""... Zhytuni në këtë Oqean, në thellësitë e të cilit gjenden
të fshehura margaritarët e dijes..."
Bahá'u'lláh
Kërkimi
Kërkim i zgjeruar

Kategorie
  
  Bahá’í
   Për fëmijë
   Përmbledhje
   Studime Bahá’í
   Tekste bazë Bahá’í
 

Edukimi Bahá'í


EDUKIMI BAHÁ’Í

Përmbledhje


Përmbledhur nga Departamenti i Kërkimeve
i Shtëpisë Universale të Drejtësisë

Gusht 1976, Rishikuar Qershor 1989

 


Original Title:
A Compilation on Bahá’í Education
Compiled by the Research Department of The Universal House of Justice, August 1976, Revised June 1989
Published by: Bahá’í Publications Australia, in “The Compilation of Compilations”, Vol. I, 1991
Text: Albanian

Përkthyer e botuar nën kujdesen e Komitetit të Botimeve Bahá’í


© Asambleja Shpirtërore Kombëtare
e Bahá’í-ve të Shqipërisë
Rruga e Dibrës 59 - Tiranë
Botimi i parë 1999 - 156 E.B.

 


SHTËPIA UNIVERSALE E DREJTËSISË
QENDRA BOTËRORE BAHÁ’Í

31 Gusht 1976

Të gjitha Asambleve Shpirtërore Kombëtare

Të dashur miq Bahá’í,

  Midis synimeve të Planit Pesëvjeçar që u është dërguar disa Asambleve Shpirtërore Kombëtare është edhe ai i përhapjes së edukimit Bahá’í të fëmijëve. Por kjo çështje paraqet interes të madh për Bahá’í-të në çdo vend, e jo vetëm në ato vende ku, siç e tregon Plani, duhen arritur qëllime të posaçme.

  Me kërkesën tonë, Departamenti i Kërkimeve në Qendrën Botërore ka përgatitur këtë përmbledhje mësimesh Bahá’í për çështjen e edukimit Bahá’í, që miqtë kudo t’i studiojnë dhe të fillojnë t’i vënë në zbatim aq sa ua lejojnë rrethanat. Në pjesën më të madhe të përmbledhjes pjesët e zgjedhura janë nga Tabela e nga shkrime të tjera të verifikuara. Veç tyre ka edhe një shtojcë pasazhesh nga biseda të ‘Abdu’l-Bahá-it të përfshira në Star of the West [Ylli i Perëndimit] dhe në The promulgation of Universal Peace [Shpallja e Paqes Universale]. Shpresojmë se në të ardhmen do të jetë e mundur që ligjërata të tilla të mirënjohura të verifikohen me shënimet e vërtetuara të bisedave në gjuhën origjinale, por deri atëherë miqtë mund t’i përdorin ato në formën e tyre të tanishme për t’iu referuar e për t’i studiuar. Jeni të lirë të njihni me këtë përmbledhje, tërësisht ose pjesërisht, besimtarët që janë nën juridiksionin tuaj, në çfarëdo rrugë që ju e gjykoni si më të mirën.  Në një letër të datës 7 qershor 1939, të shkruar në emër të Ruajtësit dhe drejtuar një besimtari individual, shpjegohet:

  “...mësimet e Bahá’u’lláh-ut e të ‘Abdu’l-Bahá-it nuk përfaqësojnë një sistem edukimi të përcaktuar e të hollësishëm, por japin thjesht disa parime bazë dhe parashtrojnë disa ideale për mësimin, të cilat duhet të udhëheqin pedagogët e ardhshëm Bahá’í në përpjekjet e tyre për të formuluar një program mësimor të përshtatshëm që të jetë në harmoni të plotë me frymën e Mësimeve Bahá’í dhe t’u përgjigjet kështu këkesave e nevojave të epokës së sotme.

  “Këto parime bazë gjenden në shkrimet e shenjta të Kauzës, ato duhet të studiohen me kujdes dhe gradualisht të përfshihen në programe të ndryshme kolegjesh e univeritetesh. Por detyra për të hartuar një sistem edukimi që të njihej zyrtarisht nga Kauza dhe të mbështetej si i tillë në mbarë botën Bahá’í, duket qartë se është një detyrë së cilës brezi i sotëm i besimtarëve nuk i përvishet dot dhe që do të kryhet gradualisht nga studiuesit e pedagogët Bahá’í të së ardhmes”.

  Duke lexuar këtë përmbledhje, miqtë duhet të mbajnë parasysh shpjegimin e mësipërm dhe të mos marrin si udhëzim universal atë që, në fakt, mund të jetë thjesht një shembull, që sigurisht mund të ndiqet me përfitim. Për shembull, citatet nga Tabelat e ‘Abdu’l-Bahá-it dhe nga letrat e Shoghi Effendiut të shkruara në vitet e hershme të Ruajtësisë së tij u drejtoheshin Bahá’í-ve në Persi kur ai komunitet, edhe pse i shtypur, ishte tashmë i madh në numër dhe jetonte në një shoqëri ku arsimimi ishte fillestar e i pamjaftueshëm. Në kohën e tanishme në shumicën e vendeve arsimi i detyrueshëm dhe sistemet shkollore shtetërore janë gjerësisht të përhapura dhe i përgjigjen nevojës së përgjithshme për edukim material, kështu që burimet e Besimit në këtë fushë duhet të përqëndrohen në edukimin shpirtëror e moral të fëmijëve tanë dhe në ngritjen e shkollave fillore e të shkollave-konvikte në zona të mësimit masiv ku analfabetizmi ende përbën rregullin. Duhet gjithashtu që pasazhet e ndryshme të lexohen në kontekstin e së tërës.

  Edukimi i mirë i fëmijëve ka rëndësi jetësore për përparimin e njerëzimit, dhe zemra e themeli bazë i çdo edukimi është përgatitja shpirtërore e morale. Kur u mësojmë njerëzve të tjerë të vërtetat dhe mënyrën e jetesës të Besimit Bahá’í, ne duhet të luftojmë pengesat e indiferentizmit, të materializmit, të bestytnisë dhe një numër të madh paragjykimesh të gabuara; kurse në fëmijët tanë të porsalindur kemi të bëjmë me shpirtra të pastër, të pazgjyrosur nga bota. Duke u rritur, ata do të përballen me sprova e vështirësi të panumërta. Që nga momentet e para të jetës së tyre ne kemi për detyrë t’i përgatisim ata si shpirtërisht dhe materialisht, në mënyrën që ka treguar Perëndia dhe kështu, kur ata të arrijnë moshën e rritur, të bëhen luftëtarë të Kauzës së Tij dhe gjigandë shpirtërorë e moralë midis njerëzimit, të pajisur për të përballuar të gjitha sprovat, dhe të jenë vërtet “yje të qiellit të të kuptuarit”, “ujra që rrjedhin qetë, nga të cilat duhet të varet vetë jeta e të gjithë njerëzve”.

  Lutemi në Pragun e Shenjtë që margaritarët e udhërrëfimit hyjnor që përmban kjo përmbledhje të jenë një nxitje e një burim frymëzimi për prindërit, mësuesit e Asambletë Shpirtërore Bahá’í anembanë botës dhe një bekim për brezat e rinj.

Përshëndetje të përzemërta Bahá’í,
Shtëpia Universale e Drejtësisë

cc: Duarve të Kauzës së Perëndisë
 Qendrës Ndërkombëtare e Mësimit
 Gjithë Këshilltarëve


“Fëmija i porsalindur i asaj Dite ua kalon më të mençurve e më të nderuarve njerëz të kësaj kohe, dhe më i rëndomti e më i pashkolluari i asaj periudhe do t’ia kalojë nga logjika më të diturit e më të përsosurit nga teologët e kësaj epoke”.
(Báb-i, cituar në “Lajmëtarët e Agimit: Tregimi i Nabilit për ditët e hershme të Revelacionit Bahá’í”, përkthyer anglisht e botuar nga Shoghi Effendi. (Londër: Trusti Botues Bahá’í, 1975), f. 65)


I. NGA SHKRIMET E BAHÁ’U’LLÁH-UT:

1
Profetët dhe Lajmëtarët e Perëndisë janë dërguar për të vetmin qëllim që ta udhëheqin njerëzimin në Shtegun e drejtë të së Vërtetës. Qëllimi që qëndron në themel të Revelacionit të tyre ka qenë të edukojnë të gjithë njerëzit, që ata, në orën e vdekjes, të mund të ngjiten, me çiltërsinë e shenjtërinë më të madhe dhe me shkëputje absolute, te Froni i Më të Lartit...
(“Qëmtime nga Shkrimet e Bahá’u’lláh-ut”, nr. 81, f. 106, bot. shqip)

2
Ne kemi dekretuar, o njerëz, që qëllimi më i lartë e i fundit i gjithë diturisë të jetë njohja e Atij Që është objekti i të gjitha dijeve...
(“Qëmtime nga Shkrimet e Bahá’u’lláh-ut”, nr. 98, f. 133, bot. shqip)

3
Merr ... revelacionin e dritës së Emrit të Perëndisë, Edukatorit. Vëre sesi në të gjitha gjërat shfaqen provat e një revelacioni të tillë, sesi prej tij varet përmirësimi i të gjitha gjërave. Ky edukim është dy llojesh. Njëri është universal. Ndikimi i tij përshkon të gjitha gjërat dhe i mbështet ato. Për këtë shkak Perëndia ka marrë titullin “Zot i të gjitha botëve”. Tjetri kufizohet me ata që kanë ardhur nën hijen e këtij Emri dhe kanë kërkuar strehën e këtij Revelacioni kaq të fuqishëm. Kurse ata që nuk e kanë kërkuar këtë strehë, i kanë mohuar vetes këtë privilegj dhe janë të pafuqishëm të përfitojnë nga mbështetja shpirtërore që është dërguar përmes hirit qiellor të këtij Emri Më të Madh. Ç’humnerë i ndan ata nga njëri-tjetri!...
(“Qëmtime nga Shkrimet e Bahá’u’lláh-ut”, nr. 93, f. 127-128, bot. shqip)

4
Njeriu është Hajmalia supreme. Por mungesa e edukimit të përshtatshëm i ka hequr atij atë që zotëron në mënyrë të qenësishme. Nëpërmjet një fjale që doli nga goja e Perëndisë, ai u soll në ekzistencë; me anë të një fjale tjetër, ai u udhëhoq për të njohur Burimin e edukimit të tij; dhe përsëri përmes një fjale iu siguruan pozita dhe fati i tij. Qenia e Madhe thotë: Shihe njeriun si një minierë të pasur në gurë të çmuar me vlerë të pamatur. Vetëm edukimi mund t’i zbulojë thesaret e tij dhe t’i japë mundësi njerëzimit të përfitojë prej tyre...
(“Qëmtime nga Shkrimet e Bahá’u’lláh-ut”, nr. 122, f. 173, bot. shqip)

5
Prireni mendjen e vullnetin nga edukimi i popujve e i fiseve të tokës, dhe ndoshta mosmarrëveshjet që e përçajnë, me fuqinë e Emrit Më të Madh, do të zhduken nga faqja e saj dhe gjithë njerëzit do të bëhen përkrahës të një rendi të vetëm e banorë të një Qyteti...
(“Qëmtime nga Shkrimet e Bahá’u’lláh-ut”, nr. 156, f. 221, bot. shqip)

6
U urdhërojmë gjithë njerëzve atë që do të çojë në lartësimin e Fjalës së Perëndisë midis shërbëtorëve të Tij, dhe po ashtu në përparimin e botës së qenies e në frymëzimin e shpirtrave. Mjeti më i madh për këtë qëllim është edukimi i fëmijës. Kësaj duhet t’i përmbahen të gjithë pa përjashtim. Ne me të vërtetë jua kemi ngarkuar këtë barrë juve në Tabelat e shumta si dhe në Librin Tim Më të Shenjtë. Lum ai që i kushton vëmendje kësaj.
 Kërkojmë nga Perëndia t’i ndihmojë të gjithë pa përjashtim që t’i binden kësaj porosie të pashmangshme që është shfaqur dhe është zbritur përmes Pendës së të Lashtit të Kohëve.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

7
Çdo ati i është urdhëruar të mësojë djalin e vajzën e tij në artin e shkrim-leximit dhe në të gjitha ato që janë shtjelluar në Tabelën e Shenjtë. Prej Atij që lë pasdore ç’i është urdhëruar, të Besuarit duhet të marrin atë që kërkohet për arsimimin e tyre, në qoftë se është i pasur; në qoftë se jo, çështja i kalon Shtëpisë së Drejtësisë. Me të vërtetë, këtë Ne e kemi bërë strehë për të varfërit e nevojtarët. Kush edukon djalin e vet ose djalin e një tjetri, është njëlloj sikur ka edukuar një djalë Timin; mbi të qofshin lavdia Ime, dashamirësia Ime, mëshira Ime, që kanë përfshirë botën.
(“Qitapi Akdas, Libri Më i Shenjtë i Bahá’u’lláh-ut”, nr. 48)

8
...Të gjithë, burra a gra qofshin, duhet t’i japin një pjesë të fitimit të tyre nga tregtia, bujqësia ose nga punë të tjera, një personi të besuar, për përgatitjen dhe edukimin e fëmijëve, me dijeninë e të Besuarve të Shtëpisë së Drejtësisë.
(“Tabelat e Bahá’u’lláh-ut të reveluara pas Qitapi Akdas-it” [bot. i rish.], Haifa: Qendra Botërore Bahá’í, 1973), f. 15-16)

9
Tendosni çdo nerv për të fituar si përsosuri të brendshme dhe të jashtme, sepse fryti i pemës njerëzore gjithmonë ka qënë e do të jetë përsosuria si nga brenda dhe nga jashtë. Nuk është e dëshirueshme që një njeri të lihet pa dije ose mjeshtëri, sepse kështu ai s’është veçse një pemë shterpë. Atëherë, aq sa e lejojnë aftësitë e mundësitë tuaja, kjo pemë e qënies duhet të mbushet me frytet e dijes, të urtisë, të kuptimit shpirtëror e të fjalës elokuente.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

10
Njeriu është si çeliku, thelbi i të cilit është i fshehur: përmes qortimit e shpjegimit, këshillimit dhe edukimit të mirë, ky thelb do të dalë në dritë. Por në qoftë se ai do të lejohet të mbetet në gjendjen e tij fillestare, gërryerja e epsheve dhe e orekseve në fakt do ta shkatërrojë atë.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

11
Ka shumë gjëra të cilat, nëse lihen pasdore, shkojnë kot e kthehen në hiç. Sa shpesh në këtë botë shohim një fëmijë që ka humbur prindërit dhe që, po të mos i kushtohet kujdes edukimit e përgatitjes së tij, nuk jep fryt. Dhe më mirë i vdekur sesa i gjallë është ai që nuk jep fryt.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

12
Është detyra thelbësore e prindërve t’i rrisin fëmijët e tyre që të jenë të qëndrueshëm në besim, për arsye se një fëmijë që largohet nga besimi i Perëndisë nuk do të sillet në atë mënyrë që të kënaqë prindët dhe Zotin e tij. Sepse çdo vepër e lavdërueshme lind nga drita e fesë, dhe mungesa e kësaj dhuntie supreme do të bëjë që fëmija të mos i largohet së keqes dhe as të priret drejt së mirës.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

13
Druajtja e Perëndisë ka qenë gjithmonë faktori parësor në edukimin e krijesave të Tij. Lum ata që i përmbahen kësaj!
(“Letër për të Birin e Ujkut”, bot. i rish. (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1979), f.27)

14
Ajo që ka rëndësi shumë të madhe për fëmijët, që duhet vënë para çdo gjëje tjetër, është t’u mësohen atyre njëshmëria e Perëndisë dhe ligjet e Perëndisë. Sepse po mungoi kjo, druajtja e Perëndisë nuk mund të ngulitet, dhe kur mungon druajtja e Perëndisë, një pafundësi bëmash të urryera e të neveritshme shfaqen dhe shprehen ndjenja që i kalojnë të gjithë kufijtë...
 Prindërit duhet të bëjnë çdo përpjekje për t’i rritur fëmijët e tyre që të jenë fetarë, sepse po të mos e arrijnë fëmijët këtë stoli më të madhe, ata nuk do t’u binden prindërve të tyre, që në njëfarë kuptimi do të thotë të mos i binden Perëndisë. Me të vërtetë, fëmijë të tillë nuk do të kenë konsideratë për askënd dhe do të bëjnë ashtu si t’u dojë qejfi.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

15
...Shkollat duhet në radhë të parë t’i ushtrojnë fëmijët në parimet e fesë, në mënyrë që Premtimi dhe Kërcënimi i shkruar në Librat e Perëndisë t’i parandalojë ata të kryejnë vepra të ndaluara dhe t’i stolisë me rrobën e porosive të Perëndisë; por kjo duhet bërë në atë masë që të mos i dëmtojë fëmijët duke i çuar ata në fanatizëm e besim të verbër injorant.
(“Tabelat e Bahá’u’lláh-ut të reveluara pas Qitapi Akdas-it”, f. 68)

16
Artet, zejet dhe shkencat e ngrejnë botën e qënies, çojnë në lartësimin e saj. Dijet janë si krahë në jetën e njeriut dhe si një shkallë për ngjitjen e tij. Përvetësimi i tyre është detyrë e çdo njeriu. Por duhet të fitohet dije për ato shkenca që u sjellin përfitim popujve të botës e jo për ato që me fjalë fillojnë e me fjalë mbarojnë...
 Në fakt, dija është një thesar i vërtetë për njeriun dhe një burim lavdie, bujarie, gëzimi, lartësimi, inkurajimi e kënaqësie për të. Lum kush i përkushtohet asaj, dhe mjerë ai që nuk i kushton vëmendje.
(“Letër për të Birin e Ujkut”, f. 26-27)

17
...Të shkolluarit e sotëm duhet t’i drejtojnë njerëzit për të zotëruar ato degë të dijes që janë të dobishme, që edhe vetë të shkolluarit dhe njerëzimi në përgjithësi të mund të nxjerrin përfitime prej tyre. Të tilla punë akademike që fillojnë e mbarojnë vetëm me fjalë, kurrë nuk kanë pasur e as do të kenë ndonjë vlerë. Shumica e doktorëve të mësuar të Persisë ia kushtojnë jetën e tyre studimit të një filozofie, prodhimi përfundimtar i së cilës s’janë veçse fjalë.
(“Tabelat e Bahá’u’lláh-ut të reveluara pas Qitapi Akdas-it”, f. 169)

18
Është detyrë e fëmijëve të ushtrohen sa më shumë në artin e shkrim-këndimit... Mjeshtria e të shkruarit për plotësimin e kërkesave të ngutshme do të jenë të mjaftueshme për disa; më tej do të ishte më mirë e më e përshtatshme që ata ta harxhonin kohën me studimin e atyre degëve të dijes që hyjnë në punë.
   Sa për ato që ka shkruar më parë Penda Supreme, arsyeja është që në çdo art e mjeshtri Perëndia pëlqen përsosurinë më të madhe.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

19
Në thesaret e dijes së Perëndisë qëndron e fshehur një dije që, kur të zbatohet, do të zhdukë në një masë të madhe, edhe pse jo tërësisht, frikën. Por kjo dije duhet mësuar që në fëmijëri, pasi do të ndihmonte shumë në zhdukjen e saj...[1]
(“Letër për të birin e Ujkut”, f. 32)

20
Është e udhës...që...zyrtarë të Qeverisë  të mblidhen në një takim dhe të zgjedhin njërën prej gjuhëve të ndryshme, dhe po kështu njërin prej shkrimeve ekzistuese, ose përndryshe të krijojnë një gjuhë e një shkrim të ri që t’u mësohet fëmijëve në shkolla në mbarë botën. Kështu që ata do të zotërojnë vetëm dy gjuhë, gjuhën e tyre amëtare dhe gjuhën tjetër në të cilën do të flasin të gjithë popujt e botës. Në rast se njerëzit do të kapeshin fort pas kësaj që thamë, tërë bota do të shihej si një vend i vetëm dhe njerëzit do të çliroheshin e do shpëtonin nga nevoja për të mësuar e zotëruar gjuhë të ndryshme...
(“Letër për të birin e Ujkut”, f. 138)

21
Mësojuni fëmijëve tuaj vargjet e reveluara hyjnisht, që ata t’i recitojnë ato pastaj me zërat më të melodishëm. Ja ç’është dërguar në Librin e Tij të fuqishëm.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej arabishtes)

22
Mësojuni fëmijëve tuaj vargjet e dërguara nga qielli i madhështisë e i pushtetit, që ata, me zërat më të melodishëm, të recitojnë Tabelat e Mëshirëplotit në mjediset e Mashrikul Azkar-ëve [Mashriqu’l-Adhkár]...
(“Qitapi Akdas” - përkthim i përkohshëm nga arabishtja)

23
Në fillim të çdo përpjekjeje, është detyrë të shihet fundi i saj. Prej të gjitha arteve e shkencave, vijini fëmijët të studiojnë ato që do t’i sjellin dobi njeriut, që do të sigurojnë përparimin e tij dhe do ta lartësojnë pozitën e tij. Kështu tingujt e zhurmshëm të paligjësisë do të shpërndahen dhe, falë përpjekjeve të mëdha të prijësve të kombeve, të gjithë do të jetojnë të përkundur, të sigurt e në paqe. … 
     Qenia e Madhe thotë: njeriu me dituri të përsosur dhe i urti i pajisur me urtí zhbiruese janë të dy sytë për trupin e njerëzimit. Dhashtë Perëndia, që toka kurrë të mos mbetet pa këto dy dhunti kaq të mëdha...
(“Tabelat e Bahá’u’lláh-ut të reveluara pas Qitapi Akdasit”, f. 168-71)

24
Përsa u përket fëmijëve: Ne kemi treguar se në fillim ata duhet të ushtrohen në rregullat dhe ligjet e fesë; më pas në fusha të tilla të dijes që janë të dobishme, në veprimtari tregtare të ndershme dhe në vepra që do të çojnë më tej fitoren e Kauzës së Perëndisë, ose do të kenë si rezultat ta qasin besimtarin më pranë Zotit të tij. Ne i lutemi Perëndisë t’i ndihmojë fëmijët e të dashurve të Tij dhe t’i stolisë ata me urti, sjellje të mirë, ndershmëri e drejtësi.
 Ai është, me të vërtetë, Falësi, Zemërgjeri.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes e arabishtes)

25
O Hysen! O ti Mësues!
Nga Burgu i Tij i Madh, fytyra e Lashtit të Kohëve është kthyer ndaj teje dhe Ai të mëson atë që do të të qasë ty pranë Perëndisë, Zotit të njerëzimit.
 Lum mësuesi që do të çohet për të mësuar fëmijët dhe për t’i drejtuar njerëzit në shtigjet e Perëndisë, Dhuruesit, të Shumëdashurit.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej arabishtes)

26
Lum ai mësues që i qëndron besnik Besëlidhjes së Perëndisë dhe merret me edukimin e fëmijëve. Për të Penda Supreme ka shkruar shpërblimin e reveluar në Librin më të Shenjtë.
 Lum, lum ai!
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)


