varfërve. Ç’të dëshirosh më mirë se kjo! Ato shpirtra që janë të Mbretërisë dëshirojnë me etje të jenë në shërbim të të varfërve, t’u vijë keq për ta, të shprehin mirësi ndaj të mjerëve dhe ta bëjnë jetën e tyre të frytshme. Lum ti që ke një dëshirë të tillë.
2 Përcillu në emrin tim të dy fëmijëve të tu, mirësinë dhe dashurinë më të madhe. Letrat e tyre janë marrë por, meqë s’kam kohë, nuk mund t’u shkruaj letra më vete në këtë moment. Tregohu atyre në emrin tim dashamirësinë më të madhe.

81 Ata shpirtra që gjatë luftës u kanë shërbyer të varfërve dhe kanë qenë në punën e Misionit të Kryqit të Kuq, me shërbimet e tyre janë pranuar në Mbretërinë e Perëndisë dhe janë burim për jetën e tyre të përjetshme. Përcillu atyre këto lajme të gëzuara.

82 O ti që je i vendosur në Besëlidhje, letrën tënde e morëm. Ti ke bërë përpjekje të mëdha për atë të burgosur, ndoshta ajo rezulton te jetë e frytshme. Megjithatë, thuaji atij: ‘Banorët e botës burgosen në burgun e natyrës, një burg që është i vazhdueshëm dhe i përjetshëm. Nëse ti tani je i mbyllur brenda caqeve të një burgu të përkohshëm, për këtë mos u hidhëro; kam shpresë se ti do lartësohesh prej burgut të natyrës e të arrish në gjyqin e jetës së përjetshme. Lutju Perëndisë natë e ditë dhe kërko ndjesë e falje. Gjithëfuqia e Perëndisë do të zgjidhë çdo vështirësi.’

83 Përcilli gruas tënde të respektuar në emër të ‘Abdul-Baháit, përshëndetjet e mia Abhá dhe i thuaj: ‘Mirësia, aftësimi dhe edukimi i shtrirë te të burgosurit është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Prandaj, meqë ti ke bërë përpjekje për këtë, ke zgjuar disa prej tyre dhe ke qenë shkaku i kthimit të fytyrave të tyre ndaj Mbretërisë hyjnore, kjo vepër e lavdërueshme është tepër e pëlqyer. Këmbëngul me siguri. Përcillu në emrin tim të dy të burgosurve në San Kuentin dashamirësinë më të madhe dhe u thuaj atyre: ‘Ai burg në vështrim të shpirtrave të urtë është një shkollë aftësimi dhe zhvillimi. Ju duhet të luftoni me mish e me shpirt që të bëheni të njohur në karakter dhe dije.’

84 1 O ti shërbëtore e shtrenjtë e Perëndisë! Letra tënde është marrë dhe përmbajtja e saj është parë me vëmendje.
2 Për masën e njerëzve, martesa është lidhje fizike, dhe ky bashkim mund të jetë vetëm i përkohshëm përderisa kjo lidhje është e paradestinuar të përfundojë me një ndarje fizike.
3 Midis njerëzve Bahá’í sidoqoftë, martesa duhet të jetë një bashkim si i trupit ashtu dhe i shpirtit, sepse si burri dhe gruaja janë eksituar nga e njëjta verë, të dy janë dashuruar pas së njëjtës Fytyrë të pashoqe, të dy jetojnë e veprojnë përmes së njëjtës frymë, të dy janë të ndriçuar nga e njëjta lavdi. Kjo lidhje midis tyre është shpirtërore, për rrjedhojë është një lidhje që do të vazhdojë përgjithmonë. Po kështu, ata gëzojne lidhje të forta e të qëndrueshme në botën fizike, sepse meqë martesa është e bazuar si në shpirt dhe në trup, ky është një bashkim i vërtetë dhe si i tillë do të jetë i vazhdueshëm. Në rast se kjo lidhje është thjesht fizike e asgjë më shumë, është e sigurtë që ajo do të jetë vetëm e përkohshme dhe do të përfundojë në mënyrë të pashmangshme në ndarje.
4 Prandaj kur njerëzit e Baháit vendosin të martohen, bashkimi duhet të jetë një marrëdhënie e vërtetë, një përputhje si shpirtërore ashtu edhe fizike, në mënyrë që gjatë çdo faze të jetës dhe në të gjitha botët e Perëndisë bashkimi i tyre të jetë i qëndrueshëm; sepse kjo njëshmëri reale është një rrezatim i dashurisë së Perëndisë. Prandaj, kur njerëzit Bahá’í vendosin të martohen, bashkimi duhet të jetë një marrëdhënie e vërtetë, rrjedhojë e përbashkët shpirtërore dhe fizike, që bashkimi i tyre të rezistojë në çdo fazë të jetës dhe në gjithë botët e Perëndisë; sepse kjo njëshmëri reale është shkëlqim i dashurisë së Perëndisë.
5 Në të njëjtën mënyrë, kur ata shpirtra rriten për të qenë besimtarë të vërtetë, ata do të arrijnë një marrëdhënie shpirtërore me njëri-tjetrin e do të tregojnë një dhembshuri që nuk është e kësaj bote. Ata të gjithë, do të ngazëllehen me një gllënjkë nga dashuria hyjnore dhe bashkimi i tyre, ajo lidhje, do të rrojë, gjithashtu, përgjithmonë. Kjo do të thotë se shpirtrat që do të lënë veten në harresë, që zhvishen prej mangësive të njerëzimit dhe çlirohen prej skllavërisë njerëzore, pa asnjë dyshim që do të ndriçohen me shkëlqimet qiellore të njëshmërisë dhe do të arrijnë në një bashkim real në botën që nuk vdes.

85 Për sa i përket pyetjes në lidhje me martesën nën Ligjin e Perëndisë: e para ti duhet të zgjedhësh një që është i kënaqur me ty dhe pastaj çështja është subjekt i pëlqimit nga babai e nëna. Para se të bësh zgjedhjen tënde, ata nuk kanë të drejtë të të ndërhyjnë.

86 1 Martesa Bahá’í është angazhimi i të dy palëve ndaj njëri-tjetrit dhe lidhja e ndërsjelltë e mendjes dhe e zemrës midis tyre. Secili duhet, sidoqoftë, të ushtrojë kujdesin më të madh për t’u njohur plotësisht me karakterin e tjetrit, që besëlidhja e tyre të vazhdojë përgjithmonë. Qëllimi i tyre duhet të jetë : të bëhen shokë jete të dashur dhe të shkrihen në njëri-tjetrin si një trup i vetëm në jetë të jetëve ...
2 Martesa e vërtetë e Bahá’í-ve është që burri dhe gruaja të jenë të bashkuar si fizikisht dhe shpirtërisht, që ata vazhdimisht të përmirësojnë jetën shpirtërore të njëri-tjetrit dhe të gëzojnë unitet të përjetshëm në të gjitha botët e Perëndisë. Kjo është martesa Bahá’í.

87 1 O ti kujtim i atij që vdiq për Bukurinë e Bekuar! Ditët e fundit morëm lajmin e gëzuar të martesës tënde me atë fletë të ndritshme, që ka kënaqur pa masë zemrat e njerëzve të Perëndisë. Dëshira lutjesh janë ofruar me plot përulësi në Pragun e Shenjtë, që kjo martesë qoftë lajmëtare gëzimi për miqtë, qoftë një lidhje dashurie për gjithë përjetësinë, dhëntë përfitime e fryte të përjetshme.
2 Nga ndarja vjen çdo lloj lëndimi e dëmi, ndërsa bashkimi i sendeve të krijuara jep gjithmonë rezultatet më në zë. Çiftimi, bile edhe i thërrmijave më të vogla në botën e qenies, bëhet manifest me hirin dhe bujarinë e Perëndisë; dhe sa më e lartë shkalla, aq më i rëndësishëm është bashkimi. ‘Lavdia qoftë me Atë Që ka krijuar gjithë çiftet e aq gjërave sa mban toka, dhe prej vetë njerëzve, dhe prej gjërave që ata nuk i dinë.’35 Dhe mbi gjithë bashkimet e tjera është ai midis qenieve njerëzore, veçanërisht kur ndodh me dashurinë për Perëndinë. Në këtë mënyrë bëhet e dukshme njëshmëria kryesore, kështu shtrihet themeli i dashurisë në shpirt. Është e sigurt që një martesë e tillë si tuaja do të bëjë të revelohen blatimet e Perëndisë. Prandaj ne të urojmë lumturi, lusim bekime për ty dhe i përgjërohemi Bukurisë së Bekuar që, nëpërmjet ndihmës e pëlqimit të Tij, ta bëjë atë gosti dasme një gëzim për të gjithë e ta stolisë atë me harmoninë e Qiellit.

3 O Zoti im, O Zoti im! Këto dy hëna të shkëlqyera martohen me dashurinë për Ty, kombinohen në nënshtrimin ndaj Pragut Tënd të Shenjtë, bashkohen në shërbesën ndaj Kauzës Tënde. Bëje këtë martesë të jetë si fillesë dritash prej hirit Tënd të begatë, O Zoti im, Mëshirëplotë dhe rreze drite të blatimeve të Tua, O Ti Mirëbërës, Gjithmonëdhënës, që prej kësaj peme të madhe u shumofshin degë që do të rriten të blerta e të lulëzuara, nëpërmjet dhuratave që do të vërshojnë prej reve të hirit Tënd.
4 Me të vërtetë Ti je Zemërmadhi, me të vërtetë, Ti je i Plotfuqishmi, me të vërtetë, Ti je i Dhembshuri, Mëshirëploti.

88 1 O ju dy fëmijët e mi të shtrenjtë! Sapo mbërriti te mua lajmi i bashkimit tuaj, më mbushi me gëzim dhe mirënjohje të pafund. Lavdërimi qoftë me Perëndinë, që ata dy zogj besnikë kanë kërkuar strehë në një fole. I përgjërohem Perëndisë që t’i bëjë ata të ngrenë një familje të ndershme, sepse rëndësia e martesës qëndron në edukimin e një familjeje mjaft të bekuar, që me tërë kënaqësinë ata të ndritin botën si qirinj. Sepse rilindja e botës varet nga ekzistenca e njeriut. Nëse në këtë botë nuk ekziston njeriu, ajo do të ishte si një pemë pa fruta. Kam shpresë që ju të dy të bëheni si një pemë dhe, nëpërmjet vërshimeve të reve të dashamirësisë së përzemërt, marshi freski e hijeshi, lulëzofshi e dhënçi fruta, që vargu juaj të zgjatet përjetësisht.
2 Qoftë mbi ju Lavdia e Më të Lavdishmit.

89 1 O ti që je i vendosur në Besëlidhje! Letrën që ti kishe shkruar më 2 maj 1919 e morëm. Lavdëro Perëndinë që je i vendosur e i patundur me prova dhe po mbahesh fort pas Mbretërisë Abhá. Ti nuk je tundur nga dhimbjet apo të ligështohesh prej fatkeqësive. Përderisa një njeri nuk është provuar nuk ndahet dot qartë ari i pastër nga zgjyra. Mundimi është zjarri i provës ku ndriçon me shkëlqim ari i pastër dhe ku digjet e nxihet papastërtia. Aktualisht ti je, lavdërimi qoftë me Perëndinë, i fortë dhe i patundur në sprova e vështirësi dhe nuk je lëkundur prej tyre.
2 Gruaja tënde nuk është në harmoni me ty, por qoftë lavdërimi me Perëndinë, Bukuria e Bekuar është e kënaqur me ty dhe po derdh përmbi ty bujari dhe bekimet më të mëdha. Por, megjithatë, provo të jesh i duruar me gruan, që ndoshta transformohet dhe zemra e saj ndriçohet. Kontributi që ke dhënë për mësimdhënien është tepër i pëlqyer e do të përmendet përjetësisht në Mbretërinë hyjnore, sepse është burim i përhapjes së aromave dhe lartësim i Fjalës së Perëndisë.

90 1 O Perëndi, Perëndia im! Kjo shërbëtorja Tënde po të thërret Ty, po të beson Ty, po kthen fytyrën e saj drejt Teje, po të përgjërohet Ty të derdhësh përmbi të bujaritë e Tua qiellore, të zbulosh për të misteret e Tua shpirtërore dhe të hedhësh mbi të dritat e Hyjnisë Tënde.
2 O Zoti im! Bëj të shohin sytë e burrit tim. Gëzoje zemrën e tij me dritën e dijes për Ty, tërhiq mendjen e tij drejt bukurisë Tënde të ndritshme, gëzo shpirtin e tij duke i reveluar shkëlqimet e manifestimit Tënd.
3 O Zoti im! Ngri velin prej vështrimit të tij. Derdh përmbi të bujaritë e Tua të shumta, dehe atë me verën e dashurisë për Ty, bëje atë një prej engjëjve të Tu, që këmbët e tij të ecin mbi këtë dhé siç fluturojnë shpirtrat e tyre nëpër qiejt e epërm. Shtyje atë të bëhet një llambë e shkëlqyer, që ndriçon me dritën e urtësisë Tënde mes njerëzve të Tu.
4 Me të vërtetë Ti je i Vyeri, Gjithmonëdhuruesi, Dorëhapuri.

91 1 O ti që je përkulur në lutje para Mbretërisë së Perëndisë! Lum ti, sepse bukuria e Fytyrës hyjnore ka rrëmbyer zemrën tënde dhe drita e urtisë së brendshme e ka mbushur plot atë, dhe brenda saj shkëlqen ndriçimi i Mbretërisë. Dije se Perëndia është me ty në të gjitha kushtet dhe se Ai të ruan nga ndryshimet e rreziqet e kësaj bote dhe të ka bërë ty një shërbyese në vreshtin e Tij të madh. ...
2 Për sa i përket burrit tënd të respektuar: është detyra tënde ta trajtosh me mirësi të madhe, të marrësh parasysh dëshirat e tij dhe të jesh pajtuese me të gjatë gjithë kohës, deri sa ai të shohë që për shkak se ti e ke drejtuar veten drejt Mbretërisë së Perëndisë, ëmbëlsia për të dhe dashuria për Perëndinë veçse është shtuar, ashtu si interesimi yt për dëshirat e tij në çdo rrethanë.
3 I lutem Perëndisë të të mbajë të vendosur fort në dashurinë e Tij dhe duke derdhur përherë flladet e ëmbla të shenjtërisë kudo në ato rajone.

92 1 O ju dy besimtarë të Perëndisë! Zoti, i pashoq është Ai, ka bërë gruan dhe burrin të rrojnë me njëri-tjetrin në shoqërinë më të ngushtë dhe për të qenë, bile, si një shpirt i vetëm. Ata të dy ndihmojnë njëri-tjetrin, janë dy miq të ngushtë, që duhet të shqetësohen për mirëqenien e njeri-tjetrit.
2 Në qoftë se jetojnë kështu, ata do të kalojnë përmes kësaj bote me kënaqësi të përkryer, të lumtur, me paqe në zemër dhe do të bëhen objekt i hirit e pëlqimit hyjnor të Mbretërisë së qiellit. Por në qoftë se veprojnë ndryshe, ata do ta kalojnë jetën e tyre me hidhërim të madh, duke dëshiruar çdo çast vdekjen e do të jenë faqenxirë në mbretërinë qiellore.
3 Përpiquni, atëherë, të rroni me njëri-tjetrin shpirt e zemër si dy pëllumba në fole, sepse kjo do të thotë të jesh i bekuar në të dyja botët.

93 1 O ti shërbëtore e Perëndisë! Çdo grua që bëhet shërbëtore e Perëndisë shkëlqen me lavdi përmbi perandoreshat e botës, se ajo lidhet me Perëndinë dhe sovraniteti i saj është i përjetshëm, ndërkohë që emrin dhe famën e perandoreshave do ta fshinte një grusht dhé. Me fjalë të tjera, sapo zbresin në varr, ato bëhen zero. Nga ana tjetër, shërbëtoret e Mbretërisë së Perëndisë gëzojnë sovranitet të përjetshëm që nuk preket me kalimin e kohës dhe të brezave.
2 Mendoni sa shumë perandoresha kanë ardhur e shkuar që nga koha e Krishtit. Secila ishte sundimtare e një vendi, por tani ka humbur çdo gjurmë dhe emër i tyre, ndërsa Maria Magdalena, që ishte vetëm një fshatare dhe shërbëtore e Perëndisë, shkëlqen akoma prej horizontit të lavdisë së përjetshme. Prandaj, përpiqu të mbetesh shërbëtorja e Perëndisë.
3 Ti ke lavdëruar Besëlidhjen. Kjo besëlidhje do të marrë rëndësi të madhe në të ardhmen, sepse ajo po i shërben Mbretërisë hyjnore dhe botës njerëzore. Ajo shpall paqen universale dhe hedh bazat e njëshmërisë së njerëzimit; ajo çliron shpirtrat nga paragjykimet fetare, racore dhe tokësore e i mbledh ata nën hijen e shatorres njëngjyrëshe të Perëndisë. Prandaj, lavdëro Perëndinë, që ke ndjekur një Besëlidhje të tillë dhe ke dëgjuar Mësimet hyjnore.

94 1 O shërbëtore të Bukurisë Abhá! Letra juaj erdhi dhe studimi i saj shkaktoi gëzim të madh. Lëvduar qoftë Perëndia, gratë besimtare kanë organizuar takime ku ato do të mësojnë si ta shpjegojnë Besimin, do të përhapin aromat e këndshme të Mësimeve dhe do të bëjnë plane për edukimin e fëmijëve.
2 Kjo mbledhje duhet të jetë krejtësisht shpirtërore. Pra, diskutimet duhet të kufizohen në renditjen e provave të qarta e vendimtare se Dielli i së Vërtetës ka dalur me të vërtetë. Dhe më tej, të pranishmet duhet të interesohen për të gjitha mënyrat e përgatitjes së fëmijëve vajza; si t’u mësojnë atyre degët e ndryshme të dijes, mirësjelljen, një mënyrë të përshtatshme jetese, të kultivojnë tek ato një karakter të mirë, dëlirësinë e qëndresën, këmbënguljen, forcën, vendosmërinë, qëndrueshmërinë në qëllimet; qeverisjen e punëve të shtëpisë; edukimin e fëmijëve dhe çdo gjë që ka të bëjë posaçërisht me nevojat e vajzave – duke pasur si qëllim që këto vajza, të rritura në kështjellën e të gjitha përsosurive dhe të mbrojtura nga një karakter i mirë, kur ato vetë të bëhen nëna t’i rritin fëmijët e tyre që nga foshnjëria me një karakter të mirë e që të sillen si duhet.
3 Le të studiojnë ato gjithashtu çdo gjë që i shërben shëndetit të trupit e fuqisë fizike të tij dhe si t’i ruajnë fëmijët e tyre nga sëmundjet.
4 Kur gjërat të rregullohen kështu mirë, çdo fëmijë do të bëhet një bimë e pashoqe në kopshtet e parajsës Abhá.

95 1 O Shërbëtore të Perëndisë! Mbledhja shpirtërore që ju keni vendosur në atë qytet të ndriçuar është shumë premtuese. Ju keni bërë përparime të mëdha; ju ua keni kaluar të tjerave, jeni ngritur për t’i shërbyer Pragut të Shenjtë dhe keni fituar dhunti qiellore. Tani me tërë zellin shpirtëror ju duhet të mblidheni në atë tubim të ndriçuar, të recitoni Shkrimet e Shenjta dhe t’i kushtoheni kujtimit të Zotit. Shtjelloni argumentat dhe provat e Tij. Punoni për udhëheqjen e grave në atë vend, mësoni të rejat e fëmijët, në mënyrë që nënat të mund t’i edukojnë vogëlushët e tyre që në moshë të mitur, t’i përgatisin ata me rrënjë, të kujdesen që ata të kenë karakter e moral të mirë, t’i çojnë në shtegun e të gjitha virtyteve të njerëzimit, të parandalojnë zhvillimin e çfarëdo sjelljeje të qortueshme dhe t’i rritin në përqafimin e edukimit Bahá’í. Kështu të gjithë këta fëmijë të njomë do të ushqehen në gjirin e dijes së Perëndisë e të dashurisë për Të. Kështu ata do të rriten e lulëzojnë, do t’u mësohet devotshmëria dhe dinjiteti i njerëzimit, vullneti për t’u përpjekur e për të qenë të qëndrueshëm. Kështu ata do të mësojnë këmbënguljen në të gjitha gjërat, vullnetin për të përparuar, fisnikërinë dhe vendosmërinë e lartë, dëlirësinë dhe pastërtinë e jetës. Kështu ata do të bëhen të zotët të çojnë deri në fund me sukses çdo gjë që ndërmarrin.
2 Nënat le të kenë parasysh se çdo gjë që ka të bëjë me edukimin e fëmijëve është me rëndësi të dorës së parë. Ato të bëjnë të gjitha përpjekjet në këtë drejtim, sepse kur degëza është ende e njomë dhe e butë ajo rritet ashtu si ta mësosh atë. Prandaj është detyrë e nënave të përkujdesen për të vegjëlit e tyre ashtu siç kujdeset kopshtari për bimët e njoma. Le të përpiqen ato ditë e natë për të rrënjosur në fëmijët e tyre besim e siguri, frikën e Perëndisë, dashurinë për të Shumëdashurin e botëve dhe të gjitha cilësitë e tiparet e mira. Sa herë që një nënë sheh se fëmija i saj ka vepruar mirë, le ta lavdërojë e miratojë atë, duke ia gëzuar zemrën; dhe nëse tek ai do të shfaqet qoftë edhe tipari më i vogël i padëshirueshëm, le ta këshillojë fëmijën dhe ta dënojë atë, duke përdorur mjete të mbështetura në arsye, qoftë edhe vetëm një qortim të lehtë me fjalë, po qe se është i nevojshëm. Por, sidoqoftë, nuk është e lejueshme të rrihet fëmija ose të poshtërohet ai, sepse karakteri i fëmijës do të zvetënohej krejt po qe se do t’u nënshtrohej goditjeve ose sharjeve.

96 1 O shërbëtore të të Mëshirshmit! Jepini falënderime Bukurisë së Lashtë që jeni ngritur dhe mbledhur së bashku në më të madhin e shekujve, në më të ndritshmen e epokave. Ndërsa dërgoni falënderime për një bujari të tillë, qëndroni të vendosura dhe të forta në Besëlidhje dhe, duke ndjekur parimet e Perëndisë e Ligjin e shenjtë, mëkoni fëmijët tuaj që prej foshnjërisë me qumështin e edukimit universal dhe rritini ata që, prej ditëve të para, thellë në zemrat e tyre, në vetë natyrën e tyre, të krijohet vendosmërisht një mënyrë jetese në pajtim me Mësimet hyjnore në të gjitha gjërat.
2 Sepse nënat janë edukatoret e para, këshilltaret e para; dhe në të vërtetë janë nënat ato që përcaktojnë lumturinë, madhështinë e së ardhmes, mënyrat e mirësjelljes, diturinë dhe gjykimin, kuptimin dhe besimin e të vegjëlve të tyre.

97 1 Ka disa shtylla që janë ngritur si mbështetje të palëkundura të Besimit të Perëndisë. Më e fuqishmja e tyre është dituria dhe përdorimi i mendjes, zgjerimi i vetëdijes, depërtimi në realitetet e universit dhe në misteret e fshehura të Perëndisë së Plotfuqishëm.
2 Nxitja e dijes është një detyrë e pashmangshme që i vihet secilit prej miqve të Perëndisë. Është detyrë e Asamblesë Shpirtërore, atij kuvendi të Perëndisë, për të bërë çdo përpjekje për edukimin e fëmijëve, që prej foshnjërisë, ata të aftësohen me sjelljen Bahá’í dhe me udhët e Perëndisë dhe, si bimët e vogla, të drithërohen e lulëzojnë në ujërat që rrjedhin shtruar, të cilat janë këshillat dhe paralajmërimet e Bukurisë së Bekuar.

98 1 Po të mos kishte edukator, të gjithë shpirtrat do të mbeteshin të egër, dhe po të mos kishte mësues, të gjithë fëmijët do të ishin krijesa injorante.
2 Ja përse, në këtë cikël të ri, edukimi dhe përgatitja janë regjistruar në Librin e Perëndisë si të detyrueshme e jo vullnetare. Pra, çdo ati e nëne i vihet për detyrë të përpiqen me të gjitha mundësitë të edukojnë të birin dhe të bijën, t’i mëkojnë ata nga gjiri i dijes dhe t’i rrisin në prehrin e shkencave e të mjeshtrive. Në qoftë se e lenë pasdore këtë çështje, ata do të konsiderohen përgjegjës e do të meritojnë qortimin në praninë e Zotit të rreptë.

99 Ti ke shkruar lidhur me fëmijët: Qysh në fillim fëmijët duhet të marrin një edukatë hyjnore dhe duhet t’u kujtohet vazhdimisht që të kenë ndërmend Perëndinë e tyre. Le të përshkojë dashuria e Perëndisë qënien e tyre më intime bashkë me qumështin e nënës.

100 1 Dëshira ime është që këta fëmijë të marrin edukim Bahá’í, kështu që të mund të përparojnë si këtu dhe në Mbretërinë, dhe ta gëzojnë zemrën tënde.
2 Në të ardhmen, morali do të degjenerojë deri në ekstrem. Është thelbësore që fëmijët të rriten në mënyrën Bahá’í, që ata të mund të gjejnë lumturi si në këtë botë dhe në tjetrën. Përndryshe do t’i rrethojnë hidhërimet e telashet, sepse lumturia njerëzore bazohet mbi sjelljen shpirtërore.

101 O ju që keni paqen e shpirtit! Midis Teksteve hyjnore që paraqiten në Librin Më të Shtrenjtë është edhe ky: është detyrë e babës dhe e nënës të aftësojnë fëmijët e tyre si me sjelljen e mirë dhe në studimin e librave; studimi të jetë në shkallën e duhur, që asnjë fëmijë, qoftë vajzë apo djalë, të mos mbetet analfabet. Në qoftë se babai nuk e bën detyrën e tij, ai duhet të detyrohet të marrë përsipër përgjegjësinë e tij e nëse ai nuk është i aftë t’i përgjigjet, le ta marrë përsipër edukimin e fëmijëve Shtëpia e Drejtësisë; në asnjë rast fëmija nuk duhet lënë pa edukim. Kjo është një nga urdhërimet e rrepta e të pashmangshme që po të mos përfillet do të tërhiqte mbi vete zemërimin e tërbuar të Perëndisë së Plotfuqishëm.

102 1 O shokë të vërtetë! Gjithë njerëzimi është si fëmijët në një shkollë dhe Agimet e Dritës, Burimet e revelacionit hyjnor janë mësuesit, të mahnitshëm e të pashoq. Në shkollën e realiteteve ata i mësojnë këta bij e bija sipas mësimeve që vijnë nga Perëndia dhe i rrisin në gjoksin e mirësisë, që ata të zhvillohen në të gjitha drejtimet, të shfaqin dhunti e bekime të shkëlqyera të Zotit dhe të kombinojnë përsosuri njerëzore; që ata të përparojnë në të gjitha aspektet e sjelljes njerëzore, si të jashtme dhe të brendshme, të fshehura ose të dukshme, materiale ose shpirtërore, derisa ta bëjnë këtë botë të vdekshme një pasqyrë të madhe që të reflektojë botën tjetër që nuk vdes.
2 O ju miqtë e Perëndisë! Sepse në këtë më të rëndësishmen ndër të gjitha epokat, Dielli i së Vërtetës është ngritur në pikën më të lartë të sanataditës pranverore dhe ka lëshuar rrezet e tij mbi çdo vend, ai do të ndezë një trazim të tillë drithërues, do të çlirojë vibracione të tilla në botën e qenies, do të stimulojë një rritje e zhvillim të tillë, do të vërshojë me një lavdi të tillë drite, re të mirësisë do të reshin ujëra kaq të bollshme dhe fushat e pllajat do të çelin me një plejadë të tillë bimësh e lulesh erëkëndshme, saqë kjo tokë e përunjur do të bëhet Mbretëria Abhá dhe kjo botë këtu poshtë bota e sipërme. Atëhere kjo thërrmijë pluhuri do të jetë si rrethi i gjerë i qiejve, ky vend njerëzor si oborri i pallatit të Perëndisë, ky truall argjili Agimi i favoreve të pasosura të Zotit të Zotëve.
3 Prandaj, O të dashur të Perëndisë! Bëni një përpjekje të fuqishme derisa ju vetë të arrini këtë përparim e të gjitha këto konfirmime dhe të bëheni vatra të bekimeve të Perëndisë, agime të dritës së unitetit të Tij, nismëtarë të dhuntive e të favoreve të jetës së qytetëruar. Jini në atë tokë pararoja të përsosurive të njerëzimit; çoni përpara degët e ndryshme të dijes, jini aktivë e të përparuar në fushën e shpikjeve e të arteve. Përpiquni të korrigjoni sjelljen e njerëzve dhe synoni t’ia kaloni gjithë botës për nga karakteri moral. Ndërkohë që fëmijët janë ende në foshnjëri, ushqejini ata nga gjiri i hirit qiellor, rritini në djepin e çdo përsosurie, edukojini ata në përqafimin e bujarisë. Jepuni atyre epërsinë e çdo lloj dije të dobishme. Le të marrin pjesë në çdo mjeshtri e art të rrallë e të mahnitshëm. Edukojini ata me punë e përpjekje dhe që të kapërcejnë vështirësitë. Mësojini t’ua kushtojnë jetën gjërave që kanë rëndësi të madhe dhe frymëzojini që të ndërmarrin studime që do t’i sjellin dobi njerëzimit.

103 1 Edukimi dhe ushtrimi i fëmijëve është ndër veprimet më të vlefshme të njerëzimit dhe sjell hirin e favorin e Mëshirëplotit, sepse edukimi është themeli domosdoshëm i çdo shquarsie njerëzore dhe e lejon njeriun të çajë rrugën drejt lartësive të lavdisë së përhershme. Në qoftë se një fëmijë ushtrohet që në fëmijëri, ai, përmes kujdesit dashamirës të Kopshtarit të Shenjtë, do të pijë nga ujërat e kristalta të shpirtit e të dijes, si një pemë e njomë midis rrëkeve të rrjedhshme. Dhe sigurisht ai do të tërheqë te vetja rrezet e ndritshme të Diellit të së Vërtetës, dhe falë dritës e nxehtësisë së tij do të rritet përherë i freskët e i pastër në oborrin e jetës.
2 Prandaj këshilltari duhet të jetë gjithashtu mjek: domethënë, duke ushtruar fëmijën, ai duhet të korrigjojë gabimet e tij; duhet t’i japë atij dije dhe, në të njëjtën kohë, të kujdeset që ai të ketë natyrë shpirtërore. Le të jetë mësuesi një mjek për karakterin e fëmijës, kështu ai do të shërojë sëmundjet shpirtërore të bijve të njerëzve.
3 Në qoftë se, në këtë detyrë kaq të rëndësishme, ushtrohet një përpjekje e madhe, bota e njerëzimit do të shkëlqejë me stoli të tjera dhe do të lëshojë një dritë të bardhë. Atëhere ky vend i errët do të bëhet i ndritshëm dhe kjo banesë tokësore do të shndërrohet në Parajsë. Vetë demonët atëherë do të shndërrohen në ëngjëj, dhe ujqërit në barinj grigjash, dhe lukunia e qenve të egër në ruajtës të gazelave që kullotin në pllajat e njëshmërisë, dhe shtazët e egra në kope të qeta; dhe zogjtë grabitqarë, me kthetra të mprehtë si thika, në këngëtarë që cicërojnë notat e veta të ëmbla.
4 Sepse realiteti i brendshëm i njeriut është një vijë ndarëse midis hijes e dritës, një vend ku takohen dy detra36; është pika më e ulët në harkun e zbritjes37 dhe, pra, është në gjendje të arrijë të gjitha gradat më lart. Me edukim ai mund të arrijë çdo shquarësi; pa edukim ai do të qëndrojë në vend, në pikën më të ulët të papërsosurisë.
5 Çdo fëmijë është potencialisht drita e botës – dhe në të njëjtën kohë errësira e saj e trefishtë; prandaj çështja e edukimit duhet të llogaritet si e një rëndësie parësore. Që në foshnjërinë e tij, fëmija duhet të ushqehet në gjirin e dashurisë së Perëndisë dhe të rritet në përqafimin e dijes së Tij, që ai të rrezatojë dritë, të rritet shpirtërisht, të mbushet me urti e dituri dhe të marrë vetitë e ushtrisë engjëllore.
6 Meqenëse u ngarkuat me këtë detyrë të shenjtë, ju duhet, pra, të ushtroni çdo përpjekje për ta bërë atë shkollë të famshme nga çdo pikëpamje në mbarë botën; ta bëni atë shkak të lartësimit të Fjalës së Zotit.

104 1 O të dashurit e Perëndisë dhe shërbëtore të të Mëshirshmit! Një pjesë e madhe studiuesve është e opinionit se ndryshimet midis mendjeve dhe shkallëve të ndryshme të perceptimit ekzistojnë për shkak të ndryshimeve në edukim, aftësim e kulturë. Kjo sepse, ata besojnë që mendjet në fillim janë të barabarta, por aftësimi dhe edukimi do të rezultojë në ndryshime mendore dhe nivele të ndryshme inteligjence, se ndryshime të tilla nuk janë një komponent i trashëguar i individualitetit, por janë rezultat i edukimit: se asnjeri nuk ka ndonjë epërsi të lindur kundrejt një tjetri.....
2 Manifestimet e Perëndisë janë njësoj në akord me pikëpamjen se edukimi ushtron ndikimin më të fortë të mundshëm mbi njerëzimin. Megjithatë, Ata afirmojnë se ndryshimet në nivelin e inteligjencës janë të lindura; dhe ky fakt është i dukshëm e nuk ia vlen të diskutohet. Sepse ne shohim që fëmijë të së njëjtës moshë, të të njëjtit vend, të së njëjtës racë, në të vërtetë dhe të së njëjtës familje dhe të aftësuar nga i njëjti individ, akoma janë të ndryshëm si për shkallën e kuptimit edhe të inteligjencës së tyre. Një bën përparim të shpejtë, një i merr mësimet vetëm gradualisht, një mbetet në shkallën më të ulët të të gjithëve. Sepse pavarësisht se sa e lustron një guaskë, ajo nuk do të shndërrohet në një perlë që shkëlqen, as nuk mund të ndryshoni një guralec të turbullt në një gur të çmuar, rrezet e pastra të të cilët do të ndritin botën. Kolokunthi38 dhe pema e hidhur39 kurrë nuk do të ndryshojnë në Pemë të Bekimit40 nëpërmjet trajtimit dhe kultivimit. Kjo do të thotë që edukimi nuk mund të ndryshojë thelbin e brendshëm të njeriut, por ai ushtron ndikim të jashtëzakonshëm dhe me këtë fuqi ai mund të çojë përpara prej individit çfarëdo përsosmëri e kapacitet që është depozituar brenda tij. Një kokërr gruri, kur kultivohet nga fermeri, do të japë një korrje të tërë dhe një farë do të rritet pemë e madhe nëpërmjet kujdesit të kopshtarit. Në sajë të përpjekjeve dashamirëse të mësuesit, fëmijët e shkollës fillore mund të kapin nivelet më të larta të arritjeve; në të vërtetë, mirësia e tij mund të ngrejë ndonjë fëmijë me kapacitet të vogël në një fron të lartësuar. Në këtë mënyrë është treguar qartë se nga natyra e tyre thelbësore, mendjet ndryshojnë nga kapaciteti i tyre, ndërsa edukimi luan, gjithashtu, një rol të madh dhe ushtron një efekt të fuqishëm në zhvillimin e tyre.

105 1 Përsa i përket dallimit midis atij qytetërimi material që mbizotëron tani dhe qytetërimit hyjnor, që do të jetë njëra prej të mirave që do të vijnë nga Shtëpia e Drejtësisë, është ky: qytetërimi material, përmes fuqisë së ligjeve të ndëshkimit e të shpagimit, i përmban njerëzit nga kryrja e veprimeve kriminale; e megjithatë, ndërsa ligjet e shpagimit e të dënimit të njeriut vazhdimisht shtohen, siç mund ta shihni nuk ekzistojnë ligje për ta shpërblyer atë. Në të gjitha qytetet e Evropës e të Amerikës, janë ngritur ndërtesa të mëdha që shërbejnë si burgje për kriminelët.
2 Kurse qytetërimi hyjnor edukon çdo pjesëtar të shoqërisë në mënyrë të tillë që askush, me përjashtim të një numri të papërfillshëm njerëzish, nuk do të kryejë krime. Ka, pra, një ndryshim të madh midis parandalimit të krimit me anë masash të dhunshme e shpaguese dhe edukimit të njerëzve, ndriçimit të tyre, shpirtëzimit të tyre, saqë pa ndonjë frikë dënimi apo hakmarrjeje, ata t’i shmangen çdo veprimi kriminal. Ata, me të vërtetë, do ta shohin kryerjen e një krimi si një fatkeqësi të madhe dhe si dënimin më të rëndë në vetvete. Ata do të dashurohen pas përsosurive njerëzore, do t’ia kushtojnë jetën e tyre gjithçkaje që do t’i sjellë dritë botës dhe do të çojnë më tej ato veti që janë të pranueshme në Pragun e Shenjtë të Perëndisë.
3 Shih, pra, sa i madh është ndryshimi midis qytetërimit material dhe atij hyjnor. Me forcë e dënime, qytetërimi material kërkon t’i përmbajë njerëzit nga veprimet e liga, nga ato gjëra që i shkaktojnë dëm shoqërisë dhe nga kryerja e krimeve. Kurse në qytetërimin hyjnor individi është aq i përgatitur, saqë pa pasur frikën e dënimit, i shmanget kryerjes së krimeve, e sheh vetë krimin si torturën më të rëndë dhe me zell e gëzim u kushtohet përpjekjeve për të fituar vetitë e njerëzimit, për të çuar më tej progresin njerëzor dhe për të përhapur dritë anembanë botës.

106 1 Ndër shërbimet më të mëdha që njeriu mund t’i bëjë Perëndisë Fuqiplotë është edukimi dhe ushtrimi i fëmijëve, i bimëve të njoma të Parajsës Abhá, në mënyrë që këta fëmijë, të futur me mirësi në rrugën e shëlbimit, duke u rritur si margaritarë të bujarisë hyjnore në guackën e edukimit, të stolisin një ditë kurorën e lavdisë së përjetshme.
2 Megjithatë, është shumë e vështirë ta ndërmarrësh këtë shërbim dhe akoma më e vështirë t’ia dalësh mbanë atij. Unë shpresoj se ti do të dalësh mirë në këtë detyrë kaq të rëndësishme, do ta kryesh atë me sukses dhe do të bëhesh një shenjë e mirësisë bujare të Perëndisë; që të gjithë këta fëmijë, të rritur sipas Mësimeve të shenjta, do të zhvillojnë natyrë të ngjashme me ajrin e freskët që fryn përmes kopshteve të Lavdiplotit dhe do të përhapin aromën e tyre anembanë botës.

107 1 ‘Abdu’l-Bahá-i ushqen shpresën se për këta shpirtra rinorë në klasat shkollore të dijes më të thellë do të përkujdeset dikush që t’i mësojë ata të dashurojnë. I mësofshin mirë të gjithë ata, deri në kufijtë e arritjeve të shpirtit, misteret e fshehura; aq mirë saqë në Mbretërinë e Lavdiplotit secili prej tyre, si një bilbil i pajisur me ligjëratë, të shpallë sekretet e Mbretërisë Qiellore dhe, si një dashnor i përmalluar, të shprehë dëshirën e zjarrtë dhe nevojën e tij të ngutshme për të Shumëdashurin.

108 1 Ju duhet ta konsideroni tepër të rëndësishme çështjen e karakterit të mirë. Është detyrë e çdo babai dhe e çdo nëne të këshillojnë fëmijët e tyre për një periudhë të gjatë dhe t’i drejtojnë ata te ato gjëra që çojnë drejt nderit të përjetshëm.
2 Nxitini fëmijët e shkollës, që në vitet e para të japin ligjërata me cilësi të lartë, që në kohën e lirë të angazhohen në dhënien e bisedave bindëse dhe efektive, duke e shprehur veten me qartësi dhe elokuencë.

109 1 O ju bartës të favoreve të Perëndisë! Në këtë Epokë të re e të mahnitshme, themeli i palëkundshëm është të mësuarit e shkencave dhe arteve. Sipas Teksteve të Shenjta, që flasin qartë, çdo fëmije duhet t’i mësohen zeje e arte aq sa është e nevojshme. Prandaj në çdo qytet e fshat duhet të ngrihen shkolla dhe çdo fëmijë në atë qytet ose fshat duhet të merret me studim aq sa është e nevojshme.
2 Pra, çdo shpirt që do të ofrojë ndihmën e tij në këtë drejtim, me siguri do të pranohet në Pragun Qiellor dhe do të lëvdohet nga Kompania atje Lart.
3 Meqenëse ju jeni përpjekur shumë për këtë qëllim kaq të rëndësishëm, shpresoj se do të merrni shpërblimin nga Zoti i shenjave e i simboleve të qarta dhe se vështrimet e hirit qiellor do të kthehen ndaj jush.

110 1 Përsa i përket organizimit të shkollave: Po qe e mundur, fëmijët duhet të veshin të gjithë të njëjtin model rrobash, edhe në qoftë se copa është e ndryshme. Është e parapëlqyeshme që edhe copa të jetë njëlloj; por në qoftë se kjo nuk është e mundur, nuk ka ndonjë të keqe. Sa më të pastër të jenë nxënësit, aq më mirë; ata duhet të jenë të papërlyer. Shkolla duhet të vendoset në një vend ku ajri të jetë i lehtë e i pastër. Fëmijët duhet të ushtrohen me kujdes që të jenë të njerëzishëm e të sjellshëm. Ata duhet vazhdimisht të inkurajohen e të bëhen të etur për të kapur të gjitha majat e arritjeve njerëzore, në mënyrë që qysh nga vitet e tyre më të hershme të mësohen të kenë qëllime të larta, të sillen mirë, të jenë të pastër, të dëlirë e të panjollë, dhe të mësojnë të kenë vendosmëri të fortë e qëllim të patundur në të gjitha gjërat. Ata të mos tregohen të lehtë e joseriozë, por të shkojnë me zell drejt qëllimeve të tyre, më mënyrë që në çdo situatë të jenë të vendosur e të qëndrueshëm.
2 Ushtrimi në moral e mirësjellje është shumë më i rëndësishëm sesa dituria libreske. Një fëmijë i pastër, i këndshëm, me karakter të mirë, i sjellshëm — edhe në qoftë i paditur — është i preferueshëm para një fëmije të pasjellshëm, të palarë, me karakter të lig, edhe sikur ky të bëhet shumë i thelluar në të gjitha shkencat e artet. Arsyeja për këtë është se fëmija që sillet mirë, edhe në qoftë i paditur, u sjell përfitim të tjerëve, ndërsa një fëmijë me karakter të lig, që sillet keq, është i prishur e i dëmshëm për të tjerët, edhe në qoftë i ditur. Por në qoftë se fëmija mësohet të jetë edhe i ditur edhe i mirë, rezultati është dritë mbi dritë.
3 Fëmijët janë si një degë e njomë dhe e gjelbër; ata rriten ashtu si t’i ushtrosh. Tregoni kujdesin më të madh për t’u dhënë atyre ideale e qëllime të larta, në mënyrë që kur të arrijnë moshën e pjekurisë, ata t’i lëshojnë rrezet e tyre si qirinj të shndritshëm mbi botë dhe të mos ndoten nga epshet e pasionet si kafshët, të shkujdesur e të pavetëdijshëm, përkundrazi t’i kthejnë zemrat për të arritur nderim të përjetshëm e për të zotëruar të gjitha përsosuritë e njerëzimit.

111 1 Shkaku që qëndron në themel të keqbërjes është injoranca dhe ne duhet, pra, të mbahemi fort pas mjeteve të njohjes e të dijes. Karakteri i mirë i duhet mësuar njeriut. Drita duhet të përhapet larg, në mënyrë që, në shkollën e njerëzimit, të gjithë të fitojnë karakteristikat qiellore të shpirtit dhe ta provojnë vetë se, pa pikë dyshimi, nuk ka Skëterrë më të keqe, humnerë më të thellë sesa të kesh një karakter të lig e të sëmurë; nuk ka pus më të errët as vuajtje më të neveritshme sesa të kesh veti që meritojnë të dënohen.
2 Individi duhet të edukohet në një shkallë të tillë të lartë, saqë më mirë t’i presin kokën sesa të thotë një gënjeshtër, dhe të mendojë se është më kollaj të pritet me shpatë apo të shpohet me shtizë sesa të thotë shpifje apo të rrëmbehet nga mllefi.
3 Kështu do të ndizet ndjenja e dinjitetit dhe e krenarisë njerëzore, që do të djegë frytet e orekseve epshore. Atëherë secili prej të dashurve të Perëndisë do të shkëlqejë si hënë e ndritshme me vetitë e shpirtit dhe qëndrimi i secilit ndaj Pragut të Shenjtë të Zotit të tij nuk do të jetë iluzor, por i shëndetshëm e real, do të jetë si vetë themeli i ndërtesës, e jo si një zbukurim në fasadën e saj.
4 Që këtej rrjedh se shkolla e fëmijëve duhet të jetë një vend ku të mbretërojnë disiplina e rregulli më i madh, se mësimi duhet të jetë rrënjësor dhe të merren masa për të korrigjuar e përsosur karakterin; kështu që, në vitet e tij të para, brenda vetë thelbit të fëmijës, të hidhet themeli hyjnor dhe të ngrihet binaja e shenjtërisë.
5 Dije se kjo çështje e të mësuarit, e korrigjimit dhe e përsosjes së karakterit, e dhënies zemër dhe e inkurajimit të fëmijës, është me rëndësi të madhe, sepse këto janë parime bazë të Perëndisë.
6 Kështu, dashtë Perëndia, prej këtyre shkollave shpirtërore do të dalin fëmijë të ndriçuar, të stolisur me virtytet më të bukura të njerëzimit, që do ta hedhin dritën e tyre jo vetëm anembanë Persisë, por edhe në mbarë botën.
7 Është tepër e vështirë ta mësosh individin dhe të përsosësh karakterin e tij pasi ka kaluar puberteti. Në këtë kohë, siç e ka treguar përvoja, edhe sikur të bëhen të gjitha përpjekjet për të ndryshuar ndonjë nga prirjet e tij, ato nuk kanë vlerë. Ai, ndoshta, mund të përmirësohet disi ndonjë ditë; por sapo kalojnë disa ditë, harron dhe kthehet prapë në gjendjen e tij të zakonshme dhe tek ato që i janë bërë shprehi. Ja përse në fëmijërinë e hershme duhet hedhur një themel i shëndoshë. Sakohë dega është e gjelbër dhe e butë, ajo mund të drejtohet me lehtësi.
8 Me këtë dua të them se vetitë e shpirtit janë themeli bazë e hyjnor, që stolis thelbin e vërtetë të njeriut; dhe dija është shkaku i progresit njerëzor. Të dashurit e Perëndisë duhet t’i kushtojnë rëndësi të madhe kësaj çështjeje dhe ta çojnë atë përpara me entuziazëm e zell.

112 1 Në këtë Kauzë të shenjtë, çështja e jetimëve ka një rëndësi shumë të madhe. Ndaj jetimëve duhet treguar vëmendja më e madhe; ata duhet të mësohen, të ushtrohen e të edukohen. Veçanërisht Mësimet e Bahá’u’lláh-ut duhet t’u jepen medoemos atyre sa më shumë që të jetë e mundur.
2 I lutem Zotit që ti të bëhesh një prind i mirë për fëmijët jetimë, duke i gjallëruar ata me aromat e Shpirtit të Shenjtë, që ata të arrijnë moshën e pjekurisë si shërbëtorë të vërtetë të botës së njerëzimit dhe si qirinj të ndritshëm në tërësinë e njerëzimit.

113 1 O shërbëtore e Perëndisë! ... Nënave duhet t’u jepen Mësime hyjnore dhe këshilla të efektshme, ato duhen inkurajuar dhe të bëhen të etura të mësojnë fëmijët e tyre, sepse nëna është edukatori i parë i fëmijës. Është ajo që prej fillimit duhet të mëkojë të sapolindurin në gjirin e Besimit të Perëndisë e të Ligjit të Perëndisë, që dashuria hyjnore të hyjë tek ai që me qumështin e nënës dhe qoftë me të deri në frymën e tij të fundit.
2 Për sa kohë që nëna mbetet pa i mësuar fëmijët e saj dhe pa i nisur ata në udhën e duhur të jetës, mësimi që ata marrin më vonë me vullnet, nuk ka efekt të plotë. Është detyrë e Asambleve Shpirtërore t’u sigurojnë nënave programe të mirë-planëzuara për edukimin e fëmijëve, që tregojnë se si prej foshnjërisë, fëmija duhet të jetë nën kujdes dhe të mësohet. Këto udhëzime i duhen dhënë çdo nëne për t’i shërbyer asaj si një udhëzues, që secila të mësojë e ushqejë fëmijët e saj në përputhje me Mësimet.
3 Në këtë mënyrë këto bimë të reja në kopshtin e dashurisë së Perëndisë rriten dhe lulëzojnë nën ngrohtësinë e Diellit të së Vërtetës, të erërave të ngrohta pranverore të Qiellit dhe dorës drejtuese të nënës së tyre. Kështu, në Parajsën Abhá, secili do të bëhet një pemë, duke sjellë frutat e tij të bollshme dhe secili, në këtë stinë të re e të mahnitshme, prej bujarive të pranverës do të ketë plot bukuri e hir.

114 O ju nëna të dashura, dijeni se në sytë e Perëndisë mënyra më e mirë për ta adhuruar Atë është të edukoni fëmijët dhe t’i ushtroni ata në të gjitha përsosuritë e gjinisë njerëzore; një vepër më fisnike se sa kjo as që mund të përfytyrohet.

115 1 O ju dy shërbëtore të shumëdashura të Perëndisë! Çdo gjë që flet gjuha e njeriut, le ta provojë me veprat e tij. Në qoftë se ai pretendon se është besimtar, atëhere le të veprojë në përputhje me porositë e Mbretërisë Abhá!
2 Lavdi Zotit, ju të dyja e keni treguar vërtetësinë e fjalëve tuaja me veprat tuaja dhe keni fituar konfirmimet e Zotit Perëndisë. Çdo ditë, sapo agon, ju mblidhni bashkë fëmijët Bahá’í dhe u mësoni atyre tekstet e lutjet. Ky është një veprim shumë i lavdërueshëm dhe u sjell gëzim zemrave të fëmijëve: që ata, çdo mëngjes, t’i kthejnë fytyrat ndaj Mbretërisë, të përmendin Zotin e të lavdërojnë Emrin e Tij dhe, me zërat më të ëmbël, të këndojnë e të recitojnë.
3 Këta fëmijë janë si bimë të njoma dhe t’u mësosh atyre lutjet është si një shi që bie mbi ta, që ata të bëhen të butë e të freskët dhe që flladet e lehta të dashurisë së Perëndisë të fryjnë mbi ta, duke i bërë të dridhërohen nga gëzimi.
4 Bekimi dhe një strehë premtuese ju presin.

116 O ti bijë e Mbretërisë! Letrat e tua i morëm. Përmbajtja e tyre tregon që nëna jote është ngjitur në mbretërinë e padukshme dhe ti ke mbetur vetëm. Dëshira tënde është t’i shërbesh babait tënd, që është i shtrenjtë për ty, t’i shërbesh edhe mbretërisë së Perëndisë dhe ti je e dyzuar se cilën nga të dyja duhet të bësh. Sigurisht që angazhohu për shërbim ndaj babait tënd dhe kurdoherë që të gjesh kohë përhap edhe aromat hyjnore.

117 O i shtrenjti i ‘Abdu’l-Baháit! Qofsh bir i babait dhe qofsh fryt i asaj peme. Qofsh bir që është lindur prej shpirtit dhe zemrës së tij dhe jo vetëm prej uji dhe balte. Një bir i vërtetë është i tillë pasi është degëzuar nga pjesa shpirtërore e njeriut. Unë i kërkoj Perëndisë që ti gjatë gjithë kohës qofsh i provuar dhe i forcuar.

118 1 O ju fëmijë të rinj Bahá’í, ju kërkues të kuptimit dhe dijes së vërtetë! Një qenie njerëzore dallohet nga kafsha në shumë mënyra. Para së gjithash, ai është bërë me shëmbëlltyrën e Perëndisë, në ngjashmëri të Dritës Hyjnore, siç thotë Torah ‘Le ta bëjmë njeriun në shëmbëlltyrën tonë, pas ngjashmërisë sonë.’41 Kjo shëmbëlltyrë hyjnore simbolizon gjithë cilësitë e përsosmërisë, dritat e së cilës, që burojnë prej Diellit të së Vërtetës, ndriçojnë realitetet e njerëzve dhe janë ndër atributet e përsosura që shtrihen brenda urtësisë e dijes. Prandaj ju duhet të bëni përpjekje të forta, duke luftuar ditë e natë e duke mos u prehur për asnjë moment, për të marrë një pjesë të begatë prej të gjitha shkencave dhe arteve, që Shëmbëlltyra Hyjnore, që shkëlqen prej Diellit të së Vërtetës, të ndriçojë pasqyrën e zemrave të njerëzve.
2 ‘Abdu’l-Bahái ka dëshirë të zjarrtë që të shohë secilin prej jush të vlerësuar si profesorin më të shquar në akademi dhe në shkollën e kuptimeve të brendshme, të shohë secilin duke u bërë një udhëheqës në urtësi.

119 1 Është detyrë e fëmijëve Bahá’í t’i kalojnë fëmijët e tjerë në përvetësimin e shkencave dhe të arteve, sepse ata janë përkundur me hirin e Perëndisë.
2 Çdo gjë që mësojnë fëmijët e tjerë në një vit, le ta mësojnë në një muaj fëmijët Bahá’í. Zemra e ‘Abdu’l-Baháit digjet nga dashuria për të parë që njerëzit e rinj Bahá’í të njihen të gjithë nëpër botë për arritjet e tyre intelektuale. Nuk ka diskutim që ata do t’i shtojnë gjithë përpjekjet, energjitë dhe ndjenjën e krenarisë së tyre, për të mësuar shkencat dhe artet.

120 1 O fëmijët e mi të shtrenjtë! Letrën tuaj e morëm. Gëzimi ka arritur një shkallë që nuk thuhet dot as me fjalë as me të shkruar, se, lavdërimi qoftë me Perëndinë, fuqia e Mbretërisë së Perëndisë ka mësuar të tillë fëmijë që prej fëmijërisë së tyre të hershme dëshirojnë me etje të fitojnë edukimin Bahá’í e që prej periudhës së fëmijërisë së tyre të angazhohen në shërbim të botës njerëzore.
2 Urimi dhe dëshira ime më e madhe është që ju që jeni fëmijët e mi u edukofshi sipas mësimeve të Bahá’u’lláhut dhe marrshi trajtim Bahá’í; secili prej jush u bëftë një qiri i ndritshëm në botën njerëzore, iu përkushtoftë shërbimit të gjithë njerëzimit, lënçi prehjen dhe rehatin tuaj e kështu u bëfshi shkak i qetësimit të botës së krijimit.
3 Kaq shpresë kam unë tek ju sa besoj që ju të bëheni burimi i gëzimit dhe i kënaqësisë sime në Mbretërinë e Perëndisë.

121 1 O ti që vitet i ke të pakta, por dhuratat mendore të shumta! Sa shumë fëmijë, megjithëse janë të rinj nga vitet, janë të pjekur e të fortë në gjykim! Sa shumë persona të moshuar janë të paditur dhe të çoroditur! Sepse rritja dhe zhvillimi varen nga fuqia e intelektit dhe e arsyes së çdonjërit dhe jo nga mosha apo numri i ditëve të tij.
2 Megjithëse ende në stinën e fëmijërisë, ti ke njohur Zotin tënd, ndërsa një mori grash janë harraqe ndaj Tij, janë të mbyllura prej Mbretërisë së Tij qiellore dhe të privuara prej blatimeve të Tij. Jepi falënderime Zotit tënd për këtë dhuratë të mrekullueshme.
3 Unë i përgjërohem Perëndisë të shërojë nënën tënde, që nderohet në Mbretërinë e qiellit.

122 Përsa i përket pyetjes lidhur me edukimin e fëmijëve: Është detyra jote t’i ushqesh ata me gjirin e dashurisë së Perëndisë dhe t’i nxitësh drejt gjërave të shpirtit — që ata ta kthejnë fytyrën ndaj Perëndisë; që veprimet e tyre të jenë në pajtim me rregullat e sjelljes së mirë dhe karakteri i tyre i përsosur; që ata t’i bëjnë të tyret të gjitha vetitë tërheqëse e të lavdërueshme të njerëzimit; që ata të fitojnë dije të shëndosha në degët e ndryshme të diturisë — në mënyrë që qysh prej fillimit të jetës ata të bëhen qenie shpirtërore, banorë të Mbretërisë, të dashuruar pas flladeve të ëmbla të shenjtërisë dhe të marrin një edukim fetar, shpirtëror e të Mbretërisë Qiellore. Me të vërtetë Unë do t’i lutem Perëndisë t’u dhurojë atyre një përfundim fatlum në këtë.

