""... Zhytuni në këtë Oqean, në thellësitë e të cilit gjenden
të fshehura margaritarët e dijes..."
Bahá'u'lláh
Kërkimi
Kërkim i zgjeruar

Kategorie
  
  Bahá’í
   Për fëmijë
   Përmbledhje
   Studime Bahá’í
   Tekste bazë Bahá’í
 

Lajmëtarët e Agimit


LAJMËTARËT E AGIMIT
për fëmijë


Original Title:
Stories from “THE DAWN-BREAKERS” by Zoe Meyer
Published by: Bahá’í Publishing Trust USA, fourth printing 1976
Text: Albanian

Përkthyer e botuar nën kujdesin e Komitetit të Botimeve Bahá’í


© Asambleja Shpirtërore Kombëtare
e Bahá’í-ve të Shqipërisë
Rruga e Dibrës 59 – Tiranë
Botimi i parë 1997 – 154 E.B.




LAJMËTARËT E AGIMIT

Shkruar nga Zoe Meyer
Ilustrimet nga Carl Scheffler



Pasqyra e Lëndës

Hyrje
1. E FSHEHTA E SHEIK AHMETIT
2. I RIU ME ÇALLMË TË GJELBËR
3. ËNDRRA E BARIUT
4. MULLA HYSENI DHE BAB-I
5. SHKRONJAT E TË GJALLIT
6. HISTORIA E BAB-IT
7. LAJMËTARËT E BAB-IT
8. MESAZHI PËR BAHÁ’U’LLÁ H-UN
9. ËNDRRA E TË ATIT TË BAHÁ’U’LLÁH-UT
10. STUHIA
11. NDODHIA NË SHKRETËTIRË
12. HISTORIA E SADIKUT
13. BURGOSJA E BAB-IT
14. ZOGU I BARDHË
15. MURTAJA
16. RRUGËS PËR NË TEHERAN
17. KËSHTJELLA E MAH-KUSË
18. ËNDRRA E ALI HANIT
19. TAHIREJA
20. RENDI I RI
21. VEGIMI I MUHAMET ALIUT
22. GJYQI I BAB-IT
23. FORTESA TABARSI
24. RRETHIMI
25. VDEKJA E KUDUSIT
26. HISTORIA E VAHIDIT
27. MARTIRIZIMI I BAB-IT
28. HUXHATI
29. BAHÁ’U’LLÁH-U
30. KAUZA E PERËNDISË SOT


Shumë vite më parë në Persi jetonte një njeri që dinte një të fshehtë të mrekullueshme.

1. E FSHEHTA E SHEIK AHMETIT

Shumë vite më parë në Persi jetonte një njeri që dinte një të fshehtë të mrekullueshme. Juve, ndoshta, kjo nuk do t'ju duket një e fshehtë, sepse ishte e shkruar në një Libër, kështu që kushdo mund ta lexonte. Por ata që e lexonin atë nuk e kuptonin domethënien. Sheik Ahmeti e kuptoi, sepse e kishte lexuar me vëmëndje të madhe këtë Libër dhe i ishte lutur Zotit për t'i dhënë kuptimin. Dhe kur e zbuloi këtë të fshehtë, ai u gëzua kaq shumë sa që dëshironte t’ua tregonte të gjithëve.

A dëshironi ta dini këtë të fshehtë? Në këtë Libër, i cili quhet Kuran, thuhet se Perëndia do t'i dërgonte botës një Mësues të ri, një Mësues shumë të madh, si Jesui dhe Muhameti.

Ne dimë pak për Perëndinë, sepse Ai është shumë më i madh se ne dhe tepër i mahnitshëm. Disa herë ne jemi kaq të zënë duke u kujdesur për veten tonë dhe për ta kaluar sa më mirë, saqë nuk na shkon as ndërmend për Perëndinë. Ne harrojmë se as që do të ishim të gjallë në qoftë se Perëndia nuk do të na kishte dhënë jetën. Kështu që herë pas herë Ai dërgon në tokë një prej atyre Mësuesve hyjnorë, për t’u kujtuar njerëzve se Ai ekziston. Këta Mësues janë të pajisur me vetitë e Perëndisë dhe na tregojnë neve sesi dëshiron Ai që ne të jetojnë.

Jesui ishte njëri prej këtyre Mësuesve. Disa prej nesh dinë për Jesuin dhe lexojnë për Të në Bibël. Disa të tjerë dinë më shumë për Muhametin dhe lexojnë për të në Kuran. Pikërisht në Kuranin, që e ka shkruar Muhameti shumë kohë më parë, Sheik Ahmeti lexoi për Mësuesin e ri që do të vinte. Ky Mësues quhej i Premtuari, sepse Perëndia kishte premtuar se Ai do të vinte.

Edhe njerëz të tjerë kishin lexuar për të Premtuarin në Kuran dhe e dinin se Ai do të vinte. Por ka një ndryshim midis tyre dhe Sheik Ahmetit. Kur Sheik Ahmeti i lexoi këto fjalë, ai ndihej shumë i sigurtë se kishte ardhur koha që i Premtuari tashmë të vinte. Ndërsa të tjerët mendonin se Ai do të vinte pasi të kalonte një kohë shumë e gjatë.

Sapo i lexoi fjalët, Sheik Ahmeti e ndjeu menjëherë se i Premtuari ishte një njeri që jetonte mbi tokë pikërisht në atë kohë. Dhe ai e kuptoi se duhej të shkonte ta gjente Atë dhe t’u thoshte të tjerëve për Të. Sigurisht, të gjithë do të donin të dinin për Të.

Për ta bërë këtë, ai duhej të braktiste shtëpinë e familjen dhe të udhëtonte në të gjithë vendin. Në atë kohë nuk kishte as telefona, as radio e as gazeta. Madje nuk kishte as trena për shpërndarjen e postës. Dhe, sigurisht, nuk kishte aeroplanë. Kështu, në rast se njeriu dëshironte t'u njoftonte diçka njerëzve, ai duhej të shkonte vetë tek ata.

Le të përfytyrojmë se po udhëtonim bashkë me Sheik Ahmetin. Do të na duhej të bënim një rrugë të gjatë në këmbë, ose me kalë a me gomar. Kur të na zinte nata, nuk do të qëndronim në ndonjë hotel të rehatshëm për të ngrënë e për të fjetur, sepse në atë kohë nuk kishte të tilla hotele siç kemi sot. Në atë kohë, ato quheshin hane dhe nuk duhet menduar se ishin fort të rehatshme.

Por Sheik Ahmeti nuk bëhej merak për punë rehati, sepse e dinte se po bënte atë që dëshironte Perëndia. Dhe ai ishte shumë i gëzuar që njerëzit donin të dinin atë që dinte ai. Ngado që shkonte, shumë njerëz mblidheshin rreth tij për ta dëgjuar kur fliste për të Premtuarin Që do të vinte. Sheik Ahmeti u lexonte atyre Kuranin, sepse megjithëse ishin në moshë të rritur, shumë prej tyre nuk dinin të lexonin. Ju e kuptoni që ata nuk kishin shkolla siç kemi ne sot. Pasi mbaronte së lexuari, ai u fliste për të Premtuanin dhe si ata mund ta njihnin kur Ai të vinte.

Lajmet për Sheik Ahmetin u përhapën në gjithë vendin dhe Shahu, që ishte sunduesi apo Mbreti i vendit, e ftoi atë për ta takuar. Kjo i bëri shumë veta xhelozë dhe ata i këshilluan miqtë e të afërmit e tyre që të mos e dëgjonin Sheik Ahmetin. Dhe disa herë u përpoqën të grindeshin me të dhe ta dëbonin nga qytetet e tyre.

A mendoni ju se kjo e pengoi Sheik Ahmetin që të përhapte Lajmin e tij të madh? Aspak! Shumë njerëz e besuan dhe e pasuan atë ngado që shkonte, që të mund të dëgjonin më shumë për të Premtuarin. Ata e dinin se Ai duhej të ishte një njeri shumë i mrekullueshëm. Ata e dinin se Ai do të donte çdo njeri, se do të ishte i mirë dhe do të ndihmonte të gjithë ata që kishin nevojë për Të. Ata mezi prisnin që ta gjenin Atë.

Pas shumë vitesh udhëtimi të tillë, Sheik Ahmeti e kuptoi se e kishte kryer detyrën që i pat ngarkuar Perëndia. Tani të tjerë duhej të çonin më tej punën që kishte nisur ai. Kështu, ai thirri mikun e tij të dashur, Sijid Qazimin, dhe e ngarkoi të vazhdonte udhëtimin në vend të tij dhe t'u fliste njerëzve për të Premtuarin.

Sijid Qazimi premtoi se do ta bënte këtë dhe, ashtu sikurse Sheik Ahmeti, dëshironte që të gjithë të dëgjonin për këtë lajm të mrekullueshëm. Dhe ndoshta ndonjë ditë ai do të mund ta shihte vetë të Premtuarin.

2. I RIU ME ÇALLMË TË GJELBËR

A e mbani mend historinë e Sheik Ahmetit që udhëtoi për t’u treguar njerëzve se Perëndia do t’u dërgonte atyre një Mësues të ri? Para se të vdiste, Sheik Ahmeti caktoi Sijid Qazimin që të çonte më tej punën e tij dhe të përhapte lajmin për të Premtuarin.

Fjala “Sijid” ju duket ndoshta e çuditshme . . . “Sijid” nënkupton një pjesëtar të familjes së Muhametit, të atij Mësuesi të madh që shkruajti Kuranin. Sigurisht, Muhameti kishte jetuar shumë kohë më parë se të përmendej kjo fjalë, por të gjithë ata që lindën më vonë në atë familje u quajtën “Sijid”. Ishte një nder i madh t'i përkisje kësaj familjeje, edhe sikur kjo të ndodhte shumë e shumë vite më vonë.

Sijid Qazimi u tha atyre edhe diçka tjetër: që ky mësues hyjnor, të Cilin Perëndia e kishte premtuar, jetonte midis njerëzve pikërisht në atë kohë. Ndoshta Ai jetonte madje pranë tyre dhe ata nuk e njihnin. Ju mund ta merrni me mend sa të çuditur ishin ata që e dëgjonin këtë, sa shumë do të kenë biseduar për këtë dhe do të kenë vrarë mendjen se kush do të ishte Ai dhe ku jetonte. Sikur unë dhe ju do të kishim qenë në atë kohë, edhe ne do të kishim vrarë mendjen, apo jo?
Është e çuditshme, por kur Perëndia dërgon një Mësues të ri hyjnor në tokë për t'u kujtuar njerëzve për Të, vetëm pak e njohin Atë në fillim. Pa mendoni pak. Ata mund ta shohin Atë në rrugë ose në një varr të shenjtë, ku Ai shkon për t'u lutur, e megjithatë të mos e njohin, sepse zemrat e tyre nuk janë plot dashuri e shpresë. Dhe disa të tjerë, kam frikë, nuk e njohin Atë, sepse janë tepër të zënë me punët e veta.

Por ka edhe shumë të tjerë që nuk janë si këta njerëz. Zemrat e tyre janë të gatshme, sepse ata janë në pritje të Tij. Sijid Qazimi ishte njëri prej tyre. Dhe po ia kushtonte jetën përpjekjeve për të pregatitur të tjerët që ta njihnin Atë kur ta shihnin. Kjo histori na tregon për një ditë shumë të lumtur në jetën e Sijid Qazimit; për ditën kur ai takoi për herë të parë të Premtuarin. Dhe ai jo vetëm e takoi Atë, por edhe e dëgjoi të fliste.

Tani dua t’ju tregoj diçka që ndodhta edhe vetë Sijid Qazimi nuk e dinte në atë kohë. Në të vërtetë, Perëndia dërgoi dy Mësues Hyjnorë në vënd të njërit. Mësuesi i parë, për të Cilin Sijid Qazimi u fliste njerëzve, quhej “Báb”. Fjala “Báb” do të thotë derë ose portë, dhe ishte tamam sikur Báb-i kishte ardhur për t'i hapur portën Bahá’u’lláh-ut, Mësuesit tjetër të madh, Që erdhi më vonë. Báb-i ishte, sigurisht, i pari. Báb-i ishte i Premtuari Që prisnin Sheik Ahmeti dhe Sijid Qazim, sepse kishin lexuar për Të në Kuran.

Një mëngjes, shumë, shumë herët, pikërisht në agim, Sijid Qazimi dërgoi një lajmëtar për t’i thënë një mikut të tij se një Person shumë i rëndësishëm kishte arritur në Qerbela, ku ata jetonin, dhe se duhet të shkonin ta vizitonin Atë menjëherë. Kur miku arriti në shtëpinë e Sijid Qazimit, e gjeti atë të veshur duke pritur te porta. Ata dolën në rrugë së bashku.

Sa qetësi do të ketë qenë në qytet, sepse dielli ende s’kishte lindur dhe njerëzit nuk kishin filluar të lëviznin. S’kaloi shumë kohë dhe ata mbërritën në një shtëpi, ku në këmbë te porta qëndronte një djalë i ri, i cili sikur po i priste. Ai mbante në kokë një çallmë të gjelbër dhe fytyra e Tij ishte aq e hijshme dhe e ëmbël, saqë kushdo që e shihte nuk mund të mos e donte me gjithë shpirt. A keni parë njerëz që t’i keni dashur qysh në takimin e parë?

Djaloshi iu afrua atyre, përqafoi Sijid Qazimin dhe i foli fjalë kaq të ëmbla, saqë ky vetëm përkuli kokën dhe nuk fliste dot!

Djaloshi u priu rrugën për në shtëpi dhe në katin e sipërm i futi në një dhomë të zbukuruar me lule, të cilat lëshonin një aromë shumë të këndshme. Këtu i ftoi të uleshin dhe u dha të pinin prej një ibriku të bukur argjendi që ndodhej në mes të dhomës.

Ju e dini, kur e do një njëri me gjithë shpirt, ndihesh aq i lumtur saqë dëshiron vetëm të rrish pranë tij! Nuk ke nevojë të flasësh. Kështu e ndien veten dy vizitorët atë mëngjez, ndërsa rrinin me djaloshin. U folën vetëm pak fjalë. Pastaj Ai i përcolli te porta dhe me një buzëqeshje të mahnitshme u tha mirupafshim.

Sa shpesh ai që shoqëroi Sijid Qazimin do të ketë menduar për këtë vizitë. Pastaj, tri ditë më vonë, ai e pa përsëri atë Djalë të Ri. Sijid Qazimi po u mësonte një grumbulli njerëzish diçka nga Kurani, kur hyri Djaloshi dhe u ul bashkë me ta. Menjëherë, Sijid Qazimi heshti. Kur të tjerët i kërkuan të vazhdonte, ai vetëm tundi kokën në shenjë mohimi. Ai tregoi me gisht një rreze dielli që kishte hyrë nga dera dhe kishte rënë mbi prehrin e Djaloshit.

“E vërteta për këtë Djalosh”, tha ai, “është më e qartë se rrezja e dritës”. Ju e kuptoni që Sijid Qazimi e dinte se kush ishte ky Djalosh dhe nuk mund ta kuptonte përse të tjerët nuk e njihnin Atë.

Por ende të tjerët nuk kuptonin, madje as ai që kishte shkuar atë mëngjes herët me Sijid Qazimin. Veçse ai ndjente diçka të çuditshme në zemër sa herë mendonte për Djaloshin. Disa herë ai u mat ta pyeste Sijid Qazimin për emrin e Djaloshit, por gjithmonë diçka dukej se e mbante.

Sigurisht ju e keni marrë me mend se Kush ishte Djaloshi, por miku i Sijid Qazimit nuk e dinte, edhe pse kishte arritur ta donte Atë me gjithë zemër dhe të mendonte për Të gjithë kohën. Një ditë ai dëgjoi për një Djalë të Ri që thoshte se ishte Báb-i, i Premtuari. Vetëm atëherë ai e kuptoi se ky ishte Djaloshi që kishte parë në Qerbela dhe që e kishte dashur aq shumë.

3. ËNDRRA E BARIUT

Sijid Qazimi ishte shumë i lumtur. Ai jo vetëm dinte që i Premtuari kishte ardhur, por edhe e kishte parë dhe e kishte vizituar Atë. Ç’gëzim i madh duhej të kishte qenë kur u kishte treguar të tjerëve për Të edhe pse ai nuk e kishte të lejuar t'ua tregonte emrin e Tij.

Por a mund ta besoni? Ai gjeti shumë njerëz që nuk dëshironim të dëgjonin. Ju e dini se është e kotë të përpiqesh t'i tregosh diçka një njeriu që nuk ka dëshirë të dëgjojë. Dhe jo vetëm kaq, por disa herë ata u treguan shumë armiqësorë me Sijid Qazimin dhe miqtë e tij.

Por Sijid Qazimi dhe një grusht njerëzish që ishin miq të ngushtë të tij vazhduan të mësonin të tjerët, sepse gjithmonë kishte njerëz që ishin gati të dëgjonin me gjithë dëshirë. Ai u lexonte atyre nga Kurani ato fjalë që thonin se do të vinin dy Mësues të mëdhenj. I pari ishte ai që po prisnin, por shumë shpejt do ta pasonte një tjetër. Dhe ky Mësues i dytë do t'i sillte Dritën e Tij mbarë botës e jo vetëm vendit në të cilin jetonte.

Një herë në mesditë, Sijid Qazimi po rrinte nën hijen e një palme, duke pritur që njerëzit të vinin për lutjen e mesditës. Krejt papritur një arab iu afrua me nxitim dhe e përqafoi. Ju e dini se arabë quhen ata që jetojnë në shkretëtirën e madhe të Arabisë ose pranë saj. Muhameti pat ardhur pikërisht tek arabët shumë vite më parë dhe u kishte dhënë atyre Kuranin.

Ja historia e çuditshme që arabi i tregoi Sijid Qazimit.

Tri ditë para këtij takimi ai po ruante delet e tij në një kullotë aty pranë, kur krejt papritur ra në gjumë dhe pa një ëndërr. Në ëndërr pa Muhametin, i Cili i tha ta dëgjonte me vëmëndje dhe të mbante mend fjalët që do t'i thoshte, sepse këto fjalë ishin dërguar nga Perëndia. Ai i tha: “Në qoftë se do t'u qëndrosh besnik atyre, do të kesh një shpërblim të madh. Por në qoftë se i lë në harresë ato, një shpagim i rëndë do të bjerë mbi ty”. Kjo do të thotë se një e keqe e madhe do t'i vinte në qoftë se ai do ta harronte mesazhin. Pastaj Ai i tha bariut të qëndronte pranë atij vendi. Pas tri ditësh, atje do të vinin Sijid Qazimi dhe miqtë e tij për lutjen e mesditës. Bariu duhej të përshëndeste Sijid Qazimin dhe t’i thoshte se vepra e tij ishte gati e përfunduar; se tri ditë pasi të ishte kthyer në Qerbela, ai do të lejohej të shkonte tek Ai që po fliste. Shpejt pas kësaj, i Premtuari do ta bënte Veten të njohur për cilindo.

Kjo ëndërr nënkuptonte se tri ditë pasi të ishte kthyer në shtëpinë e tij në Qerbela, Sijid Qazimi do të vdiste, pasi vepra e tij kishte përfunduar. Siç e shihni, secili prej nesh ka një vepër për të kryer. Në qoftë se nuk do të kishim, nuk do të ishim këtu mbi tokë.

Fjalët e bariut e gëzuan pamasë Sijid Qazimin, por sigurisht hidhëruan shokët e tij. Kur e pa këtë, ai u tha atyre “A nuk më doni mua për hir të të Vërtetit?” A nuk do të dëshironit që unë të vdisja, në mënyrë që i Premtuari të mund të shfaqet?"

Ai u foli atyre me aq dashuri dhe i bëri aq të lumtur me mendimin se më në fund do të shihnin të Premtuarin, saqë ata nuk e ndienin më veten të hidhëruar. E njëjta gjë ndodh edhe me ne sot. Ne kurrë nuk dëshirojmë të humbasim një mik, por kur e humbasim, Perëndia gjithmonë na dërgon një tjetër.

Kështu, pra, Sijid Qazimi e përfundoi punën e tij dhe u kthye në Qerbela. Atje, tri ditë më vonë, ashtu siç e kishte parë në ëndërr bariu, ai vdiq, duke i lënë miqtë e tij të kërkonin të Premtuarin dhe t'u tregonin njerëzve për Të.

4. MULLA HYSENI DHE BAB-I

Pas vdekjes së Sijid Qazimit, shokët e tij nuk dinin ç’të bënin. Pikërisht në këtë kohë, një i burrë i ri i quajtur Mulla Hysen u kthye në Qerbela. Mulla Hyseni ishte mik me Sijid Qazimin dhe kishte shkuar në një qytet tjetër për t'i çuar atij një mesazh. Menjëherë, Mulla Hyseni thirri disa prej miqve në një takim dhe i pyeti ata se çfarë u kishte thënë atyre Sijid Qazimi para se të vdiste.

Njëri prej tyre tha se ai u kish thënë atyre të linin shtëpitë dhe të shpërndaheshin gjithandej për të gjetur të Premtuarin. Një tjetër tha: se u kishte thënë që i Premtuari do t'i tregonte udhën cilitdo që do të përpiqej ta gjente Atë.