II. NGA SHKRIMET E ‘ABDU’L-BAHÁ-IT:

27
O Perëndi, O Ti që ke hedhur shkëlqimin Tënd mbi realitetet e ndritshme të njerëzve, duke përhapur mbi ta dritat e shkëlqyeshme të dijes e të udhërrëfimit, dhe që ndërmjet të gjitha gjërave të krijuara ke zgjedhur ata për këtë mirësi qiellore, duke bërë që të përfshijnë të gjitha gjërat, të kuptojnë thelbin e tyre më intim dhe të zbulojnë të fshehtat e tyre, duke i nxjerrë ato nga errësira në botën e dukshme! “Ai me të vërtetë tregon mëshirën e Vet të posaçme për cilindo që Ai dëshiron.”[2]
 O Zot, ndihmoji të dashurit e Tu që të fitojnë dije, shkenca e mjeshtri dhe të zbulojnë të fshehtat që ruhen në realitetin më intim të të gjitha gjërave të krijuara. Bëji ata që të dëgjojnë të vërtetat e fshehura që janë shkruar e vendosur në zemrën e gjithçkaje që ekziston. Bëji ata emblema të udhërrëfimit ndërmjet të gjitha krijesave dhe rreze depërtuese të mendjes, që përhapin dritën e tyre në këtë “jetë të parë”[3]. Bëji ata të jenë udhërrëfyes për tek Ti, prijës në shtegun Tënd, lajmëtarë që i nxisin njerëzit për në Mbretërinë Tënde.
 Ti me të vërtetë je i Pushtetshmi, Mbështetësi, i Fuqishmi, Mbrojtësi, i Forti, Më Zemërgjeri.
 O Kompani e Perëndisë! Çdo gjëje të krjiuar Sovraniteti i Lashtë i ka caktuar përsosurinë e vet, cilësinë e veçantë dhe shquarësinë e saj të posaçme, kështu që secila në shkallën e vet të mund të bëhet një simbol tregues i lartësisë sublime të Edukatorit të vërtetë të njerëzimit dhe që secila, si një pasqyrë e kristaltë, të mund të tregojë hijeshinë dhe shkëlqimin e Diellit të së Vërtetës.
 Dhe prej të gjitha krijesave Ai ka dalluar njeriun, për t’i dhuruar atij dhuntinë e Tij më të mahnitshme, duke bërë që ai të arrijë bujaritë e Kompanisë atje Lart. Më e çmuara ndër dhuntitë është arritja e udhërrëfimit të Tij të pagabueshëm, që realiteti i brendshëm i njerëzimit të bëhet një fole për të mbajtur këtë llambë; dhe kur shkëlqimet përhapëse të kësaj drite përplasen në qelqin e ndritshëm të zemrës, pastërtia e zemrës i bën rrezet të flakërojnë edhe më fort se më parë dhe të shkëlqejnë me lavdi në mendjet e në shpirtrat e njerëzve.
 Arritja e udhërrëfimit më të madh varet nga dija e urtia dhe nga njohja e të fshehtave të Fjalëve të Shenjta. Prandaj të dashurit e Perëndisë, të rinj a të vjetër, burra a gra qofshin, secili sipas aftësive të veta, duhet të përpiqet të zotërojë degët e ndryshme të dijes dhe të rritë të kuptuarit e të fshehtave të Librave të Shenjtë, si dhe aftësinë e tij në renditjen e provave e të dëshmive hyjnore.
 Sadru’s-Sudúr-i i shquar, i cili ka arritur me të vërtetë një pozitë shumë të lartësuar në Strehët e Lumturisë, përuroi takimet e mësimit. Ai ishte i pari shpirt i bekuar që hodhi themelet e këtij institucioni ë rëndësishëm. Shyqyr Zotit, gjatë gjithë jetës së tij, ai edukoi persona që sot janë mbrojtës të fuqishëm e elokuentë të Zotit Perëndisë, dishepuj që janë me të vërtetë pasues të pastër e shpirtërorë të atij që ishte aq pranë Pragut të Shenjtë. Pas vdekjes së tij, disa individë të bekuar ndërmorën hapa për të përjetësuar punën e tij mësimore dhe, kur Ai mësoi për këtë, kjo zemër e të Robëruarit u gëzua.
 Në kohën e tanishme, po kështu, unë do t’u kërkoja me ngut miqve të Perëndisë që, me aq sa varet prej tyre, të bëjnë çdo përpjekje në këtë drejtim. Sa më shumë të përpiqen ata të zgjerojnë rrethin e dijes së tyre, aq më i mirë e më i kënaqshëm do të jetë rezultati. Të dashurit e Perëndisë, të rinj a të vjetër, meshkuj a femra qofshin, secili sipas aftësive të veta, le të vihet në lëvizje dhe të mos i kursejë përpjekjet për të zotëruar degët e ndryshme të dijeve të kohës, qofshin shpirtërore ose laike, si dhe mjeshtritë. Sa herë që ata të mblidhen në takime, le të përqëndrohet biseda e tyre në subjektet mësimore dhe në informimin për dijet e kohës.
 Nëse bëjnë kështu, ata do ta përmbytin botën me Dritën e Shfaqur dhe do ta kthejnë këtë tokë të pluhurosur në kopshte të Mbretërisë së Lavdisë.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej arabishtes)

28
O ti mik i vërtetë! Lexoji, në shkollën e Zotit, mësimet e shpirtit, dhe mëso nga Mësuesi i dashurisë të vërtetat më intime. Kërko të fshehtat e Qiellit dhe trego për mirësinë e favorin e pasosur të Perëndisë.
 Megjithëse zotërimi i shkencave e i mjeshtrive është lavdia më e madhe e njerëzimit, kjo është kështu vetëm në rast se lumi i njeriut rrjedh në Detin e fuqishëm dhe merr prej burimit të lashtë të Perëndisë frymëzimin e Tij. Kur ndodh kjo, atëhere çdo mësues është një oqean i paanë dhe çdo nxënës një burim i pashtershëm dijesh. Atëherë, në qoftë se gjurmimi i dijes çon te bukuria e Atij Që është objekti i çdo dije, sa i shkëlqyer është ky qëllim; por, në qoftë se jo, një pikëz e thjeshtë ndoshta do ta mënjanojë njeriun nga dashamirësia e pafund, sepse bashkë me diturinë vjen arroganca e mendjemadhësia, që çon në gabim e në mospërfillje ndaj Perëndisë.
 Shkencat e sotme janë ura për te realiteti; në qoftë se ato, pra, nuk çojnë te realiteti, nuk mbetet asgjë veç iluzionit të pafrytshëm. Për Perëndinë e vërtetë, Që është një! Në qoftë se dituria nuk është një mjet për të ardhur tek Ai, Më i Dukshmi, ajo nuk është tjetër veçse një humbje e qartë.
 Është detyra jote të zotërosh degët e ndryshme të dijes dhe ta kthesh fytyrën ndaj bukurisë së Bukurisë së Dukshme, që ti të jesh një shenjë e udhërrëfimit shpëtimtar ndërmjet njerëzve të botës dhe një vatër e të të kuptuarit në këtë sferë, nga e cila të urtët dhe urtia e tyre janë të mënjanuar, me përjashtim të atyre që kanë shkelur në Mbretërinë e Dritave dhe janë vënë në dijeni për misterin e mbuluar e të fshehur, sekretin e mirëruajtur.
(“Pjesë të zgjedhura nga shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it” [bot. i rish.], (Haifa: Qendra Botërore Bahá’í, 1982), Sek. 72, f.110)

29
Njeriu është shkalla më e lartë e materialitetit dhe fillimi i shpirtësisë — domethënë ai është fundi i papërsosurisë dhe fillimi i përsosurisë. Ai është në shkallën e fundit të errësirës dhe në fillimin e dritës; ja përse është thënë se gjendja e njeriut është fundi i natës dhe fillimi i ditës, që do të thotë se ai është tërësia e të gjitha shkallëve të papërsosurisë dhe se ai zotëron shkallët e përsosurisë. Ai ka anën shtazore si dhe anën engjëllore, dhe qëllimi i një edukatori është t’i ushtrojë karakteret njerëzore në mënyrë të tillë që aspekti i tyre engjëllor të mposhtë anën e tyre shtazore.
(“Përgjigje për disa Pyetje”, bot. i rish. (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1985), f. 235)

30
Thuhet se njeriu është përfaqësuesi më i madh i Perëndisë, dhe ai është Libri i Krijimit, sepse të gjitha misteret e ekzistencës janë tek ai. Në qoftë se ai hyn nën hijen e Edukatorit të Vërtetë dhe ushtrohet drejt, ai bëhet thelbi i thelbeve, drita e dritave, shpirti i shpirtrave; ai bëhet qendra e shfaqjeve hyjnore, burimi i vetive shpirtërore, vendagimi i dritave qiellore dhe marrësi i frymëzimeve hyjnore. Në qoftë se mbetet pa këtë edukim, ai bëhet manifestimi i vetive djallëzore, tërësia e veseve shtazore dhe burimi i gjithfarë rrethanave të errëta.
 Arsyeja e misionit të Profetëve është t’i edukojnë njerëzit, në mënyrë që kjo copë qymyri të mund të bëhet diamand, dhe kjo pemë e pafrytshme të mund të shartohet e të japë frytet më të ëmbla e më të shijshme. Kur njeriu arrin gjendjen më fisnike në botën e njerëzimit, atëhere ai mund të bëjë përparim të mëtejshëm në kushtet e përsosurisë, por jo në gjendjen e tij njerëzore; sepse gjendje të tilla kanë kufij, ndërsa përsosuritë hyjnore janë pa fund.
(“Përgjigje për disa Pyetje”, f. 236-37)

31
Një shqyrtim i hollësishëm do të tregojë se shkaku kryesor i shtypjes e i padrejtësisë, i sjelljes së keqe, i çrregullsisë e i rrëmujës është mungesa e besimit fetar dhe fakti që njerëzit janë të paarsimuar. Kur, për shembull, njerëzit janë me të vërtetë fetarë dhe të mësuar e të shkolluar si duhet, dhe ndodh që shfaqet një vështirësi, atëherë ata mund t’u drejtohen autoriteteve lokale; në qoftë se nuk gjejnë drejtësi dhe nuk sigurojnë të drejtat e tyre, dhe në rast se e shohin që qëndrimi i pushtetit lokal nuk pajtohet me pëlqimin Hyjnor e me drejtësinë mbretërore, atëherë ata mund ta shpien çështjen në instanca më të larta dhe atje të parashtrojnë shmangien e administratës lokale nga ligji shpirtëror. Këto instanca mund të kërkojnë të dhënat e organeve lokale lidhur me rastin në fjalë dhe të zbatojnë kështu drejtësinë. Në kohën e tanishme, sidfoqoftë, për shkak të shkollimit të papërshtatshëm, shumicës së njerëzve u mungon madje edhe fjalori për të shpjeguar atë që duan.
(“Sekreti i Qytetërimit Hyjnor”, bot. I dytë (Wilmette: Komiteti Botues Bahá’í, 1983), f. 18)

32
Kërkesa parësore, më e ngutshme është të çohet më tej edukimi. As që mund të mendohet që ndonjë komb të arrijë begati e sukses, po qe se kjo çështje supreme, themelore nuk çohet përpara. Shkaku kryesor i rënies e i rrëzimit të popujve është injoranca. Sot masat e popullit janë të painformuara edhe për punët e rëndomta, aq më pak kapin ato thelbin e problemeve të rëndësishme e të nevojave të koklavitura të kohës.
(“Sekreti i Qytetërimit Hyjnor”, f. 109)

33
Vëre me kujdes sesi edukimi dhe artet e qytetërimit i sjellin nder, begati, pavarësi e liri qeverisë dhe popullit të saj.
(“Sekreti i Qytetërimit Hyjnor”, f. 111)

34
Por edukimi është tre llojësh: material, njerëzor dhe shpirtëror. Edukimi material ka të bëjë me përparimin dhe zhvillimin e trupit, duke siguruar mjetet për mbajtjen e tij, sendet e komoditetin e tij material. Ky edukim është i përbashkët për kafshët dhe për njeriun.
 Edukimi njerëzor nënkupton qytetërim dhe përparim — që do të thotë qeverisje, administrim, vepra bamirësie, tregti, arte e zeje, shkenca, shpikje e zbulime të mëdha dhe institucione të ndërtuara me kujdes, që përbëjnë veprimtaritë thelbësore të njeriut, të cilat e shquajnë atë nga kafsha.
 Edukimi hyjnor është ai i Mbretërisë së Perëndisë: ai qëndron në zotërimin e përsosurive hyjnore, dhe ky është edukimi i vërtetë; sepse në këto kushte njeriu bëhet vatra e bekimeve hyjnore, manifestimi i fjalëve “Le ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës Sonë dhe sipas ngjasimit Tonë”.[4] Ky është qëllimi suprem i botës së njerëzimit.
 Pra, ne kemi nevojë për një edukator që të jetë, në të njëjtën kohë, një edukator material, njerëzor dhe shpirtëror, autoriteti i të cilit të jetë efektiv në të gjitha kushtet. Kështu, po të thoshte dikush “Unë kam logjikë e inteligjencë të përsosur dhe nuk kam nevojë për një edukator të tillë”, ai do të mohonte atë që është e qartë e duket vetiu. Kjo është njëlloj sikur një fëmijë të thoshte “Unë nuk kam nevojë për edukim; unë do të veproj sipas arsyes e inteligjencës sime dhe kështu do të arrij përsosuritë e ekzistencës”, ose sikur një i verbër të thoshte “Unë nuk kam nevojë për sy, sepse shumë njerëz të tjerë të verbër jetojnë pa vështirësi”.
 Atëhere është e qartë e duket vetiu se njeriu ka nevojë për një edukator dhe ky edukator pa diskutim e padyshim duhet të jetë i përsosur në të gjitha drejtimet dhe i shquar mbi të gjithë njerëzit. Përndryshe, po të ishte si gjithë njerëzia, ai nuk do të mund të ishte edukatori i tyre, e në mënyrë të veçantë sepse ai duhet të jetë në të njëjtën kohë edukatori i tyre material e njerëzor, por edhe shpirtëror — domethënë ai duhet t’i mësojë njerëzit të organizojnë e të kryejnë punë fizike dhe të formojnë një rend shoqëror, me qëllim që të vendosin kooperim e ndihmë të ndërsjellë në të jetuar, në mënyrë që punët materiale të mund të organizohen e të rregullohen në çdo rrethanë që mund të krijohet. Po kështu, ai duhet të bëjë edukimin njerëzor — domethënë duhet të edukojë inteligjencën e mendimin në mënyrë të tillë që ato të mund të arrijnë zhvillim të plotë, që dija e shkenca të mund të përparojnë dhe realiteti i gjërave, misteret e qenieve dhe vetitë e ekzistencës të mund të zbulohen; që nga dita në ditë orientimet, shpikjet e ligjet të mund të përmirësohen; dhe nga perceptimet shqisore të mund të nxirren përfundime në fushën mendore.
 Ai duhet të japë gjithashtu edukim shpirtëror, në mënyrë që inteligjenca e të kuptuarit të mund të depërtojnë në botën metafizike, të përfitojnë nga flladi spastrues i shpirtit të Shenjtë dhe të hyjnë në marrëdhënie me Tubimin Suprem. Ai duhet ta edukojë në mënyrë të tillë realitetin njerëzor që ai të bëhet qendra e shfaqjes hyjnore, deri në atë shkallë sa atributet e emrat e Perëndisë të shkëlqejnë në pasqyrën e realitetit të njeriut dhe vargu i shenjtë “Ne do ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës Sonë dhe ngjasimit Tonë” të përmbushet.[5]
(“Përgjigje për disa pyetje”, f. 8-9)

35
Ka disa që kujtojnë se ndjenja e lindur e dinjitetit njerëzor do ta ndalojë njeriun të bëjë vepra të këqija dhe do të sigurojë përsosurinë shpirtërore e materiale të tij. Pra, një individ që karakterizohet nga zgjuarësia natyrore, vendosmëria e lartë e zelli nxitës, pa marrë parasysh dënimet e ashpra që pasojnë veprimet e liga dhe as shpërblimet e mëdha për veprimet e drejta, instinktivisht do të frenohet nga të bërit keq njerëzve të tjerë dhe do të jetë i uritur e i etur për të bërë mirë. Megjithatë, nëse i peshojmë shembujt e historisë, do të bëhet e qartë se vetë kjo ndjenjë e nderit dhe e dinjitetit është në vetvete një nga dhuntitë që rrjedhin prej mësimeve të Profetëve të Perëndisë. Ne vërejmë gjithashtu te fëmijët shenjat e agresivitetit e të paligjësisë dhe, nëse një fëmije i mungojnë orientimet e mësuesit, vetitë e tij të padëshirueshme shtohen nga çasti në çast. Është, pra, e qartë se shfaqja e kësaj ndjenje natyrore të dinjitetit e të nderit njerëzor është rezultat i edukimit. Së dyti, edhe nëse e pranojmë për hir të argumentimit se zgjuarsia instiktive dhe një veti e lindur morale do ta pengonin keqbërjen, është e qartë se individët me një karakter të tillë janë po aq të rrallë sa dhe guri filozofik. Një supozim i këtij lloji nuk mund të provohet thjesht me fjalë, ai duhet të mbështetet nga faktet. Le të shohim se çfarë fuqie në krijim i shtyn masat drejt qëllimesh e bëmash të drejta!
 Veç kësaj, në qoftë se ai individ i rrallë që jep shembullin e një dhuntie të tillë do të bëhet gjithashtu mishërim i druajtjes së Perëndisë, është e sigurt se përpjekjet e tij për sjellje të drejtë do të përforcohen shumë.
(“Sekreti i Qytetërimit Hyjnor”, f. 97-98)

36
Sa për ndryshimet ndërmjet qenieve njerëzore dhe superioritetin ose inferioritetin e disa individëve në krahasim me të tjerët, materialistët ndahen në dy shkolla mendimi: një grup i përmbahet mendimit se këto ndryshime dhe vetitë superiore të disa individëve janë të lindura dhe, siç thonë ata, janë një kërkesë e natyrës. Sipas tyre, duket sheshit se ndryshimet brenda specieve janë të lindura. Për shembull, në natyrë ka lloje të ndryshme pemësh; kafshët gjithashtu janë të larmishme për nga natyra; madje edhe mineralet ndryshojnë në mënyrë të natyrshme ndërmjet tyre, prandaj këtu ka gurore plot gurë, atje ka një minierë rubinësh xixëllues e të kuq si gjaku; këtu një guackë me perlë brenda, atje vetëm një copë argjili.
 Shkolla tjetër e filozofëve tradicionalë i përmbahet pikëpamjes se ndryshimet ndërmjet individëve dhe nivelet e ndryshme të intelektit e të talenteve vijnë nga edukimi: sepse me ushtrim, një degë e shtrembër mund të drejtohet dhe një pemë shterpë e shkretëtirës mund të bëhet e butë, ajo mund të shartohet dhe të japë fryte, të cilat mund të jenë të hidhura, por me kalimin e kohës bëhen të ëmbla. Në fillim, frytet e saj mund të jenë të vogla; por ato do të bëhen të mëdha e plot shije, të këndshme.
 Prova më e fortë që paraqet grupi i dytë është se fiset e Afrikës janë në përgjithësi injorantë dhe të egër, ndërsa popujt e qytetëruar të Amerikës në përgjithësi zotërojnë urti e logjikë, gjë që provon se dallimi midis këtyre dy popujve vjen nga edukimi e përvoja. Të tilla janë pikëpamjet e shprehura nga filozofët.
 Manifestimet e Perëndisë, nga ana tjetër, afirmojnë se dallimet janë në mënyrë të provueshme e pa diskutim të lindura dhe se “Ne i kemi bërë disa prej jush që t’ua kalojnë të tjerëve”[6] është një fakt i provuar e i padiskutueshëm. Është e sigurt se qeniet njerëzore, nga vetë natyra e tyre, ndryshojnë prej njëri-tjetrit. Vështroni një grup të vogël fëmjësh të lindur nga të njëjtët prindër, që shkojnë në të njëjtën shkollë, që marrin të njëjtën edukatë, që jetojnë me të njëjtin ushqim: disa, duke u bërë të miredukuar, do të arrijnë një shkallë të lartë përparimi; disa do të arrijnë një nivel mesatar; kurse disa do të rezultojnë fare të paedukueshëm. Është, pra, e qartë se pabarazia midis individëve rrjedh nga ndryshimet në shkallë, që janë të lindura.
 Por Manifestimet mendojnë gjithashtu se përgatitja dhe edukimi ushtrojnë dukshëm një ndikim shumë të madh. Në qoftë se, për shembull, një fëmije i mungon shkollimi, ai me siguri do të mbetet injorant dhe dijet e tij do të kufizohen me atë që ai është në gjendje të zbulojë vetë; por në qoftë se ai çohet te një mësues i kualifikuar për të studiuar shkencat e mjeshtritë, ai do të mësojë për zbulimet e bëra nga mijëra qenie të tjera njerëzore. Pra, edukimi është një udhërrëfyes për ata që shkojnë në rrugë të gabuar; ai e bën të verbërin të shohë; i jep gjykim të marrit dhe një prodhim të madh joprodhuesit; ai e bën memecin të flasë dhe e kthen agimin e rremë në dritë të vërtetë të mëngjesit; nëpërmjet tij fara e vogël bëhet një palmë madhështore dhe skllavi i ikur një mbret sundues.
 Kështu, është e sigurt se edukimi ushtron ndikim dhe për këtë arsye Manifestimet e Perëndisë, Burimet e mëshirës së Tij, u ngritën në botë, që përmes flladeve të shenjtërisë ta edukojnë gjininë njerëzore dhe ta bëjnë foshnjën e gjirit njeri të fuqishëm e trim. Nëpërmjet Tyre të braktisurit e tokës bëhen miqtë e dashur të Qiellit, ndërsa ata që s’kanë asgjë marrin pjesën që u takon.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

37
Pyetje. — Sa lloje karakteresh ka njeriu dhe cili është shkaku i dallimeve e i larmisë te njerëzit?
Përgjigje. — Njeriu ka karakterin e lindur, karakterin e trashëguar dhe karakterin që fitohet me anë të edukimit.
 Përsa i përket karakterit të lindur, megjithëse krijesa hyjnore është krejt e mirë, por larmia e cilësive natyrore te njeriu vjen në shkallë të ndryshme; të gjitha janë shumë të mira, por janë pak a shumë kështu, sipas shkallës së secilit. Kështu gjithë njerëzimi zotëron inteligjencë e aftësi, por inteligjenca, aftësia dhe vlerat e njeriut ndryshojnë nga një njeri te tjetri. Kjo duket qartë.
 Për shembull, merrni një numër fëmijësh të një familjeje, të një vendi, të një shkolle, të mësuar nga i njëjti mësues, të ushqyer me të njëjtin ushqim, të rritur në të njëjtën klimë, me të njëjtat veshje dhe që studiojnë të njëjtat mësime — është e sigurt se ndër këta fëmijë disa do të jenë të zotët në shkenca, disa do të jenë me aftësi mesatare dhe disa të ngathët. Është, pra, e qartë se në natyrën origjinale të tyre ka dallim në shkallë e larmi përsa i përket vlerës e aftësisë. Ky dallim nuk ka të bëjë me të mirën ose të keqen, por është thjesht dallim në shkallë. Njëri ka shkallën më të lartë, një tjetër shkallën e mesme dhe një tjetër shkallën më të ulët. Kështu, njeriu ekziston; kafsha, bima dhe sendet gjithashtu ekzistojnë — por shkallët e këtyre katër ekzistencave ndryshojnë. Ç’dallim i madh midis ekzistencës së njeriut dhe të kafshës! Megjithatë që të dyja janë ekzistenca. Është e qartë se në ekzistencë ka dallime në shkallë.
 Larmia e cilësive të trashëguara vjen nga forca ose dobësia e konstruktit — domethënë kur të dy prindërit janë të dobët, fëmijët do të jenë të dobët; në qoftë se ata janë të fortë, fëmijët do të jenë të fuqishëm. Po kështu, pastërtia e gjakut ka ndikim të madh; sepse fara e pastër është si lloji më i zgjedhur që ekziston në bimët e në kafshët. Për shembull, ju e shihni se fëmijët e lindur nga baba e nënë të dobët e të pafuqishëm do të kenë nga natyra konstrukt të brishtë e nerva të dobët; ata do të sëmuren e nuk do të kenë as durim, as qëndrueshmëri, as vendosmëri, as këmbëngulje, dhe do të jenë të nxituar; sepse fëmijët trashëgojnë dobësinë e pafuqinë e prindërve të tyre.
 Veç kësaj, një bekim i veçantë u jepet disa familjeve e disa brezave. Kështu, është një bekim i veçantë që të gjithë Profetët e bijve të Izraelit kanë ardhur nga pasardhësit e Abrahamit. Ky është një bekim që Perëndia ia ka dhuruar kësaj breznie: Moisiut nga i ati dhe e ëma, Krishtit në linjën e nënës së tij; po kështu Muhametit e Báb-it dhe të gjithë Profetëve e Manifestimeve të Shenjta të Izraelit. Bukuria e Bekuar[7] është gjithashtu një pasardhës i linjës së Abrahamit, sepse Abrahami kishte edhe djem të tjerë veç Ishmaelit e Isakut, të cilët në ato kohë emigruan në tokat e Persisë e të Afganistanit, dhe Bukuria e Bekuar është një prej pasardhësve të tyre.
 Nga kjo shihet qartë se karakteri i trashëguar gjithashtu ekziston dhe në një shkallë të tillë saqë, në rast se karakteret nuk janë në pajtim me origjinën e tyre, ata megjithëse i përkasin fizikisht asaj linje, shpirtërisht nuk konsiderohen anëtarë të familjes, si Kanaani,[8] që nuk llogaritej se ishte i racës së Nojit.