123 1 O ti që ke ngulur vështrimin mbi Mbretërinë e Perëndisë! Letrën tënde e lexuam dhe ne vëmë re që ti je angazhuar në mësimin e fëmijëve të besimtarëve e këta të vegjël të njomë janë duke mësuar Fjalët e Fshehura, lutjet dhe çdo të thotë të jesh Bahá’í.
2 Mësimi i këtyre fëmijëve është si puna e kopshtarit të dashur që kujdeset për bimët e tij të reja në fushat e lulëzuara të Lavdiplotit. Nuk ka dyshim që ai do të vjelë rezultatet e dëshiruara; kjo është e vërtetë sidomos mbi mësimin në lidhje me detyrimet Bahá’í dhe me sjelljen Bahá’í, sepse fëmijët e vegjël kanë nevojë të dinë pikërisht në zemrën e shpirtin e tyre se ‘Bahá’í’ nuk është thjesht një emër, por një e vërtetë. Çdo fëmijë duhet të aftësohet me gjërat e shpirtit, që ai të mishërojë gjithë virtytet dhe të bëhet burim lavdie për Kauzën e Perëndisë. Përndryshe, fjala e thjeshtë ‘Bahá’í’, nëse nuk jep fruta, do të shkojë drejt hiçit.
3 Përpiqu atëherë me gjithë zotësinë tënde t’u bësh të ditur këtyre fëmijëve se Bahá’í është ai që mishëron gjithë përsosmëritë, se ai duhet të shkëlqejë si një pishtar i ndezur, mos pastë errësirë mbi errësirë dhe ende të bartë emrin ‘Bahá’í’.
4 Emërtoje këtë shkollë Shkolla Bahá’í e së Shtunës.42

124 Shkolla e së Dielës për fëmijë, në të cilën lexohen Tabelat e Mësimet e Bahá’u’lláhut dhe recitohet për fëmijët Fjala e Perëndisë, është me të vërtetë një gjë e bekuar. Ti patjetër duhet ta vazhdosh pandërprerje këtë veprimtari të organizuar dhe t’i kushtosh rëndësi asaj, në mënyrë që nga dita në ditë ajo të rritet e të gjallërohet me frymën e Shpirtit të Shenjtë. Po qe se kjo veprimtari organizohet mirë, të jesh i sigurt se do të japë rezultate të mëdha. Sidoqoftë, janë të nevojshme vendosmëria dhe qëndrueshmëria, përndryshe ajo do të vazhdojë për njëfarë kohe, por më pas pak nga pak do të harrohet. Këmbëngulja është një kusht thelbësor. Në çdo projekt vendosmëria dhe qëndrueshmëria do të çojnë padyshim në rezultate të mira; përndryshe ai do të vazhdojë për disa ditë dhe pastaj do të ndërpritet.

125 1 Ndryshimi i mësuesve nuk duhet të jetë shumë i vazhdueshëm, as shumë i vonuar; maturia është e më e pëlqyer. Mbajtja e takimeve, kur është koha për lutje në kishat e tjera, nuk është e këshillueshme; ajo do të çonte në largime, përderisa fëmijët Bahá’í që kanë Shkollën e tyre vetjake të së Shtunës do të privoheshin prej saj në qoftë se ata provojnë të ndjekin shkolla të tjera të së Shtunës. Për më tepër, pranimi i fëmijëve të prindërve jo-Bahá’í në shkollën për fëmijët Bahá’í është i lejueshëm. Dhe në qoftë se në këtë shkollë paraqitet një skicë mbi parimet themelore, ku bazohen të gjitha fetë, kjo nuk mund të bënte dëm.
2 Meqë fëmijët janë të paktë në numër, nuk është e mundur të ketë klasa të ndryshme dhe natyrisht, vetëm një është e nevojshme. Në lidhje me pyetjen e fundit për ndryshimet midis fëmijëve, veproni si ta shihni të arsyeshme.

126 Letrën tënde e morëm. Lavdërimi qoftë me Perëndinë që ajo dha lajmin e mirë për shëndetin e sigurinë tënde dhe që tregonte se ti je gati të hysh në një shkollë bujqësore. Kjo është tepër e përshtatshme. Përpiqu sa të mundësh për t’u bërë kompetent në shkencën bujqësore, sepse në përputhje me mësimet hyjnore përvetësimi i shkencave dhe i përsosmërisë së arteve konsiderohen akte adhurimi. Në qoftë se një njeri angazhohet me gjithë fuqinë e tij në përvetësimin e një shkence apo në përsosjen e një arti, është sikur ai është duke adhuruar Perëndinë në kishat e tempujt. Kështu, ndërsa ti hyre në një shkollë bujqësore dhe përpiqesh në përvetësimin e asaj shkence, ti je ditë e natë i angazhuar në aktet e adhurimit, akte që pranohen në pragun e të Plotfuqishmit. Ç’ bujari është më e madhe se sa kjo që shkenca duhet të konsiderohet si akt adhurimi dhe arti si shërbim ndaj Mbretërisë së Perëndisë.

127 1 O ti shërbëtor i Një Perëndie të vërtetë! Në këtë dispensacion universal mjeshtëria e mrekullueshme e njeriut llogaritet si adhurim. Në kohët e mëparshme, besohej se aftësi të tilla ishin të barasvlershme me padijen, në mos një fatkeqësi, që e pengonte njeriun nga afrimi drejt Perëndisë. Tani mendo se si blatimet e Tij të pafund dhe favoret e begata kanë ndryshuar zjarrin e ferrit në parajsë të hareshme dhe kapicën e dheut të zi në një kopsht të ndritshëm.
2 Është detyrë e mjeshtërve të botës në çdo moment të ofrojnë njëmijë shenja mirënjohjeje në Pragun e Shenjtë, të bëjnë përpjekjet më të mëdha dhe të ndjekin profesionet e tyre me zell që përpjekjet të japin atë që do të manifestojë bukurinë e përkryerjen më të madhe para syve të të gjithë njerëzve.

128 Letrën tënde e morëm. Shpresoj që ti je i mbrojtur dhe i ndihmuar nën përkujdesjen e të Vërtetit, i zënë gjithmonë me përmendjen e Zotit dhe i bën hapur përpjekje për të përsosur profesionin tënd. Ti duhet të mundohesh shumë që të bëhesh unik në profesionin tënd dhe i famshëm në ato pjesë, sepse arritja e përsosmërisë në profesionin e çdonjërit, në këtë periudhë të mëshirshme, konsiderohet adhurim i Perëndisë. Dhe ndërkohë që ti je i zënë me profesionin tënd, ti mund të kujtosh të Vërtetin.

129 1 O Miq të Perëndisë së Pastër e të Gjithëfuqishëm! Të qënit i pastër e i shenjtë në të gjitha gjërat është një atribut i një shpirti të përkushtuar dhe një tipar i domosdëoshëm i një mendjeje të paskllavëruar. Më e mira përsosuri është të qënit i papërlyer dhe çlirimi i vetvetes nga çdo e metë. Kur individi është në çdo pikëpamje i pastruar e i qëruar, ai bëhet vatra qendrore që pasqyron Dritën e Dukshme.
2 Gjëja e parë në të jetuarit e njeriut duhet të jetë dëlirësia, pastaj freskia, pastërtia dhe pavarësia e shpirtit. Më parë duhet pastruar shtrati i lumit, pastaj të lëshohen në të ujërat e freskëta të tij. Syve të papërlyer u hapet pamja lumturuese e Zotit, ata e dinë se ç’do të thotë ta takosh Atë; shqisat e kulluara thithin aromat erëmira që fryjnë nga trëndafilishtet e hirit të Tij; një zemër e fërkuar deri në shkëlqim pasqyron fytyrën e hirshme të së vërtetës.
3 Ja përse në Shkrimet e Shenjta këshillat qiellore krahasohen me ujin, siç thuhet në Kuran: “Dhe Ne dërguam nga Qielli ujë të pastër” 43 , dhe në Ungjill: “Kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë” 44. Është, pra, e qartë se Mësimet që vijnë nga Perëndia janë vërshime qiellore të hirit; ato janë rrebeshe shiu të mëshirës hyjnore, dhe ato pastrojnë zemrën njerëzore.
4 Mendimi im është ky, që dëlirësia e shenjtëria, pastërtia e finesa në çdo aspekt të jetës e lartësojnë gjendjen e njeriut dhe favorizojnë zhvillimin e realitetit të brendshëm të tij. Madje edhe në mbretërinë fizike, pastërtia çon në përshpirtni, siç e thonë qartë Shkrimet e Shenjta. Dhe pastërtia e trupit, që është diçka fizike, ka megjithatë një ndikim të fuqishëm mbi jetën e shpirtit. Ajo është si një zë i një ëmbëlsie të mahnitshme, ose si një melodi e bukur: megjithëse tingujt s’janë veçse dridhje të ajrit që prekin nervin e veshit të atij që i dëgjon, dhe këto dridhje janë dukuri të rastësishme që përhapen në ajër, mendoni sesa e prekin zemrën ato. Një melodi shumë e bukur i jep krahë shpirtit dhe e bën atë të dridhet nga gëzimi. Domethënia është se pastërtia fizike ushtron ndikim edhe mbi shpirtin njerëzor.
5 Shihni sa e këndshme është pastërtia në sytë e Perëndisë dhe ç’theks i veçantë i është rezervuar asaj në Librat e Shenjtë të Profetëve; në fakt, Shkrimet e ndalojnë të ngrënët ose përdorimin e gjërave të papastra. Disa prej këtyre ndalimeve ishin absolute, të detyrueshme për të gjithë, dhe kushdo që e shkelnte ligjin në fjalë ishte i neveritshëm për Perëndinë dhe i mallkuar nga besimtarët. Kishte, për shembull, gjëra që ishinm kategorikisht të ndaluara, kryerja e të cilave konsiderohej mëkat i rëndë, midis tyre kishte veprime aq të urryera saqë është turp edhe vetëm t’i përmendësh.
6 Por ka edhe gjëra të tjera të ndaluara që nuk shkaktojnë ndonjë të keqe të menjëhershme, efektet e dëmshme të të cilave shfaqen gradualisht: edhe këto janë të neveritshme për Zotin, të dënueshme e të pakëndshme në sytë e Tij. Por megjithëse paligjësia absolute e tyre nuk është shkruar shprehimisht në Tekstin, shmangia e tyre është e nevojshme për të qenë të dëlirë, të pastër, për të ruajtur shëndetin e për të mos u dhënë pas shprehive dëmprurëse.
7 Ndër këto të fundit duhet përmendur edhe pirja e duhanit, që është diçka e pistë, erëkeqe, e papëlqyeshme – një ves i keq, dëmet e të cilit po bëhen gradualisht të qarta për të gjithë. Çdo mjek kompetent e ka thënë, dhe kjo është provuar me eksperimente, se njëri prej komponentëve të duhanit është një helm vdekjeprurës dhe se duhanpirësit janë të prekshëm nga sëmundje të shumta e të ndryshme. Ja përse pirja e duhanit është shpallur haptazi si krejt e papajtueshme me rrgullat e higjienës.
8 Bábi, në fillim të misionit të Tij, e ndaloi shprehimisht duhanin dhe miqtë, të gjithë pa përjashtim, hoqën dorë nga përdorimi i tij. Por meqenëse ato ishin kohë kur të shtiresh ishte e lejuar, dhe kushdo që nuk pinte duhan i nënshtrohej përndjekjes, keqtrajtimit e deri edhe vdekjes, miqtë, për të mos tërhequr vëmendjen mbi bindjet e tyre, ndonjëherë pinin duhan. Më vonë u revelua Libri i Aqdas-it, dhe derisa pirja e duhanit nuk ndalohet aty në mënyrë të posaçme, besimtarët nuk hiqnin dorë prej saj. Sidoqoftë, Bukuria e Bekuar gjithnjë shprehte neveri për të, e megjithëse në kohët e para kishte disa arsye që e shtynin të pinte pak duhan, me kohë Ai hoqi dorë plotësisht prej tij dhe ata shpirtra të shenjtëruar qo ndiqnin Atë në çdo gjë gjithashtu hoqën dorë nga pirja e duhanit.
9 Qëllimi im është të shpjegoj se në sytë e Perëndisë pirja e duhanit nuk gjen miratim, është e neveritshme dhe tej mase e pistë; e, megjithëse gradualisht, tepër e dëmshme për shëndetin. Ajo është gjithashtu humbje parash e kohe dhe i bën ata që pinë duhan pre të një vesi të dëmshëm. Për ata që i përmbahen fort Besëlidhjes, ky ves dënohet si nga arsyeja dhe nga përvoja, dhe heqja dorë prej tij do t’i sjellë lehtësim e paqe mendjes së njerëzve. Për më tepër, kjo do të bëjë që ta kenë gojën të freskët e gishtat pa njolla dhe flokët e tyre nuk do të bien më erë të keqe e të neveritshme. Me marrjen e këtij mesazhi të shkruar, miqtë, me siguri, do të bëjnë gjithçka që brenda njëfarë kohe ta braktisin këtë ves kaq të dëmshëm. E tillë është shpresa ime.
10 Përsa i përket opiumit, ai është i urrejtshëm e i mallkuar. Ruajna Zot nga ndëshkimi që ai u sjell atyre që e përdorin. Teksti i Librit Më të Shenjtë e ndalon shprehimisht dhe e dënon kryekëput atë. Arsyeja tregon se të pish opium është njëfarë çmendurie, dhe përvoja dëshmon se kush e përdor atë del krejtësisht jashtë mbretërisë njerëzore. Na ruajtë Zoti të gjithëve nga kryerja e një veprimi kaq të tmerrshëm, që shkatërron vetë themelin e gjithçkaje që është njerëzore dhe që shpronëson përgjithmonë prej saj atë e kryen këtë veprim. Sepse opiumi mbërthen shpirtin në mënyrë të tillë që ndërgjegjja e atij që e përdor shuhet, mendja e tij fshihet, perceptimet e tij gërryhen. Ai e bën të gjallin të vdekur. Ai shuan nxehtësinë e natyrshme. Nuk mund të përfytyrohet dëm më i madh sesa ai që shkakton opiumi. Lum ata që nuk kanë dëgjuar kurrë as të përmendet emri i tij; atëherë mendoni sa fatzi është ai që e përdor.
11 O ju që e doni Perëndinë! Në këtë cikël të Perëndisë së Gjithëfuqishëm dhuna dhe forca, shtrëngimi dhe shtypja dënohen të gjitha. Megjithatë, është e detyrueshme që përdorimi i opiumit të ndalohet me të gjitha mjetet, që ndoshta gjinia njerëzore të mund të shpëtojë nga kjo plagë që është më e tmerrshmja. Përndryshe, mjerë ai që lë mangut detyrën e tij ndaj Zotit të vet!45
12 O Provani Hyjnore! Dhuroji njerëzve të Baháit dëlirësi e pastërti në çdo gjë. Bëj që ata të jenë të paprekur nga çdo ndotje dhe të çlirohen nga të gjitha veset. Ruaji ata nga kryerja e çdo veprimi të neveritshëm, çliroi ata nga zinxhirët e çdo zakoni të keq, që ata të jetojnë të kulluar e të lirë, të shëndetshëm e të pastër, të denjë për t’i shërbyer Pragut Tënd të Shenjtë dhe të përshtatshëm për të qenë të afërm me Zotin e tyre. Ruaji ata nga pijet dehëse e nga duhani, shpëtoi e çliroi ata nga ky opium që sjell çmenduri, lejoi ata të gëzojnë shijet e ëmbla të shenjtërisë, të pijnë pa kursim nga kupa mistike e dashurisë qiellore dhe të njohin ekstazën e afrimit edhe më pranë Mbretërisë së Lavdiplotit. Sepse është ashtu siç ke thënë Ti: ‘Çdo rezervë që të kesh në kantinën tënde nuk e shuan etjen e dashurisë sime – më sill, o kupëmbajtës, nga vera e shpirtit një gotë plot e përplot si deti’!
13 O ju, të dashurit e Perëndisë! Përvoja ka treguar sesa shumë lënia e duhanit, e pijeve dehëse dhe e opiumit sjell shëndet e fuqi, zhvillon e mpreh mendjen dhe forcon trupin. Ka në kohën e sotme një popull46 që u shmanget rreptësisht duhanit, pijeve dehëse e opiumit. Ky popull qëndron shumë më lart se të tjerët për nga forca e kuraroja fizike, për nga shëndeti, për nga bukuria e hijeshia. Një njeri i vetëm prej tyre mund t’u bëjë ballë dhjetë vetëve nga fise të tjera. Dhe është provuar se kjo është e vërtetë për të gjithë këtë popull, domethënë çdo pjesëtar i këtij komuniteti, kokë për kokë, qëndron nga çdo pikëpamje më lart se çdo pjesëtar i komuniteteve të tjera.
14 Bëni, pra, një përpjekje të fuqishme, në mënyrë që njerëzit e Baháit të dallohen për nga dëlirësia e shenjtëria, ato cilësi që i ka aq për zemër ‘Abdu’l-Bahái; që njerëzit e Perëndisë t’ua kalojnë të gjitha qenieve të tjera njerëzore në çdo lloj shquarsie; që si nga jashtë dhe nga brenda ata të kenë epërsi mbi të tjerët; që për nga dëlirësia, pastërtia, finesa dhe ruajtja e shëndetit të jenë në pararojë të atyre që njohin; dhe që për nga liria ndaj çdo skllavërimi, për nga dija, për nga vetëkontrolli i tyre të jenë të parët ndër ata që janë të pastër, të lirë e të urtë.

130 O ti mjek i shquar! ... Lavdërimi qoftë me Perëndinë që ti ke dy fuqi; një për të marrë përsipër shërimin fizik dhe tjetrën për shërimin shpirtëror. Çështjet që lidhen me shpirtin e njeriut kanë një efekt të madh mbi gjendjen e tij trupore. Për shembull, nëse ti i jep kënaqësi pacientit tënd, jepi atij rehati e gëzim, silli atij dalldi e ngazëllim. ... Prandaj, trajtoje të sëmurin me të dyja fuqitë. Ndjenjat shpirtërore kanë një efekt befasues në shërimin e sëmundjeve nervore.

131 Kur jep trajtim mjekësor kthehu ndaj Bukurisë së Bekuar, pastaj ndiq diktatin e zemrës sate. Shpëto të sëmurin nëpërmjet gëzimit qiellor dhe ngazëllimit shpirtëror, kuro të prekurit keq duke u dhënë atyre lajme lumturisht të kënaqshme dhe shëro të plagosurit nëpërmjet blatimeve të Tij të shkëlqyera. Kur je në shtratin e një pacienti, gëzo e kënaq zemrën e tij dhe ngazëlleji shpirtin nëpërmjet fuqisë hyjnore. Në të vërtetë, një frymë e tillë qiellore zgjon çdo eshtër të prishur dhe rigjallëron shpirtin e çdo të sëmuri e çdo të vuajturi.

132 Megjithëse shëndeti i lig është një nga gjendjet e pashmangshme të njeriut, me të vërtetë ai është i vështirë të durohet. Shpërblimi me shëndet të mirë është më e madhja e të gjitha dhuratave.

133 1 Ka dy mënyra për shërimin e sëmundjes, mjetet materiale dhe mjetet shpirtërore. E para bëhet me trajtimin nga doktorët; e dyta qëndron në lutjet e ofruara nga doktorët shpirtërorë të Perëndisë dhe në kthimin drejt Tij. Të dy mjetet duhen përdorur e praktikuar.
2 Sëmundjet që ndodhin për arsye të shkaqeve fizike duhet të trajtohen nga doktorët me barna mjekësore; ato që shkaktohen nga shkaqe shpirtërore zhduken nëpërmjet mjeteve shpirtërore. Kështu një sëmundje shkaktuar nga shqetësimet, frika, ndikimet nervore, do të shërohet më mirë me trajtime shpirtërore se sa me ato fizike. Prandaj duhen ndjekur të dy llojet e trajtimeve; ato nuk janë kontradiktore. Për këtë arsye ti duhet, gjithashtu, të pranosh mjetet e shërimit fizik përderisa edhe këto kanë ardhur nga mëshira dhe favori i Perëndisë, Që ka reveluar dhe ka bërë manifest shkencën mjekësore, që shërbëtorët e Tij mund të përfitojnë gjithashtu dhe nga ky lloj trajtimi. Ti duhet të tregosh të njëjtën vëmendje dhe ndaj trajtimeve shpirtërore, sepse ato japin efekte të mrekullueshme.
3 Tani, në qoftë se ti dëshiron të njohësh ilaçin e vërtetë që do të shërojë njeriun nga gjithë sëmundjet dhe do t’i japë atij shëndetin e mbretërisë hyjnore, dije se ai është në parimet dhe mësimet e Perëndisë. Përqendroje vëmendjen tënde mbi to.

134 1 O ti që je tërhequr nga frymëmarrjet aromatike të Perëndisë! Unë kam lexuar letrën tënde drejtuar për Znj. Lua Getsinger. Ti, në të vërtetë, ke ekzaminuar me kujdes të madh arsyet e shpërthimit të sëmundjes në trupin e njeriut. Natyrisht ka raste që mëkatet janë shkak i fuqishëm i sëmundjeve fizike. Në qoftë se njerëzimi do të ishte i lirë nga fëlliqësitë e mëkatit e të prapësisë dhe të jetonte sipas një ekuilibri natyror, të lindur, pa ndjekur ku e çonin pasionet, është e pamohueshme që sëmundjet nuk do të ngjiteshin më e as nuk do të përhapeshin me kaq forcë.
2 Por njeriu ka vazhduar t’i shërbejë me mbrapshti orekseve të tij të pa fryra dhe nuk do ta kënaqte veten me ushqime të thjeshta. Përkundrazi, ai përgatiti për vete ushqim që përbëhej nga shumë përbërës, prej substancave që ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra. Kjo dhe depërtimi i akteve të këqija e të ulëta e tërhoqën plotësisht vëmendjen e tij, ai braktisi përmbajtjen dhe maturinë e mënyrës natyrore të jetesës. Rezultati ishte lindja e sëmundjeve të forta e të ndryshme.
3 Sepse kafsha, për sa i përket trupit të saj, formohet prej të njëjtëve elementë përbërës si njeriu. Megjithatë, përderisa kafsha e kënaq veten me ushqime të thjeshta dhe nuk përpiqet të kënaqë nevojat e saj të vazhdueshme në ndonjë shkallë të lartë dhe nuk kryen mëkate, sëmundjet e saj krahasuar me të njeriut janë të pakta. Prandaj ne shohim qartë se sa të fuqishëm janë mëkati dhe mosbindja si faktorë patogjenë. Dhe me t’u shkaktuar këto sëmundje bëhen komplekse, shumëfishohen dhe transmetohen te të tjerët. Të tilla janë shkaqet shpirtërore, të brendshme të sëmundjes.
4 Megjithatë, faktori shkakësor fizik, i jashtëm në sëmundje është një prishje e balancës, e ekuilibrit proporcional të atyre elementëve prej të cilëve përbëhet trupi i njeriut. Ta ilustrojmë: trupi i njeriut formohet nga shumë substanca përbërëse e secili përbërës është i pranishëm në një shumë të përcaktuar, që kontribuon ndaj ekuilibrit thelbësor të së tërës. Për sa kohë këta përbërës qëndrojnë në raportin e duhur, sipas balancës natyrore të së tërës, d.m.th. që, asnjë përbërës nuk pëson ndryshim në shkallën dhe balancën e tij proporcionale natyrore, asnjë përbërës nuk është as shtuar, as pakësuar, nuk do të ketë shkak fizik për shpërthimin e sëmundjes.
5 Për shembull, përbërësi i albuminës duhet të jetë i pranishëm në një shumë të caktuar dhe sheqeri në një shumë ta caktuar. Për sa kohë që secili qëndron në raportin e tij natyral ndaj së tërës, nuk do të ketë shkak për fillimin e sëmundjes. Megjithatë, kur këta përbërës ndryshojnë ndaj shumave të tyre natyrale dhe të duhura, d.m.th., kur ata shtohen apo pakësohen, është e sigurt që kjo do të sjellë shpërthimin e sëmundjes.
6 Kjo pyetje kërkon hetimin më të kujdesshëm. Bábi ka thënë që njerëzit Bahá duhet të zhvillojnë shkencën e mjekësisë në një shkallë aq të lartë sa ata të shërojnë sëmundjet nëpërmjet ushqimeve. Arsyetimi bazë për këtë është se në qoftë se në ndonjë substancë përbërëse të trupit njerëzor ndodh një prishje drejtpeshimi, që ndryshon raportin e saktë në lidhje me të tërën, ky fakt do të çojë në mënyrë të paevitueshme në fillimin e sëmundjes. Në qoftë se, për shembull, përbërësi i albuminës nuk do të shtohet aq sa duhet ose përbërësi i sheqerit pakësohet, do ta marrë kontrollin sëmundja. Është detyra e një doktori të zot të përcaktojë se cili përbërës i trupit të pacientit të tij ka pësuar pakësim e cili është shtuar. Sapo ta ketë zbuluar këtë, ai duhet të përshkruajë një ushqim që përmban elementin e pakësuar në shuma të konsiderueshme, për të rivendosur ekuilibrin thelbësor të trupit. Pacienti do të shpëtojë nga sëmundja sapo përbërësi i tij është përsëri në balancë.
7 Dëshmi për këtë është dhe kjo që edhe pse kafshët e tjera nuk kanë studiuar kurrë shkencë mjekësore, as kanë kryer kërkime për sëmundjet ose mjekimet, trajtimet apo kurat, kur ndonjë prej tyre bie pre e sëmundjes, natyra e çon atë në fusha apo vende të shkreta, pikërisht te ajo bimë që me ta ngrënë do ta shpëtojë kafshën prej sëmundjes së saj. Kjo shpjegohet se në qoftë se, për shembull, përbërësi i sheqerit në trupin e kafshës është pakësuar, sipas një ligji natyror kafsha dëshiron një bimë që është e pasur me sheqer. Pastaj, nga një nxitje natyrore, që është oreksi, ndërmjet mijëra varieteteve të ndryshme bimësh nëpër fushë, kafsha do të zbulojë dhe do të konsumojë atë bar që përmban përbërës sheqeri në shuma të mëdha. Në këtë mënyrë balanca thelbësore e substancave që formojnë trupin e saj është rivendosur dhe kafsha ka shpëtuar prej sëmundjes.
8 Kjo pyetje kërkon hetimin më të madh. Kur doktorë tepër të aftë ta ekzaminojnë plotësisht këtë çështje, me themel dhe me këmbëngulje, do të shihet qartë se shpërthimi i sëmundjes ka ndodhur për shkak të një prishjeje në sasitë lidhëse të substancave përbërëse të trupit dhe trajtimi qëndron në rregullimin e këtyre sasive lidhëse, se kjo mund të kuptohet e të bëhet e mundshme nëpërmjet ushqimeve.
9 Është e sigurt që në këtë epokë të re të mrekullueshme zhvillimi i shkencës mjekësore do t’i çojë doktorët drejt shërimit të pacientëve të tyre me ushqime. Sepse shqisa e të parit, shqisa e të dëgjuarit, e shijes, e nuhatjes, e prekjes, të gjitha janë aftësi dalluese, që kanë për qëllim të ndajnë të mirën nga çdo gjë që shkakton dëm. Atëherë, a është e mundur që shqisa e nuhatjes së njeriut, shqisa që dallon erërat, të gjejë ndonjë erë të pështirë dhe kjo të jetë e mirë për trupin njerëzor? Absurde! E pamundur! Në të njëjtën mënyrë, a mundet që trupi njerëzor, nëpërmjet aftësisë së të parit, që bën dallimin midis sendeve të dukshme, të kishte mirë nga vështrimi i ngulët mbi një masë të padurueshme jashtëqitjeje? Kurrë! Përsëri, në qoftë se shqisa e shijes, po ashtu një aftësi që zgjedh dhe kundërshton, cenohet nga diçka, ajo gjë sigurisht nuk është e mirë; edhe sikur në fillim ajo të sjellë ndonjë avantazh, në përfundim roli i saj dëmtues do të vërtetohet.
10 Dhe po kështu, kur përbërja është në gjendje ekuilibri, nuk ka dyshim që çdo gjë besohet të jetë e mirë për shëndetin. Vëzhgoni se si një kafshë do të kullosë në fushë ku ka qindra mijë lloje bimësh e barërash dhe se si, me shqisën e nuhatjes, ajo nuhat erën e bimëve dhe i shijon ato me shqisën e shijes; pastaj konsumon çdo bar që është i kënaqshëm për këto shqisa dhe ka të mirë prej kësaj. Sikur të mos ishte kjo forcë përzgjedhëse kafshët do të ngordhnin të gjitha brenda ditës; sepse ka një sasi të madhe bimësh helmuese dhe kafshët nuk dinë gjë nga farmakologjia. E megjithatë, shikoni se ç’ komplet peshoresh të besueshme kanë ato nëpërmjet të cilave dallojnë të mirat nga të dëmshmet. Çdo përbërës të trupit të tyre që është pakësuar, ato mund ta ripërtërinin duke kërkuar dhe duke ngrënë çdo bimë që ka një rezervë të begatë të atij elementi të pakësuar; dhe kështu rivendoset ekuilibri i përbërësve të tyre truporë e ato shpëtojnë prej sëmundjeve.
11 Në një kohë kur doktorë tepër të zot do të kenë zhvilluar shërimin e sëmundjeve nëpërmjet ushqimeve, do të bëjnë përgatitje për ushqime të thjeshta dhe do të ndalojnë njerëzimin nga të jetuarit si skllevër ndaj orekseve të tyre të pa fryra, është e sigurt që grafiku i sëmundjeve kronike e të përhapura do të zbresë dhe shëndeti i përgjithshëm i gjithë njerëzimit do të përmirësohet shumë. Kjo është e thënë që të ndodhë. Në të njëjtën mënyrë, në karakterin, qëndrimin dhe sjelljen e njerëzve do të bëhen modifikime universale.

135 Sipas urdhrit të qartë të Bahá’u’lláhut çdonjëri nuk duhet të lërë mënjanë këshillën e një doktori kompetent. Është e domosdoshme të këshillohesh me një doktor edhe sikur pacienti vetë të jetë mjek i mirënjohur dhe i shquar. Shkurt, qëllimi është që ju duhet të ruani shëndetin tuaj duke u konsultuar me një mjek tepër të aftë.

136 Është detyrë e secilit të kërkojë trajtim mjekësor dhe të ndjekë porositë e doktorit, sepse kjo është në pajtim me urdhërimin hyjnor, por, në realitet, Ai Që jep shërimin është Perëndia.

137 1 O ti që po shpreh lavdërimet e Zotit tënd! Unë e kam lexuar letrën tënde, ku t’i shprehje habi për disa prej ligjeve të Perëndisë, siç është ai në lidhje me gjuetinë e kafshëve të pafajshme, krijesa që nuk kanë ndonjë gabim.
2 Mos u befaso nga kjo. Reflekto mbi realitetet e brendshme të universit, urtësitë sekrete që përfshijnë, enigmat, marrëdhëniet mes tyre, rregullat që drejtojnë gjithçka. Sepse çdo pjesë e universit lidhet me të tjerat me fije që janë të fuqishme dhe nuk pranojnë as prishje drejtpeshimi, as edhe kurrfarë ngadalësimi. Në botën fizike të krijimit, gjithë gjërat janë hamës dhe të ngrënë: bima thith lëndët inorganike, kafsha këput dhe gëlltit bimën, njeriu ushqehet me kafshën dhe lënda inorganike e përlan trupin e njeriut. Trupat fizikë kanë kaluar njërën pengesë pas tjetrës, nga një jetë në tjetrën dhe të gjitha gjërat janë subjekt ndaj transformimit dhe ndryshimit, me përjashtim vetëm të Shkakut të vetë ekzistencës, përderisa Ai është konstant dhe i pandërrueshëm, tek ai gjendet ekzistenca e çdo specieje dhe lloji, e çdo realiteti të varur nëpërmjet tërësisë së krijimit.
3 Sa herë që nëpërmjet një mikroskopi shikon ujin që pi njeriu, ajrin që ai thith, ti do të shohësh që në çdo thithje të ajrit njeriu merr me bollëk jetë shtazore dhe në çdo gllënjkë uji, ai gëlltit gjithashtu një larmi të madhe qeniesh shtazore. Si do të ishte e mundur ta ndaloje këtë proces? Sepse të gjitha krijesat janë hamës dhe të ngrënë dhe vetë endja e jetës ngrihet mbi këtë fakt. Sikur të mos ishte kështu, fijet që ndërlidhin gjithë sendet e krijuara brenda universit do të ishin shthurur.
4 Dhe më tej, kurdoherë që shkatërrohet një gjë, kalbet dhe shkëputet nga jeta, ajo ngrihet në një botë që është më e madhe se bota që ajo njihte më parë. Ajo, për shembull, lë jetën e lëndës inorganike dhe shkon përpara në jetën e bimës; pastaj largohet nga jeta bimore dhe ngrihet na atë të shtazores, duke pasuar braktisjen e jetës shtazore e duke u ngritur në sferën e jetës njerëzore dhe kjo ndodh prej hirit të Zotit tënd, të Mëshirshmit, të Dhembshurit.
5 I lutem Perëndisë që Ai të të ndihmojë për të kuptuar misteret që shtrihen në zemër të krijimit dhe të heqë velin tutje prej syve të tu e të motrës sate, që sekreti i mirë-ruajtur të zbulohet për ty dhe misteri i fshehtë të zbulohet aq qartë sa drita e diellit; që Ai të ndihmojë motrën tënde dhe burrin tënd për të hyrë në Mbretërinë e Perëndisë dhe të të shërojë nga çdo e keqe që sulmon çdonjërin në këtë jetë, qoftë e keqe fizike apo shpirtërore.

138 1 O ju të dashurit e Zotit! Mbretëria e Perëndisë është e bazuar në paanësi e drejtësi, si dhe në mëshirë, dhembshuri e mirësi ndaj çdo shpirti të gjallë. Përpiquni, pra, me gjithë zemër të trajtoni me dhembshuri mbarë gjininë njerëzore, me përjashtim të atyre që kanë motive egoiste, vetjake ose janë të sëmurë në shpirt. Nuk mund të tregohet dashamirësi për tiranin, mashtruesin, vjedhësin, sepse kjo, në vend që t’i bëjë ata të kuptojnë sa të gabuara janë sjelljet e tyre, i bën të vazhdojnë si më parë në dashaligësinë e vet. Sado dashamirësi të tregoni ndaj një gënjeshtari, ai do të gënjejë edhe më shumë, sepse beson që ju ka mashtruar, ndërsa ju e kuptoni atë shumë mirë, por qëndroni në heshtje vetëm për shkak të dhembshurisë suaj ekstreme.
2 Shkurtimisht, nuk është vetëm bashkësia e qenieve njerëzore që i dashuri i Perëndisë duhet ta trajtojë me mëshirë e dhembshuri, përkundrazi ata duhet të shfaqin dashamirësi shumë të madhe ndaj çdo qenieje të gjallë. Sepse në të gjitha aspektet fizike me të cilat lidhet dhe shpirti i kafshës, njeriu dhe kafsha kanë ndjenja të njëjta. Njeriu, megjithatë nuk e ka kapur këtë të vërtetë dhe ai beson se ndjesitë fizike janë të kufizuara te qeniet njerëzore, prandaj është i padrejtë dhe mizor ndaj kafshëve.
3 Dhe më tej, në të vërtetë, ç’ndryshim ekziston kur vijmë tek ndjesitë fizike? Ndjenjat janë një dhe të njëjta, qoftë kur i shkaktoni dhimbje njeriut apo shtazës. Këtu nuk ka kurrfarë ndryshimi. Dhe, në të vërtetë ju bëni më keq kur dëmtoni një kafshë, sepse njeriu ka gjuhë, ai mund të ngrejë një ankesë, ai mund të qajë e të bërtasë; nëse plagoset ai mund të ketë mbështetje prej autoriteteve dhe ato do ta mbrojnë prej agresorit të tij. Por shtaza fatkeqe është pa gojë, e paaftë si për ta shprehur lëndimin e saj ashtu dhe për ta çuar çështjen para autoriteteve. Edhe sikur njeriu t’i shkaktojë shtazës një mijë të këqija, ajo as nuk mund të të shmangë me fjalë as nuk mund të të detyrojë për në gjyq. Prandaj është thelbësore që ju të tregoni konsideratën më të lartë ndaj kafshës e që të jeni bile më të njerëzishëm me të se sa me njeriun.
4 Mësojini fëmijët tuaj që prej ditëve të para të jenë pafundësisht të butë e të dashur me kafshët. Në qoftë një kafshë e sëmurë, fëmijët le ta provojnë ta shërojnë, në qoftë e uritur le ta ushqejnë, në qoftë e etur le t’ia shuajnë etjen, në qoftë e lodhur le ta shohin që po çlodhet.
5 Shumica e qenieve njerëzore janë mëkatare, kurse shtazët janë të pafajshme. Sigurisht ato pa mëkat duhet të pranojnë të gjitha dashurinë dhe mirësinë më të madhe, përveç kafshëve që janë të dëmshme, të tillë si ujqit gjakpirës, të tillë si gjarpërinjtë helmues dhe krijesa të ngjashme të dëmshme, sepse mirësia ndaj tyre është shkak padrejtësie ndaj qenieve njerëzore dhe kafshëve të tjera po ashtu. Në qoftë se, për shembull, ju jeni zemërbutë ndaj një ujku, kjo është veçse tirani ndaj deles, sepse ujku do të shkatërronte një tufë të tërë delesh. Një qen i tërbuar, nëse i jepet rasti, mund të kafshojë njëmijë kafshë e njerëz. Prandaj, dhembshuria e treguar ndaj bishave të egra e grabitqare është mizori ndaj kafshëve paqësore dhe prandaj të dëmshmit duhet t’i tregohet vendi. Kurse ndaj kafshëve të bekuara duhet të tregohet mirësia maksimale, sa më shumë aq më mirë. Butësia dhe dashamirësia janë parime bazë të Mbretërisë qiellore të Perëndisë. Ju duhet ta sillni ndër mend këtë çështje me shumë kujdes.

139 1 O ti shërbëtore e Perëndisë! Lajmet e gëzuara qiellore duhet të shpërndahen me dinjitet dhe shpirtmadhësi maksimale. Dhe deri sa një shpirt të ngrihet me cilësitë që janë themelore për bartësin e këtyre lajmeve, fjalët e tij nuk do të kenë efekt.
2 O skllave e Perëndisë! Shpirti njerëzor zotëron fuqi të mahnitshme, por ai duhet të përforcohet me Shpirtin e Shenjtë. Gjithçka tjetër që dëgjon, përveç kësaj, është veçse fantazi e pastër. Megjithatë, në qoftë se ai do të ndihmohet nga bujaria e Shpirtit të Shenjtë, atëherë forca e tij do të jetë një gjë për t’u mrekulluar. Atëherë ai shpirt njerëzor do të zbulojë realitetet dhe do të shpleksë misteret. Ktheje zemrën tënde plotësisht ndaj Shpirtit të Shenjtë dhe ftoji të tjerët të bëjnë njësoj; atëherë ju do të shihni rezultate të mrekullueshme.
3 O shërbëtore e Perëndisë! Yjet në qiell nuk ushtrojnë ndonjë ndikim shpirtëror mbi këtë botë dheu; por të gjithë elementët dhe pjesët e universit janë të lidhura shumë fort së bashku në atë hapësirë pakufi dhe kjo lidhje jep një ndërsjellje të efekteve materiale. ASHTË dhuntisë së Shpirtit të Shenjtë, çdo gjë që ti ke dëgjuar përsa i përket rezultatit të transeve, ose borive të mediumëve, që sjellin kumbimin e zërave të të vdekurve, është këmbë e krye imagjinatë. Kurse përsa i përket dhuntisë së Shpirtit të Shenjtë, trego çfarë të duash – ajo nuk mund të teprohet; pra, beso çfarëdo që të dëgjosh për këtë. Por personat të cilëve po u referohemi, njerëzit-bori, janë krejt të përjashtuar nga kjo dhunti dhe nuk kanë pjesë në të; veprimi i tyre është një iluzion.
4 O shërbëtore e Perëndisë! Lutjet plotësohen përmes Manifestimeve universale të Perëndisë. Megjithatë, kur ka dëshirë për të përfituar gjëra materiale, madje edhe kur është fjala për të shkujdesurit, në qoftë se ata luten, duke u përgjëruar me përunjësi për ndihmën e Perëndisë, edhe lutja e tyre ka efekt.
5 O shërbëtore e Perëndisë! Megjithëse realiteti i Hyjnisë është i shenjtëruar e i pakufishëm, synimet dhe nevojat e krijesave kufizohen. Hiri i Perëndisë është si shiu që bie poshtë nga qielli: uji nuk kufizohet nga caqet e formës, sidoqoftë në çdo vend që derdhet ai merr kufizime, dimensionet, dukjen, formën, sipas karakteristikave të atij vendi. Në një pellg katror, uji fillimisht i pakufizuar, merr formë katrore; në një pellg gjashtëkëndësh ai bëhet gjashtëkëndësh, në një pellg tetëkëndësh bëhet tetëkëndësh e kështu me radhë. Shiu vetë nuk ka gjeometri, as caqe, as formë, por ai merr njërën formë apo tjetrën sipas kufizimeve të enës së vet. Në të njëjtën mënyrë Thelbi i Shenjtë i Mbretërisë Zot është i pakufishëm, i pamasë, por hiret dhe shkëlqimet e Tij bëhen të fundme tek krijesat, për shkak të kufizimeve të tyre, prandaj lutjet e personave të caktuar do të marrin përgjigje preferuese në disa raste.
6 O shërbëtore e Perëndisë! Ajo ndodh me Krishtin Zot si me Adamin. A kishte qenia e parë njerëzore që erdhi në ekzistencë në këtë tokë nënë ose babë? Është e natyrshme që ai nuk kishte asnjë. Por Krishtit i mungonte vetëm baba.
7 O shërbëtore e Perëndisë! Lutjet që janë reveluar për të kërkuar shërim zbatohen si për shërim fizik dhe shpirtëror. Thuajini, pra, ato për të shëruar si shpirtin dhe trupin. Në qoftë se është e drejtë që i sëmuri të shërohet, shërimi me siguri do të jepet; por për disa persona të sëmurë shërimi do të shkaktonte vetëm sëmundje të tjera, prandaj urtia nuk lejon një përgjigje pohuese për lutjen.
8 O shërbëtore e Perëndisë! Fuqia e Shpirtit të Shenjtë shëron si sëmundjet fizike dhe ato shpirtërore.
9 O shërbëtore e Perëndisë! Ajo dokumentohet në Torah : Dhe Unë do t’u jap luginën e Akorit për një derë shprese. Kjo luginë e Akorit është qyteti i Ŕkkas dhe kush e ka interpretuar këtë ndryshe është nga ata që nuk dinë.

140 Ti pyete për shpërfytyrimin e Jezusit, me Moisiun, Elian dhe me Atin Qiellor në Malin Tabor, siç referohet në Bibël. Kjo ngjarje u kuptua nga dishepujt me syrin e tyre të brendshëm, prandaj ishte një sekret i fshehur dhe një zbulim shpirtëror i tyre. Përndryshe, në qoftë qëllimi që ata shihnin format fizike, kjo do të thotë, që e panë atë shpërfytyrim me sytë e tyre të jashtëm, por në afërsi të asaj rrafshine e mali kishte shumë të tjerë, atëherë përse ata nuk mundën ta shihnin? Dhe përse Zoti i ngarkoi ata të mos i tregonin njeriu? Është e qartë që ai ishte një vegim shpirtëror dhe skenë e Mbretërisë. Prandaj Mesia i urdhëroi ata ta mbanin këtë të fshehtë ‘deri sa Biri i Njeriut të ngjallet prej së vdekurish,’47 kjo do të thotë deri sa Kauza e Perëndisë të lartësohej, Fjala e Perëndisë të triumfonte dhe realiteti i Krishtit të ngrihej.

141 1 O ti flakë që digjesh, ti që ndizesh nga dashuria për Perëndinë! Unë e kam lexuar letrën tënde dhe përmbajtja e saj, e shprehur bukur dhe me elokuencë, më kënaqi zemrën, tregon sinqeritetin tënd të thellë në Kauzën e Perëndisë, hapat tënd këmbëngulës përgjatë udhës së Mbretërisë së Tij dhe besnikërinë tënde në Besimin e Tij, sepse prej të gjitha gjërave të mëdha, në sy të Tij kjo është më e madhja.
2 Sa shumë shpirtra janë kthyer drejt Zotit dhe kanë hyrë nën hijen mbrojtëse të Fjalës së Tij, janë bërë të famshëm nëpër botë, për shembull, Juda Iskarioti. Dhe pastaj, kur sprovat u vështirësuan e furia e tyre u shtua, u shkanë këmbët në udhë dhe i kthyen shpinën Besimit, pasi kishin njohur të vërtetën e tij e mohuan atë dhe ranë prej harmonisë e dashurisë në prapësi dhe urrejtje. Në këtë mënyrë bëhet e dukshme fuqia e sprovave, që i bën të dridhen e të tunden edhe shtyllat e fuqishme.
3 Juda Iskarioti ishte më i madhi i dishepujve dhe ai i ftoi njerëzit te Krishti. Pastaj atij iu duk se Jezusi po tregonte vlerësim në rritje për Apostullin Pjetër dhe kur Jezusi tha ‘Ti je Pjetri dhe mbi këtë shkëmb Unë do të ndërtoj kishën Time,’ këto fjalë që iu drejtuan Pjetrit dhe kjo zgjedhje e Pjetrit për një nder të veçantë, patën një ndikim të shquar mbi Apostullin dhe ndezën zilinë në zemrën e Judës. Për këtë arsye ai që dikur ishte afruar u mënjanua, ai që kishte besuar në Besim e mohoi atë dhe dashuria e tij u shndërrua në urrejtje, deri sa ai u bë shkak për kryqëzimin e atij Zoti të lavdishëm, Atij Shkëlqimi të manifestuar. I tillë është përfundimi i zilisë, e tillë është arsyeja kryesore përse njerëzit mënjanohen prej Shtegut të Drejtë. Kështu ka qenë ajo dikur, kështu do të jetë ajo në këtë Kauzë të madhe. Por ajo nuk ka rëndësi, sepse ajo lind besnikërinë në pjesën tjetër dhe i bën të ngrihen shpirtrat, që nuk dridhen, që janë të ngulur e të patundur si malet në dashurinë e tyre për Dritën Manifest.
4 Përcille te shërbëtoret e të Mëshirshmit mesazhin, që kur një sprovë bëhet e fortë ato duhet të qëndrojnë të patundura dhe besnike ndaj dashurisë së tyre për Baháin. Në dimër vijnë stuhitë dhe fryjnë erëra të mëdha, por pastaj pason pranvera me gjithë bukurinë e saj, që stolis kodrën e fushën me bimët kundërmuese dhe lulëkuqet që t’i ka ënda ti shikosh. Atëherë zogjtë do të cicërojnë mbi degë këngët e tyre të hareshme dhe do të predikojnë me tone të gëzuara nga foltoret e pemëve. Shpejt ju do të jeni dëshmitarë që dritat po vërshojnë përpara, flamujt e mbretërisë së epërme po valëviten, flladet e ëmbla të Mëshirëplotit ledhatojnë kudo, ushtritë e Mbretërisë po marshojnë poshtë, engjëjt e qiellit po nxitojnë përpara dhe Shpirti i Shenjtë po merr frymë mbi gjithë ato rajone. Atë ditë ti do të shohësh të lëkundurit, si burra dhe gra, të zhgënjyer me shpresat e tyre dhe në humbje të dukshme. Kjo dekretohet nga Zoti, Reveluesi i Vargjeve.
5 Sa për ty, qofsh e bekuar, se ti je e vendosur në Kauzën e Perëndisë, e fortë në Besëlidhjen e Tij. I lutem Atij të të dhurojë një shpirt hyjnor dhe jetën e Mbretërisë, të të bëjë një fletë të blertë e që lulëzon mbi Pemën e Jetës, që t’u shërbesh me shpirt dhe gazplotë shërbëtoreve të të Mëshirshmit.
6 Zoti tënd shpirtmadh do të të ndihmojë për të punuar në vreshtin e Tij dhe do të të bëjë të jesh mjet i përhapjes së shpirtit të unitetit midis shërbëtoreve të Tij. Ai do ta bëjë syrin tënd të brendshëm të shohë me dritën e dijes, Ai do falë mëkatet e tua dhe do t’i shndërrojë ato në vepra të bukura. Me të vërtetë, Ai është Falësi, i Dhembshuri, Zoti i hirit të pamasë.

142 1 O ti shërbëtore e shtrenjtë e Perëndisë! Lavdëro Perëndinë se ti je e pëlqyer ne Pragun e Tij të Shenjtë dhe e dashur në Mbretërinë e fuqisë së Tij. Ti je kreu i një asambleje që është vetë vula e Kompanisë së epërme, shëmbëllimi-pasqyrë i mbretërisë lavdiplote. Përpiqu me mish e me shpirt, me përulësi lutëse dhe vetëmohim, për të mbështetur Ligjin e Perëndisë dhe për të përhapur kudo aromat e Tij të ëmbla. Mundohu të bëhesh presidente e vërtetë e asambleve të shpirtrave hyjnorë dhe një bashkudhëtare e engjëjve në mbretërinë e Mëshirëplotit.
2 Ti pyet për vargjet nga i dhjeti deri te i shtatëdhjeti, të kapitullit njëzet e një të Revelacionit Hyjnor të Shën Gjonit. Dije se sipas parimeve matematike, kupa qiellore e këtij dielli të shkëlqyer të tokës është ndarë midis dymbëdhjetë yjësive, që ata i quajnë dymbëdhjetë shenjat zodiake. Në të njëjtën mënyrë Dielli i së Vërtetës shkëlqen dhe derdh bujaritë e tij mes dymbëdhjetë stacioneve të shenjtërisë dhe me këto shenja qiellore kuptohen ata personazhe të pastër dhe të panjollë që janë pikërisht gurrat e shenjtërisë dhe pikë-agimet që shpallin njësinë e Perëndisë.
3 Mendo se si në ditët e Bashkëbiseduesit (Moisiu) kishte dymbëdhjetë qenie të shenjta që ishin udhëheqës të dymbëdhjetë fiseve; dhe po ashtu në dispensacionin e Shpirtit (Krishti), vër re që kishte dymbëdhjetë Apostuj të mbledhur brenda strehës mbrojtëse të asaj Drite hyjnore dhe prej atyre pikave të agimit të shkëlqyer Dielli i së Vërtetës ndriçoi përpara si dielli në qiell. Përsëri, në ditët e Muhametit, shiko se kishte dymbëdhjetë pika-agimi të shenjtërisë, manifestuesit e ndihmës së pëlqyer të Perëndisë. E tillë është kjo udhë.
4 Prandaj Hyjnori Shën Gjon tregoi për dymbëdhjetë porta në vegimin e tij dhe dymbëdhjetë themele. Me shprehjen ‘ai qytet i madh, Jerusalemi i shenjtë, duke zbritur prej qiellit nga Perëndia,’ kuptohet Ligji i shenjtë i Perëndisë dhe kjo paraqitet në shumë Tabela e ka ende për t’u lexuar në Shkrimet e Profetëve të së shkuarës: për shembull, që Jerusalemi u pa duke dalë në shkretëtirë.
5 Domethënia e pasazhit është që ky Jerusalem qiellor ka dymbëdhjetë porta, nëpërmjet të cilave të bekuarit hyjnë në Qytetin e Perëndisë. Këto porta janë shpirtra që janë si yje karvani, si portale dijesh dhe hiri; dhe brenda këtyre portave qëndrojnë dymbëdhjetë engjëj. Me ‘engjëll’ kuptohet fuqia e konfirmimeve të Perëndisë, se qiriri i fuqisë së pëlqyer të Perëndisë shkëlqen prej kamares së llambës të atyre shpirtrave, duke kuptuar që secilës prej atyre qenieve do t’i jepej mbështetja e pëlqyer më e fortë.
6 Këto dymbëdhjetë porta rrethojnë tërë botën, prandaj ato janë strehë për të gjitha krijesat. Dhe më tej, këto dymbëdhjetë porta janë themelet e Qytetit të Perëndisë, Jerusalemit të shenjtë dhe mbi secilin prej këtyre themeleve shkruhet emri i një prej Apostujve të Krishtit. Kjo do të thotë që secili bën manifest përsosmëritë, mesazhin e gëzuar dhe shkëlqimin e asaj Qenieje të shenjtë.
7 Me pak fjalë, Shkrimi i Shenjtë thotë: ‘Dhe ai që foli me mua kishte një shkop prej ari që është masë me të cilin ai mat qytetin, portat dhe kullat e tij.’ Domethënia është që disa personalitete drejtojnë popullin me një shkop të rritur mbi tokë dhe i prijnë ata me një shkop, si shkopi i Moisiut. Të tjerë i mësojnë dhe i prijnë njerëzit me një shkop hekuri, si në dispensacionin e Muhametit. Dhe në këtë cikël të tanishëm, për shkak se ai është më i fuqishmi i dispensacioneve, ai shkop i rritur prej mbretërisë bimore dhe ai shkop hekuri do të shndërrohet në një shkop ari shumë të pastër, marrë prej thesarit të pafund të shtëpive të Mbretërisë së Zotit. Me këtë shkop do të mësohen njerëzit.
8 Vëre re mirë ndryshimin: një herë e një kohë Mësimet e Perëndisë ishin si një shkop dhe me këtë mjet u përhapën kudo Shkrimet e Shenjta, u shpall Ligji i Perëndisë dhe u vendos Besimi i Tij. Pastaj erdhi një kohë kur shkopi i Bariut të vërtetë ishte si hekur. Dhe sot, në këtë epokë të re e të shkëlqyer, shkopi është si ari i pastër. Sa i madh është këtu ndryshimi! Dije, atëherë, sa shumë terren ka fituar Ligji i Perëndisë dhe Mësimet e Tij në këtë dispensacion, se si ata kanë arritur lartësi të tilla që kanë kapërcyer shumë dispensacionet e së shkuarës: me të vërtetë ky shkop është prej arit më të pastër, ndërsa ata të kohëve të tjera ishin prej hekuri dhe druri.
9 Kjo është një përgjigje e shkurtër që është shkruar për ty, sepse nuk kishte kohë për më shumë. Është e sigurt që ti do të më falësh. Shërbëtoret e Perëndisë duhet të ngrihen drejt një pozite të tillë që ato vetë dhe pa ndihmë të kuptojnë këto domethënie të brendshme e të jenë të afta të shpjegojnë plotësisht çdo fjalë të vetme; një pozitë ku prej së vërtetës thellë nga zemrat e tyre të rrjedhë një burim urtësie dhe bile si një shatërvan që del prej amës së vet origjinale.

143 1 O ti që je afruar drejt shpirtit të Krishtit në Mbretërinë e Perëndisë! Me të vërtetë trupi përbëhet prej elementëve fizikë dhe çdo përbërës duhet të shpërbëhet. Megjithatë, shpirti është një thelb i vetëm, i shkëlqyer dhe delikat, jo material, i përjetshëm dhe i Perëndisë. Për këtë arsye kush kërkon Krishtin në trupin e Tij fizik ka kërkuar më kot dhe do jetë i mbyllur prej Tij si me një perde. Por kush digjet për ta gjetur Atë në shpirt do të rritet ditë për ditë me gëzimin, dëshirën dhe dashurinë e zjarrtë, i lidhur ngushtë me Të dhe duke e parë Atë qartë dhe hapur. Në këtë ditë të re e të mahnitshme është detyra tënde të kërkosh shpirtin e Krishtit.
2 Me të vërtetë qielli në të cilin u ngrit Mesia nuk ishte ky qiell i pafund, përkundrazi qielli i Tij ishte Mbretëria e Zotit të Tij mirëbërës. Siç ka thënë Ai Vetë ‘Unë zbrita nga qielli’48 dhe përsëri ‘Biri i Njeriut është në qiell.’49 Prandaj është e qartë që qielli i Tij është tej pikave drejtuese; ai qarkon gjithë ekzistencën dhe ngrihet për ata që adhurojnë Perëndinë. Lutju dhe përgjërohu Zotit tënd të të ngrejë në atë qiell dhe të të japë për të ngrënë prej ushqimit të tij në këtë epokë madhështie e fuqie.
3 Dije ti se njerëzit, edhe deri më sot, nuk kanë mundur të zbulojnë sekretet e fshehura të Librit. Ata fantazojnë se Krishti u përjashtua nga qielli i Tij në ditët kur Ai eci në tokë, se Ai ra nga lartësitë e madhështisë së Tij dhe paskëtaj u ngjit në ato horizonte të epërme të qiellit, në qiellin që nuk ekziston aspak, sepse është veçse hapësirë. Dhe ata po presin për Të të zbresë prej andej përsëri, duke kalëruar mbi një re dhe ata fantazojnë se ka re në atë hapësirë të pafundme dhe se Ai do të kalërojë mbi to dhe në atë mënyrë Ai do të zbresë. Ndërsa e vërtetë është që një re nuk është veçse avull që ngrihet prej tokës dhe ajo nuk zbret prej qiellit. Përkundrazi, reja e referuar në Ungjill është trupi i njeriut, i quajtur kështu sepse trupi është si një vel për njeriun, i cili, si edhe reja, e parandalon atë nga shikimi i Diellit të së Vërtetës që ndriçon nga horizonti i Krishtit.
4 Unë i lutem Perëndisë të hapë para syve të tu portat e zbulimeve dhe perceptimeve, që ti të bëhesh i informuar mbi misteret e Tij në këtë më të madhin manifest të kohëve.
5 Unë jam shumë i etur të të takoj, por kohët nuk janë të përshtatshme. Me vullnetin e Perëndisë, ne do të të bëjmë të ditur në një kohë më të mirë, kur ti mund të vish duke na gëzuar.