Mulla Hyseni iu lut atyre të mos pritnin më gjatë. “Përse keni vendosur të qëndroni në Qerbela?” i pyeti ata. “Detyra juaj e parë, ashtu sikurse edhe e imja, është të ngrihemi e të përmbushim mesazhin që na dha para se të vdiste drejtuesi ynë i dashur”.

Por të gjithë ata filluan të nxirrnin justifikime. Ju e dini se si ndodh kur nuk duam të bëjmë diçka. Më në fund, Mulla Hyseni e kuptoi se ata nuk donin të shkonin. Tepër i hidhëruar, ai hoqi dorë prej tyre dhe u nis, vetëm me të vëllanë e të nipin si shoqërues.

Pikë së pari, ai e ndjeu se duhet të përgatitej për të takuar të Premtuarin. Ju e dini se kur nisesh për të takuar dikë që e do, dëshiron të dukesh sa më mirë. Kështu e ndiente veten edhe Mulla Hyseni. Por ai nuk nuk e kishte hallin te rrobat. Ai donte të ishte gati duke sjellë në rregull mendimet e veta, në mënyrë që të mendonte ashtu si do të donte i Premtuari i dashur që të mendonte dhe të bënte atë që i Premtuari do të dëshironte që ai të bënte.

Kështu, ai shkoi në një vend ku mund të ishte i qetë dhe të lutej. Këtu ai dhe shoqëruesit e tij qëndruan dyzet ditë.

Me kalimin e dyzet ditëve, ata u nisën përsëri për të gjetur të Premtuarin. Ata u ndalën në një qytet aty pranë dhe këtu përjetuan diçka të bukur. Disa vite më parë, Báb-i kishte jetuar në atë qytet. Sigurisht, ai kishte kaluar shumë kohë duke u lutur dhe këto lutje e kishin bërë këtë qytet ndryshe nga të tjerët, saqë kur Mulla Hyseni mbërriti në atë qytet e ndjeu menjëherë ndryshimin. A nuk është kjo një gjë e mahnitshme? Dhe a nuk tregon kjo se ç’mund të bëjë lutja? Sigurisht, Báb-i kishte kohë që ishte larguar prej atij qyteti, kështu që Mulla Hyseni dhe shoqëruesit e tij nuk qëndruan aty, por shkuan në një qytet tjetër të quajtur Shiraz.

Kur arritën në anë të qytetit, Mulla Hyseni u tha vëllait dhe nipit të tij të shkonin përpara dhe të gjenin vënd për ta. Ai do t’i takonte ata më vonë, kur të vinte koha për lutjen e mbrëmjes.

Ndërsa Mulla Hyseni po ecte anës së qytetit, një Djalë i Ri iu afrua. Djaloshi mbante në kokë një çallmë të gjelbër dhe fytyra i shkëlqente nga gëzimi, tamam si fytyra juaj kur jeni të lumtur. A ju kujtohet tregimi tjetër për Djaloshin me çallmë të gjelbër? Cili ishte Ai?

Mulla Hyseni nuk e dinte që Ai ishte Báb-i, i Premtuari, të Cilin po kërkonte. Ai mendoi se duhej të ishte ndonjë mik i Sijid Qazimit, që do të kishte dëgjuar për të dhe kishte ardhur ta takonte. Djaloshi e përqafoi Mulla Hysenin, sikur ta kishte njohur prej kohësh. Pastaj e ftoi në shtëpi për t'u çlodhur. Por Mulla Hyseni i tha se po e prisnin dy shokët.

“Lëri ata në dorë të Perëndisë” u përgjigj Djaloshi. “Ai, me siguri, do t’i mbrojë e do t’i ruajë”.

Djaloshi qe kaq i sjellshëm e dashamirës, saqë Mulla Hyseni nuk ishte ndjerë ndonjëherë më i gëzuar se atë ditë. Báb-i e çoi atë te një shtëpi e vogël dhe trokiti në derë. Një shërbëtor etiopian i futi brënda dhe Vetë Báb-i solli ujë e i shtiu të lante duart. Pastaj ata u lutën së bashku dhe në lutje Mulla Hyseni i kërkoi përsëri Perëndisë ta ndihmonte që të gjente të Premtuanin. Ju e kuptoni se ai ende nuk e dinte që Djaloshi pranë tij ishte i Premtuari.

Ndërsa po bisedonin, ndodhi diçka që na bën ne të gjithë, tani dhe në vitet që do të vinë, ta kujtojmë atë ditë përgjithmonë. Ishte rreth dy orë pas perëndimit të diellit, kur Báb-i me dashuri e gëzim të madh i tregoi Mulla Hysenit se kush ishte. Mulla Hyseni u habit aq shumë, saqë në fillim nuk mund ta besonte lajmin e mirë.

Por ndërsa Báb-i vazhdoi të fliste, Mulla Hyseini e kuptoi se askush tjetër nuk mund të ishte aq i mençur. Ai e kuptoi se ai duhej të ishte Báb-i! Po ç’mendoni ju se ndodhi! Koha kaloi aq shpejt saqë ata biseduan gjithë natën dhe Mulla Hyseni nuk e kuptoi këtë gjë, veç se kur dëgjoi thirrjen për lutjen e mëngjesit.

“Kjo natë”, tha Báb-i, “do të kujtohet në ditët që do të vinë, si një nga festat më të mëdha”.

Puna është se ishte hera e parë që Báb-i i thoshte dikujt se Cili ishte. A nuk do të qe një gjë e mrekullueshme të ishe pikërisht njeriu të cilit Ai ia tha këtë? Para se të largohej, Báb-i i tha Mulla Hysenit se ai ishte i pari që besonte në Të. Më vonë, tetëmbëdhjetë shpirtra do ta gjenin atë, siç kishte bërë Mulla Hyseni. Ai nuk duhej t'i thoshte askujt për Bab-in, sepse çdo njeri duhet ta gjente vetë Atë. Kur të tetëmbëdhjetë ta kishin mësuar të Fshehtën e madhe, ai do t’i dërgonte ata t'i tregonin mbarë botës se një Mësues i Ri kishte ardhur.

Kur po ndahej me Báb-in, Mulla Hyseni ishte kaq i eksituar e i lumtur, saqë dridhej dhe mezi ecte. Kushdo që e pa atë në një gjëndje të tillë, duhet të ketë menduar me çudi se çfarë i kishte ndodhur atij. Mulla Hyseni e pa Báb-in shumë herë pas atij takimi, por të jeni të sigurt se ai e mbajti të Fshehtën e madhe.

5. SHKRONJAT E TË GJALLIT

Pasi Mulla Hyseni e gjeti Báb-in, ai e vizitoi atë shumë herë. Ai gjithmonë shkonte tek Ai natën, që të mos e shihte njeri, sepse ju kujtohet që Báb-i i kishte thënë se secili duhet ta gjente vetë Atë. Çdo ditë Mulla Hyseni mezi priste që të vinte nata dhe të mund të takohej me Báb-in.

Tani, ju e dini që sa herë Perëndia dërgon një Mësues të ri hyjnor në tokë, ky i Premtuar zgjedh disa prej njerëzve që e duan dhe besojnë tek Ai, për ta ndihmuar në punën e Tij. Ndonjë herë ata quhen dishepuj. Kur Krishti jetonte në tokë, ai kishte dymbëdhjetë dishepuj. Kur erdhi Báb-i, ai kishte më shumë se dymbëdhjetë. Shpejt do ta merrni vesh se sa dishepuj kishte Báb-i dhe si i quajti ata.

Një natë Báb-i i tha Mulla Hysenit “Nesër do të mbërrijnë trembëdhjetë shokë të tu. Secilin prej tyre prite me dashamirësinë më të madhe”. Pastaj, ai i tha Mulla Hysenit t’i lutej Perëndisë që t’i udhëhiqte këta njerëz që edhe ata të njihnin të Premtuarin.

Pikërisht mëngjësin tjetër, trembëdhjetë miq të Mulla Hysenit mbërritën në qytet. Njëri prej tyre, i quajtur Ali, vuri re se Mulla Hyseni ishte shumë i lumtur dhe dukej se nuk po kërkonte më të Premtuarin. Aliu e pyeti përse ishte kaq i gëzuar, mos vallë e kishte gjetur të Premtuarin?

Ai e kuptoi menjëherë se Mulla Hyseni me të vërtetë e kishte gjetur Atë. Dhe iu lut që t’i tregonte rrugën për tek Ai, por Mulla Hyseni tundi kokën në shenjë mospranimi.

Ai tha: “Mos e kërko këtë favor prej meje. Ki besim tek Ai, sepse Ai me siguri do të udhëheqë hapat tuaj”.

Aliu u tregoi të tjerëve për këtë dhe të gjithë iu lutën Perëndisë që t'i udhëhiqte për tek Ai.

Natën e tretë pas kësaj ngjarjeje, në kohën që po lutej, Aliu pati një vegim. Vegimi, siç e dini, është diçka si puna e ëndrrës, vetëm se njeriu që e ka atë mund të mos jetë në gjumë. Në këtë vegim, Aliut iu duke se pa një dritë që i printe përpara. Ai pa veten që shkonte pas dritës dhe gjeti të Premtuarin.

Ishte natë por ai u ngrit menjëherë dhe shkoi te shtëpia e Mulla Hysenit. Duke e përqafuar, i tregoi atij për vegimin që kishte pasur.

Mulla Hyseini u gëzua shumë. “Lavdi Zotit që na ka udhëhequr këtu”, tha ai.

Kur erdhi mëngjesi, ai e çoi Aliun në shtëpinë e Báb-it. Te pragu ishte shërbëtori etiopian, që i tha se në agim Zotëria i tij e kishte thirrur dhe i kish thënë të hapte portën dhe të qëndronte gati. “Dy miq do të vinë sot në mëngjes herët”, më tha Ai. “Thuaju atyre nga Unë: ‘Hyni në Emër të Perëndisë’”.

Atë mëngjes, ndërsa bisedonin të tre së bashku, dukej sikur dhoma qe mbushur e gjitha me dritë. Ata e ndien se një Ditë e bukur dhe e re kishte aguar.
Edhe të dymbëdhjetë shokët e tjerë të Aliut gjithashtu e gjetën Báb-in. Disa e panë atë në ëndërr. Disa patën vegime të Tij ndërsa luteshin, kurse disa të tjerë duke menduar për Të. Dhe kjo vazhdoi derisa shtatëmbëdhjetë veta e gjetën Atë dhe u bënë dishepuj të Tij. Kjo do të thotë se ata ishin gati të niseshin për të treguar për Ditën e Re. Báb-i i quajti ata “Shkronjat e të Gjallit”. Njëra ishte grua. Për të do të dëgjoni më pas.

Një natë, Báb-i i tha Mulla Hysenit “Nesër mbrëma Shkronja e fundit do të mbërrijë dhe do të plotësojë numrin e dishepujve të Mi që kam zgjedhur”.

A nuk tregon kjo sesa i mahnitshëm ishte Ai, që e dinte që më parë me saktësi se ç’do të ndodhte?

Mbrëmjen tjetër, ndërsa Báb-i, i ndjekur nga pas prej Mulla Hysenit, po shkonte në shtëpi, një djalë i ri, i lodhur e i pluhurosur nga udha, u sul dhe përqafoi Mulla Hysenin. Pastaj, duke vështruar Báb-in tha “Pse kërkoni ta fshihni Atë prej meje? Unë mund ta njoh Atë nga ecja!”

Kjo do të thotë se ai e njohu Báb-in madje nga të ecurit. Mulla Hyseni i kërkoi që të priste një çast. Pastaj ai shkoi me nxitim te Báb-i dhe i tregoi për udhëtarin.

“Mos u çudit nga sjellja e tij e çuditshme" i tha Báb-i. "Ne e njohim atë. Ne me të vërtetë e kemi pritur ardhjen e tij. Thirre atë në praninë Tonë!”

Kështu, djaloshin e çuan tek Ai dhe u prit me gëzim të madh. Emri i këtij djaloshi ishte Kudus. Tani u bënë tetëmbëdhjetë Shkronja të të Gjallit, që ishin gati të niseshin për të njoftuar ardhjen e të Premtuarit.

6. HISTORIA E BAB-IT

Megjithëse Báb-i ishte i Premtuari Që Perëndia e kishte dërguar për t'u treguar njerëzve për Ditën e Re, Ai erdhi në tokë si një foshnjë e vogël, ashtu si të gjithë ne. Askush nuk e dinte se Ai ishte i Premtuari, derisa u bë njëzet e pesë vjeç.

I ati i kishte vdekur kur Báb-i ishte shumë i ri dhe Ai u rrit me dajën e Tij. Në atë kohë nuk kishte shkolla të tilla siç shkoni ju tani dhe as libra për të lexuar veç Kuranit. Daja i Tij e vuri nën kujdesin e një njeriu që mësonte Kuranin. Që në fillim Ai mësonte kaq shpejt saqë mësuesi i Tij nuk e kuptonte.

Një ditë mësuesi i kërkoi Báb-it të recitonte rreshtat e parë të Kuranit, por Djali tha se nuk mund t'i recitonte ato derisa të dinte kuptimin e tyre. Duke dashur të shihte se çfarë do të bënte Ai, mësuesi bëri sikur nuk e dinte ç'kuptim kishin.

“Unë e di kuptimin e këtyre fjalëve”, tha djali. “Me lejen tuaj do t’i shpjegoj ato”.

Ai foli për to në një mënyrë aq të mençur e me fjalë aq të qarta saqë mësuesi i Tij u habit. Atëherë ai e kuptoi se Báb-i nuk kishte nevojë për mësues.

Të nesërmen ai e çoi Báb-in te zyra e dajës së vet. “Jua solla Djalin”, i tha ai. “Ky nuk mund të trajtohet si një fëmijë i vogël, sepse tek Ai ka një fuqi misterioze”.

Daja i Báb-it, sidoqoftë, nuk dëshironte që Ai të linte studimin. Ai e pa Atë me rreptësi dhe i tha se duhej të sillej si fëmijët e tjerë, të ulej e të dëgjonte me kujdes çdo fjalë që thoshte mësuesi.

Bab-i i premtoi se kështu do të bënter dhe u kthye në shkollë. Por Ai nuk mund të ishte si fëmijët e tjerë. Shpirti i Tij i dinte të gjitha gjërat pa ia mësuar njeri. Më në fund daja i Tij e hoqi nga shkolla dhe e mori ta ndihmonte në punën e tij.
Disa vjet më vonë Báb-i u martua dhe u lindi një djalë i vogël. Atij ia vunë emrin Ahmet dhe mund ta merrni me mend sa shumë e donin i ati dhe e ëma. Por një ditë, kur Ahmeti ishte ende shumë i vogël, u sëmur dhe vdiq. Natyrisht, prindët e tij e ndienin shumë mungesën e tij, por megjithatë Báb-i nuk mund të ndihej i trishtuar. Ai e dinte se Perëndia kishte një vend për djalin e Tij të vogël. Dhe Ai lutej vazhdimisht që një ditë edhe Ai të mund të vdiste në mënyrë të tillë që të tregonte dashurinë e Tij për Perëndinë. Dhe Perëndia e përmbushi lutjen e Tij. Në një tregim tjetër ju do të dëgjoni sesi vdiq Báb-i.

Persia, vendi ku jetoi Báb-i, ka verë shumë shumë të nxehtë. Por kjo nuk e pengonte Atë që të lutej shumë orë në ditë nga çatia e shtëpisë. Shtëpitë e tyre janë të ndërtuara me çati të sheshta, ku njerëzit mund të rrinë në mbrëmje kur është freskët. Por Báb-i nuk priste sa të binte mbrëmja.

Çdo të premte në agim Ai ngjitej lart në çati dhe lutej derisa dilte dielli. Në mesditë, kur dielli ishte shumë i nxehtë, Ai shkonte përsëri lart për t'u lutur dhe ishte aq i thelluar në lutje sa dukej se nuk i ndiente rrezet përvëluese të diellit. Ai qëndronte këtu deri pasdite vonë, duke menduar e duke u lutur, me zemrën plot dashuri e gëzim.

Disa mendonin se Ai i lutej diellit, por natyrisht kjo nuk ishte e vërtetë. Për Të dielli ishte shenjë e Perëndisë. Dielli i jep dritën e nxehtësinë tokës, që të ndihmojë drurët, lulet e gjithçka të rriten. Po kështu Perëndia na jep dashurinë e Tij për të na ndihmuar të rritemi shpirtërisht me më shumë dashuri, ose më tepër si Ai. Ne nuk do të mund të jetonim pa dashurinë e Tij, ashtu si zogjtë e lulet nuk do të mund të jetonim pa diellin.

Báb-i ishte shumë i dashur e i sjellshëm me ata që takonte. Ai kurrë nuk donte gjë për Vete, por gjithmonë më të mirën në çdo gjë ua jepte të tjerëve. Ai i bënte njerëzit shumë të lumtur thjesht duke qendruar pranë Tij, dhe ishte gëzimi më i madh ta dëgjoje Atë të fliste. Dhe sigurisht Ai ishte shumë ndershëm e i kujdesshëm për gjërat që u përkisnin të tjerëve. Ja një tregim që njerëzit tregojnë për Të.

Një ditë, ndërsa Ai merrej me tregti, një njeri i dha diçka që t'ia shiste. Ai i tha çmimin që duhej ta shiste mallin. Kur Báb-i i dërgoi paratë për artikullin e shitur, kishte më shumë seç kishte kërkuar ai njeri. Kështu ai i shkruajti Báb-it që të merrte vesh si ishte puna.

Bab-i i ktheu këtë përgjigje: “Çfarë të kam dërguar është ajo që të takon. Ishte një kohë që sendi që më patët besuar kishte arritur ketë vlerë. Duke qenë se nuk e shita me atë çmim, e mdjeva për detyrë t’ju dërgoj të gjithë shumën".
Ja si qëndron çështja. Kur Ai e shiti sendin, ky nuk i solli aq të ardhura sa do t’i sillte po ta kishte shitur pak më parë. Báb-i e ndiente se ishte faji i Tij që nuk e kishte shitur në kohën e duhur. Prandaj Ai i dërgoi burrit më shumë para sesa mori nga shitja e mallit. Ndoshta jo çdo njeri do ta bënte këtë.

S’ka asgjë për t'u çuditur që çdo njeri e donte Atë. Edhe kur Ai ishte djalë i vogël, të gjithë duhet ta kenë dashur, sepse kurrë nuk i lejonte vetes të ishte i panjerëzishëm me ndonjërin.

Kur ai mbaroi së foluri, burri e pyeti me etje: “Si e ka emrin?”

7. LAJMËTARËT E BAB-IT

A ju kujtohet kur folëm në një tregim tjetër se si tetëmbëdhjetë veta gjetën Báb-in? Çfarë i quajti Ai ata?

Tani Ai mendonte se ishte koha që ata të shpërndaheshin në të gjithë vendin e tu tregonin njerëzve se i Premtuari kishte ardhur. Kështu një ditë Ai i thirri të gjithë së bashku për të biseduar me ta.

Mulla Hyseni ishte i pari që u thirr tek Ai. Dhe meqenëse Báb-i e donte Mulla Hysenin aq shumë, Ai i tregoi pak për diçka të mrekullueshme që do t’i ndodhte atij më vonë. Mulla Hyseni duhej të shkonte në shumë qytete për të dhënë Mesazhin. Pastaj duhej të shkonte në një qytet të madh që quhej Teheran.

“Një Sekret fshihet në atë qytet”, i tha Báb-i. “Kur të shfaqet, do ta kthejë tokën në parajsë”.

Siç e shihni, Ai nuk i tha Mulla Hysenit se çfarë do të gjente në Teheran. Por Mulla Hyseni e dinte se duhej të ishte diçka e mrekullueshme që do ta kthente tokën në parajsë -- që do të thoshte ta bënte atë si qielli. Më vonë ju do ta mësoni se ç'ishte ky Sekret i madh.

A nuk duhet të ketë qenë diçka e mrekullueshme të dëgjoje se çfarë i tha Báb-i Shkronjave të të Gjallit para se t’i shpërndante? Dikush që duhet të ketë qenë shumë mençur i shkruajti gjërat që Ai tha, kështu ne mund t’i lexojmë ato sot, ndonëse nuk i kemi dëgjuar.

Ai u tha Shkronjave të të Gjallit se ata ishin bartësit e Emrit të Perëndisë në atë Ditë; që do të thotë se ishin ata që duhet t'u tegonin njerëzve për Mësuesin e Ri që kishte dërguar Perëndia. Ai u tha se ata duhet të bënin atë që Perëndia dëshironte që ata të bënin, sepse vetëm atëherë njerëzit do ta dinin se ata thonin të Vërtetën dhe do t’i dëgjonin.

Báb-i u tha gjithashtu atyre se Perëndia ishte shumë i fuqishëm dhe do t’i ndihmonte ata në çdo moment të vështirë. Ata vetëm duhej të kishin besim tek Ai dhe ta dinin se Ai do t’i ndihmonte të fitojnë.
Ja fjalët e Tij: “Ngrihuni në emër të Tij, e mbështetni gjithë besimin tuaj tek Ai dhe jini të sigurt në fitoren përfundimtare”.