    Por dallimi i cilësive përsa i përket kulturës është shumë i madh, sepse edukimi ushtron ndikim të madh. Nëpërmjet edukimit i padituri bëhet i mësuar; frikacaku bëhet trim. Me anë të kultivimit dega e shtrembër bëhet e drejtë; fryti i thartë e i hidhur i maleve e i pyjeve bëhet i ëmbël e i shijshëm; dhe lulja pesëpetalëshe bëhet njëqindpetalëshe. Nëpërmjet edukimit kombe të egra bëhen të qytetëruara, madje edhe kafshët zbuten. Edukimi duhet konsideruar si shumë i rëndësishëm. Sepse ashtu si sëmundjet në botën e trupave janë tepër ngjitëse, po kështu edhe cilësitë e shpirtit e të zemrës janë tepër ngjitëse. Edukimi ushtron një ndikim universal dhe dallimet e krijuara prej tij janë shumë të mëdha.
   Ndoshta dikush do të thotë që, përderisa aftësia dhe vlera e njerëzve janë të ndryshme, atëhere dallimi në aftësitë sigurisht sjell dallimin në karakteret.[9]
 Por nuk është kështu, sepse ka dy lloje aftësish: aftësi natyrore dhe aftësi të fituara. Të parat, që janë krijim i Perëndisë, janë krejt të mira — në krijimin e Perëndisë nuk ekziston e keqja; mirëpo aftësitë e fituara janë bërë shkaku i shfaqjes së të keqes. Për shembull, Perëndia i ka krijuar të gjithë njerëzit në mënyrë të tillë dhe u ka dhënë atyre një konstrukt e aftësi të tilla, që atyre u bëjnë mirë sheqeri e mjalti dhe i dëmton e i shkatërron helmi. Kjo natyrë e ky konstrukt janë të lindura, dhe Perëndia ia ka dhënë ato në mënyrë të barabartë gjithë njerëzimit. Por njeriu fillon ta mësojë pak nga pak veten me helm, duke marrë çdo ditë një sasi të vogël dhe duke e shtuar atë gradualisht, derisa arrin që nuk mund të jetojë pa një gram opium çdo ditë. Aftësitë natyrore degjenerojnë kështu plotësisht. Shikoni sa shumë mund të ndryshohen aftësitë e konstrukti natyror, derisa me shprehi e stërvitje të ndryshme ato zvetënohen krejtësisht. Askush nuk i kritikon njerëzit me vese për shkak të natyrës e të aftësive të tyre të lindura, por për natyrën e aftësitë e tyre të fituara.
 Në krijim nuk ekziston e keqja; gjithçka është e mirë. Disa veti e natyra të lindura në disa njerëz dhe në dukje të qortueshme, në të vërtetë nuk janë të tilla. Për shembull, që në fillim të jetës së tij, ju mund të vëreni në një fëmijë gjiri shenjat e lakmisë, të zemërimit e të inatit. Pra, mund të thuhet se e mira dhe e keqja janë të lindura në realitetin e njeriut, dhe kjo është në kundërshtim me mirësinë e kulluar të natyrës e të krijimit. Përgjigja është se lakmia, që do të thotë të kërkosh diçka më shumë, është një veti e lavdërueshme po qe se përdoret në mënyrë të përshtatshme. Kështu, në qoftë se një njeri është lakmitar për të fituar shkencë e dije, ose për t’u bërë i mëshirshëm, bujar e i drejtë, kjo është tepër e lavdërueshme. Në qoftë se ai e përdor zemërimin e indinjatën e tij kundër tiranëve gjakpirës, që janë si bisha të egra, kjo është shumë e lavdërueshme; por në qoftë se ai nuk i përdor drejt këto cilësi, ato janë të qortueshme.
(“Përgjigje për disa pyetje”, f. 212-15)

38
Përsa i përket dallimit midis atij qytetërimi material që mbizotëron tani dhe qytetërimit hyjnor, që do të jetë njëra prej të mirave që do të vijnë nga Shtëpia e Drejtësisë, është ky: qytetërimi material, përmes fuqisë së ligjeve të ndëshkimit e të shpagimit, i përmban njerëzit nga kryrja e veprimeve kriminale; e megjithatë, ndërsa ligjet e shpagimit e të dënimit të njeriut vazhdimisht shtohen, siç mund ta shihni nuk ekzistojnë ligje për ta shpërblyer atë. Në të gjitha qytetet e Evropës e të Amerikës, janë ngritur ndërtesa të mëdha që shërbejnë si burgje për kriminelët.
 Kurse qytetërimi hyjnor edukon çdo pjesëtar të shoqërisë në mënyrë të tillë që askush, me përjashtim të një numri të papërfillshëm njerëzish, nuk do të kryejë krime. Ka, pra, një ndryshim të madh midis parandalimit të krimit me anë masash të dhunshme e shpaguese dhe edukimit të njerëzve, ndriçimit të tyre, shpirtëzimit të tyre, saqë pa ndonjë frikë dënimi apo hakmarrjeje, ata t’i shmangen çdo veprimi kriminal. Ata, me të vërtetë, do ta shohin kryerjen e një krimi si një fatkeqësi të madhe dhe si dënimin më të rëndë në vetvete. Ata do të dashurohen pas përsosurive njerëzore, do t’ia kushtojnë jetën e tyre gjithçkaje që do t’i sjellë dritë botës dhe do të çojnë më tej ato veti që janë të pranueshme në Pragun e Shenjtë të Perëndisë.
 Shih, pra, sa i madh është ndryshimi midis qytetërimit material dhe atij hyjnor. Me forcë e dënime, qytetërimi material kërkon t’i përmbajë njerëzit nga veprimet e liga, nga ato gjëra që i shkaktojnë dëm shoqërisë dhe nga kryerja e krimeve. Kurse në qytetërimin hyjnor individi është aq i përgatitur, saqë pa pasur frikën e dënimit, i shmanget kryerjes së krimeve, e sheh vetë krimin si torturën më të rëndë dhe me zell e gëzim u kushtohet përpjekjeve për të fituar vetitë e njerëzimit, për të çuar më tej progresin njerëzor dhe për të përhapur dritë anembanë botës.
(“Pjesë të zgjedhura nga shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it”, sek. 105, f. 132-33)

39
Midis sigurive të Besimit të Shenjtë është edukimi i fëmijëve, dhe ky është një ndër parimet më me peshë në të gjitha Mësimet Hyjnore. Kështu, qysh nga fillimi nënat duhet t’i rrisin fëmijët e tyre në djepin e moralit të mirë — sepse nënat janë edukatoret e para, — në mënyrë që, kur fëmija të arrijë pjekurinë, ai të jetë pajisur me të gjitha virtytet e vetitë që meritojnë të lavdërohen.
 Dhe më tej, sipas porosive Hyjnore, çdo fëmijë duhet të mësojë shkrim e lexim dhe të zotërojë degë të tilla të dijes që janë të dobishme e të nevojshme, si dhe të mësojë një mjeshtëri a zeje. Këtyre çështjeve u duhet kushtuar kujdesi më i madh; çdo lënie e tyre pasdore, çdo moszbatim i tyre, nuk është i lejueshëm.
 Vini re sesi shumë institucione penale, burgje e vende torturash janë të gatshme për të pritur bijtë e njerëzve, duke pasur si qëllim që, me masa ndëshkimore, t’i parandalojnë ata të kryejnë krime të tmerrshme — ndërkohë që ky torturim e dënim vetëm e shtojnë zvetënimin dhe me mjete të tilla qëllimi i dëshiruar nuk mund të arrihet si duhet.
 Prandaj individi duhet të mësohet që në fëmijëri në mënyrë të tillë që kurrë të mos kryejë krime, përkundrazi t’i drejtojë të gjitha energjitë e tij për të fituar përsosuri, dhe ta shohë vetë kryerjen e një vepre të keqe si dënimin më të rëndë në vetvete, duke e konsideruar vetë aktin mëkatar si shumë më të rëndë se çdo dënim me burg. Sepse është e mundur të mësohet individi që, megjithëse krimi mund të mos zhduket tërësisht, ai sidoqoftë do të bëhet tepër i rrallë.
 Domethënia është se edukimi i karakterit të njerëzimit është një prej porosive më me peshë të Perëndisë dhe se ndikimi i një edukimi të tillë është si ai që ushtron dielli mbi pemën e frutat. Fëmijët duhet të ruhen me kujdes, të mbrohen e të mësohen; në këtë qëndron kujdesi prindëror dhe mëshira prindërore e vërtetë.
 Përndryshe, fëmijët do të rriten si barëra të këqinj dhe do të bëhen Pema e mallkuar, e Ferrit,[10] duke mos ditur ç’është e mirë e ç’është e keqe, duke mos dalluar vetitë më të larta njerëzore nga çdo gjë e ulët dhe e poshtër; kështu do të rriten në kotësi e do të urrehen prej Zotit të Mëshirshëm.
 Prandaj çdo fëmijë, që rritet në kopshtin e dashurisë Qiellore, kërkon edukimin e kujdesin më të madh.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

40
Shkaku që qëndron në themel të keqbërjes është injoranca dhe ne duhet, pra, të mbahemi fort pas mjeteve të njohjes e të dijes. Karakteri i mirë i duhet mësuar njeriut. Drita duhet të përhapet larg, në mënyrë që, në shkollën e njerëzimit, të gjithë të fitojnë karakteristikat qiellore të shpirtit dhe ta provojnë vetë se, pa pikë dyshimi, nuk ka Skëterrë më të keqe, humnerë më të thellë sesa të kesh një karakter të lig e të sëmurë; nuk ka pus më të errët as vuajtje më të neveritshme sesa të kesh veti që meritojnë të dënohen.
 Individi duhet të edukohet në një shkallë të tillë të lartë, saqë më mirë t’i presin kokën sesa të thotë një gënjeshtër, dhe të mendojë se është më kollaj të pritet me shpatë apo të shpohet me shtizë sesa të thotë shpifje apo të rrëmbehet nga mllefi.
 Kështu do të ndizet ndjenja e dinjitetit dhe e krenarisë njerëzore, që do të djegë frytet e orekseve epshore. Atëherë secili prej të dashurve të Perëndisë do të shkëlqejë si hënë e ndritshme me vetitë e shpirtit dhe qëndrimi i secilit ndaj Pragut të Shenjtë të Zotit të tij nuk do të jetë iluzor, por i shëndetshëm e real, do të jetë si vetë themeli i ndërtesës, e jo si një zbukurim në fasadën e saj.
 Që këtej rrjedh se shkolla e fëmijëve duhet të jetë një vend ku të mbretërojnë disiplina e rregulli më i madh, se mësimi duhet të jetë rrënjësor dhe të merren masa për të korrigjuar e përsosur karakterin; kështu që, në vitet e tij të para, brenda vetë thelbit të fëmijës, të hidhet themeli hyjnor dhe të ngrihet binaja e shenjtërisë.
 Dije se kjo çështje e të mësuarit, e korrigjimit dhe e përsosjes së karakterit, e dhënies zemër dhe e inkurajimit të fëmijës, është me rëndësi të madhe, sepse këto janë parime bazë të Perëndisë.
 Kështu, dashtë Perëndia, prej këtyre shkollave shpirtërore do të dalin fëmijë të ndriçuar, të stolisur me virtytet më të bukura të njerëzimit, që do ta hedhin dritën e tyre jo vetëm anembanë Persisë, por edhe në mbarë botën.
 Është tepër e vështirë ta mësosh individin dhe të përsosësh karakterin e tij pasi ka kaluar puberteti. Në këtë kohë, siç e ka treguar përvoja, edhe sikur të bëhen të gjitha përpjekjet për të ndryshuar ndonjë nga prirjet e tij, ato nuk kanë vlerë. Ai, ndoshta, mund të përmirësohet disi ndonjë ditë; por sapo kalojnë disa ditë, harron dhe kthehet prapë në gjendjen e tij të zakonshme dhe tek ato që i janë bërë shprehi. Ja përse në fëmijërinë e hershme duhet hedhur një themel i shëndoshë. Sakohë dega është e gjelbër dhe e butë, ajo mund të drejtohet me lehtësi.
 Me këtë dua të them se vetitë e shpirtit janë themeli bazë e hyjnor, që stolis thelbin e vërtetë të njeriut; dhe dija është shkaku i progresit njerëzor. Të dashurit e Perëndisë duhet t’i kushtojnë rëndësi të madhe kësaj çështjeje dhe ta çojnë atë përpara me entuziazëm e zell.
(“Pjesë të zgjedhura nga shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it”, sek. 111), f. 136-37)

41
Po të mos kishte edukator, të gjithë shpirtrat do të mbeteshin të egër, dhe po të mos kishte mësues, të gjithë fëmijët do të ishin krijesa injorante.
 Ja përse, në këtë cikël të ri, edukimi dhe përgatitja janë regjistruar në Librin e Perëndisë si të detyrueshme e jo vullnetare. Pra, çdo ati e nëne i vihet për detyrë të përpiqen me të gjitha mundësitë të edukojnë të birin dhe të bijën, t’i mëkojnë ata nga gjiri i dijes dhe t’i rrisin në prehrin e shkencave e të mjeshtrive. Në qoftë se e lenë pasdore këtë çështje, ata do të konsiderohen përgjegjës e do të meritojnë qortimin në praninë e Zotit të rreptë.
(“Pjesë të zgjedhura nga shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it”, sek. 98), f. 126-27)

42
Dhe midis mësimeve të Bahá’u’lláh-ut është edhe mbështetja e edukimit. Çdo fëmijë duhet të përgatitet në shkenca aq sa është e nevojshme. Në qoftë se prindërit janë në gjendje të mbulojnë shpenzimet e këtij edukimi, mirë, përndryshe komuniteti duhet të gjejë mjetet për mësimin e atij fëmije.
(Nga një letër e shkruar prej ‘Abdu’l-Bahá-it, drejtuar Organizatës Qendrore për jë Paqe të Qëndrueshme, Hagë, (17 dhjetor, 1919), f. 12; botuar gjithashtu në “Pjesë të zgjedhura nga shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it”, sek. 227, f. 304)

43
Ka shtylla të caktuara që janë vendosur si mbështetëse të palëkundshme të Besimit të Perëndisë. Më e fuqishmja ndër to është fitimi i dijeve dhe përdorimi i mendjes, rritja e ndërgjegjes dhe depërtimi në realitetin e gjithësisë e në misteret e Fuqiplotit Perëndi.
 Çuarja përpara e dijes është, pra, një detyrë e pashmangshme që i shtrohet si detyrë secilit prej miqve të Perëndisë. I takon asaj Asambleje Shpirtërore, asaj trupe të Perëndisë, të bëjë të gjitha përpjekjet për edukimin e fëmijëve, në mënyrë që qysh nga fëmijëria ata të ushtrohen në sjelljen Bahá’í e rrugët e Perëndisë dhe, ashtu si bimët e njoma, të gjallojnë e lulëzojnë në ujërat e qeta që janë këshillat e porositë e Bukurisë së Bekuar. Punoni, pra, me zemër e me shpirt, zgjidhini gjuhët tuaja për të çuar më tej këtë përpjekje, sakrifikojini pasuritë tuaja, që Shkolla e Ishkabadit [‘Ishqábád] të përparojë gjithmonë me disiplinë e rregull.[11]
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

44
Ti ke shkruar lidhur me fëmijët: Qysh në fillim fëmijët duhet të marrin një edukatë hyjnore dhe duhet t’u kujtohet vazhdimisht që të kenë ndërmend Perëndinë e tyre. Le të përshkojë dashuria e Perëndisë qënien e tyre më intime bashkë me qumështin e nënës.
(“Pjesë të zgjedhura nga shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it”, sek. 99, f. 127)

45
Dëshira ime është që këta fëmijë të marrin edukim Bahá’í, kështu që të mund të përparojnë si këtu dhe në Mbretërinë, dhe ta gëzojnë zemrën tënde.
 Në të ardhmen, morali do të degjenerojë deri në ekstrem. Është thelbësore që fëmijët të rriten në mënyrën Bahá’í, që ata të mund të gjejnë lumturi si në këtë botë dhe në tjetrën. Përndryshe do t’i rrethojnë hidhërimet e telashet, sepse lumturia njerëzore bazohet mbi sjelljen shpirtërore.
(“Pjesë të zgjedhura nga shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it”, sek. 100, f. 127)

46
Edukimi i fëmijës është çështje e një rëndësie shumë të madhe. Foshnja, ndërsa është ende në gji, duhet të marrë edukim Bahá’í dhe fryma e dashurisë e Krishtit dhe e Bahá’u’lláh-ut duhet fryrë në të, që ai të rritet në pajtim me të vërtetat e Ungjillit dhe të Librit Më të Shenjtë.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

47
O ti që vështron Mbretërinë e Perëndisë!
Letrën tënde e morëm dhe vëmë re se ti merresh me mësimin e fëmijëve të besimtarëve, se këtyre vogëlushëve të njomë u janë mësuar Fjalët e Fshehura, lutjet dhe çfarë do të thotë të jesh Bahá’í.
 Të mësuarit e këtyre fëmijëve është si puna e një kopshtari të përkushtuar që kujdeset për bimët e tij të njoma në fushat e lulëzuara të Lavdiplotit. Nuk ka dyshim se ajo do të japë rezultatet e dëshiruara; kjo është veçanërisht e vërtetë për shpjegimin e detyrimeve Bahá’í e të sjelljes Bahá’í, sepse fëmijët e vegjël duhet ta ndiejnë në vetë zemrën e shpirtin e tyre se “Bahá’í” nuk është thjesht një emër, por një e vërtetë. Çdo fëmijë duhet të ushtrohet në gjërat e shpirtit, që ai të mund të mishërojë të gjitha virtytet dhe të bëhet një burim lavdie për Kauzën e Perëndisë. Përndryshe, thjesht fjala “Bahá’í”, nëse nuk jep fryt, nuk të çon asgjëkundi. Përpiqu, pra, me të gjitha aftësitë e tua që t’ua bësh të ditur këtyre fëmijëve se një Bahá’í është një njeri që mishëron të gjitha përsosuritë, se ai duhet të shkëlqejë si një qiri i ndezur — jo të jetë si errësirë në errësirë e megjithatë të mbajë emrin “Bahá’í”.
 Vërja emrin kësaj shkolle Shkolla Bahá’í e së Djelës.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

48
Ne kemi shkruar më parë dhe kemi dërguar një letër të hollësishme për edukimin e fëmijëve me besim, siguri, kulturë e dije shpirtërore dhe për mësimin e tyre që t’i drejtohen Mbretërisë Qiellore me zemra lutëse.
 Është e sigurt se ju do të bëni të gjitha përpjekjet për këtë qëllim.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

49
Përsa i përket pyetjes lidhur me edukimin e fëmijëve: Është detyra jote t’i ushqesh ata me gjirin e dashurisë së Perëndisë dhe t’i nxitësh drejt gjërave të shpirtit — që ata ta kthejnë fytyrën ndaj Perëndisë; që veprimet e tyre të jenë në pajtim me rregullat e sjelljes së mirë dhe karakteri i tyre i përsosur; që ata t’i bëjnë të tyret të gjitha vetitë tërheqëse e të lavdërueshme të njerëzimit; që ata të fitojnë dije të shëndosha në degët e ndryshme të diturisë — në mënyrë që qysh prej fillimit të jetës ata të bëhen qenie shpirtërore, banorë të Mbretërisë, të dashuruar pas flladeve të ëmbla të shenjtërisë dhe të marrin një edukim fetar, shpirtëror e të Mbretërisë Qiellore. Me të vërtetë Unë do t’i lutem Perëndisë t’u dhurojë atyre një përfundim fatlum në këtë.
(“Pjesë të zgjedhura nga shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it”, sek. 122, f. 142)

50
Bëni çdo përpjekje që të zotëroni degët e ndryshme të dijes e të të kuptuarit të vërtetë. Tendosni çdo nerv që të arrini përsosuri si materiale dhe shpirtërore.
 Inkurajojini fëmijët qysh në vitet e tyre të hershme që të zotërojnë çdo lloj dije dhe ngulituni zellin për t’u bërë të aftë në çdo mjeshtri — me qëllim që falë dashamirësisë së Perëndisë zemra e secilit të bëhet si një pasqyrë që nxjerr në shesh të fshehtat e gjithësisë, duke depërtuar në realitetin më të thellë të të gjitha gjërave; dhe që secili të fitojë famë mbarëbotërore në të gjitha degët e dijes, të shkencës e të arteve.
 Sigurisht, sigurisht, mos lini pasdore edukimin e fëmijëve. Rritini ata që të jenë të pushtuar prej vetive shpirtërore dhe t’u sigurohen dhuntitë e favoret e Zotit.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

51
O ju dy shërbëtorë në Pragun e Shenjtë! U gëzuam shumë e u përtëritëm kur mësuam se ju keni organizuar takime për edukimin e fëmijëve. Kushdo që është aktiv në këto takime, qoftë si mësues i fëmijëve ose si kujdestar, me siguri do të bëhet bartës i konfirmimit nga Mbretëria e padukshme dhe bujari të pasosura do ta rrethojnë.
 Me gëzim të madh, pra, ju ofrohet inkurajimi për këtë përpjekje shumë të lavdërueshme, që ju të merrni një shpërblim tepër të lartë.
 Pritni me bindje e siguri konfirmimet e Mëshirëplotit.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

52
O ju dy shërbëtore të shumëdashura të Perëndisë! Çdo gjë që flet gjuha e njeriut, le ta provojë me veprat e tij. Në qoftë se ai pretendon se është besimtar, atëhere le të veprojë në përputhje me porositë e Mbretërisë Abhá!
 Lavdi Zotit, ju të dyja e keni treguar vërtetësinë e fjalëve tuaja me veprat tuaja dhe keni fituar konfirmimet e Zotit Perëndisë. Çdo ditë, sapo agon, ju mblidhni bashkë fëmijët Bahá’í dhe u mësoni atyre tekstet e lutjet. Ky është një veprim shumë i lavdërueshëm dhe u sjell gëzim zemrave të fëmijëve: që ata, çdo mëngjes, t’i kthejnë fytyrat ndaj Mbretërisë, të përmendin Zotin e të lavdërojnë Emrin e Tij dhe, me zërat më të ëmbël, të këndojnë e të recitojnë.
 Këta fëmijë janë si bimë të njoma dhe t’u mësosh atyre lutjet është si një shi që bie mbi ta, që ata të bëhen të butë e të freskët dhe që flladet e lehta të dashurisë së Perëndisë të fryjnë mbi ta, duke i bërë të dridhërohen nga gëzimi.
 Bekimi dhe një strehë premtuese ju presin
(“Pjesë të zgjedhura nga shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it”, sek. 115, f. 139)

53
 O ti i patundur në Besëlidhje!
Letra jote arriti dhe shkaktoi gëzim të madh, me fjalën e saj që, lavdi Zotit, të rinjtë e parajsës Abhá janë të gjelbër e të butë falë shirave që bien nga retë e mirësisë qiellore; që ata rriten e lulëzojnë nën reshjet e prillit të udhërrëfimit qiellor dhe përparojnë nga dita në ditë.
 Është e sigurt se secili prej tyre do të bëhet një flamur i udhërrëfmit, një simbol i dhuntive që vijnë nga Mbretëria e Lavdiplotit. Ata do të jenë bilbila zëmagjepës në kopshtet e dijes, gazela të bukura hirplota, që enden në pllajat e dashurisë së Perëndisë. Ju duhet t’i kushtoni rëndësinë më të madhe edukimit të fëmijëve, sepse ky është baza e Ligjit të Perëndisë dhe themeli i godinës së Besimit të Tij.
 Sikur ta dinit sa gëzim ka sjellë ajo që është bërë për fëmijët, besimtarët me siguri do t’i edukonin të gjithë fëmijët e tyre në të njëjtën mënyrë.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

54
O shokë të vërtetë!
Gjithë njerëzimi është si fëmijët në një shkollë dhe Agimet e Dritës, Burimet e revelacionit hyjnor janë mësuesit, të mahnitshëm e të pashoq. Në shkollën e realiteteve ata i mësojnë këta bij e bija sipas mësimeve që vijnë nga Perëndia dhe i rrisin në gjoksin e mirësisë, që ata të zhvillohen në të gjitha drejtimet, të shfaqin dhunti e bekime të shkëlqyera të Zotit dhe të kombinojnë përsosuri njerëzore; që ata të përparojnë në të gjitha aspektet e sjelljes njerëzore, si të jashtme dhe të brendshme, të fshehura ose të dukshme, materiale ose shpirtërore, derisa ta bëjnë këtë botë të vdekshme një pasqyrë të madhe që të reflektojë botën tjetër që nuk vdes.
 ...Sepse në këtë më të rëndësishmen ndër të gjitha epokat, Dielli i së Vërtetës është ngritur në pikën më të lartë të sanataditës pranverore dhe ka lëshuar rrezet e tij mbi çdo vend, ai do të ndezë një trazim të tillë drithërues, do të çlirojë vibracione të tilla në botën e qenies, do të stimulojë një rritje e zhvillim të tillë, do të vërshojë me një lavdi të tillë drite, re të mirësisë do të reshin ujëra kaq të bollshme dhe fushat e pllajat do të çelin me një plejadë të tillë bimësh e lulesh erëkëndshme, saqë kjo tokë e përunjur do të bëhet Mbretëria Abhá dhe kjo botë këtu poshtë bota e sipërme. Atëhere kjo thërrmijë pluhuri do të jetë si rrethi i gjerë i qiejve, ky vend njerëzor si oborri i pallatit të Perëndisë, ky truall argjili Agimi i favoreve të pasosura të Zotit të Zotëve.
 Prandaj, O të dashur të Perëndisë! Bëni një përpjekje të fuqishme derisa ju vetë të arrini këtë përparim e të gjitha këto konfirmime dhe të bëheni vatra të bekimeve të Perëndisë, agime të dritës së unitetit të Tij, nismëtarë të dhuntive e të favoreve të jetës së qytetëruar. Jini në atë tokë pararoja të përsosurive të njerëzimit; çoni përpara degët e ndryshme të dijes, jini aktivë e të përparuar në fushën e shpikjeve e të arteve. Përpiquni të korrigjoni sjelljen e njerëzve dhe synoni t’ia kaloni gjithë botës për nga karakteri moral. Ndërkohë që fëmijët janë ende në foshnjëri, ushqejini ata nga gjiri i hirit qiellor, rritini në djepin e çdo përsosurie, edukojini ata në përqafimin e bujarisë. Jepuni atyre epërsinë e çdo lloj dije të dobishme. Le të marrin pjesë në çdo mjeshtri e art të rrallë e të mahnitshëm. Edukojini ata me punë e përpjekje dhe që të kapërcejnë vështirësitë. Mësojini t’ua kushtojnë jetën gjërave që kanë rëndësi të madhe dhe frymëzojini që të ndërmarrin studime që do t’i sjellin dobi njerëzimit.
(“Pjesë të zgjedhura nga shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it”, sek. 102, f. 128-29)