144 1 O dashurues i njerëzimit! Letra tënde e morëm dhe ajo tregon, qoftë lavdëruar Perëndia, për shëndetin dhe mirëqenien tënde. Nga përgjigja jote ndaj një letre të mëparshme duket se po përforcohen ndjenjat e dashurisë midis teje dhe miqve.
2 Secili duhet të shohë në çdo qenie njerëzore vetëm atë që është e lavdërueshme. Kur bëhet kjo, secili mund të jetë mik i mbarë gjinisë njerëzore. Por në qoftë se i shohim njerëzit nga këndvështrimi i gabimeve të tyre, atëherë të jesh një mik për ta është një detyrë tepër e vështirë.
3 Një ditë në kohën e Krishtit—u bëftë fli jeta e botës për Të—ndodhi që Ai kaloi pranë kufomës së një qeni, një cofëtire kutërbuese, të shëmtuar, me gjymtyrët që po i kalbeshin. Një prej të pranishmëve tha: “Ç’erë të keqe bie!” Dhe një tjetër tha: Sa pështirë! Sa e neveritshme!” Me një fjalë, secili prej tyre kishte diçka për t’i shtuar listës.
4 Por pastaj foli Vetë Krishti, dhe Ai u tha atyre: “Shikoni dhëmbët e qenit! Sa të bardhë e vezullues janë!”
5 Shikimi gjynahembulues i Mesisë nuk u ndal për asnjë çast te pamja e neveritshme e asaj cofëtire. I vetmi element i kufomës së ngordhur të atij qeni që nuk ngjallte krupë ishin dhëmbët: dhe Jezusi pa shkëlqimin e tyre.
6 Është, pra, e detyrueshme që ne, kur ua drejtojmë shikimin njerëzve të tjerë, të shohim ku ata shkëlqejnë e jo ku janë keq.
7 Lavdërimi qoftë me Perëndinë, qëllimi yt është të përkrahësh mirëqenien e njerëzimit dhe të ndihmosh shpirtrat për të kapërcyer gabimet e tyre. Ky qëllim i mirë do të japë përfundime të lavdërueshme.

145 1 Ti ke shkruar për çështjen e zbulimeve shpirtërore. Shpirti i njeriut është një forcë rrethuese që përfshin realitetet e të gjitha gjërave. Çdo gjë që ti sheh rreth vetes – produkte të mahnitshme të mjeshtrisë njerëzore, shpikje, zbulime e dëshmi të ngjashme – çdonjëra prej tyre ishte dikur një sekret i fshehur në mbretërinë e së panjohurës. Shpirti njerëzor e ka bërë atë sekret të dukshëm, e ka nxjerrë atë nga bota e padukshme në botën e dukshme.Janë, për shembull, forca e avullit, fotografia dhe gramafoni, telegrafi pa tel dhe përparimet në matematikë: Secila prej tyre pa përjashtim ishte dikur një mister, një sekret i ruajtur mirë, megjithatë shpirti njerëzor i shpalosi këto sekrete dhe i nxorri ato nga e padukshmja në dritën e ditës. Është pra e qartë se shpirti njerëzor është një forcë gjithëpërfshirëse që ushtron zotërimin e vet mbi thelbin e brendshëm të të gjitha gjërave të krijuara, duke zbuluar misteret e ruajtura mirë të botës së dukurive.
2 Por shpirti hyjnor zbulon realitetet hyjnore dhe misteret universale që ndodhen në botën shpirtërore. Unë shpresoj se ti do të arrish te ky shpirt hyjnor, në mënyrë që të zbulosh sekretet e botës tjetër, si dhe misteret e botës këtu poshtë.
3 Ti pyesje për kapitullin 14, vargu 30 i Ungjillit të Gjonit, ku Krishti Zot thotë ‘Paskëtaj Unë nuk do të flas shumë me ju: sepse vjen Princi i kësaj bote dhe nuk ka asgjë prej Meje.’ Princi i kësaj bote është Bukuria e Bekuar; dhe ‘nuk ka asgjë prej Meje’ do të thotë: pas Meje të gjithë do të marrin hir prej Meje, por Ai është i pavarur prej Meje dhe nuk do të marrë hir prej Meje. Kjo sepse Ai është i pasur përmbi çdo hir Timin.
4 Lidhur me çështjen e zbulimeve që bën shpirti pasi ka flakur formën e tij njerëzore: Me siguri, ajo botë është një botë perceptimesh e zbulimesh, sepse perdja e futur në mes do të hiqet dhe shpirti njerëzor do të sodisë shpirtrat që janë sipër, poshtë dhe në një nivel me atë vetë. Kjo është e ngjashme me gjendjen e një qenieje njerëzore në mitër, ku sytë e saj janë të veshur dhe të gjitha gjërat janë të fshehura prej saj. Kur ajo lind jashtë botës së mitrës dhe hyn në këtë jetë, e sheh se në krahasim me mitrën ky është një vend perceptimesh e zbulimesh dhe vëren gjithfarë gjërash me syrin e jashtëm. Po kështu, kur largohet nga kjo jetë, shikon në atë botë gjithçka që ishte e fshehur prej saj këtu: Por atje i sheh e i kupton të gjitha gjërat me syrin e vet të brendshëm. Atje ajo do të shohë shokët e vet të barabartë me të, ata që janë në shkallët mbi të, si dhe ata që janë më poshtë. Për sa i përket kuptimit të barazisë së shpirtrave në mbretërinë e lartësiplotit, kjo do të thotë se: shpirtrat e besimtarëve, në kohën kur ata fillimisht manifestohen në botën e trupit, janë të barabartë dhe secili është i shenjtëruar e i dëlirë. Megjithatë, në këtë botë ata do të fillojnë të ndryshojnë nga njeri-tjetri, ca duke arritur pozitën më të lartë, disa në mes, të tjerë duke mbetur në shkallën më të ulët të qenies. Statusi i tyre është i barabartë në fillim të ekzistencës së tyre; ndryshimi pason ikjen e tyre nga kjo botë.
5 Ti shkruaje për Seirin. Seir është një vend pranë Nazaretit në Galile.
6 Ndërsa për deklaratën e Jovit, kapitulli 19, vargjet 25-27, ‘Unë e di që Shpëtimtari im jeton dhe se Ai do të qëndrojë në ditën e fundit mbi tokë’, ja kuptimi: unë nuk do të poshtërohem, unë kam një Mbështetës e Ruajtës dhe Ndihmuesi im, Mbrojtësi im më në fund do të bëhet manifest. Dhe megjithëse tani trupi im është i dobët e i veshur me krimba, sidoqoftë unë do të shërohem dhe me këta sy të mitë, që është vështrimi im i brendshëm, unë do ta shoh Atë. Këtë tha Jovi pasi ata e kishin qortuar dhe ai vetë kishte vajtuar të këqijat që i kishin shkaktuar mundimet. Edhe kur prej sulmeve të tmerrshme të sëmundjes, trupi i tij u mbulua me krimba, ai kërkoi t’u tregojë atyre rreth vetes se ai megjithatë do të shërohej plotësisht dhe se pikërisht në trupin e tij, me vetë sytë e tij ai do të shihte mbi Shpëtimtarin e tij.
7 Për sa i përket gruas në Revelacionin e Shën Gjonit, kapitulli 12, që ia mbathi në shkretëtirë dhe çudia e madhe u duk në qiell, që gruaja u vesh me diell, me hënën nën këmbët e saj: ajo që kuptohet me gruan është Ligji i Perëndisë. Sepse sipas terminologjisë së Librit të Shenjtë, kjo referencë është ndaj Ligjit, duke qenë gruaja këtu simboli i tij. Dhe dy trupat qiellorë, dielli dhe hëna, janë dy fronet, turk dhe pers, duke qenë këta të dy nën sundimin e Ligjit të Perëndisë. Dielli është simboli i Perandorisë Perse dhe hëna që është kreshente e Perandorisë Turke. Kurora dymbëdhjetë-mbështjellë janë dymbëdhjetë Imamët, që si Apostujt, mbështesnin Besimin e Perëndisë. Fëmija i sapolindur është Bukuria e të Adhuruarit50, ardhur prej Ligjit të Perëndisë. Ai pastaj tha se gruaja ia mbathi në shkretëtirë, kjo sepse Ligji i Perëndisë u çua prej Palestine në shkretëtirën e Hexhazit, ku qëndroi 1260 vjet, kjo do të thotë deri në ardhjen e Fëmijës së premtuar. Dhe siç është e mirënjohur, në Librat e Shenjta çdo ditë llogaritet si një vit.

146 1 O ti shërbëtore e ndezur me dashurinë e Perëndisë! Unë e kam shqyrtuar letrën tënde të shkëlqyer dhe falënderova Perëndinë për mbërritjen tënde të sigurt në atë qytet. Lus Atë, që nëpërmjet ndihmës së Tij të pareshtur, ta bëjë këtë rikthim tëndin të ushtrojë një efekt të fuqishëm. Një gjë e tillë mund të ngjasë vetëm në qoftë se ti e zhvesh veten prej të gjitha kushtimeve të kësaj bote dhe vesh rrobat e shenjtërisë; në qoftë se ti i kufizon të gjitha mendimet e tua dhe të gjitha fjalët e tua tek kujtimi i Perëndisë dhe lavdërimi i Tij; për të përhapur kudo shijet e Tij të ëmbla dhe duke kryer akte të drejta; dhe në qoftë se ti ia përkushton veten zgjimit të moskokëçarësve dhe rikthimit të të parit te të verbrit, të dëgjimit te të shurdhrit, të folurit te memecët dhe nëpërmjet fuqisë së shpirtit t’u japësh jetë të vdekurve.
2 Sepse siç thotë Krishti për ta në Ungjill, njerëzit janë të verbër, ata janë të shurdhër, ata janë memecë; dhe Ai thotë: ‘Unë do t’i shëroj ata.’
3 Qofsh e mirë dhe e dhembshur me nënën tënde të ligështuar dhe fol me të për Mbretërinë, që zemra e saj të gëzohet.
4 Jepi përshëndetjet e mia Zonjushës Ford. Përcilli asaj lajmet e gëzuara që këto janë ditët e Mbretërisë së Perëndisë. I thuaj asaj: Qofsh e bekuar për synimet e tua fisnike, qofsh e bekuar për veprat e tua të bukura, qofsh e bekuar për natyrën tënde shpirtërore. Me të vërtetë unë të dua për këto synime, cilësi dhe vepra të tuat. Më tej thuaji asaj: Kujto Mesinë dhe ditët e Tij në tokë, dhe poshtërimin e Tij, dhe mundimet e Tij dhe se si njerëzit nuk çanë kokën për Të. Kujto se si izraelitët do ta përqeshnin, do ta tallnin Atë dhe do t’i drejtoheshin Atij me: ‘Qoftë paqja mbi ty, Mbret i Izraelitëve! Qoftë paqja mbi ty, Mbret i Mbretërve!’ Se si ata do të thoshin se Ai ishte i çmendur, do të pyesnin se si Kauza e Atij të kryqëzuari mund të përhapej ndonjëherë në lindjet e botës dhe në perëndimet e saj. Asnjë nuk e pasoi Atë atëherë, përveç pak shpirtrave që ishin peshkatarë, marangozë dhe të tjerë nga populli i thjeshtë. Ah medet, medet për të tilla iluzione!
5 Dhe shiko se ç’ndodhi pastaj: se si u kthyen mbrapsht flamujt e tyre të fuqishëm dhe në vendin e tyre u ngrit lart flamuri më i lartësuar, se si perënduan gjithë yjtë e shkëlqyer në atë qiell nderi e krenarie, se si ata u fundosën në perëndim të gjithçkaje që zhduket, ndërsa Ylli i Tij i shkëlqyer ende ndriçon prej qiejve të lavdisë së pavdekshme, ndërsa shekujt dhe epokat rrotullohen. Qofshi të paralajmëruar ju që keni sy për të parë! Së shpejti ju do të shihni edhe gjëra më të mëdha se kjo.
6 Dije ti se gjithë fuqitë e kombinuara nuk e kanë forcën për të vendosur paqen universale, as për t’i rezistuar, në çdo kohë e stinë, sundimit të pakapërcyeshëm të këtyre luftërave pafund. Megjithatë së shpejti fuqia e qiellit, sundimi i Shpirtit të Shenjtë, do të ngrejë mbi majat e larta flamujt e dashurisë dhe paqes dhe atje sipër kështjellave të madhërisë dhe të fuqisë këta flamuj do të valëviten nga erërat e rrëmbyera që fryjnë prej dorës së ngrohtë të Perëndisë.
7 Përcilli përshëndetjet e mia Znj. Florence dhe thuaji asaj: Grigjat e ndryshme e kanë lënë shtratin e besimit të tyre dhe kanë përqafuar doktrina që nuk llogariten në sy të Perëndisë. Ata bile janë si Farisenjtë që edhe luteshin, edhe agjëronin dhe pastaj e dënuan Jezu Krishtin me vdekje. Për jetën e Perëndisë! Kjo gjë tingëllon e çuditshme!
8 Ndërsa ti, o shërbëtore e Perëndisë, recito butësisht këtë bashkëbisedim me Zotin Tënd dhe thuaji Atij:

9 O Perëndi, Perëndia im! Mbushe për mua kupën e shkëputjes nga të gjitha gjërat dhe në asamblenë e shkëlqimeve e blatimeve të Tua, më kënaq me verë dashurie për Ty. Çliromë prej sulmeve të pasionit dhe dëshirës, këputi prej meje vargonjtë e kësaj bote të ulët, tërhiqmë me ngazëllim drejt mbretërisë Tënde hyjnore dhe ripërtërimë mes shërbëtoreve me frymëmarrjet e shenjtërisë Tënde.
10 O Zot, shkëlqeje fytyrën time me dritat e blatimeve të Tua, ndriçoji sytë e mi me shikimin e shenjave të fuqisë Tënde gjithnënshtruese; kënaqe zemrën time me lavdinë e dijes Tënde që qarkon gjithë gjërat, gëzoje shpirtin tim me lajmet shpirt-ripërtëritëse të gëzimit të madh, O Ti Mbret i kësaj bote dhe i Mbretërisë sipër, O Ti Zot i sundimit dhe i fuqisë, që unë të shpërndaj kudo shenjat dhe simbolet e Tua, të shpall Kauzën Tënde, të përkrah Mësimet e Tua, t’i shërbej Ligjit Tënd dhe të lartësoj Fjalën Tënde.
11 Ti je me të vërtetë i Fuqishmi, Kurdo-Dhënësi, i Zoti, Fuqiploti.

12 Ndërsa për themelet e mësimit të Besimit: dije se shpërndarja e Mesazhit mund të përmbushet vetëm nëpërmjet veprave të bukura dhe atributeve shpirtërore, një shprehje që është e qartë kristal dhe lumturia reflektohet prej fytyrës së atij që po shpjegon Mësimet. Kryesorja është që veprat e mësuesit të pohojnë të vërtetën e fjalëve të tij. E tillë është pozita e atyre që përhapin kudo shijet e ëmbla të Perëndisë dhe cilësia e atij që është i sinqertë në besimin e tij.
13 Sapo Zoti të të ketë aftësuar për të arritur këtë gjendje, të jesh e sigurt se Ai do të të frymëzojë me fjalët e së Vërtetës dhe do të të bëjë të flasësh përmes frymëmarrjeve të Shpirtit të Shenjtë.

147 Reflekto mbi ngjarjet e shkuara të kohës së Krishtit dhe ngjarjet e tanishme do të qartësohen e manifestohen.

148 1 O ju bij e bija të Mbretërisë! Mirënjohës, zogjtë e shpirtit kërkojnë vetëm të fluturojnë në qiejt e epërm dhe të këndojnë këngët e tyre me art të mahnitshëm. Por krimbat e gjorë të tokës duan vetëm të brimojnë në dhé dhe ç’luftë të madhe bëjnë ata për ta çuar veten në thellësitë e saj! Bile kështu janë dhe bijtë e tokës. Synimi i tyre i lartë është të shtojnë mjetet e tyre të vazhdimësisë në këtë botë që zhduket, këtë vdekje në jetë; dhe kjo pavarësisht nga fakti që ata janë të lidhur këmbë e duar me një mijë përkujdesje e dhimbje dhe kurrë nuk janë të sigurt nga rreziku, bile as sa të hapësh e të mbyllësh sytë; në çdo kohë asnjëherë të sigurt, bile dhe prej vdekjes së papritur. Prandaj, pas një intervali të shkurtër, ata janë krejt të fshirë dhe nuk mbetet shenjë për të treguar rreth tyre dhe kurrë nuk dëgjohet fjalë për ta përsëri.
2 Atëherë le të angazhoheni ju në lavdërimin e Bahá’u’lláhut, sepse nëpërmjet hirit dhe ndihmës së Tij ju jeni bërë bij e bija të Mbretërisë; në sajë të Tij ju jeni tani zogj këngëtarë në livadhet e së vërtetës dhe keni fluturuar lart në lartësitë e lavdisë që rron përgjithmonë. Ju keni gjetur vendin tuaj në botën që nuk vdes; frymët e Shpirtit të Shenjtë kanë fryrë përmbi ju; ju keni përqafuar një tjetër jetë, ju keni fituar hyrjen në Pragun e Perëndisë.
3 Prandaj, me kënaqësi të madhe, krijoni asambletë shpirtërore dhe angazhohuni për të shprehur lavdërim dhe për t’i thurur lavdi Zotit, duke e quajtur Atë të Shenjtë e Më të Madhin. Ngrini në mbretërinë e Lavdiplotit thirrjet lutëse për ndihmë dhe formuloni në çdo moment mijëra falënderime që keni fituar këtë favor të begatë dhe hir të jashtëzakonshëm.

149 1 O ti që ke sy për të parë! Ajo që dëshmon ti është shumë e vërtetë dhe i përket sferës së vizionit.
2 Parfumi është i lidhur ngushtë, i përzierë me burbuqen dhe sapo burbuqja ka çelur aroma e këndshme e saj përhapet kudo. Bari nuk është pa frytin e tij, megjithëse kështu duket, sepse në këtë Kopsht të Perëndisë çdo bimë ka ndikimin dhe vetitë e saj, madje çdo bimë shton gazin, trëndafilin njëqind-fletësh që ngazëllen ndjenjat me aromën e tij. Të jesh i sigurt për këtë. Megjithëse faqet e një libri nuk dinë gjë për fjalët dhe kuptimin e tyre, edhe pse kështu miqtë i kalojnë ato me nderim dorë më dorë për shkak të lidhjes së tyre me këto fjalë. Për më tepër kjo lidhje është bujaria më e pastër.
3 Kur shpirti njerëzor të fluturojë prej kësaj kapice kalimtare dheu dhe të ngrihet në botën e Perëndisë, atëherë perdet do të bien tutje, të vërtetat do të dalin në dritë dhe gjithë gjërat e panjohura më parë do të bëhen të qarta, dhe të vërtetat e fshehura do të kuptohen.
4 Mendoni sesi një qenie, në botën e mitrës, ishte e shurdhër nga veshët, e verbër nga sytë dhe memece nga gjuha; sesi ajo ishte përgjithësisht e privuar nga çdo lloj perceptimesh. Por kur doli jashtë asaj bote të errësirës, ajo kaloi në këtë botë të dritës; atëherë sytë e saj panë, veshët e saj dëgjuan, gjuha e saj foli. Po kështu, kur të jetë larguar nga ky vend i vdekshëm për në Mbretërinë e Perëndisë, ajo do të lindë në shpirtin; atëherë syri i perceptimit të saj do të hapet, veshi i shpirtit të saj do të dëgjojë dhe të gjitha të vërtetat që më parë nuk i dinte do të bëhen të dukshme e të qarta.
5 Një udhëtar vëzhgues që kalon nëpër një rrugë sjell me siguri ndërmend zbulimet e tij, në qoftë se nuk i ndodh ndonjë aksident që t’ia fshijë kujtesën.

150 1 O ti shërbëtore e ndezur me zjarrin e dashurisë së Perëndisë! Mos u brengos për vështirësitë e vuajtjet e kësaj bote të poshtme, dhe as mos u gëzo në kohë qetësie e komforti, sepse që të dyja do të mbarojnë. Kjo jetë e tanishme i ngjet një vale të fryrë, ose një mirazhi apo hijeve që lëvizin. A mundet një imazh i shtrembëruar në shkretëtirë të shërbejë si ujë freskues? Jo, për Zotin e Zotave! Kurrë realiteti dhe thjesht ngjasimi me realitetin nuk mund të jenë e njëjta gjë, i madh është dallimi midis imagjinatës dhe faktit, midis së vërtetës dhe fantazmës së saj.
2 Dije se Mbretëria është bota reale, dhe ky vend këtu poshtë është vetëm hija e saj që shtrihet. Një hije nuk ka jetë të vetën; ekzistenca e saj është vetëm një fantazi dhe asgjë më shumë; ajo s’është veçse figura të pasqyruara në ujë dhe që syrit i duken si piktura.
3 Beso në Perëndinë. Beso tek Ai. Lavdëroje Atë dhe sille vazhdimisht në mendje. Ai me të vërtetë e kthen telashin në rehati, dhimbjen në lehtësim dhe mundimin në paqe absolute. Ai me të vërtetë sundon mbi të gjitha gjërat.
4 Në qoftë se do të dëgjosh fjalët e mia, çliroje veten prej vargonjve të çdo gjëje që ndodh. Madje në çdo rrethanë falëndero Zotin tënd të dashur dhe lëri çështjet e tua tek Vullneti i Tij që punon siç i pëlqen Atij. Kjo për ty është me të vërtetë më e mirë se çdo gjë tjetër, në çdo botë.

151 1 O ti besimtar në njëshmërinë e Perëndisë! Dije se një shpirti nuk i bën mirë asgjë, përveç dashurisë së Mëshirëplotit, asgjë nuk e ndriçon një zemër përveç se shkëlqimi që shndrit prej mbretërisë së Zotit.
2 Braktis çdo shqetësim tjetër, le ta mbulojë harresa kujtimin e gjithçkaje tjetër. Kufizoi mendimet e tua te gjithçka që ngre shpirtin njerëzor në Parajsën e hirit qiellor dhe bëje çdo zog të Mbretërisë të fluturojë në udhën drejt Horizontit Suprem, pikës qendrore të nderit të përjetshëm në këtë botë të varur.

152 Për sa i përket pyetjes që lidhet me shpirtin e një vrasësi dhe cili do të ishte ndëshkimi për të. Përgjigja e dhënë ishte që vrasësi duhet ta shlyejë krimin e tij: kjo sepse në qoftë se vrasësin e vrasin, vdekja e tij shlyen krimin e tij dhe pas vdekjes, Perëndia me drejtësinë e Tij nuk imponon dënim të dytë për të, sepse nuk do ta lejonte drejtësia hyjnore.

153 1 O ti shërbëtore e Perëndisë! Në këtë ditë falëndero Perëndinë për bujaritë e Tij që qëndrojnë në pasjen e një zemre rrëzëlluese dhe një fryme të hapur ndaj shtytjeve të shpirtit. Ky është thelbi i lutjeve falënderuese.
2 Sa për dhënien e falënderimeve me gojë apo me shkrim, megjithëse kjo në të vërtetë është e pranueshme, sidoqoftë, kur krahasohet me atë të lutjeve falënderuese, është vetëm një dukje dhe areale, sepse gjëja kryesore janë këto shprehje të shpirtit, këto rrezatime nga skutat e thella të zemrës. Kam shpresë që ti do të favorizohesh prej tyre.
3 Në lidhje me çështjen se kujt i mungon kapaciteti dhe kush nuk meriton në Ditën e Ringjalljes. Në këtë Ditë askush nuk privohet prej dhuratave dhe bujarive, sepse kjo është Dita e Hirit dhe jo Dita e Drejtësisë dhe drejtësia i jepet secilit sipas hakut. Atëherë mos shiko shkallën e kapacitetit tënd, por shiko favorin e pakufishëm të Bahá’u’lláhut; bujaria e Tij është gjithëpërfshirëse dhe hiri i Tij i përkryer.
4 I lutem Perëndisë që me ndihmën dhe mbështetjen e Tij të fuqishme t’u mësosh kuptimin e fshehtë të Torahut me elokuencë, me qartësi, me forcë dhe me zotësi. Ktheje fytyrën drejt Mbretërisë së Perëndisë, kërko blatimet e Shpirtit të Shenjtë, fol dhe konfirmimet e Shpirtit do të vijnë.
5 Për sa i përket syrit të madh diellor që ti e pe në ëndërr ai ishte i Premtuari, rrezet që lëshonte ishin bujaritë e Tij, sipërfaqja e tejdukshme e masës së ujit simbolizon zemrat e panjollosura e të dëlira, ndërsa valët e dallgëzuara shprehin gëzimin e madh të atyre zemrave dhe faktin që ato janë tundur e tronditur thellë, sepse valët janë trazimet e shpirtit e shenjat e shenjta të
frymës. Lavdëro Perëndinë që në botën e ëndrrës ti ke përjetuar të tilla zbulime.
6 Ç’do të thotë që një individ të harrojë tërësisht veten: qëllimi është që ai të ngrihet dhe të sakrifikohet në kuptimin e vërtetë, sepse ai duhet të harrojë shtytjet e gjendjes njerëzore dhe ta shpëtojë veten prej karakteristikave të tilla që janë të denja për t’u fajësuar dhe që formojnë errësirën sterrë të kësaj jete mbi dhé – që të mos lejojë t’i prishet shëndeti fizikisht dhe trupi t’i bëhet i pafuqishëm.
7 Unë lutem sinqerisht e përulësisht te Pragu i Shenjtë që bekimet qiellore dhe ndjesa hyjnore të ruajnë nënën tënde të shtrenjtë, motrat dhe të afërmit e tu të dashur. Lutem sidomos për vëllanë tënd që ka ikur papritur nga kjo botë për në tjetrën.

154 1 O ti bir i Mbretërisë! Letrat e tua shumë të këndshme, me stilin e tyre të pëlqyer, gjithmonë i gëzojnë zemrat tona. Kur kënga është e Mbretërisë ajo e gëzon shpirtin.
2 Lavdëro Perëndinë që ke udhëtuar në atë vend51 me qëllim që të lartësosh Fjalën e Tij, të përhapësh kudo aromën e shenjtë të Mbretërisë së Tij dhe që po shërben si kopshtar në kopshtet e qiellit. Së shpejti përpjekjet e tua do të kurorëzohen me sukses.
3 O ti bir i Mbretërisë! Të gjitha gjërat janë të dobishme në qoftë se bëhen me dashuri për Perëndinë; kurse pa dashurinë për Të të gjitha gjërat janë të dëmshme dhe veprojnë si një perde midis njeriut dhe Zotit të Mbretërisë. Kur është e pranishme dashuria për Të, çdo hidhërim bëhet i ëmbël dhe çdo dhunti jep kënaqësi të shëndetshme. Për shembull, një melodi e ëmbël për veshin i sjell vetë shpirtin e jetës çdo zemre të dashuruar pas Perëndisë, por njollos me epsh një shpirt të thithur në dëshira sensuale. Dhe çdo degë e dijes, e kombinuar me dashurinë e Perëndisë është e pëlqyer dhe e denjë për t’u lavdëruar; por pa dashurinë e Tij, dituria është shterpë – në të vërtetë, ajo sjell marrëzi. Çdo lloj dijeje, çdo shkencë është si një pemë: në qoftë fryti i saj dashuri e Perëndisë, atëherë ajo është pemë e bekuar, por në qoftë se jo, ajo pemë është veçse një dru i thatë dhe do të ushqejë vetëm zjarrin.
4 O ti shërbëtor besnik i Perëndisë dhe ti shërues shpirtëror i njeriut! Sa herë që ndjek një pacient ktheje fytyrën tënde drejt Zotit të Mbretërisë qiellore, kërko të të vijë në ndihmë Shpirti i Shenjtë e pastaj shëro sëmundjen.

155 1 O ti flakë e dashurisë së Perëndisë! Ajo që ke shkruar na ka gëzuar shumë, sepse letra tënde ishte si një kopsht prej të cilit trëndafilat e kuptimeve të fshehta përhapin kudo aromat e këndshme të dashurisë së Perëndisë. Në të njëjtën mënyrë, përgjigjet e mia do të shërbejnë si reshje shiu dhe si vesë për të derdhur mbi këto pemë shpirtërore që kanë lulëzuar në kopshtin e zemrës tënde më shumë freski dhe bukuri se sa mund të thuhet me fjalë.
2 Ti shkruaje për sprovat e dhimbshme që të kanë rënë. Për një shpirt besnik, një sprovë është veçse hiri dhe favori i Perëndisë; sepse trimi shkon me gëzim përpara drejt betejës së ashpër në fushën e dhimbjes, kurse frikacaku, duke u qarë nga frika, do të fërgëllojë dhe do të dridhet. Po kështu studenti i aftë që ka zotëruar lëndët me kompetencë të madhe dhe i ka futur ato në kujtesë, do t’i shprehë aftësitë e tij para komisionit të provimit në ditën e provave. Po kështu ari i pastër do të shkëlqejë në mënyrë mahnitëse dhe do të shndrisë në zjarrin e provës.
3 Është e qartë, pra, që sprovat e mundimet për shpirtrat e shenjtëruar janë veçse hiri dhe bujaria e Perëndisë, ndërsa për të dobëtin ato janë papritur e pa kujtuar fatkeqësi.
4 Këto sprova, siç shkruaje ti, veçse pastrojnë njollat e vetes mbi pasqyrën e zemrës, derisa Dielli i së Vërtetës të hedhë mbi të rrezet e tij; sepse nuk ka perde më bllokuese se vetja dhe sado e hollë që të jetë ajo perde, tek e fundit ajo do ta pengojë plotësisht një person dhe do ta privojë atë prej pjesës të hirit së tij të përjetshëm.
5 O ti shërbëtore e ngazëllyer e Perëndisë! Kur besimtarët, burra dhe gra, më kalojnë në mendje para syve të mi e ndjej veten të ngrohur në zjarrin e dashurisë së Perëndisë dhe lutem që i Plotfuqishmi t’i ndihmojë këta shpirtra të shenjtë me ushtritë e tij të padukshme. Lëvduar qoftë Perëndia që profecitë e të gjithë Manifestimeve të Tij tashmë janë përmbushur qartë në këtë më të madhen e gjithë ditëve, në këtë epokë të shenjtë e të bekuar.
6 O ti shërbëtore e ngazëllyer e Perëndisë! Afërsia është me të vërtetë nga shpirti dhe jo nga trupi; po ashtu ndihma që kërkohet dhe ndihma që vjen nuk është materiale, por shpirtërore; sidoqoftë kam shpresë që ti të arrish te afërsia në çdo kuptim. Bujaritë e Perëndisë me të vërtetë do ta mbështjellin një shpirt të shenjtëruar si bën drita e diellit me hënën dhe yjet: për këtë të jesh e sigurt.
7 Në emër të ‘Abdul-Baháit flladit te secili prej besimtarëve, qofshin burra apo gra, frymët aromatike të shenjtërisë. Frymëzoji ata të gjithë dhe nxiti të derdhin nëpër botë shijet e ëmbla të Zotit.

156 1 O ti shërbëtor i Pragut të Shenjtë! Ne kemi lexuar çka dalë prej penës sate të dashuruar me Perëndinë dhe përmbajtja e letrës tënde na kënaqi shumë. Kam shpresë që nëpërmjet bujarisë së Perëndisë, frymët e Mëshirëplotit të të gjallërojnë e të të përtëritin gjatë gjithë kohës.
2 Ti ke shkruar për rimishërimin. Besimi në rimishërimin të kthen shumë prapa në historinë e lashtë të pothuajse të gjithë popujve dhe mbështetej madje edhe nga filozofët e Greqisë, nga të urtët romakë, nga egjiptianët e lashtë dhe asirianët e mëdhenj. Megjithatë, bestytni e thënie të tilla s’janë veçse absurditete në sytë e Perëndisë.
3 Argumenti kryesor i përkrahësve të rimishërimit ishte se, sipas drejtësisë së Perëndisë, secili duhet të marrë atë që i takon: Kurdo që një njeri është goditur nga një fatkeqësi, për shembull, kjo ndodh për shkak të ndonjë të keqeje që ai ka bërë. Por merr një fëmijë që është ende në mitrën e nënës, embrionin e formuar së fundi, dhe ai fëmijë është i verbër, i shurdhër, i çalë, me të meta – çfarë mëkati ka bërë një fëmijë i tillë që të meritojë vuajtjet e tij? Ata përgjigjen që, megjithëse në pamje të jashtme fëmija që ndodhet ende në mitër nuk është fajtor për asnjë mëkat, por ai ka bërë ndonjë të keqe kur ka qenë në formën e vet të mëparshme dhe kështu ka merituar dënimin që i është dhënë.
4 Këtyre njerëzve, sidoqoftë, u ka shpëtuar çështja që vijon. Në qoftë se krijimi është kryer sipas një rregulli të vetëm, si do të mundej Fuqia gjithëpërfshirëse ta bënte Veten të ndihej? Si do të mundej Fuqiploti të ishte Ai Që “bën si I pëlqen dhe urdhëron ashtu si do?”
5 Me një fjalë, Shkrimet e Shenjta i referohen me të vërtetë një kthimi, por me këtë kuptohet kthimi i vetive, kushteve, rezultateve, përsosurive dhe realiteteve të brendshme të dritave, që ndodh në çdo dispensacion. Kjo referencë nuk bëhet për shpirtra e qenie specifike, individuale.
6 Mund të thuhet, për shembull, se kjo dritë llambe është kthimi prapë i asaj të natës së kaluar, ose se trëndafili i vitit të kaluar është kthyer në kopsht këtë vit. Referenca këtu nuk është për një realitet individual, për një identitet të caktuar, për qenien e përcaktuar të atij trëndafilit tjetër; përkundrazi ajo do të thotë se vetitë, veçoritë karakteristike të asaj dritës tjetër, të asaj lules tjetër janë tani të pranishme në këto të tanishmet. Ato përsosuri, dmth ajo hijeshi e ato dhunti të një pranvere të mëparshme janë kthyer përsëri këtë vit. Ne themi, për shembull, se ky frut është po ai i vitit të shkuar; por ne kemi parasysh vetëm finesën, lulëzimin, freskinë dhe shijen e ëmbël të tij; sepse është e qartë që ajo qendër e paprekshme e realitetit, ai identitet specifik, nuk mund të kthehet më kurrë.
7 Çfarë paqe, qetësie e komforti patën zbuluar ndonjëherë Shenjtorët e Perëndisë gjatë qëndrimit të Tyre në këtë botë këtu poshtë që Ata të kërkonin vazhdimisht të ktheheshin e të bënin atë jetë përsëri? A nuk ishte mjaft një kthim i vetëm në këtë ankth, në këto vuajtje, këto fatkeqesi, këto goditje trupore, këto vështirësi të frikshme, që Ata të dëshironin vizita të përsëritura në jetën e kësaj bote? Ajo kupë nuk ishte aq e ëmbël saqë dikush të kishte dëshirë ta pinte atë për herë të dytë.
8 Prandaj ata që ushqejnë dashuri për Bukurinë Abhá nuk dëshirojnë tjetër shpërblim veçse të arrijnë atë pozitë që ta sodisin Atë në Mbretërinë e Lavdisë, dhe ata nuk shkelin në asnjë shteg tjetër veç shkretëtirës me rërë të mallit për ato maja të larta. Ata kërkojnë atë qetësi e ngushëllim që do të jenë përgjithmonë, dhe ato dhunti që janë të shënjtëruara tej të kuptuarit të mendjes tokësore.
9 Kur ti sheh rreth vetes me sy zhbirues, vë re se në këtë tokë të pluhurit të gjithë njerëzit vuajnë. Këtu njeriu nuk gjen dot prehje për të kompensuar mëkatet që ka kryer në një jetë të mëparshme; as nuk ka ndonjëri kaq të lumtur sa të duket sikur këput frytin e dhimbjes së shkuar. Dhe në qoftë se jeta njerëzore, me qenien e saj shpirtërore, do të kufizohej në këtë hapësirë tokësore, atëherë cili do të ishte fryti i krijimit? Me të vërtetë, cilat do të ishin pasojat dhe përfundimet e Vetë Hyjnisë? Sikur një vështrim i tillë të ishte i vërtetë, atëherë të gjitha gjërat e krijuara, të gjitha realitetet e mundshme dhe e gjithë kjo botë e qenies – të gjitha do të ishin pa kuptim. Mos e dhëntë Zoti që njeriu t’i përmbahet një trillimi e gabimi të tillë të madh.
10 Sepse ashtu si rezultatet dhe fryti i jetës në mitër nuk mund të shihen në atë vend të errët e të ngushtë, dhe vetëm kur foshnja transferohet në këtë tokë të gjerë, zbulohen të mirat e dobitë e rritjes e të zhvillimit në atë botë të mëparshme – po kështu shpërblimi dhe ndëshkimi, qielli dhe ferri, kompensimi dhe shpagimi për veprat e bëra në jetën e tanishme do të zbulohen në atë botën tjetër të përtejme. Dhe ashtu si jeta në barkun e nënës, po të ishte e kufizuar në atë botë të mitrës, ekzistenca atje do të ishte e pakuptimtë, e parëndësishme – po kështu në qoftë se jeta e kësaj bote, veprat e kryera këtu dhe frytet e tyre nuk do të vinin në botën e përtejme, tërë procesi do të ishte irracional e qesharak.
11 Dije, pra, se Zoti Perëndia zotëron mbretëri të padukshme që intelekti njerëzor kurrë nuk mund të shpresojë t’u gjejë fundin dhe as t’i konceptojë mendja e njeriut. Kur ti e ke pastruar kanalin e ndjenjës sate shpirtërore nga ndotja e kësaj jete tokësore, atëherë ti do të thithësh aromat e ëmbla të shenjtërisë, që fryjnë nga tenda e lumtur e asaj toke qiellore.
12 Lavdia u prehtë mbi ty dhe mbi këdo që kthehet e ngul vështrimin mbi Mbretërinë e Lavdiplotit, të cilin Zoti e ka shenjtëruar sa nuk e kuptojnë dot ata që janë moskokëçarës ndaj Tij dhe e ka fshehur prej syve të atyre që i shesin mend Atij.

157 1 O ju që jeni kaq fort të tërhequr! O ju që jeni kaq të vëmendshëm! O ju që keni përparuar në Mbretërinë e Perëndisë! Me të vërtetë, me gjithë shpirt e zemër e me tërë përulësinë lus Zotin Perëndi t’u bëjë flamuj të udhërrëfimit, flamuj të drejtësisë, burime të kuptimit dhe të dijes që nëpërmjet jush të udhëheqë në shtegun e drejtë kërkuesit dhe i t’i drejtojë ata në udhën e gjerë të së vërtetës në këtë epokë nga më madhështoret.
2 të dashur të Perëndisë! Dijeni se bota është si një mirazh që ngrihet mbi shkretëtirë, të cilin i eturi e merr gabimisht për ujë. Vera e kësaj bote s’është veçse avull në shkretëtirë, mëshira e dhëmbshuria e saj veç mundim e telash, prehja që ofron vetëm këputje e brengë. Lërjani atë atyre që i përkasin asaj dhe kthejini fytyrat ndaj Mbretërisë së Zotit tuaj, Mëshirëplotit, që hiri e mirësia e Tij të lëshojnë mbi ju shkëlqimet e agimit dhe një tryezë qiellore të dërgohet për ju, që Zoti juaj t’ju bekojë dhe të reshë mbi ju pasuritë e Tij për të gëzuar gjokset tuaja, t’i mbushë zemrat tuaja me lumturi, të tërheqë mendjet tuaja, të spastrojë shpirtrat tuaj dhe të ngushëllojë sytë tuaj.
3 O ju të dashurit e Perëndisë! Ka ndonjë dhënës atje përveç Perëndisë? Ai zgjedh për ta mëshiruar atë që do Ai. Së shpejti Ai do të hapë para jush portat e dijes së Tij dhe do t’iu mbushë zemrat me dashurinë e Tij. Ai do t’iu gëzojë shpirtrat me puhizat e lehta të shenjtërisë së Tij, do t’iu shndrisë fytyrat me shkëlqimet e dritave të Tij dhe do të lartësojë kujtimin tuaj mes gjithë njerëzve. Zoti juaj është me të vërtetë i Dhembshuri, i Mëshirshmi.
4 Ai do t’ju vijë në ndihmë me turma të padukshme dhe do t’ju mbështesë me ushtri të frymëzimit nga Grupimi i Epërm; Ai do t’ju sjellë juve aroma të ëmbla nga Parajsa më e lartë dhe do të përhapë mbi ju flladin e kulluar që fryn nga kopshtet e trëndafilave të Aradhes qiellore. Ai do të sjellë në zemrat tuaja shpirtin e jetës, do t’ju bëjë të hyni në Arkën e shpëtimit dhe do t’ju revelojë shenjat e simbolet e tij të qarta. Kjo është vërtet një mirësi e madhe. Kjo është vërtet fitorja që askush nuk mund ta mohojë.

158 1 Mos u hidhëro për ngjitjen në qiell të Breakwellit tim të shtrenjtë, sepse ai është ngritur tek një kopsht trëndafilash të shkëlqimeve brenda Parajsës Abhá, mbrojtur nga mëshira e Zotit të tij të fuqishëm dhe po thërret me sa ka në kokë: ‘O sikur ta dinin njerëzit e mi sa me dëshirë më ka falur Zoti im dhe më bëri të jem prej atyre që kanë arritur Praninë e Tij!’52

2 O Breakwell, O i shtrenjti im!
Ku është tani fytyra jote e mirë? Ku është gjuha jote brisk? Ku është balli yt i kthjellët? Ku është ëmbëlsia jote e shkëlqyer?

3 O Breakwell, O i shtrenjti im!
Ku është zjarri yt, që flakërohej me dashurinë e Perëndisë? Ku është ngazëllimi yt me frymët e Tij të Shenjta? Ku janë lavdet e tua të ngritura për Të? Ku është ngritja jote për t’i shërbyer Kauzës së Tij?

4 O Breakwell, O i shtrenjti im!
Ku janë sytë e tu të bukur? Buzët e tua që qeshin? Faqja princërore? Forma e hijshme?

5 O Breakwell, O i shtrenjti im!
Ti e ke lënë këtë botë tokësore dhe je ngjitur lart drejt Mbretërisë, ke arritur tek hiri i mbretërisë së padukshme dhe e ke dhënë veten në pragun e Zotit të saj.

6 O Breakwell, O i shtrenjti im!
Ti ke lënë llambën që këtu ishte trupi yt, qelqen që ishte forma jote trupore, elementët e tu tokësorë, mënyrën e jetesës këtu poshtë.

7 O Breakwell, O i shtrenjti im!
Ti ke ndezur një flakë brenda llambës së Kompanisë së epërme, ti ke vënë këmbë në Parajsën Abhá, ti ke gjetur strehë në hijen e Pemës së Bekuar, ti ke arritur takimin me Të në qiellin e Qiellit.

8 O Breakwell, O i shtrenjti im!
Ti je tani një zog i Qiellit, ti ke lënë folenë tënde tokësore dhe ke fluturuar larg në një kopsht të shenjtërisë në mbretërinë e Zotit tënd. Ti je ngjitur në një stacion të mbushur me dritë.

9 O Breakwell, O i shtrenjti im!
Kënga jote tani është si këngë zogu, ti derdh vargje për mëshirën e Zotit tënd; për Atë Që fal gjithmonë, ti ishe një shërbëtor mirënjohës, prandaj ti ke hyrë në lumturinë e jashtëzakonshme.

10 O Breakwell, O i shtrenjti im!
Zoti yt me të vërtetë të ka zgjedhur me dashurinë e Tij dhe të ka udhëhequr në rajonet e Tij të shenjta, të ka bërë të hysh në kopshtin e atyre që janë bashkudhëtarët e Tij të ngushtë dhe të ka bekuar duke parë bukurinë e Tij.

11 O Breakwell, O i shtrenjti im!
Ti ke fituar jetën e amshuar, bujarinë që nuk humbet kurrë dhe një jetë me plot hir që ty të kënaq fort.

12 O Breakwell, O i shtrenjti im!
Ti u bëre yll në qiellin hyjnor dhe dritë mes engjëjve të Qiellit të epërm; një shpirt i gjallë në Mbretërinë më të lartësuar, i fronëzuar në përjetësi.

13 O Breakwell, O i shtrenjti im!
Unë i kërkoj Perëndisë të të afrojë gjithnjë e më shumë, të të mbajë gjithnjë e më fort; të gëzojë zemrën tënde me afërsinë e pranisë së Tij, të të mbushë me dritë, akoma me më shumë dritë, të dhëntë akoma më tepër bukuri dhe derdhtë mbi ty fuqi e lavdi madhështore.

14 O Breakwell, O i shtrenjti im!
Unë të sjell ndër mend gjatë gjithë kohës. Unë nuk do të të harroj kurrë. Lutem për ty ditën dhe natën; të shoh qartë para meje si ditën me diell.

15 O Breakwell, O i shtrenjti im!

159 1 Në lidhje me pyetjen tënde a e arrin pa përjashtim çdo shpirt jetën e përjetshme? Dije se pavdekësia iu përket atyre shpirtrave te të cilët shpirti i jetës është thithur prej Perëndisë. Të gjithë, përveç këtyre, janë të pajetë – ata janë të vdekur, siç ka shpjeguar Krishti në tekstin e Ungjillit. Ai sytë e të cilit i ka hapur Zoti do të shohë shpirtrat e njerëzve në pozitat që do të zënë pas çlirimit të tyre prej trupit. Ai do të shohë të gjallët duke u harlisur brenda oborreve të Zotit të tyre dhe të vdekurit të fundosur në humnerën më të thellë të mallkimit.
2 Dije ti se çdo shpirt modelohet sipas natyrës së Perëndisë, duke qenë secili në lindje i dëlirë dhe i shenjtë. Megjithatë, paskëtaj individët do të ndryshojnë në përputhje me çfarë virtytesh apo vesesh ata marrin në këtë botë. Megjithëse të gjitha qeniet që ekzistojnë janë krijuar pikërisht në vetë natyrën e tyre me rangje apo shkallë, sepse kapacitetet janë të ndryshme, sidoqoftë çdo individ lind i shenjtë, i dëlirë dhe mund të ndotet vetëm më pas.
3 Dhe më tej, megjithëse shkallët e qenies janë të ndryshme, sido që të jetë të gjitha janë të mira. Shiko trupin e njeriut, gjymtyrët e tij, elementët, syrin, veshin, organet e nuhatjes, të shijes, duart, thonjtë. Pavarësisht nga ndryshimet midis këtyre pjesëve, secila prej tyre brenda kufizimeve të qenies së saj vetjake merr pjesë në një tërësi të lidhur. Në qoftë se ndonjëra prej tyre sëmuret duhet të shërohet e në qoftë se nuk i gjendet ilaç, ajo pjesë duhet të hiqet.

160 1 O ti shërbëtore e sinqertë dhe besnike e Zotit! Unë e kam lexuar letrën tënde. Ti je lidhur me të vërtetë me Mbretërinë dhe i je përkushtuar Horizontit të Lavdiplotit. Unë i lutem Perëndisë për çdo ditë që kalon që me bujarinë e Tij të të bëjë të digjesh gjithnjë e më shkëlqyeshëm në zjarrin e dashurisë së Tij.
2 Në dukje ti kishe mëdyshje të shkruaje apo t’u mësoje Besimin. Të mësuarit e Besimit është thelbësore dhe për tani të mësuarit për ty është i pëlqyer. Sa herë të të jepet mundësia, zgjidhe gjuhën dhe drejto racën njerëzore.
3 Ti pyesje si ta sigurosh dijen: lexo Librat dhe Tabelat e Perëndisë, si dhe artikujt e shkruar për të treguar të vërtetën e këtij Besimi. Mes tyre përfshihen Iqáni që është përkthyer në anglisht, veprat e Mirza Abol-Fazllit dhe ato të disa besimtarëve të tjerëve. Në ditët që vijnë do të përkthehen një numër i madh i Tabelave të shenjta dhe i shkrimeve të tjera të shenjta që ti duhet t’i lexosh. Po ashtu, kërkoji Perëndisë që magneti i dashurisë së Tij të tërheqë drejt teje dijen e Tij. Sapo një shpirt bëhet i shenjtë në të gjitha gjërat, pastrohet e shenjtërohet, para syve të tij do të hapen kat më kat portat e dijes së Perëndisë.
4 Ti ke shkruar për shërbëtoren e shtrenjtë të Perëndisë, Znj. Goodall. Ai shpirt i ngazëllyer nga Perëndia po i shërben sinqerisht Besimit gjatë gjithë kohës dhe po bën çdo gjë që mund për të përhapur kudo shkëlqimet qiellore. Në qoftë se ajo vepron në të njëjtën mënyrë, në ditët që vijnë do të ketë rezultate shumë të mëdha. Gjëja kryesore është të mbetesh e vendosur, e rrënjosur fort dhe këmbëngulëse deri në fund. Kam shpresë që nëpërmjet përpjekjeve të mëdha të shërbëtoreve të Zotit, ato kodrina dhe ai breg oqeani53 do të shkëlqejnë me dashurinë e Perëndisë aq sa të derdhin rrezet e tyre nga të gjitha anët e tokës.
5 Ti pyesje nëse shpëton çdo shpirt me ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë. Dielli i së Vërtetës ka ndriçuar me shkëlqim mbi gjithë botën, kurse lindja e tij ndriçuese është shpëtimi i njeriut dhe jeta e tij e amshuar – por i shpëtuar është vetëm ai që i ka bërë katër sytë e tij të mprehtë dhe e shikon atë lavdi.
6 Po ashtu ti pyet nëse në Dispensacionin Bahá’í do të triumfojë përfundimisht ana shpirtërore. Është e sigurt që spiritualizmi do ta mundë materializmin, që qiellorja do ta nënshtrojë njerëzoren dhe nëpërmjet edukimit hyjnor masat e njerëzimit në përgjithësi do të hedhin hapa përpara në të gjitha shkallët e jetës – përveç atyre që janë të verbër e të shurdhër, memecë dhe të vdekur. Si mund ta kuptojnë këta dritën të tillë? Megjithëse rrezet e diellit ndriçojnë edhe qoshen më të errët të globit, i verbëri akoma nuk mund të ketë pjesë të kësaj lavdie dhe megjithëse shiu i mëshirës qiellore zbret rrëke mbi gjithë tokën, prej një toke shterpë nuk do të lulëzojë asnjë kaçube apo lule.

161 1 O ti që kërkon Mbretërinë e qiellit! Kjo botë është si trupi i njeriut dhe Mbretëria e Perëndisë është si shpirti i jetës. Shih sa e errët dhe e ngushtë është bota fizike e trupit të njeriut dhe ç’pre e lëngatave dhe e sëmundjeve është ajo. Nga ana tjetër, sa e freskët dhe e ndritshme është mbretëria e shpirtit njerëzor. Gjyko nga kjo metaforë sesi bota e Mbretërisë ka ndriçuar dhe si ligjet e saj janë vënë në veprim në mbretërinë e poshtme. Megjithëse qëndron i fshehur nga shikimi, por porositë e tij shkëlqejnë si rreze drite mbi botën e trupit njerëzor. Po kështu, megjithëse Mbretëria e qiellit është e fshehur nga shikimi i këtyre njerëzve padashur, prapë për atë që sheh me syrin e brendshëm, ajo është e dukshme si drita e ditës.
2 Prandaj jeto gjithmonë në Mbretërinë dhe harroje botën këtu poshtë. Rrëmbehu tërësisht në rrezatimet e shpirtit saqë kurrgjë në botën e njeriut të mos të të shkëpusë dot.

162 1 O ju miq të shtrenjtë të ‘Abdu’l-Baháit! Gjatë gjithë kohës unë pres lajmet tuaja të mira, i etur për të dëgjuar që ju po bëni përparim ditë për ditë dhe po bëheni gjithnjë e më shumë të ndriçuar me dritën e udhërrëfimit.
2 Bekimet e Bahá’u’lláhut janë një det i paanë, madje dhe jeta e amshuar është vetëm një pikë loti prej tij. Valët e atij deti po ndjekin njëra-tjetrën karshi zemrave të miqve dhe prej këtyre valëve vijnë shenjat e frymës, rrahjet entuziaste të shpirtit, deri sa zemra, me hir apo me pahir, u hap rrugën dhe kthehet përulësisht me lutje drejt Mbretërisë së Zotit. Prandaj bëni gjithçka që mundni për ta çliruar veten plotësisht, që në çdo moment të pasqyroni shkëlqimet e reja të Diellit të së Vërtetës.
3 Ju të gjithë rroni në zemrën e ‘Abdu’l-Baháit dhe në çdo frymëmarrje unë kthej fytyrën drejt Pragut të Njëshmërisë duke kërkuar bekime për ju të gjithë.

163 1 O ju dy kërkues të së vërtetës! E morëm letrën tuaj dhe pamë me vëmendje përmbajtjen e saj. Ndërsa letrat që kishit dërguar më parë nuk janë marrë të gjitha, ndërkohë që disa arritën këtu në një kohë kur mizoria e shtypësve ishte shtuar aq shumë sa ishte e pamundur të dërgoje një përgjigje. Tashmë që kemi marrë këtë letër jemi në gjendje t’i përgjigjemi dhe ndaj kam filluar të shkruaj, pavarësisht nga shumë punë të ngutshme, që ju ta dini se jeni të dashur për ne dhe po ashtu të pëlqyer në Mbretërinë e Perëndisë.
2 Megjithatë pyetjeve tuaja mund t’u përgjigjemi vetëm shkurt, përderisa nuk ka kohë për një përgjigje të hollësishme. Përgjigja për pyetjen e parë: shpirtrat e bijve të Mbretërisë, pas ndarjes së tyre nga trupi, ngjiten në mbretërinë e jetës së pasosur. Por në qoftë se pyesni për vendin, dijeni se bota e ekzistencës ëshë një botë e vetme, edhe pse shkallët e saj janë të ndryshme e dallohen prej njëra-tjetrës. Për shembull, jeta minerale ka vendin e vet, por një qenie minerale nuk ka asnjë dijeni për gjërat e botës bimore, dhe në fakt me gjuhën e vet të brendshme mohon ekzistencën e një mbretërie të tillë. Po kështu, një qenie bimore nuk di asgjë për botën shtazore, duke mbetur krejtësisht e pavëmendshme dhe e paditur ndaj saj, sepse stadi i kafshës është më i lartë sesa ai i bimës, dhe bima është e ndarë si me perde nga bota shtazore e përbrenda e mohon ekzistencën e asaj bote – ndërkaq të gjitha këto, qoftë kafshë, bimë apo mineral janë së bashku në të njëjtën botë. Po kështu, kafsha mbetet krejt e paditur për aftësinë e mendjes njerëzore që kap idetë universale dhe nxjerr në shesh sekretet e krijimit – dhe njeriu që jeton në Lindje mund të bëjë plane e rregullime për Perëndimin; mund të shpalosë mistere; edhe pse i vendosur në kontinentin evropian mund të zbulojë Amerikën; edhe pse qëndron në tokë mund të kapë realitetet e brendshme të yjeve të qiellit. Kafsha mbetet krejtësisht e paditur për këtë aftësi të zbulimit që i përket mendjes njerëzore, për këtë aftësi për të kapur ide abstrakte e universale, dhe në fakt e mohon ekzistencën e saj.
3 Po kështu, banorët e kësaj toke janë krejt të paditur për botën e Mbretërisë dhe e mohojnë ekzistencën e saj. Ata, për shembull, pyesin: “Ku është Mbretëria? Ku është Zoti i Mbretërisë?” Këta njerëz janë si mineralet dhe bimët, që nuk dinë asgjë për mbretërinë shtazore dhe njerëzore; ato nuk e shohin atë; ato nuk e gjejnë dot atë. Megjithatë minerali dhe bima, kafsha dhe njeriu të gjithë jetojnë së bashku në këtë botë të ekzistencës.
4 Ndërsa për pyetjen e dytë; provat dhe mundimet e Perëndisë ndodhin në këtë botë, jo në botën e Mbretërisë.
5 Përgjigja ndaj pyetjes së tretë është kjo që në botën tjetër realiteti njerëzor nuk merr një formë fizike, se sa një formë qiellore e përbërë prej elementëve të mbretërisë qiellore.
6 Dhe përgjigja për pyetjen e katërt: qendra e Diellit të së Vërtetës është në botën hyjnore – Mbretërinë e Perëndisë. Ato shpirtra që janë të dëlirë e të panjollosur, me shpërbërjen e strukturave të tyre thelbësore, nxitojnë drejt botës së Perëndisë dhe ajo botë është brenda kësaj bote. Megjithatë, njerëzit e kësaj bote nuk janë në dijeni për atë botë dhe, bile, janë si inorganikja e bima që nuk dinë asgjë për botën e kafshës dhe botën e njeriut.
7 Përgjigja për pyetjen e pestë është kjo: Bahá’u’lláhu ka ngritur tabernakullin e njëshmërisë së njerëzimit. Kush kërkon strehë nën këtë çati do të vijë natyrisht prej vendbanimeve të tjera.
8 Dhe për pyetjen e gjashtë: në qoftë se midis dy grupeve në konflikt ka ndryshime për një apo më shumë çështje, për zgjidhjen e problemit ata le t’i referohen Qendrës së Besëlidhjes.
9 Dhe pyetja e shtatë: Bahá’u’lláhu është bërë manifestim për gjithë njerëzimin dhe i ka ftuar të gjithë në tavolinën e Perëndisë, në banketin e bujarisë Hyjnore. Megjithatë, sot shumica e atyre që janë ulur në këtë tavolinë janë të varfrit dhe kjo është arsyeja që Krishti ka thënë qofshin bekuar të varfrit, sepse të pasurit i pengojnë pasuritë për të hyrë në Mbretëri; dhe përsëri Ai tha ‘Më e lehtë është që një deve të shkojë nëpër vrimën e gjilpërës se sa një njeri i pasur të hyjë në Mbretërinë e Perëndisë.’54 Megjithatë, në qoftë se pasuria e kësaj bote, lavdia tokësore dhe emri nuk e bllokojnë hyrjen e tij në të, ai njeri i pasur do të preferohet në Pragun e Shenjtë dhe do të pranohet nga Zoti i Mbretërisë.
10 Me pak fjalë, Bahá’u’lláhu është manifestuar për të edukuar gjithë popujt e botës. Ai është Edukatori Universal, qoftë për të pasurit apo të varfrit, qoftë për zezakët apo të bardhët, qoftë për popujt nga lindja apo nga perëndimi, nga veriu apo nga jugu.
11 Prej atyre që vizitojnë ‘Akkán, disa kanë bërë hapa të mëdhenj përpara. Qirinj të pa ndezur, ata janë flakëruar; të vyshkur, ata filluan të lulëzojnë; të vdekur, ata u thirrën në jetë dhe shkuan në shtëpi me lajmin e gëzimit të madh. Por të tjerët, në të vërtetë, thjesht sa kanë kaluar; ata kanë bërë vetëm një udhëtim.
12 O ju të dy që jeni tërhequr fort ndaj Mbretërisë, falënderoni Perëndinë që e keni bërë shtëpinë tuaj një qendër Bahá’í dhe një vend mbledhjeje për miqtë.