S’ka asgjë për t'u çuditur që ata u ndien aq të fortë e të lumtur kur u larguan, edhe pse duhet të kenë qenë të hidhëruar që po ndaheshin prej Tij. Ata u shpërndanë në të gjithë vendin. Secili në fillim vajti në shtëpinë e vet për t'u dhënë të gjithëve atje Mesazhin. Shumë njerëz nuk deshën t’i dëgjonin. Ata menduan se Shkronjat e të Gjallit e kishin gabim. Disa prej tyre i futën në burg, disa u goditën, ose u qëlluan me gurë, ose u dënuan në mënyra të tjera. Ata vuajtën shumë.

Por ata gjithmonë mbanin parasysh se Báb-i u kishte thënë të mos kenë frikë. Ata asgjë nuk do t’i gjente derisa të kishin përfunduar punën e tyre. Kështu ata filluan t'u tregonin njerëzve për të Premtuarin dhe sa më e mirë do të ishte kjo botë falë Tij.

Kishte të tjerë që ishin të lumtur t’i dëgjonin. Ja tregimi i një burri i cili u vuri veshin asaj që ata kishin për të thënë.

Një ditë në shtëpinë e një miku të tij ky burrë dëgjoi Mulla Hysenin që tregonte për të Premtuarin. Kur ai mbaroi së foluri, burri e pyeti me etje: “Si e ka emrin?”

“Mua nuk më lejohet t’ju tregoj emrin e Tij”, iu përgjigj Mulla Hyseni. “Por po qe se i luteni Perëndisë, Ai do t’ju ndihmojë ta njihni Atë”.
Dhe burri i kërkoi mikut të tij nëse mund të shkonte menjëherë në një dhomë tjetër ku të ishte vetëm dhe të lutej. Ai nuk donte as të priste sa të shkonte në shtëpinë e tij.

Ndërsa po lutej, atij iu kujtua fytyra e Djalit të Ri që kishte parë duke u lutur në Qerbela. Dhe tani si e pa këtë fytyrë përsëri. Në vegimin që pati, Djali i Ri dukej sikur po i buzëqeshte dhe ai shkonte drejt Tij për t'i rënë ndër këmbë. Ai po përulej në tokë kur vegimi u zhduk. Por burri ndihej i sigurt se gjatë lutjes së tij ai kishte parë të Premtuarin.
Kur u kthye dhe u tregoi të tjetrëve për vegimin që kishte parë, Mulla Hyseni i tha se ai me të vërtetë kishte gjetur Báb-in.

“Mos ia thuaj askujt vegimin tënd”, i tha Mulla Hyseni, “Ende nuk ka ardhur koha për këtë”.

Pastaj ai i premtoi të takohej më të në Shiraz më vonë, po të jetë e mundur, dhe do të shkonin e të takonin të Premtuarin.

8. MESAZHI PËR BAHÁ’U’LLÁH-UN

Ndërsa Shkronjat e tjera të të Gjallit mësonin njerëzit në shtëpitë e tyre, Mulla Hyseni shkoi në një qytet të madh që quhej Teheran. Çdo ditë ai dilte herët në mëngjes nga shtëpia dhe i tregonte kujtdo që donte ta dëgjonte për të Premtuarin. Ai kthehej në shtëpi pas perëndimit të diellit.

A ju kujtohet se çfarë i kishte thënë Báb-i atij për Teheranin? Ja fjalët e Tij: “Një Sekret fshihet në atë qytet. Kur të shfaqet, do ta kthejë tokën në parajsë”. Sa shpesh kishte menduar për këtë Mulla Hyseni.

Në të vërtetë, ai duhet të kishte marrë me mend një pjesë të Sekretit. Sepse ai mendonte që në Teheran do të gjente të Premtuarin tjetër Që do të vinte pas Báb-it dhe do të përhapte Dritën e Tij në mbarë botën. Ju e dini se në një tregim tjetër ne mësuam që Perëndia do të dërgonte dy Mësues të shenjtë e jo një. Duke e ditur këtë, Mulla Hyseni duhet të ketë qenë kurdoherë edhe në kërkim të Tjetrit.

Ndonjëherë gjërat ndodhin në mënyrë të mrekullueshme në këtë botë, po qe se e duam Perëndinë dhe përpiqemi të bëjmë atë që dëshiron Ai. Prandaj Mulla Hyseni e gjeti Sekretin lidhur me Teheranin.

Një natë rreth orës dymbëdhjetë një burrë trokiti në derën e i tij. Mulla Hyseni nuk priste njëri, por e ftoi atë dhe i foli atij për Báb-in.

Më në fund ai pyeti atë burrin “Ku jetoni?”

“Shtëpia ime është në Nur” iu përgjigj ai.
Pastaj Mulla Hyseni e pyeti “A njeh ndonjë Djalë të Ri atje Që është shumë i mençur e i njerëzishëm dhe Që ekalon kohën duke ndihmuar të varfërit e ata që kanë halle?”

“Po njoh” iu përgjigj burri. “Unë shkoj shpesh në shtëpinë e Tij”.
Kjo përgjigje e gjallëroi dhe e gëzoi aq shumë Mulla Hysenin saqë burri u habit. Ai nuk e kuptonte dot. Mulla Hyseni nuk i tregoi atij përse ishte aq i gëzuar. Ai i kërkoi atij t’i çonte një letër Djalit të Ri dhe t'i sillte përgjigjen nëse do të kishte të tillë.

“Jepja Atij këtë letër në agim” i tha burrit.

Ndoshta ju e keni marrë me mend se ky Djalë i Ri nga Nuri ishte i Premtuari tjetër, i dyti Mësues i shenjtë Që Perëndia do të dërgonte. Emri i Tij ishte Bahá’u’lláh. Natyrisht lajmëtari nuk e dinte Cili ishte Ai, por vetëm tingulli i zërit të Tij, kur Bahá’u’lláh-u e lexoi me zë të lartë letrën, e bëri shumë të lumtur. Pastaj Bahá’u’lláh-u i dha një mesazh e pak çaj e sheqer si dhuratë që t‘ia çonte Mulla Hysenit. Kjo dhuratë juve mund t'ju duket e çuditshme, por në Persi njerëzit nuk kishin shumë çaj e sheqer në atë kohë, ndaj ata ishin gjithmonë mirënjohës kur merrnin një dhuratë të tillë.

Kur Mulla Hyseni mori mesazhin dhe dhuratën nga Bahá’u’lláh-u, ai ishte kaq i prekur e i lumtur sa mezi fliste. Ai u hodh përpjetë, e mori dhuratën nga burri dhe e puthi. Pastaj e përqafoi lajmëtarin dhe i tha: “Miku im i dashur, uroj që, ashtu si ti gëzove zemrën time, Perëndia ta mbushë zemrën tënde me gëzim.”

Por përsëri burri nuk po e kuptonte dot se çfarë e kishte bërë Mulla Hysenin të ndihej në atë mënyrë. Kush ishte Njeriu të Cilit i kishte dhënë letrën? Disa ditë më vonë, kur Mulla Hyseni do të largohej nga Teherani për të shkuar në një qytet tjetër, ai e thirri lajmëtarin.

“Mos i thuaj asnjeriu se ç’ke dëgjuar. Le të jetë ky një sekret i fshehur në gjoksin tënd”. Ai i shpjegoi se po të tregonte emrin e Djalit të Ri, armiqtë e Tij do të përpiqeshin t’i bënin keq. Madje ai duhej t’i lutej Zotit që të kujdesej për Atë, në mënyrë që Ai të mund të ndihmonte të varfërit e nevojtarët.

Kjo është mënyra sesi Mulla Hyseni e gjeti Bahá’u’lláh-un, të Premtuarin tjetër. Por ai e dinte që nuk duhet t’i tregonte askujt për Të, derisa të vinte koha. Në fillim ai duhej t'u tregonte njerëzve për Bábin dhe se një ditë e re e bukur kishte ardhur për ata që jetonin mbi tokë.

Më vonë, kur koha e duhur erdhi, Báb-i u tregoi atyre për Bahá’u’lláh-un.

9. ËNDRRA E TË ATIT TË BAHÁ’U’LLÁH-UT

A ju kujtohet kush ishte Bahá’u’lláh - i Premtuari i dytë? Një natë, kur Bahá’u’lláh-u ishte ende Djalë i vogël, i ati i Tij pa një ëndërr të çuditshme për Të. Ai pa në ëndërr se Djali i tij po notonte në një oqean të madh. Trupi i Tij ndriçonte aq shumë sa dhe uji përreth Tij shkëlqente nga drita dhe rreze drite shpërndaheshin nga koka e Tij në të gjitha drejtimet.

Flokët e Tij ishin të gjatë e të zinj dhe, ndërsa notonte, ato qëndronin mbi ujë rreth e rrotull Tij. Ndërsa i Ati e shikonte, erdhi një turmë e madhe peshqish dhe secili mori me gojë fundin e një fije floku nga koka e Djalit. Pas kësaj, kudo që notonte Djali vinin edhe peshqit. Por ata as nuk i shkaktonin Atij ndonjë të keqe dhe as e pengonin të notonte ngado që dëshironte.

Kjo ëndërr iu shfaq aq e gjallë të atit të Bahá’u’lláh-ut, saqë ai thirri një burrë të mençur nëse mund t’i tregonte domethënien e kësaj ëndrre. Burri i mençur i tha se oqeani përreth Djalit të Tij ishte bota. Gjithë ata peshq të panumërt përreth Tij ishin trazirat që Ai do të kishte kur t'u jepte njerëzve të botës Mesazhin e Tij që vinte nga Perëndia. Ata do të përpiqeshin ta shtypin, por nuk do ta ndalonin dot në kryerjen e veprës së Tij për Perëndinë.

I ati i Bahá’u’lláh-ut ishte shumë i pasur dhe jetonte në një shtëpi të madhe, apo çiflik, të mobiluar shumë bukur e plot ornamente. Ai ishte shumë i dashur e bujar. Ai jepte një shumë të madhe të hollash për të ndihmuar të varfërit rreth tij. Sigurisht, ai kishte shumë miq dhe gjithmonë ndiehej i lumtur kur bënte diçka për të tjerët.

Kjo gjë vazhdoi për njëzet vjet me radhë. Pastaj pati telashe. Në fillim një përrua vërshoi nga malet afër fshatit ku ai jetonte ai. Përroi mori me vete gjysmën e çiflikut dhe të gjitha pajisjet e ornamentet. e tij.

I ati i Bahá’u’lláh-ut tani nuk ishte më aq i pasur, por vazhdonte të ndihmonte me sa mundej ata që ishin nevojtarë. Pastaj disa prej atyre që ia mendonte se ishin miq të tij, bën gjithçka mundën për t’i rrëmbyer pozitën që kishte. Por ai qëndroi i qetë e i lumtur. Ai nuk donte të zihej me ta.

Kur Bahá’u’lláh-u u rrit, Ai filloi t'u çonte njerëzve Mesazhin e Perëndisë. Ai nuk u tregonte atyre që ishte Mësues hyjnor, sepse nuk kishte ardhur koha. Ai u tregonte atyre për Báb-in dhe Mesazhin që solli Ai. Në fillim Ai vajti në shtëpinë e Tij të vjetër. Këtu njerëzit vërshuan për ta dëgjuar dhe dukej sikur nuk ngopeshin së dëgjuari. Edhe vetëm duke i dëgjuar zërin, ata dashuroheshin pas Tij.

Disa nga ata që kishin qenë krerë në rrethinat e atjeshme, i kërkuan t'u fliste për qytetin e madh ku Ai kishte qënë. Ata donin të dëgjonin për Shahun apo mbretin e vendit. Por Bahá’u’lláh-ut nuk i interesonin këto gjëra. Ai donte të fliste për Perëndinë. Ai dëshironte t'u tregonte atyre për Báb-in dhe Ditën e Re. Qëllonte që Ai bënte një rrugë të gjatë për t’i treguar ndonjërit Mesazhin eTij.

Këtu ka diçka të mahnitshme. Njerëzit thoshin se edhe gurët e pemët rreth e rrotull dukeshin ndryshe sepse ndodhej Ai aty. Çdo gjë dukej sikur rritej më mirë e thoshte “Shikoni, këtu është Bukuria e Perëndisë". Më vonë, një nga emrat e Bahá’u’lláh-ut ishte Bukuria e Bekuar.

Kështu Bahá’u’lláh-u filloi t'u çonte njerëzve Mesazhin e Perëndisë. Por Ai ende nuk u thoshte atyre se ishte Mësuesi i dytë hyjnor për të Cilin ata kishin lexuar në Kuran.

Rreth kësaj kohe, Báb-i kishte ndërmend të nisej për një udhëtim të gjatë në një qytet tjetër të quajtur Mekë. Por kishte një arsye që Ai nuk donte të shkonte. Kjo arsye ishte se njerëzit përreth Tij kishin nevojë të dëgjonin Mesazhin e Tij. Por një Ai ditë mori një mesazh nga Mulla Hyseni, që i thoshte se Bahá’u’lláh-u po mësonte njerëzit. Kjo e gëzoi së tepërmi, sepse e dinte që tani mund të nisej për udhëtim dhe dikush tjetër do t'u fliste njerëzve për të Premtuarin dhe për Ditën e Re.


10. STUHIA

A keni udhëtuar ndonjëherë në ndonjë anije të madhe e të rehatshme që është krejt si një shtëpi? Në kohën që jetonin Báb-i e Bahá’u’lláh-u nuk kishte anije të tilla. Kishte vetëm anije të vogla, të cilat nuk kishin madje as motor. Ato vareshin nga era që shtynte velat e tyre, e natyrisht nuk ishin aq të shpejta.

Një ditë Bab-i vendosi të shkonte në një qytet të quajtur Mekë. Meka ishte qyteti ku kishte jetuar Muhameti kur Ai u mësonte njerëzve mbi tokë Fenë e Perëndisë. Çdo vit një numër shumë i madh njerëzish që e kishin dashur Muhametin dhe kishin studiuar Librin e Tij, Kuranin, shkonin në Mekë për t'u lutur. Báb-i e dinte se atje Ai mund të takonte shumë njerëz dhe t'u jepte Mesazhin e Ri të Perëndisë. Kështu, Ai u nis bashkë me Kudusin, një prej Shkronjave të të Gjallit, dhe me shërbëtorin e Tij.

Për të arritur në këtë qytet, ata duhej të hipnin në anije. Duke qënë se kishte vetëm nga këto anije të vogla, iu deshën dy muaj që të arrinin në Mekë. Veç kësaj, edhe koha nuk ishte e mirë. Filloi një stuhi e tmerrshme. Dallgët e mëdha do t’ju jenë dukur si male njerëzve në anijen e vogël. Kjo bëri që shumë prej tyre t’i zinte deti.

Báb-i e Kudusi nuk e ndienin veten aspak keq. Pjesa tjetër e udhëtarëve ishin të trembur nga stuhia, por këta të dy e dinin që Perëndia do të kujdesej për ta, kështu ata nuk kishin frikë.

Çdo ditë Kudusi mbante shënim lutjet dhe thëniet e bukura që i diktonte Báb-i. Madje edhe kur stuhia arriti kulmin dhe udhëtarët e tjerë kishin frikë se mos anija fundosej e ata mbyteshin, Báb-i e Kudusi vazhdonin punën e tyre, sikur nuk po ndodhte asgjë.

Pastaj ata patën një shqetësim tjetër. Udhëtimi ishte zgjatur aq shumë, saqë uji i pishëm po mbaronte. Ju e dini se uji i detit nuk pihet, sepse është i kripur dhe po të pish etja shtohet më shumë. Báb-i i ka shkruar dikujt se për ditë të tëra ishin të detyruar ta shuanin etjen me lëng limoni në vend të ujit.

Ata që ishin në atë anije të vogël duhet të kenë vuajtur shumë. Por nga të gjitha ato vuajtje doli diçka e mirë. Kur Báb-i e pa këtë gjendje, Ai iu lut Perëndisë që ta bënte më të lehtë lundrimin në det. Ai u lut që të mos kishte kaq shumë rrezik.

Perëndia e plotësoi lutjen e Báb-it. Brenda pak vitesh njerëzit mësuan si të bënin anije më të mëdha e më të mira, të cilat stuhitë të mos i dëmtonin aq shumë. Ata mësuan të përdornin motorë në vend të velave që anijet të lëviznin më shpejt. Dhe mendoni që tani duhet vetëm pak ditë për të bërë udhëtimin që Báb-i e bëri për dy muaj.

Natyrisht, ne e dimë se ishin lutjet e Báb-i që ndodhën këto ndryshime, por në atë kohë njerëzit nuk e dinin këtë. Ata mendonin se ishte Perëndia që u dërgoi atyre të gjitha këto gjëra të mira.

Me gjithë vështirësitë e udhëtimit, Báb-i dhe Kudusi arritën më në fund shëndoshë e mirë në qytetin bregdetar më të afërt me vendin ku donin të shkonin. Që andej ata duhej të udhëtonin me deve përmes shkretëtirës së nxehtë për të arritur në Mekë. Atë e quanin Qyteti i Shenjtë, sepse aty kishte jetuar Muhameti.

Dallgët e mëdha do t’ju jenë dukur si male njerëzve në anijen e vogël.

11. NDODHIA NË SHKRETËTIRË

Midis qytetit të Mekës dhe vendit ku Báb-i dhe Kudusi zbritën nga anija shtrihej një shkretëtirë rëre që ata duhej ta përshkonin. Siç e dini, në shkretëtirë nuk ka shumë ujë. Vetëm herë pas here udhëtarët vinë te ndonjë pus. Pastaj ata duhet të marrin me vete aq ujë sa t'u mjaftojë derisa të arrijnë te pusi tjetër.

Kuajt kanë nevojë për një sasi të madhe uji dhe për këtë arsye përdoren shumë rrallë në shkretëtirë. Tani mund të udhëtohet përmes saj me automobil ose të fluturohet mbi të me aeroplan, por në kohën që Báb-i jetonte mbi tokë nuk kishte automobilë ose aeroplanë. A e dini sesi udhëtonin atëherë njerëzit në shkretëtirë?

Ka një kafshë që mund mund të udhëtojë për një kohë të gjatë pa ujë. Kjo kafshë është deveja. Pikërisht këtë bëri Báb-i gjatë udhëtimit të Tij për në Mekë.

Por Kudusi nuk donte të hipte në deve. Ai dëshironte të ecte gjithë rrugën përkrah Báb-it duke tërhequr frerin e devesë së Tij. Ai e ndiente se kështu do të ishte më mirë në gjendje të mbronte Mjeshtrin e tij po qe do të kishte ndonjë rrezik. Dhe çdo mbrëmje, që kur errësohej e deri në mëngjes, ai e kalonte kohën duke u lutur dhe duke ruajtur që të mos i ndodhte gjë Báb-it. Sa shumë duhet ta ketë dashur Báb-in që bënte këtë! Dhe gjatë tërë kohës ai ishte shumë i lumtur.

Sigurisht dielli është i nxehtë në shkretëtirë. Nuk ka fare hije dhe rëra nxehet aq shumë saqë është e vështirë të udhëtosh përmes saj. Për këtë arsye Ata gjithmonë niseshin shumë herët në mëngjes, para lindjes së diellit.

Një mëngjes Báb-i ndaloi te një pus, zbriti nga deveja për të thënë lutjen e mëngjesit. Siç e shihni, Ai kurrë nuk harronte të lutej, sepse e dinte që duke u lutur mund të qëndronte pranë Perëndisë dhe të dinte se çfarë donte Perëndia që Ai të bënte.

Ndërsa Ai po lutej, një njeri që jetonte në shkretëtirë, duke u endur nga një vend në tjetrin, u afrua papritmas tek udhëtarët. Duke i parë që luteshin, ai u afrua ngadalë, rrëmbeu çantën e Báb-it që ndodhej pranë Tij dhe iku me me të shpejtë.

A ju kujtohet se kur ata ishin në anije, Kudusi mbante shënim lutjet dhe thëniet e Báb-it? Këto lutje sigurisht ishin shumë të çmueshme, sepse bënin fjalë për të Premtuarin dhe për Ditën e Re. Dhe ato i sillnin një bekim të madh të gjithë atyre që i lexonin.

Të gjitha këto shkrime ndodheshin në çantën që vodhi njeriu i shkretëtirës. Shërbëtori donte të vraponte pas tij, por Báb-i ia bëri me shenjë që të kthehej.

Tani neve na duket shumë e çuditshme që Ai e lejoi atë njeri të merte me vete shkrimet që ishin aq të çmuara? Por Báb-i dha këtë arsye: njeriu që mori shkrimet do t’i çonte ato në vende të ndryshme në shkretëtirë kudo që shkonte. Në këtë mënyrë, shumë njerëz do t’i lexonin e do të mësonin për ardhjen e të Premtuarit. Dhe ka shumë mundësi që këta njerëz nuk do të mund të mësonin për këtë në rrugë të tjera, pasi ata nuk shkonin kurrë në qytete të mëdha e të largëta.