55
Edukimi dhe ushtrimi i fëmijëve është ndër veprimet më të vlefshme të njerëzimit dhe sjell hirin e favorin e Mëshirëplotit, sepse edukimi është themeli domosdoshëm i çdo shquarsie njerëzore dhe e lejon njeriun të çajë rrugën drejt lartësive të lavdisë së përhershme. Në qoftë se një fëmijë ushtrohet që në fëmijëri, ai, përmes kujdesit dashamirës të Kopshtarit të Shenjtë, do të pijë nga ujërat e kristalta të shpirtit e të dijes, si një pemë e njomë midis rrëkeve të rrjedhshme. Dhe sigurisht ai do të tërheqë te vetja rrezet e ndritshme të Diellit të së Vërtetës, dhe falë dritës e nxehtësisë së tij do të rritet përherë i freskët e i pastër në oborrin e jetës.
 Prandaj këshilltari duhet të jetë gjithashtu mjek: domethënë, duke ushtruar fëmijën, ai duhet të korrigjojë gabimet e tij; duhet t’i japë atij dije dhe, në të njëjtën kohë, të kujdeset që ai të ketë natyrë shpirtërore. Le të jetë mësuesi një mjek për karakterin e fëmijës, kështu ai do të shërojë sëmundjet shpirtërore të bijve të njerëzve.
 Në qoftë se, në këtë detyrë kaq të rëndësishme, ushtrohet një përpjekje e madhe, bota e njerëzimit do të shkëlqejë me stoli të tjera dhe do të lëshojë një dritë të bardhë. Atëhere ky vend i errët do të bëhet i ndritshëm dhe kjo banesë tokësore do të shndërrohet në Parajsë. Vetë demonët atëherë do të shndërrohen në ëngjëj, dhe ujqërit në barinj grigjash, dhe lukunia e qenve të egër në ruajtës të gazelave që kullotin në pllajat e njëshmërisë, dhe shtazët e egra në kope të qeta; dhe zogjtë grabitqarë, me kthetra të mprehtë si thika, në këngëtarë që cicërojnë notat e veta të ëmbla. Sepse realiteti i brendshëm i njeriut është një vijë ndarëse midis hijes e dritës, një vend ku takohen dy detra;[12] është pika më e ulët në harkun e zbritjes[13] dhe, pra, është në gjendje të arrijë të gjitha gradat më lart. Me edukim ai mund të arrijë çdo shquarësi; pa edukim ai do të qëndrojë në vend, në pikën më të ulët të papërsosurisë.
 Çdo fëmijë është potencialisht drita e botës — dhe në të njëjtën kohë errësira e saj e trefishtë; prandaj çështja e edukimit duhet të llogaritet si e një rëndësie parësore. Që në foshnjërinë e tij, fëmija duhet të ushqehet në gjirin e dashurisë së Perëndisë dhe të rritet në përqafimin e dijes së Tij, që ai të rrezatojë dritë, të rritet shpirtërisht, të mbushet me urti e dituri dhe të marrë vetitë e ushtrisë engjëllore.
 Meqenëse u ngarkuat me këtë detyrë të shenjtë, ju duhet, pra, të ushtroni çdo përpjekje për ta bërë atë shkollë të famshme nga çdo pikëpamje në mbarë botën; ta bëni atë shkak të lartësimit të Fjalës së Zotit.
(“Pjesë të zgjedhura nga shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it”, sek. 103, f. 129-31)

56
Ndër shërbimet më të mëdha që njeriu mund t’i bëjë Perëndisë Fuqiplotë është edukimi dhe ushtrimi i fëmijëve, i bimëve të njoma të Parajsës Abhá, në mënyrë që këta fëmijë, të futur me mirësi në rrugën e shëlbimit, duke u rritur si margaritarë të bujarisë hyjnore në guackën e edukimit, të stolisin një ditë kurorën e lavdisë së përjetshme.
 Megjithatë, është shumë e vështirë ta ndërmarrësh këtë shërbim dhe akoma më e vështirë t’ia dalësh mbanë atij. Unë shpresoj se ti do të dalësh mirë në këtë detyrë kaq të rëndësishme, do ta kryesh atë me sukses dhe do të bëhesh një shenjë e mirësisë bujare të Perëndisë; që të gjithë këta fëmijë, të rritur sipas Mësimeve të shenjta, do të zhvillojnë natyrë të ngjashme me ajrin e freskët që fryn përmes kopshteve të Lavdiplotit dhe do të përhapin aromën e tyre anembanë botës.
(“Pjesë të zgjedhura nga shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it”, sek. 106, f .133-34)

57
I bekuar je ti, derisa je angazhuar për të kryer një shërbim, që do ta bëjë fytyrën tënde të shkëlqejë në Mbretërinë Abhá, dhe ky është edukimi e ushtrimi i fëmijëve. Në qoftë se ndokush i mëson e i ushtron fëmijët ashtu si duhet, ai do të bëjë një shërbim, më të madh nga i cili nuk ka në Pragun e shenjtë. Sipas atyre që kemi dëgjuar, ju po ia dilni mbanë kësaj. Por ju duhet të përpiqeni pareshtur të përsoseni e të keni arritje edhe më të mëdha.
 Unë vazhdimisht i lutem Perëndisë Fuqiplotë të të bëjë ty mjetin për të ndriçuar mendjet e atyre fëmijëve, për të sjellë në jetë zemrat e për të shenjtëruar shpirtrat e tyre.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

58
‘Abdu’l-Bahá-i ushqen shpresën se për këta shpirtra rinorë në klasat shkollore të dijes më të thellë do të përkujdeset dikush që t’i mësojë ata të dashurojnë. I mësofshin mirë të gjithë ata, deri në kufijtë e arritjeve të shpirtit, misteret e fshehura; aq mirë saqë në Mbretërinë e Lavdiplotit secili prej tyre, si një bilbil i pajisur me ligjëratë, të shpallë sekretet e Mbretërisë Qiellore dhe, si një dashnor i përmalluar, të shprehë dëshirën e zjarrtë dhe nevojën e tij të ngutshme për të Shumëdashurin.
(“Pjesë të zgjedhura nga shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it”, sek. 107, f .134)

59
O ti shërbëtore e Perëndisë!
Krijo një shkollë qiellore dhe ji mësuese në atë shtëpi të dijes. Edukoji fëmijët me gjërat e Perëndisë; dhe, si margaritarë, rriti ata në zemrën e guackës së udhërrëfimit hyjnor.
 Përpiqu me gjithë zemër e shpirt; kujdesu që fëmijët të rriten për të mishëruar përsosuritë më të larta të njerëzimit në një shkallë të tillë që secili prej tyre të ushtrohet në përdorimin e mendjes, në zotërimin e dijes, në përunjësi e nënshtrim, në dinjitet, në zjarr e dashuri.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

60
Kërkoni një grua mësuese, ajo duhet të jetë tepër modeste, me temperament të qetë, e duruar dhe e miredukuar, dhe të jetë specialiste në gjuhën angleze.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

61
Në shkollën tënde mësoji fëmijët e Perëndisë me zakonet e Mbretërisë. Bëhu mësues i dashurisë në një shkollë të unitetit. Ushtroji fëmijët e miqve të të Mëshirshmit me rregullat e rrugët e dashamirësisë së Tij. Rriti pemët e njoma të Parajsës Abhá me ujërat e rrjedhshme të mirësisë së Tij, me paqe e gëzim. Bëji ato të lulëzojnë nën reshjet e bujarisë së Tij. Përpiqu me të gjitha forcat që fëmijët të mbahen e të rriten të freskët, delikatë e të ëmbël, si pemët ideale në kopshtet e Qiellit.
 Të gjitha këto dhunti e bujari varen nga dashuria për Bukurinë e Lavdiplotit, nga mbarëvajtja në mësimet e Më të Lartit, nga porositë shpirtërore të Grupimit Suprem dhe nga rrëmbimi, zjarri e kërkimi i zellshëm në çdo gjë që do të kontribuojë për nderin e përjetshëm të komunitetit të njeriut.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

62
Bëni çdo përpjekje për të zotëruar dijet e përparuara të kohës dhe tendosni çdo nerv për të çuar përpara qytetërimin hyjnor. Ngrini shkolla të organizuara mirë dhe mbështetni bazat e mësimit në degët e ndryshme të dijes përmes mësuesish të pastër në shpirt e të përkushtuar, që dallohen për standardet e tyre të larta të sjelljes e të shquarsisë së përgjithshme, si dhe të fortë në besim; njerëz me shkollë e edukatorë me njohuri të thella të shkencave e arteve.
 Është detyrë e organit të lavdëruar të Duarve të Kauzës së Perëndisë t’i mbikqyrin e t’i mbrojnë këto shkolla me të gjitha mjetet, të kujdesen për kërkesat e tyre, në mënyrë që të gjitha mjetet e përparimit të jenë vazhdimisht të pranishme dhe dritat e dijes të ndriçojnë mbarë botën.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

63
O ti që je i qëndrueshëm në Besëlidhje!
Në përgjigje të letrës tënde, jam i detyruar t’i bije shkurt: Lavdëro Perëndinë që ia ke dalë mbanë të bëhesh një mësues i të rinjve Bahá’í, pemë të njoma të Parajsës Abhá, dhe në të njëjtën kohë je në gjendje të ndihmosh edhe fëmijë të tjerë.
 Sipas Tekstit të qartë hyjnor, të mësuarit e fëmijëve është i domosdoshëm e i detyrueshëm. Nga kjo del se mësuesit janë shërbëtorë të Zotit Perëndisë, derisa i janë përveshur kryerjes së kësaj detyre, që është e njëjtë si adhurimi. Prandaj ju duhet të thurrni lavde në çdo frymëmarrje, sepse ju po edukoni fëmijët tuaj shpirtërorë.
 Ati shpirtëror është më i madh se ai fizik, sepse ky i dyti i jep vetëm jetën e kësaj bote, ndërsa i pari e pajis fëmijën e tij me jetë të pasosur. Ja përse në Ligjin e Perëndisë mësuesit renditen midis trashëgimtarëve.
 Tani ju, në realitet, keni gjithë këta fëmijë shpirtërorë falas e gratis dhe kjo është më mirë sesa të kesh fëmijë fizikë; sepse fëmijë të tillë nuk u janë mirënjohës etërve të tyre, përderisa e ndiejnë se ati u shërben atyre sepse duhet ta bëjë këtë — dhe, pra, s’ka rëndësi se ç’bën ai për ta, ata nuk i kushtojnë vëmendje. Kurse fëmijët shpirtërorë gjithmonë e vlerësojnë dashamirësinë e atit të tyre. Kjo në të vërtetë vjen nga hiri i Zotit tënd, Bamirësit.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

64
   O ti që je i qëndrueshëm në Besëlidhje!
   Ti ke bërë përpjekje të mëdha për edukimin e fëmijëve dhe unë kam qenë e jam pafundësisht i kënaqur prej teje. Lëvduar qoftë Perëndia, ty të është bërë e mundur të shërbesh në këtë fushë dhe është e sigurt se konfirmimet e Mbretërisë Abhá do të të rrethojnë dhe ti do të arrish mbarësi e sukses.
 Sot ushtrimi dhe edukimi i fëmijëve të besimtarëve është qëllimi më i shquar i të zgjedhurve. Kjo është njëlloj sikur të punosh për Pragun e Shenjtë dhe t’i shërbesh Bukurisë së Bekuar. Gjithë gëzim, pra, mund të krenohesh për këtë.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

65
    O ti mësues i fëmijëve të mbretërisë!
   Ti dole për të kryer një shërbim që do të të jepte të drejtë të mburresh ndaj të gjithë mësuesve mbi tokë. Sepse mësuesit e kësaj bote përdorin edukimin njerëzor për të zhvilluar aftësitë, qoftë shpirtërore ose materiale, të njerëzimit, ndërsa ti po i ushtron këto bimë të njoma në kopshtet e Perëndisë sipas edukimit Qiellor dhe po u jep atyre mësimet e Mbretërisë.
 Rezultati i këtij lloj të mësuari do të jetë që ai do të tërheqë bekimet e Perëndisë dhe do të nxjerrë në pah përsosuritë e njeriut.
 Mbahu fort pas këtij lloj të mësuari, sepse frytet e tij do të jenë shumë të mëdha. Fëmijët, që nga fëmijëria, duhet të rriten si Bahá’í shpirtërorë e të devotshëm. Po qe i tillë edukimi, ata do të jenë të sigurt në çdo provë.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

66
   O ju bartës të favoreve të Perëndisë!
   Në këtë Epokë të re e të mahnitshme, themeli i palëkundshëm është të mësuarit e shkencave dhe arteve. Sipas Teksteve të Shenjta, që flasin qartë, çdo fëmije duhet t’i mësohen zeje e arte aq sa është e nevojshme. Prandaj në çdo qytet e fshat duhet të ngrihen shkolla dhe çdo fëmijë në atë qytet ose fshat duhet të merret me studim aq sa është e nevojshme.
 Pra, çdo shpirt që do të ofrojë ndihmën e tij në këtë drejtim, me siguri do të pranohet në Pragun Qiellor dhe do të lëvdohet nga Kompania atje Lart.
 Meqenëse ju jeni përpjekur shumë për këtë qëllim kaq të rëndësishëm, shpresoj se do të merrni shpërblimin nga Zoti i shenjave e i simboleve të qarta dhe se vështrimet e hirit qiellor do të kthehen ndaj jush.
(“Pjesë të zgjedhura nga shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it”, sek. 109, f. 134-35)


67
O ju që keni vendosmëri të madhe e qëllime fisnike!
Letra juaj ishte domethënëse, përmbajtja e saj origjinale dhe e shprehur me ndjenjë, ajo dëshmon për përpjekjet tuaja të mëdha e të lavdërueshme për të edukuar fëmijët, djem a vajza qofshin. Kjo është ndër përpjekjet më të rëndësishme njerëzore. Të gjitha mjetet e mundshme të edukimit duhet të vihen në shërbim të fëmijëve Bahá’í, bimë të njoma të kopshtit hyjnor, sepse ky është ndriçim i njerëzimit.
 Lavdi Zotit, miqtë në Ishkabad [`Ishqábád] kanë hedhur një themel të shëndodhë, një bazë të patundur. Pikërisht në Qytetin e Dashurisë u ngrit e para Shtëpi Bahá’í e Adhurimit; dhe sot në këtë qytet po zhvillohen gjithashtu mjetet e edukimit të fëmijëve, përderisa edhe në vitet e luftës kjo detyrë nuk u la pasdore dhe, me të vërtetë, tani po plotësohen mangësitë. Tani ju duhet ta zgjeroni fushën e përpjekjeve tuaja dhe të hartoni plane për ngritjen e shkollave të një edukimi më të lartë, që Qyteti i Dashurisë të bëhet vatra Bahá’í e shkencës dhe e arteve. Në sajë të ndihmës bujare të Bukurisë së Bekuar, mjetet për këtë do të gjenden.
 Kushtojini vëmendje të veçantë shkollës për vajza, sepse madhështia e kësaj Epoke të mahnitshme do të shfaqet si rezultat i përparimit në botën e grave. Ja përse ju shihni që në çdo vend bota e grave po shkon përpara, dhe kjo falë ndikimit të Manifestimit Më të Madh dhe të fuqisë së mësimeve të Perëndisë.
 Mësimi në shkolla duhet të fillojë me mësimin e fesë. Pas ushtrimit fetar dhe lidhjes së zemrës së fëmijës me dashurinë për Perëndinë, vazhdoni me edukimin në degët e tjera të dijes.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

68
Një prej miqve na ka dërguar një letër lidhur me shkollën në Ishkabad, që tregon se, shyqyr Zotit, miqtë atje tani po punojnë shumë për ta rregulluar shkollën dhe kanë caktuar mësues të kualifikuar në detyrën e tyre, se që sot e tutje do t’i kushtohet kujdesi më i madh mbikqyrjes dhe drejtimit të shkollës.
 Shpresoj gjithashtu se favoret e dhuntitë e Perëndisë, Mbretit bujar, do t’ju rrethojnë, kështu që miqtë të arrijnë t’ua kalojnë të tjerëve në të gjitha gjërat.
 Një prej ndërmarrjeve më të rëndësishme është edukimi i fëmijëve, sepse suksesi e mbarëvajtja varen nga shërbimi dhe adhurimi për Perëndinë, të Shenjtin, Lavdiplotin.
 Ndër shërbimet më të mëdha është edukimi i fëmijëve dhe zhvillimi i shkencave, zejeve e arteve të ndryshme. Lavdi Zotit, ju tani po bëni përpjekje të mëdha për këtë qëllim. Sa më shumë të këmbëngulni në këtë detyrë kaq të rëndësishme, aq më tepër do të shihni mbështetjen e Perëndisë, në një shkallë të tillë që edhe ju vetë do të mahniteni.
 Kjo në të vërtetë është tej çdo dyshimi, një zotim që me siguri do të mbahet.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

69
Shërbimet që ju po kryeni në mbështetje të Shkollës Tajid [Ta’yíd] meritojnë lavdërimin më të madh. Është e sigurt se Perëndia në bujarinë e Tij do të dërgojë bekimet e Tij të shumta, qiellore mbi ju.
 Besimtarët e kanë për detyrë të ngrejnë shkolla ku fëmijët të fitojnë dije, dhe meqenëse miqtë janë zotuar të bëjnë sakrifica për këtë e po kontribuojnë për ta mbështetur Shkollën Tajid, ‘Abdu’l-Bahá-i përunjësisht e me nënshtrimin më të madh falënderon e lëvdon Mbretërinë e Mistereve. Ai lutet që mbi ju të zbresin bujaritë e paqja e mendimit, që ju të mund t’ia dilni mbanë me lehtësi e gëzim kryerjes së këtij shërbimi kaq të lavdërueshëm.
 O Ti Dhurues! Këta shpirtra po veprojnë mirë. Bëji ata të dashur për të dy botët, bëji ata bartës të mirësisë së pamatur. Ti je i Pushtetshmi. Ti je i Afti, Ti je Dhënësi, Dhuruesi, Zoti i Pakrahasueshëm.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

70
Ajo që ti ke shkruajtur lidhur me shkollën shkakton një gëzim të madh dhe kënaq zemrën. Të gjithë miqtë u çelën e u gjallëruan nga këto lajme.
 Kjo shkollë është një prej institucioneve jetësore e thelbësore që me të vërtetë mbështesin e përforcojnë godinën e njerëzimit. Dashtë Perëndia, ajo do të zhvillohet e përsoset në çdo drejtim. Sakohë kjo shkollë është përsosur, sakohë ajo ka lulëzuar dhe ua ka kaluar të gjitha shkollave të tjera, atëherë, njëra pas tjetrës, gjithnjë e më shumë shkolla duhet të ngrihen.
 Duam të themi se miqtë duhet ta drejtojnë vëmendjen nga edukimi dhe ushtrimi i të gjithë fëmijëve të Persisë, në mënyrë që të gjithë ata, pasi të kenë arritur, në shkollën e diturisë së vërtetë, aftësinë e të kuptuarit dhe të kenë njohur realitetet e brendshme të gjithësisë, të vazhdojnë më tej për të zbuluar shenjat e misteret e Perëndisë dhe të ndriçohen nga dritat e dijes së Zotit dhe nga dashuria e Tij. Kjo, me të vërtetë, është mënyra më e mirë për të edukuar të gjithë popujt.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

71
Bëni çdo përpjekje për ta përmirësuar Shkollën e Tarbijatit [Tarbíyat] dhe për të vendosur rregull e disiplinë në këtë institucion. Përdorni çdo mjet për ta bërë këtë Shkollë një kopsht të Mëshirëplotit, nga e cila dritat e diturisë do të lëshojnë rrezet e tyre dhe ku fëmijët, Bahá’í a të tjerë qofshin, do të edukohen në një shkallë të tillë sa të bëhen dhunti të Perëndisë për njeriun dhe krenaria e gjinisë njerëzore. Le të bëjnë ata përparimin më të madh në kohën më të shkurtër, le t’i hapin sytë mirë dhe të zbulojnë realitetet e brendshme të të gjitha gjërave, le të bëhen të aftë në çdo art e mjeshtëri dhe të mësojnë të kuptojnë sekretet e të gjitha gjërave ashtu siç janë.— aftësi kjo që është një prej efekteve më të qarta të shërbimit ndaj Pragut të Shenjtë.
 Me siguri ju do të bëni të gjitha përpjekjet për ta realizuar këtë, do të hartoni gjithashtu plane për hapjen e një numri shkollash. Këto shkolla për studime akademike duhet, në të njëjtën kohë, të jenë qendra ushtrimi në sjellje e qëndrime dhe duhet t’i japin përparësi karakterit e sjelljes mbi shkencat e mjeshtritë. Sjellja e mirë dhe karakteri i lartë moral duhet të jenë të parat, sepse po nuk u ushtrua karakteri, zotërimi i dijeve do të ishte vetëm i dëmshëm. Dija është e lavdërueshme kur ajo shoqërohet me sjellje morale e karakter të virtytshëm; përndryshe ajo është një helm vdekjeprurës, një rrezik i frikshëm. Një mjek me karakter të lig e që e tradhton besimin tek ai, mund të çojë në vdekje dhe të bëhet burim i shumë sëmundjeve e lëngatave.
 Kushtojini vëmendjen më të madhe kësaj çështjeje, sepse parimi bazë, themelor i një shkolle është pikë së pari e mbi të gjitha edukimi moral, karakteri dhe korrigjimi i sjelljes.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

72
Mëshirëploti e ka krijuar njerëzimin për të stolisur këtë botë të përkohshme, që njerëzit ta zbukurojnë tokën me bekimet e shumta të Qiellit; që realiteti i brendshëm i qenies njerëzore, si një llambë e shpirtit, ta bëjë bashkësinë e njeriut si një pasqyrë të kuvendit atje lart.
 Është e qartë se dituria është dhuntia më e madhe e Perëndisë; se dija dhe fitimi i saj është një bekim nga Qielli. Është, pra, e detyrueshme që miqtë e Perëndisë të bëjnë përpjekje të tilla dhe të mundohen me një zell të tillë për të zhvilluar dijen hyjnore, kulturën e shkencat, saqë së shpejti ata që sot janë fëmijë shkolle të bëhen më të diturit e gjithë vëllazërisë së të urtëve. Ky është një shërbim që i bëhet Vetë Perëndisë dhe një prej porosive të Tij të padiskutueshme.
 Prandaj, O miq të dashur, përpiquni me mish e me shpirt dhe me të gjitha forcat që ta bëni Shkollën e Tarbijatit një qendër të ndriçimit e një burim të së vërtetës, që fëmijët e Perëndisë të shkëlqejnë me rrezet e diturisë së paanë, që këto bimë të njoma të kopshtit hyjnor të rriten e të lulëzojnë me mirësinë që resh nga retë e dijes e të të kuptuarit të vërtetë dhe të përparojnë në një shkallë të tillë sa të habisin të gjithë ata që i njohin.
 Betohem për bujarinë e urtisë së Perëndisë që, po qe se ata e fitojnë këtë çmim të lartë, pjesëtarët e Shkollës së Tarbijatit do të pranohen në kuvendin e Perëndisë dhe për ta, tej çdo dyshimi, portat e hirit të Tij do të jenë të hapura dykanatësh.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