164 1 O ju dy shpirtra besnikë e të sigurt! Letra është marrë. Lavdërimi qoftë me Perëndinë, ajo sillte lajme të mira. Kalifornia është gati për shpalljen e Mësimeve të Perëndisë. Kam shpresë që të përpiqeni me mish e me shpirt që aromat e ëmbla t’u kundërmojnë hundën.....
2 Në emrin tim përcillini me respekt përshëndetje Znj. Çeis dhe i thoni: ‘Z. Çeis është një yll vezullues mbi horizontin e së Vërtetës, por tani ai është ende prapa reve; së shpejti ato do të çahen dhe shkëlqimi i atij ylli do të ndriçojë shtetin e Kalifornisë. Çmoje këtë bujari që ti ke qenë në jetë gruaja dhe bashkudhëtarja e tij.’
3 Çdo vit në përvjetorin e ngjitjes55 së atij shpirti të bekuar miqtë duhet t’i vizitojnë varrin në emër të ‘Abdu’l-Baháit dhe me përulësinë më të madhe, me gjithë nderimet, të shtrijnë mbi atë varr kurora lulesh dhe ta kalojnë gjithë ditën me lutje të qeta, ndërsa kthejnë fytyrat e tyre drejt Mbretërisë së Shenjave, përmendin e lavdërojnë atributet e atij personi të shquar.

165 1 O Perëndia im! O Perëndia im! Me të vërtetë shërbëtori yt, i përulur para madhështisë së epërsisë Tënde hyjnore, përkulur në derën e njëshmërisë Tënde, të ka besuar Ty dhe vargjet e Tua, ka dëshmuar për fjalën Tënde, është ndezur me zjarrin e dashurisë Tënde, është zhytur në thellësitë e oqeanit të dijes Sate, është tërhequr nga flladet e Tua, të ka besuar Ty, ka kthyer fytyrën e tij ndaj Teje, ka ofruar përgjërimet e tij tek Ty, është garantuar për ndjesën Tënde dhe ka fluturuar në mbretërinë e pavdekësisë i përvëluar nga zjarri për të të takuar Ty.
2 O Zot, lavdëroje pozitën e tij, strehoje nën tendën e mëshirës Sate supreme, bëje të hyjë në parajsën Tënde të lavdishme dhe përjetësoje ekzistencën e tij në kopshtin Tënd të trëndafiltë, të lartësuar, që ai të kridhet në detin e dritës në botën e mistereve.
3 Me të vërtetë, Ti je Zemërgjeri, i Fuqishmi, Falësi dhe Blatuesi.

4 O ti shpirt i siguruar, ti shërbëtore e Perëndisë ...! Mos u hidhëro për vdekjen e burrit tënd të respektuar. Ai në të vërtetë ka arritur takimin me Zotin e Tij në fronin e së Vërtetës në praninë e Mbretit të fuqishëm. Mos mendo se ti e ke humbur atë. Perdja do të hiqet dhe ti do të sodisësh fytyrën e tij të ndriçuar në Tubimin Suprem. Taman ashtu siç ka thënë Perëndia, i Lartësuari, “Ai me siguri do të ngjallet për një jetë të lumtur”. Prandaj rëndësi supreme i duhet dhënë jo këtij krijimi të parë, por përkundrazi jetës së ardhme.

166 O shërbëtor Bahá! Qofsh vetflijues në shtegun e Perëndisë dhe jepi krahë fluturimit tënd drejt qiejve të dashurisë së Bukurisë Abhá, sepse çdo lëvizje e frymëzuar nga dashuria lëviz prej periferisë në qendër, prej hapësirës në Diellin e universit. Ndoshta ti e mendon këtë të vështirë, por unë po të them që kjo nuk mund të jetë e vërtetë, sepse kur fuqia shtytëse dhe udhëheqëse është forca hyjnore e magnetizmit, është e mundur që me ndihmën e saj të përshkosh me lehtësi e shpejtësi kohën e hapësirën. Lavdia qoftë mbi njerëzit Bahá.

167 Ti ke pyetur rreth fatit, paracaktimit hyjnor dhe vullnetit. Fati dhe paracaktimi hyjnor qëndrojnë në marrëdhëniet e domosdoshme dhe të detyrueshme që ekzistojnë në realitetet e gjërave. Këto marrëdhënie janë vendosur në realitetet e qenieve që ekzistojnë nëpërmjet fuqisë së krijimit dhe çdo ndodhi është pasojë e marrëdhënies së domosdoshme. Për shembull, Perëndia ka krijuar një lidhje midis diellit dhe globit tokësor që rrezet e diellit duhet të ndriçojnë dhe toka duhet të prodhojë. Këto marrëdhënie përbëjnë paracaktimin hyjnor dhe manifestimi i saj në rrafshin e ekzistencës është fat. Vullneti është ajo forcë aktive që kontrollon këto marrëdhënie dhe këto ndodhi. E tillë është përmbledhja e fatit dhe e paracaktimit hyjnor. Unë nuk kam kohë për një shpjegim të hollësishëm. Peshoje këtë; realiteti i fatit, paracaktimit hyjnor dhe vullnetit do të manifestohen.

168 1 O ti zonjë e Mbretërisë! Lavdëro Perëndinë që në këtë epokë, epokën e dispensacionit të Bahá’u’lláhut, ti je zgjuar, je bërë me dije për Manifestimin e Zotit të Ushtrive. Gjithë popujt e botës varrosen në varret e natyrës, ose po dremitin moskokëçarës dhe të paditur. Ashtu si tha Krishti: ‘Unë do të vi kur ju të mos e dini. Ardhja e Birit të Njeriut është si ardhja e një hajduti në një shtëpi, pronari i së cilës nuk di gjë fare.’
2 Shkurtimisht, kam shpresë që prej bujarive të Bahá’u’lláhut të përparosh çdo ditë në Mbretëri, u bëfsh një engjëll qiellor, i mbështetur nga frymët e Shpirtit të Shenjtë dhe të ngresh një strukturë që do të mbetet përjetësisht e fortë dhe e patundur....
3 Këto ditë janë shumë të çmuara; mbërtheje mundësinë e tanishme, ndiz një qiri që nuk do të shuhet kurrë dhe që do të derdhë dritën e tij duke ndriçuar përjetësisht botën e njerëzimit!

169 1 O ju dy shpirtra të duruar! Letrën tuaj e morëm. Vedekja e atij të riu të dashur dhe ndarja e tij prej jush ka shkaktuar hidhërimin e pikëllimin më të madh; sepse ai u lëshua fluturim drejt çerdhes qiellore në buthtimin e moshës së tij e në lulen e rinisë. Por ai është çliruar nga kjo strehë e brengës dhe e ka kthyer fytyrën ndaj çerdhes së përjetshme të Mbretërisë, dhe i çliruar nga një botë e errët e e ngushtë ka shpejtuar për në botën e shenjtëruar të dritës; atje qëndron ngushëllimi i zemrave tona.
2 Urtia e padepërtueshme hyjnore qëndron në themel të ngjarjeve të tilla zemërpërvëluese. Është sikur një kopshtar i kujdesshëm të kalojë një kaçubë të njomë nga një vend i ngushtë në një fushë të gjerë e të hapur. Ky kalim nuk shkakton fishkjen, rrëgjimin ose prishjen e kaçubës; jo, përkundrazi, bën që ajo të rritet e të harliset, të fitojë freski e hijeshi, të bëhet e blertë e të lidhë fryte. Ky sekret i fshehur është i njohur mirë për kopshtarin, por ata shpirtra që nuk e dinë këtë dhunti mendojnë se kopshtari, në zemërimin e tërbimin e tij, e ka shkulur kaçubën. Kurse për ata që janë të vetëdijshëm, ky fakt i fshehur është i dukshëm, dhe ky vendim i paracaktuar konsiderohet si një dhunti. Mos u hidhëro ose dëshpëro, pra, për ndarjen nga jeta të atij zogu të besnikërisë; jo, në të gjitha rrethanat lutu për atë të ri, duke kërkuar për të ndjesë e lartësim të pozitës së tij.
3 Unë shpresoj se ti do të kesh durimin, vetëpërmbajtjen dhe nënshtrimin më të madh, dhe unë lutem e përgjërohem në Pragun e Njëshmërisë, duke kërkuar ndjesë e falje. Shpresa ime nga mirësitë e pafundme të Perëndisë është që Ai t’i japë strehë këtij pëllumbi të kopshtit të besimit dhe të bëjë që ai të banojë në degën e Tubimit Suprem, që ai t’i këndojë me meloditë më të mira lavdisë e madhërimit të Zotit të Emrave e të Atributeve.

170 1 O ti kërkuese e Mbretërisë! Letrën tënde e morëm. Ti ke shkruar për fatkeqësinë e madhe që ka rënë mbi ty – vdekjen e burrit tënd të respektuar. Ai njeri i nderuar u ka qenë nënshtruar aq shumë tensioneve e tendosjeve të kësaj bote, saqë dëshira e tij më e madhe ishte çlirimi nga kjo. E tillë është kjo banesë e vdekshme: një mal me brenga e vuajtje. Është mosdija që e lidh njeriun pas saj, sepse kurrfarë ngushëllimi nuk mund t’i sigurohet asnjë shpirti në këtë botë, që nga monarku e poshtë deri te njeriu i rëndomtë më i thjeshtë. Prandaj njeriu i mençur nuk e lidh veten pas kësaj jete të vdekshme dhe nuk mbështetet tek ajo; në disa momente, madje, ai dëshiron me zjarr vdekjen, që përmes saj të çlirohet nga këto brenga e vuajtje. Kështu, është vënë re që disa, nën presionin e skajshëm të ankthit, kanë kryer vetëvrasje.
2 Përsa i përket burrit tënd, të jesh e sigurt. Ai do të zhytet në oqeanin e faljes e të ndjesës dhe do të bëhet bartës mirësie e favori. Bëj gjithçka për t’i dhënë fëmijës së tij përgatitje Bahá’í, në mënyrë që kur ai të arrijë pjekurinë të jetë i mëshirshëm, i ndriçuar e qiellor.

171 1 O ti shërbëtore e shtrenjtë e Perëndisë, megjithëse humbja e një djali me të vërtetë të copëton zemrën dhe është jashtë caqeve të durimit njerëzor, por kush di e kupton është i sigurt se djalin nuk e ka humbur, përkundrazi ai ka kaluar nga kjo botë në një tjetër dhe se ajo do ta gjejë atë në mbretërinë hyjnore. Ky bashkim do të jetë përgjithmonë, ndërsa në këtë botë ndarja është e pashmangshme dhe sjell me vete një hidhërim përvëlues.
2 Lavdi Zotit që ti ke besim, po e kthen fytyrën ndaj Mbretërisë së përjetshme dhe beson në ekzistencën e një bote qiellore. Pra, mos u dëshpëro, mos u ligështo, mos psherëti, as mos qaj e vajto; sepse ankthi dhe zija e prekin thellë shpirtin e tij në mbretërinë hyjnore.
3 Ai fëmijë i dashur të drejtohet ty nga bota e fshehur: “O ti Nënë e dashur, falëndero Perëndinë hyjnore që unë u çlirova nga një kafaz i vogël e i zymtë dhe, si zogjtë e luadheve, fluturova në botën hyjnore – një botë e gjerë, e ndriçuar dhe gjithmonë e gëzueshme e plot hare. Pra, mos vajto, o Nënë, e mos u pikëllo; unë nuk jam ndër të humburit, dhe as jam prishur e shkatërruar. Unë kam flakur tej formën e vdekshme dhe kam ngritur flamurin tim në këtë botë shpirtërore. Pas kësaj ndarjeje është miqësia e përjetshme. Ti do të më gjesh mua në qiellin e Perëndisë, të zhytur në një oqean drite”.
172 Lavdi Zotit, zemra jote është angazhuar në të kujtuarit e Perëndisë, shpirti yt është gëzuar nga lajmi i gëzar i Perëndisë dhe ti je përqëndruar në lutje. Gjendja e të luturit është kushti më i mirë, sepse njeriu shoqërohet kështu me Perëndinë. Lutja me të vërtetë dhuron jetë, sidomos kur bëhet vetëm për vetëm e në kohë të tilla, si mesnata, kur njeriu është i lirë nga hallet e ditës.
173 Ata shpirtra që, në këtë ditë, hyjnë në Mbretërinë hyjnore dhe arrijnë jetë të pasosur, megjithëse materialisht banojnë mbi tokë, në realitet sidoqoftë fluturojnë në mbretërinë e qiellit. Trupat e tyre mund të enden mbi tokë, por shpirtrat e tyre udhëtojnë në pafundësinë e hapësirës. Sepse kur mendimet zgjerohen e ndriçohen, ata fitojnë aftësinë që të fluturojnë dhe e çojnë njeriun në Mbretërinë e Perëndisë.

174 1 O ju miq shpirtërorë të ‘Abdu’l-Baháit! Letra që kishit shkruar është parë me vëmendje; përmbajtja e saj ishte shumë e kënaqshme dhe tregon qëndrueshmërinë e vendosmërinë tuaj në Kauzën e Perëndisë.
2 Ajo Asamble prehet në hijen mbrojtëse të Zotit të të gjitha bujarive dhe kam shpresë që siç i vjen për shtat, ajo do të preferohet dhe fuqizohet nga frymëmarrjet e Shpirtit të Shenjtë, se ditë për ditë ju do të doni Perëndinë në një masë gjithnjë e më të madhe dhe do të lidheni më ngushtë me Bukurinë që rron përherë, me Atë Që është Drita e botës. Sepse dashuria e Perëndisë dhe tërheqja shpirtërore pastron e dëlir zemrën njerëzore, e vesh dhe e stolis atë me petkun e panjollë të shenjtërisë; dhe sapo zemra të jetë ngjitur me Zotin e të jetë lidhur me Përsosmërinë e Bekuar atëherë do t’i revelohet hiri i Perëndisë.
3 Kjo dashuri nuk është prej trupit, por plotësisht prej shpirtit. Dhe ata shpirtra, qenia e brendshme e të cilëve ndriçohet me dashurinë e Perëndisë janë si rrezet e përhapura të dritës dhe ndriçojnë si yjet e shenjtërisë në një qiell të pastër si kristali. Sepse dashuria e vërtetë, dashuria reale është dashuria për Perëndinë dhe kjo shenjtërohet përtej nocioneve e imagjinatave të njerëzve.
4 Le të jenë të dashurit e Perëndisë, secili prej tyre, thelbi i pastërtisë, vetë jeta e shenjtërisë, në mënyrë që në çdo vend ata të bëhen të famshëm për shenjtërinë, pavarësinë e shpirtit dhe butësinë e tyre. Le të gëzohen ata prej gllënjkave të kupës së përjetshme të dashurisë së Perëndisë dhe të vijnë në qejf ndërsa pinë prej buteve të verës së Qiellit. Le të shohin Bukurinë e Bekuar, të ndjejnë flakërimin dhe ngazëllimin prej atij takimi e të mbeten pa gojë nga habia e mrekullia. Ky është stacioni i të sinqertëve; kjo është udha e besnikëve; ky është shkëlqimi që shndrit mbi fytyrat e atyre që janë pranë Perëndisë.
5 Prandaj, miqtë e Perëndisë duhet të ngrihen me shenjtëri të plotë, me një akord në shpirt, në unitet me njëri-tjetrin deri në atë shkallë sa të bëhen si një qenie dhe një shpirt. Mbi një rrafsh të tillë si ky, trupat fizikë nuk luajnë rol, por merr përsipër e vendos shpirti; dhe kur fuqia e tij i mbështjell të gjithë atëherë arrihet bashkimi shpirtëror. Përpiquni ditë e natë për të kultivuar unitetin tuaj në shkallën më të plotë. Le të rrojnë mendimet tuaja me zhvillimin juaj shpirtëror dhe mbyllini sytë ndaj mangësive të shpirtrave të tjerë. Veproni me aq zgjuarsi, sa që duke treguar vepra të pastra e të bukura, modesti e përulësi, t’i bëni të tjerët të zgjohen.
6 Dëshira e ‘Abdu’l-Baháit kurrë nuk është që të shohë ndonjë qenie të lënduar, as nuk do që të hidhërojë njeri; sepse njeriu nuk mund të pranojë dhuratë më të madhe se sa kjo që ai të gëzojë zemrën e tjetrit. Unë i lutem Perëndisë që ju të jeni sjellës të gëzimit ashtu si janë engjëjt në Qiell.

175 Hijeshia e vdekshme do të shuhet, trëndafilat ua lënë vendin gjëmbave, dhe bukuria e rinia do të mbarojnë jetën e tyre e nuk do të jenë më. Kurse ajo që do të vazhdojë përjetësisht është Bukuria e Të Vërtetit, sepse shkëlqimi i saj nuk vdes dhe lavdia e saj vazhdon përgjithmonë; hijeshia e saj është e gjithëfuqishme dhe tërheqja që ushtron është e pafund. Atëherë lum ajo fytyrë që pasqyron shkëlqimin e Dritës së Të Dashurit! Lavdi Zotit, ti ke qenë ndriçuar nga kjo Dritë, ke fituar margaritarin e dijes së vërtetë dhe ke folur Fjalën e së Vërtetës.
176 1 O ti që je tërhequr ndaj Mbretërisë së Perëndisë! Çdo shpirt kërkon një objektiv e ushqen një dëshirë, dhe përpiqet ditë e natë të arrijë qëllimin e tij. Njëri dëshiron pasuri, një tjetër është i etur për lavdi dhe një tjetër akoma ka dëshirë të flaktë për famë, për art, për mirëqenie e kështu me radhë. Por në fund të gjithë janë të dënuar me humbje e zhgënjim. Të gjithë pa përjashtim lenë pas vetes çdo gjë të tyren dhe duarbosh shpejtojnë për në mbretërinë e përtejme, të gjitha mundimet e tyre janë më kot. Të gjithë do të kthehen në pluhur, të zhveshur, të brengosur, të shkurajuar e në dëshpërim të madh.
2 Por, lavdi Zotit, ti je i angazhuar në atë që të siguron përfitim e që do të vazhdojë përjetë; dhe kjo s’është tjetër veç tërheqja jote ndaj Mbretërisë së Perëndisë, besimi yt, dhe dija jote, ndriçimi i zemrës sate, dhe sjellja jote e zellshme për të mbështetur mësimet hyjnore.
3 Me të vërtetë, kjo dhunti është e pavdekshme dhe kjo pasuri është një thesar i dërguar nga lart!

177 1 O flakë e gjallë e dashurisë qiellore! Zemra jote është kaq e flakëruar me dashurinë e Perëndisë sa që prej dhjetë mijë legash56 larg mund të ndjehet e të shihet ngrohtësia dhe rrezatimi i saj. Zjarri i ndezur nga dora e vdekshme sjell dritë e ngrohtësi veçse në një hapësirë të vogël, ndërsa ajo flakë e shenjtë që e ka ndezur Dora e Perëndisë, megjithëse digjet në lindje, do të flakërojë perëndimin dhe do t’i japë ngrohtësi si veriut edhe jugut; madje, ajo do të ngrihet nga kjo botë për të flakëruar me flakën më të nxehtë në mbretëritë e epërme duke mbushur me dritë Mbretërinë e lavdisë së përjetshme.
2 Lum si ti që ke siguruar një dhuratë kaq hyjnore. Bekuar qofsh që je favorizuar me blatimet e Tij hyjnore.
3 Lavdia e Perëndisë u prehtë mbi ty dhe mbi ata që mbahen fort në dorezën e sigurt të Vullnetit të Tij dhe të Besëlidhjes së shenjtë.

178 1 O shërbëtore e Perëndisë! Letrën tënde të datës 9 dhjetor 1918 e morëm. Përmbajtja e saj u pa me vëmendje. Kurrë mos e humb besimin tek Perëndia. Qofsh kurdoherë optimiste, sepse bujaritë e Perëndisë kurrë nuk pushojnë së reshturi mbi njeriun. Në qoftë se shihen prej një perspektive ato duken sikur pakësohen, por nga tjetra ato janë të plota dhe tërësore. Njeriu në çdo rrethanë është i zhytur në një det bekimesh të Perëndisë. Prandaj, mos qofsh pa shpresë në asnjë rrethanë, por ji e vendosur në shpresën tënde.
2 Ndjekja e mbledhjeve nga miqtë duhet veçanërisht për t’i mbajtur ata zgjuar, vigjilentë, dashurues dhe të tërhequr ndaj Mbretërisë hyjnore.
3 Në qoftë se ti ke një dëshirë të plotë dhe të etur për të udhëtuar për Filsburg, Montana, ti je e lejuar, e mbase je në gjendje të ndezësh një qiri mes atij grupi minatorësh dhe t’i bësh ata të zgjuar e vigjilentë që t’i kthehen Perëndisë dhe të marrin një pjesë prej Bujarisë së Mbretërisë hyjnore.

179 Përpiqu me aq sa mundesh për t’u kthyer tërësisht drejt Mbretërisë, që ju të fitoni guxim natyror dhe forcë ideale.

180 Unë shpresoj që në këtë botë të ulët ti të arrish në dritën qiellore, që do të çlirojë shpirtrat nga errësira e natyrës, që është mbretëri shtazore dhe i bën ata të arrijnë pozitat e larta në mbretërinë njerëzore. Sot gjithë njerëzit janë zhytur në botën e natyrës. Kjo është arsyeja që ti sheh xhelozi, grykësi, luftë për mbijetesë, mashtrim, hipokrizi, tirani, shtypje, grindje, zënka, gjakderdhje, grabitje dhe plaçkitje, të cilat të gjitha rrjedhin prej botës së natyrës. Të paktë janë ata që janë të lirë prej kësaj errësire, që janë ngjitur prej botës së natyrës te bota e njeriut, që kanë pasuar Mësimet hyjnore, i kanë shërbyer botës së njerëzimit, janë të shkëlqyer, të mëshirshëm, të shndritshëm dhe si një kopsht trëndafili. Përpiqu në maksimum për t’u bërë hyjnore, e karakterizuar me atributet e Tij, e shndritshme dhe e mëshirshme, që të çlirohesh prej çdo lidhjeje dhe u bëfsh e lidhur me zemër me Mbretërinë e Zotit të pakrahasueshëm. Kjo është bujaria Bahá’í dhe kjo është drita qiellore.

181 1 Në lidhje me deklaratën në Fjalët e Fshehura, që njeriu duhet të mohojë veten e vet, domethënia është që ai duhet të mohojë dëshirat e tij të pazakonta, qëllimet e tij egoiste e shtysat e unit të tij njerëzor dhe të kërkojë frymëmarrjet e shenjta të shpirtit, të ndjekë dëshirat e tij më fisnike dhe ta zhytë veten në detin e sakrificës me zemrën e ngulur mbi bukurinë e Lavdiplotit.
2 Sa për referencën në Fjalët e Fshehura në lidhje me Besëlidhjen që u bë mbi Malin Paran, kjo do të thotë që në sy të Perëndisë e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja janë njëlloj – ndërsa në lidhje me njeriun, e shkuara ka ikur dhe është harruar, e tashmja po fluturon dhe e ardhmja është brenda sferës së shpresës. Dhe ka një parim bazë për Ligjin e Perëndisë që në çdo Mision Profetik, Ai hyri në një Besëlidhje me gjithë besimtarët – një Besëlidhje që zgjat deri në fundin e atij Misioni, deri në ditën e premtuar kur Personazhi i përcaktuar në nisje të një Misioni bëhet manifest. Shikoni Moisinë, Ai Që bisedoi me Perëndinë. Me të vërtetë, mbi Malin Sinai, Moisiu hyri në një Besëlidhje që lidhej me Mesinë, me të gjithë ata shpirtra që do të jetonin në ditën e Mesisë. Dhe ata shpirtra, megjithëse u dukën shumë vjet pas Moisiut, kur flitej për Besëlidhjen, që është jashtë kohe, gjithsesi ishin të pranishëm atje me Moisiun. Megjithatë, izraelitët ishin të pavëmendshëm ndaj kësaj, nuk e mbajtën mend dhe në këtë mënyrë pësuan një humbje të madhe e të dukshme.
3 Ndërsa për referencën në Fjalët e Fshehura arabisht që qenia njerëzore duhet të shkëputet nga vetja, këtu po ashtu domethënia është që ai duhet të mos kërkojë çdo gjë për veten e vet në këtë jetë fluturake, por që në kohën e ardhjes së Zotit ta çlirojë veten, domethënë, ta japë veten me gjithsej në fushën e martirizimit.

182 1 O ju që po mbaheni fort pas Besëlidhjes dhe Testamentit! Këtë ditë, prej mbretërive të Lavdiplotit, prej Mbretërisë së Shenjtërisë ku ngrihen lart hosanatë e lavdithurjes dhe lavdërimit, Kompania e epërme e hedh vështrimin e tyre mbi ju. Kurdoherë që vështrimi i tyre ndriçon kuvendet e atyre që janë të vendosur ndaj Besëlidhjes dhe Testamentit, ata ngrenë thirrjen e tyre ‘Lajme të gëzuara! Lajme të gëzuara!’ Pastaj duke u ngazëllyer, ata ngrenë zërat e tyre dhe thërresin ‘O bashkësi shpirtërore! O ju të mbledhurit e Perëndisë! Qofshi të bekuar! Qofshin për ju lajmet e gëzuara! Qofshin të shkëlqyera fytyrat tuaja e qofshi të gëzuar, sepse ju jeni kapur te Besëlidhja e të Shtrenjtit të të gjitha botëve, ju keni marrë zjarr nga vera e Testamentit të Tij. Ju i keni dhënë besën të Lashtit të Kohëve, ju keni pirë shumë prej kupës së besnikërisë. Ju keni ruajtur e mbrojtur Kauzën e Perëndisë; ju nuk e keni bërë dysh Fjalën e Tij; ju nuk e keni çuar poshtë Besimin e Tij, por jeni përpjekur t’i thurni lavdi Emrit të Tij të Shenjtë; ju nuk keni lejuar që Kauza e Bekuar t’u ekspozohet përqeshjeve të njerëzve. Ju nuk keni lejuar që Stacioni i Caktuar të përulet, as nuk jeni pajtuar për të parë Qendrën e Autoritetit të diskretituar apo të ekspozuar ndaj talljes dhe persekutimit. Ju keni luftuar të mos e bëni Fjalën dysh. Ju keni kaluar nëpër portalet e mëshirës. Ju nuk keni lejuar që t’u dalë nga mendja Bukuria e Bekuar e të shuhet pa u kujtuar.’
2 Lavdia u prehtë mbi ju.

183 1 O ti bijë e Mbretërisë! Letrën tënde e morëm. Ajo ishte si melodia e bilbilit hyjnor, kënga e të cilit i kënaq zemrat. Kjo ndodh sepse përmbajtja e saj tregon besim, siguri dhe vendosmëri ndaj Besëlidhjes dhe Testamentit. Sot forca dinamike e botës së ekzistencës është forca e Besëlidhjes, e cila si një arterie pulson në trupin e botës së varur dhe mbron unitetin Bahá’í.
2 Bahá’ít urdhërohen të krijojnë njëshmërinë e njerëzimit; në qoftë se ata nuk bashkohen rreth një pike si mund të jenë të aftë të sjellin unitetin e njerëzimit?
3 Qëllimi i Bukurisë së Bekuar në krijimin e kësaj Besëlidhjeje dhe Testamentit ishte që të gjitha qeniet ekzistuese të mblidhen rreth një pike, që shpirtrat e shkujdesur, të cilët në çdo cikël e brez kanë qenë shkak grindjeje, të mos e minojnë Kauzën. Prandaj Ai ka urdhëruar se çdo gjë që rrjedh prej Qendrës së Besëlidhjes është e drejtë dhe është nën mbrojtjen e pëlqimin e Tij, ndërsa gjithçka tjetër është gabim.
4 Lavdërimi qoftë me Perëndinë, ti je e vendosur në Besëlidhje dhe Testament.

184 1 O ju shpirtra të bekuar! Megjithëse po kaloni prova kritike për shkak të përpjekjeve të përsëritura dhe ngulmuese të disa njerëzve për të tronditur besimin e miqve në Los Anxhelos, ju gjithsesi jeni nën syrin mbrojtës të bujarisë së Bahá’u’lláhut dhe të ndihmuar nga legjionet e engjëjve.
2 Ecni, pra, me hap të sigurt dhe angazhohuni me sigurinë e besimin më të madh në përhapjen e aromave hyjnore, në madhërimin e Fjalës së Perëndisë e në qëndrueshmërinë në Besëlidhje. Të jeni të sigurt që, në qoftë se një shpirt ngrihet me këmbënguljen më të madhe e lëshon Thirrjen e Mbretërisë dhe përhap me vendosmëri Besëlidhjen, qoftë ai edhe i parëndësishëm, do të bëhet i aftë të largojë nga fusha elefantin, e në qoftë edhe një flutur nate e dobët do të bëjë copë-copë hutën grabitqare.
3 Prandaj, mundohuni që të shpërndani dhe shpartalloni ushtrinë e dyshimit e të gabimit me fuqinë e shprehjes së shenjtë. Kjo është thirrja ime, kjo është këshilla ime. Mos u grindni me njeri dhe shmangni çdo formë të mosmarrëveshjes. I thoni Fjalën e Perëndisë. Në qoftë se ai e pranon është arritur qëllimi i dëshiruar e në qoftë se ai e refuzon, lëreni mënjanë dhe besojani Perëndisë.
4 I tillë është atributi i atyre që janë të vendosur në Besëlidhje.

185 1 O ju miq dhe shërbëtore të të Mëshirshmit! E morëm letrën e Asamblesë Shpirtërore të Los Anxhelosit. Ajo ishte treguese e faktit që shpirtrat e bekuar të Kalifornisë po i qëndrojnë tufanit të egër si një mal i patundur, u mbollën si pemët e bekuara në tokën e Besëlidhjes dhe janë shumë të fortë e të vendosur. Prandaj ka shpresë që nëpërmjet bekimeve të Diellit të së Vërtetës ata të rriten për ditë në qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë e tyre. Provat e çdo dispensacioni janë në përpjesëtim të drejtë me madhështinë e Kauzës dhe meqë deri tani një Besëlidhje e tillë e manifestuar, shkruar nga Pena Supreme, nuk është lidhur, provat janë proporcionalisht më të vështira. Këto sprova i bëjnë shpirtrat e dobët të dridhen, ndërkohë që ata që janë të fortë nuk preken. Këto trazime të shkelësve nuk janë veçse shkumë oqeani e cila është një nga tiparet e tij të pandashme; por oqeani i Besëlidhjes do të dallgëzohet dhe do të hedhë në breg trupat e të vdekurve, sepse ai nuk mund t’i mbajë ata. Kështu duket se oqeani i Besëlidhjes ka dallgëzuar e dallgëzuar deri sa ka flakur trupat e vdekur – shpirtrat që janë privuar prej Shpirtit të Perëndisë kanë humbur në pasion, në ego dhe po kërkojnë udhëheqje. Kjo shkumë oqeani nuk do të zgjatë dhe së shpejti do të shpërndahet e zhduket, ndërsa oqeani i Besëlidhjes do të dallgëzojë e shfryjë përjetësisht.....
2 Nga ditët e para të krijimit e deri në kohën e tanishme, gjatë gjithë dispensacioneve hyjnore, nuk është lidhur një Besëlidhje kaq e fortë dhe e qartë. Nga këndvështrimi i këtij fakti a është e mundur që kjo shkumë të mbetet mbi sipërfaqen e oqeanit të Besëlidhjes? Jo, për Perëndi! Shkelësit po hidhen kundër dinjitetit të tyre vetjak, po çrrënjosin themelet e tyre vetjake dhe mburren se mbështeten prej lajkatarëve që bëjnë përpjekje të mëdha për të tronditur besimin e shpirtrave të dobët. Por ky veprim i tyre nuk ka pasojë; është mirazh dhe jo ujë, shkumë dhe jo det, mjegull dhe jo re, iluzion dhe jo realitet. Të gjitha këto ju do t’i shihni së shpejti.
3 Lavdërimi qoftë me Perëndinë, ju jeni të fortë e të vendosur; qofshi mirënjohës që si pemë të bekuara jeni mbjellë me qëndrueshmëri në tokën e Besëlidhjes. Është e sigurt që çdo pemë e fortë do të rritet, do të prodhojë fruta të reja dhe do të rritet përditë me freski e hir. Reflektoni mbi gjithë shkrimet e Bahá’u’lláhut, qofshin letra apo lutje dhe ju me siguri do të ndeshni me mijëra pasazhe ku Bahá’u’lláhu lutet: ‘O Perëndi! Çoji drejt hiçit shkelësit e Besëlidhjes dhe mundi shtypësit e Testamentit.’ ‘Ai që mohon Besëlidhjen dhe Testamentin kundërshtohet nga Perëndia dhe ai që mbetet i fortë e i vendosur në të preferohet në Pragun e Njëshmërisë.’ Të tilla thënie e lutje ka me bollëk, referojuni atyre dhe ju do t’i dini.
4 Kurrë mos u dëshpëroni. Sa më shumë të trazoheni prej dhunimit, aq më shumë thellohuni në qëndrueshmëri e vendosmëri dhe të jeni të sigurt se ushtritë hyjnore do të sundojnë, sepse ato janë të sigurta për fitoren e Mbretërisë Abhá. Nëpërmjet gjithë feve është ngritur flamuri i qëndrueshmërisë e i vendosmërisë dhe është përulur flamuri i dhunimit, sepse një pakicë shpirtrash të dobët janë tërhequr prej lajkave dhe argumenteve mashtruese të dhunuesve, që në dukje shfaqin me kujdes të madh qëndrueshmëri, por nga brenda merren me trazimin e shpirtrave. Si shkelës njihen hapur vetëm një pakicë, të cilët janë udhëheqës të atyre që trazojnë e shqetësojnë, ndërsa pjesa tjetër, nëpërmjet mjeteve të stërholluara mashtrojnë shpirtrat sepse nga jashtë ata pohojnë qëndrueshmërinë e vendosmërinë e tyre në Besëlidhje, por kur ndeshen me ata që u vënë veshin mbjellin farat e dyshimit në mënyrë sekrete. Rasti i të gjithë atyre i ngjan shkeljes së Besëlidhjes nga Juda Iskarioti dhe pasuesit e tij. Mendoni: a ka mbetur ndonjë rezultat apo gjurmë pas tyre? Bile as edhe një emër nuk ka mbetur nga pasuesit e tij dhe megjithëse krah tij u vunë një numër izraelitësh, ishte njësoj sikur të mos kishte pasues fare. Ky Judë Iskariot ishte udhëheqës i apostujve që tradhtuan Krishtin për tridhjetë aspra. Thirrini mendjes, o ju njerëz që kuptoni!
5 Në këtë kohë këta shkelës të parëndësishëm sigurisht do ta tradhtojnë Qendrën e Besëlidhjes për një shumë më të madhe , të cilën e kanë lutur me çdo mjet të stërholluar. Kanë kaluar tridhjetë vjet që kur Bahá’u’lláhu u ngjit në qiell dhe gjatë kësaj kohe këta shkelës janë përpjekur me gjithë fuqinë. Po ç’kanë arritur ata? Në çdo rrethanë kanë sunduar ata që kanë mbetur të fortë në Besëlidhje, ndërsa shkelësit kanë pësuar disfatë, dëshpërim dhe brengosje. Pas ngjitjes së ‘Abdul-Baháit prej tyre nuk do të mbetet asnjë gjurmë. Këta shpirtra janë të paditur rreth asaj që do të ndodhë dhe mburren me fantazitë e tyre.
6 Shkurtimisht, o ju miq të Perëndisë dhe shërbëtore të të Mëshirshmit! Dora e bujarisë hyjnore ka vënë mbi kokat tuaja një kurorë xhevahiri, margaritarët e çmuar të së cilës do të ndriçojnë përjetësisht mbi gjithë rajonet. Çmojeni këtë bujari, zgjidheni gjuhën për lavdërime e lutje mirënjohjeje dhe merruni me shpalljen e mësimeve hyjnore, sepse ky është shpirti i jetës dhe mjeti i shpëtimit.

186 1 O ti që je i fortë në Besëlidhje! Praj teje kemi marrë njëra pas tjetrës tri letra. Nga përmbajtja e tyre bëhet e njohur se në Klevelënd zemrat janë prekur nga frymët e pista të Besëlidhje-thyesve dhe harmonia mes miqve është pakësuar. Perëndi i Hirshëm! Një qind herë është thënë që shkelësit kanë zënë pritë dhe me çdo mjet dëshirojnë të shkaktojnë grindje mes miqve që kjo grindje të përfundojë me shkeljen e Besëlidhjes. Si ndodh që, me gjithë këtë paralajmërim, miqtë e kanë lënë pas dore këtë deklaratë të qartë?
2 Në thelb problemi është i qartë, i drejtpërdrejtë dhe tepër konciz. Bahá’u’lláhu ose ishte i urtë, i gjithëdijshëm dhe në dijeni të asaj që do të vinte pas ose ishte i paditur dhe në gabim. Me penën e Tij supreme Ai hyri në një Besëlidhje e Testament aq të fortë me të gjithë Bahá’ít, në fillim me Agsanin, Afnanin dhe fisin e Tij, i urdhëroi ata të bindeshin dhe të ktheheshin drejt Tij. Me penën e Tij supreme Ai ka deklaruar qartë se objekti i vargut pasues të Qitap Akdasit është Dega Më e Madhe:
3 ‘Kur oqeani i pranisë Sime të jetë në zbaticë dhe Libri i Revelacionit Tim të ketë mbaruar, kthejeni shikimin tuaj nga Ai që Perëndia e ka caktuar dhe që është degë prej kësaj Rrënje të Lashtë.’ Kuptimi i kësaj shkurtimisht është ky: pas ngjitjes Sime Agsanët, Afnanët e farefisi dhe gjithë miqtë e Perëndisë e kanë për detyrë t’i kthejnë fytyrat te Ai Që është degëzuar prej Rrënjës së Lashtë.
4 Ai po ashtu në mënyrë të qartë thotë në Qitap Akdas: ‘O popuj të botës! Kur Pëllumbi Mistik të ketë nisur fluturimin e tij nga Altari i Lavdisë dhe të ketë arritur synimin e tij të largët, banesën e tij të fshehtë, për çdo gjë që nuk kuptoni në Libër drejtojuni Atij Që është degëzuar nga ky Trung i fuqishëm.’ Duke iu drejtuar gjithë popujve të botës Ai thotë: Kur Pëllumbi Mistik të fluturojë prej bahçes së lavdërimit drejt Stacionit të Padukshëm dhe Më Suprem – kjo ndodh kur Bukuria e Bekuar kthehet prej botës së varur drejt mbretërisë së padukshme- për çdo gjë që nuk kuptoni në Libër drejtojuni Atij Që është degëzuar nga Rrënja e Lashtë. Kjo sepse çdo gjë që Ai thotë është shumë e vërtetë.
5 Dhe në Librin e Besëlidhjes Ai në mënyrë të qartë thotë se objekti i këtij vargu ‘Kush është degëzuar nga kjo Rrënjë e Lashtë’ është Dega Më e Fuqishme. Dhe Ai urdhëron gjithë Agsanët, Afnanët, fiset dhe Bahá’ít të kthehen drejt Tij. Tani ose duhet të thuhet që Bukuria e Bekuar ka bërë një gabim ose Ai duhet të bindet. ‘Abdu’l-Bahái nuk ka urdhër për t’i bindur njerëzit, përveç se përhapjes së aromave të Perëndisë, lartësimit të fjalës së Tij, shpalljes së njëshmërisë së botës njerëzore, vendosjes së paqes universale dhe urdhra të tjerë të Perëndisë. Këto janë urdhra hyjnore dhe nuk kanë të bëjnë fare me ‘Abdu’l-Baháin. Kushdo që dëshiron i pranon dhe kushdo që i kundërshton bën si i pëlqen.
6 Tani disa intrigantë me shumë rrengje po kërkojnë udhëheqësi dhe me qëllim që ta arrijnë këtë pozitë ata ngjallin dyshime mes miqve që të shkaktojnë dallime dhe këto dallime të çojnë në tërheqjen e një pjese ndaj tyre. Por miqtë e Perëndisë duhet të zgjohen dhe duhet të dinë se përhapja e këtyre dyshimeve ka për motiv dëshira personale dhe arritjen e udhëheqësisë.
7 Mos e prishni unitetin Bahá’í dhe dijeni se ky unitet mund të mbahet vetëm nëpërmjet besimit në Besëlidhjen e Perëndisë.
8 Ti ke dëshirë të udhëtosh që të mund të përhapësh aromat e Perëndisë. Kjo është shumë e përshtatshme. Me siguri që krezmimet hyjnore do të të ndihmojnë dhe fuqia e Besëlidhjes dhe Testamentit do të sigurojë për ty triumf dhe fitore.

187 1 O ti që je i fortë në Besëlidhje! Letrën tënde e morëm. T ke shprehur kënaqësinë për Besëlidhjen, se kjo mbledhje ka qenë mjet për lartësimin e Kauzës së Perëndisë dhe demonstrimin e fuqisë së Fjalës së Tij. Madhështia e Kauzës do t’i spastrojë këto dallime dhe mund të krahasohet me shëndetin në trupin e njeriut i cili kur është i fortë shëron gjithë sëmundjet dhe dobësitë. Shpresa jonë është që të mos mbesë asnjë gjurmë kundërshtimi; por disa prej miqve në Amerikë nuk gjejnë prehje me ambiciet e tyre të reja, përpiqen e nuk lënë dy gurë bashkë për të zbuluar çdo gjë që ushqen grindjen.
2 Lavdërimi qoftë me Perëndinë, të gjitha këto dyer janë të mbyllura në Kauzën e Bahá’u’lláhut, sepse është caktuar një Qendër autoritare – një Qendër që zgjidh të gjitha vështirësitë dhe i fshin të gjitha dallimet. Shtëpia Universale e Drejtësisë, po ashtu, fshin të gjitha dallimet dhe çdo gjë që rekomandon ajo duhet të pranohet dhe ai që i shkel kundërshtohet. Por kjo Shtëpi Universale e Drejtësisë që është Ligjvënëse nuk është krijuar akoma.
3 Në këtë mënyrë shihet që nuk është lënë shteg për grindje, veçse dëshirat sensuale janë shkaku i dallimeve siç është rasti me shkelësit. Këta nuk vënë në dyshim vlefshmërinë e Besëlidhjes, por tregojnë motivet egoiste që i kanë çuar ata në këtë gjendje. Nuk është puna se ata s’e dinë çfarë po bëjnë – ata janë shumë mirë në dijeni dhe akoma shfaqin kundërshtime.
4 Shkurtimisht, oqeani i Besëlidhjes është i potershëm dhe i gjerë. Ai e hedh në breg shkumën e dhunimit, ndaj fli i qetë. Merru me përkrahjen e Mashrikol-Azkarit dhe përgatit mjetet për përhapjen e aromave hyjnore. Mos u merr me asgjë përveç kësaj, sepse përndryshe ti do ta shpërndash vëmendjen dhe puna nuk do të përparojë.

188 1 O ju të dashurit e gëzuar të ‘Abdu’l-Baháit! Ka kaluar një kohë e gjatë që kur veshi im i brendshëm nuk ka dëgjuar ndonjë melodi të ëmbël prej disa rajoneve apo zemra ime të jetë kënaqur; dhe kjo pavarësisht nga fakti që ju jeni gjithnjë të pranishëm në mendimet e mia e qëndroni qartësisht të dukshëm para syve të mi. Kupa e zemrës sime është e mbushur deri në grykë me verën e dashurisë që bartni ju dhe malli im për të hedhur sytë mbi ju rrjedh si shpirti nëpër venat e arteriet e mia. Nga kjo del qartë se sa e madhe është dhimbja ime. Në këtë kohë dhe në këtë stuhi fatkeqësish, që po hedh tani valët e saj drejt qiellit të lartë, shigjeta mizore dhe të pareshtura janë duke u hedhur kundër meje nga çdo anë e rrethimit, këtu në Tokën e Shenjtë në çdo moment merren lajme të tmerrshme e çdo ditë sjell pjesën e saj të llahtarit. Qendra e Rebelimit e kishte marrë me mend se kjo i nevojitej veçse rebelimit të tij arrogant për ta çuar drejt shkatërrimit Besëlidhjen dhe Testamentin; i duhej veçse kjo, kështu mendonte ai, për t’i larguar të drejtët prej Vullnetit të Shenjtë. Prandaj ai dërgoi an’ e kënd fletushkat e tij të dyshimit duke sajuar një plan shumë sekret. Tani ai do të klithë që ngrehina e Perëndisë është shkatërruar dhe urdhrat e Tij hyjnore janë anuluar dhe për pasojë, Besëlidhja e Testamenti u shfuqizuan. Përsëri ai do të paraqitet duke psherëtirë e rënkuar se është mbajtur në burg dhe ishte lënë ditë e natë i uritur dhe i etur. Një ditë tjetër ai mund të sokëllijë me të madhe duke thënë se njëshmëria e Perëndisë është mohuar, përderisa para përfundimit të një mijë vjetëve është shpallur një Manifestim tjetër.
2 Kur pa që shpifjet e tij nuk kishin efekt, ai gradualisht hartoi një plan për të nxitur trazimin. Ai filloi duke nxitur prapësitë dhe po trokiste derë më derë. Filloi me bërjen e akuzave të rreme te zyrtarët e Qeverisë. Afroi disa prej të huajve, e bëri veten shok të ngushtë me ta dhe së bashku përgatitën një dokument që ia paraqitën Selisë së Sulltanatit, duke iu kallur datën pushtetarëve. Midis shumë akuzave shpifëse ishte edhe kjo, që ky i pafat kishte ngritur lart flamurin e revoltës, një flamur që mbante fjalët Ja Bahá’u’l-Abhá, sikur kisha parakaluar me të nëpër fshatra, në çdo qytet, qytezë dhe katund, madje edhe mes fiseve të shkretëtirës dhe i kisha ftuar gjithë banorët të bashkohen nën këtë flamur.
3 O Zoti im, me të vërtetë kërkoj mbrojtje nga Ty pikërisht prej mendimit të një akti të tillë, i cili është në kundërshtim me gjithë urdhrat e Bahá’u’lláhut, i cili do të ishte në të vërtetë një gabim i madh që nuk mund ta bënte ndonjëherë njeri, përveç një mëkatari të madh. Sepse Ti e ke bërë të detyrueshme që ne t’u bindemi sundimtarëve dhe mbretërve.
4 Një nga shpifjet e tij ishte që Faltorja në Malin Karmel ishte një fortesë që e kisha ndërtuar të fortë e të pathyeshme – kjo kur ndërtesa që është në proces përmban gjashtë dhoma – dhe sikur e kam emërtuar atë Medina i Shkëlqyeri, ndërsa Unë e kam quajtur Varri i Shenjtë57 Meka i Lavdishmi. Një tjetër nga përgojimet e tij ishte sikur kisha krijuar një sovranitet të pavarur dhe se – Perëndi ndaloje! Perëndi ndaloje! Perëndi ndaloje! – kisha ftuar të gjithë besimtarët të bashkoheshin me mua në këtë punë mjaft të mbrapshtë. Sa e tmerrshme, O Zoti im, është shpifja e tij!
5 Përsëri akoma, ai pretendoi se përderisa Faltorja e Shenjtë është bërë një pikë e vizituar nga pelegrinët prej mbarë botës, do t’i bëhet dëm i madh Qeverisë dhe popullit. Ai, Qendra e Rebelimit, pohonte se ai vetë nuk kishte dorë në këto punë, se ai është Suni prej Sunitëve, një pasues i devotshëm i Abu-Bakrit e Omarit dhe e vlerësonte Bahá’u’lláhun si një njeri vetëm fanatik e mistik; të gjitha këto gjëra, thotë ai, morën udhë nga ky i gabuar.
6 T’i biem shkurt, nga sulltani, zgjattë lavdia e mbretërimit të tij, u caktua një Komision Hetimi. Komisioni udhëtoi këtu dhe me të mbërritur shkoi në shtëpinë e njërit prej akuzuesve. Ata pastaj thirrën grupin që duke punuar me vëllanë tim kishte përgatitur dokumentin akuzues dhe i pyetën ata nëse kjo ishte e vërtetë. Grupi shpjegoi përmbajtjen e dokumentit, deklaroi se gjithçka që ata kishin raportuar atje ishte veçse e vërteta dhe shtuan akuza të tjera. Kështu ata vepruan në të njëjtën kohë si paditës, dëshmitarë dhe gjyqtarë.
7 Komisioni tashmë është kthyer në selinë ë Kalifatit dhe nga kryeqyteti po vijnë çdo ditë raporte nga më të frikshmit. Megjithatë, lavdëruar qoftë Perëndia, ‘Abdu’l-Bahái qëndron i përmbajtur dhe i patrazuar. Askujt nuk i dua të keqen për shkak të kësaj shpifjeje. Unë i kam rregulluar gjithë punët e mia të kushtëzuara nga Vullneti i Tij i papërballueshëm dhe po pres, në të vërtetë në lumturi të plotë, të jap jetën time dhe i përgatitur ndaj çdo mundimi të rëndë që mund të më presë. Lavdërimi qoftë me Perëndinë, besimtarët e dashur pranojnë gjithashtu dhe qëndrojnë të nënshtruar ndaj Vullnetit të Perëndisë, të kënaqur me të, të bindur me qejf duke dhënë falënderime.
8 Qendra e Rebelimit ka përfytyruar se sapo të derdhet gjaku i këtij të munduari, sapo të flakem mbi rërat e shkretëtirës së gjerë ose të mbytem në Detin Mesdhe – pa emër, i ikur pa lënë gjurmë, pa i treguar njeriu për mua – atëherë ai do të kishte të paktën një fushë ku të ngiste kalin e tij me vërtik dhe me një shkop gënjeshtrash e dyshimesh të godiste fort mbi topin e polos58 së ambicieve të tij e të merrte çmimin.
9 Qoftë larg! Sepse sikur të ikte aromë-parfumi i këndshëm i besnikërisë e të mos linte pas gjurmë, kush do të tërhiqej nga era e qelbur e pabesisë? Dhe sikur gazela e qiellit të shqyhej më dysh nga qentë dhe ujqërit, kush do të vraponte për të kërkuar një ujk grabitqar? Bile sikur dita e Bilbilit Mistik t’i afrohej fundit, kush vallë ndonjëherë do të zgjaste veshin ndaj krakëllimës së korbit apo krakëllimës së sorrës? Ç’supozim i zbrazët ky i tij! Ç’pandehje teveqeli! ‘Veprat e tyre janë si avulli në një shkretëtirë të cilën i eturi e ëndërron të jetë ujë derisa i afrohet dhe nuk gjen asgjë.’59
10 O ju të dashurit e Perëndisë! Jini të fortë nga këmbët, të ngulur me zemër dhe nëpërmjet fuqisë së ndihmës së Bukurisë së Bekuar, qëndroni të lidhur me qëllimin tuaj. Shërbejini kauzës së Perëndisë. Përballni gjithë kombet e botës me qëndrueshmërinë dhe durimin e njerëzve Bahá’í, që të gjithë njerëzit të befasohen e të pyesin se si është e mundur kjo dhe qofshin zemrat tuaja si burime sigurie e besimi dhe aq të pasura me dashurinë e Perëndisë sa minierat. Qofshi kështu që as të mos dështoni, as të mos ligështoheni nga këto tragjedi në Tokën e Shenjtë; le të mos u bëjnë të dëshpëruar këto ndodhi të tmerrshme. Dhe sikur gjithë besimtarët të shkoheshin në shpatë e të mbetej vetëm njëri, le të thërresë ai në emër të Zotit dhe të tregojë lajmet e gëzuara; le të ngrihet ai e të përballë gjithë popujt e dheut.
11 Mos vështroni mbi ndodhitë e llahtarshme në këtë Vend të Ndriçuar. Toka e Shenjtë është në rrezik gjatë gjithë kohës dhe këtu rrjedha e fatkeqësive është kurdoherë në vërshim; sepse kjo thirrje e ngritur tashmë është dëgjuar rreth botës dhe fama e saj ka shkuar përpara an’ e kënd dheut. Për shkak të kësaj armiqtë, nga brenda dhe nga jashtë, janë kthyer me mënyra të stërholluara dhe dredhi për të përhapur shpifjen. Është e qartë që një vend i tillë si ky do të ekspozohej ndaj rrezikut, sepse këtu nuk ka mbrojtës, nuk ka asnjë që të ngrihet e të marrë anën tonë përballë akuzave: këtu ka vetëm pak shpirtra që janë pa shtëpi, pa fat e të burgosur në këtë fortesë. Ata nuk kanë përkrahës, nuk ka asnjë që t’i ndihmojë, nuk ka asnjë që të fshijë shigjetat e gënjeshtrave, shigjetat e mashtrimit që janë hedhur kundër tyre: asnjë përveç Perëndisë.
12 Ju takon juve të mendoni për të gjithë ata të shumë-dashur që nxituan në fushën e shenjtë të flijimit, ato shpirtra të çmuar që dhanë jetën e tyre. Sillni ndërmend sa lumenj gjaku të shenjtë u derdhën, sa shumë zemra të të drejtëve u përzjenë me gjakun e derdhur, sa shumë gjokse ishin shenja të heshtës së tiranisë, sa shumë trupa të dëlirë u bënë copë-copë. Si mund të kenë të drejtë të mendojnë për ne sikur kursejmë veten! T’i bëhemi servil të panjohurit apo të afërmit dhe të bëjmë një shfaqje kompromisi! Mos vallë nuk duhet të marrim udhën e të drejtëve dhe të ndjekim gjurmët e atyre të mëdhenjve që kanë shkuar përpara?
13 Këto pak ditë të shkurtra do të mbarojnë, kjo jetë e tanishme do të zhduket nga shikimi ynë; trëndafilat e kësaj bote nuk do të jenë më të freskët e të bukur, kopshti i ngazëllimeve e i kënaqësive të kësaj toke do të thahet e zhduket. Stina pranverore e jetës do të bëhet vjeshtë e vdekjes, gëzimi i ndritshëm i sallave të pallateve do t’i lërë vendin errësirës pa hënë brenda varrit. Pra nuk ka në përgjithësi në këto asgjë të denjë për ta dashur dhe i urti nuk e lidh zemrën e tij me to.
2 Ai që ka dije e fuqi, përkundrazi do të kërkojë lavdinë e qiellit, shquarsinë shpirtërore dhe jetën që nuk vdes. Një njeriu të tillë i digjet zemra për t’u avitur pranë Pragut të shenjtë të Perëndisë; sepse në tavernën e kësaj bote që kalon me shpejtësi njeriu i Perëndisë nuk shtrihet i dehur, as çlodhet për asnjë çast, dhe as e njollos veten me kurrfarë dashurie për këtë jetë tokësore.
15 Madje miqtë janë yje në qiejt e epërm të udhërrëfimit, trupa qiellorë në qiejt e hirit hyjnor që me gjithë fuqinë e tyre e bëjnë errësirën të fluturojë. Ata i prishin themelet e keqdashjes dhe urrejtjes. Ata gëzojnë vetëm një dëshirë për botën dhe gjithë popujt e saj: mirëqenie dhe paqe. Fortifikimet e betejave dhe të agresionit rrëzohen prej tyre. Ata kanë për qëllim të tyre vërtetësinë, marrëdhënien e ndershme, miqësinë dhe mirësinë, madje edhe kundrejt armikut të egër; deri sa ata më në fund ta ndryshojnë këtë burg tradhtish, botën, në një shtëpi të besimit maksimal dhe ta kthejnë këtë shtëpi-burg urrejtjeje, keqdashjeje e mërie në Parajsë të Perëndisë.
16 O ju miq të dashur! Përpiquni me mish e me shpirt për ta bërë këtë botë shëmbëlltyrë–pasqyre të Mbretërisë, që kjo botë e ulët të mbushet plot me bekimet e botës së Perëndisë, që zërat e Kompanisë së epërme të ngrihen me brohoritje dhe shenjat e simbolet e bujarive dhe blatimeve të Bahá’u’lláhut të përfshijnë gjithë dheun.
17 Xhenab Amini ka shprehur admirimin më të madh për ju burra të nderuar dhe gra të ndritura, duke ju përmendur dhe duke ju lavdëruar njeri pas tjetrit, duke treguar gjatë e gjerë për vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë që keni treguar, duke treguar se, Perëndia qoftë lavdëruar, në gjithë Persinë gratë dhe burrat po qëndrojnë së bashku, të drejtë, të fortë, të patundur – një ndërtesë e madhe e ngritur në mënyrë të qëndrueshme; dhe se ju jeni angazhuar me dashuri e gëzim për të përhapur kudo shijet e ëmbla të Zotit.
18 Këto ishin veçanërisht lajme gëzimi të madh, pasi më kanë mbërritur në këto ditë rreziku shumë të madh. Sepse dëshira më e shtrenjtë e këtij të munduari është që miqtë të jenë shpirtërorë me zemër dhe të ndritur nga mendja e sapo të më jepet ky hir, fatkeqësia sado e dhimbshme nuk është veçse një bujari që derdhet mbi mua si shi i begatë.
19 O Perëndi, Perëndia im! Ti më shikon në një oqean dhimbjesh, të mbajtur fort nga zjarret e tiranisë dhe duke qarë në errësirën e natës. Vërtitem në shtratin tim i pagjumë, sytë e mi po mundohen për të parë dritën e mëngjesit të besnikërisë e besimit. Unë përpëlitem si një peshk, që flakërohet nga brenda ndërsa hidhet përpjetë i tmerruar mbi rërë, megjithatë kurdoherë kërkoj që blatimet e Tua të shfaqen nga çdo anë.
20 O Perëndi, Perëndia im! Bëji besimtarët në vendet e tjera të marrin pjesë prej hirit Tënd të begatë, çliroje me ndihmën e bujarinë Tënde të pareshtur atë që mes të dashurve të Tu në vendet më të largëta rënkon nga barbaria e egër e armiqve. O Zot ata janë robër të dashurisë Tënde, të burgosur që u morën prej trupave të Tu. Ata janë zogj që fluturojnë në qiejt e udhërrëfimit, balena që notojnë në oqeanin e blatimeve të Tua, yje që vezullojnë në horizontin e dhuratave të Tua. Ata janë mbrojtës të fortesës së ligjit Tënd. Ata janë flamuj të kujtimit Tënd mes njerëzve. Ata janë puse të thellë të dhembshurisë Tënde hyjnore, burime të favoreve të tua, gurra të hirit Tënd.
21 Mbaji ata përherë në siguri nën syrin Tënd gjithëmbrojtës. Ndihmoji ata të lartësojnë Fjalën Tënde; bëji zemrat e tyre të jenë të qëndrueshme në dashurinë Tënde; forcoju kurrizin që të të shërbejnë mirë; në zgjedhë forcoji fuqitë e tyre.
22 Përhap mbi ta kudo aromat e Tua të ëmbla; shpjego mes tyre Shkrimet e Tua të Shenjta; bëj të njohur mes tyre Shprehjen Tënde; zbato mes tyre Fjalët e Tua; derdh mes tyre mëshirën Tënde.
23 Ti je me të vërtetë i Madhi, i Fuqishmi. Ti je me të vërtetë i Mëshirshmi, i Dhembshuri.