“Mos u mërzit për veprimin e tij”, i tha Báb-i shërbëtorit, “sepse kjo ishte urdhëruar nga Perëndia, Urdhëruesi, Fuqiploti”.

Kjo do të thotë: Mos u hidhëro. Perëndia donte që ai t'i merrte shkrimet.

12. HISTORIA E SADIKUT

Pasi qëndruan disa kohë në Mekë, Báb-i dhe Kudusi u kthyen në shtëpitë e tyre. Kur po ktheheshin Báb-i i tha Kudusit se, kur të arrinin në vendin e tyre, ata duhet të ndaheshin, në mënyrë që të mund të flitnin në vende të ndryshme. Ata nuk mund të ishin gjithmonë bashkë.

Ai e paralajmëroi Kudusin se njerëzit do tregoheshin shumë të egër me të. Ata nuk do ta dëgjonin dhe më në fund do ta vrisnin. Por Báb-i premtoi se Kudusi do të kishte një gëzim shumë të madh, sepse do të vdiste për Kauzën e Perëndisë. Ai premtoi gjithashtu që, para se të vdiste, Kudusi do të kishte një bekim të madh. Ai do të takohej me Mësuesin e dyte hyjnor Që Perëndia do të dërgonte në tokë.

E marrim me mend sa të lumtur do ta ketë bërë Kudusin ky premtim. Ai nuk trembej nga asgjë që mund t’i bënin atij njerëzit. Të gjithë Shkronjat e të Gjallit dhe të tjerë që e donin Báb-in ishin shumë të guximshëm, sepse e dinin këtë Sekret të madh për Báb-in dhe Mësuesin Që do të vinte më pas.

Çdo gjë ndodhi ashtu si kishte thënë Báb-i. Shumë njerëz nuk e besuan Mesazhin dhe u treguan shumë të egër. Njëri prej atyre që u besuan fjalëve të Kudusit ishte Mulla Sadiku, një mësues i Kuranit. Kudo që shkonte, ai u tregonte njerëzve për Mësuesin apo Profetin e ri, Që Perëndia kishte dërguar, derisa më në fund ata që nuk dëshironin ta dëgjonin vendosën se ai duhej ndaluar. Kështu e arrestuan dhe urdhëruan që të fshikëllohej me njëmijë goditje.

Mulla Sadiku ishte plak dhe ata menduan se ai nuk do t’i rezistonte rrahjes. Por ata që po e shikonin u çuditën shumë. Përse, do të pyesni ju? Sepse gjatë gjithë kohës që e fshikullonin dhe gjaku i kullonte nga plagët, ai ishte i qetë e i buzëqeshur dhe dukej sikur nuk ndiente asgjë. Njerëzit përreth nuk e kuptonin dot.

Ishte e vërtetë që Mulla Sadiku nuk i ndiente goditjet. Më vonë ai i tregoi një miku se shtatë goditjet e para ishin shumë të dhimbshme. Por pas kësaj ai praktikisht nuk po e kuptonte nëse goditjet jepeshin në trupin e tij, sepse ai nuk i ndiente ato. Madje ai zuri gojën me dorë që të mos qeshte me zë të lartë, kaq i lumtur ishte.
“Tani mund ta kuptoj”, tha ai “sesi Fuqiploti është në gjendje që, sa të hapësh e të mbyllësh sytë, ta kthejë dhimbjen në qetësi dhe hidhërimin në gëzim”.

Perëndia gjithmonë mund të na i largojë vuajtjet dhe të na bëjë të lumtur, po qe se e kthejmë fytyrën drejt Tij dhe besojmë tek Ai, siç bëri Mulla Sadiku. Dhe Mulla Sadiku nuk ishte i vetmi që ishte aq i lumtur t’i shërbente Báb-it e që nuk u mërzit nga që njerëzit u treguan mizorë me të. Me të vërtetë, kushdo që i pa ata që jepnin Mesazhin e Báb-it nuk mund ta kuptonte sesi ata nuk ndienin frikë për gjërat e tmerrshme që provuan.

Ne, sidoqoftë, e dimë sekretin. Ata ishin të sigurt se Perëndia kujdesej për ta në çdo çast dhe se atyre nuk mund t'u ndodhte asgjë që Ai nuk e dëshironte. Dhe, sigurisht, ata ishin tepër të lumtur që e donin Bábin aq shumë, sepse dashuria për njerëzit të bën kurdoherë të lumtur.

13. BURGOSJA E BAB-IT

Pas trajtimit mizor që iu bë Mulla Sadikut, ai dhe Kudusi duhej të largoheshin nga qyteti. Guvernatori nuk donte që ata të qëndronin më gjatë nga frika se mos njerëzit besonin në Mesazhin e tyre dhe ktheheshin kundër tij. Por edhe ata nuk u mërzitën që po largoheshin, sepse kështu do të mund ta çonin Mesazhin e tyre në një vende tjetër.

Pasi ata u larguan nga qyteti, guvernatori i lig vendosi që duhej të burgoste Báb-in në mënyrë që as Ai të mos mund t'u fliste njerëzve. Prandaj dërgoi një kompani ushtarësh me kuaj që ta gjenin e ta sillnin Atë të lidhur me zinxhirë. Kur ata po kalonin në një vend të vetmuar, panë një Djalë të Ri të ngjeshur me një shall jeshil. Ai ishte hipur në kalë dhe prapa Tij ecte shërbëtori.

Kur ata u shkëmbyen, Djali i Ri i përshëndeti ushtarët dhe i pyeti se ku po shkonin. Udhëheqësi i ushtarëve mendoi se ishte më mirë mos t’i tregonte këtij të panjohuri ku po shkonin, prandaj i tha se po kryenin një porosi të guvernatorit.

Djali i Ri buzëqeshi me këto fjalë dhe tha: “Guvernatori ju ka dërguar që të më arrestoni Mua. Ja ku jam, bëni ç'të doni me Mua. Duke ardhur për t’ju takuar, Unë e bëra më të lehtë punën tuaj për të më gjetur”.

Ushtaraku u habit me këtë përgjigje. Ai nuk mund ta kuptonte përse Babi nuk iku kur i pa ata, por erdhi e i takoi. Ai nuk dëshironte ta kapte Atë, prandaj bëri sikur nuk dëgjoi dhe filloi të largohej.

Por Báb-i iu afrua dhe i deklaroi se Ai kurrë nuk kishte thënë ndonjë gjë që nuk ishte e vërtetë. Ai nuk kishte dëshirë tjetër, veçse të ndihmonte njerëzit e tjerë. “Unë e di që ju po më kërkoni Mua”, tha Báb-i. “Unë më mirë dorëzohem Vetë në duart tuaja, sesa t’ju shkaktoj juve e shokëve tuaj ndonjë bezdi të panevojshme për hatrin Tim”.

Ushtaraku u prek kaq shumë nga këto fjalë, saqë zbriti nga kali dhe puthi yzengjinë e Báb-it. Ai iu lut Bab-it të ikte nga ky vend dhe të mos e linte guvernatorin e lig e mizor që ta burgoste. Ai i tha Atij të kishte besim se asnjë nga njerëzit e tij nuk do të tregonte se ku kishte shkuar.

Por Báb-i nuk pranoi të ikte. Ai e siguroi ushtarakun se Perëndia do t’a shpërblente atë për dashamirësinë e tij, por se Ai nuk mund të ikte. Ai i tha ushtarakut se Perëndia do ta mbronte Báb-in dhe se askush nuk do të mund t'i bënte gjë Atij derisa vepra e Tij të ishte kryer.

“Ja ku jam”, i tha Ai. “Më dorëzo në duart e zotërisë tënd. Mos ki frikë, sepse askush nuk do të të fajësojë ty”.

Kështu ata shkuan së bashku në qytet, por ushtarët nuk e lidhën me zinxhirë Báb-in. Gjithë rrugës Ai kalëroi para kompanisë së ushtarëve, po aq i lirë sa dhe ata.

Kur arritën në qytet, guvernatori i bëri Báb-it shumë pyetje dhe foli me Të në një mënyrë të tillë saqë të gjithë të tjerët që e dëgjuan u inatosën shumë. Guvernatori nuk donte të bënte asgjë që t’i kthente njerëzit kundër tij, kështu që më në fund e la Báb-in të lirë. Por para se ta lironte, e detyroi dajën e Báb-it, i cili jetonte në qytet, të paguante një shumë të madhe të hollash. Gjithashtu, e detyroi atë të nënshkruante një letër ku thuhej që, kur guvernatori ta kërkonte përsëri Báb-in, daja i Tij t'ia sillte vetë.

E ëma dhe gruaja e Báb-it ishin me dajën dhe ju mund ta merrni me mend sa shumë u gëzuan të gjithë ata që do të ishin përsëri bashkë. Për njëfarë kohe Ai jetoi me ta shumë i qetë, pa takuar njeri veç miqve të Tij më të ngushtë.

14. ZOGU I BARDHË

Kjo histori tregon sesi një zog i bardhë e i bukur ndihmoi dikë të gjente Báb-in. Njeriu që gjeti Báb-in quhej Abdyl-Qerim.

Për shumë vjet Abdyl-Qerimi dëshironte të dinte më shumë për Perëndinë dhe Mësuesit e mëdhenj Që Ai kishte dërguar në tokë. Ai e dinte se për të arritur këtë duhej të studionte e të lutej shumë vjet.

Gjithë ditën ai e kalonte duke studiuar e biseduar me miqtë e tij për gjërat që kishte mësuar. Dhe disa herë ai studionte deri natën vonë. Pas dy vjetësh, ata që ishin mësues të Kuranit i thanë se edhe ai ishte tashmë në gjendje të jepte mësim. Sigurisht, Abdyl-Qerimi ishte shumë i lumtur që e dëgjoi këtë, dhe babai i tij do të shtronte një gosti për të. Por Abdyl-Qerimi i kërkoi të priste disa ditë.

Arsyeja që i kërkoi të atit të priste ishte se ai nuk e ndiente veten aq të mençur, ose mjaft pranë Perëndisë, sa tu mësonte të tjerëve Kuranin, edhe pse kishte studiuar shumë vjet. Ai e dinte se një mësues i Kuranit nuk duhej të bënte gabime.

Kështu ai shkoi në dhomën e tij dhe gjithë natën u lut, duke i kërkuar Perëndisë se çfarë të bënte. Dhe ndërsa po lutej, pati një vegim. Ai pa një burrë që fliste para një grupi të madh njerëzish. Fytyrat e tyre shkëlqenin sikur të ishin shumë të lumtur. Burri po u tregonte atyre një varg që Abdyl-Qerimi e dinte nga Kurani. Abdyl-Qerimi filloi t’i afrohej, por pikërisht në atë çast ai u zhduk. Të nesërmen Abdyl-Qerimi po i tregonte për vegimin një njeriu të mençur që e njihte. “Ky njeri", i tha njeriu i mençur, "është Sijid Qazimi, i cili tani ndodhet në Qerbela. Çdo njëri që e dëgjon atë e do shumë”.

Sigurisht, ky lajm e gëzoi shumë Abdyl-Qerimin. Po atë ditë ai shkoi në Qerbela dhe atje pa Sijid Qazimin. Ai ishte burri që kishte parë në ëndrrën e tij dhe po fliste për të njëjtin varg nga Kurani. Ai po u tregonte atyre që po e dëgjonin për të Premtuarin.

“I Premtuari", tha ai, "jeton midis këtij populli. Përgatisni rrugën për Të dhe dëlireni veten tuaj, që të mund të njihni bukurinë e Tij. Ju nuk duhet të pushoni për asnjë çast derisa ta gjeni Atë”.

Abdyl-Qerimi qëndroi pak kohë në Qerbela dhe pastaj u kthye në shtëpi. Çdo ditë ai ishte shumë i zënë, por gjatë natës ai lutej dhe mendonte për të Premtuarin, duke iu lutur Zotit që ta ndihmonte për ta gjetur Atë.

Një natë ai pati një vegim tjetër. Ai pa një zog të bardhë si dëbora, që fluturonte mbi kokën e tij. Zogu qëndroi mbi një pemë aty pranë dhe me një zë të ëmbël i tha: “Po kërkon Manifestimin, o Abdyl-Qerim? Shiko, viti gjashtëdhjetë”.

Pastaj ai fluturoi, duke e lënë atë shumë të lumtur.

Çdo ditë ai mendonte për vegimin e zogut të bardhë. Pak vjet më vonë, kur dëgjoi për Báb-in, ai shpejtoi për në Shiraz për ta takuar. Dhe çfarë mendoni se ndodhi?

Báb-i ishte duke shpjeguar nga Kurani, por kur pa Abdyl-Qerimin ndaloi dhe tha me një zë që tingëllonte krejt si ai i zogut të bardhë: “Po kërkon Manifestimin, Abdyl-Qerim?”

Juve ju kujtohet se këto ishin pikërisht fjalët që kishte thënë zogu. Atëherë Abdyl-Qerimi e kuptoi se kishte gjetur të Premtuarin dhe ra në gjunjë te këmbët e Tij, aq i lumtur sa nuk fliste dot. Dhe ashtu siç kishte thënë zogu, ishte viti gjashtëdhjetë.

Ai pa një zog të bardhë si dëbora, që fluturonte mbi kokën e tij

15. MURTAJA

Kjo histori tregon se si një natë Perëndia i shpëtoi jetën Báb-it, kur guvernatori i lig dërgoi dikë që ta arrestonte dhe ta vriste Atë.

Puna është se guvernatorit nuk i pëlqente Báb-i, sepse shumë njerëz mblidheshin për ta dëgjuar Atë dhe për të mësuar Mesazhin e Tij. Guvernatori e ndiqte ngado që shkonte. Më në fund, ai thirri shefin e policisë të qytetit dhe i tha të shkonte menjëherë në shtëpinë ku rrinte Báb-i. Duke u ruajtur se mos e shikonin, ai duhet të kapërcente murin, të hipte mbi çatinë e shtëpisë dhe që andej menjëherë të futej në shtëpi e të arrestonte Báb-in dhe ata që ishin bashkë me Të. Ai gjithashtu duhej të merrte çfarëdo librash që të gjente aty.

“Betohem", tha guvernatori, "se që sonte do ta ekzekutoj Báb-in bashkë me gjithë shokët e Tij mjeranë”.

Shefi i policisë veproi ashtu siç e kishte urdhëruar guvernatori. Ai arrestoi Báb-in dhe miqtë e Tij dhe u nis për në shtëpinë e guvernatorit. Por rrugës ndodhi diçka shumë e çuditshme.

Kur iu afruan pazarit, ata panë njerëz që vraponin sa andej këtej, sikur donin t’i shmangeshin diçkaje. Të gjithë dukeshin shumë të frikësuar që të ndalonin e të flisnin. Pastaj panë një karvan të gjatë me kufoma të shoqëruara nga burra e gra që nxitonin nëpër rrugë duke qarë e vajtuar.

Shefi i policisë ndaloi një nga këta njerëz për ta pyetur se ç’kishte ndodhur. Ai i tha se atë natë kishte rënë murtaja dhe deri në atë çast mbi njëqind veta kishin vdekur. Murtaja është një sëmundje e tmerrshme, aq ngjitëse sa çdo njëri që qëndron pranë ndonjë të sëmuri mund ta marrë sëmundjen. Shumë vetë humbin jetën.

Tepër i frikësuar, shefi i policisë vrapoi për në shtëpinë e guvernatorit. Por portieri i tha se guvernatori ishte larguar jashtë qytetit bashkë me familjen. Një nga shërbëtorët e tij kishte vdekur nga murtaja dhe disa pjesëtarë të vetë familjes së tij ishin të sëmurë.

Polici nuk dinte ç’të bënte. Pastaj vendosi ta merrte Báb-in në shtëpinë e tij dhe ta mbante të burgosur aty derisa të kthehej guvernatori. Duke iu afruar shtëpisë, ai dëgjoi të qara dhe mësoi se i biri po vdiste. Në atë dëshpërim, ai u përul te këmbët e Báb-it dhe iu lut t’i shpëtonte jetën të birit.

“Mos e ndëshko atë për fajin që ka bërë i ati”, iu lut ai. Ai i tha Báb-it se i vinte shumë keq për atë që kishte bërë dhe kurrë më nuk do të zbatonte urdhrat e liga të guvernatorit, edhe në qoftë se nuk do të mund të gjente ndonjë punë tjetër e do të vdiste nga uria.

Báb-i ishte gati për të larë duart e fytyrën, siç bënte gjithmonë para se të lutej. Ai i tha burrit të merrte pak ujë e t’ia jepte djalit për ta pirë. Kjo, tha Ai, do t’i shpëtojë jetën atij.

Polici bëri siç i tha Báb-i, dhe djali menjëherë u bë mirë. Më vonë polici i dërgoi një letër guvernatorit. I tregonte atij ç'kishte ndodhur dhe i lutej ta llinte Báb-in të shkonte para sa të gjithë banorët e qytetit të vdisnin nga murtaja.

Natyrisht që guvernatori ishte i frkësuar dhe i ktheu përgjigje, duke i thënë që Báb-i të lirohej menjëherë dhe të shkonte ku të donte.

Përsai përket guvernatorit të lig, më vonë Ai u pushua nga puna prej Shahut dhe vdiq i varfër e pa miq. Çështja është se vepra e Báb-it ende nuk kishte përfunduar, prandaj qoftë edhe një njerii madh, si guvernatori, nuk ishte në gjendje t'i bëntë gjë Atij.

16. RRUGËS PËR NË TEHERAN

Në këtë kohë shumë, shumë njerëz e kishin dëgjuar Mezazhin e Báb-it dhe e shkonin pas Tij në turma të mëdha për ta dëgjuar kur fliste. Të gjithë ata që ishin me Të e donin shumë dhe ishin gati të bënin gjithçka që mundnin për Atë. Ata nuk ndienin të njëjtën gjë për udhëheqës të tjerë të qytetit. Shumë nga këta udhëheqës ishin tepër krenarë e mizorë me njerëzit që nuk mendonin tamam si ata. Këta njerëz u bënë xhelozë për Báb-in dhe më në fund vendosën ta hiqnin qafe Atë.

Manushir Hani ishte guvernatori i asaj pjese të vendit, ku Báb-i shpjegonte atëherë mësimet e Tij. Ai mbante qëndrim miqësor ndaj Báb-in dhe besonte në Mesazhin e Tij. Kështu, kur i thanë për planin djallëzor kundër Báb-it, Manushir Hani vendosi ta shpëtonte Atë. Ai bëri sikur do ta dërgonte Báb-in te Shahu në Teheran dhe kështu e nxorri Atë jashtë qytetit.

Një ditë kur po perëndonte dielli, Báb-i me pesëqind roje personale të guvernatorit, doli nga porta e qytetit dhe u nis drejt Teheranit. Por ata nuk shkonin në Teheran. Guvernatori kishte dhënë urdhër që në çdo disa milje një pjesë e rojeve të ktheheshin në qytet. Më në fund vetëm tre mbetën me Báb-in.

Këta tre ishin ata që guvernatori u besonte më shumë. Nëpër një rruge ku lëviznin pak udhëtarë, ata e sollën Báb-in përsëri në qytet, ku u futën në të gdhirë. Báb-in e çuan në shtëpinë e vetë guvernatorit. Këtu Ai jetoi i qetë për njëfarë kohe. Vetem pak miq të ngushtë e dinin se ku ndodhej Ai.

Jo shumë kohë pas kësaj, Manushir Hani vdiq. Nipi i tij, i cili nuk ishte mik i Báb-it, u bë guvernator në vend të tij. Sapo guvernatori i ri zbuloi se Bab-i ndodhej ende në qytet, ai i shkroi Shahut, i cili urdhëroi që Báb-i të dërgohej tek ai menjëherë.

Udhëtimi u bë me kuaj dhe zgjati shumë ditë. Muhameti i Madh ishte komandant i ushtarëve të dërguar me Báb-in. Ai dhe roje të tjerë filluan ta duan të Burgosurin e tyre aq shumë saqë po të donte Ai të ikte, ata do ta kishin lejuar Atë me gjithë qejf. Por Báb-i nuk do të lejonte që ata të hynin në telashe të tilla për shkak të Tij. Askush nuk mund të ishte më i dashur se Ai në çdo kohë.

Bab-it i pëlqente shumë të shkonte në fshat. Ai u gëzua shumë kur një mbrëmjë ata fushuan në një kodër të mrekullushme me pemishte e livadhe përreth. Për Të ngritën një tendë që të ishte më rehat. Ndërkohë që ndodhej në këtë vënd, Báb-i mori nga Bahá’u’lláh-u një letër dhe dhurata, që e gëzuan aq shumë, saqë çdo njeri çuditej kur shikonte fytyrën e Tij që i shkëlqente. Juve ju kujtohet se Bahá’u’lláh-u ishte Mësuesi i dytë hyjnor Që do të dërgonte Perëndia. Por Ai ende nuk e kishte zbuluar Veten e Tij në popull.

Një natë, kur ata ishin vendosur në kodër, papritur u zbulua se tenda e Báb-it ishte bosh. Asnjeri nuk e dinte ku kishte shkuar. Në fillim disa prej rojeve u trembën, duke menduar se Ai kishte ikur.