73
Lavdi Zotit që ju ia dolët mbanë ngritjes së një shkolle në Mihtijabad [Mihdiyábád] dhe, me energji e entuziazëm të madh, po merreni me edukimin e fëmijëve.
 Në këtë Kauzë të re e të mahnitshme, përparimi i të gjitha degëve të dijes është një parim i përcaktuar e jetësor dhe miqtë, të gjithë pa përjashtim, janë të detyruar të bëjnë çdo përpjekje për këtë qëllim, në mënyrë që Kauza e Dritës së Dukshme të përhapet kudo dhe që çdo fëmijë, sipas nevojës së tij, të marrë pjesën që i takon në shkenca e arte, derisa të mos gjendet as edhe një fëmijë i vetëm fshatari fare pa shkollë.
 Është thelbësore që bazat e dijes të mësohen; është thelbësore që të gjithë të jenë në gjendje të shkruajnë e të lexojnë. Ja përse ky institucion i ri është i lavdërueshëm dhe programi i tij duhet inkurajuar. Shpresojmë se fshatra të tjerë do t’ju marrin për model dhe në çdo fshat ku ka një numër të caktuar besimtarësh do të themelohet një shkollë, ku fëmijët të mund të mësojnë të shkruajnë, të lexojnë dhe të marrin dijet bazë.
 Kjo i sjell gëzim zemrës së ‘Abdu’l-Bahá-it, çel e qetëson shpirtin e Tij.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

74
Metoda e mësimit që ju keni vendosur, duke filluar me provat e ekzistencës së Perëndisë dhe njëshmërinë e Perëndisë, misionin e profetëve e të Lajmëtarëve dhe mësimet e Tyre, si dhe me mrekullitë e gjithësisë, është shumë e përshtatshme. Vazhdoni me këtë. Është e sigurt se do të keni konfirmimet e Perëndisë. Është gjithashtu shumë i lavdërueshëm mësimi përmendësh i Tabelave, i vargjeve hyjnore e i gojdhanave të shenjta.
 Ju me siguri do të bëni të gjitha përpjekjet në mësimdhënie dhe për të çuar përpara të kuptuarit.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

75

Lidhur me fëmijët: Edukimi i mirëfilltë i tyre duhet të fillojë që nga mosha pesë vjeç. Pra, gjatë ditës për ta duhet të kujdesen në një vend ku ka mësues dhe mund të mësojnë mirësjelljen.
 Këtu atyre duhet t’u mësohen, duke luajtur, disa gërma e fjalë dhe pakëz këndim — siç bëhet në disa vende, ku përgatisin gërma e fjalë me ëmbëlsira dhe ua japin fëmijëve. Për shembull ata bëjnë një “a” prej ëmbëlsire dhe thonë se emri i saj është “a”, ose bëjnë një ëmbëlsirë “b” dhe e quajnë atë “b”, e kështu me radhë me germat e tjera të alfabetit, duke ua dhënë ato fëmijës së vogël. Kështu fëmijët do t’i mësojnë shpejt germat...
 Kur fëmijët janë gati për në shtrat, nëna le t’u lexojë ose këndojë atyre Odat e Bukurisë së Bekuar, kështu qysh në vitet e tyre të para ata do të edukohen me këto vargje udhërrëfyese.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

76
Ti pyesje për edukimin e fëmijëve. Ata fëmijë që, të strehuar nga Pema e Bekuar, kanë ardhur mbi botë, ata që janë rritur në Besim dhe që janë ushqyer në gjirin e mirësisë — ata duhet që qysh në fillim të marrin edukim shpirtëror drejtpërsëdrejti nga nënat e tyre. Pra, nënat duhet që vazhdimisht të kujtojnë Perëndinë e Ta përmendin Atë, të flasin për madhështinë e Tij e të ngulitin te fëmija druajtjen nga Ai, të përkujdesen për fëmijën butësisht, me dhembshuri e me pastërtinë më të madhe. Kështu, që nga fillimi jetës çdo fëmijë do të freskohet me flladin e lehtë të dashurisë së Perëndisë e do të dridhërohet prej gëzimit nga aroma erëmirë e udhërrëfimit qiellor. Këtu është fillimi i procesit; ai është baza thelbësore e tërë asaj që vjen më pas.
 Dhe kur fëmija të ketë arritur moshën kur ai mund të dallojë gjërat, të çohet ai në një shkollë Bahá’í, në të cilën në fillim recitohen Tekste të Shenjta dhe mësohen koncepte fetare. Në këtë shkollë fëmija do të mësojë shkrim e këndim, si dhe disa njohuri bazë të degëve të ndryshme të dijes, aq sa mund të mësojnë fëmijët.
 Në fillim mësuesi duhet t’i japë fëmijës në dorë një penë, t’i ndajë fëmijët në grupe dhe ta mësojë secilin grup sipas aftësisë së tij. Kur fëmijët në një vend të caktuar janë ndarë në rreshta dhe secili ka një penë e një letër përpara, ndërsa mësuesi ka vendosur para fëmijëve një dërrasë të zezë, le të shkruajë ai në të me shkumës dhe fëmijët të kopjojnë atë që ai ka shkruar. Për shembull, mësuesi shkruan një elif (a) dhe thotë “Kjo është një elif”. Pastaj fëmijët e kopjojnë atë dhe përsërisin: “Kjo është një elif.” E kështu me radhë, deri në fund të alfabetit. Sapo ata t’i njohin si duhet gërmat, mësuesi të bëjë disa kombinime me to, ndërsa fëmijët ndjekin shkumësin e tij dhe i shkruajnë kombinimet në letrën e tyre, derisa, me këtë metodë, ata arrijnë t’i njohin të gjitha gërmat, veç e veç dhe të kombinuara në fjalë. Pastaj mësuesi të vazhdojë me shkrim fjalish, ndërsa fëmijët kopjojnë atë që ai ka shkruar, secili në fletën e tij të letrës. Pastaj mësuesi t’ua shpjegojë fëmijëve kuptimin e fjalisë.
 Dhe kur ata janë aftësuar në gjuhën persishte, mësuesi në fillim të përkthejë e të shkruajë fjalë të veçanta dhe t’i pyesë nxënësit për kuptimin e këtyre fjalëve. Në qoftë se një nxënës ka kuptuar diçka nga kjo dhe e ka përkthyer fjalën, mësuesi ta lavdërojë atë; në qoftë se të gjithë nxënësit nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë, mësuesi të shkruajë përkthimin e fjalës së huaj poshtë fjalës përkatëse. Për shembull ai të shkruajë samá (qiell) në arabisht dhe të pyesë: “Si e themi këtë në persisht?” Nëse ndonjëri nga fëmijët përgjigjet “Përkthimi në persisht i kësaj fjale është ásimán”, mësuesi ta lavdërojë e ta inkurajojë atë. Nëse ata nuk janë në gjendje të përgjigjen, vetë mësuesi të japë përkthimin e ta shkruajë atë dhe fëmijët ta kopjojnë.
 Më pas, mësuesi të pyesë: “Si i thonë kësaj në rusisht, apo frëngjisht, apo turqisht?” Nëse ata e dinë përgjigjen, shumë mirë. Nëse jo, mësuesi të thotë “Në rusisht, apo frëngjisht përkthimi është ky e kështu me radhë”, ta shkruajë fjalën në dërrasën e zezë dhe fëmijët ta kopjojnë atë. Kur fëmijët janë aftësuar në përkthimin e fjalëve të veçanta, mësuesi t’i kombinojë fjalët në fjali. Ta shkruajë këtë në dërrasë dhe t’u kërkojë fëmijëve ta përkthejnë. Nëse ata nuk janë në gjendje, mësuesi ta përkthejë vetë fjalinë dhe ta shkruajë përkthimin. Sigurisht do të ishte e preferueshme që ai të përdorë disa gjuhë.
 Në këtë mënyrë, për një kohë të shkurtër, dmth tre vjet, fëmijët, si rezultat i shkrimit të fjalëve, do të bëhen fare të aftë në një numër gjuhësh dhe do jenë në gjendje të përkthejnë një pasazh nga një gjuhë në një tjetër. Pasi të jenë aftësuar në këto njohuri bazë, të vazhdojnë më tej me mësimin e elementeve të degëve të tjera të dijes, dhe kur ta kenë kryer këtë studim, kush është i aftë e ka shumë dëshirë le të regjistrohet në institute më të larta të arsimit dhe në kurse të përparuara të shkencave e arteve.
 Por jo të gjithë do të jenë në gjendje t’u futen këtyre studimeve të përparuara. Prandaj fëmijë të tillë duhet të dërgohen në shkollat industriale, ku ata mund të fitojnë gjithashtu aftësi teknike, dhe kur fëmija bëhet i aftë në një zanat të tillë, atëhere le të merren parasysh preferencat e dëshirat e vetë fëmijës. Nëse një fëmije i pëlqen tregtia, le të zgjedhë tregtinë; nëse i pëlqen industria, të merret me industri, nëse do studimet e larta, le të çojë më tej dijet; nëse do ndonjë tjetër nga përgjegjësitë e njerëzimit, le të merret me të. Le të vendoset ai në fushën për të cilën ka prirje, dëshirë e talent.
 Por baza e domosdoshme për gjithçka është që ai të zhvillojë karakteristikat shpirtërore dhe virtytet e lavdërueshme të njerëzimit. Kjo është konsiderata e parë. Në qoftë se një person është analfabet, por i veshur me shquarsi hyjnore dhe i gjallë në frymëzimet e Shpirtit, ky individ do të kontribuojë në mirëqenien e shoqërisë dhe paaftësia e tij për të shkruar e lexuar nuk do t’i bëjnë atij ndonjë dëm. Dhe në qoftë se një person është i mësuar në artet e në çdo degë të dijes, por nuk bën një jetë fetare, nuk ka marrë karakteristikat e Perëndisë, nuk udhëhiqet nga qëllime të kulluara dhe e tërheq jeta e dëshirave trupore — ai personifikon të keqen dhe asgjë nuk do të dalë nga shkollimi e arritjet intelektuale të tij veç skandalit e mundimit.
 Sidoqoftë, nëse një individ ka karakteristika shpirtërore e virtyte që shkëlqejnë dhe qëllimi i tij në jetë është shpirtëror e prirjet e tij të drejtuara ndaj Perëndisë, dhe ai studion gjithashtu degë të tjera të dijes — atëherë kemi dritë mbi dritë:[14] qenia e tij e jashtme është e ndritshme, karakteri i tij vetjak i shkëlqyer, zemra e tij e shëndoshë, mendimi i tij i lartësuar, logjika e tij e mprehtë, rangu i tij fisnik.

 I bekuar është ai që arrin këtë pozitë të lavdëruar.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

77
Gjërat që u mësohen fëmijëve në shkollë janë të shumta dhe për mungesë kohe Ne do të prekim vetëm disa prej tyre: E para dhe më e rëndësishme është ushtrimi i sjelljes e i karakterit të mirë; korrigjimi i vetive; ngjallja e dëshirës për t’u bërë i kulturuar, për të fituar përsosuri, për t’u kapur pas fesë së Perëndisë e për të qëndruar i patundur në ligjet e Tij: për të treguar bindje të plotë ndaj çdo qeverie të drejtë, për të shfaqur besnikëri e besueshmëri ndaj sunduesit të asaj kohe, për të qenë dashamirës të njerëzimit, për të qënë të dashur me të gjithë.
 Dhe më tej, po ashtu si për idealet e karakterin, ushtrim në zeje e shkenca të tilla që janë të dobishme, si dhe në gjuhë të huaja. Gjithashtu, përsëritje e lutjeve për mirëqenien e sunduesit e të të sunduarve; dhe shmangie e punëve materialiste që janë të zakonshme midis atyre që shohin vetëm shkakësinë natyrore, dhe tregime dashurie, dhe libra që nxisin pasionet.
 Që ta përmbledhim, të gjitha mësimet le t’i kushtohen tërësisht zotërimit të përsosurive njerëzore.
 Këto, pra, janë shkurtimisht drejtimet për programin e këtyre shkollave.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

78
Përsa i përket organizimit të shkollave: Po qe e mundur, fëmijët duhet të veshin të gjithë të njëjtin model rrobash, edhe në qoftë se copa është e ndryshme. Është e parapëlqyeshme që edhe copa të jetë njëlloj; por në qoftë se kjo nuk është e mundur, nuk ka ndonjë të keqe. Sa më të pastër të jenë nxënësit, aq më mirë; ata duhet të jenë të papërlyer. Shkolla duhet të vendoset në një vend ku ajri të jetë i lehtë e i pastër. Fëmijët duhet të ushtrohen me kujdes që të jenë të njerëzishëm e të sjellshëm. Ata duhet vazhdimisht të inkurajohen e të bëhen të etur për të kapur të gjitha majat e arritjeve njerëzore, në mënyrë që qysh nga vitet e tyre më të hershme të mësohen të kenë qëllime të larta, të sillen mirë, të jenë të pastër, të dëlirë e të panjollë, dhe të mësojnë të kenë vendosmëri të fortë e qëllim të patundur në të gjitha gjërat. Ata të mos tregohen të lehtë e joseriozë, por të shkojnë me zell drejt qëllimeve të tyre, më mënyrë që në çdo situatë të jenë të vendosur e të qëndrueshëm.
 Ushtrimi në moral e mirësjellje është shumë më i rëndësishëm sesa dituria libreske. Një fëmijë i pastër, i këndshëm, me karakter të mirë, i sjellshëm — edhe në qoftë i paditur — është i preferueshëm para një fëmije të pasjellshëm, të palarë, me karakter të lig, edhe sikur ky të bëhet shumë i thelluar në të gjitha shkencat e artet. Arsyeja për këtë është se fëmija që sillet mirë, edhe në qoftë i paditur, u sjell përfitim të tjerëve, ndërsa një fëmijë me karakter të lig, që sillet keq, është i prishur e i dëmshëm për të tjerët, edhe në qoftë i ditur. Por në qoftë se fëmija mësohet të jetë edhe i ditur edhe i mirë, rezultati është dritë mbi dritë.
 Fëmijët janë si një degë e njomë dhe e gjelbër; ata rriten ashtu si t’i ushtrosh. Tregoni kujdesin më të madh për t’u dhënë atyre ideale e qëllime të larta, në mënyrë që kur të arrijnë moshën e pjekurisë, ata t’i lëshojnë rrezet e tyre si qirinj të shndritshëm mbi botë dhe të mos ndoten nga epshet e pasionet si kafshët, të shkujdesur e të pavetëdijshëm, përkundrazi t’i kthejnë zemrat për të arritur nderim të përjetshëm e për të zotëruar të gjitha përsosuritë e njerëzimit.
(“Pjesë të zgjedhura nga shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it”, sek. 110, f. 135-36)

79
Përsa i përket edukimit të fëmijëve, bëni çdo përpjekje për ta çuar më tej atë; kjo është tepër e rëndësishme. Po kështu edhe edukimi i vajzave me të gjitha rregullat e sjelljes së drejtë, që ato të rriten me karakter të mirë e standarde të larta sjelljeje. Sepse nënat janë edukatoret e para të fëmijës dhe çdo fëmijë në fillim të jetës është si një degë e njomë dhe e butë në duart e prindërve të tij. Nëna dhe babai i tij mund ta ushtrojnë atë në çdo rrugë që ata zgjedhin.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

80
Shkolla për vajza merr përparësi mbi shkollën për djem, sepse është detyrë që vajzat në këtë epokë të lavdishme të bëhen plotësisht të ditura në degët e ndryshme të dijes, në shkencat e artet dhe në të gjitha mrekullitë e kësaj kohe të shquar, që ato pastaj të mund t’i edukojnë e t’i ushtrojnë fëmijët e tyre qysh nga ditët e para në rrugët e përsosurisë.
 Nëse, siç i takon, nëna zotëron dijet e arritjet e njerëzimit, fëmijët e saj, si engjëj, do të rriten me të gjitha përsosuritë, me sjelljen e bukurinë e duhur. Prandaj Shkolla për Vajza që është ngritur në atë vend duhet të bëhet objekt i një vëmendjeje serioze dhe i përpjekjeve të mëdha të miqve. Mësueset e asaj shkolle janë shërbëtore pranë Pragut të Shenjtë, sepse ato, të bindura ndaj porosive të Bukurisë së Bekuar, janë ngritur për të edukuar fëmijët vajza.
 Do të vijë dita që këto vajza të vogla do të bëhen nëna dhe secila prej tyre me mirënjohje të thellë do të bëjë lutje e do t’i përgjërohet Perëndisë së Gjithëfuqishëm, duke kërkuar që mësueseve të saj t’u dhurohet gëzim e mirëqenie përgjithmonë, si dhe një pozitë e lartë në Mbretërinë e Perëndisë.
 Vërjani emrin kësaj shkolle Shkolla Mauhibat [Mawhibat] (Shkolla e Bujarisë).
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

81
Zemrat tona u gëzuan nga letra jote në lidhje me shkollën për vajza.
Lëvduar qoftë Perëndia që tani ka një shkollë të këtij lloji në Teheran, ku vashat, falë bujarisë së Tij, arsimohen dhe me të gjitha forcat zotërojnë arritjet e njerëzimit. Së shpejti gratë në çdo fushë do të ecin në një hap me burrat.
 Deri tani, në Persi mjetet për përparimin e grave nuk kanë ekzistuar. Por tani, shyqyr Zotit, me agimin e Mëngjesit të Shëlbimit, ato po shkojnë përpara nga dita në ditë. Shpresojmë se ato do të dalin në ballë në virtyte e arritje, në afrinë pranë Oborrit të Perëndisë Fuqiplotë, në besim e siguri — dhe se gratë e Lindjes do të bëhen zilia e grave të Perëndimit.
 Lëvduar qoftë Perëndia, ti je i konfirmuar në shërbimin tënd, po bën të gjitha përpjekjet në këtë punë, me mundime të mëdha; dhe po kështu mësuesja e shkollës, Zonjusha Lillian Kappes. Jepi asaj përshëndetjet e mia më të ngrohta.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

82
Në shekujt e shkuar vajzat e Persisë ishin të privuara nga çdo lloj arsimi. Ato nuk kishin as shkollë as akademi, as kujdestarë të mirë e as mësues. Tani në këtë shekull kaq të madh, bujaria e Bujariplotit ka përfshirë edhe vajzat dhe shumë shkolla janë themeluar në Persi për edukimin e fëmijëve vajza — por ajo që u mungon atyre është stërvitja e karakterit, dhe kjo megjithëse një stërvitje e tillë është më e rëndësishme sesa arsimimi, sepse kjo është arritja parësore e njerëzimit.
 Lëvduar qoftë Perëndia, një shkollë për vajza është ngritur tani në Hamadán. Ju që jeni mësueset e tyre duhet t’i kushtoni më shumë përpjekje stërvitjes së karakterit sesa arsimimit dhe duhet t’i rritni fëmijët vajza të jenë të thjeshta e të dëlira, me karakter e sjellje të mirë — dhe veç kësaj t’u mësoni atyre degët e ndryshme të dijes.
 Në qoftë se ndiqni këtë rrugë, konfirmimet e Mbretërisë së Lavdiplotit do të ngrihen e vërshojnë si një valë e fuqishme mbi atë shkollë.
 Shpresoj se ju do t’ia dilni mbanë kësaj.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

83
Në këtë Kauzë të shenjtë, çështja e jetimëve ka një rëndësi shumë të madhe. Ndaj jetimëve duhet treguar vëmendja më e madhe; ata duhet të mësohen, të ushtrohen e të edukohen. Veçanërisht Mësimet e Bahá’u’lláh-ut duhet t’u jepen medoemos atyre sa më shumë që të jetë e mundur.
 I lutem Zotit që ti të bëhesh një prind i mirë për fëmijët jetimë, duke i gjallëruar ata me aromat e Shpirtit të Shenjtë, që ata të arrijnë moshën e pjekurisë si shërbëtorë të vërtetë të botës së njerëzimit dhe si qirinj të ndritshëm në tërësinë e njerëzimit.
(“Pjesë të zgjedhura nga shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it”, sek. 112, f. 138)

84
Letra juaj erdhi dhe shkaktoi gëzimin më të madh me lajmin se, lëvduar qoftë Perëndia, në Hamadán është ngritur një shoqatë mirëqenieje e përkrahjeje. Unë kam besim se kjo do të bëhet një burim ndihme e mbarëvajtjeje të përgjithshme dhe se do të gjenden mjetet për të qetësuar zemrat e të varfërve e të dobtëve dhe për të edukuar jetimët e fëmijët e tjerë.
 Çështja e edukimit të fëmijëve dhe e përkujdesjes për jetimët është tepër e rëndësishme, por më e rëndësishmja nga të gjitha është edukimi i fëmijëve vajza, sepse këto vajza një ditë do të bëhen nëna, dhe nëna është mësuesi i parë i fëmijëve. Ashtu si e rrit ajo fëmijën, i tillë do të bëhet fëmija, dhe rezultati i këtij edukimi të parë do të mbetet te individi gjatë tërë jetës së tij, dhe do të ishte shumë e vështirë t’i ndryshosh ata. E si mundet një nënë, që është për vete injorante dhe e paedukuar, të edukojë fëmijën e saj? Është, pra, e qartë se edukimi i vajzave është me rrjedhoja shumë më të mëdha sesa ai i djemve. Ky fakt është tepër i rëndësishëm dhe çështja duhet trajtuar me energjinë e përkushtimin më të madh.
 Zoti thotë në Kuran se nuk do të jenë të barabartë ata që kanë dije dhe ata që nuk kanë.[15] Injoranca, pra, është krejt e qortueshme, qoftë te mashkulli ose te femra; në të vërtetë, te femra dëmi është më i madh. Unë shpresoj, pra, që miqtë do të bëjnë përpjekje të mëdha për t’i edukuar fëmijët e tyre, si djemtë ashtu dhe vajzat. Kjo është në fakt e vërteta dhe jashtë kësaj të vërtete nuk ka asgjë tjetër veç humbjes.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes e arabishtes)

85
Ju më shkruanit për bijat e besimtarëve që ndjekin shkollat e besimeve të tjera. Është e vërtetë se, ndërsa këta fëmijë mësojnë diçka në shkolla të tilla, megjithatë karakteri dhe sjellja e mësueseve ka një efekt mbi to dhe, duke ngulitur dyshime e mëdyshje, mendjet e këtyre vajzave ndikohen e ndryshojnë.
 Është detyrë e miqve të ngrejnë një shkollë për vajzat Bahá’í, mësueset e së cilës t’i edukojnë nxënëset e tyre sipas mësimeve të Perëndisë. Vajzave duhet t’u mësohen atje etika shpirtërore dhe zakonet e shenjta.
 Fëmija është si një bimë e njomë: ai rritet në atë mënyrë që e ushtroni. Në qoftë se e mësoni të jetë i sinqertë, i sjellshëm e i drejtë, ai do të rritet drejt, do të jetë i njomë e i butë dhe do të lulëzojë. Por nëse jo, atëhere ai, për shkak të stërvitjes së gabuar, do të përkulet dhe do të mbetet i shtrembër e nuk do të ketë shpresë për ta ndryshuar.
 Sigurisht, mësueset nga Evropa japin mësim gjuhe e shkrimi, ekonomie shtëpiake, qëndisjeje e qepjeje; por karakteri i nxënëseve të tyre ndryshon krejtësisht, deri në atë shkallë sa vajzat nuk çajnë më kokën për nënat e tyre, prirjet e tyre prishen, ato sillen keq dhe bëhen të vetëkënaqura e mbahen më të madh.
 Përkundrazi, vajzat duhet të mësohen me një sjellje të tillë që nga dita në ditë të bëhen më vetëmohuese, më të përunjura dhe të respektojnë e t’u binden prindërve e më të mëdhenjve, të bëhen ngushëllim e gëzim për të gjithë.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

86
Mendo që në qoftë se nëna është besimtare, fëmijët do të bëhen besimtarë gjithashtu, edhe po qe se babai e mohon Besimin; ndërsa, në qoftë se nëna nuk është besimtare, fëmijët janë të privuar nga besimi, edhe po qe se babai është besimtar i bindur e i palëkundur. Kështu ndodh zakonisht, me përjashtim të rasteve të rralla.
 Për këtë arsye si etërit dhe nënat duhet t’i vëzhgojnë me kujdes vajzat e tyre të vogla dhe t’i çojnë ato të mësohen si duhet në shkolla nga mësuese shumë të kualifikuara, kështu që ato të familjarizohen me të gjitha shkencat e artet dhe të njihen e brumosen me të gjitha ato që janë të nevojshme për jetesën njerëzore dhe t’i sjellin familjes ngushëllim e gëzim.
 Prandaj është detyrë e Asamblesë Shpirtërore të Ishkabadit ta marrë në dorë këtë çështje kaq të ngushtshme, në mënyrë që, falë mirësisë e favorit të Perëndisë, të ngrejnë një institucion që do të jetë një burim sigurie e lumturie përherë e përgjithmonë.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