189 1 Sot çdo person i urtë, vigjilent e parashikues është zgjuar dhe ndaj tij janë zbuluar misteret e së ardhmes që tregojnë se asgjë përveç fuqisë së Besëlidhjes nuk është e aftë të prekë dhe tronditë zemrën e njerëzimit, ashtu si Dhiata e Re dhe e Vjetër paraqitën mbi gjithë fetë Kauzën e Krishtit dhe ishin zemra që rrihte në trupin e botës njerëzore. Një pemë që ka rrënjë do të japë fryt, ndërsa një pemë që s’ka, pavarësisht sa e lartë dhe e fortë mund të jetë, përfundimisht do të vyshket, do të thahet dhe do të bëhet veçse një kërcu që i shkon për shtat zjarrit.
2 Besëlidhja e Perëndisë është si një oqean i madh e i pamasë. Prej tij do të ngrihen e shfryjnë tallazet që do të hedhin në breg gjithë shkumën e mbledhur.
3 Lavdërimi qoftë me Perëndinë që dëshira më e lartë e shfaqur nga shpirtrat e vëmendshëm është lartësimi i Fjalës së Perëndisë dhe përhapja e aromave hyjnore. Ky me të vërtetë është themel i fortë e i sigurt.
4 Tani, si në agim, drita e Diellit të së Vërtetës është derdhur kudo. Duhen bërë përpjekje që shpirtrat e dremitur të zgjohen, moskokëçarësit të bëhen të vëmendshëm dhe mësimet hyjnore që përbëjnë shpirtin e kësaj epoke të arrijnë në veshët e popujve të botës, të propagandohen në shtyp dhe të paraqiten në kuvendet e njerëzve me shkëlqim dhe elokuencë.
5 Sjellja e çdonjërit duhet të jetë si sjellja e Palit dhe besimi i çdonjërit i ngjashëm me atë të Pjetrit. Ky fllad aromë-parfumi do të çajë hundët e popujve të botës dhe ky shpirt do të ringjallë të vdekurit.

6 Era e keqe e dhunimit ka ndalur përkohësisht lëvizjen përpara të Kauzës, sepse përndryshe mësimet hyjnore, si rrezet e diellit, do të shpërndaheshin menjëherë dhe do të përshkonin gjithë rajonet.
7 Ti synon të shtypësh dhe të botosh fjalimet e ‘Abdu’l-Baháit që t’i i ke përmbledhur. Kjo në të vërtetë është shumë e këshillueshme. Ky shërbim do të të bëjë të fitosh një fytyrë tërë nur në Mbretërinë Abhá dhe do të të bëjë objekt lavdërimi e mirënjohjeje për miqtë si në Lindje ashtu edhe në Perëndim. Veçse duhet të ndërmerret me kujdesin më të madh, që të riprodhohet teksti i saktë dhe të përjashtohen të gjitha devijimet dhe pasaktësitë e kryera nga përkthyesit e mëparshëm.

190 1 Ti më sheh, O Perëndia im, të ulur me përulësi, duke u nënshtruar para urdhrave të Tua, duke u nënshtruar ndaj sovranitetit Tënd, duke fërgëlluar në fuqinë e sundimit Tënd, duke ia mbathur prej tërbimit Tënd, duke iu përgjëruar hirit Tënd, duke besuar mbi ndjesën Tënde, duke u dridhur me frikë nga furia Tënde. Të lutem me zemrën që më sëmbon, me lotët rrëke, me shpirt të përvëluar e i shkëputur plotësisht nga gjithë gjërat, që t’i bëj të dashurit e Tu si rrezet e dritës përmes mbretërive të Tua dhe t’i ndihmoj shërbëtorët e Tu të zgjedhur të lartësojnë Fjalën Tënde, që fytyrat e tyre të bëhen të bukura e të shndritshme me shkëlqim, që zemrat e tyre të mbushen me mistere dhe çdo shpirt të shkarkojë barrën e tij të mëkatit. Ruaji atëherë ata prej agresorit, prej atij që është bërë një gatues i pacipë e i mallkuar i së keqes.
2 Me të vërtetë të dashurit e Tu janë të etur, o Zoti im; çoji ata drejt gurrës së bujarisë e të hirit. Me të vërtetë ata janë të uritur; dërgoju atyre tavolinën Tënde qiellore. Me të vërtetë ata janë lakuriq; vishi ata me petkat e diturisë dhe dijes.
3 Heronj janë ata, o Zoti im, drejtoji në fushën e betejës. Udhërrëfyes janë ata, bëji të flasin me argumente e prova. Shërbëtorë që kujdesen janë ata, bëji të vërvitin kupën e mbushur deri në buzë me verën e sigurisë. O Perëndia im, bëji ata të jenë zogj këngëtarë që këndojnë në kopshte të bukur, bëji ata luanë që shtrihen në zabel, balena që kridhen në thellësinë e pafund.
4 Me të vërtetë ti je Ai i hirit të begatë. Nuk ka Perëndi tjetër përveç Teje, i Madhi, i Fuqishmi, Gjithmonëblatuesi.
5 O ju miqtë e mi shpirtërorë! Ka tani ca kohë që presionet kanë qenë të ashpra e kufizimet si pranga hekuri. Ky i munduar i pafat është lënë i vetëm dhe vetëm, se të gjitha udhët u mbyllën. Miqve u është ndaluar hyrja te mua, të besuarit u mbyllën larg, armiku më ka rrethuar, përgjuesit e këqij ishin të egër e të paturpshëm. Në çdo hap të zeza të reja. Në çdo frymë dhimbje të re. Të dy i imi dhe i huaji në sulm; në të vërtetë, ish të dashurit, të pabesët dhe të pamëshirshmit ishin më të këqij se armiqtë, pasi ata u ngritën për të më plasur mua. Atje nuk kishte asnjë për të mbrojtur ‘Abdu’l-Baháin, as ndihmues, as mbrojtës, as aleat, as përkrahës. Unë po mbytesha në një det të paanë dhe zërat kob-ndjellës të pabesisë përplaseshin gjithnjë mbi veshët e mi.
6 Në çdo agim, trefish errësirë. Në mbrëmje, tirani zemërgur. Dhe kurrë një moment paqeje dhe kurrë ndonjë ilaç për plagët e skuqura të heshtës. Nga momenti në moment mund të vinte lajmi për syrgjynosjen time në rërat e Fezanit; nga ora në orë, do të flakesha në detin e pafund. Tani ata do të thoshin që të paktën këta endacakë pa shtëpi u shkatërruan; përsëri ai kryq do të vihej në përdorim për së shpejti. Kufoma ime e tretur do të bëhej objektiv për plumbat ose shigjetat; ose përsëri, ky trup i mbaruar do të bëhej copë-copë nga shpata.
7 Të njohurit tanë të huaj nuk mund ta përmbanin dot veten nga gëzimi dhe miqtë tanë tradhtarë ngazëlloheshin. ‘Lavdërimi qoftë me Perëndinë,’ do të thërriste njeri, ‘Ja si u bë e vërtetë ëndrra jonë.’ Dhe tjetri ‘Perëndia qoftë falënderuar, maja e heshtës sonë e gjeti zemrën.’
8 Të zezat ranë mbi këtë të burgosur si shirat e rrëmbyer të pranverës, fitoret e keqdashësve u derdhën me rrëke të pareshtura dhe megjithatë ‘Abdu’l-Bahái mbeti i gëzuar dhe i qetë, besoi në hirin e Mëshirëplotit. Ajo dhimbje, ai shtrëngim ishte parajsë e gjithë kënaqësive, ata zinxhirë ishin gjerdan mbreti mbi fronin në qiell. Kënaqur me vullnetin e Perëndisë, nënshtruar plotësisht, zemra ime iu dorëzua fatit që e priste, Unë isha i lumtur. Për një shok të mirë kisha gëzim të madh.
9 Më në fund erdhi një kohë kur miqtë u bënë të pangushëllueshëm dhe i braktisën gjithë shpresat. Atëherë agoi mëngjesi e përmbyti gjithçka me dritë të pafundme. Retë e larta u shpërndanë, hijet e vrejtura ia mbathën. Në atë moment vargonjtë u këputën, zinxhirët u hoqën prej qafës së këtij të pastrehi dhe u varën rreth qafës së armikut. Ato situata të rënda u shndërruan në lehtësim dhe mbi horizontin e bujarive të Perëndisë lindi dielli i shpresës. E gjitha kjo vinte prej hirit të Perëndisë dhe blatimeve të Tij.
10 Dhe megjithatë, nga një këndvështrim, ky endacak ishte i trishtuar dhe i dëshpëruar. Se në kohën që vinte për çfarë dhimbje mund të kërkoja ngushëllim? Me lajmin e cilës dëshire të dhuruar mund të gëzohesha? Nuk kishte më tirani, as vuajtje, as ngjarje tragjike, as mundime. Gëzimi im i vetëm në këtë botë fluturake ishte të ecja shtegut të gurtë të Perëndisë dhe të duroja prova të vështira e gjithë hidhërimet materiale. Se përndryshe kjo jetë tokësore do të dilte shterpë dhe e kotë, kurse vdekja do të ishte më e mirë. Pema e qenies nuk do të jepte fruta; fusha e mbjellë e kësaj ekzistence nuk do të jepte të korra. Kështu kam shpresë që edhe njëherë ndonjë rrethanë të bëjë që të mbushet gjer në buzë kupa ime e dhimbjes dhe ajo Dashuri e bukur, ai Vrasës i shpirtrave të verbojë përsëri shikuesit. Atëherë kjo zemër do të jetë e hareshme, ky shpirt do të jetë i bekuar.

11 O Providencë Hyjnore! Ngrije në buzët e të dashurve të Tu një kupë plot me dhimbje. Ndaj të malluarve në shtegun Tënd bëj ëmbëlsi veç një thumb dhe bëj helm sheqer e mjaltë. Vëri Ti kokat tona si stoli mbi majat e heshtave. Bëji zemrat tona objektiva për shtizat e shigjetat e pamëshirshme. Ngrije Ti këtë shpirt të shterpëzuar drejt jetës mbi fushën e martirit, bëje këtë zemër të flashkët të pijë gllënjkën prej tiranisë dhe kështu të bëhet e freskët dhe e ndershme edhe njëherë. Bëje atë të dehur me verën e Besëlidhjes Tënde të Përjetshme, bëje atë qejfli duke mbajtur lart kupën e tij. Ndihmoje atë të flakë tej jetën e tij; lejo që ai të flijohet për hir Tënd.
12 Ti je i Madhi, i Fuqishmi. Ti je Njohësi, Shikuesi, Dëgjuesi.

191 1 O ti që po lëngon kaq shumë në shtegun e Besëlidhjes! Kur vuan në shtegun e Zotit, të Atij me shenja të qarta, dhimbja dhe trazimi është vetëm favor dhe hir; vuajtja është veçse mëshirë dhe hidhërimi një dhuratë nga Perëndia. Helmi është sheqer mbi gjuhë dhe pezmatimi është mirësi që ushqen shpirtin.
2 Atëherë lavdëro Perëndinë, Dhuruesin e dashur, se ka urdhëruar këtë lëngatë të rëndë që është veçse bujari e pastër.

3 Nëse Unë si Abraham mes flakësh duhet të shkoj,
Apo si Gjon60 një rrugë të përgjakur duhet të përshkoj;
Nëse si Josif Ti do më flakje në një pus,
Ose të më mbyllje brenda në një burg-
Ose më bëje aq të varfër sa Biri i Marisë-
Unë prej Teje nuk lëviz,
Por qëndroj përherë më këmbë
Përulur shpirt e trup ndaj urdhrit Tënd.

192 Sot Zoti i Tubimeve është mbrojtësi i Besëlidhjes, forcat e Mbretërisë e mbrojnë atë, shpirtra qiellorë ofrojnë shërbimet e tyre dhe engjëj qiellorë shpallin e përhapin transmetimin e saj. Po të mendohet me mprehtësi, do të shihet se të gjitha forcat e universit, në analizë të fundit, i shërbejnë Besëlidhjes. Në të ardhmen ajo do të bëhet e dukshme dhe manifest. Nisur nga ky fakt, ç’mund të arrijnë këta shpirtra të dobët e të mekur? Bimët e breshta që s’kanë rrënjë dhe që privohen prej reshjeve të resë së mëshirës nuk e kanë të gjatë. Ç’mund të pritet pastaj nga barërat e këqija të dobëta?

193 1 Është agim dhe nga pikë-lindja e mbretërive të padukshme të Perëndisë po agon drita e unitetit; dhe me rrëke e duke u derdhur prej botës së fshehtë të Mbretërisë së njëshmërisë vjen atje një vërshim i hirit të begatë. Lajmet e gëzuara të Mbretërisë që po kumbojnë nga çdo anë dhe po fryjnë nga çdo drejtim janë shenjat e para të mëngjesit të lartësimit të Fjalës së Perëndisë dhe të ngritjes së Kauzës së Tij. Fjala e unitetit po përhapet, vargjet e njëshmërisë janë duke u kënduar, deti i blatimeve të Perëndisë po hedh përpjetë valët e tij dhe në ujëvarat e larta po derdhen bekimet e Tij.
2 Konfirmimet e Atij që është Gjithmonëfalësi kanë mbështjellë me dritë çdo vend, ushtritë e Grupimit qiellor po sulen përpara në betejë përkrah miqve të Zotit dhe arrijnë fitoren, famën e Bukurisë së Lashtë – u flijoftë jeta ime për të dashurit e Tij – që përhapet nga poli në pol, ndërsa fjala e Kauzës së Shenjtë ka marrë dheun nga lindja në perëndim.
3 Gjithë këto gjëra sjellin gëzim në zemër e megjithatë ‘Abdu’l-Bahái është i zhytur thellë në një oqean hidhërimi e duart e këmbët më dhembin e më therin aq shumë sa ma kanë ligështuar plotësisht tërë trupin tim. Vini re se kur isha krejt i vetëm, me asnjë që të më pasonte, Unë ngrita thirrjen e Perëndisë rreth botës e nga kjo njerëzit u ngritën për të kundërshtuar, debatuar e mohuar. Nga njëra anë është e qartë se si fetarët e së shkuarës kanë ngritur sulmin e tyre nga të gjitha pikat; atje përsëri vijnë fjalët e tallësve gënjeshtarë dhe kufizimet ekstreme me të cilat ata do të shkulin nga rrënjët Pemën Hyjnore. Çfarë akuzash të poshtra e shpifëse ngritën ata kundër Bukurisë së Lashtë, çfarë pamfletesh të mbushur me pohime të këqija e të shtrembra po shkruajnë e po përhapin pa reshtur kundër Emrit Më të Madh! Dhe tani, në fshehtësinë më të plotë, ata po tendosin çdo nerv për t’i dhënë këtij Besimi një goditje të frikshme.
4 Përsëri mburravecët kanë shpikur gjithë mënyrat e rrengjeve dhe planeve për të sakatuar plotësisht Kauzën e Perëndisë dhe për të fshirë nga Libri i Jetës emrin e ‘Abdu’l-Baháit.
5 Dhe tani për t’iu shtuar gjithë këtyre mundimeve, këtyre mjerimeve, këtyre sulmeve armike, atje është ngritur një re pluhuri keqdashjeje midis vetë besimtarëve. Kjo në kundërshtim me faktin që Kauza e Bukurisë së Lashtë është vetë thelbi i dashurisë, vetë shtrati i njëshmërisë, që ekziston vetëm që të gjithë të bëhen valët e një deti dhe yje të shkëlqyer të të njëjtit qiell të pafund, perla brenda guaskës së njëshmërisë dhe xhevahire vezullues të nxjerrë nga minierat e unitetit; që ata të bëhen shërbëtorë të njeri-tjetrit, të adhurojnë njëri-tjetrin, të bekojnë njëri-tjetrin, të lavdërojnë njëri-tjetrin; që secili të zgjidhë gjuhën dhe të lartësojë të tjerët pa përjashtim, secili të shprehë mirënjohjen e tij ndaj gjithë pjesës tjetër; që të gjithë të ngrenë sytë e tyre në horizontin e lavdisë e të kujtojnë që ata janë lidhur në Pragun e Shenjtë; që ata të mos shihnin te njëri-tjetri asgjë veçse të mirën, të mos dëgjonin asgjë veçse lavdërimin e njeri-tjetrit e të mos thoshin asnjë fjalë për njëri-tjetrin përveç lavdërimit.
6 Ka në të vërtetë disa që ecin në këtë rrugë të drejtësisë dhe, qoftë falënderuar Perëndia, ata forcohen e mbështeten në çdo vend nga fuqia qiellore. Por të tjerët nuk janë ngritur siç duhet te kjo pozitë e lavdishme e lartësuar dhe kjo ngarkon në zemrën e ‘Abdu’l-Baháit një barrë të rëndë hidhërimi, hidhërim që nuk merret dot me mend. Sepse Kauzën e Perëndisë nuk mund ta sulmojë dot kurrë një stuhi më të rrezikshme se kjo e asgjë tjetër nuk mund ta zvogëlojë kaq shumë ndikimin e Fjalës së Tij.
7 Ju takon gjithë të dashurve të Perëndisë të bëhen një, të mblidhen së bashku nën mbrojtjen e një flamuri të vetëm, të jenë si një trup i vetëm në mendime, të ndjekin një dhe të njëjtin shteg, të mbahen fort pas një vendimi të vetëm. Le t’i harrojnë ata teoritë e kundërta e të lënë mënjanë pikëpamjet e tyre konfliktuale përderisa, qoftë lavdëruar Perëndia, qëllimi ynë është një, synimi ynë është një. Ne jemi shërbëtorët e një Pragu, ne të gjithë marrim ushqimin tonë nga një Burim i njëjtë, ne të gjithë mblidhemi nën hijen e të njëjtit Tabernakull të lartë, ne të gjithë strehohemi nën një Pemë qiellore.
8 O të dashurit e Zotit! Në qoftë se ndonjë shpirt flet keq për ndonjërin që nuk ndodhet aty, është e qartë se rezultati do të jetë ky: ai do të shuajë zellin e miqve dhe do t’i prirë ata të bëhen indiferentë. Sepse përgojimi sjell ndarje, ai është shkaku kryesor që ngjall midis miqve prirjen për t’u tërhequr. Në qoftë se ndonjë individ flet keq për ndonjërin që nuk është i pranishëm, dëgjuesit e tij duhet që, në një mënyrë të sjellshme e miqësore, ta ndalin dhe t’i thonë lidhur me këtë: a i shërben kjo përfolje ndonjë qëllimi të dobishëm?A do t’i pëlqente kjo Bukurisë së Bekuar, a do të ndihmonte për të ruajtur nderimin e vazhdueshëm ndaj miqve, a do të çonte përpara Besimin e shenjtë, a do të mbështeste Besëlidhjen, ose a do t’i sillte ndonjë përfitim ndonjë shpirti? Jo, kurrë! Në të kundërtën, kjo do të bënte që pluhuri të bëhej kaq i trashë në zemër, saqë veshët nuk do të dëgjonin më dhe sytë nuk do të sodisnin më dritën e së vërtetës.
9 Por në qoftë se një person flet mirë për një tjetër, duke e hapur gojën për të lavdëruar një tjetër, ai do të prekë një tel të ndjeshëm në dëgjuesit e tij dhe ata do të gjallërohen nga fryma e Perëndisë. Zemrat dhe shpirtrat e tyre do të gëzohen kur të shohin se këtu, lëvduar qoftë Perëndia, në Besimin ka një shpirt që është një fokusim i përsosurive njerëzore, një mishërim i vërtetë i bujarisë së Zotit, një njeri që ka gjuhë elokuente dhe fytyra e të cilit ndriçon në çdo takim që mund të ndodhet, një njeri që e ka të shkruar në ballë fitoren dhe që është një qenie e mbështetur nga shija e ëmbël e Perëndisë.
10 Atëherë, cila është rruga më e mirë? Betohem për bukurinë e Zotit: sa herë dëgjoj të flitet mirë për miqtë, zemra më mbushet me gëzim; por sa herë dëgjoj qoftë edhe një aluzion se ata kanë marrëdhënie jo të mira me njëri-tjetrin, më pushton hidhërimi. Kjo është gjendja e ‘Abdu’l-Baháit. Atëherë gjykoni nga kjo cila është detyra juaj.
11 Qoftë lavdëruar Perëndia, kudo ku kthehemi, Bukuria e Lashtë ka hapur kat më kat portat e hirit dhe me fjalë të pagabueshme ka njoftuar lajmet e gëzuara të fitores nëpërmjet ndihmës mbështetëse të Zotit. Ai ka fituar zemrat e besimtarëve nëpërmjet dashurisë dhe ia ka besuar triumfin e tyre ushtrive të Tubimit të epërm.
12 Tani mes gjithë popujve të botës i shtrenjti duhet të ngrihet me zemrën si dielli, me një shtytje të fortë të brendshme, me ballin që i ndrin, me një frymë aromë-parfumi, me një gjuhë që flet kurdoherë për Perëndinë, një shpjegim të qartë si kristali, me një vendim të lartë, një fuqi të lindur nga qielli, me karakter shpirtëror e me krezmim veçse hyjnor. Le të bëhen të gjithë ata si një shkëlqim në horizontin e qiellit dhe një yll verbues në qiejt e botës. Le të jenë ata pemë me kokrra në tendat qiellore, lulishte aromë-ëmbël në kopshtet qiellore; le të jenë ata vargje përkryerjeje në faqen e universit, fjalë njëshmërie në Librin e Jetës. Kjo është epoka e parë dhe fillimet e hershme të dispensacionit të Dritës Më të Madhe, prandaj brenda këtij shekulli, brenda kësaj hapësire kohore duhet të fitohen virtytet e duhet të përsosen cilësitë e mira. Pikërisht në këto ditë Parajsa Abhá duhet të ngrejë tendat e saj mbi rrafshinat e botës, Dritat e realitetit duhet të revelohen tani dhe sekretet e blatimeve të Perëndisë duhen bërë të njohura, hiri i vjetër duhet të shkëlqejë tani dhe kjo botë të ndryshojë në një shesh-kënaqësie të qiellit, kopshtit të Perëndisë. Dhe prej zemrave të dëlira dhe prej bujarive qiellore tani duhet të bëhen manifest gjithë përsosmëritë, cilësitë dhe atributet e hyjnores.
13 ‘Abdu’l-Bahái lutet gjatë gjithë kohës, i përgjërohet me lot të Plotfuqishmit në Pragun e shenjtë dhe thërret:

14 O Ti Zot i mirë! Ne jemi shërbëtore të Pragut Tënd, që strehohemi në Derën Tënde të shenjtë. Ne nuk kërkojmë mbrojtje përveçse vetëm te kjo shtyllë e fortë, nuk kthehemi asgjëkund për një qiell, përveçse nën mbrojtjen Tënde. Na mbro, na beko, na mbështet, na bëj të tillë që të duam veçse kënaqësinë Tënde të plotë, të shprehim vetëm Lavdërimin për Ty, të ndjekim vetëm shtegun e së vërtetës, u bëfshim tamam të pasur për t’i flakur të gjitha përveç Teje dhe të marrim dhuratat tona prej detit të së mirës Tënde, të përpiqemi gjithmonë për të lartësuar Kauzën Tënde e të shpërndajmë shijet e Tua të ëmbla kudo, të harrojmë veten dhe të merremi vetëm me Ty, të mohojmë gjithçka tjetër e të kapemi pas Teje.
15 O Ti Dhurues, O Ti Falës! Na jep hirin dhe dashamirësinë Tënde, dhuratat dhe blatimet e Tua e na mbështet që të arrijmë qëllimin tonë. Ti je i Fuqishmi, i Afti, Njohësi, Shikuesi; dhe me të vërtetë Ti je Zemërmadhi, dhe me të vërtetë Ti je Mëshirëploti, dhe me të vërtetë Ti je Kurdo-Falësi, Ai për të Cilin mjafton pendimi, Ai Që fal edhe mëkatet më të rënda.

194 1 O ju të dashurit e sinqertë të Bukurisë Abhá! Në këto ditë, Kauza e Perëndisë anembanë botës po e rrit me shpejtësi fuqinë e saj dhe nga dita në ditë po përhapet gjithnjë më tej gjer në skajet më të largëta të tokës. Prandaj armiqtë e saj nga të gjithë fiset e popujt e botës po bëhen agresivë, dashakeqë, ziliqarë e tepër të egër. Është detyrë e të dashurve të Perëndisë të tregojnë kujdesin e maturinë më të madhe në të gjitha gjërat, të mëdha a të vogla qofshin, të këshillohen së bashku dhe të bashkuar t’i qëndrojnë sulmit të nxitësve të përçarjes e të shkaktarëve të trazirave. Ata duhet të mundohen për t’u shoqëruar me shpirt miqësor me çdonjërin, duhet të jenë të përmbajtur në qëndrimin e tyre, duhet të kenë respekt dhe konsideratë për njëri-tjetrin e të shfaqin dashamirësi e ëmbëlsi për të gjithë popujt e botës. Ata duhet të jenë të durueshëm e të qëndrueshëm që të rriten për t’u bërë magnetet hyjnore të Mbretërisë Abhá dhe të fitojnë forcën e gjallë të ushtrive të mbretërisë së epërme.
2 Orët fluturake të jetës së njeriut mbi tokë ikin shpejt dhe e pakta që mbetet endé do të marrë fund, por ajo që reziston e zgjat përgjithmonë është fryti që vjel njeriu prej nënshtrimit në Pragun Hyjnor. Shihni të vërtetën e kësaj thënieje, shihni se sa të begata e të lavdishme janë dëshmitë e saj në botën e qenies!
3 Lavdia e lavdive u prehtë mbi njerëzit e Baháit!

195 1 O ti degë e lartësuar e Pemës hyjnore të Lotusit! …Kur përbuzesh e refuzohesh nga keqbërësit mos e jep veten; dhe kurrë mos u lëndo e mos vuaj për shkak të pushtetit e të kryelartësisë së mendjemadhit; sespe e tillë është sjellja e shpirtrave të shkujdesur qysh prej kohësh që s’mbahen mend. “O shpirtligësi e njerëzve! Asnjë Lajmëtar nuk shkon tek ata dhe të mos e tallin e përbuzin!”61
2 Me të vërtetë, sulmet dhe pengesat e injorantit bëjnë vetëm që të lartësohet Fjala e Perëndisë dhe të përhapen gjatë e gjerë shenjat e simbolet e Tij. Po të mos ishin kjo kundërvënie e përçmuesve, kjo kokëfortësi e shpifësve, këto britma nga katedrat, këto të qara e vajtime nga të mëdhenj e të vegjël, këto akuza për mosbesim të ngritura nga injorantët, kjo zhurmë e të marrëve – si do të ishte e mundur që lajmet e ardhjes së Pikës Parësore dhe të agimit të ndritshëm të Yllit të Ditës të Bahá’íve të arrinin në lindje e në perëndim? E si do të mundej ndryshe të lëkundej planeti nga njëri pol në tjetrin? Si do të mundej ndryshe Persia të bëhej vatra e përhapjes së shkëlqimeve dhe Azia e Vogël zemra rrezatuese e bukurisë së Zotit? Si do të mundej ndryshe të përhapej në jug flaka e Manifestimit? Me ç’mjete do të mund të dëgjoheshin në veriun e largët thirrjet e Perëndisë? E si do të mund të dëgjoheshin ndryshe thirrjet e Tij në kontinentet e Amerikës e të Afrikës së zezë? E si do të mundej ndryshe kënga e zbardhëllimit të Qiellit të arrinte në këta veshë? E si do të mundnin ndryshe papagallët e ëmbël të Indisë të vinin tek ky sheqer, ose bilbilat t’ia thonin këngës nga toka e Irakut? Ç’gjë tjetër mund t’i bënte lindjen dhe perëndimin të vallëzonin, e si do të mundej ndryshe ky Vend i Shenjtëruar të bëhej Froni i Bukurisë së Perëndisë? Si do të mundej ndryshe Sinai të sodiste këtë ndriçim flakërues, si do të mundej flaka e Ardhjes ta stoliste atë mal? Si do të mundej ndryshe Toka e Shenjtë të bëhej këmbëmbështetësja e Bukurisë së Perëndisë dhe lugina e shenjtë e Tuvës62 të bëhej vendi i përsosurisë e i hirit, vendi i shenjtë ku Moisiu hoqi sandalet e Tij? Si do të mundej frymëmarrja e qiellit të kalonte tej Luginës së Shenjtërisë, si do të mundeshin puhitë e lehta erëmira që fryjnë nga kopshtet e Abhásë të ndjeheshin prej atyre që banojnë në Ishullin e Blerimit? Ndryshe si do të mund të përmbusheshin ndonjëherë premtimet e Profetëve, lajmet e gëzuara të Vizionarëve të shenjtë të së shkuarës, premtimet shtytëse të dhëna në këtë Vend të Shenjtë nga Manifestimet e Perëndisë?
3 Si mund të ishte mbjellë këtu ndryshe Pema e Anisas, të valëvitej flamuri i Testamentit, të ngrihej në këto buzë kupa dehëse e Besëlidhjes? Të gjitha këto bekime e dhunti, vetë mjetet e shpalljes së Besimit, janë shfaqur papritur nëpërmjet talljeve të injorantit, kundërvënies së të marrit, kokëfortësisë së kokëtrashit, dhunës së agresorit. Po të mos kishin qenë këto gjëra, lajmet e ardhjes së Báb-it nuk do të kishin arritur deri më sot as edhe në vende aty pranë. Prandaj ne kurrë nuk duhet të hidhërohemi për verbërinë e kokëtrashit, për sulmet e të marrit, për keqdashjen e të ultit e të poshtrit, për moskokëçarjen e klerikëve, për akuzat për pabesi që ngrejnë kundër nesh ata që s’kanë mend. E tillë ka qenë gjithashtu sjellja e tyre në epokat e shkuara, dhe nuk do të ishte e tillë po qe se ata do të ishin ndër ata që kuptojnë; por ata janë në errësirë dhe as që i afrohen kuptimit të atyre që u thuhen.63
4 Ndaj ty degëz e Pemës së Shenjtë të Perëndisë, degëzuar prej atij Trungu të fuqishëm, të ka hije – e na takon dhe neve gjithashtu – të digjesh kështu, nëpërmjet hirit mbështetës të Bukurisë së Lashtë – dhënça jetën time për Faltoren e Tij Më të Shenjtë – me këtë flakë të ndezur prej qiellit, që ne të ndezim zjarrin e dashurisë së Perëndisë nga poli në pol. Le të marrim si shembull Pemën e madhe e të shenjtëruar të Bábit të lartësuar – dhënça jetën time për Të. Si Ai le të nxjerrim gjokset tona ndaj shigjetave të agonisë, si Ai le t’i bëjmë zemrat tona të jenë objektiva për heshtat e urdhëruara nga Perëndia. Le të tretemi si qirinjtë; le të përcëllojmë krahët tanë si fluturzat; si laureshat e fushës, të shfrejmë klithmat tona vajtuese; të shpërthejmë në vaj si bilbilat.
5 Le të derdhim lotët tanë si retë dhe si vetëtima drite le të qeshim me lotët tanë nëpër lindje e perëndim. Ditë e natë le të mendojmë vetëm për përhapjen e aromave të këndshme të Perëndisë. Le të mos mbahemi gjithmonë me tekat dhe iluzionet tona, me analizimin, interpretimin dhe qarkullimin e dyshimeve tona komplekse. Le të lëmë mënjanë gjithë mendimet e vetes; le të mbyllim sytë ndaj gjithçkaje mbi tokë, le të mos i bëjmë të njohura as vuajtjet tona, as të mos ankohemi për gabimet tona. Madje le të harrojmë veten tonë, të shpërthejë gëzimin ynë duke pirë verën e hirit qiellor e të humbasim në bukurinë e Lavdiplotit.
6 O ti Afnan i Pemë-Lotusit hyjnor! Ne duhet të përpiqemi, secili prej nesh për t’u bërë si degët plot dhe të japim frute më të ëmbla e më të dobishme se kurrë, që dega të tregojë veten si vijimësi e rrënjës dhe pjesa të jetë në harmoni me të tërën. Kam shpresë se prej bujarisë së Emrit Më të Madh dhe dashamirësisë së Pikës Kryesore – dhënça shpirtin tim për Ata të dy – ne do të bëhemi mjetet e lartësimit të Fjalës së Perëndisë përreth botës; që ne kurdoherë t’i bëjmë shërbimet tona Burimit të Kauzës sonë, të përhapim mbi të gjithë tendën e së vërtetës dhe zellin e shenjtë të Perëndisë. Që prej fushave të hirit ne bëfshim të fryjë zefiri, duke sjellë tek njeriu aromat e ëmbla që vijnë prej kopshteve të Perëndisë. Që prej kësaj bote bëfshim Parajsën Abhá dhe të ndryshojmë këtë vend të ulët në Mbretërinë e Qiellit.
7 Është e vërtetë se çdonjëri prej shërbëtorëve të Perëndisë e veçanërisht ata që janë të flakëruar nga Besimi, u është caktuar kjo detyrë shërbimi ndaj Perëndisë së Plotfuqishëm; megjithatë, detyra që na është vënë ne është më e madhe se ajo që i shtrohet pjesës tjetër. Ndaj Tij ne kërkojmë hir, favor dhe forcë.
8 Qoftë lëvduar e faleminderit Bukurisë së Bekuar, që hodhi në veprim ushtritë e Mbretërisë së Tij Abhá dhe që na dërgoi ndihmën e Tij të pandërprerë, të sigurt si yjet që dalin Në çdo rajon të tokës Ai ka mbështetur këtë shërbëtor të veçantë, të vetmuar, në çdo moment Ai më ka bërë të njohur shenjat dhe simbolet e dashurisë së Tij. Ai i ka trullosur gjithë ata që po mbahen pas iluzioneve të tyre të kota dhe i bëri ata të poshtër në sytë e të lartëve dhe të ulëtëve. Ai ka bërë ata që shkuan pas trilleve dhe tekave të tyre të bëhen objekte të qortimit të përgjithshëm dhe i ka ekspozuar arrogantët në sy të publikut; Ai e ka bërë atë pjesë të miqve që u treguan të paqëndrueshëm ndaj besimit për të shërbyer si një paralajmërim për çdo shikues dhe i ka bërë udhëheqësit e tyre që lëkunden të duan veç veten dhe të fundosen në vetëkënaqësi. Ndërkohë, me forcën e madhështisë së Tij, Ai e ka bërë këtë zog krahëthyer të ngrihet mbi gjithë ata që banojnë mbi tokë. Ai i ka shpartalluar radhët e ngjeshura të rebelëve, u ka dhënë fitoren ushtrive të shpëtimit e u ka dhënë në zemra frymën e jetës së përjetshme atyre që qëndrojnë të vendosur në Besëlidhje e Testament.
9 Përcilli përshëndetjet Abhá secilit prej të Afnanit, degëzuar prej Pemës së Shenjtë. Lavdia u prehtë mbi ty dhe mbi gjithë Afnanët që mbetën besnikë dhe të vërtetë në Besëlidhje.

196 1 O ti që je i patundur në Besëlidhje! Letrën tënde të datës 9 shtator 1909 e morëm. Mos u hidhëro, as mos u dëshpëro për çfarë ka ndodhur. Ky hall të zuri ndërsa ecje në shtegun e Perëndisë, prandaj ai duhet të të sillte gëzim. Ne iu drejtuam miqve me shkrim para kësaj dhe bëmë po ashtu një deklaratë verbale me përfundimin që miqtë në Perëndim do të kenë padyshim pjesën e tyre të fatkeqësive që po kalojnë miqtë në Lindje. Është e pashmangshme që, duke ecur në shtegun e Bahá’u’lláh-ut. ata gjithashtu do të bëhen objekt i përndjekjes nga ana e shtypësve.
2 Mendo se si u pikëlluan Apostujt në fillim të epokës së krishterë dhe ç’mundime hoqën ata në shtegun e Krishtit. Çdo ditë të jetës së tyre ata ishin objektiva për shigjetat e përqeshjes, përgojimit dhe sharjes së Farisenjve. Ata duruan vuajtje të mëdha; ata panë burgun; dhe shumica e tyre mbajti në buzë kupën e ëmbël të martirizimit.
3 Tani ju, gjithashtu, me siguri duhet të bëheni shokë të mi në njëfarë shkalle dhe të pranoni pjesën tuaj të sprovave e të brengave. Por këto episode do të kalojnë, ndërsa lavdia e pafundme dhe jeta e amshueme do të mbeten të pandryshuara përgjithmonë. Për më tepër, këto vuajtje do të bëhen shkak për një përparim të madh.
4 Unë i kërkoj Perëndisë që ti, bujku i Tij, ta plugosh tokën e fortë e të gurtë, ta ujitësh e të hedhësh atje farat – sepse kjo do të tregojë sa i zoti është një bujk, se kur toka është e butë dhe e pastër nga ferrat e drizat mund ta lërojë e mbjellë çdo njeri.

197 1 O ti shërbëtor i Perëndisë! Mos u hidhëro për vuajtjet dhe fatkeqësitë që të kanë rënë. Të gjitha fatkeqësitë e vuajtjet janë bërë për njeriun, që ai të shkelmojë këtë botë të vdekshme – një botë me të cilën ai është shumë i lidhur. Kur ai heq sprova e mundime të rënda, atëherë natyra e tij do të zmbrapset e ai do të dëshirojë mbretërinë e përjetshme – një mbretëri e cila është e spastruar prej gjithë vuajtjeve dhe fatkeqësive. E tillë është puna me njeriun që është i urtë. Ai kurrë nuk do të pijë nga një kupë që është në fund e papëlqyeshme, por përkundrazi, ai do kërkojë kupën e ujit të pastër e të kthjellët. Ai nuk do të shijojë prej mjaltit që është i përzierë me helm.
2 Lavdëro Perëndinë, që ti ke kaluar dhe provuar një test të tillë. Ji i duruar dhe mirënjohës. Ktheje fytyrën nga Mbretëria hyjnore, përpiqu që të fitosh karakteristika të mëshirshme, të bëhesh i shndritshëm dhe të fitosh atributet e Mbretërisë e të Zotit. Mundohu të bëhesh indiferent ndaj kënaqësive të kësaj bote dhe ndaj komoditetit të saj, për të mbetur i fortë dhe i patundur në Besëlidhje e të shpallësh Kauzën e Perëndisë.
3 Kjo është kauza e lartësimit të njeriut, kauza e lavdisë së tij dhe e shpëtimit të tij.

198 1 O ti që je dashuruar me frymët e Perëndisë! Unë e kam lexuar letrën tënde që thërriste me dashuri për Perëndinë, për joshjen tënde të papërballueshme ndaj Bukurisë së Tij dhe tema e saj e mahnitshme e gëzoi zemrën time.
2 Synimi im për çka të shkrova në letrën e mëparshme ishte ky që kur lartëson Fjalën e Perëndisë ke për të ndeshur sprova e fatkeqësi; dhe se duke dashur Atë ka mundime, vuajtje e pikëllime në çdo moment.
3 Është detyrë e individit t’i vlerësojë fillimisht këto sprova, t’i pranojë ato me gatishmëri dhe t’i mirëpresë ato me etje; vetëm atëherë ai duhet të vazhdojë me mësimin e Besimit dhe lartësimin e Fjalës së Perëndisë.
4 Në një gjendje të tillë, pavarësisht se ç’mund t’i bjerë atij në dashurinë për Perëndinë – ngacmim, qortim, përgojim, mallkime, rrahje, burgim, vdekje – ai kurrë nuk do të ligështohet dhe zjarri i tij për Bukurinë Hyjnore veçse do të fitojë forcë. Kjo ishte ajo që doja të thosha.
5 Përndryshe, fatkeqësi e mjerim ndaj shpirtit që rend pas rehatisë, pasurive dhe kënaqësive tokësore, ndërsa nuk qederoset të sjellë ndërmend Perëndinë! Sepse fatkeqësitë që ndeshen në shtegun e Perëndisë për ‘Abdu’l-Baháin janë veçse favor e hir dhe në një nga Tabelat e Tij Bukuria lavdiplotë ka deklaruar: ‘Unë kurrë nuk kalova një pemë pa iu drejtuar me zemër duke i thënë: ‘Ah sikur të ishe prerë në emrin Tim dhe trupi Im të kryqëzohej mbi ty!” Këto ishin fjalët e Emrit Më të Madh. Ky është shtegu i Tij. Kjo është udha drejt Mbretërisë së Tij të Fuqisë.

199 1 O ju të sinqertët, ju të dëshiruarit, ju që jeni tërhequr si të magnetizuar, ju që jeni ngritur për t’i shërbyer Kauzës së Perëndisë, për të lartësuar Fjalën e Tij dhe për të përhapur kudo aromat e tij të këndshme! Unë e kam lexuar letrën tuaj të shkëlqyer, të bukur nga stili, elokuente nga fjalët, të thellë nga kuptimi dhe lavdëroj Perëndinë, e falënderoj Atë që iu ka ardhur në ndihmë e u aftësoi për t’i shërbyer Atij në vreshtin e Tij të stërmadh.
2 Së shpejti fytyrat tuaja do të shkëlqejnë me rrezatimin e përgjërimeve dhe adhurimit tuaj për Perëndinë, lutjeve tuaja për Të, përulësinë tuaj e vetëmohimin para miqve. Ai do të bëjë prej kuvendit tuaj një magnet që do të tërheqë drejt jush rrezet e shkëlqyera të krezmimeve hyjnore që shndrisin prej mbretërisë së Tij të lavdisë.
3 Detyra juaj është që në zemrat tuaja të peshoni e të përsiatni fjalët e Tij, t’i drejtoheni Atij përulësisht dhe ta lini veten në Kauzën e Tij qiellore. Këto gjëra do të bëjnë prej jush shenjat e udhërrëfimit për gjithë njerëzimin, yjet e shkëlqyeshëm që ndriçojnë nga horizonti më i lartë dhe pemët gjigande në Parajsën Abhá.
4 Dijeni se ‘Abdu’l-Bahái rron me kënaqësi të vazhdueshme. Të jem i mbyllur në këtë burg të largët është për mua gëzim i jashtëzakonshëm. Për jetën e Bahá-s! Ky burg është parajsa ime qiellore; është qëllimi im i dëshiruar, ngushëllim i gjoksit tim, hareja e zemrës sime; ai është shpëtimi im, streha ime, siguria ime, qielli im i sigurt dhe brenda tij ngazëllehem mes ushtrive të qiellit dhe Kompanisë së epërme.
5 Gëzohuni me skllavërinë time, o ju miq të Perëndisë, sepse ajo mbjell farat e lirisë; gëzohuni me burgimin tim se ai është burimi i shpëtimit; jini të kënaqur me mundimin tim, se ai çon drejt lehtësimit të përjetshëm. Për Zotin Perëndi! Unë nuk do ta shkëmbeja këtë burg me fronin e tërë botës, as nuk do ta lija këtë burgim për kënaqësitë dhe argëtimet në gjithë kopshtet e bukur të dheut. Kam shpresë se prej hirit të begatë të Zotit, bujarisë së madhe dhe dashamirësisë së Tij, në shtegun e Tij të jem i varur në qiell që zemra ime të bëhet objektiv për një mijë plumba apo të hidhem në thellësitë e detit, apo të mbetem që të mbaroj mbi rërat e shkretëtirës. Kjo është ajo për të cilën digjem më shumë; kjo është dëshira ime supreme; ajo më ripërtërin shpirtin, është balsam për gjoksin tim, është vetë ngushëllimi i syve të mi.
6 Sa për ju, O të dashurit e Perëndisë, ngulini fort hapat në Kauzën e Tij, me aq vendosmëri që të mos u lëkundin as fatkeqësitë më të hidhura që sulmojnë botën. Mos u turbulloni nga asgjë dhe në asnjë rrethanë. Mbahuni fort si malet e lartë, qofshi yje që zbardhin mbi horizontin e jetës, qofshi fanarë të shkëlqyer në kuvendet e unitetit, qofshi shpirtra modestë e të përulur në prani të miqve, qofshi të pafajshëm në zemër. Qofshi simbole të udhërrëfimit dhe drita të besimit, të shkëputur nga bota, duke u kapur te doreza që është e sigurt dhe e fortë, duke shpërndarë kudo shpirtin e jetës, duke ngarë Arkën e shpëtimit. Qofshi agime të zemërmadhësisë, pika agimi të mistereve të ekzistencës, vende ku ulet frymëzimi, vend-lindjet e shkëlqimeve, shpirtra të mbështetur nga Shpirti i Shenjtë, të dashuruar me Zotin, të veçuar prej të gjithëve, përveç Tij, të shenjtë mbi karakteristikat e njerëzimit, të veshur me atributet e engjëjve të qiellit, që të fitoni për vete më të lartin e të gjitha blatimeve në këtë kohë të re, në këtë epokë të mahnitshme.
7 Për jetën e Baháit! Vetëm ai që është i shkëputur nga bota do të arrijë këtë hir vendimtar, ai që është rob i dashurisë hyjnore, i zbrazur nga pasioni dhe vetja, i vërtetë me Perëndinë e tij nga çdo aspekt, i thjeshtë, i përulur, përgjërues, në lot, i nënshtruar para Zotit.

200 1 O i dashuri im shpirtëror! Në kohën kur një oqean provash e fatkeqësish po dallgëzonin dhe përplasnin valët e tyre ndaj qiejve, kur turmat po na sulmonin dhe tiranët po na shkaktonin të këqija dërmuese – në një kohë të tillë një bandë individësh, duke synuar të na diskreditonin, u lidhën me vëllanë tonë lë lig, nxorën një traktat që ishte mbushur me një barrë shpifjesh dhe drejtuan kundër nesh akuza e shpifje.
2 Në këtë mënyrë ata alarmuan e futën në pështjellim autoritetet qeveritare dhe duket sheshit se në ç’gjëndje u ndodh atëherë ky i burgosur në këtë fortesë të rrënuar dhe ç’dëm e djallëzi e madhe ishte bërë, shumë më i keq se sa fjalët që mund t’u them. Pa marrë parasysh asgjë, ky i burgosur i pastrehë qëndroi brenda i qetë dhe i sigurt duke besuar në Zotin që s’ka shok të dytë, i etur për çfarëdo fatkeqësish që duhet të ndeshte në shtegun e dashurisë së Perëndisë. Sepse shkreptimat e urrejtjes në sytë tanë janë veçse një dhuratë perlash prej Tij dhe helmi vdekjeprurës veçse një gllënjkë shërimi.
3 E tillë ishte gjendja jonë kur na mbërriti një letër nga miqtë amerikanë.64 Ata ishin lidhur së bashku, prandaj shkruan për të mbetur një në të gjitha gjërat dhe të gjithë nënshkruesit kishin dhënë fjalën për të bërë sakrifica në shtegun e dashurisë për Perëndinë, për të arritur në këtë mënyrë jetën e amshuar. Pikërisht në momentin kur u lexua kjo letër, së bashku me nënshkrimet në fund të saj, ‘Abdu’l-Bahái provoi një gëzim aq të madh sa nuk ka penë ta përshkruajë dhe falënderova Perëndinë që miqtë ishin ngritur në atë vend që të jetojnë së bashku në harmoni të përkryer, në shoqëri të madhe, në marrëveshje të plotë, të lidhur ngushtë e të bashkuar në përpjekjet e tyre.
4 Sa më shumë të forcohet ky pakt aq më të gëzuara e më të mira do të jenë të gjitha gjërat, sepse do të tërheqë drejt vetes krezmimet e Perëndisë. Në qoftë se të dashurit e Perëndisë shpresojnë të fitojnë hir si miqtë e tyre të Kompanisë së epërme, ata duhet të bëjnë gjithçka që mundin për të forcuar këtë pakt, sepse një lidhje për vëllazërim dhe unitet është si ujitja e Pemës së Jetës; është jetë e përjetshme.
5 O ju të dashurit e Perëndisë! Bëjeni hapat tuaj të fortë; përmbushni fjalën e dhënë ndaj njeri-tjetrit; shkoni përpara me harmoni për të përhapur kudo shijet e ëmbla të dashurisë për Perëndinë dhe për të rrënjosur Mësimet e Tij, deri sa të thithni një shpirt në trupin e vdekur të kësaj bote dhe të sillni në mbretëritë fizike e shpirtërore shërimin e vërtetë për këdo që është i sëmurë.
6 O ju të dashurit e Perëndisë! Bota është si një qenie njerëzore që është e sëmurë dhe e pafuqishme, sytë e së cilës nuk mund të shohin më, veshët e së cilës janë shurdhuar, fuqitë e së cilës të gjitha janë gërryer dhe shterur. Prandaj miqtë e Perëndisë duhet të jenë mjekë kompetentë që duke ndjekur Mësimet e shenjta t’i kthejnë përsëri shëndetin këtij pacienti. Ndoshta, do Zoti, bota ndreqet e bëhet përherë e shëndoshë, kthehen aftësitë e saj të shterura dhe njeriu i saj merr aq fuqi, freski e blerim sa ajo të shkëlqejë me hir e lezet.
7 Ilaçi i parë për të gjitha është t’i drejtojmë njerëzit siç duhet, që ata të kthehen drejt Perëndisë, të dëgjojnë këshillimet e Tij e të shkojnë përpara me veshë që dëgjojnë e sy që shikojnë. Sapo kjo gllënjkë që vepron me shpejtësi u jepet atyre, atëherë në përputhje me Mësimet, ata duhet të udhëhiqen për të fituar karakteristikat e sjelljen e Tubimit të epërm, duhet të nxiten për të kërkuar gjithë bujaritë e Mbretërisë Abhá. Ata duhet të spastrojnë zemrat e tyre edhe nga gjurmët më të vogla të urrejtjes e mërisë, duhet të fillojnë të jenë të vërtetë dhe të ndershëm, pajtues e të dashur me gjithë njerëzimin – që Lindja e Perëndimi, si dy të dashur, të mbajnë njëri-tjetrin veçse afër; që urrejtja e armiqësia të zhduken prej dheut dhe paqja universale të rrënjoset fort në vendin e tyre.
8 O ju të dashurit e Perëndisë! Qofshi të mirë me gjithë njerëzit; kujdesuni për çdo person, bëni çdo gjë që mundni për të pastruar zemrat dhe mendjet e njerëzve; përpiquni për të kënaqur çdo shpirt. Qofshi reshje hiri për çdo livadh dhe ujë jete për çdo pemë; qofshi si parfum i këndshëm për ndjesinë e njeriut dhe fllad i freskët, përtëritës për të sëmurin. Qofshi ujëra kënaqësie për gjithë ata që janë të etur, udhërrëfyes të kujdesshëm për gjithë ata që kanë humbur udhën e tyre; qofshi nënë e babë për jetimin, qofshi bij e bija të dashur për të moshuarit, qofshi thesar i begatë për të varfrit. Mendoni për dashurinë dhe shoqërinë e mirë si kënaqësi të qiellit, mendoni për armiqësinë dhe urrejtjen si mundime të ferrit.
9 Mos i llastoni trupat tuaj me prehje, por punoni me gjithë shpirt, thërrisni me gjithë zemër e lusni Perëndinë për t’u dhënë ndihmën e hirin e Tij. Kështu e bëfshi ju këtë botë Parajsa Abhá dhe këtë glob dheu shesh parade të mbretërisë së epërme. Vetëm po të bëni përpjekje, është e sigurt që këto shkëlqime do të shndrisin, këto re mëshire do të derdhin shiun e tyre, këto erëra jetëdhënëse do të ngrihen e fryjnë, ky parfum erëmirë do të shpërndahet an’ e kënd.
10 O ju të dashurit e Perëndisë! Mos e mbani mendjen te ajo që po ndodh në këtë vend të shenjtë dhe mos jini në asnjë mënyrë të alarmuar. Çdo gjë që ndodhtë është për më të mirën, sepse e keqja është veçse thelbi i bujarisë, hidhërimi e mundimi janë mëshirë e pastër, ankthi është paqe e mendjes, të bësh një sakrificë është si të marrësh një dhuratë dhe çdo gjë që ndodhtë është dhënë prej hirit të Perëndisë.
11 Prandaj shihni detyrat tuaja vetjake: i drejtoni njerëzit dhe i edukoni në udhët e ‘Abdu’l-Baháit. Shpërndani te njerëzimi këtë mesazh të gëzuar prej Mbretërisë Abhá. Mos u preni as ditë e as natë; mos kërkoni asnjë moment paqeje. Përpiquni me sa fuqi që keni për të çuar në veshët e njerëzve këto lajme të gëzuara. Në dashurinë për Perëndinë dhe lidhjen tuaj me ‘Abdu’l-Baháin, pranoni çdo vuajtje, çdo hidhërim. Duroni thumbat e agresorit, duroni qortimet e armiqve. Ndiqni gjurmët e ‘Abdu’l-Baháit dhe shtegun e Bukurisë Abhá, në çdo moment me mall për të dhënë jetën tuaj. Ndriçoni si dielli, mos reshtni si deti; derdhni si retë e qiellit jetë përmbi fushë e kodër dhe si erëra prilli fryni freski nëpër pemët njerëzore dhe u sillni lulëzimin.

201 1 O ju që jeni të rrëmbyer nga dashuria e Perëndisë! Dielli i Së Vërtetës ka lindur mbi horizontin e kësaj bote dhe ka lëshuar rrezet e tij të udhërrëfimit. Hiri i përjetshëm nuk ndërpritet kurrë dhe fryti i atij hiri të përjetshëm është paqja universale. Flini të qetë se në këtë epokë të shpirtit Mbretëria e Paqes do të ngrejë tabernakullin e saj mbi majat e botës, në këtë mënyrë urdhrat e Princit të Paqes do të sundojnë arteriet dhe nervat e çdo njeriu për të tërhequr nën hijen e Tij mbrojtëse gjithë kombet e dheut. Bariu i vërtetë do t’u japë deleve të tij të pinë prej burimeve të dashurisë, të së vërtetës dhe të unitetit.
2 O shërbëtore e Perëndisë, paqja në fillim duhet të vendoset midis individëve deri sa ajo çon në fund në paqen midis kombeve. Prandaj, o ju Bahá’ít, përpiquni me gjithë fuqinë për të arritur nëpërmjet fuqisë së Fjalës së Perëndisë dashurinë e vërtetë, shkrirjen shpirtërore dhe lidhjet e qëndrueshme midis individëve. Kjo është detyra juaj.