Por Muhameti i Madh foli qetësisht me ta: “Ai, padyshim, do të ketë shkuar në heshtjen e kësaj nate me hënë në ndonjë vend, ku pa e shqetësuar njeri mund të komunikojë me Perëndinë. Ai padyshim do të kthehet në tendën e Tij. Ai kurrë s’ka për të ikur prej nesh”.

Sigurisht, pas pak minutash e panë Atë duke ardhur vetëm nga drejtimi i Teheranit.

“Menduat se kisha ikur?” pyeti Ai.

Ai dukej kaq i gëzuar e i lumtur, saqë Muhameti i Madh i ra ndër këmbë. “Qofshin larg prej meje mendime të tilla”, thirri ai.

Dy javë ata qëndruan në këtë vend të bukur. Pastaj erdhi një mesazh nga Shahu. Mesazhi thoshte se Shahu po largohej nga Teherani dhe nuk mund ta takonte Báb-in në atë kohë. Ata duhet ta çonin Báb-in në kështjellën e Mah-kusë. Këtu Ai duhet të qëndronte deri sa Shahu të dërgonte përsëri për ta marrë.

Sigurisht, Báb-i e dinte se armiqtë e Tij i kishin kërkuar Shahut ta bënte këtë. Ata mendonin që po qe të dërgohej Bab-i në ketë vend të vetmuar, miqtë e Tij nuk do të kishin mundësi ta takonin. Kështu ata shpresonin se njerëzit do të harronin çfarë kishin dëgjuar për ardhjen e një Mësuesi të ri.

Ata nuk e kuptonin që Perëndia bën “çdo gjë që dëshiron”. Askush nuk mund ta ndalonte Mesazhin e Tij që të arrinte te njerëzit, siç do ta dëgjoni.

Kur Bab-i u nda me ushtarët, Muhameti i Madh, me lotë në sy, iu lut Atij që ta falte sepse nuk kishte bërë mjaft për Të. Por Báb-i i tha se do ta kujtonte gjithmonë atë për mirësinë e tij dhe se të gjithë që do të dëgjonin për të do ta bekonin.

Ushtarët e tjerë gjithashtu i puthën këmbët Báb-it dhe, me lotë në sy, i kërkuan t’i bekonte ata. Dhe Ai falënderoi secilin prej tyre me ngrohtësi për mirësinë që kishin treguar ndaj Tij.

17. KËSHTJELLA E MAH-KUSË

Në historinë tjetër dëgjuam sesi Shahu kishte urdhëruar që Báb-i të mbyllej në kështjellën e Mah-Kusë. Shahu dhe të tjerët pranë tij mendonin se duke e bërë këtë, njerëzit do ta harronin Báb-in dhe Mesazhin e Tij. Por ju do ta shihni sesa shumë gaboheshin ata.

Kështjella e Mah-Kusë ishte ngritur mbi një mal, në një pjesë shumë të veçuar të vendit. Në këmbët e malit ishte një qytet i vogël. Njerëzit që jetonin aty ishin të vrazhdë e grindavecë. Kishte vetëm një rrugë që çonte në kështjellë dhe kjo rrugë kalonte përmes qytetit në një portë e cila qëndronte gjithmonë e mbyllur dhe ruhej.

Kështjellën e kishte në ngarkim Ali Hani. Ai ishte një ushtarak shumë i vrazhdë dhe jomiqësor me Báb-in e me dy shokët që ishin lejuar të jetonin me Të. Asnjë mik tjetër nuk lejohej, madje as në qytet.

Por Báb-i ishte kaq i mirë e i dashur, sa nuk kaloi shumë kohë dhe këta njerëz të ashpër filluan ta donin Atë, siç kishin bërë edhe të tjerë. Herët në mëngjës shumë njerëz vinin te këmbët e malit nga ku mund të vështronin dritaren e Tij. Ata shpresonin ta shikonin Atë qoftë edhe për një çast. Kështu Ai do t'ua bekonte punën e tyre të asaj dite.

Por Ali Hani mbeti mbeti jomiqësor ndaj Tij dhe nuk lejonte asnjë nga miqtë e Báb-it të vinte tek Ai. Pastaj një ditë ndodhi një gjë e çuditshme, diçka që tregonte sa i mrekullueshëm ishte Báb-i.

Báb dhe dy të tjerët që ishin me Të në kështjellë dëgjuan një trokitje në derë. Kur e hapën derën, ata panë Ali Hanin që priste për të hyrë brenda. Por ishte një Ali Han krejt i ndryshëm. Më parë ai kishte qënë shumë krenar e me vështrim mizor. Tani dukej shumë më i sjellshëm dhe kishte një pamje çudie në fytyrë. Ai madje dridhej kur hyri në dhomën ku ndodhej Báb-i. Dhe pas një çasti, për habinë e madhe të të dy miqve, ai i ra Báb-it ndër këmbë. Ata mezi u besonin syve.

“Më shpëto nga përshtjellimi”, i lutej ai, duke vështruar Báb-in. Pastaj i tregoi për diçka të çuditshme që i kishte ndodhur, diçka që ai nuk mund ta kuptonte.

Atë mëngjes në agim ai ishte duke shkuar me kalë nëpër fushë jashtë qytetit. Ishte aq herët saqë aty pranë nuk kishte asnjeri, veç një burri që qëndronte në anë të lumit duke u lutur. Ali Hani iu afrua dhe për habinë e tij pa që burri ishte Báb-i. Ali Hani u nis drejt Tij për ta qortuar që ishte larguar nga kështjella, por Báb-i ishte kaq i thelluar në lutjen e Tij sa nuk e dëgjoi atë. Atëherë Ali Hani vendosi që ta linte Atë atje për njëfarë kohe dhe të kthehej me vrap në kështjellë për të ndëshkuar rojet që e kishin lejuar Báb-in të largohej.

Kur arriti në qytet, ai u çudit shumë që e gjeti portën të mbyllur. Edhe dera e kështjellës ishte e mbyllur dhe e kyçur, siç e kishte lënë ai vetë. Dhe kur hapi derën, Báb-i ishte atje, i ulur përpara tij. Mund ta merrni me mend sa i habitur ishte Ali Hani, sepse ai sapo e kishte lënë Báb-in në anë të lumit.

“Jam krejt i hutuar”, i tha ai Báb-it. “Unë nuk e di nëse më ka braktisur arsyeja”. Me këtë Ali Hani donte të thoshte që kishte frikë se mos po humbte mendjen.

“Ajo që ju patë ishte e vërtetë”, u përgjigj Bab-i. Pastaj Ai vazhdoi t’i shpjegonte se Perëndia dëshironte t’i tregonte Ali Hanit që Mesazhi i Báb-it ishte i vërtetë. Perëndia dëshironte që ai të shihte sa i mrekullueshëm ishte ky Mesazh dhe ta donte këtë Mësues Që Ai kishte dërguar.

Që nga ajo ditë Ali Hani ndryshoi aq shumë, saqë njerëzit e qytetit me vështirësi e njihnin atë. Në vend që të ishte mizor dhe krenar, ai ishte i dashur e i sjellshëm. Porta e kështjellës ishte përsëri e mbyllur natën, por gjatë ditës lihej e hapur. Çdo njeri që dëshironte të shihte Báb-in lejohej të hynte. Çdo ditë Ali Hani i sillte Atij fruta të freskëta, ose ndonjë gjë që Atij mund t’i pëlqente të hante.

Ndërsa ishte i burgosur në kështjellë, Báb-i shkroi një libër, të quajtur Bajani Persisht. Në të Ai shkroi ligjet, të cilave duhej t’u bindeshin njerëzit. Në të Ai tregoi për Mësuesin tjetër hyjnor Që do të dërgonte Perëndia. Ai nxiste çdo njeri që të përpiqej ta gjente Atë.

Kur lexojmë këtë histori të vërtetë për Báb-in, kjo na bën të ditur sesi Perëndia nxjerr të mira nga çdo gjë, edhe pse mund të mos duken të mira në fillim. Shahu mendoi se duke e dërguar Báb-in në Mah-Ku, po e dërgonte Atë atje ku nuk do të ishte në gjendje të shihte ose të fliste me njeri. Në vend të kësaj, të gjithë njerëzit që jetonin në malet rreth kështjellës, e dëgjuan Mesazhin e Tij dhe u bënë miq të Tij. Dhe Ai shkroi një Libër shumë të madh, i cili u bë Ligji i Kohës së Tij.

18. ËNDRRA E ALI HANIT

Një ditë kur Báb-i ishte ende i burgosur në kështjellën e Mah-Kusë, erdhi për ta vizituar Mulla Hyseni. Sa i lumtur duhet të ketë qënë Mulla Hyseni kur mendonte që do të shihte përsëri Báb-in. Ne e dimë se vizita ishte një punë e madhe për të, dhe ja sepse: ai e kishte bërë gjithë rrugën në këmbë, dhe ky ishte një udhëtim i gjatë e i lodhshëm. Miqtë e tij donin t’i jepnin atij shumë gjëra që t’ia bënin udhëtimin më të lehtë, por ai nuk kishte pranuar asgjë. Kjo është një histori sesi ai erdhi në kështjellën e Mah-Kusë.

Një natë para se Mulla Hyseni të arrinte atje ishte nata e Vitit të Ri. Atë natë Ali Hani, i cili, siç ju kujtohet, e kishte në ngarkim kështjellën pa një ëndërr. Në ëndrrën e tij ai dëgjoi që Muhameti do të vizitonte Báb-in Ditën e Vitit të Ri. Duke u ndier shumë i lumtur, Ali Hani vrapoi për ta takuar. Ai po ecte anës lumit dhe kur arriti te ura pa dy njerëz që vinin drejt tij, njëri pas tjetrit. Ai mendoi se i pari ishte Muhameti. Duke vrapuar përpara, kur ishte gati binte ndër këmbë, u zgjua.
Ai u ndie aq i lumtur sa kurrë nuk ishte ndier në jetën e tij. I dukej sikur ishte në parajsë. Dhe i pa të gjitha aq të gjalla, saqë ishte i sigurt se kjo kishte qenë më shumë se një ëndërr.

Ali Hani tha lutjen e mëngjesit dhe veshi rrobat e tij më të mira. Pastaj u nis për në vendin ku në ëndërr kishte parë Muhametin. Ai urdhëroi shërbëtorët të shalonin tre nga kuajt e tij më të mirë e më të shpejtë dhe i çoi menjëherë tek ura.

Ishte mëngjes herët. Dielli sapo kishte dalë kur Ali Hani po ecte vetëm drejt lumit. Dhe tek ura, tamam siç e kishte parë në ëndërr, ai pa dy burra që ecnin njëri pas tjetrit.

Ali Hani ra në këmbët e atij që ai mendonte se ishte Muhameti dhe iu lut Atij dhe shokut të Tij t'ua hipnin kuajve pjesën tjetër të rrugës.

“Jo”, tha ai, “jam betuar ta bëj të gjithë udhëtimin në këmbë. Do të eci deri në majë të këtij mali dhe atje do të vizitoj të Burgosurin tuaj”.

Ky vizitor nuk ishte Muhameti, siç kishte ëndërruar Ali Hani, por Mulla Hyseni. Ali Hani e shoqëroi atë deri sa arritën te porta e kështjellës. Atje qëndronte Báb-i duke pritur. Me ta parë, Mulla Hyseni qëndroi dhe u përkul thellë, por Báb-i e përqafoi dhe e udhëhoqi në kështjellë, ku së bashku festuan Novruzin apoVitin e Ri.

Deri në atë kohë asnjë nga miqtë e Báb-it, veç atyre të dyve që jetonin me Të, nuk ishte lejuar të kalonte natën në kështjellë. Por atë ditë Ali Hani shkoi te Báb-i dhe i tha: “Në qoftë se është dëshira Juaj që Mulla Hyseni të rrijë me Ju këtë natë, unë jam gati të plotësoj dëshirën Tuaj, sepse unë nuk kam vullnet timin. Sado që të jetë dëshira Juaj që ai të qëndrojë këtu me Ju, unë zotohem ta zbatoj urdhërin Tuaj”.

A nuk tregon kjo sesa shumë kishte ndryshuar Ali Hani?

Ndërsa Mulla Hyseni ishte në kështjellë, Báb i tha atij: “Pak ditë pas nisjes tuaj nga ky vend, ata do të na transferojnë në një mal tjetër. Kur ju të arrini atje ku po shkoni, lajmet për nisjen Tonë nga Mah-Ku do t'ju kenë mbrritur”.

Ndodhi ashtu si kishte thënë Báb-i. Ai u dërgua në një kështjellë tjetër, sepse Ali Hani ishte miqësuar shumë me Të dhe mjaft nga miqtë e Tij e kishin takuar Báb-in . Në njërin nga vëndet ku Mulla Hyseni qëndroi, ai dëgjoi për këtë ndryshim.

Përsa i përket Mulla Hysenit, ai udhëtoi në këmbë gjate gjithë rrugës për t'u kthyer në shtëpi, po ashtu sikurse kishte ecur në këmbë kur shkoi në kështjellën e Mah-Kusë.

19. TAHIREJA

Ne kemi dëgjuar për shumë burra që dëgjuan mesazhin e Báb-it dhe vendosën t'u tregojnë të tjerëve për Të. Tani do të dëgjojmë për një grua të mrekullushme, e cila gjithashtu udhëtoi për të dhënë Mesazhin e Tij. Emri i saj ishte Tahire, ajo ishte shumë e mirë dhe e bukur. Ajo ka shkruar poema shumë të bukura. Ndoshta ndonjë ditë do t’i lexoni disa prej tyre.

Në atë kohë gratë e Persisë nuk dilnin lirishit midis njerëzve siç bënin burrat. Kur ato dilnin në rrugë, duhet të mbanin perçe në fytyrë, në mënyrë që askush të mos mund t’i shihte. Tahireja, gjithashtu, ka mbajtur një perçe të tillë për shumë vjet. Por pas një kohe, ajo mendoi se nuk ishte e nevoshme që gratë ta bënin këtë, dhe ishte e para që doli nga shtëpia pa perçe. Më pas do të dëgjoni sesi ajo doli e para pa të.

Tahireja ishte një nga Shkronjat e të Gjallit. A ju kujtohen ata? Ata ishin tetëmbëdhjetë dishepujt, pasues të Báb-it. Të gjithë ishin burra përveç Tahiresë. Dhe vetëm mendoni, që ajo madje nuk priti ta shikonte Báb-in për t’i besuar Atij! Sapo dëgjoi Mesazhin nga dikush tjetër, ajo e dinte që ai ishte i vërtetë. Menjëherë ajo i dërgoi një letër Báb-it. Në këtë letër ajo tregonte sesa e lumtur ishte që mori Mesazhin dhe se ajo e dinte që Ky ishte i vërtetë. Báb-i iu përgjigj kësaj letre dhe e quajti atë një nga Shkronjat e të Gjallit.

Që nga kjo kohë, Tahireja i kalonte ditët duke i treguar çdo njeriu që kishte dëshirë të dëgjonte për Báb-in. Sigurisht nuk kaloi shumë kohë para se njerëzit që nuk e donin Báb-in filluan të përpiqeshin ta goditnin Tahirenë. Ata donin ta ndalonin atë të fliste. Më në fund ajo u burgos në shtëpinë e të atit dhe nuk lejohej të shihte asnjeri.

Tahireja e dinte që ata donin ta vrisnin, sikurse kishin vrarë dishepujt e tjerë të Báb-it. Por ajo nuk ua kishte frikën atyre, sepse e dinte që Perëndia do të kujdesej për të.

Kështu, ajo u tha atyre që e mbanin të burgosur se do t’u provonte që Mesazhi që ajo jepte ishte me të vërtetë nga Perëndia. Ajo u tha atyre që po qe se mesazhi i saj ishte i vërtetë, Perëndia do ta lironte atë brenda nëntë ditësh nga shtëpia ku e kishin kyçur dhe e ruanin. Sigurisht ata nuk menduan që kjo do të ishte e mundur, por ne do të shohim çfarë ndodhi.

Në këtë kohë Bahá’u’lláh-u vendosi që Tahireja të ishte e lirë. Ai vendosi t'u tregojë njerëzve se Mesazhi i saj ishte me të vërtetë nga Perëndia. Kështu Ai thirri një nga miqtë e Tij dhe i tha që ta çonte Tahirenë te shtëpia e Bahá’u’lláh-ut në Teheran.

Ja sesi u krye kjo. Gruaja e burrit që do ta çonte atë në Teheran u vesh si lypëse, kështu që askush nuk kishte për ta njohur. Pastaj ajo shkoi në shtëpinë ku mbahej e burgosur Tahireja dhe i dha asaj një letër nga Bahá’u’lláh-u. Kjo letër i tregonte me saktësi Tahiresë se ç’duhet të bënte. Gruaja priti te dera e shtëpise derisa erdhi Tahireja. Pastaj ato nxituan për te burri i saj. Sigurisht që edhe Tahireja ishte maskuar, në mënyrë që askush nuk do ta njihte e ta ndalonte.

Në atë kohë qytetet ishin të rrethuara me mure të larta, në mënyrë që të mos mund të hynin armiqtë. Burri kishte sjellë tre kuaj dhe i kishte lënë në një vend të sigurtë jashtë murit të qytetit. Ai dhe dy gratë qenë në gjendje të shkonin te kuajt pa rënë në sy. Pastaj ata ndoqën një rrugë të veçuar derisa në agim mbërritën në Teheran. Kështu Tahireja arriti shëndoshë e mirë në shtëpinë e Bahá’u’lláh-ut.

Ndërkohë, kur u zbulua që Tahireja ishte arratisur, të gjithë mbetën të habitur. Madje as miqtë e saj nuk e merrnin dot me mend se ku kishte shkuar ajo ose si ishte larguar prej andej. Gjithë natën ata kërkuan në shtëpitë përreth, por sigurisht që nuk e gjetën.

Pastaj ata u kujtuan se çfarë u kishte thënë ajo -- që po qe se mesazhi i saj për Báb-in ishte i vërtetë, Perëndia do ta lironte atë nga burgu brenda nëntë ditësh. Dhe tani ajo kishte ikur pa u mbushur ende nëntë ditë. Shumë e besuan Mesazhin dhe u bënë pasues të Báb-it për shkak të asaj që kishte ndodhur.

Gjithë këtë kohë Tahireja ishte shumë e lumtur në shtëpinë e Shenjtërisë së Tij, Bahá’u’lláh-ut. Ai ende nuk e kishte shpallur që ishte Mësuesi i dytë hyjnor Që Perëndia do të dërgonte. Por Tahireja ishte kaq e mirë dhe jetonte kaq pranë Perëndisë saqë ajo e dinte sekretin e Tij. Dhe ju mund ta merrni me mend sa e lumtur ishte ajo të jetonte në shtëpinë e Tij.

Dhe për habinë e të gjithëve ajo nuk kishte veshur ferexhe.

20. RENDI I RI

Gjatë gjithë kësaj kohe, Báb-i, Bahá’u’lláh-u dhe pasuesit e tyre u ishin bindur ligjeve të shkruara në Kuran. Ju e kuptoni, kur një nga Mësuesit hyjnorë të Perëndisë vjen tek ne, Ai lë udhëzime, ose ligje, për ne në një libër. Muhameti kishte lënë udhëzime në Kuran.

Por pas shumë vitesh, disa nga ligjet e shkruara në këta libra duhet të ndryshojnë, sepse njerëzit bëhen më të mençur dhe ato nuk nevojiten më. Perëndia dërgon një Mësues të ri për të sjellë ligje të reja dhe për të lënë udhëzime të reja.

Tani, në këto ditë për të cilat po dëgjojmë të flitet, ishte koha që disa nga ligjet duhet të ndryshonin. Ato nuk ishin më të nevojshme. Kjo histori tregon për mënyrën sesi u ndryshua një prej ligjeve.

Juve ju kujtohet që Tahireja jetoi në shtëpinë e Shenjtërisë së Tij, Bahá’u’lláh-ut. Pas ca kohësh, Ai vendosi, sidoqoftë, ta dërgonte atë në një qytet tjetër. Kjo nuk ishte e lehtë, sepse portat e qytetit ruheshin. Gratë nuk lejoheshin të dilnin pa leje kalimi.

Është e çuditshme, por rojet nuk e ndaluan Tahirenë dhe ata që ishin me të. Ata as nuk i pyetën se ku po shkonin. Kjo tregon çfarë ishte në gjëndje të bënte dëshira e Bahá’u’lláh-ut.

Pak ditë më vonë edhe Bahá’u’lláh-u u largua nga qyteti dhe udhëtoi në të njëjtin drejtim. Jo shumë pas kësaj, ata takuan Kudusin, i cili kishte ardhur t'i uronte mirëseardhjen Shenjtërisë së Tij, Bahá’u’lláh-ut.

Të gjithë njerëzit e rrethinave aty pranë ishin shumë të eksituar për praninë e Bahá’u’lláh-ut e të Kudusit. Disa prej tyre ishin aq të gëzuar, saqë ishin të gatshëm të bënin gjithçka për ta. Kishte të tjerë që i urrenin dhe donin t’u bënin keq atyre.