87
O shërbëtore të Bukurisë Abhá! Letra juaj erdhi dhe studimi i saj shkaktoi gëzim të madh. Lëvduar qoftë Perëndia, gratë besimtare kanë organizuar takime ku ato do të mësojnë si ta shpjegojnë Besimin, do të përhapin aromat e këndshme të Mësimeve dhe do të bëjnë plane për edukimin e fëmijëve.
 Kjo mbledhje duhet të jetë krejtësisht shpirtërore. Pra, diskutimet duhet të kufizohen në renditjen e provave të qarta e vendimtare se Dielli i së Vërtetës ka dalur me të vërtetë. Dhe më tej, të pranishmet duhet të interesohen për të gjitha mënyrat e përgatitjes së fëmijëve vajza; si t’u mësojnë atyre degët e ndryshme të dijes, mirësjelljen, një mënyrë të përshtatshme jetese, të kultivojnë tek ato një karakter të mirë, dëlirësinë e qëndresën, këmbënguljen, forcën, vendosmërinë, qëndrueshmërinë në qëllimet; qeverisjen e punëve të shtëpisë; edukimin e fëmijëve dhe çdo gjë që ka të bëjë posaçërisht me nevojat e vajzave — duke pasur si qëllim që këto vajza, të rritura në kështjellën e të gjitha përsosurive dhe të mbrojtura nga një karakter i mirë, kur ato vetë të bëhen nëna t’i rritin fëmijët e tyre që nga foshnjëria me një karakter të mirë e që të sillen si duhet.
 Le të studiojnë ato gjithashtu çdo gjë që i shërben shëndetit të trupit e fuqisë fizike të tij dhe si t’i ruajnë fëmijët e tyre nga sëmundjet.
 Kur gjërat të rregullohen kështu mirë, çdo fëmijë do të bëhet një bimë e pashoqe në kopshtet e parajsës Abhá.
(“Pjesë të zgjedhura nga shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it”, sek. 94, f. 123-24)

88
Sot për të dashurat e Perëndisë është e detyrueshme dhe detyrë imperative e tyre t’i edukojnë fëmijët në shkrim, lexim, në degët e ndryshme të dijes, si dhe në zgjerimin e ndërgjegjes, në mënyrë që në të gjitha fushat ato të ecin përpara nga dita në ditë.
 Nëna është mësuesja e parë e fëmijës. Sepse fëmijët, në fillim të jetës së tyre, janë të butë e të njomë si një degë e re dhe mund të ushtrohen në çdo mënyrë që ju dëshironi. Në qoftë se e mësoni fëmijën të jetë i drejtë, ai do të rritet i drejtë, në simetri të përsosur. Është e qartë se nëna është mësuesja e parë dhe është ajo që përcakton karakterin dhe sjelljen e fëmijës.
 Prandaj, o ju nëna të dashura, dijeni se në sytë e Perëndisë më e mira e të gjitha rrugëve për ta adhuruar Atë është të edukoni fëmijët e t’i ushtroni ata në të gjitha përsosuritë e njerëzimit; dhe nuk mund të përfytyrohet vepër më fisnike se kjo.[16]
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

89
O Shërbëtore të Perëndisë!
Mbledhja shpirtërore që ju keni vendosur në atë qytet të ndriçuar është shumë premtuese. Ju keni bërë përparime të mëdha; ju ua keni kaluar të tjerave, jeni ngritur për t’i shërbyer Pragut të Shenjtë dhe keni fituar dhunti qiellore. Tani me tërë zellin shpirtëror ju duhet të mblidheni në atë tubim të ndriçuar, të recitoni Shkrimet e Shenjta dhe t’i kushtoheni kujtimit të Zotit. Shtjelloni argumentat dhe provat e Tij. Punoni për udhëheqjen e grave në atë vend, mësoni të rejat e fëmijët, në mënyrë që nënat të mund t’i edukojnë vogëlushët e tyre që në moshë të mitur, t’i përgatisin ata me rrënjë, të kujdesen që ata të kenë karakter e moral të mirë, t’i çojnë në shtegun e të gjitha virtyteve të njerëzimit, të parandalojnë zhvillimin e çfarëdo sjelljeje të qortueshme dhe t’i rritin në përqafimin e edukimit Bahá’í. Kështu të gjithë këta fëmijë të njomë do të ushqehen në gjirin e dijes së Perëndisë e të dashurisë për Të. Kështu ata do të rriten e lulëzojnë, do t’u mësohet devotshmëria dhe dinjiteti i njerëzimit, vullneti për t’u përpjekur e për të qenë të qëndrueshëm. Kështu ata do të mësojnë këmbënguljen në të gjitha gjërat, vullnetin për të përparuar, fisnikërinë dhe vendosmërinë e lartë, dëlirësinë dhe pastërtinë e jetës. Kështu ata do të bëhen të zotët të çojnë deri në fund me sukses çdo gjë që ndërmarrin.
 Nënat le të kenë parasysh se çdo gjë që ka të bëjë me edukimin e fëmijëve është me rëndësi të dorës së parë. Ato të bëjnë të gjitha përpjekjet në këtë drejtim, sepse kur degëza është ende e njomë dhe e butë ajo rritet ashtu si ta mësosh atë. Prandaj është detyrë e nënave të përkujdesen për të vegjëlit e tyre ashtu siç kujdeset kopshtari për bimët e njoma. Le të përpiqen ato ditë e natë për të rrënjosur në fëmijët e tyre besim e siguri, druajtjen e Perëndisë, dashurinë për të Shumëdashurin e botëve dhe të gjitha cilësitë e tiparet e mira. Sa herë që një nënë sheh se fëmija i saj ka vepruar mirë, le ta lavdërojë e miratojë atë, duke ia gëzuar zemrën; dhe nëse tek ai do të shfaqet qoftë edhe tipari më i vogël i padëshirueshëm, le ta këshillojë fëmijën dhe ta dënojë atë, duke përdorur mjete të mbështetura në arsye, qoftë edhe vetëm një qortim të lehtë me fjalë, po qe se është i nevojshëm. Por, sidoqoftë, nuk është e lejueshme të rrihet fëmija ose të poshtërohet ai, sepse karakteri i fëmijës do të zvetënohej krejt po qe se do t’u nënshtrohej goditjeve ose sharjeve.
(“Pjesë të zgjedhura nga shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it”, sek. 95, f. 124-25)

90
...O shërbëtore të Mëshirëplotit! Është detyra juaj t’i edukoni fëmijët që nga foshnjëria e tyre e hershme! Është detyra juaj të zbukuroni moralin e tyre! Është detyra juaj të përkujdeseni për ta në të gjitha aspektet dhe rrethanat, sepse Perëndia — i madhëruar e i lartësuar është Ai! — i ka caktuar nënat të jenë edukatoret e para të fëmijëve e të foshnjave. Kjo është një punë e madhe dhe e rëndësishme, një pozitë e lartë dhe e lavdërueshme, prandaj plogështia në të nuk është aspak e lejueshme!
 Nëse ecën në këtë shteg të drejtë, ti do të bëhesh një nënë e vërtetë për fëmijët, si shpirtërisht dhe materialisht...
(“Tabelat e Abdul-Baha Abbas”, vëll. III, (Çikago: Shoqëria Botuese Bahá’í, 1916), Vëll. III, f. 606)

91
Shprehu mallin dhe përshëndetjet e mia ngushëllimit të syrit tënd[17]... dhe djalit tënd më të vogël... Me të vërtetë unë i dua ata të dy ashtu si ati zemërdhembshur do fëmijët e tij të shtrenjtë. Ndërsa ti të kesh për ta një dashuri të madhe dhe të bësh gjithçka për t’i edukuar, që qenia e tyre të rritet me qumshtin e dashurisë së Perëndisë, përderisa është detyrë e prindërve t’i edukojnë në mënyrë të përsosur e me rrënjë fëmijët e tyre.
 Ka gjithashtu disa detyra të shenjta të fëmijëve ndaj prindërve, detyra që janë shkruar në Librin e Perëndisë dhe që i përkasin Perëndisë.[18] Begatia (e fëmijëve) në këtë botë dhe Mbretëria varet nga pëlqimi i prindërve, dhe pa këtë ata do të jenë në humbje të dukshme.
        (“Tabelat e Abdul-Baha Abbas”, vëll. II, (Çikago: Shoqëria Botuese Bahá’í, 1915), Vëll. II, f. 262-63)

92
...O i dashur i ‘Abdu’l-Bahá-it! Ji bir i atit tënd dhe ji frut i asaj peme. Ji bir i lindur prej shpirtit e zemrës së tij dhe jo vetëm prej uji e balte. Bir i vërtetë është ai që është degëzuar nga pjesa shpirtërore e njeriut. I lutem Perëndisë që ti kurdoherë të konfirmohesh e forcohesh.
(“Tabelat e Abdul-Baha Abbas”, vëll. II, f.342)

93
O ju fëmijë të dashur!
Ati juaj është zemërdhembshur, zemërbutë e i mëshirshëm me ju dhe dëshiron që ju të keni sukses, mirëqenie e jetë të amshuar në Mbretërinë e Perëndisë. Prandaj, është detyra juaj, fëmijë të dashur, të kërkoni pëlqimin e tij, të ecni në rrugën që u rrëfen ai, të tërhiqeni nga magneti i dashurisë së Perëndisë dhe të rriteni në gjirin e dashurisë së Perëndisë; që ju të bëheni degë të bukura në Kopshtet e EL-ABHÁ, të gjelbëra e të ujitura nga vërshimi i dhuntisë së Perëndisë.
(“Tabelat e Abdul-Baha Abbas”, vëll. III, f. 622)

94
Është detyrë e të rinjve të ecin në hapat e Hakimit[19] dhe të ushtrohen në rrugën e tij, sepse shpirtra të rëndësishëm si ai e të ngjashëm me të janë ngjitur tani në Mbretërinë e Abhá-së. Të rinjtë duhet të rriten e zhvillohen dhe të zenë vendin e prindërve të tyre, që kjo mirësi e madhe, në breznitë e ardhme të secilit prej të dashurve të Perëndisë, që kanë kaluar vuajtje të mëdha, të rritet nga dita në ditë, gjersa në fund të japë frytet e veta mbi tokë e në Qiell.
(Nga një Tabelë - përkthyer prej persishtes)

95
Shkolla e së Dielës për fëmijë, në të cilën lexohen Tabelat e Mësimet e Bahá’u’lláh-ut dhe recitohet për fëmijët Fjala e Perëndisë, është me të vërtetë një gjë e bekuar. Ti patjetër duhet ta vazhdosh pandërprerje këtë veprimtari të organizuar dhe t’i kushtosh rëndësi asaj, në mënyrë që nga dita në ditë ajo të rritet e të gjallërohet me frymën e Shpirtit të Shenjtë. Po qe se kjo veprimtari organizohet mirë, të jesh i sigurt se do të japë rezultate të mëdha. Sidoqoftë, janë të nevojshme vendosmëria dhe qëndrueshmëria, përndryshe ajo do të vazhdojë për njëfarë kohe, por më pas pak nga pak do të harrohet. Këmbëngulja është një kusht thelbësor. Në çdo projekt vendosmëria dhe qëndrueshmëria do të çojnë padyshim në rezultate të mira; përndryshe ai do të vazhdojë për disa ditë dhe pastaj do të ndërpritet.
(“Pjesë të zgjedhura nga shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it”, sek. 124, f. 143-44)

96
O ju fëmijë të Mbretërisë:
I mora letrat me fotografitë tuaja. U mallëngjeva së tepërmi nga leximi i vëmendshëm i letrave dhe ndjeva gëzim e kënaqësi shpirtërore kur pashë portretet. Lëvduar qoftë Perëndia, letrat ishin domethënëse të kthimit të fytyrave ndaj Mbretërisë dhe nga ato fytyra shihej qartë se drita e dashurisë së Perëndisë është e dukshme dhe e shndritshme mbi ballë.
 I lutem Perëndisë që në këtë shkollë të të Dielave ju të merrni dije hyjnore, të siguroni një ushtrim të tipareve të mëshirës dhe të përparoni nga dita në ditë, në mënyrë që secili prej jush të bëhet një bimë e pashoqe në Trëndafilishten Hyjnore dhe të stoliset tërë gjethe e fryte.
(Nga një Tabelë për fëmijët e shkollës Bahá’í nëUrbana,Illinois, botuar në “Revistën e Fëmijëve të Mbretërisë”vëll. I, nr. 2 (Mars 1920), f. 2))

97
O ju pemë e bimë të njoma, të pashoqe e delikate, që rriteni në livadhin e udhërrëfimit! O ju të ardhur rishtas në Vëllazërinë e së Vërtetës!
 Megjithëse ju tani jeni nxënës, shpresojmë se, falë reshjeve nga retë e mirësisë, ju do të bëheni mësues; se ju do të lulëzoni si lulet e bimët erëmira në oborrin e asaj dije që është edhe mendjes edhe e zemrës; se çdonjëri prej jush do të rritet si një pemë prodhimtare, e bukur, e freskët dhe e fortë, plot frute të ëmbla.
 E bëfshin konfirmimet e fshehura të Perëndisë secilin prej jush një burim dije. Le të marrin zemrat tuaja gjithmonë frymëzim prej Banorëve të Grupimit qiellor. U bëftë pika e madhe sa deti; le të llamburisë thërmia si dielli i shndritshëm.
 Shenjtëria e Tij Báb-i ka thënë: “Po të dëshironte, në këtë ditë, një milingonë e vogël të zotëronte një fuqi të tillë sa të ishte në gjendje të zbërthente vargjet më të pakapshme e më të ngatërruara të Kuranit, dëshira e saj padyshim do të përmbushej, meqenëse misteri i fuqisë së përjetshme lëvrin në brendësinë më të fshehtë të të gjitha gjërave të krijuara”.[2]0 Në qoftë se një krijesë kaq e pafuqishme mund të pajiset me një aftësi kaq të hollë, sa më efikase duhet të jetë fuqia që çlirohet përmes vërshimeve bujare të mirësisë së Bahá’u’lláh-ut! Çfarë konfirmimesh do të grumbullohen, çfarë prurjesh në zemër!
 Prandaj, O ju të rinj të ndriçuar, përpiquni natë e ditë të shpështillni misteret e mendjes e të shpirtit, të kuptoni të fshehtat e Ditës së Perëndisë. Informohuni për dëshmitë që Emri Më i Madh ka shfaqur. Hapini gojët me lavdërime. Parashtroni argumenta e prova bindëse. Udhëhiqini ata që janë të etur për te burimi i jetës; dhurojini shëndet të vërtetë atyre që lëngojnë. Bëhuni nxënës të Perëndisë; bëhuni mjekë të drejtuar prej Perëndisë, shërojini të sëmurët ndër njerëzit. Kthejini ata që janë larguar në rrethin e miqve të ngushtë. Bëjeni të dëshpëruarin të mbushet me shpresë. Zgjojini ata që dremisin; bëjeni të shkujdesurin të mendojë.
 Të tilla janë frytet e kësaj jete tokësore. E tillë është pozita e lavdisë së shndritshme.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)


III. NGA SHKRIMET E SHOGHI EFFENDIUT DHE LETRAT E SHKRUARA NË EMËR TË TIJ:


98
Për anëtarët e Komitetit të Punës Edukative për Fëmijë...unë bëj lutje për Ndihmë Hyjnore, që Ai t’i ndihmojë ata mirësisht në një punë që e kishte aq për zemër Mjeshtri dhe t’u japë atyre mundësi të ndihmojnë në rritjen e shërbëtorëve të ardhshëm të përkushtuar e të aftë të Kauzës së Perëndisë.
(Nga një letër e datës 23 dhjetor 1942, shkruar nga Shoghi Effendiu, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në “Administrimi Bahá’í: Mesazhe të Zgjedhura 1922-1932” [bot. i rish.], (Wilette: Trusti Botues Bahá’í, 1980), f. 29)

99
Ata duhet të çojnë përpara me të gjitha forcat ndriçimin material e shpirtëror të rinisë, mjetet për edukimin e fëmijëve, të ngrejnë kudo që është e mundur institucione edukative Bahá’í, të organizojnë e të mbikqyrin punën e tyre dhe të sigurojnë mjetet më të mira për përparimin e zhvillimin e tyre.
(Nga një letër e datës 12 mars 1923, shkruar nga Shoghi Effendiu,drejtuar Bahá’í-ve të merikës, të Australazisë, të Francës, të Gjermanisë,të Ishujve Britanikë, të Italisë, të Japonisë dhetë Zvicrës, botuar në “Administrimi Bahá’í: Mesazhe të Zgjedhura
1922-1932”, f. 38)

100
Përsa u përket veprimtarive shpirtërore të “Fëmijëve të Mbretërisë” në Amerikë, shpresa dhe lutja ime është që ata të rriten për t’u bërë shërbëtorë të aftë të Kauzës së Bahá’u’lláh-ut. Devotshmëria dhe vetëmohimi i tyre, gatishmëria e tyre për të ndihmuar kauzën e Tempullit Bahá’í, veprimtaria e tyre lidhur me “Revistën Bahá’í” janë të gjitha shenja të pagabueshme të së ardhmes së lavdishme të Kauzës në atë vend. Kujdesi dhe dashamirësia e Atit Qiellor le t’i udhëheqë, t’i mbrojë e t’i ndihmojë ata në misionin e tyre të ardhshëm në jetë.
(Nga një letër e datës 26 nëntor 1923, shkruar nga Shoghi Effendiu, drejtuar Asamblesë shpirtërore Kombëtare të Shtetevetë Bashkuara e të Kanadasë)

101
Një kërkesë bazë e jetësore e kohës së sotme është çështja e edukimit të vajzave dhe të djemve. Një prej detyrave që u kalon anëtarëve të Asambleve Shpirtërore është që, me mbështetjen e miqve, ata të bëjnë të gjitha përpjekjet për të ngritur shkolla të arsimimit ë djemve e të vajzave në gjërat shpirtërore, në bazat e shpjegimit të Besimit, në leximin e Shkrimeve të Shenjta, në mësimin e historisë së Besimit, në përvetësimin e degëve laike të dijes, në artet e zejet, si dhe në gjuhët e ndryshme — në mënyrë që metodat Bahá’í të arsimimit të bëhen aq gjerësisht të njohura, saqë fëmijët nga çdo shtresë e shoqërisë të kërkojnë t’i marrin mësimet hyjnore, si dhe dijet laike, në shkollat Bahá’í, dhe kështu do të sigurohen mjetet për të çuar përpara Kauzën e Perëndisë.
(Nga një letër e datës 19 dhjetor 1923, shkruar nga Shoghi Effendiu, drejtuar Asamblenë Shpirtërore Lokale të Teheranit, Iran — përkthyer prej persishtes)

102
“Revista e Fëmijëve të Mbretërisë”, numrin e fundit të së cilës sapo e mora nga ai pionier i palodhshëm i kauzës suaj, ... më ka ngjallur të tilla shpresa të reja, saqë u nxita t’ju dërgoj këtë mesazh dashurie e besimi në rolin e madh që ju jeni të destinuar të luani për të ardhmen e Kauzës.
 E kuptoj se është e ngutshme dhe e rëndësishme që ky organ i parë e i vetëm i të rinjve Bahá’í në mbarë botën duhet, në gjithçka që boton, t’u ngulitë lexuesve të vet, veçanërisht çdo fëmije Bahá’í, ndjenjën e mundësive unike e të përgjegjësive të tij të nesërme për detyrën e madhe që e pret atë në të ardhmen.
 Detyra e saj është të nxitë, të mbështesë e të pasqyrojë veprimtaritë e ndryshme të brezit që po ngrihet anembanë botës Bahá’í, të vendosë e të forcojë një lidhje miqësie të vërtetë midis të gjithë bijve të ‘Abdu’l-Bahá-it, në Lindje a në Perëndim qoftë, dhe të shpalosë në sytë e tyre vizionin e së ardhmes së artë që kanë përpara. Ajo duhet të gdhendë në zemrat e tyre nevojën jetësore për të vendosur, tani, ndërsa janë në moshë të njomë, një themel të palëkundshëm për misionin e tyre në jetë.
 Kauza e Fëmijëve të Mbretërisë, të cilët Mjeshtri i donte aq shumë dhe për të cilët Ai dha aq shumë bekime e shprehu dashamirësi të pafund, ju siguroj se është ende e dashur dhe e afërt për zemrat tona. Tek ju, pasardhës të pionerëve heroikë të një Lëvizjeje botërore, është shpresa për përmbushjen e detyrës që ata filluan aq fisnikërisht — detyra e tyre për t’i shërbyer e për shpëtimin e gjithë njerëzimit.
 Përsa i takon pjesës sime modeste të shërbimit e të mbështetjes, unë mund vetëm të lutem në emrin tuaj dhe t’u përgjërohem në orët e mia të lutjes tre Varreve të Shenjta për udhërrëfim, bekime e ndihmë të Bahá’u’lláh-ut, duke i kërkuar Atij me zjarr që t’ju japë mundësinë, në ditët e lumtura që do të vinë, të vendosni Mbretërinë e Tij dhe të përmbushni Fjalën e Tij.
 Le t’ju frymëzojë Revista juaj për ta arritur këtë qëllim.
(Nga një letër e datës 30 dhjetor 1923, shkruar nga Shoghi Effendiu, drejtuar Revistës së Fëmijëve të Mbretërisë, Boston, SH.B.A.)

103
‘Abdu’l-Bahá i ka dhënë gjithmonë rëndësi të madhe edukimit të fëmijëve dhe ne shfrytëzojmë rastin t’ju përshëndesim për suksesin tuaj të shënuar në fushën e shërbimit. Shpresojmë se një ditë puna juaj do të shtrihet gjerësisht në Lindje, ku ka aq shumë nevojë për të.
(Nga një letër e datës 9 prill 1925, shkruar nga Shoghi Effendiu, drejtuar një besimtari individual).