202 1 O ju dashurues të së vërtetës, ju shërbëtorë të njerëzimit! Prej lulëzimit të mendimeve e shpresave tuaja vijnë në udhën time fillesa aromatike, ndaj një ndjesi e brendshme më detyron të hedh në letër këto fjalë.
2 Ju e shihni se si bota është ngritur kundër vetes, se sa shumë vende janë skuqur nga gjaku dhe vetë balta e saj është gatuar me gjakun e mpiksur njerëzor. Zjarret e konfliktit kanë flakëruar aq lart sa as në kohët e hershme, as në Epokën e Mesjetës, as në shekujt e fundit nuk ka pasur një luftë kaq të tmerrshme, një luftë që si gurët e mullirit bluan në vend të kokrrave kafkat e njerëzve. Madje edhe më keq, sepse shekujt e lulëzuar po shkojnë drejt rrënimit, qytetet po rrafshohen për tokë dhe shumë fshatra dikur të begatë janë kthyer në rrënoja. Baballarët kanë humbur bijtë e tyre dhe bijtë etërit e tyre. Zemrat e nënave derdhin lot për fëmijët e vdekur. Fëmijët kanë mbetur jetimë, gratë mbetën në mes të katër rrugëve, endacakët pa shtëpi. Njerëzimi ka rënë poshtë në çdo aspekt. Klithmat therëse të fëmijëve pa babë, zërat pikëllues të nënave ngrihen deri në qiej.
3 Dhe trualli ushqyes i gjithë këtyre tragjedive është paragjykimi: paragjykimi i racës e i kombit, i fesë, i opinionit politik; dhe shkaku rrënjësor i paragjykimit është imitimi i verbër i së shkuarës – imitim në fe, në qëndrimet racore, në prirjet nacionale, në politikë. Për aq kohë sa do të vazhdojë kjo majmunëri e së shkuarës, pikërisht për aq kohë erërat do të fryjnë nga të katër anët mbi themelet e rendit shoqëror, pikërisht për aq kohë njerëzimi do të jetë i ekspozuar ndaj rrezikut më të madh.
4 Tani, në një epokë kaq të ndritur si jona, kur realitetet e panjohura më parë nga njeriu gjenden të zhveshur, kur sekretet e gjërave të krijuara janë zbuluar, Mëngjesi i së Vërtetës ka zbardhur dhe ka ndriçuar botën – a është e lejueshme që njerëzit të paguajnë një luftë të frikshme e cila po e çon njerëzimin drejt shkatërrimit? Jo, për Zotin Perëndi!
5 Jezu Krishti e ftoi gjithë njerëzimin drejt miqësisë e paqes. Para Pjetrit Ai tha: ‘Fute shpatën tënde në mill.’65 I tillë ishte urdhri dhe këshilla e Zotit Krisht; dhe megjithatë sot krishterët të gjithë kanë hequr shpatat prej këllëfit. Sa larg është mospërputhja midis akteve të tilla dhe tekstit të qartë të Ungjillit!
6 Gjashtëdhjetë vjet më parë Bahá’u’lláhu lindi si Dielli përmbi Persi. Ai deklaroi që qiejt e botës ishin të errët, se kjo errësirë ndillte të keqen dhe se do të vinin luftëra të tmerrshme. Nga burgu i Ŕkkas, Ai iu drejtua Perandorit Gjerman me termat më të qarta, duke i treguar se një luftë e madhe ishte në rrugë dhe se qyteti i tij i Berlinit do të shpërthente në vaj e kuje. Po ashtu Ai i shkroi sovranit turk, megjithëse Ai ishte viktimë e Sulltanit dhe një i burgosur në burgun e atij – sepse Ai po mbahej i burgosur në Fortesën e Ŕkkas – dhe me qartësi deklaroi se Stambolli do të pushtohej nga një ndryshim i papritur e radikal, aq i madh sa që fëmijët e gratë e atij qyteti do të vajtonin e qanin me kuje. Shkurtimisht, Ai iu drejtoi të tilla fjalë gjithë monarkëve e presidentëve dhe gjithçka ndodhi siç e kishte parathënë Ai.
7 Prej Penës së Tij të fuqishme kanë dalë mësime të ndryshme për parandalimin e luftës dhe këto janë shpërndarë an’ e kënd.
8 E para është hetimi i pavarur i së vërtetës; sepse imitimi i verbër i së shkuarës do të frenonte mendjen. Vetëm kur çdo shpirt të kërkojë të vërtetën shoqëria do të çlirohet prej errësirës së përsëritjes në mënyrë të vazhdueshme të së shkuarës.
9 Parimi i Tij i dytë është njëshmëria e njerëzimit: se të gjithë njerëzit janë dele të Perëndisë dhe Perëndia është Bariu i tyre i dashur që kujdeset tepër ëmbëlsisht për të gjithë pa preferuar njërin apo tjetrin. ‘Nuk mund të shohësh dallime në krijimin e Perëndisë së mëshirës’,66 të gjithë janë shërbëtorët e Tij, të gjithë lusin hirin e Tij.
10 Mësimi i Tij i tretë është që feja është një fortesë e fuqishme, por që duhet të mbjellë dashuri dhe jo keqdashje e urrejtje. Sikur ajo të çonte drejt së keqes, mërisë e urrejtjes, ajo nuk ka aspak vlerë. Sepse feja është ilaç dhe nëse ilaçi sjell sëmundje lëre atë mënjanë. Përsëri, për prirjet fetare, racore, nacionale dhe politike: të gjitha këto paragjykime godasin vetë rrënjën e jetës njerëzore; të gjitha ato lindin gjakderdhjen dhe shkatërrimin e botës. Për sa kohë këto paragjykime mbijetojnë do të ketë luftëra të vazhdueshme dhe të frikshme.
11 Për të dalë nga kjo gjendje duhet të ekzistojë paqja universale. Për ta sjellë këtë duhet të krijohet një Gjykatë Supreme, përfaqësuese e gjithë qeverive dhe popujve; atje duhet të drejtohen si çështjet kombëtare dhe ato ndërkombëtare dhe të gjithë duhet të zbatojnë urdhrat e asaj Gjykate. Sikur ndonjë qeveri apo popull të mos bindet, le të ngrihet e tërë bota kundër asaj qeverie apo atij populli.
12 Një tjetër prej mësimeve të Bahá’u’lláhut është barazia e burrave dhe e grave, pjesa e tyre e barabartë në të gjitha të drejtat. Ka edhe shumë parime të ngjashme. Tashmë është bërë e dukshme se këto mësime janë vetë jeta dhe shpirti i botës.
13 Ju që jeni shërbëtorë të racës njerëzore, përpiquni me gjithë zemër për ta çliruar njerëzimin prej kësaj errësire e këtyre paragjykimeve që i përkasin gjendjes njerëzore dhe botës së natyrës, që njerëzimi të gjejë udhën e tij në dritën e botës së Perëndisë.
14 Lavdërimi qoftë me Të, ju njiheni me ligje, institucione dhe parime të ndryshme të botës; sot asgjë përveç këtyre mësimeve hyjnore nuk mund të sigurojë paqen dhe qetësimin e njerëzimit. Pa këto mësime nuk do të zhduket kurrë kjo errësirë, nuk do të shërohen kurrë këto sëmundje kronike; madje ato do të bëhen më të egra nga dita në ditë. Ballkani do të mbetet i pakënaqur. Nervozizmi i tij do të shtohet. Fuqitë e mundura do të vazhdojnë të turbullojnë. Ato do t’i drejtohen çdo mjeti që të rindezin flakën e luftës. Në këtë varg lëvizjet e sapolindura dhe mbarëbotërore do të bëjnë përpjekjet maksimale për përparimin e qëllimeve të tyre. Lëvizja e Së Majtës do të fitojë rëndësi të madhe. Ndikimi i saj do të përhapet.
15 Prandaj, përpiquni me ndihmën e Perëndisë, me mendje të ndriçuara, me zemër e forcë të lindur prej qiellit, të bëheni dhuratë prej Perëndisë te njeriu dhe kërkoni për gjithë njerëzimin rehati e paqe.

203 1 O ti që je dashuruar me Besëlidhjen! Bukuria e Bekuar i ka premtuar këtij shërbëtori se shpirtrat që do të ngriheshin do të ishin pikërisht mishërime të udhërrëfimit, flamuj të Tubimit të epërm, pishtarë të njëshmërisë së Perëndisë dhe yje të së vërtetës së Tij të pastër duke ndriçuar në qiejt ku mbretëron vetëm Ai. Ata do t’i jepnin sy të verbrit, do ta bënin shurdhin të dëgjonte; do ta ngjallnin të vdekurin. Ata do të përballonin gjithë popujt e dheut, duke mbrojtur Kauzën e tyre me dëshmitë e Zotit të shtatë rruzujve.
2 Kam shpresë se me bujarinë e Tij Ai së shpejti do t’i ngrejë këta shpirtra, se Kauza e Tij do të lartësohet. Magneti që do të tërheqë këtë hir është vendosmëria në Besëlidhje. Jepi falënderime Perëndisë që ti je më i forti i të fortëve.
3 O Perëndia im, ndihmoje shërbëtorin Tënd të ngrejë lart Fjalën, të shkelmojë ç’është e kotë dhe e rremë, të vendosë të vërtetën, të përhapë vargjet e shenjta kudo, të zbulojë shkëlqimet dhe ta bëjë dritën e mëngjesit të agojë në zemrat e të drejtëve.
4 Ti je me të vërtetë Zemërmadhi, Falësi.

204 1 O feniks i asaj flake të pavdekshme ndezur në Pemën e shenjtë! Bahá’u’lláhu – u dhëntë jeta ime, shpirti im, fryma ime si flijim për shërbëtorët e Tij të përulur – gjatë ditëve të Tij të fundit mbi dhé ka dhënë premtimin më të zjarrtë se përmes vërshimeve të hirit të Perëndisë, ndihmës dhe mbështetjes së akorduar prej Mbretërisë së Tij të epërme, shpirtrat që do të ngrihen dhe qeniet e shenjta që do të shfaqen si yje do të stolisnin qiejt e udhërrëfimit hyjnor; do të ndriçonin agimin e dashamirësisë e bujarisë; do të manifestonin shenjat e unitetit të Perëndisë; do të shkëlqenin me dritën e shenjtërisë e dëlirësisë; do të pranonin masën e plotë të frymëzimit hyjnor; do të ngrinin lart pishtarin e shenjtëruar të besimit; do të qëndronin të fortë si shkëmbi e të patundur si mali; e do të rriteshin për t’u bërë pishtarë drite në qiejt e Revelacionit të Tij, shtretër të mëdhenj të hirit të tij, mjete për blatimin e kujdesit bujar të Perëndisë, kasnecë që thërresin në emër të Një Perëndie të vërtetë dhe ngritës të themelit suprem të botës.
2 Këta do të punojnë pa pushim, ditën dhe natën, nuk do të pyesin as sprova e as mjerime, nuk do të lejojnë të marrin një minutë frymë në përpjekjet e tyre, nuk do kërkojnë çlodhje, do të shpërfillin çdo rehati e lehtësim dhe të shkëputur e të panjollosur do të shenjtërojnë çdo moment fluturak të jetës së tyre me përhapjen e aromës hyjnore dhe lartësimit të Fjalës së shenjtë të Perëndisë. Fytyrat e tyre do të rrezatojnë kënaqësi qiellore dhe zemrat e tyre do të mbushen me gëzim. Shpirtrat e tyre do të frymëzohen dhe themelet e tyre do të qëndrojnë të sigurt. Ata do të shpërndahen nëpër botë dhe do të udhëtojnë përmes gjithë rajoneve. Ata do të ngrenë zërat e tyre në çdo asamble, do të stolisin e gjallërojnë çdo kuvend. Ata do të flasin në çdo gjuhë dhe do të interpretojnë çdo kuptim të fshehtë. Ata do të zbulojnë misteret e Mbretërisë dhe do të manifestojnë te çdonjëri shenjat e Perëndisë. Ata do të digjen shkëlqyeshëm si një qiri në zemrën e çdo asambleje dhe do të ndriçojnë si një yll përmbi çdo horizont. Flladet e ëmbla që fryjnë prej kopshtit të zemrave të tyre do të kundërmojnë e gjallërojnë shpirtrat e njerëzve, revelacionet e mendjeve të tyre dhe si reshje do të ripërtërisin njerëzit e kombet e botës.
3 Unë po pres, po pres me etje të duken këta të shenjtë; dhe sa kohë akoma do ta vonojnë ata ardhjen e tyre? Lutja ime dhe përgjërimi i zjarrtë, në mbrëmje e në agim, është që këta yje të shndritshëm të derdhin së shpejti nëpër botë shkëlqimin e tyre, që fytyrat e tyre të shenjtëruara të zbulohen para syve të vdekshëm, që ushtritë e ndihmës hyjnore të arrijnë fitoren e tyre dhe tallazet e hirit që ngrihen prej oqeaneve të tij të sipërm të derdhen mbi gjithë njerëzimin. Lutuni edhe ju dhe përgjërohuni para Tij që nëpërmjet ndihmës bujare të Bukurisë së Lashtë këta shpirtra të zbulohen para syve të botës.
4 Lavdia e Perëndisë u prehtë mbi ty dhe mbi atë fytyrë që shndrit me dritën e përjetshme që ndriçon prej Mbretërisë së Tij të Lavdisë.

205 1 O ju shpirtra të respektuar! Bota ishte nxirë si nata e sterruar nga imitimi i vazhdueshëm i udhëve të lashta dhe të kapitura. Themelet e Mësimeve hyjnore ishin larguar nga kujtesa; thelbi e zemra e tyre ishin harruar plotësisht dhe njerëzit po mbaheshin pas lëvozhgave. Kombet si petka të leckosura e të ronitura prej kohësh kishin rënë në një gjendje të mjerë.
2 Prej kësaj errësire katran atje agoi shkëlqimi i mëngjesit i Mësimeve të Bahá’u’lláhut. Ai e ka veshur botën me një petk të ri, të mirë dhe ai petk i ri janë parimet që kanë zbritur prej Perëndisë.
3 Tani epoka e re është këtu dhe krijimi ka rilindur. Njerëzimi ka filluar një jetë të re. Dimri ka ikur dhe pranvera gjallëruese është këtu. Gjithë gjërat tani u bënë të reja. Artet e industritë kanë rilindur, janë bërë zbulime të reja në shkencë, janë bërë shpikje të reja; madje edhe hollësitë e gjërave njerëzore si veshja dhe efektet personale – madje edhe armët – të gjitha po ashtu janë përtërirë. Ligjet dhe procedurat e çdo qeverie janë rishikuar. Përtëritja është rendi i ditës.
4 Dhe gjithë kjo risi e ka burimin e saj në vërshimet e reja të hirit mahnitës dhe të favorit prej Zotit të Mbretërisë që ka përtërirë botën. Prandaj njerëzit duhet të çlirohen plotësisht nga modelet e vjetra të mendimit që gjithë vëmendja e tyre të përqendrohet mbi këto parime te reja, sepse këto janë drita e kësaj kohe dhe vetë shpirti i kësaj epoke.
5 Po të mos përhapen mes njerëzve në mënyrë efektive këto Mësime deri sa të kenë shkuar dhe të jenë harruar mënyrat e vjetra, parimet e vjetra, kjo botë e qenies nuk do të gjejë paqe, as nuk do të pasqyrojë përsosmëritë e Mbretërisë Qiellore. Përpiquni me zemrat tuaja për ta bërë moskokëçarësin të vetëdijshëm, për të zgjuar ata që flenë, për të sjellë dije te i padituri, për të bërë të verbrin të shohë, shurdhin të dëgjojë dhe për të kthyer në jetë të vdekurit.
6 Ju takon juve të tregoni aq fuqi, aq durim sa të shastisni gjithë shikuesit. Krezmimet e Perëndisë janë me ju. Mbi ju qoftë lavdia e Lavdiplotit.

206 1 Lavdërimi qoftë me Atë Që ka çarë errësirën më dysh, ka fshirë natën, ka hequr mënjanë mbulesat dhe i ka grisur perdet; drita e të Cilit shkëlqeu paskëtaj, shenjat dhe simbolet e të Cilit u përhapën kudo dhe misteret e Tij shtrihen të zhveshur. Pastaj retë e Tij u ndanë dhe ngarkuan tokën me bujaritë e blatimet e Tij, i ngopën gjithë gjërat me shi, e bënë jeshillëkun e freskët të dijes dhe zymbylat e sigurisë të kërcejnë, të tunden e dridhen me gëzim deri sa tërë bota u mbush me aromën e shenjtërisë së Tij.
2 Përshëndetjet dhe lavdërimi, bekimet dhe lavdia qofshin mbi ato realitete hyjnore, ato erë lulesh të shenjtëruara që kanë ardhur prej këtij blatimi hyjnor, këtij hiri vërshues që ka gjëmuar si një det që përplas dhurata e bujari, që hedh përpjetë valët e tij drejt qiejve të lartë.

3 O Perëndi, Perëndia im! Lavdërimi qoftë me Ty për ndezjen e zjarrit të dashurisë hyjnore në Pemën e Shenjtë mbi majën e malit më të lartë: ajo Pemë që nuk është ‘as nga lindja, as nga perëndimi,’67 ai zjarr që flakëroi deri sa flaka e tij fluturoi lart te Tubimi i epërm, prej tij ato realitete kapën dritën e udhërrëfimit dhe thërritën: ‘Me të vërtetë ne kemi shquar një zjarr mbi shpatin e Malit Sinai.’68
4 O Perëndi, Perëndia im! Shtoje këtë zjarr, ditë për ditë, deri sa shpërthimi i tij të vërë në lëvizje gjithë tokën. O Ti, Zoti im! Ndiz dritën e dashurisë Sate në çdo zemër, fry në shpirtrat e njerëzve shpirtin e dijes Sate, kënaqi gjokset e tyre me vargjet e njëshmërisë Sate. Thirr në jetë ata që banojnë në varret e tyre, paralajmëro mburravecin, bëje lumturinë mbarë-botërore, dërgo poshtë ujërat e Tua të kristalta dhe në kuvendet e shkëlqimeve të manifestit sille rrotull kupën që ‘përzihet në burimin e kafurit.’69
5 Me të vërtetë Ti je Dhënësi, Falësi, Kurdo-Blatuesi. Me të vërtetë Ti je i Mëshirshmi, i Dhembshuri.

6 O ju të dashurit e Perëndisë! Kupa e verës së Qiellit u tejmbush, banketi i Besëlidhjes së Perëndisë është i shkëlqyer me drita festive, agimi i gjithë blatimeve po zbardh, erërat e lehta të hirit po fryjnë dhe prej botës së padukshme vijnë lajme të mira të bujarisë e të dhuratave. Në livadhet lule-stolisur pranvera hyjnore ka ngritur tendat e saj dhe shpirtërorët po thithin aromat e këndshme prej Shebas së shpirtit që mban udhën e tyre nga era e lindjes. Tani bilbili mistik ligjëron odet e tij dhe burbuqet e kuptimit të brendshëm po shpërthejnë në lule të hijshme e të bukura. Laureshat e fushës janë bërë muzikantet e festivalit dhe duke ngritur zërat e mahnitshëm këlthasin e këndojnë me meloditë e Kompanisë së epërme ‘Qofshi të bekuar! Lajme të Gëzuara! Lajme të Gëzuara!’ Dhe nxisin festuesit në Parajsën Abhá të pinë gotën e tyre, mbahen me bukuri mbi pemën hyjnore dhe shprehin lutjet e tyre të shenjta. E gjithë kjo, që shpirtrat e tharë të cilët ecin në shkretëtirën e moskokëçarjes dhe të shuarit e humbur në rërat e mosshqetësimit të vinë përsëri te trokitja e jetës dhe të paraqiten në gostitë e argëtimet e Zotit Perëndi.
7 Lavdërimi qoftë me Të! Nami i Kauzës së Tij ka arritur në lindje e perëndim, kurse fjala e fuqisë së Bukurisë Abhá ka zgjuar veriun dhe jugun. Ajo thirrje nga kontinenti amerikan është kor shenjtërie, ajo që dëgjohet larg edhe afër, që mbërrin deri në Kompaninë e epërme, është ‘Ja Bahá’o’l-Abhá!’ Tani lindja është e ndriçuar me lavdi, dhe trëndafil-erëmirë i perëndimit, dhe gjithë dheu është mbushur me aromë kolonje, dhe erërat që fryjnë përmbi Faltoren e Shenjtë janë ngarkuar me parfum. Së shpejti ju do të shihni të shkëlqejnë edhe vendet më të errëta, ndërsa kontinentet e Europës e të Afrikës të jenë kthyer në kopshte lulesh dhe në pyje pemësh të lulëzuara.
8 Qëkur agimi i këtij Dielli ishte Persia dhe që prej orientit dielli shkëlqeu në perëndim, jemi të dhënë shumë pas shpresës se flakët e zjarrit të dashurisë do të flakërojnë edhe më fuqishëm në atë vend dhe se atje shkëlqimi i këtij Besimi të Shenjtë do të shtohet gjithnjë e më shumë. E tundtë aq tronditja e Kauzës së Perëndisë atë vend në themelet e tij, e manifestoftë aq veten fuqia shpirtërore e Fjalës së Tij sa e bëftë Iranin zemrën dhe fokusin e mirëqenies dhe të paqes. Sjellshin pavdekësi ndaj të gjithëve mbi dhé drejtësia dhe pajtimi, dashuria dhe besimi që dolën prej Iranit. E ngritsh në majat më të larta flamurin e rendit publik, të natyrës më të pastër shpirtërore, të paqes universale.
9 O ju të dashurit e Perëndisë! Në këtë dispensacion Bahá’í, Kauza e Perëndisë është shpirt i pastër. Kauza e Tij nuk i përket botës materiale. Ajo nuk vjen as për sherre, as për luftë, as për akte prapësie ose turpi; ajo s’është as për grindje me Besimet e tjera, as për konflikte me kombet. Ushtria e saj e vetme është dashuria e Perëndisë, i vetmi gëzim i saj vera e pastër e dijes së Tij, beteja e vetme e saj shpjegimi i së Vërtetës; kryqëzata e vetme e saj është kundër unit ngulmues, shtytjeve të këqija të zemrës njerëzore. Fitorja e saj është të nënshtrohesh, të dorëzohesh, kurse vetëmohimi është lavdia e saj e përjetshme. Shkurtimisht, ajo është shpirt mbi shpirt:
Në se nuk duhet
Mos vrisni gjarprin në pluhur,
Aq më pak plagosni një njeri.
Dhe nëse mundni
Asnjë milingonë mos trazoni,
Aq më pak një vëlla lëndoni.
10 Le të jenë gjithë përpjekjet tuaja për këtë, për t’u bërë burim jete e pavdekësie, paqeje, rehatie e gëzimi ndaj çdo shpirti njerëzor, qoftë i njohur apo i panjohur për ju, qoftë kundërshtar apo në anën tuaj. Mos shikoni për pastërtinë apo papastërtinë e natyrës së tij: shikoni me mëshirën gjithëpërfshirëse të Zotit, drita e hirit të të Cilit ka përqafuar gjithë dheun dhe gjithë ata që rrojnë atje, begatia e bujarisë së të Cilit ka përfshirë si të urtët edhe të paditurit. I huaji dhe miku ulen njësoj në tavolinën e favorit të Tij. Si besimtari ashtu edhe mohuesi që largohet nga Perëndia mbush duart dhe pi nga deti i blatimeve të Tij.
11 Është detyrë e të dashurve të Zotit të jenë shenja e simbole të mëshirës së Tij universale dhe mishërime të hirit të Tij të shquar. Si dielli le të hedhin njësoj rrezet e tyre si mbi kopsht dhe mbi kapicë plehrash, si retë në pranverë le të derdhin shiun e tyre mbi lule e gjemba. Le të kërkojnë veç dashuri e besnikëri, le të mos ndjekin udhët e harbutërisë, le të kufizohet biseda e tyre te sekretet e miqësisë dhe të paqes. Të tilla janë atributet e të drejtëve, e tillë është shenja dalluese e atyre që i shërbejnë Pragut të Tij.
12 Bukuria Abhá duroi fatkeqësitë më të dhimbshme. Ai duroi agoni e të këqija të panumërta. Ai nuk gëzoi as një moment paqeje, nuk mori njëherë frymë rehat. Ai u end i pastrehë nëpër rërat e shkretëtirës dhe shpateve malore; Ai u mbyll në fortesë dhe në qeli burgu. Dit’ e natë Ai jetonte nën një shpatë që mprihej dhe nga momenti në moment ishte gati për vdekje mbi kryq. Ai i duroi të gjitha këto që të pastrojë botën e ta zbukurojë me mëshirën e madhe të Zotit Perëndi; që ta vërë atë në prehje; që konflikti dhe agresioni t’ia mbathin, heshta dhe shpata e mprehtë të ndryshohen me shoqërinë e përzemërt, puna e mbrapshtë dhe lufta të kthehen në siguri, njerëzi e dashuri, që fushëbetejat e urrejtjes dhe tërbimit të bëhen kopshte kënaqësie, kurse vendet ku dikur përplaseshin ushtritë e mbytura në gjak të jenë sheshe kënaqësie erëmirë; që luftimi të shihet si turp dhe kthimi te ushtritë të shmanget nga çdo popull si ndaj një sëmundjeje vdekjeprurëse, që paqja universale të ngrejë tendat e saj mbi malet më të lartë dhe lufta të detyrohet të zhduket njëherë e përgjithmonë nga faqja e dheut.
13 Prandaj duhet që të dashurit e Perëndisë, me punë, me ujërat e përpjekjeve të tyre, të kujdesen dhe ta ushqejnë e ta rritin këtë pemë të shpresës. Në çdo vend që jetojnë, le të miqësohen me gjithë zemër dhe të jenë shokë të atyre që i kanë pranë ose larg. Me cilësi si ato të qiellit, le të mbështesin institucionet dhe fenë e Perëndisë. Kurrë të mos dekurajohen, kurrë të mos jenë të dërrmuar, kurrë të mos ndjehen të hidhëruar. Sa më shumë antagonizëm të ndeshin, aq më shumë le të tregojnë besimin e tyre të shëndoshë; sa më shumë vuajtje e fatkeqësi t’u duhet të përballojnë, aq më me zemërgjerësi le t’i kalojnë njëri-tjetrit kupën e bujarisë. I tillë është shpirti që do të bëhet jeta e botës, e tillë është drita që përhapet nga zemra e tij: dhe ai që mund të jetë e mund të veprojë ndryshe, nuk është i denjë të shërbejë në Pragun e Shenjtë të Perëndisë.
14 O ju të dashurit e Perëndisë! Dielli i së Vërtetës po shkëlqen prej qiejve të padukshëm; dijeni vlerën e këtyre ditëve. Ngrini kokat e rrituni qiparisa të gjatë në këto rrëke që ikin rrëmbyeshëm. Merrni gëzim prej bukurisë së zambakut të Naxhdit se do të bjerë nata dhe ai nuk do të jetë më....
15 O ju të dashurit e Perëndisë! Lavdërimi qoftë me Të, flamuri i shkëlqyer i Besëlidhjes po fluturon çdo ditë më lart, ndërsa flamuri i pabesisë është ulur e varet në gjysmë shtize. Sulmuesit e errësirës janë tronditur deri në palcë; ata janë tani si sarkofagët e shkatërruar dhe si krijesa të verbra që rrojnë nën tokë, ata kacavirren e hiqen zvarrë në një qoshe të varrit dhe prej asaj vrime hingëllijnë dhe ulërijnë si bishat e egra kohë pas kohe. Lavdia qoftë me Perëndinë! Si mund të shpresojë errësira të pushtojë dritën, si mund të mbajnë fort kordat e magjistarit ‘një gjarpër të dukshëm për t’u parë nga të gjithë’? ‘Atëherë hej! Ai i gëlltiti çuditë e tyre gënjeshtare.’70 Të zeztë ata! Ata e kanë gënjyer veten me një fabul dhe për të kënaqur orekset e tyre kanë marrë më qafë veten e tyre. Ata lanë lavdinë e përjetshme në shkëmbim të mburrjes njerëzore, sakrifikuan madhështinë në të dyja botët ndaj kërkesave të unit ngulmues. Kjo është ajo për të cilën Ne ju kemi paralajmëruar. Së shpejti ju do të shihni teveqelët me humbje të dukshme.

16 O Zoti im dhe Shpresa ime! Ndihmoji Ti të dashurit e Tu të jenë të patundur në Besëlidhjen Tënde të fuqishme, të qëndrojnë besnikë ndaj Kauzës Sate të manifestuar dhe të zbatojnë urdhrat që Ti ke vënë për ta në Librin Tënd të Shkëlqimeve; që ata të bëhen flamuj të udhërrëfimit dhe fanarë të Kompanisë së epërme, burime të urtësisë Sate të pafund dhe yje që udhëheqin drejt, ndërsa ndriçojnë prej qiellit hyjnor.
17 Me të vërtetë Ti je i Paprekshmi, i Madhërishmi, i Plotfuqishmi.

207 1 O ju që i keni kthyer fytyrat tuaja drejt Bukurisë së Lartësuar! Ditën, natën, në agim e në muzg, kur errësira tërhiqet e sapo zbardh Unë kujtoj dhe gjithnjë kam kujtuar në mbretëritë e mendjes e zemrës sime të dashurit e Zotit. I lutem Atij të blatojë krezmimet e Tij mbi ata të dashur, banorë në atë tokë të pastër e të shenjtë, t’u japë atyre përfundime të suksesshme në të gjitha gjërat: që në karakterin e tyre, sjelljen e tyre, fjalët e tyre, mënyrën e tyre të jetesës, në gjithçka që ata janë e bëjnë, t’i bëjë për të arritur dallimin mes njerëzve, që Ai t’i mbledhë ata në komunitetin botëror me zemrat mbushur me kënaqësi, zjarr e dashuri përvëluese, me dije e siguri, me vendosmëri e unitet, me fytyra të bukura e të shkëlqyera.
2 O ju të dashurit e Zotit! Kjo ditë është dita e bashkimit, dita e grumbullimit të të gjithë njerëzimit. ‘Me të vërtetë Perëndia i do ata që sikur të ishin një mur solid bëjnë betejë për Kauzën e Tij me radhë të shtrënguara!’71 Vini re që Ai thotë ‘me radhë të shtrënguara’ – që do të thotë të mbledhur e të ngjeshur së bashku, njëri që shikon tjetrin, secili duke mbështetur shokët e vet. Të bësh betejë, siç deklarohet në vargun e shenjtë, në këtë më të madhin e gjithë dispensacioneve nuk do të thotë të shkosh përpara me shpatë e shtizë, me heshta e shigjeta shpuese – por i armatosur me synim të pastër, me motive të drejta, me këshilla ndihmuese dhe efektive, me atribute të mira, me vepra që i pëlqen i Plotfuqishmi, me cilësitë qiellore. Ai do të thotë edukim për gjithë njerëzimin, udhërrëfim ndaj gjithë njerëzve, përhapje an’ e kënd të shijeve të ëmbla të shpirtit, shpallje e dëshmive të Perëndisë, paraqitje e argumenteve bindës e hyjnorë, bërje e veprave bamirëse.
3 Sa herë që shpirtra të shenjtë, duke iu afruar fuqive të qiellit, do të ngrihen me cilësi të tilla të shpirtit dhe do të marshojnë së bashku, me rradhë të ngjeshura, secili nga këta shpirtra do të jetë sa për njëmijë, dhe dallgët që ngrihen prej këtij oqeani të fuqishëm do të jenë si batalionet e Grupimit qiellor. Ç’bekim që do të jetë – kur të gjithë të vijnë së bashku si ndonjëherë kur rrëketë, lumenjtë e rrjedhat, përrenjtë e rrëmbyer dhe pikat e vetme mblidhen së bashku në një vend e formojnë një det madhështor. Dhe në një shkallë të tillë uniteti i trashëguar i të gjithëve triumfon që traditat, rregullat, zakonet dhe dallimet në jetën tekanjoze të këtyre popullsive të fshihen e të zhduken si pika të izoluara, sapo deti madhështor i njëshmërisë të hidhet, dallgëzohet e rrotullohet.
4 Betohem për Bukurinë e Lashtë se në një kohë të tillë hiri i papërmbajtur do t’i qarkojë të gjitha dhe deti i madhështisë do t’i përmbytë brigjet e tij, aq sa rripi më i ngushtë i ujit do të zgjerohet si një det i pafund dhe çdo pikë e thjeshtë do të jetë si një thellësi e paanë.
5 O ju të dashurit e Perëndisë! Luftoni e përpiquni të arrini atë pozitë të lartë e të bëni një shkëlqim për të shndritur përmes këtyre mbretërive të tokës, që rrezet e tij të pasqyrohen përsëri prej një pike-agimi mbi horizontin e përjetësisë. Ky është pikërisht themeli i Kauzës së Perëndisë. Ky është vetë thelbi i Ligjit të Perëndisë. Kjo është struktura madhështore e ngritur nga Manifestuesit e Perëndisë. Kjo është arsyeja përse zbardhëllen rruzulli i botës së Perëndisë. Kjo është arsyeja pse Zoti e vendos Vetveten mbi fronin e trupit të Tij njerëzor.
6 O ju të dashurit e Perëndisë! Shiko se i Lartësuari72 - qofshin shpirtrat e të gjithëve mbi tokë një haraç për Të – për këtë qëllim të lartë e bëri zemrën e Tij të bekuar objektiv të dhimbjeve të shtizave; dhe meqë synimi i vërtetë i Bukurisë së Lashtë – u dhënçin për Të shpirtrat e Tubimit të epërm – ishte për të fituar këtë qëllim hyjnor të njëjtë, i Lartësuari zbuloi gjoksin e Tij të shenjtë si objektiv ndaj morisë së plumbave që u lëshuan nga njerëzit e ligësisë dhe urrejtjes dhe me urtësi absolute vdiq si martir. Mbi pluhurin e këtij shtegu gjaku i shenjtë i mijëra e mijëra shpirtrave të shenjtëruar u derdh rrëke dhe shumë herë trupi i bekuar i dashuruesit besnik të Perëndisë u var në pemën e trekëmbëshit.
7 Vetë Bukuria Abhá – u dhëntë shpirti i gjithë ekzistencës për të dashurit e Tij – i duroi të gjitha llojet e sprovave dhe me gatishmëri pranoi për Vete dhimbje të thella. Nuk mbeti mundim të cilit nuk iu nënshtrua forma e Tij e shenjtëruar, nuk mbeti vuajtje pa rënë mbi Të. Kur ishte nën zinxhirë sa shumë net kaloi Ai pa gjumë për shkak të peshës së kularit të Tij të hekurt; sa shumë ditë dhimbja therëse e trungut dhe e vargonjve nuk i dhanë atij një moment paqeje. E detyruan të vraponte prej Nijavaranit në Teheran – Atë, që personifikonte shpirtin, Atë Që ishte mësuar të prehej mbi jastëkë të zbukuruar me argjend – të lidhur me zinxhirë, zbathur, kokëjashtë; dhe poshtë nën tokë, në errësirën e dendur të asaj qelie të ngushtë Atë e mbyllën me vrasës, rebelë dhe hajdutë. Herë pas here kundër Tij ushtronin një torturë të re dhe ishte e sigurt se nga momenti në moment Atë e priste një vdekje martiri. Pas ca kohe Atë e dëbuan prej tokës së Tij amtare dhe e dërguan në vende të huaja e shumë të largëta. Gjatë shumë vjetëve në Irak nuk kaloi moment që shigjeta e një dhimbjeje të re të mos godiste zemrën e Tij të shenjtë; në çdo frymë binte mbi atë trup të shenjtëruar një shpatë dhe Ai nuk mund të shpresonte për një moment sigurie dhe prehjeje. Nga çdo anë armiqtë e Tij ngritën sulmet e tyre me urrejtje të papajtueshme; dhe i veçuar dhe i vetëm Ai u qëndroi të gjithave. Pas gjithë këtyre mundimeve, këtyre goditjeve trupore, Atë e flakën prej Irakut në kontinentin e Azisë, në kontinentin e Europës dhe në atë vend të syrgjynit të hidhur, mjerimeve të mëdha; baltës që iu hodh mbi Të nga njerëzit e Kuranit, tashmë iu shtuan persekutimet e egra, sulmet e fuqishme, komplotet, shpifjet, armiqësitë e vazhdueshme, urrejtja dhe ligësia e njerëzve të Bajanit. Pena ime është e pafuqishme t’i rrëfejë të gjitha; por ju me siguri që jeni informuar për to. Pastaj pas njëzet e katër vitesh në Burgun Më të Madh, në agoni e dhimbje të mprehta ditët e Tij iu afruan fundit.
8 Për ta përmbledhur, Bukuria e Lashtë gjatë qëndrimit në këtë botë kalimtare ishte kurdoherë ose i burgosur, i lidhur me zinxhirë ose i gjallë me shpatën mbi kokë, ose i nënshtruar ndaj torturave dhe vuajtjeve ekstreme, ose i mbajtur në Burgun Më të Madh. Për shkak të dobësisë së Tij fizike të shkaktuar nga të zezat që hoqi, trupi i Tij i bekuar u ronit drejt grahmës së fundit; prej hidhërimit të gjatë ishte dobësuar si një pëlhurë merimange. Dhe arsyeja e Tij për të mbajtur mbi supe këtë ngarkesë të rëndë dhe për të duruar gjithë këtë dhimbje që ishte si një oqean i cili vërvit valët e tij deri në kupë të qiellit – arsyeja e Tij për të vënë zinxhirë të rëndë hekuri dhe për t’u bërë pikërisht mishërimi i nënshtrimit e i urtësisë së plotë, ishte për të udhëhequr çdo shpirt mbi dhé drejt harmonisë, ndjenjës shoqërore, njëshmërisë; për të bërë të njohur ndër gjithë njerëzit shenjën e një Perëndie, që më në fund njëshmëria kryesore e depozituar në zemrën e të gjitha gjërave të krijuara të sillte frytin e saj të destinuar dhe shkëlqimi i ‘Nuk mund të shohësh dallime në krijimin e Perëndisë së Mëshirës,’73 të hidhte kudo rrezet e tij.
9 O ju të dashurit e Perëndisë, tani është koha për përpjekje të zjarrta. Luftoni dhe përpiquni. Dhe përderisa Bukuria e Lashtë u ekspozua ditë e natë mbi fushën e martirizimit, ne nga ana jonë le të punojmë shumë, të dëgjojmë e të peshojmë këshillat e Perëndisë; le të flakim tej jetën tonë e të heqim dorë prej ditëve tona të shkurtra dhe të numëruara. Le t’i kthejmë sytë larg prej fantazive boshe të formave të ndryshme të kësaj bote dhe në vend të saj t’i shërbejmë këtij qëllimi të shquar, këtij synimi të madh. Le të mos e rrëzojmë për shkak të fantazive tona këtë pemë që e ka mbjellë dora e hirit qiellor; le të mos mbulojmë me retë e zeza të iluzioneve tona, të interesave tona egoiste, lavdinë që rrjedh prej Mbretërisë Abhá. Le të mos jemi si prita që rrethojnë me mur oqeanin lëkundës të Perëndisë së Plotfuqishëm. Le të mos pengojmë prej fryrjes an’ e kënd aromat e pastra e të këndshme prej kopshtit të Bukurisë së Lavdiplotit. Le të mos lidhim në këtë ditë ribashkimi reshjet pranverore të bekimeve prej së epërmi. Le të mos pajtohemi që të shuhen e zhduken ndonjëherë shkëlqimet e Diellit të së Vërtetës. Këto janë këshillimet e Perëndisë siç shtrohen në Librat e Tij të Shenjtë, Shkrimet e Tij të Shenjta, Tabelat e Tij që u tregojnë këshillat e Tij të sinqertëve.
10 Lavdia u prehtë mbi ju dhe mëshira e Perëndisë, dhe bekimet e Perëndisë.

208 O ju shërbëtorë të Pragut të Shenjtë! Ushtritë fitimtare të Grupimit Qiellor, të radhitura e të rregulluara në Mbretëritë e epërme, qëndrojnë të gatshme dhe në pritje për të ndihmuar e për të siguruar fitoren e atij kalorësi trim, që me vetëbesim e nxit kalin e vet në arenën e shërbimit. Lum ai luftëtar sypatrembur, që i armatosur me pushtetin e Dijes së vërtetë, nxiton në fushën e betejës, shpartallon ushtritë e injorancës dhe shpërndan hordhitë e gabimit, që mban lart Flamurin e Udhërrëfimit Hyjnor dhe i bie Borisë së Fitores. Për drejtësinë e Zotit! Ai ka siguruar një triumf të lavdishëm dhe ka arritur fitoren e vërtetë.

209 1 O ju shërbëtorë të Bukurisë së Bekuar! ... Është e qartë se në këtë ditë, konfirmimet nga bota e padukshme po përfshijnë të gjithë ata që sjellin Mesazhin hyjnor. Në qoftë se puna e mësimit ndalon, këto konfirmmime ndërpriten tërësisht, sepse është e pamundur për të dashurit e Perëndisë të marrin ndihmë po qe se ata nuk japin mësim.
2 Në çdo rrethanë mësimi duhet të çohet përpara, por me urtësi. Nëse puna nuk mund të vazhdojë haptazi atëherë le të mësojnë privatisht se kjo lind natyrën shpirtërore dhe shoqërinë mes fëmijëve të njerëzve. Në qoftë se, për shembull, secili prej besimtarëve do të bëhej një mik i vërtetë për një të pavëmendshëm dhe të sillet me drejtësi absolute, lidhet me këtë shpirt, e trajton atë më mirësi maksimale duke u bërë vetë shembull në zbatimin e porosive hyjnore që ka marrë, të cilësive të mira, të shembujve të sjelljes dhe gjatë gjithë kohës vepron në pajtim me këshillimet e Perëndisë – është e natyrshme që pak nga pak ai do të arrijë sukses në zgjimin e atij individi dikur moskokëçarës dhe në ndryshimin e paditurisë së tij me njohjen e së vërtetës.
3 Shpirtrat priren drejt ftohjes. Në fillim duhen marrë hapa për t’u ndarë me këtë ftohje, sepse vetëm atëherë Fjala do të ketë efekt. Në qoftë se një besimtar shfaq mirësi ndaj një mospërfillësi dhe me dashuri të madhe e udhëheq atë gradualisht drejt kuptimit të vlefshmërisë së Kauzës së Shenjtë që ai të mund të njihet me themelet e Besimit të Perëndisë dhe ndërlikimet e tyre – një i tillë me siguri do të transformohet, me përjashtim vetëm të atyre individëve që ndeshen rrallë, të cilët janë si hi, zemrat e të cilëve janë ‘të ngurta si shkëmbinjtë ose akoma më të ngurta.’74
4 Në qoftë se çdonjëri prej miqve duhet të përpiqet në këtë rrugë për të drejtuar siç duhet një shpirt, numri i besimtarëve do të dyfishohet çdo vit; dhe kjo mund të përmbushet me maturi e urtësi dhe prej saj nuk vjen asnjë dëm.
5 Për më tepër mësuesit duhet të udhëtojnë përreth dhe në qoftë se përhapja e Mesazhit haptazi do të shkaktonte ndonjë shqetësim atëherë le t’i nxitin e aftësojnë besimtarët, t’i frymëzojnë ata, t’i kënaqin, t’u gëzojnë zemrat, t’i gjallërojnë e përtëritin ato me shijet e ëmbla të shenjtërisë.

210 1 O ju trëndafila në kopshtin e dashurisë së Perëndisë! O ju drita të shkëlqyera në kuvendin e dijes së Tij! Kalofshin përmbi ju frymëmarrjet e buta të Perëndisë, ndriçoftë Lavdia e Perëndisë horizontin e zemrave tuaja. Ju jeni valët e detit të thellë të dijes, ju jeni ushtritë masive mbi fushat e sigurisë, ju jeni yjet në qiejt e dhembshurisë së Perëndisë, ju jeni gurët që i bënë të fluturojnë njerëzit e mallkimit të përjetshëm, ju jeni retë e mëshirës hyjnore përmbi kopshtet e jetës, ju jeni hiri i begatë i njëshmërisë së Perëndisë që derdhet mbi thelbin e gjithë gjërave të krijuara.
2 Në tabelën e shpalosur të kësaj bote ju jeni vargjet e njëshmërisë së Tij; dhe në majë të kullave të pallateve të larta ju jeni flamujt e Zotit. Në tendat e Tij ju jeni lulëzimet dhe barërat erëmirë, në kopshtin e trëndafiltë të shpirtit bilbila që lëshojnë ligjërime vajtuese. Ju jeni zogjtë që ngjiten shigjetë në kupën qiellore të dijes, fajkoj mbretërorë në kyçin e dorës së Perëndisë.
3 Përse ju jeni atëherë të shuar, përse të heshtur, përse të zymtë e të topitur? Ju duhet të shkëlqeni fort si ndriçimi dhe të ngrini një potere si deti madhështor. Si qiriri duhet ta lëshoni dritën tuaj dhe si flladet e buta të Perëndisë duhet të fryni përreth botës. Si frymët e ëmbla prej tendave qiellore, si erërat parfum-ngarkuar prej kopshteve të Zotit ju duhet të kundërmoni ajrin për njerëzit e dijes dhe si shkëlqimet e derdhura prej Diellit të vërtetë ju duhet të ndriçoni zemrat e njerëzimit. Sepse ju jeni erëra jetë-ngarkuar, ju jeni aroma jasemini prej kopshteve të të shpëtuarve. Silluni atëherë jetë të vdekurve dhe zgjoni ata që dremitin. Në errësirën e botës qofshi ju flakë rrezatuese; në rërat e mallkimit qofshi ju burime uji të jetës, qofshi ju udhërrëfim prej Zotit Perëndi. Tani është koha për të shërbyer, tani është koha të jesh në zjarr. Dijeni vlerën e këtij rasti, kësaj rrethane të favorshme që është hir i pakufishëm, përpara se t’u rrëshqasë nga duart.
4 Së shpejti do të kenë shkuar ditët tona të numëruara, jeta jonë që zhduket dhe ne do të shkojmë duarbosh në gropën që hapet për ata që nuk flasin më; prandaj ne duhet t’i lidhim zemrat tona me Bukurinë e manifestuar dhe të kapemi pas litarit të shpëtimit që nuk të lë kurrë në baltë. Ne duhet të gatitemi për shërbim, të ndezim flakën e dashurisë dhe të përvëlohemi në të nxehtin e saj. Ne duhet ta zgjidhim gjuhën deri sa të ndezim flakë zemrën e botës mbarë dhe me rrezet e shkëlqyera të udhërrëfimit të mbulojmë ushtritë e natës dhe pastaj, për hir të Tij, ta flakim jetën tonë në fushën e flijimit.
5 Kështu le të shpërndajmë mbi çdo popull margaritarët e thesarit të njohjes së Perëndisë dhe me shpatën bindëse të gjuhës, me shigjetat e sigurta të dijes le të mundim ushtritë e egos dhe pasionit, të nxitojmë përpara drejt vendit të martirizimit, në vendin ku vdesim për Zotin. Dhe pastaj me flamuj që valëviten dhe daullet që bien le të shkojmë në mbretërinë e Lavdiplotit e të bashkohemi me Kompaninë e epërme.
6 Lum ai që është me autorët e veprave të mëdha.

211 Kur miqtë nuk përpiqen të përhapin mesazhin, ata nuk e kujtojnë si duhet Perëndinë dhe nuk u kushtojnë vëmendje shenjave të ndihmës e të konfirmimit nga Mbretëria Abhá, as nuk i kuptojnë misteret hyjnore. Ndërsa kur gjuha e mësuesit angazhohet në mësimin, ai nxitet në mënyrë të natyrshme, bëhet një magnet që tërheq ndihmën e bujarinë hyjnore të Mbretërisë dhe është si zogu herët në agim, që nxitet nga vetë kënga e tij, nga cicërimi e melodia e vet.

212 Pikërisht në kohë të tilla miqtë e Perëndisë përfitojnë nga rasti, shfrytëzojnë mundësinë dhe hidhen përpara e fitojnë çmimin. Në qoftë se detyra e tyre do të kufizohej me sjelljen e mirë dhe me dhënie këshillash, atëherë asgjë nuk do të arrihej. Ata duhet të flasin me zë të lartë, të shtjellojnë provat, të parashtrojnë argumenta të qartë, të nxjerrin përfundime të pakundërshtueshme që tregojnë të vërtetën e manifestimit të Diellit të Realitetit.

213 Puna e mësimit duhet të ndiqet në mënyrë aktive nga besimtarët në çfarëdolloj kushtesh, sepse nga kjo varen konfirmimet hyjnore. Në qoftë se një besimtar Baha’í nuk do të impenjohej tërësisht, energjikisht e me gjithë shpirt në punën e mësimit, ai padyshim do të privohej nga bekimet e Mbretërisë Abhá. Por edhe në rast se e bën këtë, kjo veprimtari duhet përforcuar me urtinë – jo me atë urti që kërkon të jesh i heshtur e harraq ndaj një detyre të tillë, por me atë urti që kërkon të shfaqësh tolerancë hyjnore, dashuri, shpirtmirësi e durim, karakter të mirë dhe vepra të shenjta. Me pak fjalë, i inkurajoni individualisht miqtë, që ata t’u mësojnë të tjerëve Kauzën e Perëndisë dhe tërhiqni vëmendjen e tyre në këtë kuptim të urtisë që përmendet në shkrimet, i cili është në vetvete thelbi i të mësuarit të Besimit – por e gjithë kjo duhet bërë me tolerancën më të madhe, në mënyrë që përkrahja qiellore dhe konfirmimi hyjnor t’i ndihmojnë miqtë.

214 1 Ndiq rrugën e Zotit tënd dhe mos thuaj gjëra që veshët s’mund t’i durojnë, sepse fjalë të tilla janë si një ushqim i rëndë që u jepet fëmijëve të vegjël. Sado i shijshëm, i rallë e i pasur të jetë ky ushqim, ai nuk mund të asimilohet nga organet tretëse të një fëmije gjiri. Prandaj, kujtdo që ka një të drejtë, le t’i jepet në masën e duhur.
2 “Jo çdo gjë që di njeriu mund të tregohet, jo çdo gjë që ai mund të tregojë mund të jetë në kohën e duhur, dhe jo çdo gjë e folur në kohën e duhur mund të konsiderohet si e përshtatëshme për aftësinë e atyre që e dëgjojnë”. E tillë është urtia e përkryer që duhet të zbatosh në veprimtarinë tënde. Mos e harro këtë, në qoftë se dëshiron të jesh njeri i veprimit në të gjitha rrethanat. Në fillim bëji diagnozën së keqes dhe përcakto sëmundjen, pastaj jep recetën e mjekimit, sepse kjo është metoda e përsosur e një mjeku të aftë.

215 1 Kam shpresë se prej hirit të Një Zoti të vërtetë ti do të aftësohesh për të përhapur aromat e Perëndisë mes fiseve. Kjo është shumë e rëndësishme......
2 Në qoftë se ti arrin sukses në kryerjen e këtij shërbimi ti do të dallohesh e do të jesh udhëheqës në mejdan.

216 Fli i qetë se frymëmarrjet e shpirtit të Shenjtë do të ta zgjidhin gjuhën. Flisni pra; shprehni mendimet me kurajo të madhe në çdo mbledhje. Para se të nisni fjalën tuaj, në fillim kthehuni nga Bahá’u’lláh-u dhe kërkoni mbështetjen e Shpirtit të Shenjtë, pastaj hapni gojën dhe thoni atë që ju sugjeron zemra; kjo, sidoqoftë, duhet bërë me kurajon, dinjitetin dhe bindjen më të madhe. Kam shpresë se kuvendet tuaja do të rriten e lulëzojnë nga dita në ditë dhe ata që po kërkojnë të vërtetën do të dëgjojnë atje argumentet e arsyetuar dhe dëshmitë përfundimtare. Unë me shpirt e zemër jam me ju në çdo takim; për këtë të jesh i sigurt.

217 Kur jep mësim, mësuesi duhet të jetë vetë tërë frymëzim, në mënyrë që fjala e tij, si flaka e një zjarri, të ushtrojë ndikim e ta djegë perden e egos e të pasionit. Ai duhet gjithashtu të jetë tepër i përunjur e i thjeshtë, që të tjerëve t’u hapen sytë, të zhvishet krejt nga vetvetja e të mos bjerë në sy, në mënyrë që të ketë mundësi t’i mësojë ata me melodinë e Tubimit të epërm, ndryshe mësimet e tij nuk do të kenë efekt.

218 1 O ju miq të ngushtë e të shtrenjtë të ‘Abdu’l-Baháit!
Në Orient përhap kundërmime,
Dhe derdh shkëlqim në Perëndim.
Shpjer dritë te Bullgarët
Dhe Sllavët i vish me gjallim.
2 Kjo vjershë erdhi nga Qendra e Besëlidhjes një vit pas ngjitjes në qiell të Bahá’u’lláhut. Besëlidhjethyesit në të vërtetë u çuditën me të dhe e trajtuan me përçmim. Sidoqoftë, lëvduar qoftë Perëndia, efektet e saj tani janë manifestuar, forca e saj është zbuluar, domethënia e saj është e qartë; sepse më hirin e Perëndisë sot si Lindja edhe Perëndimi po drithërohen nga gëzimi dhe tani prej puhizave të ëmbla të shenjtërisë kundërmon parfum i tërë dheu.
3 Bukuria e Bekuar me gjuhë të pagabueshme ka bërë këtë premtim në Librin e Tij: ‘Ne ju shohim prej mbretërisë Sonë të lavdisë dhe do të ndihmojmë këdo që ngrihet për triumfin e Kauzës Sonë me ushtritë e Tubimit të epërm dhe një kompani të engjëjve tanë të preferuar.’75
4 Qoftë falënderuar Perëndia që ndihma e premtuar është akorduar, sepse ajo duket sheshit për të gjithë dhe ndriçon aq qartë sa dielli në qiej.
5 Prandaj, o ju miq të Perëndisë, ridyfishoni përpjekjet tuaja, tendosni çdo nerv deri sa të triumfoni në shërbimin tuaj ndaj Bukurisë së Lashtë, Dritës së Manifestuar dhe bëhuni shkak për përhapjen kudo të rrezeve të Diellit të së Vërtetës. Thithni në trupin e lodhur e të ligur të botës frymën e re të jetës dhe në brazdat e çdo rajoni mbillni farën e shenjtë. Ngrihuni për të përkrahur këtë Kauzë; çelini buzët tuaja dhe mësoni. Në vend-takimet e jetës qofshi ju një qiri udhërrëfyes; në qiejt e kësaj bote qofshi yj verbues; në kopshtet e unitetit qofshi zogj të shpirtit duke kënduar të vërtetat dhe misteret e padukshme.
6 Harxhoni çdo frymë tuaj të jetës në këtë Kauzë madhështore dhe ia përkushtoni gjithë ditët tuaja shërbimit të Bahá-s që më në fund të siguruar prej humbjes apo privimit të trashëgoni thesaret e mbingarkuar të mbretërisë së epërme. Sepse ditët e njeriut janë plot rreziqe dhe ai nuk mund t’i besojë jetës më shumë se një moment; e megjithatë njerëzit që janë si mirazhet valëvitëse të iluzioneve i thonë vetes se më në fund ata do të kapin qiejt. Të zestë ata! Njerëzit e kohëve të shkuara i përqafuan në gjokset e tyre këto fantazi të njëjta deri sa mbi ta ceku një valë dhe ata u bënë dhé, e panë veten të përjashtuar e të privuar – të gjithë, përveç atyre shpirtrave që e kishin çliruar veten prej egos dhe e kishin hedhur jetën e tyre në shtegun e Perëndisë. Ylli i tyre i shkëlqyer ndriçoi në qiejt e lavdisë së lashtë dhe kujtimet e përcjella prej gjithë epokave janë dëshmi për çfarë po them Unë.
7 Prandaj mos pushoni as ditë, as natë dhe mos kërkoni rehat. Tregoni sekretet e nënshtrimit, ndiqni udhën e shërbimit deri sa të arrini ndihmën e premtuar që vjen prej mbretërive të Perëndisë.
8 O miq! Re të zeza kanë mbështjellë gjithë këtë tokë dhe errësira e urrejtjes dhe e ligësisë, e mizorisë, agresionit e prishjes po përhapet an’ e kënd. Popujt të gjithë e jetojnë jetën në një mpirje moskokëçarëse dhe për virtyte kryesore të njeriut po mbahen grykësia e tij dhe etja për gjak. Prej gjithë kësaj mase të njerëzimit Perëndia ka zgjedhur miqtë, i ka favorizuar ata me udhërrëfimin e Tij dhe me hirin e pakufishëm. Qëllimi Tij është ky që ne të gjithë të përpiqemi me gjithë zemër të përkushtuar, të drejtojmë të tjerët në shtegun e Tij dhe të aftësojmë shpirtrat e njerëzve – deri sa këto bisha të tërbuara të shndërrohen në gazela në livadhet e njëshmërisë, këta ujqër në qengja të Perëndisë dhe këto krijesa të vrazhda në ushtri engjëllore; deri sa zjarret e urrejtjes të shuhen dhe flaka që vjen prej lugajës mbrojtëse të Faltores së Shenjtë të derdhë shkëlqimet e saj; deri sa era e qelbur e plehërishtës së tiranit të fshihet dhe të dorëzohet ndaj aromave të dëlira, të këndshme që rrjedhin prej shtretërve të trëndafilit të besimit e të besës. Atë ditë të dobëtit nga mendja do të tërhiqen në bujarinë e hyjnores, Mendjes Universale dhe ata jeta e të cilëve nuk është veçse neveri do të kërkojnë këto frymë të shenjta, spastruese.
9 Por nevojtarë duhet të jenë shpirtrat që do të manifestojnë të tilla blatime, nevojtarë duhet të jenë bujq për të lëruar këto fusha, kopshtarë për këto kopshte, nevojtarë duhet të jenë peshq për të notuar në këtë det, yje për të ndriçuar në këta qiej. Këta të sëmurë duhet të jenë nën kujdesin e doktorëve shpirtërorë, ata që e kanë humbur kanë nevojë për orientime të mira – që prej shpirtrave të tillë të braktisurit të marrin racionin e tyre, të privuarit të fitojnë pjesën e tyre, të varfrit të zbulojnë aq sa pasuria e pamatshme dhe kërkuesit të dëgjojnë prej tyre dëshmi të pakundërshtueshme.
10 O Zoti im, Mbrojtësi im, Ndihma ime në rrezik! Të përgjërohem përulësisht, i sëmurë po vij tek Ty të shërohem, kokulur të thërres Ty me gjuhën time, shpirtin tim, frymën time:
11 O Perëndi, Perëndia im! Errësira e natës ka mbështjellë çdo rajon dhe gjithë dheu është i mbyllur pas reve të trasha. Popujt e botës janë fundosur në thellësitë e zeza të iluzioneve të kota, ndërsa tiranët e tyre zhgërryhen në mizori e urrejtje. Unë nuk shoh asgjë përveç shkëlqimit të zjarreve përcëllues që flakërojnë përpjetë prej honit më të thellë, unë nuk dëgjoj asgjë përveç hungërimës gjëmuese që ulërin prej mijëra e mijëra armëve të zjarrit sulmuese, ndërsa çdo vend po bërtet me zë të lartë me gjuhën e tij sekrete: ‘Pasuritë e mia nuk më vlejnë gjë dhe sovraniteti im është prishur!’
12 O Zoti im, fanarët e udhërrëfimit janë shuar. Flakët e pasionit po ngrihen lart dhe zemërligësia po fiton gjithnjë mbi botë. Mëria dhe urrejtja janë përhapur mbi faqen e tërë dheut dhe nuk gjen shpirtra përveç grupit Tënd të vogël të shtypur që po ngre këtë thirrje:
13 Nxitoni për të dashuruar! Nxitoni për të besuar! Nxitoni për të dhënë! Ejani për udhëheqje!
14 Ejani për harmoni! Të shihni Yllin e Ditës! Ejani këtu për mirësi, për qetësim! Ejani këtu për miqësi e paqe!
15 Ejani dhe hidhni poshtë armët tuaja të tërbimit deri sa të fitohet uniteti! Ejani dhe në shtegun e vërtetë të Zotit të ndihmoni shoku-shokun.
16 Me të vërtetë me gëzim të jashtëzakonshëm, me shpirt e zemër bëji këta të shtypurit e Tu të japin veten për gjithë njerëzimin në çdo vend. Ti i sheh ata, o Zoti im, që po qajnë nga lotët që derdhin njerëzit e Tu, që po vajtojnë nga hidhërimi i fëmijëve të Tu, që po ngushëllojnë njerëzimin, që po vuajnë për shkak të fatkeqësive që u janë sulur gjithë banorëve të tokës.
17 O Zoti im, jepu atyre krahë për fitore që të ngjiten përpjetë drejt shpëtimit, forcoji këllqet e tyre në shërbim të njerëzve të Tu dhe kurrizin e tyre në shërbim te Pragu Yt i Shenjtërisë.
18 Me të vërtetë Ti je Zemërmadhi, me të vërtetë Ti je i Mëshirshmi! Nuk ka tjetër Perëndi veç Teje, i Buti, i Dhembshuri, i Lashti i Kohëve!