Kjo ndodh gjithmonë me ardhjen e ndonjërit prej Mësuesve të Perëndisë. Njerëzit ose i duan shumë Ata, ose i kanë frikë dhe duan t’u bëjnë keq Atyre. Ju e kuptoni, kjo varet nga ajo që çdo person ka në zemër. Në qoftë se zemrat janë të mira e të dashura, ata i duan këta Mësues. Në qoftë se janë të ligj, ata nuk duan t’i dëgjojnë Ata.

Ishte fillimi i verës. Shenjtëria e Tij, Bahá’u’lláh-u, mori me qira tre kopshte, një për Tahirenë, një për Kudusin e një për Vete. Kur miqtë e morën vesh këtë, shumë prej tyre erdhën për t’i takuar. Më në fund u mblodhën tëtëdhjetë e një veta. Të gjithë ishin mysafirë të Bahá’u’lláh-ut.

Një ditë, ndërsa miqtë ishin duke ndenjur së bashku, erdhi një lajmëtar nga Tahireja. Mesazhi thoshte se ajo dëshironte që Kudusi të shkonte tek ajo. Meqënëse Kudusi nuk donte ta linte Bahá’u’lláh-un, ai e refuzoi ftesën e saj. Lajmëtari erdhi përsëri me të njëjtin mesazh. “Ajo këmbëngul për visitën tuaj”, tha ai. “Në qoftë se ju ngulni këmbë në refuzimin tuaj, ajo do të vijë vetë tek ju”.

Kudusi përsëri ishte duke thënë jo, por në atë moment, Tahireja erdhi vetë. Dhe për habinë e të gjithëve ajo nuk kishte veshur ferexhe.

Ne as që mund ta marrim me mend sa u tronditën ata kur e panë, sepse gratë gjithmonë vishnin ferexhe kur dilnin nga shtëpitë e tyre. Disa menduan se Tahireja ishte shumë e shthurur dhe do t’i ishin vërsulur, në qoftë se Shenjtëria e Tij, Bahá’u’lláh-u, nuk do t’i kishte ndaluar. Ai u foli butë atyre, duke i kërkuar të ishin të qetë e të kënaqur. Dhe fjalët e Tij i qetësuan ata.

Por Tahireja ishte aq e sigurt se po vepronte drejt, saqë fytyra e saj shkëlqente nga gëzimi. Një histori thotë se ajo thirri “Unë jam zëri i borisë, Unë jam thirrja e bririt. Unë do të zgjoj shpirtrat e fjetur”. Me këtë ajo kuptonte se kishte ardhur koha që ligjet e vjetra për gratë të ndryshoheshin.

Ndërsa ajo u fliste atyre, fjalët e saj ishin aq të ngjashme me ato të Kuranit sa të gjithë u çuditën e iu ngjall interesi. Pikërisht atëherë shenjtëria e Tij, Bahá’u’lláh-u, i dha asaj emrin Tahire, e Dëlira. Që atëherë gratë e Lindjes filluan të jenë më të lira në shumë drejtime. Sa mirënjohëse duhet të kenë qënë ato ndaj kësaj gruaje të mrekullushme.

Dhe që nga ajo kohë, jeta dhe zakonet e pasuesve të Báb-it ndyshuan në shumë drejtime. Ata e dinin që rendi i vjetër, ose mënyra e vjetër e të bërit të gjërave, kishte kaluar; dhe Rendi i Ri, ose Dita e Re, kishte ardhur. Kur ata shkuan në një qytet tjetër, Kudusi dhe Tahireja udhëtuan së bashku në të njetën karrocë.

21. VEGIMI I MUHAMET ALIUT

A ju kujtohet historia që tregon sesi u burgos Báb-i në kështjellën e Mah-Kusë? Pas një kohe ai u dërgua në një vend tjetër dhe më vonë në një tjetër. Por armiqtë e Tij nuk mundën t’i largonin njerëzit nga Ai. Përkundrazi, gjithnjë e më shumë njerëz e donin Atë dhe bëheshin pasues të Tij.

Do të ishte me interes për ju të dëgjonit për një djalë të ri të quajtur Muhamet Ali, i cili dëgjoi për Mesazhin e Báb-it dhe donte të shkonte tek Ai, edhe pse në atë kohë Báb-i ndodhej në burg. Aliu thoshte se do të ishte i lumtur të vdiste për Të.

Por njerku i tij nuk donte ta linte Muhamet Aliun të largohej nga qyteti. Më në fund ai e mbylli djaloshin në shtëpi dhe e mbante nën kontroll të rreptë. Ai nuk besonte në Mesazhin e Báb-it dhe kishte frikë se mos djali kishte humbur mendjen.

Një ditë ndodhi diçka e çuditshme. Deri në atë kohë Muhamet Aliu veç qante, sepse nuk mund të shkonte te Báb-i. Por papritur ai u bë shumë i gëzuar. Në vend që të qante, buzëqeshte.

A doni ta dini arsyen e këtij ndryshini? Ja cila është: Një ditë gjithë ditën Aliu i ishte lutur Báb-it që ta lejonte të shikonte fytyrën e Tij. Ai u lut aq shumë, saqë më në fund u duk sikur humbi ndjenjat. Pastaj ai pati një vegim.

Në këtë vegim ai dëgjoi zërin e Báb-it që po e thërriste. Zëri i tha të ngrihej, dhe kur u ngrit, iu duk sikur po shihte sytë e qeshur të Báb-it. I mbushur me gëzim e mirënjohje, djaloshi u sul dhe i ra Báb-it ndër këmbët.

“Gëzohu”, tha Báb-i, “po afron ora kur, pikërisht në këtë qytet, Unë do të qëndroj i varur para syve të turmës dhe do të bie viktimë e zjarrit të armikut. Unë nuk do të zgjedh askënd veç teje për të pirë me mua kupën e martirizimit. Të jesh i sigurt se premtimi që po të bëj do të përmbushet”.

A e dini se ç’donte të thoshte Báb-i me këto fjalë? Ai donte të thoshte këtë: Pas një kohe të shkurtër, Ai, Báb-i, do të vdiste pikërisht në atë qytet, ku shumë njerëz do ta vështronin. Dhe në atë kohë Ai do të zgjidhte djaloshin, Aliun, që të vdiste me Të. Ky ishte premtimi i Tij. Ju e kuptoni se ishte një bekim shumë i madh të vdisje me Báb-in dhe se të gjithë miqtë e tij dëshironin të ishin në këtë pozitë. Mirëpo vetëm ky djalosh, tha Ai, do të zgjidhej.

Ishte pikërisht ky premtim që e bëri Aliun aq të lumtur. Qysh nga ajo ditë asgjë nuk mund ta trishtonte atë. Ai tha se ndiehej sikur jetonte në një oqean gëzimi. Zëri i Báb-it vazhdonte të tingëllonte ende në veshët e tij dhe atij i dukej se e shihte Atë shumë herë natën dhe ditën. Njerku i tij nuk mund ta kuptonte arsyen e këtij ndryshimi, por tek e fundit ai e la atë të lirë.

Qysh nga ajo ditë, Aliu jetonte i qetë e i lumtur me familjen dhe miqtë e tij. Dhe të gjithë e donin atë aq shumë saqë kur ai vdiq me Báb-in, të gjithë njerëzit në qytet vajtuan me ngashërim për të.

22. GJYQI I BAB-IT

Gjatë kësaj kohe, turma gjithnjë e më të mëdha njerëzish vinin për të dëgjuar Mesazhin e Báb-it. Mirëpo pothuajse gjithmonë krerët e qytetit dhe miqtë e tyre ishin armiq të Tij dhe i dëshironin të keqen. A e dini pse?

Shumë prej tyre ndiheshin shumë krenarë sepse kishin studjuar më shumë se të tjerët dhe, pra, ata mund t’u shpjegonin Kuranin atyre. Disa të tjerë ishin krenarë sepse kishin shumë para dhe pozita të larta në qeveri. Të gjithë ata kishin frikë që, në qoftë se shumica e njerëzve do të bëheshin pasues të Báb-it, ata vetë nuk do të ishin aq të rëndësishëm. Ata mund të humbnin paratë ose pozitat e tyre. Dhe për këtë arsye, ngado që Báb-i shkonte, ata e trajtonin Atë egërsisht.

Por të gjithë ata që rrinin me Të qoftë edhe për pak kohë, bëheshin miq të Tij. Madje edhe kafshët dukej se e donin Atë, sepse po të ishin të egra bëheshin të buta. Kjo është një histori se ç’ndodhi një herë.

Princi, në shtëpinë e të cilit qëntronte Báb-i, donte të shihte nëse Ai ishte trim. Kështu që i dha Atij një kalë shumë të egër për ta ngarë. Kujdestari i kuajve shkoi fshehurazi te Báb-i dhe iu lut që të mos i hipte atij kali. Ai i tha Báb-it se ai kalë kishte rrëzuar të gjithë ata që ishin përpjekur t’i hipnin. Báb-i e falenderoi kujdestarin, por i tha që ta linte Atë në dorë të Perëndisë. Gjithçka do të shkonte mirë. Dhe me të vërtetë, kur Báb-i iu afrua qetësisht kalit, filloi ta përkëdhelte dhe vuri këmbën në yzengji, kali qëndronte pa lëvizur dhe e lejoi Atë t’i hipte në shpinë. Dhe kali vazhdonte të ishte i butë derisa Báb-i u kthye nga shëtitja.

Kaq shumë njerëz e ndiqnin Báb-in në rrugën e Tij për në qytetin e Tabrizit, saqë armiqtë e Tij, krerët fetarë, nuk e lejuan Atë të hynte në qytet. Ata kishin frikë se mos ndodhte ndonjë trazirë. Për këtë arsye ata i dërguarn fjalë Báb-it se ai duhej të qëndronte jashtë qytetit. Pastaj ata mbajtën një takim dhe i dërguan fjalë që Ai të paraqitej para tyre. Ata donin ta merrnin Atë në pyetje.

Kur Báb-i arriti, ai vuri re se të gjitha karriget ishin të zëna me përjashtim të njërës. Njerëzit vinin nga çdo anë. Sapo Báb-i kaloi përmes turmës dhe zuri vendin e zbrazët, menjëherë njerëzit sikur e ndien fuqinë e Tij. Të gjithë ishin duke biseduar me zë të lartë midis tyre. Papritur, një heshtje e thellë e misterioze ra mbi ta. Askush nuk guzonte të thoshte qoftë edhe një fjalë.

Më së fundi heshtja u thye nga njëri prej krerëve. “Kush pretendon ti se je", e pyeti ai Báb-in, "dhe cili është Mesazhi që ke sjellë?”

“Unë jam, Unë jam, Unë jam i Premtuari,” e theksoi tri herë Báb-i”. “Unë jam Ai, emrin e të Cilit ju e keni thirrur për njëmijë vjet, me përmëndjen e të Cilit ju jeni ngritur, ardhjen e të Cilit keni dashur me zjarr ta shihnit dhe orën e Revelacionit të të Cilit i jeni lutur Perëndisë ta shpejtojë”.

Puna është se ata kishin qënë në pritje të Tij e megjithatë, kur Ai erdhi, nuk e pranuan. Ata i bënë Atij shumë pyetje dhe Ai iu përgjigj të gjithave, por megjithatë ata refuzuan të besonin se Ai ishte i Premtuari. Ata e trajtuan Atë në mënyrë të turpshme dhe e dërguan përsëri në burg.

Lajmi për këtë mbledhje përshkoi gjithë vendin dhe i nxiti miqtë e Tij që të donin të bënin gjithnjë e më shumë për Të. Shumë të tjerë që nuk ishin pasues të Tij menduan se krerët fetarë nuk e kishin trajtuar drejt Atë, kështu u bënë edhe ata miq të Tij. Siç e shikoni, çfarëdo që ata u përpoqën të bënin kundër Tij nuk pati sukses, por vetëm bëri që edhe më shumë njerëz ta donin Atë.

23. FORTESA TABARSI

A ju kujtohet Mulla Hyseni? Ai ishte njeriu i parë të cilit Báb-i i tregoi të fshehtën se Ai ishte i Premtuari. Dhe qysh prej asaj nate të rëndësishme në Shiraz, Mulla Hyseni u tregonte të gjithëve për Báb-in.

Një ditë, te Mulla Hyseni erdhi një lajmëtar, i cilii solli atij çallmën e Báb-it dhe i tha të shkonte të ndihmonte Kudusin. Kudusi, ju e mbani mend, ishte ai që kaloi shkretëtirën bashkë me Báb-in për të shkuar në qytetin e Mekës.

Sapo e mori mesazhin, Mulla Hyseni i hipi kalit dhe u nis me dyqind e dy shokë të tij. Kudo që ndalonin, ata u jepnin njerëzve Mesazhin e Ditës së Re dhe zgjodhën disa prej atyre që besuan në Mesazhin që të shkonin me ta në udhëtimin e tyre.
Një herë, kur kishin ndalur për të pushuar, Mulla Hyseni u tha shokëve të tij, “Ai që është i papërgatitur për të përballuar sprovat e rënda që na presin, le të kthehet qysh tani në shtëpi dhe ta ndërpresë udhëtimin. Unë, bashkë me shtatëdhjetë e dy nga shokët e mi, do t'i nënshtrohemi vdekjes për të Shumëdashurin. Kush nuk është i aftë të heqë dorë nga kjo botë, le të ikë tani, që në këtë çast, sepse më vonë nuk do të jetë në gjendje të ikë".

Sigurisht, ju e dini se ç'donte të thoshte ai: ata që kishin frikë të vdisnin për Perëndinë, duhej të largoheshin menjëherë, para se të ishe shumë vonë. Njëzet prej tyre u larguan dhe u kthyen në shtëpi. Pastaj Mulla Hyseni u tha atyre që kishin mbetur të hiqnin dorë nga çdo gjë që zotëronin, veç kuajve e shpatave të tyre, në mënyrë që njerëzit të shihnin, se ata nuk dëshironin gjërat e kësaj bote. Ata dëshironin vetëm t’u mësonin njerëzve Mesazhin e Perëndisë.

Shumë herë, pjestarë të këtij grupi të vogël ishin të detyruar të luftonin për të mbrojtur jetën e tyre. Por udhëheqësi i tyre nuk i lejonte kurrë që ata ta nisnin luftën të parët. Ata luftonin vetëm kur ishte e domosdoshme. Të gjithë habiteshin me trimërinë e Mulla Hysenit, dhe një forcë misterioze dukej sikur i vinte atij sa herë që i nevojitej. Armiqtë e tij dridheshin madje edhe kur dëgjonin emrin e tij.

Një natë para se ata të mbërrinin te varri i Sheik Tabarsi-ut, rojtari i varrit pa në ëndërr se Mulla Hyseni kishte ardhur aty me një numër të madh njerëzish. Ai ëndërroi që ata qëndruan aty dhe fitonin çdo betejë kundër armiqve të tyre. Dhe një natë me ta u bashkua Profeti i Perëndisë. Ju e dini se Profetët janë ata Mësuesit hyjnorë, për të cilët kemi folur. Kur të nesërmen në mëngjez mbërriti Mulla Hyseni, rojtari e kuptoi se ky ishte ai që kishte parë në ëndërr, me të gjithë njerëzit që e shoqëronin. Rojtari i tregoi atij për ëndrrën që kishte parë.

"Gjithçka që ke parë”, i tha Mulla Hyseni rojtarit të varrit, "ka për të ndodhur".

Mulla Hyseni vendosi të ndërtonte një fortesë pranë varrit, dhe menjëherë i vuri njerëzit e tij në punë. Shumë herë atyre u duhej të ndërprisnin punnn dhe të luftonin për t'u mbrojtur nga sulmet e njerëzve të qyteteve aty pranë, të cilët përpiqeshin me të gjitha mënyrat t'i dëmtonin. Por ata gjithmonë i vinin përpara armiqtë e tyre. Më në fund, fortesa u ngrit.

Ajo sapo kishte përfunduar, kur Mulla Hyseni mori lajmin se ata do t'i vizitonte Bahá’u’lláh-u. Juve ju kujtohet se në ëndrrën e rojtarit të varrit, Profeti i Perëndisë do të bashkohej me ta. Ky Profet ishte Bahá’u’lláh-u.

Në atë kohë, ata që ishin me Mulla Hysenin nuk e dinin kush ishte Bahá’u’lláh-u dhe nuk e kuptonin përse udhëheqësi i tyre ishte aq i lumtur saqë harroi se ata ishin të pranishëm. Kur erdhi Bahá’u’lláh-u, askush nuk mund të ulej pa u thënë Mulla Hyseni, dhe ai harroi t'u thoshte, derisa vetë Bahá’u’lláh-u u tha të uleshin.

Bahá’u’lláh-u u tha atyre se ishte i kënaqur me fortesën dhe se vetëm një gjë i mungonte që të ishte e përsosur. Kudusi duhej të ishte me ta. Në atë kohë, Kudusi ndodhej në burg, por Bahá’u’lláh-u i tha Mulla Hysenit të dërgonte gjashtë veta për ta marrë dhe se ai do të lejohej të bashkohej me ta.

Para se të largohej, Bahá’u’lláh-u u tha atyre: "Çfarëdo që të ndodhë, fitorja është e juaja, një fitore e plotë dhe e sigurt".

Pasi u largua Bahá’u’lláh-u, Mulla Hyseni dërgoi gjashtë veta për të marrë Kudusin. Pastaj u tha të tjerëve se duhej ta trajtonin Kudusin njësoj sikur të ishte vetë Báb-i. "Përsa më përket mua", shtoi ai, "ju duhet të më shihni mua si shërbëtorin e tij të përunjur".

Kudusi arriti në fortesë gjatë natës. Kur erdhi lajmëtari që njoftoi se Kudusi ishte afër, Mulla Hyseni dhe njëqind nga njerëzit e tij u nisën në këmbë për ta takuar. Secili prej tyre mbante dy pishtarë të ndezur, kështu që gjithë pylli rreth tyre ishte i ndriçuar. Dhe ndërsa Kudusi ecte me kalë midis tyre, duke u kthyer në fortesë ata këndonin hymne gëzimi.

Pas asaj dite, sado egër sulmonte armiku fortesën, Kudusi lutej rregullisht me shokët e rreth tij. Askush s'e ndalonte dot t'i fliste në këtë mënyrë Perëndisë, Që ai donte dhe besonte.

Dhe ndërsa Kudusi ecte me kalë midis tyre, duke u kthyer në fortesë ata këndonin hymne gëzimi.

24. RRETHIMI

Për shumë javë, Kudusi, Mulla Hyseni dhe shokët e tyre u mbajtën brënda në fortesë prej atyre që donin t’u bënin keq. Ata nuk mund të dilnin jashtë për ushqime, sepse kushdo që dilte goditej me plumba. Më në fund, ata ngelën edhe pa ujë.

Kur dikush i foli Kudusit për këtë, ai tha: "Në dashtë Perëndia, pikërisht sonte një shi i rrëmbyr do t'i zerë kundërshtarët tanë, i pasuar nga njjë borë e madhe".

Dhe me të vërtetë: Pikërisht atë natë, ra një shi i madh që shkatërroi municionet e armikut. Në fortesë u grumbullua aq shumë ujë, sa të mjaftonte për një kohë të gjatë. Dhe natën tjetër ra një borë aq e madhe, saqë askush nga banorët në rrethinat pranë fortesës nuk mbante mend një gjë të tillë, as edhe në mes të dimrit. Pra, siç e shikoni, ajo që u shkaktoi armiqve një vështirësi aq të madhe, ishte një bekim për ata që ndodheshin në fortesë.

Grupi i vogël brënda fortesës e dinte se ushtria e madhe e armikut jashtë saj po përgatitej t’i sulmonte. Prandaj Kudusi vendosi të sulej mbi ta papritur dhe të përpiqej t’i zmbrapste ose t'i shpartallonte. Dy orë pas lindjes së diellit, ai së bashku me dy të tjerë u hypën kuajve dhe dolën jashtë fortesës. Të tjerët i pasuan në këmbë.

Sapo dolën jashtë fortesës të gjithë bërtitën me zë të lartë "Zot i Kohërave". Ky ishte një prej emrave të Mësuesit hyjnor Që ata prisnin.

Ushtima e madhe e thirrjeve të tyre dhe vezullimi i diellit mbi armët e tyre i trembi armiqtë. Ata vraponin në të gjitha drejtimet, duke lënë pas vetes çdo gjë që kishin. Dhe askush nga njerëzit e fortesës nuk humbi jetën.

Kudusi nuk i lejoi njerëzit e tij të ndiqnin armiqtë që iknin me të katra. Ai nuk dëshironte të dëmtohej askush pa qenë nevoja. Ai donte thjesht të tregonte fuqinë e Perëndisë, në mënyrë që njerëzit ta lejonin atë dhe pasuesit e tij të jepnin Mesazhin e tyre.