104
Lidhur me pyetjen që ju bënit nëse duhet të ndërmerrni një udhëtim në Tokën e Shenjtë apo ta ruani shumën për të mbuluar shpenzimet e një të riu që po edukoni. Shoghi Effendiu do që unë t’ju shkruaj që, megjithëse për të dhe për anëtarët e familjes së shenjtë do të ishte një kënaqësi e madhe t’ju mirëpritnin në vendin e Mjeshtrit tonë të shumëdashur dhe të ndanin me ju vërshimet e përjetshme të Mirësisë së Tij në Mauzoleun e Tij të bekuar e përreth, ai mendon se është më e rëndësishme që ju të vazhdoni të ndihmoni të riun që keni marrë përsipër të edukoni. Ai jua këshillon këtë nisur nga kuptimi i thellë i thënies aq kuptimplote të Bahá’u’lláh-ut se ai që edukon fëmijën e tij ose të një tjetri vepron njëlloj sikur të edukonte fëmijën e Vetë Bahá’u’lláh-ut.
(Nga një letër e datës 29 maj 1925, shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)

105
Midis detyrimeve të shenjta që u kalojnë Asambleve Shpirtërore është të mbështesin marrjen e dijeve, të ngrejnë shkolla dhe të sigurojnë për çdo djalë e vajzë pajisjet e lehtësitë e nevojshme shkollore.
 Çdo fëmijë, pa asnjë përjashtim, duhet qysh në moshë të njomë të mësojë plotësisht artin e shkrim-këndimit dhe, sipas shijeve e prirjeve të tij, sipas shkallës së kapacitetit e të aftësive të veta, t’i kushtohet me zellin më të madh zotërimit të arteve e të zejeve të dobishme, të gjuhëve të ndryshme, të të folurit e të teknologjisë bashkëkohore.
 Ndihma për fëmijët e të varfërve në zotërimin e këtyre mjeshtërive, veçanërisht në mësimin e lëndëve bazë, është detyrë e anëtarëve të Asambleve Shpirtërore dhe llogaritet si një prej detyrimeve që janë lënë në ndërgjegjen e të besuarve të Perëndisë në çdo vend.
 “Kush edukon djalin e vet ose djalin e një tjetri, është njëlloj sikur ka edukuar një djalë Timin; mbi të qofshin lavdia Ime, dashamirësia Ime, mëshira Ime, që kanë përfshirë botën.”[21]
(Nga një letër e datës 8 korrik 1925, shkruar prej Shoghi Effendiut, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Persisë)

106
Shoghi Effendiu tregoi shumë interes të dëgjonte planet që ju po bëni për edukimin e fëmijëve tuaj. Ai shpreson se të gjithë ata do të rriten për t’u bërë pasues të zjarrtë të Kauzës Bahá’í, shërbëtorë të aftë të Pragut të Bekuar dhe folës gojëtarë për çështje fetare e shoqërore. Ai dëshiron t’u kujtohet atyre, si dhe atit të tyre të dashur.
(Nga një letër e datës 24 dhjetor 1925, shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)

107
Nga burime të ndryshme kemi dëgjuar për mënyrën e mahnitshme sesi fëmijët tuaj janë rritur për të folur në publik rreth Kauzës. Shoghi Effendiu shpreson se ata, që të tre, do të bëhen oratorë të aftë e të devotshëm të Kauzës dhe njerëz të afërt të saj. Për ta bërë këtë si duhet, ata kanë nevojë për një bazë të shëndodhë përgatitjeje shkencore e letrare, që për fat të mirë po e marrin. Për djemtë dhe vajzat e reja Bahá’í është e rëndësishme të arsimohen si duhet në kolegje të nivelit të lartë, pasi kështu do të zhvillohen shpirtërisht. Duhet më parë të zhvillohet ana mendore, si dhe ajo shpirtërore e të rinjve, që ata të mund t’i shërbejnë Kauzës me efektshmëri.
 Nga poshtëshënimi i Shoghi Effendiut:
 ... Unë do të lutem posaçërisht për fëmijët tuaj të dashur, që edhe ata, të mbështetur në themele të qëndrueshme përmes një plani të udhëhequr mirë edukimi të shëndoshë, në ditët që do të vinë t’i shërbejnë me efektshmëri dhe efektivisht Kauzës së Perëndisë. Ata janë të pajisur me dhunti të shumta dhe unë lutem që një përgatitje e përshtatshme t’u japë atyre mundësinë t’i përdorin këto dhunti për përhapjen e Besimit të Perëndisë.
(Nga një letër e datës 28 nëntor 1926, shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)

108
Duke ndërmarrë vepra filantropike e akte bamirësie, duke mbështetur mirëqenien e përgjithshme e duke çuar përpara të mirën publike, si dhe atë të çdo grupi pa kurrfarë përjashtimi, le të tërheqin të shumëdashurit e Perëndisë vëmendjen e favorshme të të gjithëve dhe të udhëheqin gjithë të tjerët.
 Ata, lirisht e pa pagesë, le të hapin dyert e shkollave e të institucioneve të tyre të larta për studimin e shkencave e të dijeve humanitare, për fëmijët dhe të rinjtë jo-Bahá’í që janë të varfër e nevojtarë.
 ... dhe pastaj vjen përhapja e diturisë dhe përçuarja e rregullave të sjelljes, e praktikave dhe e ligjeve Bahá’í. Në këtë kohë, kur kombi është zgjuar prej gjumit të shkujdesjes dhe qeveria ka filluar të mendojë për të zhvilluar e përhapur sistemin e saj edukativ, përfaqësuesit Bahá’í në atë vend le të angazhohen në mënyrë të tillë që, si rezultat i përpjekjeve të tyre të mëdha, në çdo vendbanim, fshat e qytet të çdo province e distrikti, të merren masa paraprake që të ngrihen institucione për studimin e shkencave, të dijeve humanitare e të fesë. Fëmijët Bahá’í, pa përjashtim, të mësojnë bazat e shkrim-këndimit dhe të njihen me rregullat e sjelljes, zakonet, praktikat e ligjet e shtjelluara në Librin e Perëndisë; dhe në degët e reja të dijes, në zejet e teknologjinë e kohës, me tiparet e pastra e të lavdërueshme — sjelljen Bahá’í, mënyrën e jetesës Bahá’í — le të shquhen ata mbi të tjerët në atë mënyrë, saqë komunitet e tjera, qofshin islamike, zoroastriane, të krishtera, hebraike ose materialiste, me dëshirën e tyre e me shumë kënaqësi t’i sjellin fëmijët e tyre për të mësuar në këto institucione të përparuara Bahá’í dhe t’ua besojnë kujdesit të mësuesve Bahá’í.
 Kjo është gjithashtu mbështetje e zbatim i ligjeve të shtjelluara në Librin e Perëndisë.
(Nga një letër e janarit 1929, shkruar nga Shoghi Effendiu, drejtuar besimtarëve të Lindjes - përkthyer prej persishtes)

109
Letrën juaj të shkurtër por përshtypjelënëse drejtuar Shoghi Effendiut e morëm. Ai e lexoi atë me interes të madh dhe më ngarkoi mua të të falënderoj në emër të tij dhe të të shpreh shpresat e tij më optimiste se ju do t’i vazhdoni studimet tuaja akademike me një zell të pashuar. Duke qenë Bahá’í, ju sigurisht jeni në dijeni për faktin që Bahá’u’lláh-u e konsideronte edukimin si një nga faktorët themelorë të një qytetërimi të vërtetë. Por, për të qenë i përshtatshëm e i frutshëm, duhet të jetë i gjithanshëm nga natyra dhe të mbajë parasysh jo vetëm anën fizike e intelektuale të njeriut, por edhe aspektet e tij shpirtërore e etike. Ky duhet të jetë programi i rinisë Bahá’í në mbarë botën.
(Nga një letër e datës 9 korrik 1931, shkruar në emër të  Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)

110
Ne shpresojmë se së shpejti Bahá’í-të do të jenë në gjendje të kenë shkolla që do t’u japin fëmijëve edukim intelektual e shpirtëror siç porositet në shkrimet e Bahá’u’lláh-ut e të Mjeshtrit.
(Nga një letër e datësr 25 dhjetor 1931, shkruar në emër të  Shoghi Effendiut, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Lokale të Qytetit të Nju Jorkut)

111
Ai është shumë i gëzuar që mësoi se ju i kushtoni rëndësi edukimit të fëmijëve, sepse çdo gjë që ata mësojnë në atë fazë të hershme të zhvillimit të tyre do të lerë gjurmë në tërë jetën e tyre. Kjo bëhet pjesë e natyrës së tyre.
 Nuk ka ndonjë libër të veçantë që Ruajtësi mund të rekomandojë. U takon miqve më të rritur të përpiqen të hartojnë një përmbledhje që t’i përshtatet këtij qëllimi dhe pas shumë përpjekjesh një e tillë më në fund do të krijohet.
 Mjeshtri i kushtonte shumë rëndësi të mësuarit përmendësh të Tabelave të Bahá’u’lláh-ut e të Báb-it. Gjatë kohës të Tij ishte një punë e zakonshme për fëmijët e shtëpisë që t’i mësonin përmendësh Tabelat; kurse tani këta fëmijë janë rritur dhe nuk kanë kohë për një gjë të tillë. Por kjo praktikë është shumë e dobishme për të mbjellë në mendjen e fëmijëve idetë dhe frymën që këto fjalë përmbajnë.
 Duke pasur në dorë “Lajmëtarët e Agimit”, ju gjithashtu mund të përshtasni tregime interesante për ditët e hershme të Lëvizjes, të cilat fëmijët do të dëshironin t’i dëgjojnë. Ka gjithashtu tregime për jetën e Krishtit, të Muhametit e të Profetëve të tjerë që, po t’u thuhen fëmijëve, do të shembin çdo paragjykim fetar që ata mund të kenë mësuar nga më të rritur që pak kuptojnë.
 Tregime të tilla lidhur me jetën e profetëve të ndryshëm së bashku me thëniet e tyre do të jenë gjithashtu të dobishme për të kuptuar më mirë literaturën e Kauzës, sepse ato i referohen asaj vazhdimisht. Sidoqoftë u përket njerëzve me përvojë t’i përmbledhin materiale të tilla dhe të hartojnë me to tekste librash interesante për fëmijët.
 Kauza do të përgatisë gradualisht njerëz që t’u përgjigjen këtyre nevojave. Kjo është vetëm çështje kohe. Ajo që ne duhet të përpiqemi të bëjmë është të stimulojmë individë të ndryshëm me talent që t’i përvishen kësaj detyre.
  (Nga një letër e datës 19 tetor 1932, shkruar në emër të  Shoghi Effendiut, drejtuar një Asambleje Shpirtërore Lokale dhe një Komiteti Mësimor Shtetëror)

112
Ai u kënaq shumë kur dëgjoi se miqtë po i kushtojnë një rëndësi aq të madhe mësimit dhe përgatitjes së fëmijëve Bahá’í. Edukimi i të rinjve ka, pa dyshim, një rëndësi të madhe, sepse shërben për thellimin e të kuptuarit të Kauzës nga ana e tyre dhe për kanalizimin e energjive të tyre në drejtime të dobishme. Sidoqoftë, duke marrë parasysh se shpenzimet kombëtare të Kauzës në Amerikë po rriten çdo ditë, anëtarët e Komitetit tuaj duhet të jenë shumë të kujdesshëm që të mos e zgjerojnë tej burimeve të tyre financiare sferën e veprimtarisë së vet. Planet që ka bërë Komiteti juaj nuk duhet të zhvillohen në një shkallë të tillë sa të vështirësojnë përparimin e punës për Tempullin.
(Nga një letër e datës 20 prill 1933, shkruar në emër të  Shoghi Effendiut, drejtuar anëtarëve të Komitetit për Mësimin dhe Përgatitjen e Fëmijëve, botuar në “Bahá’í News” 77 (Shtator 1933), f. 2)

113
Shoghi Effendiu dëshiron që ju t’i kushtoni gjithë vëmendjen veçanërisht edukimit të djemve tuaj, që ata të bëhen Bahá’í të sinqertë, besnikë e aktivë. Janë të rinjtë ata që ne duhet t’i ndihmojmë dhe, pra, është detyrim i shenjtë i prindërve t’i pajisin fëmijët e tyre me një përgatitje të shëndoshë Bahá’í.
(Nga një letër e datës 31 maj 1933, shkruar në emër të  Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)

114
Besimi Bahá’í ... mbështet edukimin e detyrueshëm...
(Nga një letër e qershorit 1933, shkruar në emër të  Shoghi Effendiut, drejtuar Komisionerit të Lartë për Palestinën)

115
Ai u kënaq shumë kur mësoi se kushtet tuaja familjare po përmirësohen dhe shpreson sinqerisht se ato do t’ju lejojnë t’u jepni ... dhe ... një përgatitje më të mirë edukative, në mënyrë që në një të ardhme jo të largët ata të bëhen shërbëtorë e mbrojtës të devotshëm të Kauzës.
 Përgjegjësia juaj si nënë, dhe veçanërisht si një nënë Bahá’í, detyrimi i shenjtë i së cilës është të kujdeset për edukimin e fëmijëve në rrugën Bahá’í, është me të vërtetë shumë e madhe. Shpresojmë se me ndihmën e udhëheqjen e Perëndisë ju do të jeni në gjendje t’i kryeni plotësisht detyrat tuaja.
(Nga një letër e datës 22 korrik 1933, shkruar në emër të  Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtareje individuale)

116
Shoghi Effendi u hidhërua shumë kur mësoi nga letra juaj ... për gjendjen tepër serioze që ka krijuar sjellja e vajzës suaj dhe qëndrimi i saj i përgjithshëm ndaj Kauzës...
 Edhe pse i vjen keq për këtë gjë dhe është krejtësisht i vetëdijshëm për pasojat e këqia që kjo mund t’i sjellë Kauzës, ai megjithatë ka bindjen se vetëm kujdesi e dashuria juaj prej nëne dhe këshillat që ju dhe miqtë tuaj mund t’i jepni asaj, mund ta rregullojnë efektivisht këtë gjendje. Mbi të gjitha, ju duhet të jeni e duruar dhe të keni besim se përpjekjet tuaja në këtë drejtim do të kenë mbështetje e udhëheqje përmes konfirmimeve të Bahá’u’lláh-ut. Ai me siguri i dëgjon lutjet tuaja dhe padyshim do t’i pranojë ato, duke shpejtuar kështu materializimin gradual e të plotë të shpresave e të dëshirave tuaja për vajzën tuaj e për Kauzën.
 Ruajtësi do t’ju këshillonte, pra, të mos merrni ndonjë veprim të ashpër lidhur me pjesëmarrjen e vajzës suaj në takimet... sepse kështu ka më shumë mundësi për të ndryshuar karakterin e saj, sesa me forcë ose me ndonjë metodë tjetër të ashpër. Dashuria dhe dashamirësia kanë një ndikim më të madh sesa dënimi për përmirësimin e karakterit njerëzor.
 Ruajtësi, pra, beson se në këtë mënyrë ju do të arrini të sillni gradualisht një ndryshim rrënjësor në jetën e vajzës suaj dhe gjithashtu ta bëni atë një besimtare më të mirë e më të vërtetë. Ai lutet me zjarr në emër të saj që ajo të arrijë plotësisht këtë gjendje.
(Nga një letër e datës 26 janar 1935, shkruar në emër të  Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)

117
Ruajtësi nuk ka kundërshtim që t’i referoheni faktit se klasat dhe konferencat mësimore që po organizojnë tani besimtarët mund të shndërrohen në një të ardhme të largët në departamente të edukimit, ose në institucione të tilla të të mësuarit që do të ngrihen në rendin e ardhshëm shoqëror Bahá’í.
(Nga një letër e datës 12 korrik 1938, shkruar në emër të  Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)

118
Përsa u përket planeve tuaja: Ruajtësi me të vërtetë e miraton plotësisht pikëpamjen tuaj se, sado të ngutshme e jetësore të jenë kërkesat e punës mësimore, ju kurrsesi nuk duhet të lini pasdore edukimin e fëmijëve tuaj, pasi ndaj tyre ju keni një detyrim jo më pak të shenjtë sesa ndaj Kauzës.
 Çdo plan ose rregullim që ju mund të bëni, në të cilin të kombinohen detyrat tuaja të dyfishta kundrejt familjes suaj dhe Kauzës, duke ju lejuar të rifilloni punën aktive në fushën e mësimdhënies si pionier dhe gjithashtu të kujdeseni si duhet për fëmijët tuaj, pa vënë në rrezik të ardhmen e tyre për Kauzën, do të kishte miratimin me gjithë zemër të Ruajtësit.
(Nga një letër e datës 17 korrik 1938, shkruar në emër të  Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)

119
Ruajtësi dëshiron që unë t’ju siguroj, në mënyrë të veçantë, për lutjet e tij për fëmijët tuaj, që ata, falë konfirmimeve e ndihmës Hyjnore, dhe nën kujdesin e mbrojtjen tuaj, të marrin një edukim të tillë që t’i bëjë të njohin plotësiht e të pranojnë pa mëdyshje Besimin, dhe t’u japë atyre dhuntitë e nevojshme shpirtërore për t’u shërbyer e për të mbështetur me efektshmëri e besnikëri interesat e tij në të ardhmen.
 Si nënë Bahá’í, ju keni sigurisht një përgjegjësi tepër të shejtë e të madhe për zhvillimin e tyre shpirtëror në Kauzën, dhe ju duhet qysh tani të përpiqeni të futni në zemrat e tyre dashurinë për Bahá’u’lláh-un dhe t’i përgatisni ata kështu për njohjen dhe pranimin e plotë të Pozitës së Tij, kur
ata të arrijnë moshën e aftësinë për ta bërë këtë.
(Nga një letër e datës 20 prill 1939, shkruar në emër të  Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtareje individuale)

120
Përsa u përket veprimtarive tuaja lidhur me përgatitjen dhe edukimin e fëmijëve Bahá’í: është e tepërt t’ju them se ç’rëndësi jetësore u kushon Ruajtësi veprimtarive të tilla, nga të cilat varet aq shumë forca, mirëqenia dhe rritja e Komunitetit. S’ka privilegj më të shenjtë e përgjegjësi më të madhe sesa detyra për të rritur brezin e ri të besimtarëve dhe për të ngulitur në mendjet e tyre rinore e të ndieshme parimet e mësimet e Kauzës, për t’i përgatitur ata kështu të marrin potësisht mbi vete e të kryejnë si duhet përgjegjësitë e detyrimet e jetës së tyre të ardhme në Komunitetin Bahá’í.
(Nga një letër e datëa 28 prill 1939, shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një Komiteti Kombëtar dhe një besimtari individual)

121
Ju i keni kërkuar atij një informacion të hollësishëm lidhur me programin e edukimit Bahá’í: deri tani nuk ka një program Bahá’í dhe nuk ka botime Bahá’í kushtuar posaçërisht kësaj çështjeje, përderisa mësimet e Bahá’u’lláh-ut e të ‘Abdu’l-Bahá-it nuk paraqesin një sistem edukimi të përcaktuar e të hollësishëm, por japin thjesht disa parime bazë dhe parashtrojnë disa ideale për mësimin, të cilat duhet të udhëheqin pedagogët e ardhshëm Bahá’í në përpjekjet e tyre për të formuluar një program mësimor të përshtatshëm që të jetë në harmoni të plotë me frymën e Mësimeve Bahá’í dhe t’u përgjigjet kështu kërkesatve e nevojave të epokës së sotme.
 Këto parime bazë gjenden në shkrimet e shenjta të Kauzës, ato duhet të studiohen me kujdes dhe të përfshihen gradualisht në programe të ndryshme kolegjesh e univeritetesh. Por detyra për të hartuar një sistem edukimi që të njihej zyrtarisht nga Kauza dhe të mbështetej si i tillë në mbarë botën Bahá’í, duket qartë se është një detyrë së cilës brezi i sotëm i besimtarëve nuk i futet dot dhe që do të kryhet gradualisht nga studiuesit e pedagogët Bahá’í të së ardhmes
(Nga një letër e datës 7 qershor 1939, shkruar në emër të  Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)

122
Në lidhje me deklaratën që i atribuohet ‘Abdu’l-Bahá-it dhe që ju e citonit në letrën tuaj lidhur me një “problem fëmije”: këto deklarata të Mjeshtrit, sado të vërteta në thelbin e tyre, kurrë nuk duhen interpretuar fjalë për fjalë. ‘Abdu’l-Bahá-i kurrë nuk mund të thoshte se një fëmijë i duhet lënë vetvehtes, krejtësisht i lirë. Në fakt edukimi Bahá’í, si çdo sistem tjetër edukativ, bazohet në supozimin se te çdo fëmijë, sado i talentuar të jetë ai, ka disa mangësi natyrore, që edukatorët, qofshin ata prindërit, mësuesit e shkollës ose udhëheqësit e kujdestarët e tij shpirtërorë, duhet të përpiqen t’ia kurojnë. Njëfarë disipline, fizike, morale apo mendore qoftë, është me të vërtetë e domosdoshme dhe asnjë edukim nuk mund të thuhet se është i plotë e i frytshëm, po qe se lihet pasdore ky element. Fëmija, kur lind, është larg përsosurisë. Ai jo vetëm është i pafuqishëm, por praktikisht edhe i papërsosur, madje nga natyra priret drejt së keqes. Ai duhet të ushtrohet, prirjet e tij natyrore të harmonizohen, të korrigjohen e të kontrollohen dhe, po qe e nevojshme, të ndrydhen ose të rregullohen, në mënyrë që të sigurojnë zhvillimin e tij të shëndetshëm fizik e moral. Prindërit Bahá’í nuk munden thjesht të adoptojnë një qëndrim mosrezistence ndaj fëmijëve të tyre, veçanërisht ndaj atyre që janë të pabindur e të dhunshëm prej natyre. Madje nuk është e mjaftueshme edhe që ata të luten për ta. Përkundrazi, ata duhet të përpiqen të ngulitin, me kujdes e durim, në mendjen e tyre rinore parime të tilla të sjelljes morale dhe t’i futin ata në parimet e mësimet e Kauzës me kujdes, plot takt e dashuri, për t’u dhënë kështu mundësi të bëhen “bij të vërtetë të Perëndisë” dhe për t’i rritur si qytetarë besnikë e inteligjentë të Mbretërisë së Tij. Ky është qëllimi i lartë, që Vetë Bahá’u’lláh-u e ka përcaktuar qartë si synimin kryesor të çdo edukimi.
(Nga një letër e datës 9 korrik 1939, shkruar në emër të  Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)

123
Detyra e rritjes së një fëmije Bahá’í, siç theksohet herë pas here në shkrimet Bahá’í, është përgjegjësia kryesore e nënës, privilegji unik i së cilës është me të vërtetë të krijojë në shtëpinë e saj kushte të tilla që të çojnë në mirëqenien e përparimin e tij material e shpirtëror. Edukimi, që fëmija e merr fillimisht nëpërmjet nënës së tij, përbën themelin më të fortë për zhvillimin e tij të ardhshëm, prandaj kujdesi më i madh i gruas suaj duhet të jetë...të përpiqet qysh tani për t’i dhënë djalit të saj të porsalindur një edukim të tillë shpirtëror, që do t’i bënte atij të mundur më pas të marrë mbi vete e të kryejë si duhet të gjitha përgjegjësitë e detyrat e jetës Bahá’í.
(Nga një letër e datës16 nëntor 1939, shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)

124
Në lidhje me vajzën tuaj të vogël...; ai u gëzua e u inkurajua me të vërtetë kur mësoi sesa të zellshëm jeni ju të dy për t’i dhënë asaj një edukim të shëndoshë Bahá’í, dhe është i bindur se me kujdesin tuaj të mençur e të devotshëm, si dhe falë mbrojtjes e udhëheqjes së përhershme të Bahá’u’lláh-ut, ajo me kalimin e kohës do të bëhet një shërbëtore e devotshme e besnike e Besimit.
 Duke pasur parasysh këtë, Ruajtësi mendon se do të ishte e parapëlqyer të mos e çonit fëmijën në një institucion thjesht katolik, por t’i jepnit asaj një përgatitje të gjerë shpirtërore e mendore, që do t’i krijonte mundësinë, në një moshë më të rritur, të vlerësojë plotësisht frymën e Kauzës. Ndërsa duhet të bëni përpjekje të vazhdueshme për ta rritur në një atmosferë tërësisht fetare, ju duhet gjithashtu të jeni të kujdesshëm që ta mbani atë larg ndikimeve që do të prireshin të mbjellin tek ajo frymën e fanatizmit fetar, duke ngushtuar kështu horizontin e kuptimit të saj shpirtëror.
(Nga një letër e datës 12 dhejtor 1939, shkruar në emër të  Shoghi Effendiut, drejtuar dy besimtarëve)

125
Në lidhje me çështjen e edukimit të fëmijëve: duke mbajtur parasysh se Bahá’u’lláh-u dhe ‘Abdu’l-Bahá-i e vinin theksin te nevoja që prindërit t’i edukojnë fëmijët e tyre që në moshë të njomë, duket e parapëlqyeshme që ata të marrin edukimin e tyre të parë në shtëpi, nën kujdesin e nënës së vet, sesa të çohen në ndonjë çerdhe. Sidoqoftë, në qoftë se rrethanat e detyrojnë një nënë Bahá’í të ndjekë këtë rrugë të fundit, nuk mund të ketë kundërshtim.
(Nga një letër e datës 13 nëntor 1940, shkruar në emër të  Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)

126
Çështja e përgatitjes dhe e edukimit të fëmijëve në rastet kur njëri prej prindërve është jo Bahá’í, është një çështje që u përket vetëm prindërve, të cilët duhet të vendosin për rrugën që atyre u duket më e mirë e që çon në ruajtjen e unitetit të familjes së tyre, si dhe në mirëqenien e ardhshme të fëmijëve të tyre. Sapo fëmija mbush moshën e caktuar, atij duhet t’i jepet liri e plotë për të zgjedhur fenë e tij, pavarësisht nga dashjet e dëshirat e prindërve të vet.
(14 dhjetor 1940, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Bahá’í-ve të Indisë e të Birmanisë)

127
Ruajtësi u gëzua kur dëgjoi për grupin tuaj të të rinjve. Fëmijët që edukohen me mësimet botëpërfshirëse të Bahá’u’lláh-ut do të rriten për t’u bërë me të vërtetë një racë e re njerëzore. Ai shpreson se këta të rinj do ta përgatisin veten për detyrën e madhe me të cilën do të ndeshen në të ardhmen, që të ndihmojnë për të rindërtuar botën me ndihmën dhe frymëzimin e mësimeve Bahá’í.
(Nga një letër e datës 25 dhjetor 1941, shkruar në emër të  Shoghi Effendiut, drejtuar Bahá’í-ve të Hobartit, Australi)

128
Këta fëmijë Bahá’í janë të një rëndësie tepër të madhe për të ardhmen. Ata do të jetojnë në kohë dhe do të ndeshin probleme, të cilat kurrë nuk i ka përjetuar brezi i vjetër. Dhe vetëm Kauza mund t’i përgatisë ata për t’u shërbyer si duhet nevojave të një njerëzimi të ardhshëm të lodhur nga lufta, të zhgënjyer e fatkeq. Pra, detyra e tyre do të jetë tepër e madhe e me shumë përgjegjësi, dhe asnjë herë nuk mund të jetë i tepërt kujdesi që i duhet kushtuar rritjes e përgatitjes së tyre.
(Nga një letër e datës 11 janar 1942, shkruar në emër të  Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)

129
Ruajtësi mendon se do të ishte më mirë që secila nga nënat e fëmijëve Bahá’í — ose ndonjë Komunitet që Asambleja juaj mund të ngarkonte me detyrën që — të zgjedhë nga Fjalët e Shenjta fragmente që të përdoren nga fëmija, në vend të diçkaje të sajuar. Sigurisht lutja mund të jetë thjesht spontane, por shumë nga fjalitë e mendimet e kombinuara në shkrimet Bahá’í të karakterit devocional janë të lehta për t’u kapur dhe Fjala e reveluar ka një fuqi të vetën.
(Nga një letër e datës 8 gusht 1942, shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar Asamblesë Shpirtërore kombëtare të Ishujve Britanikë)