219 1 O ju bij e bija të Mbretërisë! Letra juaj që sigurisht ishte e frymëzuar nga qielli, është marrë. Përmbajtja e saj ishte shumë e kënaqshme, ndjenjat e saj dilnin prej zemrave të ndritura.
2 Besimtarët në Londër janë në të vërtetë të patundur dhe të vërtetë, ata janë të vendosur, ata janë të qëndrueshëm në shërbim; kur vihen në provë ata nuk ligështohen, as nuk e ulin zjarrin e tyre me kalimin e kohës; se ata janë Bahá’í. Ata janë të qiellit, ata janë të mbushur me dritë, ata janë të Perëndisë. Pa asnjë dyshim ata do të bëhen shtysë për të ngritur lart Fjalën e Perëndisë dhe përparimin e njëshmërisë së botës së njeriut; për përkrahjen e mësimeve të Perëndisë dhe përhapjen larg edhe afër të barazisë së çdo pjesëtari të racës njerëzore.
3 Është e lehtë t’i afrohesh Mbretërisë së Qiellit, por është e vështirë të qëndrosh i fortë e i vendosur në të, sepse provat janë të rrepta dhe të rënda për t’u mbajtur. Por anglezët qëndrojnë të patundur në çdo situatë dhe hapat e tyre nuk lëkunden sapo e shohin pisk. Ata nuk e dredhin, nuk tallen me detyrat dhe të heqin dorë shpejt prej tyre. Ata nuk e ulin entuziazmin dhe zellin, nuk e humbin interesin për shkak të gjërave të vogla. Jo, në gjithçka që bëjnë ata janë të qëndrueshëm, shkëmb-graniti e të patundur.
4 Megjithëse ju banoni në vendet perëndimore, lavdërimi qoftë me Perëndinë, ju prapë e dëgjuat thirrjen e Tij prej lindjes dhe si Moisiu i ngrohët duart tuaja në zjarrin e ndezur në Pemën Aziatike. Ju gjetët shtegun e vërtetë, u ndezët si fanarë dhe kini ardhur në Mbretërinë e Perëndisë. E tani nga mirënjohja jeni ngritur për këto bekime dhe po kërkoni ndihmën e Perëndisë për gjithë popujt e tokës që edhe sytë e tyre të shohin shkëlqimet e Mbretërisë Abhá dhe zemrat e tyre të reflektojnë si pasqyra rrezet e shkëlqyera të Diellit të së Vërtetës.
5 Kam shpresë se kështu frymët e Shpirtit të Shenjtë do të thithen në zemrat tuaja, se gjuhët tuaja do të zbulojnë misteret, do të paraqesin e shpjegojnë kuptimin e fshehtë të Librave të Shenjta; se miqtë do të bëhen doktorë dhe nëpërmjet mjekësisë së fuqishme të Mësimeve qiellore do të shërojnë sëmundjet afatgjata që prekin trupin e kësaj bote; se ata do t’i bëjnë të verbrit të shikojnë, të shurdhrit të dëgjojnë, të vdekurit të ngjallen; se do të zgjojnë ata që janë plotësisht në gjumë.
6 Flini të qetë se krezmimet e Shpirtit të Shenjtë do të zbresin mbi ju dhe ushtritë e Mbretërisë Abhá do t’u japin fitoren.

220 1 Zoti i gjithë njerëzimit e ka krijuar këtë mbretëri njerëzore për të qenë Kopsht i Edenit, parajsë tokësore. Në qoftë se ajo e gjen siç duhet udhën e harmonisë e të paqes, të dashurisë e besimit reciprok, ajo do të bëhet një strehë lumturie, një vend i bekimeve të shumëfishta dhe kënaqësive të pafund. Atje do të zbulohet shkëlqimi i njerëzimit, atje në çdo dorë do të të shkëlqejnë rrezet e Diellit të së Vërtetës.
2 Kujtoni se si dikur Adami dhe të tjerët rronin së bashku në Eden. Megjithatë, sapo shpërtheu grindja midis Adamit dhe Djallit, ata u dëbuan të gjithë prej Kopshtit dhe kjo u kuptua si një paralajmërim për racën njerëzore, një mënyrë për t’i treguar njerëzimit se mosmarrëveshja – edhe me Djallin – është udha ndaj humbjes së hidhur. Kjo është arsyeja që në epokën tonë të ndritur Perëndia na mëson se konfliktet dhe sherret nuk janë të lejueshme, madje as dhe me Djallin vetë.
3 Perëndi i Hirshëm! Edhe me një mësim të tillë para tij sa moskokëçarës është njeriu! Ende ne shohim botën e tij në luftë nga poli në pol. Ka luftë midis feve; luftë midis kombeve; luftë midis popujve; luftë midis sundimtarëve. Sa ndryshim i mirëpritur do të ishte vetëm sikur këto re të zeza të iknin prej qiejve të botës që drita e realitetit të mund të derdhej kudo! Vetëm sikur pluhuri i sterruar i këtij luftimi dhe vrasjeje të vazhdueshme të mund të fshihej përgjithmonë dhe erërat e këndshme të dashamirësisë së Perëndisë të mund të frynin prej burimit të paqes. Atëherë kjo botë do të bëhej tjetër botë dhe toka do të shkëlqente me dritën e Zotit të saj.
4 Nëse ka ndonjë shpresë, ajo është vetëm në bujaritë e Perëndisë: se hiri i Tij përforcues do të vijë dhe lufta e sherri do të shuhen, kafshimi i hidhur i çelikut që kullon gjak do të kthehet në mjaltë miqësie, ndershmërie dhe besimi. Sa e ëmbël do të jetë në gojë ajo ditë, sa kundërmuese si parfumi aroma e saj.
5 Dhëntë Perëndia që viti i ri të sjellë premtimin e paqes së re. E bëftë Ai këtë kuvend të shquar të nxjerrë një traktat të mirë, të vendosë një besëlidhje të drejtë dhe ju qofshi të bekuar përherë në kohët që vijnë.

[Drejtuar lexuesve të The Christian Commonwealth [Bashkësia e Krishterë], 1 janar 1913]

221 1 O ju që jeni të patundur në Besëlidhje! Pelegrini i ka kushtuar vëmendje secilit prej jush, por ky endacak në shkretëtirën e dashurisë së Perëndisë pengohet për letërkëmbim nga një mijë preokupime e shqetësime; e meqë nga të katër anët e dheut mbi të derdhet një rrëke e shtuar letrash do të ishte e pamundur t’i dërgoj secilit letër më vete, prandaj kjo letër i drejtohet secilit prej jush e si verë e mbyllur gëzoftë shpirtrat tuaj dhe i ngrohtë zemrat tuaja.
2 O ju të dashurit e patundur! Hiri i Perëndisë po bie mbi njerëzimin si shirat në pranverë dhe rrezet e Dritës së manifestuar e kanë bërë këtë tokë ta ketë zili qielli. Por, mjerisht, të verbrit janë privuar prej kësaj bujarie, moskokëçarësit janë të izoluar prej saj, të fishkurit e kanë humbur shpresën, të shuarit po vdesin – që si ujërat përmbytës ky lumë i pafund hiri të kalojë përsëri në burimin e tij kryesor në një det të fshehur. Vetëm një pakicë e marrin këtë hir dhe kanë pjesën e tyre prej tij. Prandaj le t’i mbështesim shpresat tona në çdo gjë që mund të sjellë krahu i fortë i të Shtrenjtit.
3 Ne besojmë se në kohët që vijnë të dremiturit do të zgjohen, moskokëçarësit do të jenë në dijeni dhe të përjashtuarit do të pranohet te të fshehtat. Tani miqtë duhet të punojnë me shpirt e me zemër, të bëjnë përpjekje të fuqishme deri sa muret e përçarjes të rrëzohen poshtë dhe lavditë e njëshmërisë së njerëzimit t’i udhëheqin të gjithë drejt unitetit.
4 Sot një kërkesë kryesore është uniteti dhe harmonia midis të shtrenjtëve të Zotit, sepse ata duhet të kenë mes tyre veç një zemër e një shpirt, duhet, përderisa te ta ekziston, të përballojnë të bashkuar armiqësinë e gjithë popujve të botës; ata duhet t’u japin fund paragjykimeve të errëta të të gjitha kombeve e feve dhe t’i bëjnë të njohur çdo pjesëtari të racës njerëzore se ata janë fletët e një dege, frutat e një trungu.
5 Por kur miqtë nuk kanë krijuar unitetin e përkryer mes tyre si mund t’i ftojnë të tjerët drejt harmonisë dhe paqes?
Një shpirt që s’është vetë i gjallë,
Si mund të shpresojë një tjetër të ngjallë?
6 Reflektoni jashtë formave njerëzore të jetës dhe qofshi të paralajmëruar në këtë mënyrë: këto re që lëvizin të veçuara nuk mund të japin bujarinë e shiut dhe humbasin shpejt; delen që ndahet nga kopeja e ha ujku dhe zogjtë që fluturojnë më vete do të bien shpejt në kthetrat e skifterit. Ç’demonstrim më të madh mund të kishte për të treguar se uniteti çon drejt jetës së lulëzuar, ndërsa përçarja e tërheqja prej të tjerëve do të çojë vetëm drejt mjerimit; sepse këto janë udhët e sigurta drejt dështimit të hidhur dhe shkatërrimit.
7 Manifestimet e shenjta të Perëndisë u dërguan për të bërë të dukshme njëshmërinë e njerëzimit. Për këtë Ata duruan të këqija e vuajtje të panumërta, që një komunitet mes popujve të ndryshëm të njerëzimit të mund të mblidhej nën hijen e Fjalës së Perëndisë e të jetonin si një dhe të mund të tregonin me kënaqësi dhe hir unitetin e njerëzimit mbi dhé. Prandaj kjo duhet të jetë dëshira e miqve për t’i bashkuar e për t’i unifikuar gjithë popujt, që të gjithë të marrin një pije bujare prej kësaj vere të pastër prej kësaj kupe që është ‘kalitur në shatërvanin e kafurit.’76 Le t’i bëjnë ata popullsitë e ndryshme të jenë si një dhe t’i shtyjnë fiset armiqësore e vrasëse të tokës drejt dashurisë me njëri-tjetrin. Le t’i çlirojnë prej prangave të skllavërimit ndaj dëshirave epshore dhe t’i bëjnë të përjashtuarit të bëhen të afërt të mistereve. Le t’u japin të privuarve një pjesë prej bekimeve të këtyre ditëve; le t’i drejtojnë ata pa racion drejt thesarit të pashtershëm. Ky hir mund të rrjedhë nëpërmjet fjalëve, metodave dhe veprave që janë prej Mbretërisë së Padukshme, kurse kur ato mungojnë ai nuk mund të ekzistojë.
8 Krezmimet e Perëndisë janë garantues për këto bekime; këto dhurata të mëdha i jep bujaria e shenjtëruar e Perëndisë. Miqtë e Perëndisë i mbështet Mbretëria e epërme dhe ata i arrijnë fitoret nëpërmjet ushtrive të grumbulluara të udhërrëfimit më të madh. Kështu, për ta çdo vështirësi do të sheshohet, çdo problem do të zgjidhet shumë lehtë.
9 Vini re se sa lehtë rregullohen punët në një familje ku ka unitet, se çfarë përparimi bëjnë pjestarët e kësaj familjeje dhe si atyre u shkon mbarë në botë. Punët e tyre janë në rregull, ata gëzojnë rehati e qetësi, janë të sigurtë, kanë një pozitë të garantuar, të gjithë i kanë zili. Një familje e tillë përmirëson nga dita në ditë gjendjen dhe nderin e saj. Dhe nëse ne e zgjerojmë pak sferën e unitetit për të përfshirë banorët e një fshati që kërkojnë të jenë të dashur e të bashkuar, që lidhen dhe janë të mirë me njëri-tjetrin, do të shihet se sa përparime të mëdha do të bëjnë ata, sa të sigurt e të mbrojtur do të jenë. Pastaj le ta zgjerojmë sferën pak më shumë, le të marrim banorët e një qyteti, të gjithë së bashku: në qoftë se ata vendosin lidhjet më të forta të unitetit midis tyre, sa shumë do të përparojnë, madje në një kohë të shkurtër dhe çfarë force do të ushtrojnë ata. Dhe në qoftë se sfera e unitetit zgjerohet akoma më shumë, kjo kur banorët e gjithë vendit edukojnë zemra paqësore dhe në qoftë se janë të etur me gjithë shpirt e zemër për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin e të jetojnë në unitet, ai vend do të arrijë një gëzim të pavdekshëm dhe lavdi të përhershme. Ai do të ketë paqe, begati e pasuri të mëdha.
10 Vini re pastaj: sikur çdo klan, fis, komunitet, çdo komb, shtet, territor mbi tokë do të bashkohej nën një tendë njëngjyrëshe të njëshmërisë së njerëzimit dhe me rrezet verbuese të Diellit të së Vërtetës të shpallnin universalitetin e njeriut; sikur ata të shtynin gjithë kombet e gjithë besimet t’i hapnin krahët njeri-tjetrit, të krijonin Këshillin Botëror e të vazhdonin të lidhnin pjesëtarët e shoqërisë me njëri-tjetrin në marrëdhënie reciproke të forta, çdo të ndodhte atëherë? Nuk ka aspak dyshim se i Shtrenjti hyjnor me gjithë bukurinë e Tij tërheqëse dhe me Të një ushtri masive e krezmimeve qiellore, bekimeve dhe blatimeve njerëzore, do të shfaqej me lavdinë e Tij të plotë para kuvendit të botës.
11 Prandaj, o ju të dashurit e Zotit, mblidhni veten, bëni ç’keni në dorë për të qenë si një, për të jetuar në paqe me njëri-tjetrin: sepse të gjithë jeni pika veçse prej të njëjtit oqean, gjethnaja e një peme, perla prej një guaske të vetme, lule dhe barëra të ëmbla prej një kopshti të vetëm. Dhe duke arritur këtë përpiquni të bashkoni zemrat e atyre që ndjekin besimet e tjera.
12 Ju duhet të jepni edhe jetën për njëri-tjetrin. Duhet të jeni pambarimisht të mirë ndaj çdo qenieje njerëzore. Mos quani njeri të huaj; mos mendoni asnjë të jetë armiku juaj. Qofshi sikur gjithë njerëzit të ishin farefisi juaj i ngushtë dhe miq të nderuar. Ecni në atë mënyrë që kjo botë fluturake të ndryshojë në shkëlqim dhe kjo kapicë e zymtë pluhuri të bëhet pallat kënaqësish. E tillë është këshilla e ‘Abdu’l-Baháit, këtij shërbëtori të pafat.

222 1 O ju të pastrehë dhe endacakë në Shtegun e Perëndisë! Mbrothësia, kënaqësia dhe liria sado të dëshiruara dhe ndihmuese për gëzimin e zemrës njerëzore, në asnjë mënyrë nuk mund të krahasohen me sprovat e të qenit i pastrehë dhe me fatkeqësitë në shtegun e Perëndisë; sepse një syrgjyn dhe dëbim i tillë bekohen prej preferencës hyjnore dhe sigurisht që pasohen me mëshirën e Providencës. Gëzimi i qetësisë në shtëpinë e dikujt dhe ëmbëlsia e lirisë prej gjithë kujdeseve do të vdesin, ndërsa bekimi i të qenit pa strehë do të zgjatë përgjithmonë dhe rezultatet e tij me ndikim të madh do të bëhen të dukshme.
2 Migrimi i Abrahamit prej tokës së vet amtare bëri të manifestoheshin dhuratat bujare të Lavdiplotit dhe perëndimi i yllit më të shkëlqyer të Kananit shpalosi para syve rrëzëllimin e Josifit. Fluturimi i Moisiut, Profetit të Sinait, zbuloi Flakën e Zjarrit përvëlues të Zotit dhe ngritja e Jezuit thithi frymët e Shpirtit të Shenjtë në botë. Largimi i Muhametit, i të Shtrenjtit të Perëndisë, prej qytetit të Tij të lindjes ishte shkak për lartësimin e Fjalës së Shenjtë të Perëndisë dhe dëbimi i Bukurisë së Shenjtëruar çoi në përhapjen e dritës së Revelacionit të Tij hyjnor nëpër gjithë rajonet.
3 Vërini veshin mirë, o njerëz mendjemprehtë!

223 1 O ju bij dhe bija të Mbretërisë! Letrën tuaj e morëm. Prej përmbajtjes së saj bëhet e njohur se, lavdërimi qoftë me Perëndinë, zemrat tuaja janë në dëlirësi maksimale dhe se shpirtrat tuaj gëzohen me lajmet e mira të Perëndisë. Masa e njerëzve është e pushtuar nga egoja dhe dëshira njerëzore, është zhytur në oqeanin e botës së ulët dhe është rob i botës natyrore, përveç atyre shpirtrave që janë çliruar prej zinxhirëve e vargonjve të botës materiale dhe si zogj shpejt-fluturues po ngjiten në këtë mbretëri të pakufizuar. Ata janë syçelur e vigjilentë, ata shmangin errësirën e botës së natyrës, dëshira e tyre më e lartë përqendrohet në çrrënjosjen nga gjiri i njerëzve të luftës për ekzistencë, ndriçimin prej mbretërisë së epërme të shpirtërores e të dashurisë, shprehjen e mirësisë maksimale mes njerëzve, realizimin e një lidhjeje të ngushtë e të afërt midis feve dhe praktikimit të idealit të vetëflijimit. Atëherë bota njerëzore do të transformohet në Mbretëri të Perëndisë.
2 O ju miq, bëni një përpjekje! Çdo shpenzim ka nevojë për një të ardhur. Këtë ditë në botën njerëzore njerëzit po harxhojnë gjatë gjithë kohës, sepse lufta nuk është gjë tjetër veçse harxhim i njerëzve dhe i pasurisë. Të paktën angazhohuni ju në një vepër fitimi për botën njerëzore që të kompensoni pjesërisht këtë humbje. Ndoshta, nëpërmjet krezmimeve hyjnore, jeni të ndihmuar në shpalljen e miqësisë dhe harmonisë midis njerëzve, në zëvendësimin e armiqësisë me dashurinë, duke bërë që prej luftës universale të rezultojë paqja universale, ndërsa humbja e ligësia të shndërrohen në fitore dhe dashuri. Kjo dëshirë do të realizohet nëpërmjet fuqisë së Mbretërisë.

224 O ti shërbëtor i Perëndisë! Letrën tënde e morëm. Përmbajtja e saj ishte e lartë dhe madhështore, synimi i saj i madh dhe shumë i rëndësishëm. Bota njerëzore ka nevojë për përmirësim të madh, sepse ajo është një xhungël materiale ku lulëzojnë pemë pa frute dhe harlisen barëra të padobishme. Nëse gjithsesi ka një pemë që jep fruta ajo mbulohet me hijen e pemëve pafrut e në qoftë se rritet një lule në këtë xhungël ajo është e futur dhe e fshehur. Bota e njerëzimit ka nevojë për kopshtarë të zot që të shndërrojnë këta pyje në kopshte të kënaqshëm trëndafilash, të zëvendësojnë këto pemë joprodhuese me ato që japin fruta dhe të zëvendësojnë këto barëra të këqija me trëndafila e barëra aromatike. Kështu shpirtrat aktivë dhe njerëzit vigjilentë nuk prehen as ditën e as natën; ata përpiqen për të qenë ngushtësisht të lidhur me Mbretërinë hyjnore dhe me anën e kësaj të bëhen manifestime të bujarisë së pafundme e kopshtarë idealë për këta pyje. Kështu bota njerëzore do të transformohet tërësisht dhe bujaritë e mëshirshme do të manifestohen.

225 1 O ju tubim i Mbretërisë Abhá! Dy thirrje suksesi e mbrothësie janë duke u ngritur prej lartësive të lumturisë njerëzore duke zgjuar të dremiturit, duke u dhënë sy të verbërve, duke i bërë moskokëçarësit të bëhen të vëmendshëm, duke u dhënë dëgjimin të shurdhërve, duke zgjidhur gjuhën e memecëve dhe duke ringjallur të vdekurit.
2 Njëra është thirrja e qytetërimit, e progresit të botës materiale. Ajo lidhet me botën e dukurive, përkrah parimet e arritjeve materiale dhe është trajner për arritjet fizike të njerëzimit. Ajo përfshin ligjet, normat, artet dhe shkencat nëpërmjet të cilave është zhvilluar bota njerëzore; ligje e norma që janë rrjedhojë e idealeve të larta, rezultat i mendjeve të fuqishme dhe që kanë ecur përpara në arenën e ekzistencës nëpërmjet përpjekjeve të të urtëve dhe të të kulturuarve të së shkuarës dhe të periudhave pasuese. Propagandues dhe forcë zbatuese e kësaj thirrjeje është pikërisht qeveria.
3 Tjetra është thirrja shpirt-trazuese e Perëndisë, mësimet shpirtërore të së Cilës janë ruajtësit e lavdisë së përjetshme, lumturisë së përjetshme dhe ndriçimit të botës njerëzore që i bën atributet e mëshirës të zbulohen në botën njerëzore dhe në jetën e përtejme.
4 Thirrja e dytë gjendet në udhëzimet dhe këshillat e Zotit, paralajmërimet dhe emocionet altruiste që i përkasin sferës së moralit që si një dritë e shkëlqyer ndriçon e shndrit fanarin e realiteteve të njerëzimit, Forca e tij depërtuese është Fjala e Perëndisë.
5 Megjithatë, derisa arritjet materiale, mjeshtëritë fizike dhe virtytet njerëzore të përforcohen nga përsosmëritë shpirtërore, cilësitë e ndritura dhe karakteristikat e mëshirës, prej tyre nuk do të ketë fryt apo rezultat dhe as lumturia e botës njerëzore, që është synimi përfundimtar, nuk do të arrihet. Sepse megjithëse nga njëra anë arritjet materiale dhe zhvillimi i botës fizike jep mbrothësinë që manifeston me mprehtësi synimet e saj të caktuara, nga ana tjetër janë të pashmangshme rreziqet, fatkeqësitë e rënda dhe të këqijat e dhunshme.
6 Për pasojë, kur shikon modelet e përpikta të mbretërive, qyteteve e fshatrave, me karakterin tërheqës të zbukurimeve të tyre, freskinë e burimeve të tyre natyrore, finesën e pajisjeve të tyre, rehatinë e mjeteve të tyre të udhëtimit, zgjerimin e dijes në dispozicion rreth botës e natyrës, shpikjet e mëdha, sipërmarrjet kolosale, zbulimet e mrekullueshme dhe kërkimet shkencore, ti do të arrije në përfundimin se qytetërimi ndihmon për lumturinë dhe përparimin e botës njerëzore. Sidoqoftë sikur të kthesh syrin tënd drejt zbulimit të makinës shkatërruese e të tmerrshme, në zhvillimin e forcave të shkatërrimit dhe shpikjen e mjeteve të egra që çrrënjosin pemën e jetës, do të ishte e qartë dhe e dukshme për ty se qytetërimi kombinohet me barbarizmin. Progresi dhe barbarizmi shkojnë dorë për dore derisa qytetërimi material të jetë krezmuar nga Udhëheqja Hyjnore, me revelimet e Mëshirëplotit dhe me virtytet hyjnore, të jetë përforcuar me sjelljen shpirtërore, me idealet e Mbretërisë dhe me vërshimet e Mbretërisë së Fuqishme.
7 Mendo tani, se si vendet më të përparuara dhe të qytetëruara të botës janë kthyer në arsenale shpërthyese, që kontinentet e globit janë transformuar në kampe dhe fushëbeteja gjigande, që popujt e botës janë rreshtuar në kombet e armatosura e që qeveritë e botës po rivalizojnë me njëra-tjetrën se kush do të hedhë hapin e parë në fushën e masakrës dhe gjakderdhjes duke e nënshtruar kështu njerëzimin ndaj shkallës më të madhe të dhimbjes.
8 Prandaj ky qytetërim dhe progres material duhet të kombinohen me Udhëheqjen Më të Lartë, që kjo botë e ulët të bëhet skena e shfaqjes së blatimeve të Mbretërisë dhe arritjet materiale të bashkohen me shkëlqimet e të Mëshirshmit. Kjo me qëllim që bukuria e përsosmëria e botës së njeriut të zbulohet e të manifestohet para të gjithëve me hir e shkëlqim maksimal. Kështu do të shfaqen lavdia dhe lumturia e përjetshme.
9 Lavdërimi qoftë me Perëndinë, gjatë shekujve dhe periudhave që kanë pasuar njëra-tjetrën thirrja e qytetërimit është ngritur, bota njerëzore ka ecur e ka përparuar ditë për ditë, shekuj të ndryshëm janë zhvilluar me hapa gjigandë dhe përmirësimet materiale janë shtuar kur bota e ekzistencës siguroi aftësinë universale për të pranuar mësimet shpirtërore dhe për të dëgjuar Thirrjen Hyjnore. Foshnja e gjirit kaloi përmes fazave të ndryshme fizike duke u rritur e zhvilluar në çdo fazë, deri sa trupi i saj arriti periudhën e pjekurisë. Pasi ka arritur në këtë fazë ajo fiton aftësinë për të manifestuar përsosmëritë shpirtërore dhe intelektuale. Dritat e të kuptuarit, inteligjencës e dijes bëhen në të të perceptueshme dhe fuqitë e shpirtit të shpalosura. Në mënyrë të ngjashme, në botën e varur speciet njerëzore kanë pësuar ndryshime progresive fizike dh me një proces të ngadalshëm kanë ngjitur shkallën e qytetërimit duke kuptuar në vetvete mrekullitë, epërsitë dhe dhuratat e njerëzimit në formën e tyre më të lavdishme, kur ajo fitoi aftësinë për të shprehur shkëlqimet e përsosmërive shpirtërore dhe idealet hyjnore, u bë e aftë për të dëgjuar ndaj thirrjes së Perëndisë. Më në fund atëherë u ngrit thirrja e Mbretërisë, u reveluan virtytet e përsosmëritë shpirtërore, agoi Dielli i Realitetit dhe u përkrahën mësimet e Paqes Më të Madhe, të njëshmërisë së botës njerëzore e të universalitetit të njerëzve. Ne shpresojmë që shkëlqimi i këtyre rrezeve do të bëhet gjithnjë e më i thellë dhe virtytet ideale më të shkëlqyera, që të arrihet qëllimi i këtij procesi universal njerëzor dhe dashuria e Perëndisë të shfaqet me hir e bukuri maksimale duke pushtuar gjithë zemrat.
10 O ju të shtrenjtit e Perëndisë! Dijeni me të vërtetë se lumturia e njerëzimit shtrihet në unitetin dhe harmoninë e racës njerëzore, se zhvillimet materiale e shpirtërore kushtëzohen nga dashuria dhe miqësia midis njerëzve. Shikoni krijesat e gjalla, domethënë ato që lëvizin mbi tokë e ato që fluturojnë, ato që kullosin dhe ato që shqyejnë. Ndër bishat grabitqare çdo lloj rron i ndarë nga speciet e tjera të genit të vet, duke ndjekur antagonizmin dhe armiqësinë e plotë; e kurdoherë që ndeshen ata luftojnë e ndjellin menjëherë gjak, duke kërcëlluar dhëmbët e duke nxjerrë kthetrat e tyre. Kjo është mënyra me të cilën sillen shtazët e egra dhe ujqit gjakpirës, kafshët mishngrënëse që jetojnë më vete dhe luftojnë për jetën e tyre. Por kafshët e urta, shpirtmira e të buta, pavarësisht se i përkasin specieve fluturuese apo barngrënëse, lidhen me njëra- tjetrën në afinitet të plotë, të bashkuara në tufa e duke e shkuar jetën me gëzim, lumturi e kënaqësi. Të tillë janë zogjtë që kënaqen e janë mirënjohës për ca kokrra; ata jetojnë në kënaqësi të plotë dhe shpërthejnë në këngë të pasura e melodike ndërsa fluturojnë mbi livadhe, fusha, kodra e male. Në mënyrë të ngjashme ato kafshë që kullosin, si delet, antilopat dhe gazelat, shoqërohen me miqësi, familjaritet e unitet shumë më të madh, ndërkohë që jetojnë në fushat e stepat e tyre në kushtet e kënaqësisë së plotë. Por qentë, ujqit, tigrat, hienat e shtazë të tjera grabitqare, armiqësohen me njëra-tjetrën ndërsa gjuajnë e bredhin përqark vetëm. Krijesat e fushës dhe zogjtë e ajrit jo vetëm që nuk e shmangin apo e ngasin njëra-tjetrën kur vazhdojnë kullotjen e heshtur apo shtrihen përdhe, por e pranojnë njëra-tjetrën me miqësi, ndryshe nga shtazët grabitqare që e shqyejnë njëra-tjetrën copë-copë kur ndonjëra përzihet në guvën apo strofkën e tjetrës; po, madje edhe sikur ndonjëra thjesht të kalojë pranë strofkës së tjetrës, kjo e fundit vërsulet menjëherë për ta sulmuar e po të jetë e mundur dhe për ta vrarë.
11 Prandaj, është bërë e qartë dhe e dukshme se edhe në botën e kafshëve dashuria e afria janë fryte të një natyre të butë, një natyre të pastër e një karakteri të lavdërueshëm, ndërsa mosmarrëveshja dhe izolimi janë karakteristike për shtazët e egra të shkretëtirës.
12 I Plotfuqishmi nuk i ka bërë njeriut kthetra dhe dhëmbë kafshësh të egra, përkundrazi forma njerëzore është krijuar e pajisur me atributet më të hijshme, është stolisur me virtytet më të përsosura. Prandaj nderi i këtij krijimi dhe denjësia e këtij petku i kërkojnë njeriut të ketë dashuri e afri për llojin e vet, madje të veprojë ndaj gjithë krijesave të gjalla me drejtësi e barazi.
13 Po ashtu, shikoni se si shkaku i mirëqenies, lumturisë, gëzimit e rehatisë së njerëzimit janë miqësia e bashkimi, ndërsa përçarja e mosmarrëveshja janë tepër ndihmuese për mundim, poshtërim, trazim dhe dështim.
14 Por mjerisht mijëra herë njeriu rreth këtyre fakteve është mospërfillës, i paditur dhe kudo krekoset për ditë me karakteristikat e një shtaze të egër. Hej! Në një moment ai bëhet një tigër i egër; në tjetrin bëhet një nepërkë zvarranike, helmuese! Por arritjet madhështore të një njeriu strehohen në ato cilësi e atribute që përzihen vetëm me engjëjt e Tubimit Suprem. Prandaj kur prej njeriut rrjedhin cilësitë e lavdërueshme dhe moralet e larta ai bëhet një qenie hyjnore, një engjëll i Mbretërisë, një realitet hyjnor e një shkëlqim qiellor. Nga ana tjetër, kur ai angazhohet me luftën, sherrin e gjakderdhjen, ai bëhet më i ndyrë se më mizorja e krijesave të egra, sepse nëse një ujk gjakpirës shqyen një qengj në një natë të vetme, njeriu masakron njëqind mijë në fushën e betejës, duke e shtruar truallin me trupat e tyre dhe duke e mbrujtur dheun me gjakun e tyre.
15 Shkurt, njeriu është i pajisur me dy natyra: njëra priret drejt madhështisë morale dhe përkryerjes intelektuale, ndërsa tjetra shkon drejt rrënimit shtazarak dhe mospërkryerjes fizike. Nëse përshkoni vendet e globit ju do të vini re nga njëra anë mbetjet e rrënimit dhe shkatërrimit, ndërsa nga tjetra do të shikoni shenjat e qytetërimit dhe të zhvillimit. Të tilla rrënime e shkatërrime janë rezultat i luftës, konfliktit dhe sherrit, ndërsa i gjithë zhvillimi e progresi janë frute të dritave të virtytit, bashkëpunimit dhe harmonisë.
16 Sikur të udhëtonte ndonjëri përmes shkretëtirave të Azisë Qendrore ai do të vinte re sa shumë qytete, dikur të mëdhenj e të begatë si Parisi e Londra, tani janë shkatërruar e rrafshuar me dheun. Prej Detit Kaspik deri në Lumin Oksus shtrihen rrafshina, shkretëtira, bimësi e egër, lugina të egra dhe të shkretuara. Për dy ditë e dy net hekurudha ruse përshkon qytete të rrënuara e fshatra të pabanuara të asaj shkretëtire. Dikur ajo rrafshinë lindi frytin e qytetërimeve të shkëlqyera të së shkuarës. Simbolet e zhvillimit dhe finesës u dukën gjithandej, artet e shkencat mbroheshin mirë e përkraheshin, zanatet dhe industritë lulëzuan, tregtia e bujqësia kishin arritur një shkallë të lartë efektiviteti dhe themelet e qeverisjes e të udhëheqjes politike u shtrinë mbi baza të forta e të qëndrueshme. Sot kjo hapësirë gjigande toke është bërë kryesisht strehë e mbrojtje e fiseve turkomane dhe një arenë për shfaqjen mizore të shtazëve të egra. Qytetet e lashta të asaj rrafshine, si Gurgani, Nisa, Abjordi e Shahristani, të famshëm nëpër botë për artet, shkencat, kulturën e industrinë e tyre, të mirënjohur për pasurinë, madhështinë, mirëqenien e epërsinë, i kanë lënë udhën shkretëtirës ku nuk dëgjohet zë, përveç ulërimës së shtazëve të egra dhe ku ujqit gjakpirës ulërijnë me qejf. Ky shkatërrim e shkretim ndodhi për shkak të luftës e grindjeve, polemikave e mosmarrëveshjeve midis persëve e turqve që ndryshonin në fenë e zakonet e tyre. Aq i ashpër ishte shpirti i paragjykimit fetar sa udhëheqësit e pabesë shenjtëruan derdhjen e gjakut të pafajshëm, rrënimin e pasurisë dhe përdhosjen e nderit familjar. Kjo sa për sjellë vetëm një ilustrim.
17 Rrjedhimisht, kur përshkon rajonet e botës ti do të arrish në përfundimin se gjithë progresi është rrjedhojë e lidhjes dhe bashkëpunimit, ndërsa shkatërrimi është rezultat i armiqësisë dhe urrejtjes. Pavarësisht nga kjo, bota njerëzore nuk e shikon atë si paralajmërim e as nuk zgjohet prej dremitjes moskokëçarëse. Njeriu akoma po shkakton dallime, sherre e grindje me qëllim që të rreshtojë kohortat e luftës dhe me legjionet e tij të derdhet në fushën e gjakderdhjes dhe të masakrës.
18 Pastaj shih përsëri dukurinë e përbërjes dhe të shpërbërjes, të ekzistencës dhe të mosekzistencës. Çdo gjë e krijuar në botën e varur përbëhet prej atomeve të shumtë e të ndryshëm dhe ekzistenca e saj varet nga përbërja e tyre. Me fjalë të tjera, nëpërmjet fuqisë krijuese hyjnore ndodh një bashkim i elementëve të thjeshtë që prej kësaj përbërjeje të prodhohet një organizëm i caktuar. Ekzistenca e të gjitha gjërave bazohet mbi këtë parim. Por kur prishet rregulli vjen shpërbërja dhe nis copëtimi, pastaj ai send pushon së ekzistuari. Kjo do të thotë se asgjësimi i gjithë gjërave shkaktohet nga shpërbërja dhe copëtimi. Prandaj tërheqja e ujdia midis elementëve të ndryshëm është mënyra e jetës dhe mosmarrëveshja, shpërbërja e ndarja japin vdekjen. Kështu forcat lidhëse e tërheqëse në gjithë sendet çojnë në dukjen e rezultateve dhe efekteve të frytshme, ndërsa ndarja e largimi i gjërave çon në çrregullim e asgjësim. Nëpërmjet afrisë e joshjes gjithë gjërat e gjalla si bimët, kafshët dhe njerëzit vijnë në ekzistencë, ndërsa ndarja e mosmarrëveshja shkaktojnë shpërbërje e shkatërrim.
19 Rrjedhimisht, ajo që ndihmon për lidhjen, joshjen dhe unitetin midis bijve të njerëzve është mjet i jetës së botës njerëzore, kurse çdo gjë që shkakton ndarje, shtytje dhe largësi çon drejt vdekjes së njerëzimit.
20 E nëse ti ndërsa shkon në fusha e plantacione vë re që bimët, lulet e barërat erëmirë po rriten me begati së bashku duke formuar një model të unitetit, kjo është një shprehje e faktit që ai plantacion e kopsht po lulëzon nën kujdesin e një kopshtari të zot. Por kur e shikon atë në një gjendje rrëmuje e parregullsie ti arrin në përfundimin se atij i ka munguar trajtimi nga një bujk i zoti, prandaj ka prodhuar barëra të këqija dhe egjër.
21 Ndaj bëhet e qartë se miqësia dhe lidhja janë tregues të aftësimit prej Edukatorit të Vërtetë, kurse shpërbërja dhe ndarja dëshmi të egërsisë dhe privimit prej edukimit hyjnor
22 Një kritizer mund të kundërshtojë duke thënë se popujt, racat, fiset e komunitetet e botës janë të ndryshëm dhe të larmishëm në zakone, doke, shije, karakter, prirje e ide, se kanë opinione e mendime në kundërshtim me njëri-tjetrin, prandaj si është e mundur të shfaqet uniteti i vërtetë dhe të ekzistojë marrëveshja e përsosur mes njerëzve?
23 Në përgjigje ne themi se ndryshimet janë dy llojesh. Njëri është shkak i asgjësimit dhe është si antipatia që ekziston midis kombeve luftuese e fiseve në konflikt që kërkojnë shkatërrimin e njeri-tjetrit, çrrënjosjen e familjeve të njeri-tjetrit, privimin e njeri-tjetrit prej prehjes, rehatit dhe ndezjen e masakrës. Lloji tjetër që është simbol i larmisë është thelbi i përkryerjes dhe shkak i shfaqjes së blatimeve të Zotit Më të Lavdishëm.
24 Shikoni lulet e një kopshti: edhe pse të ndryshme për nga lloji, ngjyra, forma e trajta, përderisa ato ripërtërihen nga ujërat e një burimi, rigjallërohen nga fryrja e një ere, forcohen nga rrezet e një dielli, kjo larmi e rrit hijeshinë e tyre dhe u shton bukurinë. Kështu kur ka efekt ajo forcë bashkuese, ndikimi depërtues i Fjalës së Perëndisë, ndryshimi i dokeve, sjelljeve, zakoneve, ideve, opinioneve e prirjeve e zbukuron botën e njerëzimit. Kjo larmi, ky ndryshim është si pangjashmëria e llojshmëria e gjymtyrëve dhe organeve të trupit njerëzor të krijuar në mënyrë të natyrshme, sepse secili kontribuon në bukurinë, efikasitetin dhe përkryerjen e së tërës. Kur këto gjymtyrë e organe të ndryshme vijnë nën ndikimin e shpirtit sovran të njeriut dhe fuqia e shpirtit përshkon gjymtyrët dhe pjesët e tjera, venat dhe arteriet e trupit, atëherë ndryshimi përforcon harmoninë, larmia forcon dashurinë dhe shumëllojshmëria është faktori më i madh i bashkërendimit.
25 Sa e papëlqyeshme do të ishte për syrin sikur gjithë lulet e bimët, gjethet e lulesat, frutat, degët dhe pemët e atij kopshti të ishin të gjitha të së njëjtës formë e ngjyrë! Larmia e ngjyrimit, trajtës dhe formës, e pasuron dhe e zbukuron kopshtin, e lartëson efektin e tij. Në të njëjtën mënyrë, kur nuancat e larmishme të mendimit, temperamentit dhe karakterit sillen së bashku nën fuqinë dhe ndikimin e një agjencie qendrore do të zbulohet e do të manifestohet bukuria dhe lavdia e përkryerjes njerëzore. Asgjë, përveç fuqisë qiellore të Fjalës së Perëndisë që sundon e përshkon realitetet e të gjitha gjërave, nuk është e aftë për harmonizimin e mendimeve, ndjenjave, ideve dhe bindjeve të ndryshme të fëmijëve të njerëzve. Me të vërtetë ajo është forca depërtuese në të gjitha gjërat, shtytësi i shpirtrave, lidhësi dhe rregullatori i botës njerëzore.
26 Lavdërimi qoftë me Perëndinë, sot shkëlqimi i Fjalës së Perëndisë ka ndriçuar çdo horizont dhe prej të gjitha sekteve, racave, fiseve, kombeve e komuniteteve shpirtrat janë bashkuar në dritën e Fjalës, janë mbledhur, bashkuar e kanë rënë dakord me harmoni të përkryer. Oh! Ç’numër i madh takimesh mbahen të stolisur me shpirtra prej racave e sekteve të larmishme! Kushdo që i ndjek këto do të shtanget me habi e mund të mendojë se këto shpirtra janë të gjithë prej një vendi, një kombësie, një komuniteti, një mendimi, një besimi e një opinioni; ndërsa në fakt një është amerikan, tjetri afrikan, një vjen nga Azia e një tjetër nga Europa, një është vendas nga India, tjetri është nga Turkestani, një është arab, tjetri taxhik, një tjetër pers, ndërsa një tjetër grek. Pavarësisht nga një larmi e tillë ata shoqërohen me harmoni dhe unitet të përkryer, me dashuri e liri; ata kanë një zë, një mendim e një qëllim. Me të vërtetë kjo ndodh nga forca depërtuese e Fjalës së Perëndisë! Edhe sikur gjithë forcat e universit të kombinoheshin ato nuk do të ishin të afta të mblidhnin edhe një kuvend të vetëm të mbushur me kaq ndjenja dashurie, dashamirësie, joshjeje e përzemërsie, sa të bashkonte pjesëtarët e racave të ndryshme dhe të ngrinte prej zemrës së botës një zë që do të largonte luftën dhe grindjen, të çrrënjoste përçarjen e polemikën, t’i ftonte në epokën e paqes universale dhe të vendoste unitetin e harmoninë midis njerëzve.
27 A mundet t’i rezistojë ndonjë forcë ndikimit depërtues të Perëndisë? Jo, për Perëndi! Dëshmia është e qartë dhe fakti është i plotë! Nëse ndokush sheh me sytë e drejtësisë ai do të shtanget nga habia e mrekullia, do të dëshmojë se gjithë njerëzit, sektet e racat e botës do të kënaqen, gëzohen e do të jenë mirënjohës për mësimet e këshillimet e Bahá’u’lláhut. Sepse këto urdhra hyjnore zbutin çdo kafshë të egër, transformojnë insektin kacavjerrës në zog fluturues, i bëjnë shpirtrat njerëzorë engjëj të Mbretërisë dhe botën njerëzore një qendër për cilësitë e mëshirës.
28 Madje secilit i kërkohet të tregojë bindje, nënshtrim dhe besnikëri ndaj qeverisë së tij. Sot asnjë shtet në botë nuk është në gjendje paqeje apo qetësie, sepse siguria dhe besimi janë zhdukur prej njerëzve. Si të qeverisurit edhe qeveritarët janë njësoj në rrezik. I vetmi grup njerëzish që sot nënshtrohet paqësisht e besnikërisht ndaj ligjeve dhe urdhrave të qeverisë, që merret vesh ndershmërisht e sinqerisht me njerëzit, është veçse ky komunitet i munduar. Sepse gjithë racat dhe sektet në Persi e Turkestan tërhiqen nga nxitja e interesave të tyre vetjake dhe u binden qeverive të tyre ose vetëm nga shpresa e shpërblimit ose nga frika e ndëshkimit, kurse Bahá’ít janë mirëdashës të qeverisë, të bindur ndaj ligjeve dhe bartës të dashurisë për gjithë njerëzit.
29 Një bindje e nënshtrim i tillë është detyrë dhe i detyrueshëm për të gjithë nga Teksti i qartë i Bukurisë Abhá. Prandaj besimtarët me bindje ndaj urdhrit të të Vërtetit tregojnë sinqeritetin maksimal dhe vullnetin e mirë ndaj të gjithë kombeve; dhe sikur ndonjë shpirt të veprojë në kundërshtim me ligjet e qeverisë ai do ta konsideronte veten përgjegjës para Perëndisë, se ai meriton tërbimin hyjnor dhe ndëshkimin për mëkatin e gabimin e tij. Është befasuese që, pavarësisht nga kjo, disa prej zyrtarëve qeveritarë i konsiderojnë Bahá’ít si keqdashës ndërkohë që pjesëtarët e komuniteteve të tjera i vlerësojnë si mirëdashës. Perëndi i Hirshëm! Kohët e fundit, kur në Teheran e në provincat e tjera të Persisë ndodhi një revolucion e trazim i përgjithshëm, u provua se qoftë edhe një Bahá’í i vetëm nuk kishte marrë pjesë apo të kishte ndërhyrë në këto çështje. Për këtë arsye ata u qortuan nga të paditurit sepse i ishin bindur urdhrit të Përsosmërisë së Bekuar dhe u përmbajtën plotësisht prej ndërhyrjes në çështjet politike. Ata nuk ishin të lidhur me ndonjë parti, por u angazhuan me çështjet e tyre vetjake, me profesionet dhe kryen detyrat e tyre.
30 Gjithë miqtë e Perëndisë sjellin dëshmi për faktin se ‘Abdu’l-Bahái, nga çdo këndvështrim, është mirëdashës i gjithë qeverive e kombeve, lutet sinqerisht për progresin e përparimin e tyre, veçanërisht për dy shtetet e mëdha të lindjes, sepse këto dy vende janë toka amtare dhe vendi i syrgjynit të Bahá’u’lláhut. Në gjithë letrat e shkrimet ai ka uruar e lavdëruar këto dy qeveri dhe ka lutur për to krezmimet hyjnore te Pragu i Një Perëndie të vërtetë. Bukuria Abhá – qoftë jeta ime flijim për të dashurit e Tij – ka ofruar lutje në emër të Madhërive të Tyre Perandorake. Perëndi i Hirshëm! Sa e çuditshme që me gjithë këto dëshmi bindëse çdo ditë ndodh ndonjë gjë dhe vështirësitë rriten. Por ne, dhe miqtë e Perëndisë, nuk duhet kurrsesi të ngadalësojmë përpjekjet tona për të qenë të besës, të sinqertë e njerëz të vullnetit të mirë. Ne kurdoherë duhet të shfaqim vërtetësinë dhe sinqeritetitn tonë, madje jo, ne duhet të jemi të pandryshueshëm në besnikërinë e besueshmërinë tonë dhe të lutemi për të mirën e të gjithëve.
31 O ju të shtrenjtit e Perëndisë, këto janë ditë për vendosmëri, qëndrueshmëri e këmbëngulje në Kauzën e Perëndisë. Ju nuk duhet ta përqendroni vëmendjen tuaj mbi personin e ‘Abdu’l-Baháit, sepse ai së shpejti do t’u lërë shëndetin. Ju duhet ta ngulni vështrimin tuaj mbi Fjalën e Perëndisë. Në qoftë se Fjala e Perëndisë është duke u përkrahur, gëzohuni, qofshi të lumtur e mirënjohës, edhe sikur ‘Abdu’l-Bahái vetë të kërcënohet nga shpata apo të ngarkohet me peshën e zinxhirëve e të vargonjve. Sepse i rëndësishëm është Tempulli i Shenjtë i Kauzës së Perëndisë, jo trupi fizik i ‘Abdu’l-Baháit. Miqtë e Perëndisë duhet të ngrihen me kaq vendosmëri sa edhe sikur për një moment njëqind shpirtra si ‘Abdu’l-Bahái të bëhen objektiva për shigjetat e dhimbjes, ata nuk do të ndryshojnë apo lëkunden nga vendimi i tyre, vendosmëria, zjarri, përkushtimi dhe shërbimi i tyre në Kauzën e Perëndisë. ‘Abdu’l-Bahái vetë është një shërbëtor në Pragun e Bukurisë së Bekuar dhe një manifestim i nënshtrimit të dëlirë e të plotë në Pragun e të Plotfuqishmit. Ai nuk ka tjetër pozitë apo titull, as rang apo pushtet tjetër. Ky është Qëllimi im përfundimtar, Parajsa ime e përjetshme, Tempulli im më i shenjtë dhe Sadratol-Montaha ime. Me Bukurinë e Bekuar Abhá dhe të Lartësuarin, Kasnecin e Tij – qoftë jeta ime flijim për Ata të dy – ka mbaruar shfaqja e Manifestimit të pavarur dhe universal të Perëndisë. Dhe për një mijë vjet të gjithë do të ndriçohen nga dritat e Tij, do të mbështeten nga oqeani i favoreve të Tij.
32 O ju të dashurit e Perëndisë! Kjo, me të vërtetë, është dëshira ime e fundit dhe këshilla ime për ju. Prandaj i bekuar është ai që ndihmohet nga Perëndia për të ndjekur atë që skalitet mbi këtë pergamenë, fjalët e të cilit shenjtërohen prej simboleve aktuale midis njerëzve.

226 1 O ti shërbëtor i Perëndisë! Letrën tënde e morëm dhe ajo është burim kënaqësie. Ti ke shprehur dëshirën tënde të zjarrtë që Unë të marr pjesë në Kongresin e Paqes. Unë nuk paraqitem në të tilla konferenca politike, sepse vendosja e paqes është e paarritshme, përveç se nëpërmjet fuqisë së Fjalës së Perëndisë. Paqja universale do të vendoset atëherë kur mblidhet një konferencë dhe përfaqësuesit e gjithë kombeve punojnë nën ndikimin e Fjalës së Perëndisë, se përndryshe ajo është e pamundur.
2 Tani për tani sigurisht që është vendosur paqja e përkohshme, por ajo nuk zgjat. Gjithë qeveritë e kombet janë lodhur prej luftës, prej vështirësive të udhëtimit, prej shpenzimeve të mëdha, prej humbjes së jetës, prej vuajtjeve të grave, prej numrit të madh të jetimëve dhe ata po shtyhen me forcë drejt paqes. Por kjo paqe nuk është e përhershme, është e përkohshme.
3 Ne shpresojmë se fuqia e Fjalës së Perëndisë do të vendosë një paqe që do të qëndrojë përjetësisht efektive dhe e sigurt.