E njëjta gjë përsëritej vazhdimisht. Ushtria e vogël në fortesë dilte papritur, duke thirrur me zë të lartë "Zot i Kohërave". Dhe gjithmonë ata arrinin ta zmbrapsnin ushtrinë e madhe e të stërvitur mirë të armikut që kish ardhur kundër tyre. Në njërën prej këtyre betejave, Kudusi u godit nga një plumb dhe u plagos në gojë e në fyt. Mirëpo Mulla Hyseni, me nga një shpatë në secilën dorë dhe i pasuar nga pjesa tjetër e njerëzive të tij, arriti e zmbrapsi armikun. Pastaj ata u kthyen në fortesë bashkë me Kudusin, që e mori veten shumë shpejt.

Një herë, Bahá’u’lláh-u u nis për t'u bashkuar me miqtë e Tij në fortesë. Por Ai dhe ata që e shoqëronin u kapën nga armiku dhe u mbajtën të burgosur për një kohë. Bahá’u’lláh-u u trajtua shumë mirë dhe aspak si i burgosur. Në këtë mënyrë ai u mbajt larg atyre që ishin në fortesë. Dhe ishte shumë mirë që Ai nuk ndodhej me ta, sepse mund të ishte vrarë bashkë me të tjerët. Ju e shihni se në ç'mënyrë Perëndia kujdeset për Kauzën e Tij.

Pikërisht në njërën prej këtyre betejave, Mulla Hyseni humbi jetën. Ja si ndodhi kjo. Gjatë luftimit, kali i Mulla Hysenit u ngatërrua pas litarit të një çadre, dhe para se ai të mund të ikte një plumb e goditi Mulla Hysenin në gjoks. Ai u rrëzua nga kali, bëri pak hapa duke iu marrë këmbët dhe pastaj u rrëzua në tokë. Dy prej shokëve të tij e sollën atë në fortesë.

Në fortesë ndodhi një gjë e çuditshme. Megjithëse Mulla Hyseni ishte pa ndjenja kur e sollën në fortesë, Kudusi u tha të tjerëve t'i linin vetëm. Ai tha se dëshironte të fliste me Mulla Hysenin.

Nga një e çarë e portës njëri prej burrave e pa se ç'ndodhi. Sapo mbetën vetëm, Kudusi thirri Mulla Hysenin, i cili u ngrit në këmbë. Të tjerët e dëgjonin atë tek fliste e u përgjigjej pyetjeve.

Ata biseduan kështu dy orë. Pastaj dera u hap dhe doli Kudusi. "I dhashë lamtumirën e fundit", tha ai.

Ai shpjegoi se i kishte thënë Mulla Hysenit shumë gjëra, të cilat ai nuk ishte i përgatitur t’i dëgjonte më parë. Kur hynë të tjerët, Mulla Hyseni kishte vdekur. Në fytyrën e tij kishte një buzëqeshje dhe dukej sikur atë sapo e kishte zënë gjumi.

Mulla Hyseni u varros pranë varrit të Sheik Tabarsi-ut. Më pas edhe trupat e tridhjetë të tjerëve që kishin vdekur në atë betejë, u vendosën në të njëjtin vënd. Të gjithë ata kishin dhënë jetën për Kauzën e Perëndisë dhe kjo ishte gjëja më e lavdishme që mund të bënin.

25. VDEKJA E KUDUSIT

Pas largimit të Mulla Hysenit, për Fortesën erdhën kohë shumë të vështira. Armiku nuk lejonte asnjeri të të hynte ose të dilte dhe kështu ata mbetën pa ushqime. Por prania e Kudusit atje i bënte aq të lumtur, saqë ata e harronin urinë. Kur fillonin ta ndienin veten të dobët e të sëmurë, mjaftonte të shikonin fytyrën e tij të gëzuar e të dëgjonin zërin e tij dhe ndieheshin përsëri të fortë, në gjendje për të bërë gjithçka.

Një ditë, një gjyle topi ra në Fortesë dhe duke u rrokullisur u ndal mu në vendin ku qëndronte Kudusi. Por ai nuk u tremb fare, vetëm e largoi gjylen me këmbë. Pastaj u tha shokëve të tij se nuk duhej t'i trembeshin armikut. Çdonjëri prej tyre e kishte të paracaktuar orën e vdekjes. Dhe pa ardhur ajo orë, asgjë nuk mund t’i dëmtonte. Por në qoftë se ata do të lejonin që krisma e pushkëve t'i trembë, atëherë do t'i mohonin vetes mbrojtjen e Perëndisë. Kjo do të thotë që në qoftë se ata do të trembeshin, për shkak të kësaj nuk do të mund të mbroheshin. Ata duhej ta dinin se Ai do të kujdesej për ta. Kjo është diçka që ne duhet ta kemi parasysh në kohën e tanishme, apo jo?

Nuk kaloi shumë kohë dhe armiku u bind se ata nuk do të ishin kurrë në gjendje ta merrnin fortesën dhe ata shpirtra trima që ndodheshin në të. Prandaj përgatitën një plan shumë të lig. Ata vendosën t’u premtonin atyre që ndodheshin në fortesë se mund të ktheheshin shëndoshë e mirë nëpër shtëpitë e tyre. Dhe sapo të dilnin jashtë jashtë mbrojtjes së fortesës, mund të bënin ç'të donin me ta.

Kështu që komandanti i forcave armike u dërgoi atyre që ndodheshin në fortesë një kopje të Kuranit, duke u premtuar mbrojtje në qoftë se dilnin. Kudusi e ndjeu se oficeri nuk thoshte të vërtetën, por derisa ata u betuan për Kuranin, duhej tu zinin besë.

Kështu ata të gjithë dolën jashtë. Kudusi mbante në kokë çallmën e blertë, të cilën ia kishte dërguar Báb-i, dhe doli me kalin që i kishte dërguar princi që ishte në krye të ushtrisë armike.

Por gjithçka ndodhi ashtu siç kishte dyshuar Kudusi. Ata njerëz të ligj nuk e mbajtën premtimin e dhënë. Fortesa u shkatërrua plotësisht. Të gjithë shokët e Kudusit ose u vranë ose u shitën si skllevër.

Përsa i përket Kudusit, për njëfarë kohe princi e mbrojti. Megjithatë, më vonë krerët fetarë, që kishin qënë gjithmonë armiq të tij, dhanë urdhër që ai të dilte para tyre dhe t’u përgjigjej pyetjeve të tyre.

Princi e dinte se ata kishin për qëllim vdekjen e Kudusit, prandaj u tha, “Unë laj duart nga çdo përgjegjësi për atë që mund t’i ndodhë këtij njeriu. Jeni të lirë të bëni ç’të doni me të. Ju vetë do të përgjigjeni para Perëndisë në ditën e gjyqit”.

Pastaj menjeherë kërkoi kalin dhe u largua, duke e lënë Kudusin në duart e armiqve të tij. A nuk ishte ky një qëndrim prej frikacaku?

Ata e vranë Kudusin në mënyrë aq mizore, saqë kur Babi dëgjoi për këtë dhe për çfarë kishte ndodhur ne Fortesë, nga sytë e Tij rrodhën lotët çurg. Për nëntë ditë me radhë Ai nuk takoi asnjërin prej miqve të Tij dhe për gjashtë muaj plot nuk ishte në gjendje të shkruante.

Mirëpo Kudusi nuk u zemërua fare me ata që e dënuan me vdekje. Në dhimbjen e tij, Ai u dëgjua të thoshte, “Fali, o Perëndia im, mëkatet e këtyre njerëzve. Trajtoji ata me mëshirën Tënde, sepse nuk e dinë atë që ne tashmë kemi zbuluar e që e ruajmë në zemër... Tregoju atyre, o Perëndi, rrugën e së vërtetës dhe ktheje injorancën e tyre në besim”.

Është puna se atij i erdhi keq që ata nuk dinin për Báb-in dhe Bahá’u’lláh-un, siç dinte ai.

Dhe kështu Kudusi vdiq, siç pat bërë edhe Mulla Hyseni, dhe siç e dinte edhe Báb-i që më vonë edhe Ai do të vdiste për Kauzën e Perëndisë. Por gjatë gjithë kohës gjithnjë e më shumë njerëz besonin në Mesazhin e tyre, dhe kjo ishte gjithçka për të cilën ata kujdeseshin e mendonin.

26. HISTORIA E VAHIDIT

Vahidi ishte një udhëheqës tjetër i guximshëm i cili besoi në Mesazhin e Báb-it dhe u tregonte njerëzve për të. Për shkak të besimit të tij, guvernatori dërgoi ushtarë për t'i luftuar e shpartalluar shokët e tij. Kur Vahidi i dëgjoi që po vinin, i tha njërit prej pasuesve të tij të merrte gjashtë burra dhe të dilnin për t'u bërë ballë. Ata ishin vetëm pak veta, apo jo, për të përballuar ushtarët e stërvitur, por dëgjoni se ç’ndodhi.

Vahidi u tha burrave të bërtisnin shtatë herë me zë të lartë “Allah-u-Yqber”. që do të thotë “Perëndia është Më i Madhërishmi”. Herën e shtatë ata duhet të suleshin përpara dhe ta shpartallonin armikun. Të shtatë burrat kishin një besim të tillë, saqë dukej sikur papritur ishin bërë shumë më të fortë. Ata nuk patën vështirësi për t'i shpartalluar ushtarët. A nuk është diçka e mrekullueshme se ç'gjëra na ndihmon besimi të bëjmë?

Atë natë Vahidi u tha shokëve të tij të largoheshin me qetësi. Gruaja me fëmijët e tij u dërguan në shtëpinë e atit të saj, që të ishin më të sigurt. Pastaj në mes të natës Vahidi u largua nga qyteti pa e parë askush. Me të shkuan vetëm dy djemtë e tij të mëdhenj dhe dy shoqërues të tjerë.

Gjatë ditës u fshehën nëpër male dhe vëllai i Vahidit, që jetonte aty afër, u dërgoi ushqim. Po atë ditë një kompani ushtarësh të guvernatorit, që po ndiqnin Vahidin, kontrolluan në shtëpinë e vëllait të tij, por natyrisht nuk e gjetën.

Vahidi dhe shoqëruesit e tij vazhduan udhëtimin më tej, duke qëndruar në çdo fshat për të dhënë Mesazhin e tyre për Mësuesit e rinj dhe për Ditën e Re që kishte aguar.

Më në fund arritën në një vend të quajtur Nejriz. Këtu Vahidi dha përsëri Mesazhin e tij dhe gjithnjë e më shumë njerëz erdhën për ta dëgjuar. Aty u bënë aq shumë, saqë Vahidi kishte frikë se mos guvernatori dërgonte përsëri ushtarët kundër tyre. Kështu ai u tha atyre që kishin ardhur me të të shkonin në një kala të vjetër jo shumë larg prej andej dhe ta përforconin atë sa më shumë. Më vonë edhe ai erdhi për të jetuar në atë kala.

Sigurisht që guvernatori nuk do t’i linte ata të qetë. Ushtria e tij e sulmoi shumë herë fortesën, ku tani ndodheshin vetëm shtatëdhjetë e dy veta. Shumë nga këta shtatëdhjetë e dy ishin ose pleq ose djem të rinj. E megjithatë, sa herë suleshin përpara me thirrjen “Allah-u-Yqber”, ata i kallnin frikën armikut dhe e shpartallonin atë. A ju kujtohet sesi e njëjta gjë ndodhte edhe në rrethimin e fortesës Tabarsi?

Ashtu si dhe udhëheqësi i armiqve në Tabarsi, guvernatori më në fund arriti në përfundimin se nuk do të ishte në gjendje të fitonte në një betejë të ndershme kundër një grushti të vogël burrash e djemsh në fortesë. Ai mendoi se duhet t'i mashtronte ata. Kështu ai i dërgoi Vahidit një mesazh, ku i thoshte se ai dhe miqtë e tij nuk e kishin kuptuar se çfarë donte Vahidi. Ata mendonin se ai donte të bëhej një drejtuesi i madh në qytet.

Tani, thonin ata, e kishin kuptuar se ai donte vetëm të jepte Mesazhin e tij. Po qe se ai do të shkonte tek ata, do të bënin paqe dhe ai e pasuesit e tij do të liheshin të lirë. Në qoftë se ai nuk do ta bënte këtë, të gjithë do të vriteshin.

Ashtu si dhe Kudusi në Tabarsi, Vahidi e dinte se guvernatori nuk mendonte aspak kështu, por ai e ndjeu se duhej të shfrytëzonte rastin për të përhapur përsëri Mesazhin e tij. Ai dhe ata pak shokë që mori me vete në takim u trajtuan mirë. Armiqtë e tyre nuk guxonin të bënin gjë derisa miqtë e Vahidit ishin ende në fortesë. Prandaj bënë që ai të dërgonte një letër për shokët e tij në fortesë, ku u thoshte atyre të vinin në shtabin e ushtrisë.

Duke e ditur që guvernatori kishte ndërmend t’i vriste ata kur të dilnin nga fortesa, Vahidi në mënyrë të fshehtë shkruajti një letër të dytë, ku u thoshte atyre të rrinin aty ku ishin. Lajmëtari duhej të zhdukte letrën e parë dhe të çonte në fortesë të dytën.

Por ky lajmëtar nuk ishte besnik i Vahidit. Ai zhduku letrën e dytë dhe çoi në fortesë të parën. Dhe kur shokët e Vahidit dolën nga fortesa, ata u shpartalluan dhe shumë prej tyre u vranë.

Pas kësaj guvernatori dhe miqtë e tij s’kishin më frikë dhe dënuan me vdekje Vahidin dhe ata që kishin shkuar me të. Kështu ndodhi që një tjetër burrë i guximshëm dha jetën për Kauzën e Perëndisë. Por ai kishte bërë shumë, shumë shokë për të vazhduar punën e tij.

27. MARTIRIZIMI I BAB-IT

A e dini ç’do të thotë fjala martirizim? Do të thotë të vdesësh për Kauzën e Perëndisë. Ata që dënohen me vdekje sepse përpiqen të përhapin mësimet për Perëndinë e për atë që dëshiron Ai, quhen martirë. Sigurisht të gjithë këta njerëz për të cilët kemi dëgjuar deri tani kanë qenë martirë. Ata vdiqën duke u përpjekur t'u tregojnë njerëzve se një Mësues i ri hyjnor, Báb-i, kishte ardhur në tokë.

Ndoshta ju mund të mendoni se pasi ishin vrarë aq shumë veta, njerëzit kishin frikë të dëgjonin dhe të thoshin se besonin. Megjithatë, me shumë prej tyre nuk ndodhte kështu. Kur shihnin se kaq shumë njerëz ishin të lumtur të jepnin jetën për këtë Kauzë, ata e kuptonin se Ajo duhej të ishte e vërtetë. Gjithnjë e më shumë njerëz bëheshin pasues të Báb-it. Asnjë nuk kishte mundur t’i bënte keq Atij. Kudo që Ai shkonte më të shumtët e njerëzve e donin dhe ishin gati të jepnin jetën për Të. Disa madje puthnin pluhurin ku shkelte Ai.

Mirëpo Veziri i Madh e urrente Báb-in. Veziri i Madh ishte njeriu mi i afërt i Shahut dhe e ndihmonte atë të vendoste çfarë duhej të bënte. Kjo, natyrisht, ishte një pozitë shumë e rëndësishme. Ai nuk e kuptonte Mesazhin e Báb-it dhe nuk dëshironte që Báb-i të bisedonte me Shahun, sepse kishte frikë se mos edhe Shahu do të besonte në Mesazhin e ri. Veziri i Madh kishte frikë se, po të ndodhte kjo, ai mund të humbiste pozitën e tij.

Ai vendosi, pra, që në njëfarë mënyre Báb-i duhej të vdiste. Ai mendoi se atëherë pasuesit e tij do të kishin frikë të vazhdonin punën pa Të, dhe kështu Kauza do të shuhej. Prandaj ai dërgoi një ushtarak në burugun ku ndodhej Báb-i. Ky ushtarak duhej ta sillte Báb-in në Tabriz.

Báb-i e dinte ç’po ndodhte edhe pse ishte i burgosur shumë larg. Dyzet ditë para se të vinte urdhri, Ai mblodhi të gjitha shkrimet e Tij. Bashkë me to vendosi mjetet e shkrimit e vulat e Tij dhe me anë të njërit prej Shkronjave të të Gjallit ia dërgoi Ahmetit, sekretarit të Tij. Ai e porositi lajmëtarin të tregonte kujdesin më të madh për to dhe të mos i thoshte askujt veç Ahmetit.

Kur këto gjëra iu dhanë Ahmetit, ai gjeti midis tyre edhe një letër nga Báb-i. Në këtë letër Báb-i thoshte se këto gjëra të çmuara duhet t’i dërgoheshin Bahá’u’lláh-ut. Kështu Ahmeti menjëherë u nis për në Teheran, ku i dha gjërat Bahá’u’lláh-ut.

Tre ditë pasi Báb-i u çua në Tabriz, erdhi një urdhër erdhi nga Veziri i Madh, që thoshte se po atë ditë Báb-i të ekzekutohej në oborrin e kazermave ku rrinin ushtarët. Dhe kushdo që thoshte se ishte pasues i Báb-it gjithashtu të vritej.

Njeriu, në shtëpinë e të cilit rrinte Báb-i, refuzoi të kishte të bënte me këtë urdhër të poshtër. Kështu erdhi një urdhër tjetër që Báb-i dhe sekretari i Tij të çoheshin në një dhomë në kazermat. Dhjetë burra u vendosën të ruanin derën e dhomës së Tij.

Nëpër rrugë kishte një rrëmujë të madhe, kur Báb-in dhe Hysenin, sekretarin e Tij, i çuan në kazermat. Kur ata arritën afër kazermave, papritur një djalë i ri çau turmën dhe u hodh në këmbët e Báb-it.

“Mos më përzë prej Teje, o Mjeshtër" u lut ai. "Kudo që të shkosh Ti, më lejo të vi me Ty”.

“Muhamet-Ali”, u përgjigj Báb-i, “ngreu dhe ji i sigurt se do të jesh me Mua. Nesër do të shohësh çfarë ka urdhëruar Perëndia”.
A ju kujtohet Muhamet-Aliu? Ishte ai djali i ri që kishte parë në ëndërr se Báb-i kishte ardhur dhe i kishte premtuar se ai do të vdiste bashkë me Të. Tani premtimi po përmbushej. Edhe dy të tjerë nxituan për te Báb-i dhe i vendosën në të njëjtën qeli ose dhomë me Të e Hysenin.

Atë natë fytyra e Báb-it shkëlqente nga gëzimi, kur Ai fliste me shokët e Tij.

Të nesërmen, ndësa Bab-i ishte duke biseduar me Hysenin, u ndërprenë nga një oficer i kazermave, që kishte ardhur të merrte Hysenin. “Para se t’i kem thënë të gjitha gjërat që dëshiroj t’i them”, e paralajmëroj Báb-i oficerin “nuk ka fuqi tokësore që të më bëjë të hesht. Sikur gjithë bota të ngrihet me armë kundër Meje, ajo do të jetë e pafuqishme të më pengojë që të përmbush, deri në fjalën e fundit, qëllimin Tim”.

Oficeri u habit nga fjalët e Tij. Megjithatë, ai nuk tha asgjë veçse i kërkoi Hysenit ta ndiqte.

Po atë mëngjes Muhamet-Aliut i thanë që, po qe se ai do të kthehej kundër Báb-it dhe nuk do tëgjonte më Atë, do t'i falej jeta.

“Kurrë”, thirri ai.“Tek Ai unë kam gjetur parajsën”.

Kështu atë e dorëzuan në duart e Sam Hanit, i cili ishte komandant i regjimentit që do të ekzekutonte Báb-in. Dhe ai do të vdiste, në rast se nuk do bënte siç i thanë ata.

Sam Hani po e shihte gjithnjë e më të vështirë të zbatonte urdhërat kur njohu të Burgosurin e tij. Ai i tha Báb-it se ishte i krishterë dhe nuk ia donte të keqen. Pastaj kërkoi që të mos ishte ai që t’i merrte jetën Báb-it.

“Zbato urdhërat që ke marrë”, i tha Báb-i, “dhe po qe se qëllimi juaj është i sinqertë, Fuqiploti është me siguri në gjendje t'ju qetësojë”.

Në murin e kazermës u ngul një gozhdë. Nga kjo gozhdë do të vareshin të lidhur me litar Báb-i dhe shoku i Tij. Muhamet-Aliu kërkoi që trupi i tij të vendosej në mënyrë të tillë që të mbulonte atë të Báb-it. Atë e varën në një pozicion që koka e tij mbështetej në gjoksin e Báb-it.

Shtatëqind e pesëdhjetë ushtarë u rreshtuan dhe hapën zjarr kundër të dyve. Tymi i pushkëve mbuloi dritën e diellit dhe e ktheu ditën në errësirë.

Shumë njerëz ishin mbledhur në çatitë e ndërtesave për të parë. Kur reja e tymit u shpërnda, ata s’u besonin dot syve të tyre. Muhamet-Aliu qëndronte para tyre, i gjallë e krejt i paprekur. Litari me të cilin vareshin të lidhur ata të dy ishte këputur dhe Báb-i ishte zhdukur.

Ushtarët filluan ta kërkonin si të çmendur gjithandej. Më në fund e gjetën në dhomën ku kishte kaluar natën. Ai po përfundonte bisedën me Hysenin, atë bisedë që ua patën ndërprerë në mëngjes. Ashtu si Muhamet-Aliu, Báb-i ishte i paprekur.