130
Ju fëmijët e të rinjtë Bahá’í keni përpara si privilegje të mëdha ashtu edhe detyrime të mëdha, sepse brezi juaj do të jetë ai që do të ndihmojë për ndërtimin e një bote të re, më të mirë e më të bukur, pasi të kenë kaluar vitet e errëta të kësaj lufte. Ju duhet të përgatiteni për këtë detyrë të madhe, duke u përpjekur të kapni domethënien e vërtetë të mësimeve dhe jo thjesht t’i pranoni ato si diçka që ju mësohet. Ato janë si një botë e re e mahnitshme e mendimit që sapo fillon të gjurmohet, dhe kur e kuptojmë se Bahá’u’lláh-u ka sjellë mësime e ligje për të njëmijë vjetët e ardhshme, ne e shohim me lehtësi se çdo brez i ri mund të gjejë në këto shkrime një domethënie më të madhe sesa brezi i mëparshëm.
(Nga një letër e datës 14 tetor 1942, shkruar në emër të  Shoghi Effendiut, drejtuar disa besimtarëve individualë)

131
Ruajtësi, në vërejtjet e tij...rreth marrëdhënieve midis prindërve e fëmijëve, grave e burrave në Amerikë, kishte parasysh se në atë vend ka një prirje që fëmijët të jenë tepër të pavarur nga dëshirat e prindërve të vet dhe se ata nuk kanë respektin e duhur ndaj tyre...
(Nga një letër e datës 22 korrik 1943, shkruar në emër të  Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)

132
Lidhur me pyetjen tuaj rreth zënkave të fëmijëve: deklarata e Mjeshtrit për të mos kthyer dorë nuk duhet marrë në mënyrë kaq të skajshme fjalë për fjalë, që fëmijët Bahá’í duhet të pranojnë të keqtrajtohen e të rrihen. Në qoftë se ata mund të gjejnë një mënyrë më të mirë për të zgjidhur sherrin sesa vetëmbrojtja aktive, ata natyrisht duhet të veprojnë kështu.
(Nga një letër e datës 11 maj 1945, shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)

133
Ju e pyesni atë për druajtjen e Perëndisë: ndoshta miqtë nuk e kuptojnë se shumica e qenieve njerëzore kanë nevojë për elementin e druajtjes në mënyrë që të disiplinojnë sjelljen e tyre? Vetëm një shpirt me një zhvillim relativisht shumë të lartë do të disiplinohej gjithmonë vetëm nga dashamirësia. Frika e dënimit, druajtja nga zemërimi i Perëndisë në qoftë se bëjmë keq, janë të nevojshme për t’i mbajtur këmbët e njerëzve në shtegun e duhur. Sigurisht ne duhet ta duam Perëndinë — por duhet t’i druhemi Atij në kuptimin e një fëmije që i druhet zemërimit të drejtë dhe dënimit nga ana e prindit; jo të dridhemi përpara Tij si përpara një tirani, por të dijmë se mëshira e Tij ia kalon drejtësisë së Tij!
(Nga një letër e datës 26 korrik 1946, shkruar në emër të  Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)

134
Atij i vjen keq kur dëgjon se djali juaj i vogël nuk po zhvillohet në mënyrë të kënaqshme; shumë pak fëmijë janë me të vërtetë të këqinj. Sidoqoftë, ata nganjëherë kanë personalitete të komplikuara dhe kërkojnë një trajtim të mençur për të bërë që të shndërrohen në të rritur normalë, të moralshëm e të lumtur.Në qoftë se ju jeni të bindur se djali juaj do të përfitojë me të vërtetë po të shkojë në shkollën e At Flanaganit, ju mund ta dërgoni atë atje. Por në përgjithësi ne sigurisht duhet gjithmonë të shmangim dërgimin e fëmijëve Bahá’í në shkolla fetare ortodokse, veçanërisht katolike, pasi atje fëmijët marrin mbresa besimesh fetare që ne, si besimtarë, e dimë se janë të vjetëruara dhe nuk i përshtaten më epokës së sotme. Ai do të lutet posaçërisht për zgjidhjen e këtij problemi.
(Nga një letër e datës 30 maj 1947, shkruar në emër të  Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)

135
Lidhur me pyetjen që i keni bërë atij: nuk ka kundërshtim që fëmijët që ende nuk janë në gjendje të mësojnë përmendësh një lutje të tërë, të mësojnë vetëm disa fjali.
 Ai nuk mendon se fëmijët duhet ta bëjnë praktikë thënien e falenderimeve ose t’u mësohet kjo fëmijëve. Kjo nuk është pjesë e Besimit Bahá’í, por një praktikë kristiane, dhe duke qenë se Kauza përfshin anëtarë të të gjitha racave e feve, ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos futim në të zakonet e besimeve tona të mëparshme. Bahá’u’lláh-u na ka dhënë lutjet e detyrueshme, si dhe lutje para gjumit, për udhëtarët etj. Ne nuk duhet të futim një grup lutjesh që Ai nuk i ka specifikuar, kur Ai na ka dhënë neve kaq shumë lutje, për kaq shumë raste.
 Puna juaj për edukimin e fëmijëve është sigurisht e rëndësishme dhe ai ju nxit të vazhdoni me të.
(Nga një letër e datës 27 shtator 1947, shkruar në emër të  Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)

136
Në lidhje me pyetjen tuaj: ai e kupton se kjo është një çështje për të cilën duhet të vendosni ju dhe burri juaj, veçanërisht duke pasur parasysh qëndrimin e tij ndaj Kauzës; fëmijët, duke qënë të vegjël, janë nën kujdesin tuaj dhe të dy ju keni të drejta e përgjegjësi të shenjta përsa i përket së ardhmes së tyre.
(Nga një letër e datës 24 nëntor 1947, shkruar në emër të  Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)

137
Çdo Bahá’í mund të japë për Fondet e Kauzës, i rritur apo fëmijë. Asnjë deklaratë nuk kërkohet për këtë çështje; kudo fëmijët Bahá’í kanë dhënë gjithmonë për Kauzën. Çfarëdo situate që mund të paraqitet në një klasë që ndjekin fëmijë jo-Bahá’í, i takon mësuesit të klasës ta zgjidhë. Nuk duhen vendosur rregulla për çështje të tilla.
(Nga një letër e datës 18 gusht 1949, shkruar në emër të Shogji Effendiut, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara)

138
 Edhe pse ju jeni fëmijë, kjo nuk do të thotë se nuk mund t’i shërbeni Besimit e ta shpjegoni atë me shembullin tuaj dhe duke i bërë njerëzit ta shohin se ju jeni më të mirë e më të mençur se shumë fëmijë të tjerë.
(Nga një letër e datës 16 mars 1952, shkruar në emër të  Shoghi Effendiut, drejtuar Klasës së Fëmijëve Shën Monika)

139
Parimi i përgjithshëm...është se një kërkesë për pushim nga mësimet shkollore në Ditët e Shenjta Bahá’í është e dëshirueshme. Kjo ka të bëjë me të gjithë fëmijët Bahá’í, pavarësisht nga mosha e tyre. Fëmijët e prindërve Bahá’í nën moshën 15 vjeç konsiderohen Bahá’í.
 Ajo që duhet të bëjë një prind Bahá’í ose Asambleja juaj është t’i kërkojë drejtorisë së shkollës t’u japë leje fëmijëve të tyre të mos shkojnë në shkollë në Ditët e Shenjta Bahá’í, pastaj t’i binden çdo vendimi që do të marrë drejtoria e shkollës dhe të mos përpiqen në asnjë mënyrë të imponohen për këtë çështje.
(Nga një letër e datës 19 gusht 1952, shkruar në emër të  Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)

140
Ruajtësi i dashur u kënaq shumë kur mësoi mbi sukseset e institutit për mësimin e fëmijëve indianë. Ai e kupton se kjo është një metodë shumë e mirë për mbjelljen e mësimeve të Besimit në zemrat e në mendjet e fëmijëve të vegjël, që ata të rriten e të zhvillohen si gra e burra të fortë e energjikë, që do t’i shërbejnë Kauzës. Po kështu ai shpreson se falë kësaj përpjekjeje ju do të jeni në gjendje të tërhiqni disa prej prindërve.
(Nga një letër e datës 18 shkurt 1954, shkruar në emër të  Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)

141
Ruajtësi do të lutet për zhvillimin shpirtëror të djalit tuaj të dashur. Në shpatullat e rinisë qëndron sot e ardhmja e Besimit. Prandaj ata duhet të jenë të edukuar e të përgatitur mirë jo vetëm në Mësimet e Besimit, por edhe në çështjet laike.
(Nga një letër e datës 24 maj 1954, shkruar në emër të  Shoghi Effendiut,  drejtuar një besimtari individual)

142
Ruajtësi gëzohet që ju po mësoni fëmijët, pasi një themel i shëndoshë i Mësimeve në mendjet e tyre do të ndihmojë shumë në formimin e karaktereve të tyre dhe do të bëjë që ata kur të rriten të jenë besimtarë të ekuilibruar e të dobishëm.
(Nga një letër e datës 6 mars 1955, shkruar në emër të  Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)

143
Në shpjegimin e druajtjes së Perëndisë fëmijëve, nuk ka kundërshtim që këtë t’ua mësoni atyre siç shpjegonte gjithçka ‘Abdu’l-Bahá-i, në formë shëmbëlltyrash. Gjithashtu fëmijës duhet t’i jepet të kuptojë se ne nuk i druhemi Perëndisë sepse Ai është i keq, por i druhemi Atij sepse është i drejtë dhe, nëqoftë se veprojmë keq e meritojmë të dënohemi, atëherë Ai me drejtësinë e Tij mund ta shohë të përshtatshme të na dënojë. Ne duhet edhe ta duam Perëndinë edhe t’i druhemi Atij.
(Nga një letër e datës 15 shkurt 1957, shkruar në emër të  Shoghi Effendiut, drejtuar disa besimtarëve individualë)

144
Bahá’í individualë mund të kërkojnë me ngulm që feja të mësohet në shkollat publike, por kjo nuk duhet bërë zyrtarisht, pasi ne ende nuk kemi peshën e duhur.
(Nga një letër e datës 15 gusht 1957, shkruar në emër të  Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)


SHTOJCË

IV. EKSTRAKTE NGA BISEDAT E ‘ABDU’L-BAHÁ-IT:

145
Midis këtyre fëmijëve do të dalin shumë shpirtra të bekuar, po qe se do të edukohen sipas Mësimeve Bahá’í. Nëqoftëse një bimë rritet me kujdes nga kopshtari, ajo bëhet e mirë dhe prodhon fruta më të mira. Këtyre fëmijëve u duhet dhënë një edukim i mirë qysh nga fëmijëria e tyre e hershme. Atyre u duhet bërë një përgatitje sistematike që do të çojë përpara nga dita në ditë zhvillimin e tyre, në mënyrë që ata të fitojnë një intuitë më të madhe dhe kështu të zgjerohet të kuptuarit shpirtëror i tyre. Duke filluar që në fëmijëri, ata duhet të arsimohen. Ata nuk mund të mësohen nëpërmjet librave. Shumë shkenca elementare duhet t’u bëhen atyre të qarta që në çerdhe; ata duhet t’i mësojnë ato duke luajtur, duke u zbavitur. Shumë ide mund t’u mësohen atyre përmes fjalës, jo nga librat. Një fëmijë duhet ta pyesë tjetrin lidhur me këto gjëra dhe fëmija tjetër të japë përgjigjen. Në këtë mënyrë ata do të bëjnë një përparim të madh. Për shembull, problemet matematike duhet gjithashtu të mësohen në formë pyetjesh e përgjigjesh. Njëri prej fëmijëve bën një pyetje dhe tjetri duhet të japë përgjigjen. Më pas, fëmijët me dëshirën e tyre do të flasin me njëri-tjetrin po për këto çështje. Fëmijët që janë të parët e klasës duhet të marrin çmime. Ata duhet të inkurajohen dhe, kur ndonjëri prej tyre ka përparim të mirë, duhet të lavdërohen e të inkurajohen në këtë drejtim. Po kështu edhe në çështjet hyjnore. Duhen bërë pyetje gojore dhe përgjigjet të jepen me gojë. Ata duhet të diskutojnë me njëri-tjetrin në këtë mënyrë.
(“The Bahá’í World” [Bota Bahá’í], vëll. 9 (1940-1944) (Wilmette: Komiteti Botues Bahá’í, 1945), f. 543)

146
I edukoni fëmijët qysh në vegjëli në mënyrë të tillë, që ata të bëhen tepër të dashur e të mëshirshëm ndaj kafshëve. Në qoftë se një kafshë është e sëmurë, ata duhet të përpiqen ta shërojnë; në qoftë se është e uritur, duhet ta ushqejnë; në qoftë se ka etje, duhet t’ia shuajnë etjen; në qoftë se është e lodhur, duhet ta çlodhin.
 Përgjithësisht njeriu është i mëkatshëm, kurse kafsha është e pafajshme; padyshim, kushdo duhet të jetë më i mirë e i mëshirshëm ndaj të pafajshmëve. Kafshët e dëmshme, të tilla si ujku gjakësor, gjarpëri helmues dhe kafshë të tjera dëmtuese bëjnë përjashtim, sepse mëshira ndaj tyre është egërsi ndaj njeriut dhe ndaj kafshëve të tjera.
(“The Bahá’í World” [Bota Bahá’í], Vëll. 9, f. 544)

147
Arti i muzikës është hyjnor e i efektshëm. Ai është ushqim i shpirtit. Falë fuqisë e magjepsjes së muzikës shpirti i njeriut lartësohet. Ajo ka pushtet e efekt të mahnitshëm në zemrat e fëmijëve, sepse zemrat e tyre janë të çiltëra dhe meloditë kanë ndikim të madh në to. Talentet e fshehta me të cilat janë të pajisura zemrat e këtyre fëmijëve gjejnë shprehje përmes muzikës. Prandaj, ju duhet të ushtroheni për t’i bërë ata të aftë; t’i mësoni ata të këndojnë shumë mirë e me efekt. Është detyrë e çdo fëmije të njohë diçka nga muzika, sepse pa njohuri në këtë art meloditë me instrument e me zë nuk mund të shijohen si duhet. Po kështu, është e nevojshme që të mësohet ajo në shkolla, në mënyrë që mendjet dhe zemrat e nxënësve të gjallërohen e të gazmohen dhe jeta e tyre të ndriçohet plot hare.
 Sot në këtë takim janë mbledhur fëmijë të ndriçuar e shpirtërorë. Ata janë fëmijët e Mbretërisë. Mbretëria e qiellit është për shpirtra të tillë si këta, sepse ata janë pranë Perëndisë. Ata kanë zemra të dëlira. Ata kanë fytyra të frymëzuara. Efekti i mësimeve hyjnore është i dukshëm në çiltërsinë e plotë të zemrave të tyre. Ja përse Krishti iu drejtua botës duke thënë. “Veç po të ndryshoni e të bëheni si fëmijët e vegjël, përndryshe nuk do të hyni në mbretërinë e qiellit” — pra, njerëzit duhet të bëhen të dëlirë në zemër që të njohin Perëndinë. Mësimet kanë pasur efekt të madh. Shpirtra të frymëzuar! Shpirtra të dhembshur! Zemrat e të gjithë fëmijëve janë krejt të dëlirë. Ato janë pasqyra mbi të cilat nuk ka rënë pluhur. Por kjo dëlirësi i detyrohet dobësisë e pafajësisë, jo ndonjë force e sprove, sepse në këtë periudhë të hershme të fëmijërisë së tyre, zemrat dhe mendjet janë të panjollosura nga bota. Ato nuk mund të paraqesin ndonjë mençuri të madhe. Ato nuk kanë as hipokrizi e as mashtrim. Kjo i detyrohet dobësisë së fëmijës, kurse njeriu bëhet i dëlirë falë forcës së tij. Falë fuqisë së inteligjencës, ai bëhet i thjeshtë; falë fuqisë së madhe të arsyes e të logjikës, e jo për shkak të dobësisë, ai bëhet i sinqertë. Kur arrin gjendjen e përsosurisë, ai i fiton këto veti; zemra e tij dëliret, shpirti i tij ndriçohet, bëhet i ndieshëm e i dhembshur — të gjitha falë forcës së tij të madhe. Ky është ndryshimi midis njeriut të përkryer e fëmijës. Që të dy kanë tiparet e thjeshtësisë e të sinqeritetit — fëmija falë pushtetit të dobësisë, ndërsa njeriu falë pushtetit të forcës.
 ...
 Unë ju jap këshillën time dhe kjo është: Ushtrojini këta fëmijë me thirrjet hyjnore. Që në fëmijëri rrënjosni në zemrat e tyre dashurinë për Perëndinë, në mënyrë që ata të shfaqin në jetën e tyre druajtjen e Perëndisë dhe të kenë besim në dhuntitë e Perëndisë. Mësojini të çlirohen prej papërsosurive njerëzore dhe të fitojnë përsosuritë hyjnore që qëndrojnë të fshehura në zemrën e njeriut. Jeta e njeriut është e dobishme në qoftë se ai arrin përsosuritë e njeriut. Në qoftë se ai bëhet qendra e papërsosurive të botës së njerëzimit, vdekja është më e mirë se jeta dhe mosqenia më e mirë se qenia. Prandaj bëni një përpjekje që këta fëmijë të ushtrohen e të edukohen si duhet dhe që secili prej tyre të arrijë përsosurinë në botën e njerëzimit. Dijeni vlerën e këtyre fëmijëve, sepse ata janë fëmijët e mi.
(“Shpallja e Paqes Universale: Biseda të zhvilluara nga ‘Abdu’l-Bahá-i gjatë vizitës së Tij në Shtetet e Bashkuara e në Kanada më 1912”, bot. i dytë, (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1982), f. 52-54)

148
Po qe se një nxënësi i thuhet se zgjuarsia e tij është më e pakët se e nxënësve të tjerë, kjo është një e metë e një pengesë e madhe për përparimin e tij. Ai duhet të inkurajohet për të ecur përpara...
(“Shpallja e Paqes Universale”, f. 76-77)

149
...Sipas mësimeve të Bahá’u’lláh-ut, familja, duke qenë një njësi njerëzore, duhet të edukohet sipas rregullave të shenjtërisë. Të gjitha virtytet duhet të mësohen në familje. Tërësia e lidhjes familjare duhet të mbahet vazhdimisht parasysh dhe të drejtat e pjesëtarëve individualë nuk duhet të shkelen. Të drejtat e birit, të atit, të nënës — asnjëra prej tyre nuk duhet të shkelet, asnjëra prej tyre nuk duhet të jetë arbitrare. Ashtu si i biri ka detyrime të caktuara ndaj atit të vet, babai po kështu ka detyrime të caktuara ndaj të birit. Nëna, motra dhe pjesëtarët e tjerë të shtëpisë kanë prerogativa të caktuara. Të gjitha këto të drejta e prerogative duhet të ruhen, në mënyrë që të mbështetet uniteti i familjes. Dëmtimi i njërit duhet të konsiderohet dëmtim i të gjithëve; rregullimi i njërit — rregullim i të gjithëve; nderi i njërit nder i të gjithëve.
(“Shpallja e Paqes Universale”, f. 168)

150
Ai shpalli adoptimin e të njëjtit kurs edukimi si për burrin dhe për gruan. Vajzat dhe djemtë duhet të ndjekin të njëjtin program studimi, duke përkrahur kështu unitetin midis sekseve. Kur gjithë njerëzimi të ketë të njëjtat mundësi për edukim dhe barazia ndërmjet burrave e grave të jetë arritur, atëherë themelet e luftës do të shkatërrohen tërësisht. Pa barazi kjo do të jetë e pamundur, sepse të gjitha ndryshimet e dallimet çojnë në mosmarrëveshje e grindje. Barazia ndërmjet burrave e grave çon në zhdukjen e luftës, për arsye se gratë kurrë nuk do të kenë dëshirë ta sanksionojnë atë. Nënat kurrë nuk do pranojnë të flijojnë fëmijët e tyre në fushën e betejës pas njëzet vjetësh ankthi e përkushtimi plot dashuri për rritjen e tyre që nga foshnjëria, pavarësisht se çfarë kauze ata janë thirrur për të mbrojtur. Nuk ka asnjë dyshim se kur gratë të kenë fituar të drejta të barabarta, lufta do të pushojë krejtësisht në gjirin e njerëzimit.
(“Shpallja e Paqes Universale”, f. 175)

151
Fëmija nuk duhet të shtypet ose të dënohet meqë është i pazhvilluar; ai duhet të ushtrohet me durim...
(“Shpallja e Paqes Universale”, f. 180-81)

152
Bahá’u’lláh-u ka thënë që, përderisa padituria dhe mungesa e edukimit janë barriera ndarjeje midis njerëzimit, të gjithë duhet të marrin edukim e arsim. Falë kësaj mase, mungesa e kuptimit të ndërsjellë do të rregullohet dhe uniteti i njerëzimit do të çohet më tej dhe do të përparojë. Edukimi universal është një ligj universal...
(“Shpallja e Paqes Universale”, f. 300)

153
Edukimi i çdo fëmije është i detyrueshëm... Veç këtij edukimi të përhapur gjerësisht, çdo fëmije duhet t’i mësohet një profesion, zeje ose zanat, kështu që çdo anëtar i komunitetit do të jetë në gjendje të sigurojë mjetet e veta të jetesës. Puna e bërë në një frymë shërbimi është forma më e lartë e adhurimit...
(“‘Abdu’l-Bahá-i mbi Filozofinë Hyjnore”, f. 83)

 


(Përmbledhur për t’u dërguar bashkë me një letër të datës 31 gusht 1976, shkruar nga Shtëpia Universale e Drejtësisë, drejtuar të gjitha Asambletë Shpirtërore Kombëtare)

Rishikuar në korrik 1990

 


1 Lidhur me këtë pasazh, në një ekstrakt nga një letër e datës 5 Janar 1948, të shkruar nga Shoghi Effendiu për një besimtar individual, thuhet: “Për fat të keq, duket se dija ‘që do të zhdukte gjerësisht frikën’ nuk u zbulua ose identifikua nga Bahá’u’lláh-u; kështu që ne nuk dimë gjë për të”. Ky ekstrakt është botuar, gjithashtu, në “Bahá’í News” 210 (Gusht 1948), f. 3.
2 Kurani 3:67
3 Kurani 56:62
4 Shih Zanafilla 1:26.
5 Shih Zanafilla 1:26.
6 Kurani 17:22
7 Bahá’u’lláh-u.
8 Shih Zanafilla 9:25.
9 domethënë, prandaj njerëzit nuk mund të fajësohen për karakterin e tyre.
10 Pema e Zekumit [Zaqqúm], Kurani 37:62, 44:43
11 Shih “Pjesë të zgjedhura nga shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it”, [bot i rish.], (Haifa: Qendra Botërore Bahá’í, 1982), Sek.97, f. 126)
12 Kurani 25:55, 35:13, 55:19-25. Shih gjithashtu Lutjen e Martesës të reveluar nga ‘Abdu’l-Bahá-i, që fillon me fjalët “Ai është Perëndia! O Zot i Pashoq! Në urtinë Tënde të gjithëfuqishme Ti ke urdhëruar martesën...”
13 Shih “Përgjigje për disa pyetje, f. 328-329 lidhur me komentet e ‘Abdu’l-Bahá-it për harkun e zbritjes e të ngjtijes.
14 Kurani 24:35
15 Kurani39:12.
16 Shih “Pjesë të zgjedhura nga shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it” [bot. i rish.] (Haifa, Qendra Botërore Bahá’í, (1982), Sek. 114, f. 139.
17 “Ngushëllimi i syrit tënd” — shprehje idomatike persiane që do të thotë “fëmija”.
18 Te Pyetje dhe Përgjigje, që është një shtojcë e Qitapi Akdas-it, Bahá'u'lláh-u u vë fëmijëve detyrimin që t'u shërbejnë prindërve të tyre dhe deklaron në mënyrë të prerë se pas njohjes së njëshmërisë së Perëndisë, më e rëndësishmja ndër të gjitha detyrat e fëmijëve është të kenë konsideratën e duhur për të drejtat e prindërve të tyre.
19 Një prej besimtarëve të shquar të Kazvinit [Qazvín].
20 Shih “Rendi Botëror i Bahá’u’lláh-ut!: Letra të Zgjedhura” [bot. i rish.] (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1982), f. 126-27.
21 “Tabelë e Bahá’u’lláh-ut e reveluar pas Qitapi Adas-it”, bot. i rish. (Haifa: Qendra Botërore Bahá'i, 1982), f. 128.

 

Autor: administrator - Kategorie: Përmbledhje - Strany: 0 - Kapitoly: 0
© www.erfan.cz & phpRS