227 77 1 O ju të respektuar që jeni pionierë mes mirë-dashësve të botës njerëzore!
2 Letrat që ju dërguat gjatë luftës nuk i morëm, por sapo na ka rënë në dorë një letër e datuar më ll shkurt 1916 së cilës po i përgjigjemi menjëherë. Qëllimi juaj meriton mijëra lavdërime, sepse ju po i shërbeni botës njerëzore dhe kjo është ndihmuese për lumturinë e mirëqenien e të gjithëve. Lufta e fundit i ka treguar botës dhe popullit se lufta është shkatërrim, ndërsa paqja universale është ndërtim; lufta është vdekje, ndërsa paqja është jetë; lufta është grykësi dhe etje për gjak, ndërsa paqja është bamirësi e humanizëm; lufta është një apendiks i botës së natyrës, ndërsa paqja është themeli i fesë së Perëndisë; lufta është errësirë mbi errësirë, ndërsa paqja është dritë qiellore; lufta është shkatërruesi i ngrehinës njerëzore, ndërsa paqja është jeta e përjetshme e botës njerëzore; lufta është si një ujk i pangopur, ndërsa paqja është si engjëjt e qiellit; lufta është ndeshje për ekzistencë, ndërsa paqja është ndihmë reciproke dhe bashkëpunim mes popujve të botës, shkaku i kënaqësisë së plotë të të Vërtetit në mbretërinë qiellore.
3 Nuk ka sot një shpirt vetëdija e të cilit të mos dëshmojë se tani nuk ka çështje më të rëndësishme në botë se sa paqja universale. Çdonjëri vetëm sjell dëshmi për këtë dhe e adhuron atë Asamble të respektuar, sepse qëllimi i saj është që kjo errësirë të shndërrohet në dritë, kjo etje për gjak në mirësi, kjo katrahurë në lumturi, ky mundim në lehtësim dhe kjo armiqësi e urrejtje në shoqëri e dashuri. Prandaj përpjekja e atyre shpirtrave të respektuar është e denjë për lavdërime dhe urata.
4 Por shpirtrat e mençur, që janë të vetëdishëm për marrëdhëniet thelbësore që burojnë nga realitetet e gjërave, e kuptojnë se një çështje e vetme nuk mund të ndikojë vetë ajo ashtu siç duhet mbi realitetin njerëzor, sepse derisa mendjet e njerëzve nuk janë bashkuar asgjë e rëndësishme nuk mund të arrihet. Tani paqja universale është një çështje me rëndësi të madhe, por uniteti i ndërgjegjes është thelbësor, në mënyrë që themeli i kësaj çështjeje të jetë i sigurtë, ndërtimi i saj i qëndrueshëm dhe godina e saj e fortë.
5 Për këtë arsye Bahá’u’lláhu, pesëdhjetë vjet më parë, e shtjelloi çështjen e paqes universale në një kohë kur Ai ishte i mbyllur në fortesën e Akkas, i munduar dhe i burgosur. Ai u shkroi rreth kësaj çështjeje të rëndësishme të paqes gjithë sovranëve të mëdhenj të botës dhe e ngriti atë ndër miqtë e Tij në orient. Horizonti i lindjes ishte në errësirë të plotë, kombet shfaqnin urrejtjen e armiqësinë maksimale ndaj njeri-tjetrit, fetë të etura për gjakun e njëri-tjetrit dhe errësira ishte palë-palë. Në një kohë të tillë Bahá’u’lláhu shkëlqeu si dielli prej horizontit të lindjes dhe ndriçoi Persinë me dritat e këtyre mësimeve.
6 Midis mësimeve të Tij ishte deklarata e paqes universale. Njerëzit e kombeve, feve e sekteve të ndryshme që e pasuan atë u bashkuan me një shtrirje të tillë sa u mblodhën kuvende të mrekullueshme që përbëheshin nga kombe e fe të ndryshme të lindjes. Çdo shpirt që hyri në këto kuvende pa veç një komb, një mësim, një shteg, një urdhër, sepse mësimet e Bahá’u’lláhut për vendosjen e paqes universale nuk ishin të kufizuara. Ata përqafuan shumë mësime që plotësonin dhe mbështesnin paqen universale.
7 Midis këtyre mësimeve ishte hetimi i pavarur i realitetit që bota njerëzore të shpëtohej prej errësirës së imitimit dhe të arrinte të vërtetën; të griste e të flakte tej këtë petk të leckosur e të ngushtë të një mijë vjetëve përpara e të vishte rrobën e thurur me dëlirësi e shenjtëri maksimale në gjergjefin e realitetit. Me qenë se realiteti është një dhe nuk mund të lejojë shumësi, për këtë arsye opinionet e ndryshme duhet përfundimisht të shkrihen ne një.
8 Dhe midis mësimeve të Bahá’u’lláhut është edhe njëshmëria e botës njerëzore; se të gjitha qeniet njerëzore janë dele të Perëndisë e Ai është Bariu i mirë. Ky Bari është i mirë ndaj gjithë deleve, sepse Ai i krijoi të gjitha, i aftësoi, i siguroi dhe i mbrojti. Nuk ka dyshim që Bariu është i mirë ndaj gjithë deleve dhe sikur mes tyre të ketë dele të paditura, ato duhen edukuar; në qofshin fëmijë ata duhen aftësuar deri sa të arrijnë pjekurinë; në qofshin të sëmurë, ata duhet të kurohen. Nuk duhet të ketë urrejtje e armiqësi, sepse për një doktor të mirë këta të paditur, të sëmurë duhen trajtuar.
9 Dhe midis mësimeve të Bahá’u’lláhut është dhe ai që feja duhet të jetë shkak shoqërie e dashurie. Nëse ajo bëhet shkak ftohjeje atëherë nuk nevojitet, sepse feja është si ilaç; nëse e acaron sëmundjen atëherë ajo bëhet e panevojshme.
10 Dhe midis mësimeve të Bahá’u’lláhut është dhe ai që feja duhet të jetë në pajtim me shkencën dhe arsyen, që ajo të ndikojë në zemrat e njerëzve. Themeli duhet të jetë i qëndrueshëm e nuk duhet të përmbajë imitime.
11 Dhe midis mësimeve të Bahá’u’lláhut është dhe ai që feja, paragjykimet racore, politike, ekonomike dhe patriotike e shkatërrojnë godinën e njerëzimit. Bota njerëzore nuk do të ketë prehje për sa kohë mbizotërojnë këto paragjykime. Një periudhë prej 6000 vjet histori na informon ne mbi botën njerëzore. Gjatë këtyre 6000 vjetëve bota njerëzore nuk është çliruar prej luftës, grindjes, vrasjes dhe etjes për gjak. Në çdo periudhë lufta është zhvilluar në një vend apo në tjetrin dhe ka ndodhur ose për shkak të paragjykimeve fetare, paragjykimeve racore, paragjykimeve politike ose paragjykimeve patriotike. Prandaj është pohuar e provuar se gjithë paragjykimet janë shkatërruese për ngrehinën njerëzore. Për sa kohë vazhdojnë këto paragjykime lufta për ekzistencë duhet të mbetet sunduese dhe etja për gjak e grykësia vazhdojnë. Prandaj, siç ka ndodhur në të kaluarën, bota njerëzore nuk mund të shpëtohet prej errësirës së natyrës dhe nuk mund të arrijë të ndriçohet përveç se përmes braktisjes së paragjykimeve dhe përvetësimit të moraleve të Mbretërisë.
12 Në qoftë se ky paragjykim e kjo armiqësi janë për shkak të fesë kini parasysh që feja duhet të jetë shkak për shoqëri, përndryshe është shterpë. Dhe në qoftë ky paragjykim për shkak të kombësisë kini parasysh që gjithë njerëzimi është prej një kombi; të gjithë kanë rrjedhur prej pemës së Adamit dhe Adami është rrënja e pemës. Kjo pemë është një dhe të gjithë kombet janë si degët, ndërsa individët e njerëzimit janë si fletët, lulesat e frutat e saj. Pastaj krijimi i kombeve të ndryshme, derdhja konsekuente e gjakut dhe shkatërrimi i ngrehinës së njerëzimit vjen prej paditurisë njerëzore dhe motiveve egoiste.
13 Për sa u përket paragjykimeve patriotike, kjo gjithashtu ndodh për shkak të paditurisë absolute, sepse sipërfaqja e tokës është një tokë amtare. Secili mund të jetojë në çdo vend të globit tokësor. Prandaj gjithë bota është vendlindja e njeriut. Këta kufij e dalje janë ndarë nga njeriu. Me krijimin nuk janë caktuar të tillë kufij e dalje. Europa është një kontinent, Azia është një kontinent, Afrika është një kontinent, Australia është një kontinent, por disa shpirtra, për arsye personale dhe interesa egoiste e kanë ndarë secilin nga këto kontinente dhe e kanë konsideruar një pjesë të caktuar si vendin e tyre vetjak. Perëndia nuk ka vendosur kufij midis Francës e Gjermanisë; ata janë të pandërprerë. Po, në shekujt e parë, shpirtra egoistë për përkrahjen e interesave të tyre egoiste kanë caktuar kufijtë e daljet dhe ditë për ditë u kanë kushtuar më shumë rëndësi atyre derisa kjo në shekujt vijues çoi në një armiqësi të thellë, gjakderdhje e grykësi. Në të njëjtën mënyrë kjo do të vazhdojë pacaktuar dhe në qoftë se ky koncept i patriotizmit mbetet i kufizuar brenda një qarku të caktuar, ai do të jetë shkaku kryesor i shkatërrimit të botës. Asnjë person i drejtë e i urtë nuk do t’i njohë këto dallime imagjinare. Çdo zonë të kufizuar që ne e quajmë vendi ynë amtar ne e vlerësojmë si mëmëdheun tonë, ndërsa mëmëdheu i të gjithëve është globi tokësor e jo një zonë e kufizuar. Shkurt, për pak ditë që ne jetojmë mbi këtë tokë e përfundimisht ne varrosemi në të, ajo është varri ynë i përjetshëm. A ia vlen që ne të angazhohemi në gjakderdhje e të çajmë njëri-tjetrin copa-copa për këtë varr të përjetshëm? Jo, larg prej saj, as Perëndia nuk është e kënaqur me një sjellje të tillë, asnjë njeri i arsyeshëm nuk do ta miratonte atë.
14 Shikoni! Kafshët e bekuara nuk angazhohen në grindje patriotike. Ato janë në miqësi të madhe me njëra-tjetrën dhe jetojnë së bashku në harmoni. Për shembull, në qoftë se një pëllumb nga lindja e një pëllumb nga perëndimi, një pëllumb nga veriu e një pëllumb nga jugu qëllon të arrijnë në të njëjtën kohë në një vend ata menjëherë shoqërohen me harmoni. Kështu ndodh me gjithë kafshët e bekuara dhe zogjtë. Por kafshët e egra, sapo takohen, e sulmojnë dhe luftojnë me njëra-tjetrën, e bëjnë njëra-tjetrën copë dhe për to është e pamundur të jetojnë paqësisht në një vend. Ato janë të gjitha luftëtarë të pashoqërueshëm e mizorë, të egër e luftarakë.
15 Duke vlerësuar paragjykimet ekonomike është e qartë se kurdoherë që lidhjet midis kombeve forcohen shkëmbimi i mallrave përshpejtohet, çdo parim ekonomik i vendosur në një vend përfundimisht do të prekë vendet e tjera dhe do të rrjedhin të mira universale. Atëherë pse ky paragjykim?
16 Sa për paragjykimin politik duhet të ndiqet politika e Perëndisë dhe është e padiskutueshme se politika e Perëndisë është më madhështore se politika njerëzore. Ne duhet të ndjekim politikën Hyjnore që zbatohet njësoj ndaj gjithë individëve. Ajo i trajton gjithë individët njësoj: nuk bëhet dallim dhe ky është themeli i Feve Hyjnore.
17 Dhe midis mësimeve të Bahá’u’lláhut është dhe fillimi i një gjuhe që mund të përhapet gjithësisht mes popujve. Ky mësim u revelua prej penës së Bahá’u’lláhut me qëllim që kjo gjuhë universale të eliminojë keqkuptimet në gjirin e njerëzimit.
18 Dhe midis mësimeve të Bahá’u’lláhut është edhe barazia e grave dhe burrave. Bota njerëzore ka dy krahë – një janë gratë dhe tjetri burrat. Zogu nuk mund të fluturojë përderisa krahët nuk zhvillohen barabar. Sikur një krah të mbetet i dobët fluturimi është i pamundur. Nuk mund të arrihet suksesi e mbrothësia ashtu siç duhet derisa bota e grave të bëhet e barabartë me botën e burrave në përvetësimin e virtyteve dhe përsosmërive.
19 Dhe midis mësimeve të Bahá’u’lláhut është dhe ndarja vullnetare e pronës së çdonjërit me njerëz të tjerë. Kjo ndarje vullnetare është më e madhe se sa barazia dhe qëndron në atë që njeriu nuk duhet të preferojë veten para të tjerëve, madje duhet të sakrifikojë jetën dhe pronën e tij për të tjerët. Por kjo nuk duhet zbatuar me forcë që ajo të bëhet ligj e njeriu të detyrohet ta zbatojë. Jo, njeriu madje duhet që vullnetarisht e me zgjedhjen e tij të sakrifikojë pronën e jetën e tij për të tjerët, të shpenzojë me dëshirë për të varfrit, pikërisht siç bëhet në Persi nga Bahá’ít.
20 Dhe midis mësimeve të Bahá’u’lláhut është dhe liria e njeriut që nëpërmjet Fuqisë ideale ai duhet të jetë i lirë dhe i çliruar prej robërisë së botës së natyrës; sepse për sa kohë një njeri është rob i natyrës ai është një kafshë e egër, pasi lufta për ekzistencë është një nga nevojat e botës së natyrës. Kjo çështje e luftës për ekzistencë është kryeburimi i gjithë fatkeqësive dhe e keqja supreme.
21 Dhe midis mësimeve të Bahá’u’lláhut është edhe ai që feja është një mburojë e fuqishme. Në qoftë se godina e fesë tundet e shkundet do të pasojë trazimi, kaosi dhe rendi i gjërave do të prishen krejt, sepse në botën e njeriut ka dy mbrojtje që e ruajnë njeriun nga gabimi. Një është ligji që ndëshkon kriminelët; por ligji pengon vetëm krimin e shfaqur dhe jo mëkatin e fshehur; ndërsa mbrojtja ideale, domethënë feja e Perëndisë pengon si krimin e shfaqur edhe atë të fshehur, aftëson njeriun, edukon morale, detyron përvetësimin e virtyteve dhe është forca gjithëpërfshirëse që garanton lumturinë e botës njerëzore. Por me fe kuptohet ajo që përcaktohet nga hetimi e jo ajo që bazohet në imitimin e thjeshtë, themelet e Realitetit Hyjnor e jo imitimet njerëzore.
22 Dhe midis mësimeve të Bahá’u’lláhut është edhe ai që megjithëse qytetërimi material është një nga mjetet e progresit të botës njerëzore, sidoqoftë deri sa ai të kombinohet me qytetërimin Hyjnor nuk do të arrihet rezultati i dëshiruar, i cili është lumturia e njerëzimit. Shikoni! Këto beteja që e bëjnë një qytet gërmadhë brenda hapësirës së një ore janë rrjedhojë e qytetërimit material; po ashtu topat Krup, pushkët Mauzer, dinamiti, nëndetëset, katrat silurues, aeroplanët luftarakë e bombardues – të gjitha këto armë lufte janë fryte të këqija të qytetërimit material. Sikur qytetërimi material të ishte kombinuar me qytetërimin Hyjnor, këto armë mizore nuk do të ishin shpikur kurrë. Bile energjia njerëzore do t’u ishte përkushtuar e tëra shpikjeve të dobishme e do të ishte përqendruar në zbulime të lavdërueshme. Qytetërimi material është si një qelq llambe. Qytetërimi hyjnor është llamba vetë dhe qelqi pa dritën është errësirë. Qytetërimi material është si trupi. Pavarësisht se sa pambarimisht i hijshëm, elegant e i bukur qoftë, ai është i vdekur. Qytetërimi Hyjnor është si shpirti dhe trupi e merr jetën e tij nga shpirti, përndryshe ai bëhet një kufomë. Kështu është bërë e qartë se bota njerëzore ka nevojë për frymët e Shpirtit të Shenjtë. Pa shpirtin bota njerëzore është pa jetë dhe pa këtë dritë bota njerëzore është në errësirë të plotë. Sepse bota e natyrës është një botë kafshësh. Derisa njeriu të lindet përsëri prej botës së natyrës, që do thotë të shkëputet nga bota e natyrës, ai është në thelb një kafshë dhe janë mësimet e Perëndisë që e shndërrojnë këtë kafshë në një shpirt njerëzor.
23 Dhe midis mësimeve të Bahá’u’lláh-ut është edhe mbështetja e edukimit. Çdo fëmijë duhet të përgatitet në shkenca aq sa është e nevojshme. Në qoftë se prindërit janë në gjendje të mbulojnë shpenzimet e këtij edukimi, mirë, përndryshe komuniteti duhet të gjejë mjetet për mësimin e atij fëmije.
24 Dhe midis mësimeve të Bahá’u’lláhut është drejtësia dhe e drejta. Derisa këto të realizohen në planin e ekzistencës, të gjitha gjërat do të jenë në çrregullim e mbeten të papërsosura. Bota e njerëzimit është një botë e shtypjes dhe e mizorisë, një mbretëri e agresionit dhe e gabimit.
25 Si përfundim, të tilla mësime janë të shumta. Këto parime të shumëllojshme që përbëjnë bazat më të mëdha për lumturinë e njerëzimit e që janë prej bujarive të të Mëshirshmit, i duhen shtuar çështjes së paqes universale dhe të kombinohen me të që rezultatet të shtohen. Përndryshe realizimi i paqes universale në vetvete në botën njerëzore është i vështirë. Pasi mësimet e Bahá’u’lláhut kombinohen me paqen universale, ato janë si një tavolinë e pajisur me çdo lloj ushqimi të freskët e të shijshëm. Çdo shpirt mund të gjejë atë që dëshiron në atë tavolinë të bujarisë pambarim. Në qoftë se çështja kufizohet vetëm në paqen universale, nuk do të arrihen rezultatet e shquara që priten e dëshirohen. Kuadri i paqes universale duhet të jetë i tillë që gjithë komunitetet dhe fetë të gjejnë të realizuara në të dëshirat e tyre më të larta. Mësimet e Bahá’u’lláhut janë të tilla që gjithë komunitetet e botës, qofshin fetare, politike apo etike, të lashta apo moderne, gjejnë në to shprehjen e dëshirës së tyre më të lartë.
26 Për shembull, njerëzit e fesë në mësimet e Bahá’u’lláhut gjejnë krijimin e Fesë Universale – një fe që përputhet tamam me kushtet aktuale, që në realitet bën mjekimin e menjëhershëm të sëmundjes së pamjekueshme, që lehtëson çdo dhimbje e dhuron antidotin e sigurt për çdo helm vdekjeprurës. Sepse në qoftë se ne dëshirojmë të rregullojmë e organizojmë botën njerëzore në përputhje me imitimet e feve të tanishme dhe prej kësaj të krijojmë lumturinë e njerëzimit, kjo është e pamundur dhe e papraktikueshme – për shembull, detyrimin e ligjeve të Torahut dhe po ashtu të feve të tjera në përputhje me imitimet e tanishme. Por bazat themelore të të gjitha Feve Hyjnore që lidhen me virtytet e botës njerëzore dhe janë themeli i mirëqenies së botës së njeriut gjenden me paraqitjen më të përsosur në mësimet e Bahá’u’lláhut.
27 Në mënyrë të ngjashme, në lidhje me popujt që zhurmojnë për liri: liria e përkorë që garanton mirëqenien e botës njerëzore, që mban e ruan lidhjet universale, gjendet me fuqinë dhe shtrirjen e saj më të plotë në mësimet e Bahá’u’lláhut.
28 Po kështu në lidhje me partitë politike: ajo që është politika më e madhe që drejton botën njerëzore, bile politika Hyjnore, gjendet në mësimet e Bahá’u’lláhut.
29 Po ashtu në lidhje me partinë e “barazisë” që kërkon zgjidhjen e problemeve ekonomike: deri tani gjithë zgjidhjet e propozuara janë provuar të papraktikueshme përveç propozimeve ekonomike në mësimet e Bahá’u’lláhut që janë të praktikueshme dhe nuk sjellin fatkeqësi për shoqërinë.
30 Kështu dhe me partitë e tjera: kur shihni thellë në këtë çështje ju do të zbuloni se qëllimet më të larta të atyre partive gjenden në mësimet e Bahá’u’lláhut. Këto mësime përbëjnë forcën gjithëpërfshirëse mes gjithë njerëzve dhe janë të praktikueshme. Por ka disa mësime të së shkuarës, të tilla si ato të Torahut, që nuk mund të zbatohen në kohën e tanishme. Është njësoj edhe me fetë e tjera, me doktrinat e sekteve të larmishme dhe të partive të ndryshme.
31 Për shembull, çështja e paqes universale rreth së cilës Bahá’u’lláhu thotë se duhet krijuar një Gjykatë Supreme: megjithëse Lidhja e Kombeve është krijuar, sidoqoftë ajo është e paaftë për vendosjen e paqes universale. Por Gjykata Supreme të cilën e ka përshkruar Bahá’u’lláhu do të përmbushë këtë detyrë të shenjtëruar me fuqi e pushtet maksimal. Dhe plani i Tij është ky: që asambletë kombëtare të çdo vendi e kombi – domethënë parlamentet – duhet të zgjedhin dy ose tre persona që janë njerëzit më të zgjedhur të atij kombi e që janë të mirinformuar në lidhje me të drejtën ndërkombëtare e marrëdhëniet midis qeverive, që janë në dijeni për nevojat kryesore të botës njerëzore në këtë kohë. Numri i këtyre përfaqësuesve duhet të jetë në përpjesëtim me numrin e banorëve të atij vendi. Zgjedhja e këtyre shpirtrave që janë votuar nga asambleja kombëtare, që është parlamenti, duhet të miratohen nga shtëpia e lartë, kongresi e kabineti, gjithashtu nga presidenti ose monarku që këta persona të jenë të zgjedhurit e gjithë kombit dhe të qeverisë. Nga gjiri i këtyre njerëzve do të zgjidhen anëtarët e Gjykatës Supreme dhe gjithë njerëzimi do të ketë kështu një pjesë prej tyre, sepse secili prej këtyre delegatëve është plotësisht përfaqësues i kombit të tij. Kur Gjykata Supreme jep një vendim mbi ndonjë çështje ndërkombëtare, ose njëzëri ose me shumicë, nuk do të ketë më tej ndonjë pretekst për paditësin apo vend për kundërshtim për të paditurin. Në rastin kur ndonjë nga qeveritë apo kombet, në ekzekutimin e vendimit të pakundërshtueshëm të Gjykatës Supreme është mospërfillës ose i vonuar, pjesa tjetër e kombeve do të ngrihen kundër tij, sepse gjithë qeveritë e kombet e botës janë mbështetësit e kësaj Gjykate Supreme. Shikoni se ç’themel i fortë është ky! Por qëllimi nuk do të realizohet siç duhet me një Lidhje të kufizuar e të cunguar. Kjo është e vërteta rreth situatës që është deklaruar. ...

228 1 O Shërbëtor i Pragut të Bahá’u’lláhut! Letra tënde datuar më 14 Qershor 1920 është marrë. Po ashtu është marrë një letër prej disa anëtarëve të Komitetit të Paqes, të cilëve u është shkruar një përgjigje. Dorëzoje atë te ata.
2 Është e qartë se kjo mbledhje nuk është ajo që mendohej të ishte dhe ajo është e paaftë për të drejtuar e rregulluar punët në një mënyrë që është e përshtatshme dhe e nevojshme. Sido që të jetë ajo, çështja me të cilën janë angazhuar ata prapëseprapë është me rëndësi shumë të madhe. Mbledhja në Hagë duhet të ketë kaq pushtet e ndikim sa fjala e saj do të ketë efekt mbi qeveritë e kombet. Përmend ndaj anëtarëve të nderuar të mbledhur atje se Konferenca e Hagës e mbajtur para luftës kishte si President të sajin Perandorin e Rusisë dhe se anëtarët e saj ishin njerëz me emër shumë të madh. Megjithatë kjo nuk e pengoi një luftë kaq të tmerrshme. Tani si do të jetë ajo? Sepse në të ardhmen një tjetër luftë, më e egër se kjo e fundit, do të shpërthejë me siguri; me të vërtetë, për këtë nuk ka kurrfarë dyshimi. Ç’mund të bëjë mbledhja e Hagës?
3 Por parimet themelore të parashtruara nga Bahá’u’lláhu po përhapen ditë për ditë. Dorëzo përgjigjen për letrën e tyre, shpreh dashurinë e mirësinë më të madhe dhe lëri ata në punët e tyre. Në çdo rast ata duhet të kënaqen me ty e i nënshtruar ndaj miratimit të tyre ti mund ta shtypësh e shpërndash letrën time të hollësishme që tashmë është përkthyer në anglisht.
4 Për sa u përket Esperantistëve, lidhu me ta. Kurdoherë që gjen një me kapacitet, përcilli atij aromat e Jetës. Në gjithë mbledhjet ligjëro rreth mësimeve të Bahá’u’lláhut, sepse sot kjo do të jetë efektive në vendet e perëndimit. Dhe në qoftë se ata të pyesin në lidhje me besimin tënd në Bahá’u’lláhun, ti duhet të përgjigjesh se ne e konsiderojmë Atë si Mësuesin e Edukatorin më të shquar të botës në këtë epokë dhe bëje të qartë duke shpjeguar me hollësi që këto mësime në lidhje me paqen universale dhe tema të tjera u reveluan nga pena e Bahá’u’lláhut pesëdhjetë vjet më parë, ndërsa tani janë botuar në Persi e Indi dhe janë përhapur kudo nëpër mbarë botën. Në fillim të gjithë ishin mosbesues rreth idesë së Paqes universale duke e konsideruar atë një pamundësi. Më tej fol për madhështinë e Bahá’u’lláhut, për ngjarjet që ndodhën në Persi e Turqi, për ndikimin e mahnitshëm që ushtroi Ai, për përmbajtjen e Letrave që Ai u drejtoi gjithë sovranëve dhe për përmbushjen e tyre. Fol gjithashtu për përhapjen e Kauzës Bahá’í. Lidhu sa të jetë e mundur me Komitetin e Paqes Universale në Hagë duke u treguar atyre çdo mirësjellje.
5 Është e qartë se Esperantistët janë të pranueshëm, ti njihesh e je ekspert në gjuhën e tyre. Komuniko gjithashtu me Esperantistët e Gjermanisë dhe vendeve të tjera. Literatura që ti qarkullon duhet të merret vetëm me mësimet. Përhapja e literaturës tjetër për tani nuk është e këshillueshme. Kam shpresë se krezmimet hyjnore ty do të të ndihmojnë vazhdimisht.....
6 Mos u hidhëro rreth apatisë e ftohtësisë së mbledhjes së Hagës. Vër besimin tënd te Perëndia. Shpresa jonë është që mes njerëzve të gjuhës esperanto të kesh tani e tutje një efekt të fuqishëm. Ti tani e ke mbjellë farën. Sigurisht që ajo do të rritet. Rritja e saj varet nga Perëndia.

229 1 O shërbëtor i sinqertë i të Vërtetit! Dëgjova se ti je i hidhëruar e i dëshpëruar me ndodhitë e botës dhe peripecitë e fatit. Përse kjo frikë e brengë? Dashuruesit e vërtetë të Bukurisë Abhá dhe ata që kanë pirë Kupën e Besëlidhjes nuk i tremb fatkeqësia, as nuk ndjehen të dëshpëruar në orën e sprovës. Ata e vlerësojnë zjarrin e mjerimit si kopshtin e tyre të kënaqësisë dhe thellësinë e detit hapësirë qiellore.
2 Ti je afër strehës së Perëndisë dhe nën hijen e Pemës së Besëlidhjes së Tij, përse brengosesh e qahesh? Fli i qetë e ndihu i sigurt. Zbato urdhrat e shkruara të Zotit me gëzim e paqe, me seriozitet e sinqeritet; e qofsh mirë-dashës i vendit tënd dhe qeverisë tënde. Hiri i Tij do të të ndihmojë gjatë gjithë kohës, bekimet e Tij do të blatohen mbi ty dhe dëshira e zemrës tënde do të realizohet.
3 Për Bukurinë e Lashtë! – qoftë jeta ime flijim për të dashurit e Tij – Sikur miqtë ta kuptonin se ç’sovranitet të lavdishëm ka destinuar për ta Zoti në Mbretërinë e Tij, ata me siguri do të mbusheshin me ngazëllim, do ta shihnin veten të kurorëzuar me lavdi të pavdekshme e do të merrnin me vete një barrë kënaqësie. Së shpejti do të manifestohet se sa me shkëlqim ka ndriçuar drita e kujdesit dhe mëshirës së Tij bujare mbi të dashurit e Tij, se çfarë oqeani i stuhishëm është trazuar në zemrat e tyre. Atëherë ata do të bërtasin e thërrasin: Ne jemi të lumtur; le të gëzojë gjithë bota!

230 1 O personalitet i respektuar! Letra tënde e dytë datuar më 19 dhjetor 1918 është marrë. Ajo u bë shkak për gëzim e kënaqësi të madhe, sepse ajo tregonte qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë tënde në Besëlidhje e Testament, etjen tënde për të ngritur thirrjen e Mbretërisë së Perëndisë. Sot thirrja e Mbretërisë është forca magnetike që tërheq ndaj vetes botën njerëzore, sepse kapaciteti te njerëzit është i madh. Mësimet hyjnore përmbajnë shpirtin e kësaj epoke, madje diellin e kësaj epoke. Çdo shpirt duhet të përpiqet që perdet të cilat mbulojnë sytë e njerëzve të bëhen copë e që dielli të shihet në mënyrë të qëndrueshme, që zemra e shikimi të ndriçohen prej tij.
2 Tani nëpërmjet ndihmës e bujarisë së Perëndisë kjo forcë udhëheqëse dhe ky blatim i mëshirshëm gjenden te ty. Prandaj ngrihu me Forcën maksimale që t’u japësh shpirt eshtrave thërrmuese, t’u japësh shikim të verbërve, balsam e freski të dëshpëruarve, gjallëri e hir të dërmuarve. Çdo fanar përfundimisht do të shuhet, përveç fanarit të Mbretërisë së Perëndisë që ngrihet ditë për ditë. Çdo shteg përfundimisht do të gjarpërojë, përveç udhës së Mbretërisë që drejtohet ditë për ditë. Padyshim melodia qiellore nuk ka për t’u matur me melodi tokësore dhe dritat artificiale nuk kanë për t’u krahasuar me Diellin qiellor. Prandaj çdonjëri duhet të bëjë përpjekje për çdo gjë që zgjat dhe është e përhershme, që çdonjëri të ndriçohet, forcohet e gjallërohet shumë e më shumë...
3 Unë i lutem e i përgjërohem Mbretërisë Hyjnore që babai, nëna e vëllai yt të hyjnë në Mbretërinë e Perëndisë përmes dritës udhëheqëse.

231 1 O ti lule mbi Pemën e Jetës! Lum ti që ke shtrënguar rripat për shërbim; që je ngritur me gjithë fuqitë në shpalljen e mësimeve hyjnore, që ke mbledhur kuvende e që je përpjekur për lartësimin e Fjalës së Perëndisë.
2 Në këtë botë të vdekshme çdo çështje e rëndësishme e ka një fund; e çdo arritje e shquar një mbarim; asnjë nuk ka ekzistencë të përjetshme. Për shembull, mendo se si arritjet e rëndësishme të botës antike janë çrrënjosur plotësisht e nuk mbeti një gjurmë prej tyre, përveç Kauzës së madhe të Mbretërisë së Perëndisë e cila nuk ka fillim dhe nuk do të ketë as fund. E shumta është vetëm përtëritur. Në fillim të çdo përtëritjeje ajo nuk tërheq vëmendjen në sytë e njerëzve, por kur sapo vendoset në mënyrë kategorike ajo do të përparojë për ditë dhe me lartësimin e vet ditor do të arrijë qiejt supremë.
3 Për shembull, shiko kohën e Krishtit që ishte koha e përtëritjes së Mbretërisë së Perëndisë. Njerëzit e botës nuk i kushtuan rëndësi asaj dhe nuk e kuptuan rëndësinë deri në atë shkallë saqë varri i Krishtit mbeti i humbur e i panjohur për treqind vjet, deri sa mbërriti dhe e zbuloi atë vend të shenjtë shërbëtorja e Perëndisë Elena, motra e Kostandinit.
4 Qëllimi im për gjithë këtë është të tregoj se sa të pavëmendshëm janë njerëzit e botës, sa të paditur dhe se në ditën e ngritjes së Mbretërisë ata qëndrojnë moskokëçarës e mospërfillës.
5 Së shpejti fuqia e Mbretërisë do të përfshijë gjithë botën dhe atëherë ata do të zgjohen, do të qajnë e vajtojnë përmbi ata që u shtypën e u martirizuan, do të psherëtijnë dhe ofshajnë. E tillë është natyra e njerëzve.

232 Ndërsa për Presidentin Wilson, katërmbëdhjetë parimet që ka shpallur ai gjenden kryesisht në mësimet e Bahá’u’lláhut, prandaj Unë shpresoj që ai do të konfirmohet e ndihmohet. Tani është agimi i paqes universale; shpresa ime është se mëngjesi i saj do të zbardhë plotësisht duke shndërruar errësirën e luftës, të sherrit e të grindjes mes njerëzve në dritë bashkimi, harmonie dhe dashurie.

233 1 O ju miq besnikë, o ju shërbëtorë të sinqertë të Bahá’u’lláhut! Tani në orët e mesnatës, kur sytë janë mbyllur në dremitje dhe të gjithë kanë vënë kokat mbi jastëkun e prehjes dhe të gjumit të thellë, ‘Abdu’l-Bahái është zgjuar brenda rrethinave të Faltores së Shenjtë dhe me zjarrin e muzës së tij shpreh këtë lutje:

2 O Ti Providencë e dashur dhe e mirë! Lindja është më këmbë dhe perëndimi ngre dallgë si tallazet e përjetshme të detit. Përhapen flladet e ëmbla të shenjtërisë dhe prej Mbretërisë së Padukshme shndrijnë shkëlqyeshëm rrezet e Diellit të së Vërtetës. Po këndohen himnet e unitetit hyjnor dhe po valëviten flamujt e fuqisë qiellore. U ngrit zëri engjëllor dhe si sokëllima e viganit kumbon thirrja për vetëmohim e zhdukje prej syve. Sokëllima triumfuese Ja Bahá’u’l-Abhá jehon nga çdo anë dhe thirrja Ja ‘Alijo’l-‘Alá kumbon nëpër gjithë rajonet. Nuk ka trazim në botë përveç atij të Lavdisë së Rrëmbyesit të Zemrave dhe nuk ka katrahurë, përveç tallazit të dashurisë për Të, të Pakrahasueshmit, të Shumë-Shtrenjtit.
3 Të shtrenjtët e Zotit me frymën e tyre aromë-parfumi digjen si qirinj të shkëlqyer në çdo klimë dhe miqtë e Mëshirëplotit, si lule të çelura, mund të gjenden në gjithë rajonet. Ata nuk prehen për asnjë moment; ata nuk marrin frymë veçse në kujtimin Tënd dhe vdesin vetëm për t’i shërbyer Kauzës Tënde. Ata janë si bilbilat që këndojnë ëmbël në livadhet e së vërtetës dhe në kopshtin e lulëzuar të udhërrëfimit ata janë si lule me ngjyra të shkëlqyera. Me lule mistike ata stolisin shëtitoret e Kopshtit të Realitetit; si qiparisa valëzues ata mbushin brigjet lumore të Vullnetit Hyjnor. Mbi horizontin e qenies ata ndriçojnë si yje vezullues; në kupën qiellore të botës ata vetëtijnë si rruzuj të shkëlqyer. Ata janë manifestime të hirit qiellor dhe agime drite të ndihmës hyjnore.
4 O Ti Zot i Dashur, dhënç që të gjithë të qëndrojnë të fortë e të vendosur, të ndriçuar me shkëlqim të përjetshëm, që në çdo frymë të fryjnë fllade të ëmbla prej hijeve të dashamirësisë Tënde, që prej oqeanit të hirit Tënd të ngrihet një mjegull e lehtë, që shirat e shtruar të dashurisë tënde të japin freski dhe zefiri të fryjë parfumin e tij prej kopshtit të trëndafiltë të unitetit hyjnor.
5 Jep, O i Shtrenjti Më i Mirë i Botës, një rreze prej Shkëlqimit tënd. O i Shumështrenjti i njerëzimit derdh mbi ne dritën e Pamjes Tënde.
6 O Zot i Plotfuqishëm, na mbro e qofsh Ti streha jonë, o Zot i Qenies trego fuqinë Tënde dhe sundimin Tënd.
7 O Ti Zot i dashur, nxitësit e rebelimit në disa rajone janë në lëvizje, aktivë dhe ditë e natë po shkaktojnë të këqija të mëdha.
8 Si ujqit tiranët po shtrihen në pritë dhe tufa e pafajshme, e munduar nuk ka as ndihmë e as mbështetje. Zagarët janë pas gjurmës së gazelave të fushave të unitetit hyjnor dhe fazani në malet e udhëheqjes hyjnore ndiqet prej korbeve ziliqarë.
9 O Ti Providencë hyjnore, na ruaj e na mbro! O Ti Që je Mburoja jonë, na shpëto e na mbro! Na mbaj nën Strehën Tënde e na shpëto me Ndihmën Tënde prej gjithë të këqijave. Ti je në të vërtetë Mbrojtësi i vërtetë, Ruajtësi i Padukshëm, Mbrojtësi Hyjnor dhe Zoti i Dashur Qiellor.

10 O ju të shtrenjtit e Zotit! Nga njëra anë shpaloset flamuri i Një Perëndie të Vërtetë dhe ngrihet Zëri i Mbretërisë. Kauza e Perëndisë po përhapet e po shfaqen me shkëlqim mrekullitë e epërme. Lindja është ndriçuar dhe perëndimi është parfumuar; kundërmues me kolonjë është veriu dhe me aromë-parfumi jugu.
11 Nga ana tjetër të pabesët shtojnë urrejtjen dhe inatin duke trazuar pareshtur rebelimin e prapësitë e rënda. Nuk ka ditë që dikush mos ngrejë flamurin e revoltës dhe të mos shpojë kalin e tij të luftës në arenën e mosmarrëveshjes. Nuk kalon orë që nepërka e keqe të mos nxjerrë dhëmbët e saj për të lëshuar helmin e saj vdekjeprurës.
12 Të shtrenjtit e Zotit mbështillen me sinqeritet e përkushtim të plotë, të pavëmendshëm ndaj këtij inati e kësaj mërie. Të butë e tinëzarë janë këta gjarpërinj, këto fëshfërima djalli, mjeshtër në mashtrimin dhe dredhinë e tyre. Qofshi ju në mbrojtjen tuaj e përherë syçelur! Të zgjuar e të mprehtë janë nga intelekti besnikët dhe të fortë, të vendosur janë të sigurtët. Veproni me shumë kujdes!
13 ‘Frikësohuni nga mendjemprehtësia e besnikut, sepse ai sheh me dritë hyjnore!’
14 Kujdes se mos ndonjë shpirt shkakton në fshehtësi përçarje ose nxit grindjen. Në Kalanë e Pamposhtur ju qofshi luftëtarë trima dhe për Shtëpinë e Fuqishme një ushtar i guximshëm. Tregoni kujdesin më të madh dhe ditë për ditë qofshi në roje që mos u shkaktojë dëm tirani.
15 Studioni Tabelën e Marinarit të Shenjtë që të njihni të vërtetën dhe mendoni se Bukuria e Bekuar i ka parashikuar plotësisht ngjarjet e ardhshme. Le të nxjerrin mësim ata që kuptojnë. Me të vërtetë në të ka një shpërblim për të sinqertët!
16 Si pluhuri mbi Pragun e Shenjtëruar, ‘Abdu’l-Bahái me modesti e përulësi të plotë është angazhuar në shpalljen e shenjave të Tij në kohë dite dhe në kohë nate. Kurdoherë që gjen kohë ai lutet me zjarr dhe i përgjërohet Atij me lot të nxehtë duke i thënë:

17 O Ti Providencë hyjnore, fatkeqë jemi ne, na jep ndihmën Tënde; endacakë të pastrehë, na jep strehën Tënde; të shpërndarë, Ti na bashko; udhëhumbur, na mblidh në vathën Tënde; pa gjë, na jep një pjesë e një copë; të etur, na udhëhiq drejt burimit të Jetës; të brishtë, na forco që të ngrihemi për të ndihmuar Kauzën Tënde e të japim veten si një flijim të gjallë në shtegun e udhërrëfimit.

18 Megjithatë, të pabesët, ditën e natën, hapur e fshehur, bëjnë të pamundurën për të tronditur themelet e Kauzës, për të çrrënjosur Pemën e Bekuar, për të privuar këtë shërbëtor prej shërbimit, për të ndezur rebelime dhe sherre të fshehta, për të asgjësuar ‘Abdu’l-Baháin. Nga jashtë ata ngjajnë si dele, por nga brenda s’janë veçse ujq grabitqarë. Të ëmbël me fjalë, kurse me zemër janë veçse një helm vdekjeprurës.
19 O ju të shtrenjtë, ruani Kauzën e Perëndisë! Le të mos u gënjejë ëmbëlsia e gjuhës – përkundrazi shikoni motivin e çdo shpirti dhe peshoni mendjen së cilës ai i gëzohet. Qofshi krejt të vëmendshëm e në rojën tuaj. U shmangni prej tij e mos qofshi agresivë! Përmbajuni prej kritikës dhe përgojimit, lëreni atë në Dorën e Perëndisë. U prehtë mbi ju Lavdia e Lavdive.

234 1 O ti që je ngazëllyer nga frymëmarrjet e ëmbla të Zotit! Unë e kam parë me vëmendje përmbajtjen e letrës tënde elokuente, kam mësuar që ti derdh lot dhe zemra jote digjet nga hidhërimi për burgimin e ‘Abdu’l-Baháit.
2 O ti shërbëtore e Perëndisë! Ky burg është më i ëmbël për mua e më i dëshiruar se një kopsht me lule; për mua kjo skllavëri është më e mirë se liria për të shkuar në udhë dhe e shoh këtë vend të ngushtë më të bollshëm se sa fushat e gjera e të hapura. Mos u brengos për mua. Dhe sikur Zoti im të urdhëronte që të isha bekuar me kupën e ëmbël të martirizimit kjo do të thoshte vetëm pranim i asaj që dëshiroj më shumë.
3 Mos u tremb nëse kjo Degë rëndohet prej kësaj bote materiale dhe flak mënjanë gjethet e saj; jo, gjethet e saj do të çelin, sepse kjo Degë do të rritet pasi të pritet prej kësaj bote të poshtme, ajo do të arrijë kulmet më të larta të lavdisë dhe do të sjellë fruta të tilla sa të parfumojë botën me kundërmimin e tyre.

235 1 O Perëndi, Perëndia im! Ndriço ballin e të dashurve të tu të vërtetë dhe mbështeti ata me ushtritë engjëllore të triumfit të sigurt. Bëji hapat e tyre të fortë në shtegun Tënd të drejtë dhe prej bukurisë së Tij të lashtë hap para tyre portalet e bekimeve të Tua; sepse ata po shkrijnë në shtegun Tënd atë që Ti ke dhënë për ta, po mbrojnë Besimin Tënd, kanë vënë besimin e tyre në kujtimin Tënd, kanë dhënë zemrat e tyre për dashurinë Tënde dhe duke mos mbajtur asgjë që kanë në adhurimin për Bukurinë Tënde dhe në kërkimin e rrugëve të kënaqësisë Tënde.
2 O Zoti im! Urdhëro për ta një pjesë të begatë, një kompensim të paracaktuar dhe një shpërblim të sigurt.
3 Me të vërtetë, Ti je Mbështetësi, Ndihmuesi, Zemërgjeri, Bujari, Kurdo-Blatuesi.

236 1 O Ti Zoti im Që udhëheq kërkuesin në shtegun që tregon të drejtën, Që e çliron të humburin dhe shpirtin e verbër prej shkretimeve të mallkimit, Ti Që jep mbi të sinqertët bujari e favore të mëdha, Që ruan të tremburit brenda strehës Tënde të papushtueshme, Që u përgjigjesh prej horizontit Tënd të gjithë-lartë thirrjes së atyre që thërresin për Ty. Lëvduar qofsh Ti, o Zoti im! Ti i ke drejtuar të hutuarit prej vdekjes së mosbesimit dhe i ke sjellë ata që të afrohen Ty te qëllimi i udhëtimit, i ke gëzuar shërbëtorët e Tu të sigurt duke u dhënë dëshira të hareshme dhe prej Mbretërisë së bukurisë ke hapur portat e ribashkimit para fytyrës së tyre që digjet pas Teje, i ke shpëtuar nga zjarret e privimit dhe humbjes – prandaj ata nxituan te Ty, fituan praninë Tënde, mbërritën te dera Tënde mikpritëse dhe morën prej dhuratave një pjesë të begatë.
2 O Zoti im, ata ishin të etur, Ti ngrite te buzët e tyre të etura ujërat e ribashkimit. O i Butë, O Dhurues, Ti e qetësove dhimbjen e tyre me balsamin e bujarisë dhe hirit Tënd, i shërove sëmundjet e tyre me ilaçin suprem të keqardhjes Tënde. O Zot, bëji këmbët e tyre të forta në shtegun Tënd të drejtë, bëje të madhe për ta vrimën e gjilpërës dhe bëji ata veshur me rrobë mbretërore të ecin me lavdi njëherë e përgjithmonë.
3 Me të vërtetë ti je Zemërgjeri, Kurdo-Dhënësi, i Vyeri, Më Bujari. Nuk ka tjetër Perëndi veç Teje, i Madhi, i Fuqishmi, i Lartësuari, Fitimtari.
4 O të dashurit e mi shpirtërorë! Lavdërimi qoftë me Perëndinë, ju kini shtyrë mënjanë perdet, kini njohur të Shtrenjtin e dhembshur dhe kini nxituar prej banesës së Tij në mbretërinë pa banesa. Ju kini ngritur tendat tuaja në botën e Perëndisë dhe për t’i thurur lavdi Atij, Vetekzistentit, ju kini ngritur zëra të ëmbël dhe kini kënduar këngë që hyjnë në zemër. Ju lumtë! Një mijë herë ju lumtë! Sepse ju kini parë të manifestohet Drita dhe në qeniet tuaja të rilindura ju kini ngritur thirrjen ‘Bekuar qoftë Zoti, më i miri i gjithë krijuesve!’ Ju ishit veç bebe në barkun e nënës, pastaj ju ishit foshnja të gjirit dhe prej një gjiri të vyer ju pitë qumështin e dijes, pastaj ju u rritët plotësisht e fituat shpëtimin. Tani është koha për shërbim dhe për nënshtrim ndaj Zotit. Çlirojeni veten nga gjithë mendimet çorientuese, shpërndani Mesazhin me një gjuhë elokuente, stolisni kuvendet tuaja me lavdërimin e të Shtrenjtit deri sa bujaria të zbresë me rrëke të shumta dhe të veshë botën me blerim e lule të freskëta. Ky lumë bujarie janë këshillat, paralajmërimet, udhëzimet e urdhrat e Perëndisë së Plotfuqishëm.
5 O ju të dashurit e mi! Bota është mbështjellë nga errësira e dendur e revoltës së hapur dhe e përfshirë nga vorbulla e urrejtjes. Zjarret e ligësisë kanë ngritur flakët e tyre drejt reve të qiellit, rrëke gjaku lagin kryq e tërthor fusha e kodra dhe askush mbi faqen e dheut nuk mund të gjejë paqe. Prandaj miqtë e Perëndisë duhet të sjellin atë butësi që vjen prej Qiellit dhe t’i japin dashuri në shpirt gjithë njerëzimit. Ata duhet të merren me çdo shpirt në përputhje me konsultimet e këshillimet Hyjnore; ata duhet të tregojnë ndaj të gjithëve mirësi e mirëbesim; të gjithëve duhet t’u duan të mirën. Ata duhet të sakrifikojnë veten për miqtë dhe t’u urojnë fat të mirë armiqve të tyre. Ata duhet të zbutin gjaknxehtët dhe të trajtojnë shtypësit e tyre me dashamirësi. Ata duhet të jenë si ujë i freskët për të eturit dhe një ilaç i shpejtë për të sëmurët, një balsam shërues ndaj atyre që kanë dhimbje dhe ngushëllim për çdo zemër të ngarkuar. Ata duhet të jenë dritë udhërrëfyese për ata që kanë humbur rrugën, një udhëheqës i sigurt për të humburit. Ata duhet të jenë sy shikues për të verbrit, veshë dëgjues për të shurdhët, jetë e përjetshme për të vdekurit dhe gëzim i përhershëm për të dëshpëruarit.
6 Le të nënshtrohen ata me gatishmëri ndaj çdo mbreti të drejtë dhe të jenë qytetarë të mirë ndaj çdo sunduesi zemërgjerë. Le t’i binden ata qeverisë e të mos përzihen në çështjet politike, por t’ia kushtojnë veten përmirësimit të karakterit, sjelljes dhe të ngulin vështrimin e tyre mbi Dritën e botës.

237 “Cilido që e thotë këtë lutje me përunjësi e me zell do të sjellë gëzim e kënaqësi në zemrën e këtij Shërbëtori; madje do të jetë sikur ta ketë takuar Atë ballëpërballë.”

2 Ai është Lavdiploti!

3 O Perëndi, Perëndia im! I përunjur e me lot në sy, une i ngre duart me lutje drejt Teje dhe e mbuloj fytyrën në pluhurin e Pragut Tënd, të lartësuar mbi dijet e të gjithë të shkolluarve dhe mbi lavdërimin e të gjithë atyre që të thurin lavde Ty. Vështroje me dashamirësi shërbëtorin Tënd, kokulur e të përunjur në derën Tënde, me syrin e mëshirës Sate dhe zhyte atë në Oqeanin e mirësisë Sate të përjetshme.
4 Zot! Ai është një shërbëtor i Yt i gjorë e i përunjur, i magjepsur e që të përgjërohet Ty, rob në dorën Tënde, që të lutet Ty me zjarr, që beson në Ty, i përlotur para fytyrës Sate, që të thërret Ty e të kërkon Ty, duke thënë:
5 O Zot, Perëndia im! Më dhuro mirësinë Tënde për t’u shërbyer të shumëdashurve të Tu, më forco në shërbimin ndaj Teje, ndriçoje ballin tim me dritën e adhurimit në oborrin Tënd të shenjtërisë dhe të lutjes për mbretërinë Tënde të madhështisë. Më ndihmo të jem vetëmohues në hyrjen qiellore të portës Sate, dhe më përkrah që të shkëputem nga të gjitha gjërat brenda rrethinave të Tua të shenjta. Zot! Më jep të pi nga kupa e vetëmohimit; më vish me rrobën e tij dhe më zhyt në oqeanin e tij. Më bëj si pluhur në shtegun e të dashurve të Tu dhe bëj që unë të ofroj shpirtin tim për dheun e fisnikëruar nga hapat e të zgjedhurve të Tu në shtegun Tënd, O Zot i Lavdisë më të Lartë.
6 Me këtë lutje shërbëtori Yt të thërret Ty, në të gdhirë të ditës e në kohë nate. Plotësoje dëshirën e zemrës së tij, O Zot! Ndriçoje zemrën e tij, gëzoje gjoksin e tij, ndize dritën e tij, që ai t’i shërbejë Kauzës Sate e shërbëtorëve të Tu.
7 Ti je Dhuruesi, i Mëshirshmi, Më Bujari, i Hirshmi, Mëshiruesi, Zemërdhembshuri!



SHËNIME MBI PËRKTHIMET

FRAGMENTE TË PËRKTHYERA ne anglisht NGA RUAJTËSI

Kurdoherë që një fragment i një prej Tabelave është përkthyer nga Ruajtësi, ai përkthim është përdorur. Këto njehsohen më poshtë. Për ato pjesë të ripërkthyera posaçërisht nga Komiteti po ashtu janë përdorur gjerësisht përkthimet më të hershme dhe shënimet e bëra nga Shoghi Effendi gjatë kohës kur jetonte ‘Abdu’l-Bahái.

Seksioni paragrafi
5 3 ‘Le të mos trazohen zemrat...’ deri ‘...engjëjve Tanë të preferuar.’
5 4 ‘Mos u trembni...’ deri ‘... Fjalën Time mes njerëzve.’
12 I gjithë seksioni
15 6 ‘Në ciklet e shkuar...’ deri ‘...janë shkrirë në një.’
15 6 ‘Në këtë mënyrë të gjithë...’ deri ‘...realizimin e tyre.’
20 I gjithë seksioni
35 5 ‘O ushtri e Perëndisë!...’ deri ‘...Besëlidhja dhe Testamenti i Perëndisë.’
38 5 ‘Këto Asamble Shpirtërore ndihmohen...’ deri ‘...në çdo rrethanë.’
42 4 ‘Kurdoherë që hyni...’ deri ‘...i Dhembshuri.’
43 I gjithë seksioni
44 I gjithë seksioni
45 I gjithë seksioni
52 I gjithë seksioni
175 I gjithë seksioni
176 I gjithë seksioni
194 I gjithë seksioni
198 5 ‘Unë kurrë nuk kalova një pemë...’ deri ‘...të kryqëzohej mbi ty!’
202 14 ‘Ballkani do të mbetet...’ deri ‘...ndikimi i saj do të përhapet.’
204 I gjithë seksioni
208 I gjithë seksioni
214 2 ‘Jo çdo gjë...’ deri ‘...atyre që e dëgjojnë.’1
218 3 ‘Ne ju shohim...’ deri ‘...të engjëjve tanë të preferuar.’
222 I gjithë seksioni
225 24 ‘Shikoni lulet e një kopshti...’ deri ‘...bukurinë e tyre.’
225 25 ‘Sa e papëlqyeshme...’ deri ‘...fëmijët e njeriut.’
229 I gjithë seksioni
234 3 ‘Mos u tremb...’ deri ‘...me kundërmimin e tyre.’
237 I gjithë seksioni

1 Kjo është një traditë e cituar nga Bahá’u’lláhu (shih Qëmtime nga Shkrimet e Bahá’u’lláhut, #89) e gjithashtu është cituar nga ‘Abdu’l-Bahái në një Tabelë që jepet në përmbledhjen e Shtëpisë Universale të Drejtësisë në ‘Mësimdhënia’.


Seksioni përkthyer ne anglisht nga Marzieh Gail
1-4 76 148-163
6-10 79 174
15-17 84-87 181-182
19 90-92 188
21-29 94-97 190-191
31 99-111 193
33 113-114 195-196
35-42 118-119 198-203
47-51 121-123 205-207
53-61 129 209-210
64-65 134 216-221
72-74 137-146 234-236
Seksioni të përkthyer ne anglisht nga një Komitet në Qendrën Botërore, bazuar në përkthimet më të hershme.
5 18 34
11 30 46
13-14 32 62-63
66-71 115-117 183-187
75 120 189
77-78 124-128 192
80-83 130-133 197
88-89 135-136 211-215
93 147 223-228
98 164-173 230-233
112 177-180
1 Kurani 60:13
2 Mateu 22:14
3 Kurani 57:21
4 Kurani 17:81
5 Kurani 15:72
6 Kurani 39:68; Epistle to the Son of the Wolf [Letër për të Birin e Ujkut], f. 133
7 Kurani 74:8
8 Kurani 39:68
9 Kurani 79:6
10 Kurani 22:2
11 Kurani 34:39
12 Kurani 29:19
13 Kurani 79:34
14 Kurani 6:91; 52:12
15 Napoleoni III
16 Besohet të jetë engjëlli i caktuar për t’i fryrë trumbetës Ditën e Ringjalljes që të ngrejë të vdekurit nën urdhrin e Perëndisë.
17 Hokukollah [?uqúqu’lláh]
18 Kurani 6:103
19 Kurani 17:110
20 Gjoni 14:11
21 Gjoni 14:10
22 Kurani 6:91
23 Shkruar posaçërisht për veprën e pavdekshme të Dr. Esslemontit, Bahá’u’lláhu dhe Epoka e Re.
24 Gjoni 6:51,58
25 kr. Gjoni 15:26; 16:12-13
26 Në lidhje me këtë Tabelë, sekretari i Shoghi Effendiut, në emër të tij, shkroi më 9 maj 1938: ‘...kuptohet që kjo i referohet Bábit, pasi e tregon qartë teksti dhe në asnjë mënyrë nuk është një referim për Swedenborgun.’
27 Jezui
28 Qytete në Kinë të shquar për kafshët e tyre aroma-prodhuese.
29 Tërmeti i 1906-ës.
30 Të një Asambleje Shpirtërore.
31 Bahá’ít e Naxhaf-Abadit [Najaf-Ábád]
32 Muhameti
33 Shahnáz, emri që i është dhënë marrësit të kësaj Tabele, është po ashtu emri i një stili muzikor.
34 Një artikull nga libri i Andrew Carnegie, The Gospel of Wealth [Ungjilli i Pasurisë] u botua në Angli, në Pall Mall Budget dhe quhej The Gospel of Wealth, krahasoje me Autobiography e Andrew Carnegie, 255n.
35 Kurani 36:36, kr. dhe 51:49
36 Kurani 25:55, 35:13, 55:19-25. Shih, gjithashtu, Lutje Martese reveluar nga ‘Abdu’l-Bahái, që fillon ‘Ai është Perëndia! O Zot i pashoq! Me urtësinë Tënde të plotfuqishme Ti ke urdhëruar martesën për njerëzit…’
37 Shih Përgjigje për disa pyetje, #81:9, për komentet e ‘Abdu’l-Baháit mbi arkën e ngjitjes dhe të zbritjes.
38 Pemë tropikale kacavirëse, që jep fruta të hidhura. (Shën. i përkth.)
39 kr. Kurani 37:60 (Pema e Zakumit [Zaqqúm])
40 kr. Kurani 24:35
41 Zanafilla 1:26
42 Një klasë fëmijësh Bahá’í në Kenosha, Wisconsin.
43 Kurani 25:50
44 kr. Gjoni 3:5
45 kr. Kurani 39:57.
46 Sikit (anëtarë të një grupi fetar Indian - shpjeg. i përkth.)
47 Mateu 17:1-19; Marku 9:2-9; Llukai 9:28-36
48 Gjoni 6:38
49 Gjoni 3:13
50 Bábi, kr. Përgjigje për disa pyetjeve, #13.
51 Gjermani
52 kr. Kurani 36:25
53 Paqësori
54 Mateu 19:24; Marku 10:25
55 30 shtator 1912
56 Lega – njësi gjatësie rreth 3 milje. (Shën. i përkth.)
57 Në Bahxhi [Bahjí]
58 Polo – lojë me origjinë lindore ku duke ngarë kuajt kalorësit godasin me shkop topin për gol (shën.përkth.).
59 Kurani 24:39
60 Gjon Pagëzori
61 Kurani 36:29
62 Kurani 20:12. Gjithashtu referohet si ‘Lugaja e Shenjtë’.
63 kr. Kurani 4:80
64 Kjo letër u nënshkrua nga katërqind e njëzet e dy besimtarë në Amerikë dhe u dërgua më 4 korrik 1905.
65 Gjoni 18:11
66 Kurani 67:3
67 Kurani 24:35
68 kr. Kuranin 28:29
69 Kurani 76:5
70 Kurani 26:31; 26:44; referenca është për shkopin e Moisiut dhe magjistarët.
71 Kurani 61:4
72 Bábi
73 Kurani 67:3
74 Kurani 2:69
75 Qëmtime nga Shkrimet e Bahá’u’lláhut, #72
76 Kurani 76:5
77 Kjo është pjesa e parë e përgjigjes së ‘Abdu’l-Baháit ndaj një letre drejtuar për Të nga Komiteti Ekzekutiv i Organizatës Qendrore për një Paqe të Qëndrueshme. Tabela e përshkruar nga Shoghi Effendi në God Passes By si e “një rëndësie të shumanshme” e datuar më 17 dhjetor 1919, iu dërgua Komitetit në Hagë nga duart e një delegacioni të posaçëm.



1


Autor: ‘Abdu’l-Bahá - Kategorie: Tekste bazë Bahá’í - Strany: 0 - Kapitoly: 0
© www.erfan.cz & phpRS