“E përfundova bisedën me Sijid Hysenin”, i tha Báb-i ushtarit. “Tani mund të përmbushni qëllimin tuaj”.

Por Sam Hani ishte aq i hutuar nga ajo që kishte ndodhur, saqë i urdhëroi njerëzit e tij të largoheshin menjëherë nga kazermat. Ai tha se nuk donte të kishte më të bënte me vrasjen e Báb-it edhe sikur kjo t’i kushtonte jetën atij vetë.

Sollën një regjiment tjetër. Báb-in dhe shokun e tij i varën përsëri me litar. Këtë herë urdhri i poshtër u zbatua dhe të dy mbetën të vrarë.

Në çastin që pushkët qëlluan, një stuhi e madhe shpërtheu në gjithë qytetin. Një vorbull pluhuri mbuloi dritën e diellit dhe verboi sytë e njerëzve që po shikonin. Gjithë qyteti ishte në errësirë nga dreka deri natën. Por edhe pas asaj që ndodhi, njerëzit ende nuk e kuptonin ç'gjë të tmerrshme kishin bërë.

Poshtërsia e këtyre njerëzve i shkaktoi të këqia të mëdha vendit të tyre. Shumë veta që e kishin parë dhe nuk ishin përpjekur ta shpëtonin Báb-in së shpejti vdiqën ose humbën paratë e pronat e tyre. Sëmundje të çuditshme, për të cilat askush nuk dinte, shkaktuan vdekjen e shumë njerëzve.

Përsa i përket regjimentit që kishte hapur zjarr i fundit kundër Báb-it, ata gjithashtu vuajtën shumë. Disa u vranë gjatë një tërmeti. Disa të tjerë, ndërsa po rrinin nën hijen e një muri, vdiqën sepse muri u shemb dhe i zuri poshtë.

Me vdekjen e Báb-it, armiqtë e tij ishin të sigurt që Kauza e Tij do të shuhej. Por ju do ta shihni sa të gabuar ishin ata. Asgjë nuk mund të vriste Kauzën për të cilën Ai dha jetën, sepse nuk ishte kjo dëshira e Perëndisë.

28. HUXHATI

Ky tregim bën fjalë për një burrë tjetër të guximshëm, i cili dëshironte të jepte edhe jetën, po të ishte e nevojshme, për Báb-in dhe Kauzën e Tij. Ai jetonte në Zanxhan dhe quhej Huxhat. Ai ishte shumë i mençur dhe njerëzit e donin aq shumë sa mblidheshin rreth tij për ta dëgjuar kur fliste.

Por kur Huxhati dëgjoi për Báb-in dhe filloi t'u përcillte njerëzve këtë Mesazh, udhëheqësit fetarë u ngritën menjëherë kundër tij. A nuk është e çuditshme që ata gjithmonë kanë vepruar kështu kur është thënë e vërteta?

Kur Huxhati dëgjoi për rrethimin e Tabarsi-ut, ai kishte dëshirë të madhe të shkonte t’i ndihmonte këta burra të guximshëm në fortesë. Por në atë kohë ai ishte i burgosur në Teheran dhe s’mund të shkonte. Pas pak kohësh ai u arratis nga burgu i veshur tebdil dhe u kthye në shtëpinë e tij. Burra, gra e fëmijë erdhën të takoheshin me të dhe donin ta ndihmonin me atë në çdo mënyrë që të mundnin.

Populli i Zanxhanit ishte paralajmëruar se ata që i vënë veshin Huxhatit do të jenë në rrezik të humbasin jetën. Natyrisht kjo nuk i trembi shumë prej miqve të Huxhatit. Sidoqoftë, ata vendosën të gjenin mbrojtje në një fortesë aty afër, sepse e dinin që guvernatori do të dërgonte së shpejti ushtarët e tij kundër tyre. Gratë dhe fëmijët e tyre u vendosën në fortesë bashkë me ta.

Këtu ndodhi e njëjta gjë që pat ndodhur në Tabarsi e Nejriz. Sa herë që ushtria e guvernatorit sulmonte fortesën, një pakicë burrash që ndodheshin në fortesë suleshin përpara duke thirrur: “Zot i Kohërave”. Kaq e fuqishme ishte thirrja e tyre, saqë armiku ia mbathte menjëherë. Madje edhe njerëzit në qytet dridheshin nga frika prej thirrjes së tyre, e cila atyre u tingëllonte si gjëmim. Ashtu si dhe pasuesit e tjerë të Báb-it, ata vrisnin njeri vetëm për të shpëtuar jetën e vet dhe të fëmijëve e të grave të tyre.

Megjithatë, në fortesë u krijuan vështirësi, sepse shpejt ata mbetën pa ushqim të mjaftueshëm. Gjithçka që mund të siguronin e sillnin disa gra që ishin në gjendje të vinin në fortesë. Dhe për këtë ushqim u duhej të paguanin shumë para.

Në atë kohë ishte një vajzë nga një fshat aty afër, e cila dëshironte t'i ndihmonte ata. Kështu, ajo u vesh si burrë, mori një pushkë, një shpatë e një mburojë dhe u sul të luftonte bashkë me luftëtarët e tjerë. Askush nuk e dinte që ajo ishte vajzë, dhe ajo ishte aq e guximshme saqë i bënte edhe të tjerët ta ndienin veten më të guximshëm. Përsëri ata i zmbrapsën forcat e mëdha që kishin ardhur kundër tyre.

Më në fund Huxhati, i cili po shikonte nga fortesa, e njohu atë dhe çoi e thirri të kthehej në fortesë. Ajo shpërtheu në vaj dhe iu lut atij të mos i thoshte askujt se ajo nuk ishte burrë dhe ta lejonte të shkonte përsëri në ndihmë të shokëve të saj. Më në fund ai e lejoi.

Për pesë muaj me radhë ajo luftoi bashkë me të tjerët dhe u jepte zemër atyre. Madje flinte me shpatë nën kokë. Ajo më tepër se çdo gjë donte të jepte jetën për Kauzën. Dhe më në fund një ditë dëshira e saj u përmbush, sepse u vra duke u përpjekur të zmbrapste armikun. Pas vdekjes së saj njëzet gra u bënë pasuese të Báb-it për hir të saj.

Një herë Huxhati i shkroi Shahut duke i kërkuar ndihmë, por letra kurrë nuk arriti tek ai. Lajmëtarin e kishin kapur e vrarë. Letra ishte grisur dhe në vend të saj Shahut iu dërgua një letër tjetër plot shpifje për trimat në fortesë.

Gratë në fortesë ndihmonin duke pjekur bukë, duke u kujdesur për të plagosurit dhe duke u dhënë zemër e inkurajuar luftëtarët. Edhe fëmijët ishin të etur për të ndihmuar.

Më në fund guvernatori vendosi t'i mashtronte ata, ashtu siç kishin mashtruar edhe ata në fortesat e tjera. Huxhati dërgoi disa veta të takoheshin me guvernatorin, por ata ose i vranë ose i burgosën. Vetëm njëri, një fëmijë nëntë vjeç shpëtoi dhe u kthye në fortesë për t’u treguar ç’kishte ndodhur.

Më në fund, një ditë Huxhati u plagos në krah nga një plumb. Kur e panë të gjakosur udhëheqësin e tyre të dashur, shokët e tij lanë pushkët dhe vrapuan tek ai. Pikërisht atëherë armiku mundi të hynte në fortesë. Ndonja njëqind gra e fëmijë u kapën dhe më pas shumë prej tyre vdiqën nga të ftohtit.

Burrat që nuk ishin kapur vazhduan të luftonin trimërisht, por çdo ditë shumë prej tyre vriteshin. Dhe më në fund një ditë, ndërsa i lutej Báb-it, Huxhati vdiq nga plaga që kishte marrë në krah.

Dhe përsëri armiqtë menduan se e kishin shuar Kauzën e Perëndisë. Por shumë më tepër njerëz besonin në Mesazhin e Tij për shkak të atyre që kishin vdekur me aq trimëri.

29. BAHÁ’U’LLÁH-U

Pas vdekjes të Báb-it e të shumë pasuesve të Tij trima, armiqtë e Besimit menduan se nuk do të kishin më shqetësime me Bábí-të. Ata ishin quajtur Bábí pasi ishin pasues të Báb-it. Ata ishin shpërndarë në të katër anët e vendit dhe, sigurisht, ndiheshin shumë të hidhëruar e të shkurajuar për ato gjëra të tmerrshme që kishin ndodhur.

Por megjithse një udhëheqës i madh ishte larguar, një tjetër po vinte. Báb-i u kishte thënë pasuesve të Tij se Ai kishte ardhur të pregatiste rrugën për Mësuesin e dytë hyjnor Që Perëndia do të dërgonte. Báb-i e quante Atë “Shenjtëria e Tij”.

Siç e shihni, ishte shumë e nevojshme të përgatitej rruga, sepse në fillim njerëzit kurrë nuk janë gati për një ndryshim kaq të madh. Ata dëshirojnë të mbajnë gjërat e vjetra që gjithmonë i kanë ditur. Kjo është aryeja që shumë prej tyre nuk dëshironin ta dëgjonin Báb-in. Ata mendonin se Muhameti dhe Kurani ishin boll për ta. Por nga koha që Mesazhi për një Mësues të ri ishte përhapur në mbarë vendin, rruga për të dytin ishte bërë më e lehtë. Ishte, pra, e mundur të dërgohej Mesazhi i Tij në gjithë botën.

Kështu, pas martirizimt të Báb-it pasuesit e Tij që kishin mbetur nuk ishin vetëm. Shenjtëria e Tij, Bahá’u’lláh-u, i mblodhi ata së bashku aq sa mundi dhe u dha zemër që të vazhdonin me Mësimet e Ditës së Re.

Ju e dini se ndonjëherë njerëzit janë fare të marrë. Ata bëjnë veprime pa u ndalur për të menduar se çfarë do të ndodhë më pas. Kjo ishte e keqja me dy djem të rinj që jetonin në vendin e Bahá’u’lláh-ut. Ata u përpoqën të vrisnin Shahun, sepse shumë nga shokët e tyre i kishin vrarë. Ata nuk arritën ta vrisnin atë, por për shkak të veprimit të tyre të pamenduar ndodhën ngjarje të tmerrshme.

Duke qenë se të dy këta djem ishin Bábí, u fajësuan të gjithë Bábi-të e tjerë. Populli ishte shumë i eksituar dhe shumë njerëz, ndonëse s’kishin të bënin aspak me atë që ndodhi, do ta pësonin. Madje edhe Shenjtëria e Tij, Bahá’u’lláh-u, u fajësua sepse tani Ai ishte udhëheqesi i Bábí-ve. Atë e trajtuan me egërsinë më të madhe dhe më në fund e mbyllën në një birucë të errët të nëndheshme. Qafa dhe këmbët e Tij ishin të lidhura me zinxhirë të rëndë. Për tri ditë Atij nuk i dhanë as ushqim as ujë për të pirë.

Në atë kohë Dega më e Madhe ishte një djalë i vogël, tetë vjeç. Siç e dini, Dega më e Madhe ishte ‘Abdu’l-Bahá-i, Djali i Shenjtërisë së Tij, Bahá’u’lláh-ut. Ai dhe pjesa tjetër e familjes jetonin me një xhaxha të tyre, kur i Ati ndodhej në burg.

Sa herë që Djalin e vogël e dërgonin jashtë në rrugë, djem të tjerë të moshës së Tij e ndiqnin duke e qëlluar me gurë. Një ditë Ai po kthehej vetëm në shtëpi nga pazari dhe, kur ktheu kokën prapa, pa një grup djemsh që vraponin drejt Tij me gurë e shkopinj në duar. E vetmja rrugë për të shpëtuar Veten ishte t'u tregonte atyre se nuk kishte frikë. Kështu ai shkoi drejt tyre me një qëndrim aq të guximshëm e të vendosur saqë ata u kthyen mbrapsht e ua mbathën. Që nga ajo ditë, ata nuk e ngacmuan më Atë.

Kur Bahá’u’lláh-un e futën në burg, shumë pasues të Tij gjithashtu u burgosën. Dhe megjithëse vuajtën shumë në atë vend të tmerrshëm ku ndodheshin, ata ishin shumë të gëzuar, sepse Bahá’u’lláh-u ishte me ta. Ata madje ia merrnin këngës atje në errësirë. Shumë prej tyre vdiqën, por më në fund Bahá’u’lláh-u u lirua. Kjo ndodhi sepse një nga ata që ishte ishte përpjekur të vriste Shahun, tregoi se ai e kishte bërë këtë. Por gjatë gjithë jetës Bahá’u’lláh-u barti në trupin eTij shënjat e atij burgu të tmerrshëm.

Ndëshkimi i Bábí-ve u ndalua tani nga një urdhër i Shahut. Por sapo Bahá’u’lláh-u doli nga burgu, Atij iu dha një urdhër tjetër nga Shahu që të largohej menjëherë nga Persia së bashku me familjen e Tij. Një oficer rus që ndodhej në Teheran e ftoi Bahá’u’lláh-un të shkonte të jetonte në Rusi, por Ai refuzoi, sepse nuk ishte kjo dëshira e Perëndisë. Dhe një ditë, me një nga rojet e Shahut e me një oficer rus, Ai dhe familja e Tij u larguan nga vendi ku kishin jetuar gjithmonë e u nisën për në Irak, në male.

Ndoshta një ditë ju mund të jeni një nga këta mësues që do të udhëtojnë në vende të largëta për tu treguar njerëzve për Bahá’u’lláh-un dhe për Ditën e Re.

30. KAUZA E PERËNDISË SOT

Kur hedhim një vështrim prapa dhe kujtojmë të gjitha ato gjëra të tmerrshme që ndodhën pasi Ahmeti filloi t'u tregojë njerëzve për të Premtuarin, çuditemi sesi Kauza e Perëndisë ka mundur të jetojë dhe ne dëgjojmë sot për të.

Në disa pjesë të botës njerëzit kanë mësuar më shumë për Krishtin, në disa të tjera për Muhametin e në të tjera akoma për Moisiun. Tani, falë atyre burrave e grave sypatrembur që dhanë jetën për t'u treguar njerëzve për Mësuesit e rinj, në të gjithë botën kanë dëgjuar për Báb-in dhe Shenjtërinë e Tij, Bahá’u’lláh-un. Sikur të mendojmë edhe njëherë për këta martirë trima.

A ju kujtohet Sheik Ahmeti, i cili ishte i pari që e dinte se kishte ardhur koha për të Premtuarin? Pastaj ishte shoku i tij, Sijid Qazimi. A ju kujtohet sesi ai pa Báb-in dhe u ftua në shtëpinë e Tij? Të dy këta njerëz të mëdhenj u treguan shumë njerëzve për Të. Ishte njëlloj sikur ata të kishin punuar tokën, që Kauza e Perëndisë të fillonte të rritej.

Pasi Sheik Ahmeti e Sijid Qazimi vdiqën, Kudusi dhe Mulla Hyseni vazhduan punën e tyre. Por a ju kujtohet ç’gjëra të tmerrshme ndodhën në Tabarsi dhe sesi Kudusi e Mulla Hyseni që të dy u bënë martirë, domethënë vdiqën për Kauzën e Perëndisë?

Pastaj kemi Vahidin e Huxhatin, që ishin të detyruan të luftonin aq shumë për të shpëtuar jetët e tyre për aq kohë sa t'u tregonin njerëzve për të Premtuarin. E më në fund ata gjithashtu u martirizuan.

Pastaj edhe Vetë Báb-i u vra nga këta njerëz mizorë e të poshtër që nuk donin të dëgjonin Mesazhin e Tij. Kur Ai vdiq, armiqtë e Tij menduan se nuk do të dëgjonin më për atë Mesazh. Por ne e dimë tani se ç’ndodhi.

Mbeti Shenjtëria e Tij, Bahá’u’lláh-u, dhe të gjithë ata që kishin dëgjuar e besonin në Mesazhin e Báb-it u kthyen drejt Tij. Por ju e kujtoni gjënë tragjike që ndodhi. Një djalë i ri u përpoq të vriste Shahun dhe të gjithë Bábí-të u fajësuan për këtë, madje edhe Bahá’u’lláh-u.

Tahireja, gruaja trime, e cila i ndihmoi aq shumë gratë e Persisë dhe që u mësoi atyre për të Premtuarin, u vra. Të gjithë Shkronjat e të Gjallit ose u vranë, ose u futën në burg, ose u dëbuan jashtë vendit. Dhe sa shumë të tjerë janë vrarëë, madje edhe gra e fëmijë.

Dhe sikur të gjitha këto të mos mjaftonin, Shenjtëria a Tij, Bahá’u’lláh-u, u surgjynos apo u dëbua larg vendit të Tij, ku kishte lindur e jetuar gjithmonë. Atij dhe familjes së Tij iu desh të kalonin përmes malesh në mes të një dimri të ftohtë dhe të vendoseshin në një vend të quajtur Irak. Dhe që andej shkuan në Palestinë, e quajtur tani Toka e Shenjtë, sepse shumë prej këtyre Mësuesve hyjnorë kishin jetuar atje.

S'ka asgjë për t'u çuditur që Shahu besonte se nuk kishte për të dëgjuar kurrë më për Báb-in, për Bahá’u’lláh-un, ose për Mesazhin e Tyre. Po sa i gabuar e sa i marrë që ishte! Ka diçka në këtë Kauzë të madhe të Perëndisë që nuk e lë Atë të vdesë.

Thonë se koha më e errët është pikërisht para agimit, para se të lindë dita e re. Kështu është edhe me Kauzën e Perëndisë. Armiqtë e Saj besonin se Ajo ishte zhdukur krejtësisht dhe se ata nuk do të dëgjonin më kurrë për të. Por ajo ishte pikërisht koha që Ajo filloi të bëhej gjithnjë e më e fortë.

Shahu nuk e dinte këtë, ngaqë mendonte se ishte aq i madh e i fuqishëm, por ai s'ishte veçse një mjet për ta nisur Kauzën e Perëndisë në një vend tjetër. Në atë vend Shenjtëria e Tij, Bahá’u’lláh-u, ishte shumë më i lirë të përhapte Mesazhin e Tij. Tani Ai është përhapur në gjithë këtë botë të madhe. Ata që janë pjesë e Tij nuk quhen më Bábí. Ata quhen Bahá’í, sipas emrit të Bahá’u’lláh-ut. Ka Bahá’í në mbi dyqind vende të botës dhe libra të Báb-it, të Bahá’u’lláh-ut e të ‘Abdu’l-Bahá-it janë botuar në shumë gjuhë, në mënyrë që njerëzit në këto vende të mund t’i lexojnë ato.

Kauza është si pema. Në fillim, kur Sheik Ahmeti filloi t’iu mësonte njerëzve për të Premtuarin, ishte, sikundër e thamë, sikur të mbillje një farë të vogël. Por kjo farë u rrit e u rrit, dhe tani shumë njerëz në mbarë botën strehohen nën degët e saj.

‘Abdu’l-Bahá-i e solli lajmin e madh lidhur me Báb-in e Bahá’u’lláh-un në Amerikë, në Angli e në shumë vende të tjera. A ju kujtohet historia e ‘Abdu’l-Bahá-it kur ishte djalë i vogël dhe djemtë e tjerë nuk silleshin mirë me Të? Kjo ndodhte kur Ati i Tij, Bahá’u’lláh-u, ndodhej në burg.

Tani Shenjtëria e Tij, Bahá’u’lláh-u, dhe ‘Abdu’l-Bahá-i kanë shkuar që të dy në atë vend të bukur, ku do të shkojmë edhe ne, kur puna jonë në këtë botë të jetë kryer, por gjatë gjithë kësaj kohe Kauza është rritur vazhdimisht. Një ditë, çdo njeri në mbarë botën do mësojë për të, sepse ata që dinë për të janë të lumtur t'ua tregojnë dikuj tjetër.

Ndoshta një ditë ju mund të jeni një nga këta mësues që do të udhëtojnë në vende të largëta për tu treguar njerëzve për Bahá’u’lláh-un dhe për Ditën e Re. Ne ende nuk e dimë ç'gjëra të mëdha do bëjnë këta mësues. Në kohën e Báb-it e të Shenjtërisë së Tij, Bahá’u’lláh-ut, kishte shumë luftëra e vrasje, por në Ditën e Re, e cila sapo po fillon tani, Bahá’u’lláh-u thotë se nuk do të ketë më luftëra.

A nuk do të jetë një botë e bukur, kur çdo njeri do jetë i dashur, do të mendojë për të tjerët dhe kurrë nuk do të dëshirojë t’i bëjë keq askujt? Ne mund të fillojmë që tani, apo jo, ashtu si Báb-i filloi kur ishte djalë i vogël? Dhe Perëndia do të na ndihmojë, ashtu siç ka ndihmuar ata të tjerët, që të parët lanë shtëpitë e tyre për të treguar për të Premtuarin.

Autor: administrator - Kategorie: Për fëmijë - Strany: 0 - Kapitoly: 0
© www.erfan.cz & phpRS